Gjenocidi ndaj shqiptarëve në Ballkan/
Nga Adil FETAHU/
Se ndaj shqiptarëve në Ballkan është kryer gjenocid nga regjimet fashite të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, kjo është e ditur botërisht dhe mund të vërtetohet me mijëra argumente, dëshmi e dokumente të pamohueshme, edhepse deri më sot nuk kemi asnjë rezolutë apo aktgjykim për këtë lloj krimi më të rëndë që njeh drejtësia ndërkombëtare. Dhe ai gjenocid është kryer në disa valë, në vazhdimësi qe afro dy shekuj. Por, në qarqet zyrtare të shteteve që kanë kryer gjenocidin, as në ato ndërkombëtare, madje as në ato shqiptare, akoma nuk ekziston një mendim i prerë, një rezolutë apo deklaratë relevante zyrtare për gjenocidin e kryer ndaj Shqiptarëve. Gjenocid është bërë edhe ndaj Boshnjakëve, edhe ndaj Gjermanëve të Vojvodinës. Derisa ndaj Shqiptarëve dhe ndaj Gjermanëve është kryer gjenocid kryesisht në baza kombëtare, ndaj Boshnjakëve është bërë në baza fetare. Për planifikuesit dhe ekzekutorët e gjenocidit, Shqiptarët dhe Boshnjakët duhej zhdukur nga faqja e dheut, apo duhej nënshtruar që kurrë të mos bëhën faktor i cili “paraqet rrezik” ose pengesë për projektet hegjemoniste të Serbisë së Madhe, Greqisë së Madhe apo Malit të Zi. Ç’është më keq, asnjë institucion shtetëror, shkencor, kulturor apo fetar i shteteve gjenocidale, nuk e ka gjykuar gjenocidin, as nuk ka kërkuar falje (ndonëse kërkimfalja nuk do të thotë asgjë). Përkundrazi, ato me platformat, planet dhe programet e tyre, e kanë nxitur e ndihmuar përgatitjen dhe kanë justifikuar zbatimin e gjenocidit. Krimet e gjenocidit, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, i kanë reduktuar e adresuar si krime të individëve apo të grupeve joformale, “të pakontrolluara nga shteti”, gjë që nuk është aspak e vërtetë, ngase ato i kanë kryer organizmat e shtetit: ushtria, policia, formacionet e tjera të organizuara, të financuara dhe të kontrolluara nga shteti. Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, edhepse kishte prova e argumente të mjfatueshme për ta kualifikuar luftën në Kosovë si gjenocid, edhepse në aktgjykimet e veta kundër kreut politik, ushtarak e policor (dmth. kreut shtetëror të Serbisë/RFJ), shqiptoi kualifikimin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ajo Gjykatë nuk e fajësoi as dënoi shtetin apo ndonjë organizatë politike, fetare a kulturore për gjenocidin, veçse përgjegjësinë e individualizoi në disa persona, të cilëve iu shqiptoi dënime të lehta në krahasim me krimet e kryera në shkallë gjenocidi. Gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, të viteve 1876/78, 1912/14/18, 1941/45, e 1998/99, nuk e dënoi as pranoi ndonjëherë asnjë organizëm apo individ në Serbi. Ndonjë individ i dënoi krimet monstruoze të soldateskës serbe, pa e përmendur fjalën gjenocid, si Dimitrije Tucoviqi, Kosta Novakoviq, Dushan Popoviq e ndonjë tjetër gjatë luftërave ballkanike, apo Natasha Kandiqi për luftën e fundit, por ata janë zëra të vetmuar, të izoluar e të urryer nga shteti, nga kisha, nga shkenca dhe nga populli i ushqyer me urrejtje patologjike ndaj Shqiptarëve si komb, dhe ndaj Islamit si fe. Një rezolutë për gjenocidin e kryer në Srebrenicë në vitin 1995, e miratuar nga organizmat ndërkombëtare, nuk i mbulon as përsëafërmi përmasat e gjenocidit të kryer ndaj Boshnjakëve gjatë luftës së fundit. Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, është zëri i parë nga fatorët ndërkombëtarë që publikisht e ka thënë, në një intervistë në TV-n publike gjermane ARD, se “Asnjë qeveri nuk ka vepruar me minoritetet ashtu siç ka bërë Millosheviqi në Kosovë, ku ka vrarë, dëbuar dhe ushtruar gjenocid ndaj popullsisë shqiptare”.
Për krimet dhe gjenocidin grek të kryer ndaj shqiptarëve në Çamëri ( prej vitit 1913 deri më 1945), dy-tre shkencëtarë, historianë grekë, në studimet e tyre argumentuan dhe pohuan se ndaj Çamëve (myslimanë) është kryer gjenocid. Këtë e kishte bërë i pari profesori grek në Universitetin Yale (ShBA), z.Stathis Kalivas, ndërsa herën e dytë këtë e bënë profesorët grekë të Universitetit Pandio (të Greqisë): Lambros Buciotis dhe Konstatinos Ciceliqis (dhjetor 2009). Mirëpo, edhe ata janë zëra të vetmuar, pasi politika, shteti dhe kisha greke jo se e pranuan dhe dënuan gjenocidin, por çdoherë e mohojnë se çamëve bile as u janë shkelur të drejtat fare! Shoqata Demokratike “Çamëria”, me seli në Holandë, në shkurt të këtij viti ia ka paraqitur Gykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, dosjen me katër kërkesa për popullsinë e Çamërisë: l) që Gjykata të vërtetojë se ndaj popullsisë çame shteti grek ka kryer gjenocid, 2) që të gjykojë krimet kundër njerëzimit që ka bërë qeveria (qeveritë) greke, në vazhdimësi prej vitit 1913 deri më 1945, 3) që t’i urdhërojë shtetit grek, të lejojë riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur me dhunë e terror, dhe 4) që popullit të Çamërisë t’iu kthehen pronat e marruna.
Krimet monstruoze që kanë kryer mbi shqiptarët regjimet fashiste të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, përmbajnë të gjitha tiparet, elementet dhe motivet të cilat cilësohen si gjenocid, në kuptim të (nenit 2) Konventës së OKB-së për Ndalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit (rezoluta Nr.260, datë 9 dhjetor 1948). Sipas definicionit të asasj dispozite, gjenocid paraqet veprimi që ka për qëllim: 1) zhdukjen e tërësishme ose të pjesërishme të ndonjë grupi kombëtar, etnik apo religjioz, si dhe vrasja e anëtarëve të grupit; 2) lëndimi (dëmtimi) i rëndë i integritetit fizik apo shpirtëror të anëtarëve të grupit; 3) imponimi i qëllimshëm i kushteve të jetesës, me synim të zhdukjes fizike të plotë ose të pjesërishme; 4) masat me qëllim të parandalimit të lindjeve në kuadër të grupit; dhe 5) zhvendosja e dhunshme e fëmijëve prej një grupi në tjetrin. Secili veprim (krim) i përmendur në dispozitën e cituar, veç e veç, paraqet gjenocid në vete. Ndërkaq, në rastin e shqiptarëve nën pushtimin sllavo-grek, gjenocidi është kryer në katër format e para (1-4) të përmendura më sipër. Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në vitet 1876-77, kur ka vrarë shumë shqiptarë dhe i ka shpërngulë me dhunë e terror nga rajoni i Toplicës. Ka kryer gjenocid gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore (1913-1918), gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-45), dhe në luftën e fundit (1998/99). Por, ajo ka kryer veprime e krime gjenocidi në forma të ndryshme edhe gjatë kohës së paqes, me terrorin që ka bërë, për t’i detyruar shqiptarët të shpërngulën në Turqi, sipas marrëveshjes së lidhur me atë shtet. Greqia ka kryer gjenocid mbi shqiptarët e Çamërisë prej vitit 1913, në vazhdimësi deri në vitin 1945, kur me vrasje e terror, i ka detyruar të gjithë shqiptarët myslimanë të shpërngulën, njëherë në Turqi (vitet 1922-1925), e së fundi në Shqipëri (vitet 1944-1945). Edhe Mali Zi, prej pushtimit të viseve shqiptare, ka bërë gjenocid mbi shqiptarët dhe boshnjakët e mbetur nën pushtimin e atij shteti.
Për krimet e gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve, ka argumente e dëshmi të dokumentuara. Ato ekzistojnë në arkivat shtetërore, diplomatike e ushtarake të shteteve të ndryshme, në shtypin e kohës dhe në libra të autorëve të ndryshëm. Për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj Shqiptarëve, në luftërat ballkanike, të dhëna më të plota gjendën në librin: “Srbija i Albanci – pregled politike Srbije prema Albancima od 1878. do 1914.godine” (Sërbia dhe Shqiptarët – pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj Shqiptarëve prej vitit 1878 deri më 1914), Libri i Parë, botim i Revistës “Çasopis sa kritiko znanosti”, Lublanë, prill 1989). Argumentet e paraqitura në atë libër janë mbështetur kryesisht në burimet serbe. Shumë prej tyre gjendën në librin e social-demokratit serb, Dimitrije Tucoviq: “Srbija i Arbanija – jedan prilog kritici zavojevacke politike srpske burzoazije” (Serbia dhe Shqipëria – një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe, botim: “Kultura: Beograd-Zagreb” 1946), me parathënien e Millovan Gjillasit. Nga shtypi i huaj, të dhëna më të plota për gjenocidin janë përfshirë në librin e ish-deputetit austriak Leo Frenundlich: “Albania’s Golgotha – indictment of the exetrminators of the Albanian people” (Golgota e Shqipnisë – aktakuzë kundër shfrarosësve të popullit Shqiptar). Argumente për synimet dhe qëllimet e gjenocidit gjendën në projektet, platformat, planet dhe programet e shumta të shtetit të Serbisë e të Greqisë, qysh prej “Naçertanies” dhe “Megaliideas” (1844), deri te plani i Operacionit “Patkoi”, për shfarosjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova (1999). Marrëveshjet e Greqisë e të Serbisë/Jugosllavisë për shpërnguljen e Shqiptarëve në Turqi, gjithashtu kishin këtë qëllim dhe ishin në këtë funksion. Të dhëna të shumta e me interes në këtë temë janë përfshirë edhe në librin e Elena Kocaqit-Levanti, me titull: “ Planet për zhdukjen e shqiptarëve”. Klubi: “Forum-Index.hr”, në një shkrim me titull: “Genocid nad Albancima na Kosovu, zasto se cuti o ovome?” (Gjenocidi mbi Shqiptarët në Kosovë – përse heshtet për këtë?), jep nje pasqyrë kronologjike të krimeve serbe, të kryera prej 28 shkurt 1998 deri më 22 maj 1999, kryesisht për numrin e të vrarëve në fshatra e vendbanime të ndryshme në Kosovë, krime këto që tejkalojnë pragun e gjenocidit, pa përmendur dëbimin e organziuar në regji të shtetit, të ma se 900.000 shqiptarëve nga Kosova! Disa libra të profesorit Nusret Pllana, edhe në gjuhë të hueja, me shifra, fakte e fotografi dëshojnë dhe akuzojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët.
Elita kishtare, kulturore e politike nxitën, shteti zbatoi gjenocidin
Në bazë të ideologjis për Serbinë e Madhe, elita politike, intelektuale dhe kishtare kanë përgatitur platforma, plane e programe të shumta, të cilat në kohë të përshtatshme për to i ka zbatuar shteti, duke kryer krime makabre, në përmasa gjenocidi. Me mijëra punime, libra, pamflete e programe të atyre elitave kanë indoktrinuar popullin serb me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve si komb, dhe ndaj myslimanëve (islamit) si fe, dhe kanë “justifikuar” zhdukjen dhe pushtimin e tokave dhe pronave të tyre. Ka shënime, se sëpaku janë 24 plane e programe, të hapta e të fshehta, për zhdukjen e shqiptarëve, duke filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844); “Gorski vijenac” i P.P.Njegoshit (1846); “Srbi svi i svuda” i V.Karaxhiqit (1849), projektet e Jovan Cvijiqit (1912 e 1921), të përpunuara më vonë nga Vasa Çubrilloviqi në elaboratin e tij: “Manjinski problemi u Jugoslaviji” (1937; 1944); “Elaborat o Albaniji” i Ivo Andriqit (1939); “Homogena Srbija” e Stevan Moleviqit (1941); Programi i çetnikëve të Drazha Mihajlloviqit (1941); deri te plani “Patkoi” (1999) për zhdukjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova! Për zhdukjen e popullsisë dhe pushtimin e tokave të shqiptarëve, ekzistojnë edhe marrëveshje ndërkombëtare, të hapta e të fshehta, siç janë marrëveshja midis Greqisë e Turqisë (1923) dhe ajo midis Serbisë (MSKS) e Turqisë (1938), për shkembimin, respektivisht shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Po, ekzistojnë edhe marrëveshje të fshehta midis shteteve ballanike, madje dhe midis fuqive të Antantës dhe Italisë (Marrëveshja e fshehtë e Londrës, 26 prill 1915), për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve fqinje. Vetëm falë Zotit dhe Amerikës, shqiptarët janë sot si një komb e si dy shtete, por në territor pesëfish më të vogël se ai që ishte i tyre në shekullin XIX, ndërsa shtetet fqinje: Serbia, Greqia dhe Mali u zgjëruan duke pushtuar tokat shqiptare, e duke zhdukur shqiptarët prej vendit të tyre.
Roli i orientalistëve serbë në justifikimin e gjenocidit
Shkencëtari i njohur amerikan, dr Norman Cigar, në veprën-studimin e tij: “Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj muslimanëve në Ballkan” (botimi shqip, “Logos-A”,2003), që në hyrje të librit konstaton se “orientalistët serbë kanë pasur lidhje direkte me politikën e spastrimit etnik (fq.9); se krijimi i atmosferës antiislame mundësoi rrëshqitjen e mëtutjeshme në gjenocid (fq.17),… dhe se zbatimi i veprimeve gjenocidale dokumentohet me mijëra dokumente autentike të proviniencave të ndryshme” (fq.18). Cigar përmend orientalistët më të njohur serbë: Aleksandar Popoviq, Darko Tanaskoviq, Mirolub Jevtiq, Nada Todoroviq, të cilët në kundërshtim me etikën morale e shkencore, islamin e trajtojnë si retrograde dhe shkaktar kryesor të kërcënimit të modernizimit dhe civilizimit në përgjithësi, e të Serbisë në veçanti. Qëndrimet e orientalistëve, autori Cigar i vërenë të lidhura ngushtë, në një aleancë e simbiozë të strukturës së nacionalizmit serb, me Kishën Ortodokse Serbe, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, mediat, politikën, financat, dhe forcën ushtarake. “Fillesa kyçe e kampanjës orientalistike (në Serbi,a.f.) është përqëndruar mbi idenë që muslimanët i takojnë një religjioni dhe kulturës ekzotike e të huaj, dhe kështu ata kurrë nuk do të kishin pasur vend në Evropë” (fq.20). Orientalisti Mirolub Jevtiq, thotë se “Shqiptarët janë epropian të rrejshëm, ndërsa muslimanë të vërtetë” (fq.23). Në një intervistë dhënë revistës “Vojska”, orientalisti Darko Tanaskoviq ka deklaruar se “është duke e vërejtur xhihadin ekonomik, diplomatik e në veçanti xhihadin demokgrafik”, si rrezik për shkatërrimin e Serbisë dhe ordoksizmit (fq.37). Vojin Dabiq, muslimanët e Bosnjes, Sanxhakut, Shqiptarët e Kosovës dhe pakicën turke në Bullgari e në Greqi (?) i konsideron rrezik për Evropën (fq.41). …”Kështu, orientalistët ndihmuan që gjenocidi të bëhet realitet”(fq. 54), përfundon shkencëtari, publicisti e hulumtuesi i njohur amerikan, dr Norman Cigar.
Padia e Thaçit, për konsum të brendshëm
Një deklaratë e presidentit Hashim Thaçi, se Kosova së shpejti do ta paditë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për gjenocin e kryer në luftën e fundit (1998/99), në mediat dhe në qarqet politike të Serbisë krijoi “cunami në një gotë ujë”! Ajo deklaratë më tepër ishte për konsum të brendshëm, por dhe për të krijuar nervozë në qarqet serbe, se sa ka të bëjë me realitetin. Sepse, Hashim Thaçi nuk mundi ta shtyjë në rend dite as në Kuvendin e Kosovës, miratimin e një rezolute për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë në luftën e fundit, të cilën e pat propozuar Lëvizja Vetëvendosje (3 gusht 2015).
Nuk di sa ka njohuri zotëri Thaçi dhe këshilltarët e tij, por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, edhepse nuk është gjykatë penale, ka standarde të larta e kritere rigoroze për të cilësuar krimin si gjenocid e për të shqiptuar aktgjykim për gjenocid. Me gjithë mbështetjen ndërkombëtare, mezi e pranoi padinë e BH për gjenocidin në Srebrenicë, por e refuzoi për vendet e tjera (26 shkurt 2007). Dhe, përkundër faktit që Gjykata ka vërtetuar se “Serbia ka pasur ndikim të caktuar policor, ushtarak e financiar në luftën në BeH dhe ka pasur dijeni se gjenocidi mund të ndodhë”, megjithatë Gjykata e “amnestoi” Serbinë nga përgjegjësia për gjenocid! Aktgjykimi ishte një kompromis, dhe jo aq koherent, por edhe ajo Gjykatë në punën e saj ka parasysh interesat e politikës globale. Ndërkaq, padinë e Kroacisë kundër Serbisë, dhe kundërpadinë e Serbisë kundër Kroacisë, për gjenocid (1991-1995) ajo Gjykatë i ka refuzuar tërësisht (më 3 shkurt 2015), me arsyetim se “asnjëra palë nuk ka ofruar prova të argumentuara se ka ekzistuar konspiracioni apo qëllimi për të kryer gjenocid”?!
Krimet e luftës dhe krimet e gjenocidit nuk parashkruhen, dhe heret a vonë, kur të jemi përgatitur mirë për të argumentuar e dokumentuar, dhe kur ta fitojmë përkrahjen ndërkombëtare për një rezolutë ndërkombëtare dhe një padi për gjenocid, atëherë duhet ta ngrisim padinë. Sepse, në rastin tonë ka, dhe është shumë më lehtë të ofrohen prova historike, teorike dhe praktike, me të cilat vërtetohet se Serbia ka pasur për qëllim zhdukjen e tërësishme ose të pjesërishme të shqiptarëve, duke planifikuar, përgatitë, nxitë, kurajuar, ndihmuar, shtytë dhe kryer gjenocidin, për të krijuar Serbinë e Madhe në trojet shqiptare.