• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KAPITULL I RI PËR ALEANCËN TRANSATLANTIKE NATO

January 26, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/ Ditën e betimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden dhe Zëvëndës presidentes Kamala Harris, më 20 Janar, 2021, Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës Transatlantike, NATO, Z. Jens Stoltenberg, në emër të Aleancës që ai drejton, uroi udhëheqsit e ri të Amerikës, duke u shprehur se, “Kjo ditë shënon një kapitull të ri për Aleancën transatlantike.” 

“Lidhja midis Amerikës së Veriut dhe Evropës është gurthemeli i sigurisë sonë dhe një NATO e fortë është mirë si për Amerikën e Veriut ashtu edhe për Evropën.  Për më shumë se 70-vjet, Aleanca jonë transatlantike ka garantuar lirinë, paqën dhe sigurinë për popujt tanë. Udhëheqja e SHBA” në NATO i ka shkruar Sekretari i Përgjithëshëm, Z. JensStoltenberg, Presidentit Joe Biden, “Mbetet thelbësore, ndërsa punojmë së bashku për të mbrojtur demokracitë tona, vlerat tona të përbashkëta dhe rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla dhe ligje.”  Në letrën e tij, drejtuar Shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, me rastin e inaugurimit të tij president i Amerikës, udhëheqsi i NATO-s përmendi disa prej sfidave me të cilat përballen, së bashku, aleatët e kësaj organizate ushtarake, sfida siç janë kërcënimi që paraqet Kina ndaj sigurisë botërore, terrorizmi, gjendja në Rusi, në Afganistan dhe në Irak.  

 “Askush prej nesh nuk mund të përballet me këto sfida vetëm, por së bashku në NATO, ne përfaqësojmë një miliard njerëz dhe gjysmën e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të botës.  Kështuqë, unë pres që të bashkpunoj ngusht me Presidentin Biden dhe ta mirëpres atë në Samitin e NATO-s në Bruksel më vonë këtë vit”, përqëndrimi i të cilit do të jetë nisma “NATO-2030”, me qëllim për ta bërë Aleancën tonë edhe më të fortë dhe më të aftë për tu përballur me problemet në të ardhmen, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg në urimin e tij drejtuar Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden.

            NATO Secretary General Jens Stoltenberg and then US Vice President Joe Biden at the Munich Security Conference in February 2015     (NATO Archive photo)

Siç duket, në një përpjekje për të siguruar pa vonesë aleatët e NATO-s për mbështetjen serioze të administratës së re amerikane ndaj Aleancës ushtarake transatlantike, edhe Sekretari i ri i Mbrojtjes në kabinetin e Presidentit Biden, Z. Lloyd J. Austin III, nuk humbi asnjë minutë, por me të arrijtur në Pentagon, ditën që emërimi i tij u miratua nga Senati, telefonata e tij e parë drejtuar një udhheqësi botëror ishte biseda me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg, për të rithekësuar rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Aleancës NATO.  

Sipas një njoftimi nga Zyra e shtypit e Pentagonit, të dy udhëheqësit e lartë ushtarakë biseduan për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, mbi gjëndjen aktuale të sigurisë në botë, mbi përpjekjet për të pasur një NATO të fortë në të ardhmen dhe mbi misionet e vazhdueshme të Aleancës në Irak dhe në Afganistan.  

Më vonë, udhdheqësi i Pentagonit, Z. Lloyd J. Austin III zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike edhe me Ministrin britanik të Mbrojtjes, Z. Ben Waallace. Sipas Pentagonit, dy zyrtarët e lartë të mbrojtjes amerikane dhe britanike ,“rithekësuan rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve tona” dhe shkëmbyen mendime mbi përballimin me çeshtjet strategjike të interesit të përbashkët, përfshir kërcënimet nga Kina dhe Rusia.

Dy ditë para inaugurimit të Presidentit Joe Biden në Washington, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jen Stoltenberg — në një takim virtual në Paris  ka folur për të ardhmen e NATO-s dhe për marrëdhëniet midis NATO-s dhe Amerikës – ndërsa është shprehur se, “NATO është e vetmja organizatë ku Evropa dhe Amerika Veriore bashkohen çdo ditë”, duke shtuar se kjo aleancë, “përbën një platformë unike”, e cila përdoret për të biseduar mbi çështje që i përkasin sigurisë së përbashkët në përgjithësi, çeshtje me të cilat — sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg — “As Amerika, as Evropa  nuk mund të përballen, vetëm”, me këto sfida pasi janë çeshtje që as njëra palë vetëm nuk mund t’i zgjidhin në mënyrë të kënaqëshme, pa bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Sikur të dy palët donin të theksonin për botën rëndësinë e këtij bashkpunimi dhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe NATO-s,  njoftohet se sot Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s zhvilluan një bisedë telefonike.  NATO – News: NATO Secretary General speaks with US President Biden, 26-Jan.-2021

Jam i bindur se Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg e di se Presidenti Joe Biden është një mbështetës i vjetër i Aleancës ushtarake NATO, si due i lidhjeve të ngushta të kësaj aleance me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve transatlantike në përgjithësi midis Shteteve të Bashkuara due Evropës.  Ekspertët besojnë se pas katër vjetë marrëdhëniesh të ftohta midis ish-administratës Trump dhe NATO-s, administrata e re në Washington e kryesuar nga Presidenti Biden pritet që të bashkpunojë ngusht me Sekretarin Stoltenberg dhe me NATO-n, në përgjithësi, për të forcuar mëtej lidhjet midis Amerikës veriore dhe Evropës.  Gatishmëria nga të dy palët, për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, vihet re nga komunikimet tepër të ngrohta dhe të sinqerta të ditëve të para midis udhëheqësve më të lartë të administratës së re në Washington dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg. 

Ndoshta është e tepërt të thuhet se marrdhëniet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s janë edhe në interesin e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, por edhe në interesin e Kosovës që aspiron antarësimin eventual në NATO.  Lidhjet e forta midis Washingtonit dhe NATO-s janë jetike edhe për interesat shqiptare në përgjithësi përfshir sigurinë due lirinë e tyre – kur të merret parasysh  ndërhyrja e kësaj organizate ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – për herë të parë në historinë e saj – në luftën kundër Serbisë për të çliruar Kosovën*. 

*Ishte pikërisht 12 Prilli i vitit 1999, kur Këshilli i Aleancës së Atlantikut Verior, vendosi në një mbledhje të jashtëzakonshme në Bruksel mbi gjëndjen në Kosovë, objektivat e saja për çlirimin e Kosovës – objektiva të cilat disa ditë më vonë u miratuan nga udhëheqsit e shteteve dhe të qeverive në një mbledhje për këtë qëllim mbajtur në Washington – më 23 Prill, 1999.

Frank Shkreli


A US F-15E Strike Eagle takes off.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, kapitull i ri, Washington- NATO

Një kapitull i ri për një Maqedoni “të re” të Veriut

February 6, 2019 by dgreca

Maqedonia e ardhshme e Veriut dhe NATO nënshkruan një pakt “historik” që hap portën për anëtarësim të plotë në aleancë. Mund të jetë fillimi i një historie suksesi në Ballkanin Perëndimor, komenton Boris Georgievski./

Belgien | Nato-Staaten unterzeichnen Beitrittsprotokoll mit der künftigen Republik Nordmazedonien (picture-alliance/AP Photo/G. Vanden Wijngaert)

Republika e Maqedonisë ka 26 vjet që e pret këtë ditë. Për vendin e vogël dhe të izoluar të Ballkanit anëtarësimi në aleancën më të fortë ushtarake në botë ka qenë gjithmonë një çështje e mbijetesës.

Brenda vendit kjo nënkuptonte një kohezion më të fortë etnik dhe social, nga jashtë ishte një garanci që kufijtë e saj sigurohen ndaj vendeve fqinjë. Nuk ishte rastësi që parlamenti maqedonas votoi deklaratën për t’u bashkuar me NATO-n qysh në vitin 1993 – luftërat e përgjakshme në republikat e tjera ish-Jugosllave kurrë nuk arritën deri në kufijtë e saj, por rreziku ishte gjithmonë i pranishëm.

Por megjithatë Republika e Maqedonisë nuk do ta përjetojë kurrë arritjen e saj më të madhe. Paradoksalisht ditët e vendit me këtë emër janë të numëruara. Edhe faqja e internetit të NATO-s sot nuk e përmend anëtarin e saj të ardhshëm me emrin e tij: “Të mërkurën më 6 shkurt 2019, Përfaqësuesit e Përhershëm në NATO të 29 anëtarëve të Aleancës do të nënshkruajnë Protokollin e Anëtarësimit me Shkupin”. Shkupi është sigurisht kryeqyteti i vendit.
Dhe deri në fund të kësaj jave sapo parlamenti i Greqisë të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit, një vend “i ri”: Republika e Maqedonisë së Veriut do të shpallet në botë.
A ia vjeti kjo?

Ky është çmimi që duhej të paguante Maqedonia për t’u bashkuar me klubin. Për shumë qytetarë në vend – ky çmim ishte shumë i lartë. Por fatmirësisht për vendimmarrësit aktualë politik – nuk e shohin kështu.

U desh shumë guxim dhe vullnet politik në Shkup dhe në Athinë për ta zgjidhur çështjen e ashtuquajtur kontesti i emrit që e ka bllokuar pranimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE që nga viti 2008 dhe kontaminoi marrëdhëniet mes dy popujve për dekada të tëra.

Shumë ende shtrojnë pyetjen, nëse ia vlente ndryshimi i emrit të vendit, për të tregtuar një pjesë të identitetit dhe të historisë për anëtarësimin në NATO?

Ia vlejti! Jo vetëm për faktin se ajo garanton një të ardhme të qendrueshme dhe të begatë të vendit, por edhe sepse me të u mbyll një kapitull, të paktën për momentin, i konflikteve të përjetshme historike ballkanike midis vendeve fqinje.

Kjo u jep mundësi gjeneratave të reja që t’i japin fund gërmimeve në llogoret e historisë dhe të fillojnë planifikimin e së ardhmes.

Boris Georgievski Kommentarbild App Boris Georgievski

Në kontekstin më të gjerë të Ballkanit dhe Evropës Juglindore futja e Maqedonisë (së Veriut)në NATO më në fund mbyll çështjen “maqedonase” që e rëndonte rajonin për një kohë të gjatë. Për më tepër, ajo përmirëson stabilitetin në rajon në një kohë që fantazmat e së kaluarës kërcënojnë të ngjallen sërish, veçanërisht në valën përpjekjeve për një zgjidhje përfundimtare të pritshme për shtetësinë e Kosovës.

Histori suksesi në Ballkanin Perëndimor?!

Maqedonia (e Veriut) nuk ka ushtri dhe PBB-ja e saj vjetor është më afër një qyteti gjerman të pazhvilluar sesa një vendi të përparuar perëndimor, por si Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe vendet kryesore evropiane e kanë kuptuar kohë më parë, se ia vlen më shumë ta kenë të lidhur me Perëndimin këtë vend sesa të rrezikojnë me trazira të tjetra në Ballkan.

Fakti që Maqedonia e Veriut është një shembull i rrallë i funksionimit (pak a shumë)të demokracisë multietnike në një rajon të paqëndrueshëm i rrit përfitimet e anëtarësimit të saj në NATO.

Përsa i përket ushtrisë apo ekonomisë, vendi nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, por në aspektin e interesave aktuale gjeopolitike (Rusia, Kina)mesazhi që zgjidhja e suksesshme e konfliktit u jep vendeve fqinje (Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina)- mund të jetë jashtëzakonisht i vlefshëm.

Për Maqedoninë(e Veriut) fillon sot një kapitull i ri. Vendi ende përballet me shumë pengesa dhe detyra të vështira që ka përpara. Ajo ka nevojë për reforma në çdo pjesë të shoqërisë, ajo ka nevojë për të rindërtuar kohezionin e saj të brendshëm dhe ka nevojë për një ekonomi që prodhon diçka tjetër përveç largimit të trurit. Nëse Bashkimi Evropian vendos që më në fund të hapë procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut në qershor, së bashku me pranimin në NATO, mund të jetë vetëm fillimi i një historie të suksesshme në Ballkanin Perëndimor të harruar prej një kohe të gjatë.

Filed Under: Opinion Tagged With: kapitull i ri, Maqedonia

NJË KAPITULL I RI I MARRËDHËNIEVE MES KOSOVËS DHE AMERIKËS

November 20, 2017 by dgreca

Lansohet Fondacioni Kosovar i Mijëvjeçarit/

-Entiteti që do të implementoj projektet prej 49 milion dollarësh të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është lansuar sot në Prishtinë, përmes një konference të nivelit të lartë, ku morën pjesë dhe folën Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, zëvendësambasadorja në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, kongresisti Amerikan, Eliot Engel dhe Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash/

PRISHTINË, 20 NËNTOR 2017-GAZETA DIELLI/

Korporata e Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Republikës së Kosovës lansuan sot në Prishtinë, Fondacionin Kosovar të Mijëvjeçarit, entitet i themeluar për të implementuar projekte në vlerë 49 milionë dollarë, asistencë nga Qeveria Amerikane.‘Kalimi i pragut përmes rritjes’, konferenca një ditore që u organizua me këtë rast ka mbledhur personalitete të rëndësishme politike nga Kosova, SHBA-të dhe Shqipëria. Konferenca u hap me fjalimin e kryeministrit Haradinaj, i cili u shpreh i bindur që projektet e aprovuara nga MCC për asistencë në rritjen ekonomike të Kosovës, do të tregojnë rezultatet e duhura, duke i hapur Kosovës rrugë për bashkëpunime të reja dhe investime më të mëdha.‘Në bisedë me miqtë tanë në Amerikë, jam siguruar që nëse Kosova vazhdon me trendin e përmirësimit të indikatorëve kryesor demokratik të vendit tonë, mundësitë për bashkëpunime të mëtejme dhe investime shumëfish më të mëdha janë të sigurta’, ka thënë kryeministri Haradinaj në fjalimin e tij, duke falënderuar mysafirin special të kësaj konference z.Eliot Engel, kongresist Amerikan, dhe figurë e rëndësishme e proceseve politike të vendit tonë.Në vazhdim, për të pranishmit, foli edhe zëvendës ambasadorja në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, zonja Colleen Hyland e cila foli për rrugën e MCC-së drejt Kosovës dhe falënderoi ekipet e angazhuara në Uashington dhe Prishtinë, për punën e madhe që kanë bërë për të arritur deri te projektet e aprovuara dhe lansimin i këtij entiteti.Për punën e madhe të bërë nga të gjitha ekipet e angazhuara ka folur edhe Drejtuesi Global i MCC, Jonathan Nash. Ai mes tjerash ka folur për rëndësinë strategjike të këtij kapitulli të ri në investimet amerikane në Kosovë.Kurse kongresisti Eliot Engel, në një tregim tepër emocional, ka folur për historinë e tij me Kosovën dhe njerëzit që e kanë mirëpritur atë që nga vitet e 90-ta.

Fjalimet e hapjes janë moderuar nga Koordinatori Nacional i Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit, Petrit Selimi, i cili është përgëzuar nga të gjithë folësit për punën e mirë në krijimin e ekipit dhe asistencën profesionale në drejtimin e ekipit, hulumtimin dhe dizajnimin e projekteve investuese.Pas fjalimeve, konferenca ka vazhduar me tri panele të planifikuara, ku kanë marrë pjesë zonja Senida Mesi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Shqipërisë, Tim Judah, autor dhe kontribues për gazetën The Economist, Marco Mantovanelli, drejtues regjional i Bankës Botërore, Alessandra Roccasalvo, zëvendës reprezentuese në UNDP në Kosovë, Agon Maliqi, analist i pavarur, Stefan Osborne, ekonomist kryesor nga MCC si dhe Hira Sidiqqui, menaxhere e programit Social Impact, program që ka bërë gjetjet e reja statistikore rreth punësimit në Kosovë.Përveç paneleve, në këtë konferencë është publikuar edhe Analiza e Ngecjeve të Kosovës, një raport që hedhë dritë mbi arsyet e ngecjes ekonomike në Kosovë.Dy projektet madhore investuese të MCC në Kosovë janë projekti i Qeverisjes Transparente dhe të Përgjegjshme, si dhe ai i krijimit të një peizazhi të besueshëm të furnizimit me energji elektrike.Mungesa e transparencës në institucionet publike dhe furnizimi me energji elektrike nga burime jo stabile, janë identifikuara si çështje të cilat e kanë ngecur zhvillimin ekonomik në Kosovë.

MCC dhe Zyra e Kryeministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, kanë themeluar ekipin punues për hulumtim dhe dizajnim të projekteve në fillim të vitit 2016. Ekspertët e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë dhe përfaqësuesit e MCC nga Uashingtoni, kanë kryer një numër vizitash në Kosovë dhe janë takuar me disa qindra bashkëfolës nga komuniteti i donatorëve, institucione kosovare, shoqëri civile si dhe përfaqësues të biznesit.Kualifikimi i Kosovës për një nga programet më inovative dhe transformuese të ofruara në Kosovë, e obligon vendin tonë të punojë dhe raportojë për arritjet e standardeve të larta në qeverisje të mirë, luftim të korrupsionit dhe liritë ekonomike.Kosova është parakualifikuar për programe të MCC në nëntor të 2015, ndërsa projektet e para do të aprovohen dhe fillojnë së implementuari në fillim të vitit 2018./B.J/

KRYEMINISTRI HARADINAJ: SOT, PO E KONFIRMOJMË NJË KAPITULL TË RI TË MARRËDHËNIEVE NDËRMJET KOSOVËS DHE AMERIKËS/

1 Nisma e mijevjecarit

PRISHTINË, 20 Nëntor 2017- Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, në të cilën ishin të pranishëm edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, Zyrtari Kryesor Operues i MCC  ( Sfidat e Mijëvjeçarit), Jonathan Nash, si dhe personalitete tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare në vend. 

Fjala e kryeministrit Haradinaj në lansimin e fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë:

 “Shpreh kënaqësinë dhe ju uroj mirëseardhje në këtë konferencë sot, vetëm një ditë pas përfundimit të ciklit zgjedhor në Kosovë. Është e vërtetë që ndoshta i kemi lodhur qytetarët me zgjedhje por ajo që është me rëndësi të potencohet është niveli i lartë i demokracisë që kemi arritur në zgjedhje, në vigjilje të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet ishin fer, transparente, demokratike dhe si të tilla janë  shtyllë e shtetësisë, por edhe e integrimit në familjen euroatlantike dhe uroj gjithë qytetarët, të gjitha partitë për suksesin dhe për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.Sot, po e konfirmojmë një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.Ishte kongresisti Engel që para më shumë se 30 vjetësh, i bindur nga burrat e ndershëm shqiptar, si z.Harry Bajraktari, miku ynë, dhe shumë shqiptaro-amerikan të tjerë nisën betejën në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Kongresisti Engel dhe miqtë tjerë në Kongres, në Senat, në Qeverinë Amerikane, kanë dhënë kontributin kryesor që ne fituam lirinë dhe pavarësinë dhe sot po japin një kontribut të madh edhe në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik.

Mua para 15 vjetëve, më kanë thënë miqtë amerikanë që të fokusohem në Fondin e Korporatës së Mijëvjeçarit, por ne atëherë as nuk kishim shtet, as nuk i plotësonim kushtet.

Kaluan disa vite, e dini që disa prej atyre viteve nuk kam qenë në Kosovë, andaj gëzohem sot shumë kur shoh që këshilla e miqve amerikanë dhe puna e madhe është finalizuar dhe ne tani kemi Agjencionin Amerikan duke vepruar në Kosovë nëpërmjet Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës.
Qytetarët e Kosovës kanë qenë të informuar për nënshkrimin e marrëveshjes mes Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje u nënshkrua për herë të parë në histori të këtij Agjencioni Amerikan në Kongres, falë përkrahjes së kongresistit Engel. Populli i Kosovës ju falënderon kongresist Engel.

Nuk jemi këtu vetëm të festojmë, por jemi këtu të fillojmë punën. Kjo marrëveshje sjellë sot 49 milionë dollarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për sektorin e energjisë, por edhe për sektorin e drejtësisë.
Unë kam udhëzuar ministritë përkatëse, agjencionet dhe institucionet tjera, të bashkëpunojmë plotësisht në implementimin e kësaj marrëveshje. Mendoj se tri gjëra janë të rëndësishme sot, derisa po zhvillohet kjo konferencë;  E para është se ky është një grant, një donacion i pakthyeshëm nga populli amerikan. Nuk është borxh apo kredi, por një ndihmë konkrete në projekte konkrete. Kjo ndihmë ka qenë e kushtëzuar në disa kushte, ne tani i kemi plotësuar ato kushte dhe po punojmë t’i marrim rezultatet e mira të punës sonë, t’i komunikojmë ato me publikun dhe me donatorët dhe synojmë rezultate edhe më të mira; E dyta është se fushat që do të financohen nga ky grant janë fusha që i kemi përzgjedhur vetë; E treta është se ne nuk do të ndalemi derisa të sjellim edhe investime tjera.

Nëse mbajmë mirë rezultatet e qeverisjes, e që me rëndësi në luftën kundër korrupsionit, nëse përforcojmë sundimin e ligjit, unë kam marrë siguri se Kosova mund të marrë edhe shumëfishin e kësaj shume, shumë shpejtë. Fati jonë është në duart tona dhe zhvillimi ynë ekonomik varet nga puna jonë.Unë do të punoj shumë që zhvillimet pozitive të ndodhin, por edhe të raportohen dhe që në këtë punë të kemi një trekëndësh të mirë të bashkëpunimit mes Qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Programi i MCC-së fokusohet në dy fusha, e para është energjetika dhe e dyta qeverisja transparente.

Sot, MCC dhe Zyra e Sfidave që punon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të prezantojë dy produktet e para të punës, analizën makroekonomike të pengesave kyçe ekonomike, por edhe një sondazh të madh, një hulumtim të tregut të punës që është financuar nga paratë amerikane, me ekspertë amerikanë, me mbi 8.500 familje kosovare.
Mendoj se është shumë me rëndësi të cekim edhe njëherë se themelimi i fondacionit sot, është rezultat i punës së përbashkët.
Falënderoj edhe presidentin Thaçi, por edhe ish-presidenten Jahjaga për ndihmesën që kanë dhënë në zhvillimin e procesit dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Falënderoj edhe ish-kryeministrin Mustafa për kontribut. Duhet të falënderojmë edhe Koordinatorin Nacional të Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi, që me ekipin e tij kanë punuar shpejtë dhe mirë që këto mjete t’i sjellin në Kosovë.
Falënderim të posaçëm do t’i kushtojë Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe USAID-it, si dhe agjencioneve të OKB-së në krye me UNDP-në, që kanë punuar bashkë këto tri vjet për të raportuar indikatorët e MCC-së, dhe për të zhvilluar programin që po finalizohet sot këtu.
Prandaj, pa e zgjatur shumë, në kuadër të ingerencave të mia, dhe konform marrëveshjes ndërkombëtare që kemi nënshkruar me Qeverinë Amerikane, po e shpalli të hapur Fondacionin eMijëvjeçarit të Kosovës.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, zoti i bekoftë miqtë e Kosovës dhe zoti e bekoftë aleancën tonë të përjetshme.

1 Nash Haradinaj

Kryeministri Haradinaj priti në takim Zyrtarin Kryesor Operues të MCC, Jonathan Nash

Prishtinë, 20 nëntor 2017- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash, me të cilin bisedoi rreth lansimit të sotëm të Fondacionit Kosovar të Mijëvjeçarit, si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me implementimin e tij.Kryeministri Haradinaj me këtë rast falënderoi Jonathan Nash dhe SHBA-të për kontributin e gjithanshëm që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke thënë se Qeveria e Kosovës do të punoj fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përshpejtimin e projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, dhe aspekte tjera me rëndësi për vendin.“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që populli amerikan dhe SHBA-të, kanë dhënë për Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.Zyrtari Kryesor Operues i MCC, Jonathan Nash, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar përkushtimin e tij në agjendën shtetërore.Më tej, Nash tha se ndihet mirë që ishte i pranishëm në lansimin e Fondacionit të Korporatës së Mijëvjeçarit në Kosovë, dhe vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka qenë partner në këtë rrugëtim duke mirëpritur thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Fondi i Mijevjecarit, Haradinaj, kapitull i ri, Kosove-Amerike

Hyrja në fuqi e MSA-së kapitull i ri i zhvillimit të Kosovës

May 16, 2016 by dgreca

Nga Isa Mustafa/*

Prishtinë, 16 maj 2016-  Dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju uroj për fillimin e punës së Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, që është me rëndësi themelore, sepse është instrument i marrëveshjes dhe po ashtu është një komponentë tepër e rëndësishme e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që ne e kemi nënshkruar si Marrëveshje të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Unë konsideroj se me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës përkatësisht shteti ynë ka filluar një kapitull të ri të zhvillimit. Marrëveshja nënkupton më shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe po ashtu nënkupton edhe më shumë të mira për Bashkimin Evropian si dhe më shumë stabilitet dhe integritet në këtë rajon. Kryetari i Kuvendit, z. Veseli, shprehu qartë zotimet tona si Republikë e Kosovës, si Kuvend dhe organet e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë fuqishëm që këto t’i realizojmë.

Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje më 27 tetor të vitit të kaluar është konfirmuar vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për perspektivën e integrimit si vizion madhor i Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj. Prandaj, konsideroj se kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e rrugës së Kosovës për Bashkimin Evropian e cila ofron mundësi më të mëdha për reforma të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Mirëpo, po ashtu, Marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, angazhimin e shoqërisë civile, bizneseve, shoqatave të tyre sepse shumë komponentë të kësaj Marrëveshje i përkasin strukturave më të gjëra të shoqërisë. Neve na nevojitet një sinergji e përbashkët, sepse objektivat e përcaktuara janë objektiva proevropiane dhe mendoj se vetë fakti i themelimit të Komisionit Parlamentar të përbashkët edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe atyre të Parlamentit Evropian flasin për rrugën tonë dhe vullnetin tonë integrues për të respektuar parimet demokratike, për të aplikuar standardet evropiane të tregut, për të aplikuar konkurrencën, shtetin ligjor dhe të drejtën pronësore.Marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian do të ndihmojnë në adaptimin e standardeve evropiane në vendin tonë, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, të energjisë, ambientit, të forcimit të shtetit ligjor dhe të rritjes së efiçiencës të qeverisjes së brendshme.

Kjo Marrëveshje po ashtu është edhe një agjendë e veçantë për krijimin e tregut të përbashkët të Kosovës dhe të Bashkimit Evropian dhe të reformave që parashohin bashkëpunim rajonal, lirinë e lëvizjes së mallrave, të shërbimeve, të punëtorëve dhe kapitalit me të cilat ne me vetëmohim do të mundohemi që t’i realizojmë dhe t’i shndërrojmë në një realitet.

Unë konsideroj se një shtyllë tepër e fortë e kësaj Marrëveshje tani është edhe vendimi  i Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kjo do të na mundësoj lëvizjen e lirë të bizneseve dhe të afaristëve tanë kosovarë në tregun e Bashkimit Evropian, integrimin e tyre më të lehtë dhe më efikas në këtë treg, që është tepër e rëndësishme për ne.Në anën tjetër me liberalizimin gradual të tregut sipas Marrëveshjes, Bashkimi Evropian dhe Kosova do të vendosin një bashkëpunim më të ngushtë për të kontribuar në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Kosovës dhe përgatitjen e saj për integrimin në Bashkimin Evropian. Bashkimi i tillë do të forcojë lidhjet ekonomike ekzistuese dhe do të krijojë edhe përfitime të reja nga të dyja palët. Kosova ka nevojë, dhe në rend të parë bizneset kosovare, që të përgatiten për të penetruar në tregun e Bashkimit Evropian. Nevojitet veçmas që të përgatitemi në pikëpamje të cilësisë së produkteve dhe çmimeve, të jemi konkurrent në këtë treg që është një treg shumë i madh i 28 vendeve të Bashkimit Evropian prej mbi 500 milionë banorë.Ne, po ashtu, jemi shumë falënderues edhe për përfitimet që Kosova do t’i ketë nga IPA në periudhën e ardhshme kohore që do të mundësojë edhe investime më të mëdha, por edhe reforma demokratike shumë më të mëdha.

Ne konsiderojmë se një tjetër efekt pozitiv që neve na ndërlidhë me Bashkimin Evropian është edhe thithja e kapitalit të huaj, përkatësisht nxitja e investimeve direke që mund të vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian në Kosovë mbi bazën e realizimit të kësaj Marrëveshje që do të krijojë vende të reja të punës, do të krijojë zhvillim të ri ekonomik dhe dinamikë më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenie më të madhe sociale.

Unë ju garantoj se ne do të punojmë me përkushtimin më të madh në forcimin e shtetit ligjor, do të punojmë shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu do t’i përmbushim zotimet tona sa i përket dialogut me fqinjët, dhe do të ashpërsojmë luftën kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në të cilën Kosova është treguar shumë aktive dhe mendoj se është treguar shumë e suksesshme në pikëpamje të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një pjesë e agjendës së veçantë të Qeverisë që unë e drejtoj është edhe zhvillimi ekonomik i vendit dhe rritja e nivelit të punësimit. Parakushtet që ne dëshirojmë t’i ndërtojmë përmes prioriteteve që i kemi dhënë kësaj fushe është që të ofrojmë një ambient më të mirë për investime të huaja direkte, për forcimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, i cili sektor duhet të krijoj më shumë vende pune, sidomos për gra dhe të rinj për çka kemi biseduar edhe sot me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sepse janë dy grupe më të rrezikuara për punësim dhe po ashtu edhe për afirmimin sa më të madh të gruas dhe rolit të saj në shoqëri dhe në ekonomi.

Me këtë rast unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që punuan dhe kontribuuan për këtë Marrëveshje. Falënderoj përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Evropian që sot janë këtu, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për përkrahjen që na kanë dhënë dhe për të gjitha përgatitjet dhe punën që bashkërisht e kemi bërë derisa e kemi nënshkruar këtë Marrëveshje dhe punën që kemi bërë në programin qeverisës për implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

*Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në  takimin e parë  të Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Hyrja në fuqi e MSA-së, i zhvillimit të Kosovës, Isa Mustafa, kapitull i ri

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT