PLIS! KURORË PERËNDIE!
Bora zbardh çdo majë lisi,
Rrënjë thellë në Dardani.
Mbi çdo krye zbardhon plisi,
Dhuratë zotash për shqiptari.
Plis, kur lërohet e mbillet toka,
Për ilirët, strehë, shtresë e qiell,
Me plis, mbi plis, mbështetet koka,
Ante Pellazg, puth yje, hënë e diell.
Majë shkëmbi, majë guri,
Ku shqiponja ngre fole
Plis i bardhë mbi krye burri,
i bën bashkë për komb e dhe.
Kuvend burrash shtrohet plisi,
Zbardhon mali nën flamur.
Një kushtrim, Në këmbë fisi,
Kala guri përmbi gur.
Të djeg lufta të skuq gjaku,
Trimat shkrepin si rrufe!
Lufton djali, ngrihet plaku,
Jeta s’vlen pa mëmëdhe.
Plis, kurorë perëndie!
Shenjtëruar në stuhi,
Simbol paqe, dashurie,
Shekujt tutje, ti prap i ri!
PAJTIM! FRYMË ATDHETARIE!
Pse e huaj ndër shqiptarë, fjala pajtim?
Shqip folur e shkruar, na përkund fare pak.
Çirremi, godasim, vrasim, plot zemërim,
Arsyeja hesht, mosdashja vendos lak.
Pajtimi lyp forcë, besë dhe bajrak.
Gumëzhin në vesh, vjen si fjalë e rrallë.
Gjuha rrotullohet, buza kullon gjak,
Kur tjetrit i thyejmë dhëmb e dhëmballë.
Na trazon politika, kjo bushtër tinëzare,
E ndan një popull në parti dhe fe.
Këmbëkryq me hasmin ulet e bën pazare,
S’pyet për komb, shet nder e atdhe.
Fryma e pajtimit, ka mbetur në kërkim!
Arratisur nga vatrat tona, kohë më parë.
Gërshëra e mallkimit, na preu pa ngurrim.
Mes vetes grindje! Trojet arbërore ndarë.
Rilindasit dikur, shenjtorë të mëmëdheut,
Me penë e pushkë, na thërrasin përsëri.
Tok mblidhuni rreth zjarrit të Prometeut,
Flaka e pajtimit të ndizet, për shqiptari.
KU TA GJEJ TË SERTËN FJALË?
Ku ta gjej të sertën fjalë?
Më thoni ku ta gjej?
Pres trazuar, si det plot valë,
Ta ngjesh në shkrim e ta pëlqej,
Si gozhdë kovaçi, në varg ta mbërthej.
Ku ta gjej një fjalë? Ju pyes!
Me peshë e me shumë mend.
Ta ve në krye vatre, në sofër e kuvend.
Të keqen ta rrah burrash, sa ta vdes,
Të mirës që dhemb, t’i bëj pakëz vend.
Ku ta gjej një fjalë,
Të urtë, të ëmbël si mjaltë?
Si pishtar ta mbaj në dorë, në ballë,
Të ndriçoj natën dhe ditën e nxirë.
Fushës e malit, shkujdesur të bredh i lirë,
Në dheun tim të lashtë, të qullur të ngrirë,
Shpresën e humbur ta ngroh, ta mbaj gjallë.
S’ka gjë, se këmbët më zhyten në baltë.
Por fjalën e baltosur, s’e dua, s’e pranoj,
Druhem se firmos ndëshkimin tim.
Më dëgjon ç’ them? Ç’ thua të dëgjoj!
Mendje e ndritur të larton, të bën edhe trim,
Fjala e lëshuar, mbetet shigjetë pa kthim.
E përbuz fjalën e sheqerosur,
Për servilin, pasuri mbi pasuri.
E lakmoj edhe fjalën e marrosur,
Që godet e shemb çdo padrejtësi.