• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË NJËJTË POR TË NDRYSHËM, TË NDRYSHËM DHE TË NJËJTË

October 10, 2014 by dgreca

Drithërimat e yjeve- Në romanin “Drithërimat e Yjeve”, të shkrimtarit Viron Kona/
Kisha kohë që e pata lexuar librin “Drithërimat e Yjeve”, të autorit Viron Kona. Të them të drejtën më pat pëlqyer shumë, për mënyrën aq të sinqertë të tregimit të mundimeve dhe vuajtjeve të mërgimtarëve tanë, që morën udhët e botës për një jetë më të mirë. Një problem edhe i popujve të tjerë, i hershëm sa vetë bota. Tani porsa e rilexova, jo veç për kënaqësi letrare, por më shumë për të sjëllë edhe një herë në kujtesë, fatin e kurbetllinjve tanë, një pjesë e të cilëve po kthehen në vendlindje, por me shpresa të venitura. Keq aty e keq këtu! S`di ç`të bëjë i varfëri njeri! Si do t`u vejë halli!? Pyetje që na mbetet në buzë të gjithëve, ndërsa unë vazhdoj ta mundoj veten: Vallë a drithërohen yjet e vendlindjes, ashtu sikur në dhe të huaj? Mbase ka të drejtë Lukiani i lashtësi që thotë: “Edhe tymi i atdheut, do të duket më i ndritshëm se zjarri në vise të largëta”. Ndaj s`kam pse të pyes shkrimtarin, sepse, megjithëse është vjeshta e parë e s`ka filluar ende e ftohta, më ngjethet mishi kokrra-kokrra, kur njihem me peripecitë e heroit të librit dhe bashëvuajtësve të tjerë.
Duke shikuar pikturën dhe titullin mbi kapakun e librit, mendja shkon me një herë te hyjnesha, që me hiret e trupin e bukur, po i kall zjarrin detit, aq sa edhe yjet e lakmojnë e dridhen, jo më njeriu me mish e gjak. Që këtu fillon kundërshtia që s`të ndahet deri në faqen e fundit. Është një mrekulli e sjellë nga autori Kona, në formën e një fabule, që është e bukur në pamje, por e trishtë në përmbajtje. Yjet po drithërohen jo nga bukuria e dashuria, por nga dhimbjet e shpirtit të njeriut që mundohet, vuan e pëshpërin nëpër buzë thirrje, me shpresë që ta dëgjojnë. Ç`të bëjë mërgimtari i shkretë, që me trup të lodhur e të drobitur, i mbetur jashtë në natën e akullt, dridhet i tëri si purteka. Kujt t`i qahet e t`i ankohet? Të vetmit ku kërkon e gjen ngushëllim, janë yjet në hapsirë. “Jam i mpirë i tëri. Ndihem i mjerë… Vetëm diku në një cep të qiellit, më duket se një yll shkëlqen më shumë se yjet e tjerë dhe herë pas here, kushedi pse drithërohet bashkë me mua”. Shprehet autori në një çast të hidhur vetmie. Çudi! Edhe yjet paskan ftohtë si njeriu!? Këtu autori nuk reket të sqarojë dukurinë fizike që ndodh në natyrë, që yjet në ditët e acarta të dimrit, nga lëvizja e masave ajrore të ftohta, shkëlqejnë, dikur edhe zbehen, fshihen, dalin përsëri dhe dridhen. Heroi ynë me ta bisedon, beson e gjen prehje në shpirt dhe kjo i mjafton. Me dukuritë le të merret shkenca, ndërsa shkrimtari ka punë me mërgimtarin dhe hallet e tij, që kanë nisur e kushedi si do të bitisen.
Titulli në krye të shkrimit “Të njëjtë por ndryshëm, të ndryshëm dhe të njëjtë”, tingëllon si lojë fjalësh, që ngjasojnë, por që nuk shprehin të njëjtën gjë. Kur futemi në brendësi, atëherë bindemi në kuptimin e vërtetë të tyre. Pjesët dhe personazhet që gjallojnë, m`i kursejnë fjalët.
Një përshkrim i bukur për detin dhe qytetin Kavalla në Greqinë fqinje, ku mërgimtari ynë ndeshet që në ditët e para: “Pas pak dielli, i kyq, i ëmbël, i heshtur zhytet diku larg në blunë e fortë të detit. Po në Vlorë kështu po perëndon dielli?”. Është pyetja më therrëse, që na shpon të mendohemi gjatë, pasi jep mesazhin më të ëmbël e bindës, se e bukura nuk është vetëm në dhe të huaj. Kjo pyetje më shtyn të rrëfej me pak fjalë, një ndodhi mes shokësh në Durrës.
Kishim pak ditë që ishim kthyer nga një vizitë turistike në Dubrovnik, në Kroaci, ku qendruam disa dit. U ulëm për kafe në një lokal pranë “Vilës së Zogut”. Gjiri i Durrësit duket si në pëllëmbë të dorës. Një pamje magjepse. Dielli, siç është zakonisht në Durrës, shkëlqente dhe zbrazte pa kursim arkat me margaritarë mbi valët e detit. Të gjithëve na kishte përfshirë bukuria dhe madhështia e natyrës sonë. Nuk po flisnim, veç kënaqeshim. Pa pritur, qetësinë tonë e prishi përshëndetja e një kolegu që e thërrisnim “Profesor”. E ftuam të ulej me ne. Sapo porositi kafenë, pyeti: – Hë, si e kaluat në Kroaci? – Profesori sikur kishte pasur çelsin e fjalëve, sepse kush e kush më pare, ngutej të tregonte bukuritë e atij vendi. “Profesori” qendronte i heshtur, veç kur fjalët s`po rralloheshin, pyeti ashtu si kot:
– A kini qënë ndonjëherë në Vlorë? Po në Kaninë?
– Në vlorë kemi qënë të gjithë, ndërsa në Kaninë kam qënë unë sepse kam bërë ushtrinë në Pashaliman, – u përgjigj pa të keq njëri nga ne. -“Profesori” vazhdoi:
-Po në Sarandë a kini qënë? – E kuptuam ku donte të dilte, ndaj heshtëm.
– E di që kini qënë, por s`e kini vënë re magjinë e detit dhe natyrës sonë. Ja, këtë pamje si kjo e sotmja, e hasët aty ku ishit? Si durrsakë të vjetër, e di që kini dalë mbi kodrat e Currilave. A ka të karahasuar perëndimi i diellit tonë? – U bëmë memecë. Ç`të thoshim!? Për vete sytë mbyllur e gjuhën lidhur, për të tjerët sytë katër e fjalën zgjidhur.
Po të vazhdoj kështu, s`di ku do të mbaroj, ndaj le t`i kthehemi romanit:
Dhimoja, një pronar grek, personazh i këndëshëm, po lëvdonte me të drejtë një lloj vere të vendit të vet, por me çiltërsi thotë:
– Kam dëgjuar, se edhe në Shqipëri bëhet verë e mirë.
– Është e vërtetë, pohoj unë…. Aristoteli thotë, se “Ilirët e quajtur Taulantë, bëjnë verë nga mjalti”…. Kur të pish verë Narte, atëherë do të kuptosh se çdo të thotë të pish verë. – Ç`mbetet të shtojmë tjetër në këtë dialogu kaq të bukur?
Autori ka një meritë të madhe se është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë. Të mallëngjen me fjalën e tij, kur rrëfen takimin dhe bisedën me një nënë greke, e cila kishte dy djem rrefugjatë në Gjermani, duke përcjellë mesazhin universal: “Eh, kështu janë nënat, or bir!… Ja , e di nëna jote se si po mundohesh ti?”
Andrea, një grek i kulturuar, human dhe me vlera qytetarie, u bë mik me heroin e librit, sepse dalloi njeriun e ditur e të mirë, që nga halli kishte marrë udhët e kurbetit. Ai i ndodhet pranë dhe e ndihmon, siç i themi ne, “I pret litarin”, në momente shumë të vështira. Nuk kursehet në mirësinë e tij, aq sa paguan pronarin e fabrikës që ta mbajnë në punë refugjatin tonë. Ndyshe është Dionisi, pronari fabrikës, i pashpirt dhe i pangopur me punë, kurrnac në pagesë, që përfiton sa herë t`i jepet rasti, duke xhvatur krahun e lirë të punës.
Nëse krahasuam dy pronarë, le të ndalemi te dy gra, të dyja greke, afërsisht të një moshe, por që dallojnë mes tyre, si nata me ditën, jo për nga bukuria, kësaj pak vëmendje i kushton autori, por nga shpirti i tyre njerëzor:
Magdalena pronarja e një kafeneje, e cila që në fillim tregohet e afrueshme dhe miqësore me mërgimtarin tonë të varfër. Më pas, me shumë çiltërsi i afron edhe dashuri. “Po deshe, hajde nga unë sonte… Hë, si thua…?
Besoj se këto fjalë mjaftojnë për t`i vënë përballë Eridën me zë burri, e cila, “herë pas here nxjerr nga xhepi i trikos një pasqyrë të vogël dhe shihet vjedhurazi në të. Kur një çast kap fluturimthi vështrimin tim, vërenjtet dhe bërtet: – Ej, Allvanoz! Ule kokën e puno! … Ku e ke mendjen more hutaq? Aq i madh është inati që ka kjo grua, sa kur shikon se “Heroi” ynë nuk i a var, e padit në polici, të cilët nuk vonojnë dhe e rrëmbejnë, duke e përfshirë në operacionin “Fshesa”, edhe pse ishte me dokumentat të rregullta.
Gjatë leximit, cilido vë re se autori i kërkon kontrastet, ashtu sikur një mjeshtër që qëmton guralecë në zallin e Lumit të Vlorës, mbase edhe në gurishtet e Ujit e Ftohtë dhe, po s`i mjaftuan kapërcen Llogaranë e zbret në plazhet e Himarës, e më pas i vendos në mozaikun e tij. Ashtu vepron edhe Vironi në këtë libër të magjishëm, duke i dhënë çdo faqeje emocione dhe pyetje pa fund. Gjykojeni vetë gjendjen dhe dialogun mes pronarit dhe argatit, i cili mendon: “Dhimoja me siguri do të kënaqet nga puna që kam bërë. Edhe kur fut ndonjë kokërr rrushi në gojë, i marr nga ato që kanë rënë përdhe…..”.
– Shkarkoji poshtë që të gjitha! – Më thotë Dhimoja.
– Çfarë!?- shqyej sytë unë, krejt i habitur. Atë rrush që e kam vjelë me aq mundim e kujdes, duhet ta hedh atje në geminë!
Nuk e teproj, nëse mund të shprehem, se ky libër përmban një pasuri të madhe për lexuesin, sidomos për të rinjtë, sepse autori, duke qënë njohës shumë i mirë i historisë dhe letërsisë antike, çdo bisedë, ngjarje apo ndodhi, çdo fshat apo qytet që përmendet, e lidh gërshet me histrinë e lashtë greke, me monumentet dhe gjetjet arkeologjike, me komandantët dhe heronjtë, me dijetarët, poetët, shkrimtarët, dramaturgët, historianët, piktorët e skulptorët, matematicienët, të cilët bënë epokë e i dhanë lavdi këtij vendi. Libri në tërsinë e vet, bashkë me sqarimet e bollshme në çdo fund faqeje, (edhe kjo një tjetër veçori me vlerë), ngjan me një enciklopedi të vogël, por të veshur me letërsi dhe art.
Duke vazhduar më tej në këtë hulli, mendoj se gjejmë atë që e përmendim shpesh nëpër biseda apo nëpër shkrime, se popujt kudo janë njëlloj, pavarësisht se ku ndodhen, ç`pasuri kanë, e ç`gjuhë flasin, mjafton t`i njohësh duke jetuar me ta. Ata i kanë të gjitha të mirat, e bashkë me to edhe plot të këqia. Nuk është e vështirë të gjesh e të përmendësh të tilla, pasi në libër ka plot e s`ka nevojë të rrëmojmë nëpër rreshta. Është për t`u admiruar plaka greke, që me shumë dhembje e bujari, mbush shportën me ushqime e veshje të trasha dimri për mërgimtarin hallexhi. Ndryshe “Njeriu vozë”, që përbuzet edhe prej të vetëve, sepse: Është kaq llupës, saqë me marifetet e tij, përpiqet t`ia hedhë edhe vetë zotit: Para se t`i dhurojë kishës vezët e pulave, ai i shpon ato, u pi lëngjet, dhe pastaj, guackat bosh i shpie në kishë.
Në zymtësinë e jetës në kurbet, ditët me ngjyrë gri s`kanë të sosur. Hallet e mëdha nxisin mendime të trazuara, e buza s`të qesh dot. Punë, mundim, kursim, shpesh poshtërim e përbuzje, jetë e vështirë dhe shumë durim. Diku shfaqet një rreze drite mes reve që nxijnë. Një dashuri e thjeshtë dhe e bukur siç është vetë dashuria, që nuk njeh kufinj shtetesh, as kombe, as raca dhe dallim gjuhësh. Një magji e rrëfyer me pak fjalë dhe me shumë art, që përcjell mesazhin hyjnor, të lashtë sa vetë njerëzimi. Për cilindo nga ne, nuk është gjë e papritur që të dashurohen dy të rinj nga dy vende të ndryshëm fqinj. Si e gjetën gjuhën mes tyre? Shumë thjesht: fjalët e munguara i ujdisi “trëndafili i kuq”, dhe i pason i njëjti betim i çuditshëm që buron nga trualli ballkanik:
Aleksandri, shqiptar: “O atë, o vdes!”
Irini, grekja bukuroshe sykaltër: “O marr Aleksandrin, o vdes!”
Gjatë leximit, nuk është e vështirë të dallosh ndryshimin mes popullit të thjeshtë grek dhe policisë, si pjesë e organeve shtetërore. Janë të një kombi e një race, por që veprimet janë, ku e ku larg me njëri – tjetrin. Mbase pak rreshta të shkëputura, mjaftojnë për ta pikturuar të gjithë tabllonë me penelata të forta, dritë-hije:
– Merri, merri! – ngulmon vajza. –këto i ke nga të gjith ne.. ne të duam!
Ndërsa policia:
– Kjo pasaportë nuk është e rregullt! …. – Dora më mbeti pezull në ajër dhe në çast kuptoj, se policët po luanin me mua…!
Dy – tri faqet e fundit, në vlerësimin tim, janë nga më të bukurat. Pavarësisht nga rrethanat shumë të vështira dramatike, gati tragjike, autori shfaq vetveten, si shkrimtar, filozof, mësues e artist, gdhendës i fjalës e mendimit. Si të thuash, bën analizën dhe përmbledhjen e gjithçkaje, që pa dhe provoi, që pësoi, shijoi dhe kuptoi, gjatë asaj kohe me plot të papritura, shumica të hidhura. Nuk i ankohet askujt, por shpirti i tij, si fillim i mbushur plot iluzione, pëson zhgënjim dhe thyerje. Mjafton të kujtojmë fundin e tre refugjatëve të ardhur nga tre vende të ndryshëm, Nikollaj nga Rusia, tjetri nga Bullgaria dhe heroi ynë nga Shqipëria, por me të njëjtin fat, sepse kanë provuar, së bashku e veç e veç, sistemin e diktaturës komuniste. Çuditërisht i ndjek edhe i njëjti fund i dhimbshëm: Nikollaj vdes në Greqi, bullgari, të cilin për trupin e bukur e të fuqishëm, autori e quan “Herkuli”, sëmuret keq nga puna e rëndë, ndërsa shqiptari ynë kalon në depresion, duke folur përçart nga torturat e policies: “Thashë se me kaq do shpëtoja, por egërsia e tyre nuk kishte të mbaruar. Disa shkelma dhe goditje të tjera të fuqishme, më flakën brenda murreve të qelisë. Pas meje përplasen trupa të refugjatëve të tjerë”…… Më tej vazhdon: …… “Po i vjen fundi i gjithë hartës. Ja ka mbetur edhe pakëz, pakëz fare….. Është pjesa ku ndodhej sheshi Ilias, ku u dënua Sokrati…”
Kur lexon këto radhë ndjen keqardhje, trishtim e zemërim, ndoshta më shumë se vetë autori, i cili thotë:
“Gjithato ëndërra, ato përfytyrime, ato dëshira për të vizituar Greqinë, po i bëj copë me dhemdje therrëse, bërtitëse…!
Me këto radhët e fundit, merr përgjigje edhe pyetja: Po yjet “drithërohen”, kur shikojnë çka ndodh me mërgimtarët e shpërndarë në katër anët e dheut!?

Përgatiti:Kadri Tarelli/ Durrës Tetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE TË NJËJTË, Kadri Tarelli, POR TË NDRYSHËM, TË NDRYSHËM, TË NJËJTË, Viron Kona

SHTATORJA E ADEM JASHARIT, NGA TORONTO U VENDOS NË PREKAZ-KOSOVË

August 26, 2014 by dgreca

Para pak kohësh, një nga gazetat e përditëshme të Tiranës njoftonte se “Shtatorja e Adem Jasharit, udhëton nga Toronto në Prekaz. Kosovë”. Një lajm i bukur dhe mjaft domethënës, kur mësojmë se kjo vepër arti, punuar nga skulptori shqiptar Hytbi Tarelli, banues në Kanada, i dhurohet muzeut të familjes Jashari, në nderim të heroizmit të Adem Jasharit dhe familjes së tij, të cilët dhanë jetën, duke u bërë frymëzim dhe gurr themeli në lirinë e Kosovës.
Shumë kush habitet, kur disa ngjarje bëhen gërshet mes tyre në mënyrë të çuditëshme. Rrethanat e dëtyrojnë autorin e veprës, që pas aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, si fillim të qëndrojë në Shkodër, ditën tjetër të udhëtojë drejt Prizrenit, pas një nate drejt Prishtinës e më pas në Prekaz. Ndoshta, para se të shkonte e të vendosej në atë vend të shenjtë, mos vallë u desh marrë bekimi i kalasë së Rozafës, si legjendë e qëndresës, më pas bekimi i “Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, me ata burra të fisëm, trima e të kuvendit, më tej bekimi i Ibrahim Rrugovës, burrit të mençur që bëri aq shumë për Kosovën? Nuk di pse mëndoj kështu, mbase është frymëzimi, ndoshta më shumë besimi, dëshira dhe fati, që i lidh dhe i bashkon kështu ngjarjet krejt të rastësishme, por që përkojnë bukur.
Duket si një aventurë çmendurie ky veprim, kur gjykoj shpenzimet që u përballuan tërësisht nga vetë autori, pa përmendur peripecitë e një udhëtimi kaq të gjatë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skulpturë me përmasa jo të vogla, rreth një metër e lartë, duke filluar që nga ambalazhimi e kujdesi për të mos u dëmtuar. Kemi parasysh si hidhen e priten valixhet dhe pakot nëpër aeroporte, por që frika vazhdon më tej, sepse udhëtohet nëpër makina të rastit, shtojmë edhe merakun, se duhesh ngjitur edhe nëpër shkallët e hoteleve. Fatmirësisht asgjë e keqe nuk ndodhi. Shtatorja e heroit legjendar Adem Jashari u sos për bukuri aty ku e deshte vendi, në “Mekën e shqiptarëve”, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë.
Lëvizja nëpër Kosovë ishte programuar për bukuri nga dy vëllezërit prizërenas, Z. Naser Berisha me banim në Kanada, kryetar i shoqatës “Iliria”, njëkohësisht kryetar i “Aleanca e Bizneseve Shqiptaro – Kanadeze”, që ishte dhe ideatori e organizatori kryesor i kësaj veprimtari, së bashku me mjekun Dok. Nexhip Berisha, drejtor i qendrës shëndetësore të Prizrenit, të cilët u treguan bujarë në mikpritje, të gatshëm në ndihmë, njëkohësisht të kujdesshëm e të papërtuar gjatë gjithë kohës.
Çdo gjë e llogaritur deri në imtësi. Data 26 Korrik 2014, ora 12.00 në Prekaz. Një kurorë me lule në varrin e Adem Jasharit, në nderim të gjithë të rënëve. Më pas në muzeun e familjes Jashari, ku u pritëm aq ngrohtë e miqësisht nga z. Rifat Jashari, vëllai i heroit, një plak i pashëm, i mençur e fisnik, që i peshonte fjala, me portret tipik të racës burrnore shqiptare. Ai pati mirësinë dhe nderin të marë në dorë shtatoren e heroit. Çaste të paharruara, të mbushura me shumë emocione të përjetuara aq njerëzisht nga të gjithë të pranishmit. Fjalët sado të zgjedhura e të bukura qofshin, nuk e mbajnë dot peshën e ndjesive që provon çdo njeri i ndodhur përballë ndodhive të tilla, që rrallë ndeshen në jetë.
Baca Rifat, i cili mban të gjallë kujtimin e legjendarit Adem dhe të gjithë familjes që u sakrifikua në emër të lirisë së Kosovës, shprehu falënderim e mirënjohje zemre për autorin e veprës, që e solli në Prekaz, në shtëpinë e tij Adem Jasharin. Përqafim dhe shtrëngim duarsh, kur mësoi se Hytbi Tarelli është shqiptar i lindur në Devoll, në qarkun e Korçës, por që prej disa vitesh banon e punon në Kanada. Në atmosferën e emocioneve të mëdha, të gjithë të pranishmit përshëndetën dhe uruan autorin e kësaj vepre që përjetëson heroin, njëkohësisht edhe për idealizmin dhe gjestin atdhetar të tij, duke e sjellë që nga aq larg, për ta vendosur pikërisht në vendin ku ai luftoi dhe ra, në dheun e Kosovës së lirë, ku u bë martir e mbeti legjendë në ndërgjegjen dhe historinë e kombit. Më pëlqen ta përsëris shpesh një aforizëm të Halim Hasanit: “Rrënjët e lirisë i ujit gjaku i dëshmorëve”! Fjalë që u përkasin të gjithë popujve, e më së shumti ne shqiptarëve, kur lufta për çlirim e bashkim kombëtar, ka shekuj që ka nisur e akoma nuk ka bitisur.
Duke biseduar me z. Hydbi, lidhur me idenë dhe mundimin për të ardhur deri në Kosovë, ai shprehet:
Kam një jetë që merrem me pikturë e skulpturë, duke filluar që nga vizatimet me thëngjij zjarri e figurina balte të pjekura në fabrikat e punishtet e tullave, e deri tek vepra arti nëpër ekspozita e konkurse kombtare e ndërkombtare. Më tërheq më shumë skulptura. Në krijimtarinë time të gjithë këtyre viteve, janë me dhjetra punë të ndryshme, disa janë akoma në studio, shumë të tjera të shpërndara nëpër institucione dhe galeri arti, një pjesë edhe nëpër mjedise familjare, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e Bilisht, pjesa më e madhe në Kanada e më përtej akoma, larg deri në Dubai, në Arabi. Para dy vjetësh, isha në Tiranë dhe mora pjesë në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Ishte një bashkëpunim artistik me artitektin hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton e punon po në Kanada.
Tani që jam larg Shqipërisë i kuptoj dhe i besoj fjalët e të madhit Faik Konica, i cili shkruante: “Duhet të jesh jashtë Shqipërisë e të jesh larg për të kuptuar se ç`bukuri të ëmbël ka për veshët, fjala mëmëdhe”. S`besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rrëmben frymëzimi për t`i`u kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ndaj më ngacmon tematika kombëtare, sidomos e personaliteteve dhe heronjëve që kanë bërë histori, me të cilët mburremi dhe na njeh bota. Në studion time gjen Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin, Ded Gjon Lulin, Isa Boltinin dhe të tjerë, mes tyre edhe Adem Jasharin, të cilin sapo e çova dhe e vendosa këto dit në Kosovë.
E di që do më pyesni, si lindi kjo ide? Po ju kursej kohën, duke u përgjigjur:
– Para ca kohësh në studion time, mes shumë e shumë vizitorëve erdhi Naser Berisha, mërgimtar edhe ai si unë. I hodhi një sy punëve me radhë. Më përgëzoi për bustin e Skënderbeut të larë në flori, për portretin e Nënë terezës, por sytë i mbetën tek shtatorja e Adem Jasharit. E vështroi gjatë, e m`u kthye:
– Ky monument s`është për këtu në studio. Vendi dhe nderi i tij është në Kosovë, aty ku lindi, ku luftoi dhe ra së bashku me shumë anëtarë të familjes së tij të madhe. – Kaq u tha dhe të tjerat rrodhën vetiu. Si fillim ngurrova nga kjo kërkesë e papritur, por edhe më erdhi mirë, pasi goditi në shenjë, në dëshirën time të pashprehur. Kur e nisa punën një zë i brendshëm më thoshte: Shtatorja e Adem Jasharit e këtij simboli të trimërisë dhe heroizmit shqiptar, i përket Prekazit, Skënderajt, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Vërtet pati shumë mundim dhe shpenzim, por tani që u mbarua puna them se kam bërë një vepër që e vlen. Nuk e kam fjalën për vlerat artistike, pasi ato i gjykon publiku dhe kritiku, por për një premtim timin. Jam i lumtur që e përmbusha amanetin që i kisha bërë vetes. S`jam as i pari e as i fundit që përjetësoj këtë figurë me përmasa të jashtëzakonshme. Sa më tepër kohë të kalojë, aq më e madhe do të jetë shtysa për vepra kushtuar këtij heroi që krijoi legjendë e do mbetet në legjendë. Kjo që bëra, mendoj se është shumë pak ndaj asaj, që ai dhe famija e tij dhanë e bënë për Kosovën, për këtë copë shqipërie, që të jetë e lirë. Heronjtë e tillë, kurdoherë do të frymëzojnë penën e poetit dhe shkrimtarit, penelin e piktorit, daltën e skulptorit, notat në pentagramin e kompozitorit, fjalën e aktorit në skenë dhe lahutën e rapsodit. Ata madhështohen e përjetësohen në lavdi, sepse meritojnë dhe kanë mirënjohjen e nderimin e kombit.
Shpirtërisht, dëshiroj edhe një herë të falenderoj nga zemra: baca Rifat Jasharin, për pritjen e ngrohtë dhe shumë emocionuese, z. Naser Berisha, ideatorin e udhëtimit dhe organizatorin energjik të ceremonisë. Falenderoj historianin Prof. Dok. Nusret Pllana, mjekun dok. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, sekretar i shoqatës “Atdheu” në Zvicër, z. Valmir Hylenaj nga Skënderaj, z. Endrit Thaçi nga Llapushniki, njëkohësisht miqtë e mi z. Tahir Veliu, stërnip i Hasan Prishtrinës, biznesmen, veprimtar i çështjes kombëtare, që jeton në qytetin Alberta në Kanada, z. Arsim Sejdini mësues në Prishtinë, si dhe të gjithë pjesmarrësit e tjerë, pa të cilët do ta kisha të pamundur ta çoja deri në fund premtimin tim.
U jam mirënjohës! Kjo ishte dhe do të mbetet një nga ditët më të veçanta e më të bukura të jetës sime.

Përgatiti: Kadri Tarelli- Durrës më 24. 08. 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Hytbi Tarelli, Kadri Tarelli, shtatorja e Adem jasharirit

“FLI TË BËHET NATË”

August 17, 2014 by dgreca

Një libër si këngë serenate, kushtuar dashurisë dhe mallit me Autore Mimoza Berisha/
Shkruan:Kadri Tarelli/
Në sallën “Odeon” të pallatit “A.Moisiu” në Durrës, më datën 17. 08. 2014, Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve durrsak, zhvilloi përurimin e librit “Fli të bëhet natë” të autores durrsake Mimoza Berisha. Në sallën e mbushur me dashamirës të letërsisë dhe poezisë, mësues dhe miq të Mimozës, veç shkrimtarëve dhe artistëve durrsak, merrnin pjesë edhe të ftuar Zejnepe Alili Rexhepi, autore e librit “Refleksione lirike” dhe Safet Hyseni nga Maqedonia, bshkë me ta edhe aktori Agim Xheka nga Tirana.
Unë pata kënaqësinë të them fjalën time si mësues i Mimozës, njëkohësisht si lexues i poezisë. Aty theksova:
Kam folur edhe më parë nga kjo foltore e nderuar, por të them të drejtën, këtë herë ndihem disi ndryshe: i privilegjuar, mund të them i lumturuar, por edhe në vështirësi, pasi po flas për Mimozën, nxënësen time, gjimnazisten e viteve të shkuar, sot poete. Cili mësues nuk e lakmon një ditë e ngjarje të tillë? Cili nga kolegët mësues nuk ndjehet në siklet kur ka përballë ish nxënësen e tij me një vepër në dorë, që thotë: “Më lexoni edhe mua, pasi kam diçka për të thënë”? Nuk është një orë mësimi e “profesori” thotë ato që duhen thënë. Sot po flas për poeten, kolege në fushën e letarve dhe krijimtari. Pavarësisht se kam shkruar shumë artikuj në shumë gazeta të përditëshme, pavarësisht se edhe unë kam botuar librin “Misionarë në udhën e dijës”, sot fjala duhet menduar e matur mirë, pasi po flas për një poete. E këta poetët e shkrimtarët, janë një lloj soji që s`të falin kur gabon, qoftë edhe kur e tepron.
Gjithsesi e prita me shumë kënaqësi ftesën dhe fjalën. Kam bindjen se jam i saktë në gjykimin tim kur mendoj se, cilido prej nesh kur kalon një kohë të gjatë në punë e në jetë, rri e bën llogarinë e viteve. Artitekti numëron veprat e ndërtuara, mjeku pacientët e shëruar, piktori e skulptori pikturat e skulpturat që e kanë bërë të njohur, shkrimtari e poeti librat e shkruar, ndërsa mësuesi numëron “yjet”, nxënësit që u bënë dikushi në jetë. Ata janë vepra e tij, me ta mburret, me ta e mat edhe hijen e shtatit të tij.
Pas kaq shumë viteve mësues në shkollën e Mesme të Katundit të Ri, sot ndjehem i vlerësuar, sepse pata mundësi t`u jap mësim shumë djemëve dhe vajzave, të mençur e të talentuar, të cilët pasi mbaruan shkollëne mesme, ndoqën studimet e larta dhe arritën të bëhen kuadro me vlerë, duke i shërbyer bashkësisë, qytetit, vendit dhe kombit. Natyrisht, për të mos e marrë për vete gjithë kënaqësinë, të gjithë këta nxënës të mirë, mes tyre edhe poete Mimoza, të cilën e kemi mes nesh, janë produkt i shumë mësuesve ndër vite, por që meritat u mbeten në dorë mësuesve të shkollës së mesme, pasi ata janë të fundit që i përcjëllin në udhët e jetës e të dijes. Gjithsesi unë po veçoj disa, pa u mbetur hatri shumë të tjerëve, sepse bëhen aq sa nuk numërohen dot. Mes tyre përmend:
Dom Gjergj Meta, shërbyesi i zotit në katedralen “Shën Luçia” këtu në Durrës, që po shkëlqen edhe në publicistikë e filozofi, Agron Myftari ushtaraku i specializuar në Turqi, sot dëshmori i atdheut, Arben Çeku diplomat kariere ish ambasador, prof. dr. Mitat Mema, rektor i Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, me doktoraturë të mbrojtur në Spanjë dhe që mban firmën e mbretit Huan Karlos. Shpend Shahini prof. doktor, i shkencave bujqësore, pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Alban Allkoçi doktor shkencash, pedagog në fakultetin e inxhinerisë elektrike në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Pëllumb Berisha ish deputet, shtojmë këtu disa pedagogë të universitetit “A. Moisiu” Durrës, Hazbi Lika pedagog i shkencave politike me shumë artikuj të publikuar në shtyp, Shqipe Kusi pedagoge për shkencat ekonomike, Shkëlqim Sula drejtor i auditit në këtë universitet. Veç tyre ka edhe të tjerë, përmend Julian Priska i dipllomuar për fizikë bërthamore, shtojmë këtu ekonomistë, arsimtarë, mjekë, agronomë, veterinarë, gazetarë, stomatollogë, ushtarakë, radha e emrave të tyre është shumë e gjatë.
Mbase e teproj në fantazi, por kur numëroj gjithë këta yje, më dukej se një copë qielli ishte bosh. Për kë është lënë vallë? Pyesja veten dhe shtoja: Në gjithë kata yje, s`doli një poet, që të ndriçojë me zjarrin e shpirtit dhe forcën e fjalës? Tani e besoj. Ajo copë qielli e gjeti hënën, poeten Mimoza Berisha, që aq bukur i shkojnë vargjet e këngës popullore kënduar nga Eli Fara: “Rreth e rrotull yjet, në mes tyre hëna”
Mos t`i mbetet qejfi Mimozës, pasi kur mora në dorë librin, mbeta pak në mëdyshje. Në kapak shkruhet “poezi”. U bë kohë që, rrallë lexoj të tillë libra, sidomos të poetëve të rinj, të cilët në emër të modernizmit e vargut të thyer i rendisin vargjet “Një më hu, një në kërcu”, pa rimë, pa muzikë. Lodhu sa të duash e hajde gjeje ku rreh nervi i poetit, kur mendimi s`duket gjëkundi. Le të thonë si të duan, unë e dua poezinë që, veç mendimit të ngjeshur e fjalës së zgjedhur, të këndojë, të ketë rimë, të ketë melodi, të kënaq buzën dhe veshin. Merreni si shaka. Të tillë “poezi” mua më ngjasojnë me rrugën që bënim çdo mëngjez nga Durrësi në Katund të Ri, vite të shkuar, gjithë gropa e baltë, e ne kërcenim sa në një anë në tjetrën, ec e ndalo, si topalli që çalon nga të dy këmbët. Në fund lodhje e mendje të çoroditur. Mimoza nuk është si ata. Ajo ka bërë libër me poezi, ndaj duhet përshëndetur. Po kisha edhe një merak tjetër: Unë nuk jam poet e as mësues letërsie që ta shpie fjalën degë më degë. Druhesha e kisha frikë, mos janë vjersha që të venë në gjumë, meqë Mimoza kastile na fton “Fli të bëhet natë”!? Poetët i njohin dhe i ndajnë mirë këto punë. Vjershat janë rradhitje fjalësh që rimojnë, por s`kanë mendim e as zjarr shpirti, aq më pak ide filozofie. Përsëri them: Mimoza ka bërë poezi. Lëxojeni dhe do të bindeni.
Në këtë libër, dy zjarre e mbajnë ndezur shpirtin e poetes: dashuria dhe malli. Ato si fjalë s`ngjasojnë, por në thelb s`bëjnë dot pa njëra – tjetrën. Veç koha i ndan e i dallon. E kanë thënë të moçmit, se dashuria është zjarr e flakë që të ngre e të çon në shtatë qiejt nga ku s`ke dëshirë të zbresës, ndërsa malli, kjo magji e shpirtit, të lëndon, të bën të vuash, të tret, të djeg e të zhurrit së largu. në faqet e librit, ndjejmë Mimozën me shpirt të butë e të ndjeshëm, që sinqerisht përjeton dashurinë, këtë ndjenjë hyjnore, lidhur gërshet me mallin e kujtimet për vendlindjen, për prindrit, nënën, babën, motrat, shoqet e shokët e shkollës. Kur flet për fëmijërinë, Mimoza bëhet e vockël, e brishtë, që kërkon ndihmë, strehë e mbrojtje. Mjafton të lexoni: “Në tokën time”, “E mira nënë”, “Jam larg tokës sime”, “Dëshirat e një pulbardhe”, “Mallit, di si t`i përgjigjem”, etj. Këto dy ndjenja do t`i zbuloni dhe do t`ju prekin trup e shpirt, që në nisje të librit, pa arritur në faqen e fundit.
Pikërisht në këtë hulli endet frymëzimi i shpirtit të saj, që i ngjason lumit Erzen në muajt e dimrit, kur fryhet e del nga shtrati, valëzimit të grurit në pranverë, të ftohtit në ditët e shkurtit, të nxehtit në vapën e gushtit, freskisë së puhisë detare, pulbardhës që fluturon mbi valë, gëzimit në diellin e mëngjezit dhe trishtimit të hënës që rronitet netëve. Pavarësisht shpirtit ëndërrimtar e romantik, Mimoza i këndon lumturisë dhe brengave, ku fryma e optimizmit ndjehet në të gjitha poezitë e saj edhe kur ka pak vend për shpresë. Kjo përbën një vlerë të shtuar, sepse cilido kupton e mëson, se jeta duhet përballuar e jetuar ashtu siç është, pa zbukurime. Mimoza nuk qahet e as ankohet, veç i flet zemrës, duke bërë shumë pyetje që enden pa përgjigje, sepse kërkon e lakmon të bukurën në shpirtin e saj dhe të gjithkujt. Gjykojini vetë ç`forcë e melodi kanë këto vargje:

“…Dita s’po na do,
po na ndjek me gurë,
na paska inat…!
Fli, fli të bëhet natë…”. Poezia: “Fli, fli të bëhet natë”

Unë jam hëna, ti je dielli,
larg sa larg, nuk di kurkund,
të të mbaj pranë, mund të më djegësh,
të të kem larg, kam frikë se të humb. Poezia: “Unë dhe ti, si dielli me hënën”

“Ti më the: më lër të të puth flokët,
Se pe hënën të ulur në flokët e mi.
Unë sa dëgjova zërin, ktheva kokën,
Erdhe si frymë e lehtë, e mbolle stuhi”. Poezia: “Erës”.
Unë e vlerësoj si poezia më e bukur e librit, ku në katër vargje gjen një univers frymëzimi.

“Një grusht dhe, at… atdhe,
Ta mbaj përherë me vete në gji,
të më mbrojë nga e keqja,
mos ndihem vetëm, kur s`kam njeri”. Poezia: “Lavdi nga lavdia jote “babait tim”

“Do të ulem në shkallët e mia të vjetra,
Në diell flokët e lagura unë do thaj,
Në dollap varur përparsja e shkollës,
Që kur ika, nënës ia lashë si pajë”.

Poezia: “Mall për shtëpinë ku u rrita”.

Kur janë larg dy zemra dhe në heshtje flasin,
Pëshpërima e tyre s`ju dëgjohet kurrë.
Çdo natë numërojnë yjet, largësinë masin,
Forcë e dashurisë lëviz çdo gur.

Poezia: “Forcë e dashurisë”.

Libri i Mimozës, është si këngë serenate, që i këndon jetës dhe dashurisë, ndaj u vjen përshtat të tre brezave: Rinisë, ku dashuria ulet këmbëkryq dhe ndez e ledhaton trup e shpirt. Brezit të mesëm, që të lodhur nga hallet e ditës, mos harrojnë se duhet të lenë pak vend edhe për dashuri. Të moshuarëve, të cilët në heshtje përtypin kujtimet dhe i shtyn në vitet e shkuar, duke psherëtitur para filxhanit të kafesë: Eh, kur ishim edhe ne të rinj!!
Kur mbarova së lexuari librin, s`di pse m`u kujtuan fjalët e Rumiut, poetit e filozofit persian të mesjetës, i cili me siguri, për Mimozën ka shkruar këtu e 800 vjet të shkuar:
I thashë natës, “Mbase je e dashuruar me hënën, sepse kjo kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye e më tha, “Nuk është faji im. Kurrë nuk e shikoj diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”.
Urime Mimoza, dhe libra të tjerë kaq të bukur!
Në mbyllje, po citoj dy vargje të ujdisura nga fjalët e të vuajturve në dashuri:
“I trishtuar, trazoj prushin fshehur nën hi,
s`më vjen ligsht që u plaka, më vjen keq që s`jam i ri”.

Faleminderit poete Mimoza!(Ne Foto: Gjergj Vlashi, M. Berisha, N. Spathari. Z. Alili dhe S. Hyseni)

Durrës më 17. 08. 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: “FLI TË BËHET NATË”, Kadri Tarelli

KU HUMBI REVISTA “MËSUESI” ?

August 6, 2014 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
U bë kohë që në dorën e mësuesit e më pak të lexuesit shqiptar, nuk duket gjëkundi gazeta apo revista “Mësuesi”. Më pëlqen ta quaj gazeta “Mësuesi”, pasi u mësuam me të për rreth 60 vjet me radhë. Vallë ç`ka ngjarë, që humbi ky zë i shtypit tonë, sepse për disa dekada, aty janw pasqyruar përpjekjet dhe mundimet e jashtzakonshme të punonjësve të arsimit, për mësimin dhe edukimin e brezave. Kjo fletore e mësuesisë dhe diturisë, ka shpalosur e pasuruar ndër vite mendimin teorik e praktik të pedagogjisë Shqiptare, pa kursyer këtu edhe shpirtin idealist të atyre mijëra mësuesve që shërbyen si “Misionarë të dijes” në të katër anët e vendit. Me keqardhje e shtrova pyetjen: Ç`ka ngjarë? Pasi më duket e pabesueshme, që drejtuesit e rinj në Ministrinë e Arsimit e hoqën nga lista e detyrave dhe punëve që i përkasin këtij sektori kaq të rëndësishëm e delikat të shtetit, për të thënë më shumë, të kombit. Pyetja mund të përsëritet shpesh, pasi askush nuk di shkaqet pse heshti, për të mos shtuar, pse dhe kush e mbylli zërin e mësuesit, si një gjë të tepërt e të pa dobishme.
Para pesë-gjashtë vitesh gazeta, dilte një herë në javë. U bënë përpjekje të mira për ta përmirësuar si paraqitje e më së shumti si përmbajtje, duke i paraprirë kërkesave në rritje të lexuesit mësues, njëkohësisht në ndihmë të zhvillimit të arsimit dhe shkollës shqiptare. Nuk vazhdoi gjatë. U ndëruan drejtuesit ndëruan edhe huqet. Kështu, sa hap e mbyll sytë, dolën me një ide të re: Nga gazetë e shndëruan në revistë, që do të botohej një herë në muaj. Sa për të bindur veten dhe të tjerët, u kërkuan edhe disa opinione mbi dobinë e kësaj pune. Pavarësisht mosdashjes dhe sorollatjeve burokratike, revista doli. Cilësia e letrës dhe e paraqitjes ishte mbi atë që mund të kërkohet dhe pretendohet. Me hapsirën kohore të një muaji, revista e humbi rolin operativ dhe lajmin e shpejtë. Megjithatë pavarësisht vërrejtjeve, revista ishte, si i thonë fjalës, “gjysma e të mirës”. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave kishin një dritare ku mund të shprehnin mendimet, njëkohësisht mes kolegësh të mund të shkëmbenin përvojë në veprimtarinë praktike të zgjidhjeve të problemeve të shumta që ka shkolla. Kjo punë, në mos gaboj, vazhdoi deri në muajin shtator – tetor të vitit të shkuar 2013. Që nga ajo kohë revista humbi “pa nam e nishan”, me një fjalë pushoi së qëni pjesë e shtypit profesional të mësuesve.
Kur ndodhin ngjarje të tilla të papritura e të pajustifikuara, që lenë gjurmë e pasoja, hapet gryka e thesit të hamendjeve. Pyetjes “Pse”, i shtohen edhe shumë të tjera, ku mund të veçohen dy të tilla:
Më e para që vjen në mendje është: Ç`të keqe ka shkolla dhe arsimi ynë nga gazeta, apo revista “Mësuesi”? Të thuash se është e padobishme, s`besoj se ka mendje mësuesi e drejtuesi që e pranon një gjë të tillë. Të thuash se ka shumë shpenzime dhe nuk mund të përballohet, edhe kjo nuk ze vend as tek mësuesi më i ri, madje as edhe te mësuesi më indiferent. Le ta gjykojmë me një llogjikë të thjeshtë ekonomike. Në të gjithë sistemin arsimor punojnë më shumë se 40.000 mësues, (po përdor shifra të rrumbullakosura, hollësitë le t`i mbeten statistikave). Kështu, sikur gjysma, në rastin më të keq çereku i tyre ta blenë apo të abonohen, del që Revista “Mësuesi” të ketë tirazhin më të madh në titujt e mediave të shkruara. Shifër të tillë do ta kishte lakmi çdo botues dhe pronar gazete. Vetiu detyrohesh të kthehesh në kohë e ta shtysh më tej mendimin, sepse është i njohur fakti se edhe në çastet më të vështira që ka kaluar vendi në këtë çerek shekulli demokraci, gazeta ka dalë e ka shkuar në çdo shkollë e mësues. Atëherë mbeten në buzë pyetjet që s`kanë fund. Dikush mund të shtyjë fjalën e të thotë se, kjo gazetë nuk ka lajme. Unë me aq sa njohje kam për arsimin dhe shtypin e shkruar, përfshi këtu edhe gazetën “Mësuesi”, nuk ndaj të njëtin mendim. Nëqoftëse bëhet fjalë për lajmet jo të mira, ato le t`i mbeten “monopol” shtypit të ditës, që mezi pret të ndodhë diçka jo e këndshme e ta publikojnë me gërma të mëdha në faqe të parë. Sa për gazetën “Mësuesi”, lajmi ka tjetër natyrë dhe mision. A nuk përbën lajm edhe një foto e një shkolle në skajet e largëta të vendit? Po portreti i një mësuesi, nxënësit e të cilit janë fitues të olimpiadave, konkurseve shkencore, letrare, muzikore, pikture apo sportive. A nuk ankohemi se nuk ka botime për mësuesinë, kur në fakt ka plot të tilla dhe mësuesit nuk e marrin vesh, pasi s`ka kush t`i bëjë njohje e publicistikë, sepse autorët nuk ka mundësi e fuqi. A nuk janë lajme veprimtaritë që kryhen nga nxënësit, si brenda dhe jashtë shkollës, shpesh herë për t`u admiruar për nga organizimi, bukuria dhe vlerat edukative. Janë pikërisht këto lloj lajmesh, që shërbejnë si modele dhe nxitje për përmirësim nga kolegët mësues e drejtues shkollash. Po të vazhdohet më tej, fjala e shkruar nuk gjen fund, ashtu si e gjithë jeta dhe veprimtaria nëpër shkollat tona. Duke gjykuar kështu, dalim në përfundimin se, duke mbyllur gazetën “Mësuesi”, nuk fitojmë asgj. Përkundrazi!
Pyetja e dytë që pason të parën, është: Çfarë humbasim? Më duket e tepërt kjo pyetje, mjafton të bisedojmë me mësuesit e rinj. Vallë ku do ta aftësojnë veten për t`u bërë vërtet mësues të mirë, kur nuk ballafaqohen me përvojën e kolegëve të tyre në shkolla të tjera, të cilët nuk përtojnë dhe me vetëdije qytetare marrin mundimin të hedhin në shtyp, atë çka ndjejnë e bëjnë në dobi të nxënësit dhe shkollës. Po pse vallë, vetëm të rinjtë kanë nevojë të kualifikohen e të shkëmbejnë përvojë? Po të thinjurit ku do të ushqehen me të rejat e pedagogjisë bashkëkohore? Vërtet arsimi në koncept është i njëjtë kudo, duke përfshirë edhe kërkesat. Edhe problemet e ngjarjet mund të jenë të përafërta, por zgjidhjet dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Pikërisht këtu qendron dhe dobia e gazetës dhe shkrimeve që ajo pasqyron. Ka zëra që përshpërisin se për arsimin shkruajnë edhe gazeta të tjera. Po është e vërtetë. Shkruajnë veç për njoftime të dikasterit të Ministrisë, edhe ndonjë shkrim që ka shigjeta goditwse. Po jetën e shkollës, klasës, metodat, disiplinën, detyrën dhe demokracinë, marrëdhëniet e ndërsjellta me nxënësit, prindërit, bashkësinë e qytetit dhe të fshatit, ku do ta gjejë mësuesi, kur dihet se çfarë pëlqejnë e publikojnë gazetarët dhe gazetat, të cilat çdo shkrim e mbështesin mbi parimin e tregut dhe parasë. Nuk më vjen mirë ta them, po s`më rrihet pa përmendur një histori gazmore që e tregoi një kolegu ynë drejtue shkolle: “S`marrim vesh se ç`bëhet, sepse na mungon Revista jonë “Mësuesi”. Njiheshim me çka bëjnë të tjerët dhe krahasonim veten tone, ku jemi. Po unë e kam gjetur një zgjidhje. Meqw dal herët nga shtëpia, e kam porositur vjehrrin, (edhe ai ka qënë mësues dhe tani është në pension), që të dëgjojë çdo mëngjez leximin e shtypit të ditës. Të mbajë shënim gazetën që ka shkrime për arsimin. Kështu lexoj diçka sa për të thënë. Natyrisht ne nuk mund të rrinim pa qeshur me këtë zgjidhje origjinale shqiptare.
Për titullarët dhe drejtuesit e arsimit, ca më shumë për mësuesit, s`ka nevojë për shumë shembuj që të binden se çfarë humbasim. Mjafton të vlerësojmë atë çka mbetur e shkruar nëpër vite, që përbën pjesën më të plotë të historisë së arsimit dhe pedagogjisë Shqiptare. Një pasuri e madhe, me të mirat dhe mangësitë e kohës. Mbase ka vështirësi, por cilado qofshin ato, nuk e përligjin heshtjen dhe aq më tepër mosveprimin.
Dikush mund të shprehet: Pse kaq vonë po ngrihet e rrihet ky problem? Pwr gjwrat qw duhen nuk është vonë, megjithse u prit gjatë. Me sa jam në dije, një kërkesë për gazetën “Mësuesi”, është shtruar para disa muajsh nga Shoqata kombëtare e arsimtarëve shqiptar, në mos gaboj në Mars të këtij viti 2014, por përgjigjes i`u pre gjuha dhe gazeta nuk e pa dritën e diellit. Ndoshta pritet shtatori i vitit të ri mësimor. Them ndoshta, duke u kujtuar drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, atë thënien e mençur të popullit: “Kasollen e vjetër mos e prish, nëse s`je i zoti të bësh tjetër më të mirë”.

Kadri Tarelli
Durrës

Filed Under: Opinion Tagged With: Kadri Tarelli, KU HUMBI, REVISTA “MËSUESI” ?

MISIONI HUMAN I NJË PUBLICISTI

May 5, 2014 by dgreca

RRETH LIBRIT TË KADRI TARELLIT “MISIONARË NË UDHËN E DIJES” – PUBLICISTIKË/
NGA FRAN GJOKA/
Kadri Tarelli është emër i njohur në letrat shqipe. E kam njohur si koleg,si gazetar dhe tani si shkrimtar. Si mësues ka shëtitur në shumë shkolla të Durrësit, Kavajës dhe Lushnjës ku kontribuoi me devotshmëri në edukimin e brezit të ri. Punoi kudo me pasion dhe përkushtim për të përgatitur nxënës të aftë për të përballuar sfidat e tregut të punës,për të përgatitur njerëz të aftë për tu dalë zot fateve të vendit. Njeri serioz, fjalëpakë, intelektual i përgatitur dhe me vlera. Kurdoherë i zinte vend fjala dhe mendimi si njeri, si mësues dhe si drejtues në disa shkolla të rrethit të Durrësit. Puna e vështirë, por fisnike e mësuesit ka ngacmuar gjithnjë pasionin e tij për të shkruar.
Ka nisur të shkruajë që në moshë të re në shumë organe shtypi, por revista “Mësuesi” u bë streha e tij e përhershme. Unë me Kadriun jam njohur vite më parë në zyrat e kësaj redaksie, ku punonin edhe shumë miq tanë të përbashkët si Ilir Kanini, Murat Gecaj, Vjollca Spaho, Viron Kona, të cilët na hapën rrugët, kurdoherë për të shpalosur mendimet dhe përshtypjet tona për nxënësit, për punën në shkollat tona, sistemin arsimor, arritjet, problemet apo shqetësimet. Dhe Kadri Tarelli ishte kurdoherë i pranishëm në faqet e shtypit, ku shpaloste mendimet e tij për çështjet e arsimit, të kulturës dhe edukatës, reformës arsimore, kurrikulave, planeve, programeve, dhe teksteve mësimore, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme në përmirësimin e punës dhe jetës në shkollat tona. Kadriu ishte punëtor i palodhur, mësues i përgatitur, njeri i drejtë dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrës që kryente. Ai nuk heshti kurrë. Mbante qëndrim ndaj dobësive, kritikonte te metat, bënte vërejtje gjithnjë për përmirësimin e punës në të ardhmen. Prandaj ka mbetur figure e nderuar në arsimin dhe gazetarinë tonë, intelektual i përmasave kombëtare.
Megjithë vështirësitë e punës si mësimdhënës, gazetar, redaktor dhe recensent në disa libra, Kadri Tarelli nuk e lëshoi kurrë penën nga dora. Ai qe gjithnjë në aktivitet, kurdoherë i pranishëm në fushën e letrave, prandaj kohët e fundit është prezantuar para lexuesëve me librin publicistik “Misionarë në udhën e dijes”, botuar nga shtëpia botuese “Milleniumi i ri” në Durrës. Pikërisht aty ku autori ua ka kushtuar veprën e tij me shumë vlera sistemit arsimor, shkollës dhe figurës së nderuar të mësuesit.
E shfletova veprën e tij me një frymë. I lexova me dëshirë të shtatë kapitujt e shtjelluar dhe vura re se, freskia e mendimit dhe penës së Kadriut ishin ende të gjalla si në rininë e hershme. Vlerat e kësaj vepre janë të prekëshme, sepse për arsimin dhe mësuesin sot pak shkruhet. Ata pak vlerësohen si nga shoqëria ashtu dhe nga shteti, prandaj edhe autori ngre shumë probleme, vlerëson maksimalisht shumë figura mësuesish, shumë institucione arsimore që punojnë në kushte jo shumë të favorëshme, por me përkushtim për të përgatitur dhe edukuar armatën e madhe të nxënësve. Shkrimet problematike të Tarellit synojnë të eliminojnë dobësitë, të korrigjojnë gabimet dhe të përmirësojnë punën në sistemin tone arsimor dhe nëpër shkollat tona. Shumë shkrime të tij, megjithëse janë shkruar në peirudha kohore të ndryshme, sepse Kadri Tarelli ka një jetë që shkruan, mbeten aktuale edhe sot në ditët tona. Artikuj të tilla problemor, si: “Ç’të bëjë drejtori…”, “A do gjendet ilaçi kundër dhunës?”, “I vështirë ky plani vjetor i shkollës?!” etj. Probleme të tilla jetësore për shkollën tonë, vetëm një gazetar dhe drejtues i përkushtuar si Kadri Tarelli mund të ngrinte në faqet e shtypit.
Mësuesit kanë qenë dhe janë misionarë të përkushtuar për të rritur, mësuar dhe edukuar brezat. Ata jetojnë dhe punojnë mes nxënësish dhe kolegësh. Kush më mirë se mësuesit i njohin tipet e nxënësve, prirjet e tyre, gjendjen shëndetësore, fizike dhe ekonomike, vlerat e tyre mësimore, edukative dhe morale, madje në shumë raste më mirë edhe se prindi. Po që të njohësh të gjitha këto karakteristika duhet të jesh një mësues i zellshëm, aktiv,i përgatitur, i përkushtuar dhe individ me norma shoqërore. Pikërisht këtyre njerëzve të zellshëm dhe të dashur, të pasionuar për mësimin dhe edukimin u ka kushtuar disa fragmente të librit të tij edhe shkrimtari dhe gazetari i njohur Kadri Tarelli. Pak është vlerësuar figura e mësuesit gjatë gjithë periudhave të kohës, por kur vlerësohesh nga pena e artë e Kadriut, njeriu, aq më shmë mësuesi, domosdo e ndjen veten krenar për punën që ka bërë, për djersën që ka derdhur për të edukuar nxënësit e tij të dashur. Në trevën ku ka punuar dhe vepruar autori, figurat e shquara të arsimit kanë qenë të shumta, kontributi i tyre në zhvillimin dhe përparimin e shkollës ka qenë shumë i rëndësishëm.
Këjo ka qënë arsye, për të cilën autori ka punuar dhe hulumtuar disa figura të shquara të arsimit, ku përshkruan jetën, veprimtarinë, vështirësitë e punës dhe përpjekjet e tyre në fushën e arsimit dhe dijes. E nis me “Mësuesin e popullit” Sulejman Zalla, që punoi gjithë jetën për të edukuar te nxënësit atdhedashurinë, duke dhënë kontribut edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës dhe shkollës shqipe në vitet e vështira të konsolidimit të sistemit tone arsimor që në periudhën e luftës për pavarësi, për të vazhduar me patriotin nacionalist Prenkë Kaçinari, aktivist, patriot dhe profesor, dënuar me brugim të përjetshëm në vitin 1947 dhe shpallur “Martir i demokracisë”, mësuesi që la gjurmë të pashlyera në kolektivat arsimorë ku punoi dhe kontribuoi dhe tek nxënësit qe pati pergatitur. Më tej flet me respekt për punën dhe vuajtjet e ish gjimnazistit të viteve ’40 Zihni Dervishi, më pas për mësuesin e apasionuar Petrit Velaj “Doktor i shkencave”, për “Mësuesin e merituar” Eqerem Shijaku, për “Mësuesin e popullit” Agim Shehu, si dhe për Islam Alikajn, Zyber Sallakun, Hasan Ulqinin, Muzemil Osmanin, Fadil Elezin, Mustaja Fajen, etj, të cilët shkrinë jetën e tyre për t’u dhënë brezave dije e kulturë dhe për t`i përgatitur për të ardhmen. Gjatë shfletimit të kësaj vepre, më ra në sy mjeshtria më të cilën Kadri Tarelli përshkruan dhe përgatit reportazhet dhe shenimet e udhëtimit. Këto përshkrime letrare, për punën plot pasion që bëhet në shkolla, nuk janë thejsht një përshkrim sipërfaqësor, por janë shkrime publicistike përmes të cilëve autori përshkruan eksperiencën pozitive të kolektivave mësimore, duke ngritur problemet shqetësuese dhe bërë edhe vërejtje për përmirësimin e punës në të ardhmen. Në këtë sens, shkrimet e tij publicistike patën jo vetëm vlera njohëse, por edhe vlera edukative sa i përket propagandimit të përvojave pozitive në kuadrin e zbatimit të reformës mësimore në sistemin tonë arsimor. Flet me pasion dhe krenari për punën pozitive që bëhet nga kolektivat pedagogjike në shkollën 9-vjeçare jopublike “Vincens Prendushi” në qytetin e Durrësit, për kolektivin e shkollës së vjetër “Shaqe Mazreku”, që festoon 75-vjetorin e saj, për shkollën jopublike “Kasa”, ku autori ka qenë edhe drejtues i saj për disa vite, etj. Në këto shkrime kolektivat arsimorë të këtyre shkollave kanë gjetur veten dhe janë motivuar për të përmirësuar punën dhe arritur rezultate të larta në të ardhmen.
Kadri Tarelli nuk ka heshtur. Ai ka trajtuar shpesh edhe çeshtje që kanë shqetësuar shkollën, çështje që kanë ndikuar negativisht në punën e shkollës sonë. Ka trajtuar tema të mprehta sociale dhe mësimore siç është “braktisja e fshehtë”, “Veprimtaria e bordeve të shkollave”, çështjen e nxitjes së talenteve të reja, punën për zbatimin me korrektësi të Dispozitave Normative në sistemin tonë arsimor, çështjen e përdorimit të fjalëve dhe shprehjeve të huaja në ambiente publike, apo problemin shumë të diskutuar të hartimit të karakteristikave të nxënësve. Të tërheq vëmendjen edhe një cikël shkrimesh të ndërtuara mbi përvojën e binjakëzimit të disa shkollave të rrethit të Durrësit me shkolla të qyteteve të Borasit në Suedi dhe Istogut në Kosovë.
Duke udhëtuar në librin e Kadri Tarellit, “Misionar në udhën e dijes” – publicistikë, krijon vetvetiu bindjen se, ke të bësh me një intelektual të pergatitur dhe të përkushtuar ndaj fushës së shkollës, arsimit dhe dijes, të cilës i ka kushtuar talentin, njohuritë dhe energjitë e tij. Ai nuk është shkëputur dhe as hesht për të promovuar vlera, figura, aktivitete dhe veprimtari pozitive që ndihmojnë për ta çuar arsimin, shkollën dhe artin e mësimdhënies përpara.
Suksese miku im i dashur Kadri. Pena jote qendistë here-pas-here vepra të reja!

Filed Under: Kulture Tagged With: i nje publicisti, Kadri Tarelli, Misionare ne udhen e Dijes, Misioni human

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT