• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sofra e Diellit, Rafael Floqi vjen me: Prag Krishtlindjesh, Letër për Santën,Kartolinë e pamundur, dhe…

December 23, 2016 by dgreca

Lirika Dimri, cikël me poezi/

1-floqi-raf2

nga Rafael Floqi /

Prag Krishtlindjesh/

Unë s’kam pasur kohë/

të vendos në oborr/

zbukurimet me dritat e Krishtlindjes,/

ndërsa komshiu im,/

e ka mbjellë shndritshëm/ 

kopshtin para shtëpisë,/

me një plak gjigant bore/

që merr frymë natës/

me një kompresor./

E me të dalë dita,/

shtrihet paturpësisht/

pa jetë,

si një bllanë e bardhë

që e rrudhur turpshëm

s’bëzan,

si tullumbac

i plasur,

Por me të rënë dita,

Ngjallet  Santa, renat dhe slita,

Bredhat, bastunët dhe lodra gjithë drita,

të kuqe, të verdha, të gjelbërta dhe blu  

që lëbyrin lart hënën,

mes resh

diku e turpëruar

që fshihet e hajthshëm,

e thotë:

“Mallkuar kush e shpiku këtë

Punën jashtë orarit ”.

Një natë

Oriana vajza ime 5 vjeçe,

më pret me sytë tek dera,  

dhe në vend të përqafimit,

më thotë pafajësish një fjalë  

më therëse se era,

që fshikullon nga pemët

gjethet e fundit,  

dhe duke thënë ca fjalë me sy seriozë,  

i kanë rrëmbyer të ftohtën ngricës

dhe kanë lënë bonjake në pemën para hajatit

një fole të braktisur zogjsh cicëritës

-“Sa do doja të jetoja në atë shtëpi plot drita!”

Hapa sytë,

u përmenda,

u preka, ndjeva,

u fajësova dhe u shfajësova

se pritja.   

Kuptova

se duke i rënë pas punës harrojmë,

se fëmijët kanë nevojë të na kenë ne

në ëndrra.

Dhe magjia ndodh

nëse bëhemi pjesë e lojërave,

jemi një tullë Legoje, jemi Shreku , apo Winnie-the- Pooh.

E kjo do zgjasë

gjer kur

të kuptojnë ato gënjeshtrat e vogla

se Santa Klaus nuk zbret nga çatia,

se ai madje as ekziston

dhe të kuptojë se është thjesht fantazia..,

Se është një trillim   

dhe do të kuptojë  

pse kur ishte Santa, babi nuk ishte aty,

pse mjekra e Baba Dimrit

ishte e bardhë borë, dhe pse oxhaku qe i zi,

do të kuptojë,  

pse sytë e Santës ngjanin me të babit,

por më me rëndësi është

se do të zhgënjehet se edhe të mëdhenjtë

sadopak gënjejnë,

shumë herë më pak se kandidatët për presidentë,  

e atëherë

s’e di a do të na e falë,

apo do të përplasë derën e dhomës,

duke thënë : Ju më keni gënjyer

më lini vetëm…

Dhe atëherë do ta kuptojë      

Edhe atë që ajo ndoshta sot nuk e di

Që në shtëpinë e komshive përballë

Që e ka gjithmonë barin

më jeshil,

lëviz vetëm një kone e bardhë,

që të zotët e shëtisin me karrocë fëmijësh,

si për të zëvendësuar

dashurinë ndaj fëmijëve

dhe qarjen e bebes

që s’i ka lënë pa gjumë

kurrë…

Dhjetor, Michigan 2016

****

Letër për Santën

I dashur Santa!

Për Krishtlindje këtë vit nuk dua gjë tjetër

Veç një biletë avioni të shoh gjyshërit patjetër.

Mund t’i lesh poshtë pemës, veç ato dua

Po s’pate mundësi, mos më sill lodra mua.

Shpesh pyes mamin : “ A është Shqipëria larg ?”

Qesh: “Sa të thuash “ Mbërritëm?” një mijë herë varg.”

I shoh gjyshërit në Skype, por nuk i puth dot,

S’e di pse mami hesht dhe ata kanë lot.

Mami gjithnjë i pyet: “Si jeni?”. Ata thonë: “ Mirë”

“Dhe “mirë” është fjala shqipe që them me dëshirë.

I dashur Santa !

Na dërgo ca para, po deshe na merr edhe vetë

Pasi mami thotë avioni kushton shtrenjtë.

Te lutem  Santa, na ço në Tiranë, gjithsesi.

S’ pres dot më, duhet të shkojmë tani .

A s’na merr dot në slitën tënde të vjetër,

mua, Lornën, mamin edhe babin patjetër.

S’u besoj Santave të dyqaneve, s’u ulem në prehër

S’janë prej vërteti, ndaj mjekrën ua çjerr.

Nuk qeshin as si gjyshi që shoh në I-pad,

S’ i shndrisin sytë si nëna, kur thotë “xhan”.

I dashur Santa,

Që kur unë kam lindur, ata s’më kanë parë,

Dua t’i përqafoj, t’u puth flokët e bardhë.

Unë vetëm sa t’i shoh vetëm kam dëshirë .

A është dëshira ime për ty kaq e vështirë?

Sot jam pesë vjeç dhe kam mësuar të shkruaj,

Më fal nëse ndonjë fjalë e kam ngatërruar.

E di se ke shumë punë, duhet ta mbyll këtë letër

Ti e di ku banoj , s’kam ç’të them gjë tjetër

 

PS: Të uroj të gjithë mirat, të pres këtë natë .

Qumështin e ke në gotë dhe biskotat ne pjatë

 

Kartolinë e pamundur

Të dashur Prindër,

Tani e ndiej që s’jeni më,

dhe kërkoj ndjesë

Pse ndër vite më pat mbetur

Një kartolinë që s’mund tua postoj dot.

Kam një si fotografi  

të Torres së Durrësit,  

Me ju të dy tok me ne fëmijë

Në një ditë të largët 1 maji

Me pamjet e një  qytetit bardhe e zi

Që i tëharret kohës,

E davaritet

përtej dimensionit

të kohës dhe hapësirës…  

Ajo kërkon të fluturojë

Aty

Ku këtë Krishtlindje

asnjë dorë e mardhur

postieri

S’do gjejë adresë ku ta hedhë…

I  vetmuar

Me sytë në yje

Trokas në një portë në gjithësi

Përtej dimensionit të memories

Dhe shkëlqimit të rremtë të dritave

Të bredhit të Krishtlindjes  

shkruaj, shkruaj

dëshira, ëndrra, sugjerime  

Si një fëmijë në një letër për Santën

Një urim që s’ka kuptim

Për moshën që kam ….

Dhe këtë urim

Në këtë vit te ri

qe ju e bartni brenda vetes

përmes nesh

përtej resh …

nda dhatë

dhuratën më të madhe

jetën

Gëzuar!

Ja ku ky Vit i Ri

Po ftillohet nga amshimi

Dhe unë përpiqem me kot të kuptoj

Ne këto kohë të çmendura

Pyetjet kaq filozofike e vajzës sime 5 vjeçe

“Pse familja ka një mami e një babi?”

Por e di e druhem

Se nuk do kalojë shumë kohë

Dhe do të kuptojë ç ’është dashuria  

Por  s’do kalojë pa e ditur

Atë  që është hyjnore?

Të dashurit prindërit e mi

Dhe mundohem të kuptoj pse për dashurinë

S’ka adresë në Google .

Shkruaj

Nga larg dhe afër

Dhe mendoj

Pse koha shkon vetëm para  

Dhe veç kujtimi i ndërron drejtimin

Dhe s’ka asnjë peshore poste ta peshojë

Kësaj kartoline ëndrre …

Mbushur me dashuri

Të paanë amshimi.

Së cilës, rëndë

Si një pullë pa formë

I ngjitet malli.

 

****

 

Autopsi mjegulle

Radioja befas me zhurmës së kafesë

Rrufiti në një zgjim të përhumbur

Një kapërdimje ëndrrash  

E shpalli:

“Në mëngjes mjegull e dendur

Pastaj do dalë diell…

Ora shtatë,

Asgjë me rëndësi në udhët e botës

Në kruskotin e makinës varet një rruzare shprese

ndërsa kilometrat që rriten pa kthim

ashtu siç ikin çastet.  

Kryetulatur, përhumbshëm

Si botë të vogla me katër rrota

Mbështjellin me një peshtamall bryme gri

Shqetësimin e fatit pelegrin.  

Dhe hallet vërshojnë në

Rrëkëllitjen e ëndrrave të përditshme

Që sot duken më afër

Sikur rushkulliten

Në përgjumjen e argjendtë

Të kësaj maksi- hëne

E qorruar është dhe V e shkulmës së patave ,

Që nga lart dëgjohen gugitjet

Që ndjek instinktet e shpirtit…  

Dy varganë  të gjatë që zvarriten përhumbur

Mes kafkash si halo veremi

Si një tyl gri qefin i dalë boje

Që mbulon

Ofshamat e planetit që shfryn,

Gjithkush në vetminë e vet

Më të mbytur se zëri i radios

Më të përzishme se tymi i gaztë

Në këtë përzhitje bardh dhe zi

Që i gëlltit të gjithë ngjyrat,

Veç

Para një karvan me pishtar-kuq

Përballë një karvan me pishtar-verdhë

Një në një ndeshje balozash

Në këtë Hallween shpirti

Pa trick and treat, dhe zëra fëmije

Në logun e kohës dhe të harresës

Përplasen shpirtrat në vetminë e tyre

Në këtë mëngjes amshimi

Fundi duket më i afërt

Ku bryma i ngjall dragonjtë  kinezë  

Të përçudnuar dhe të urtë si Buda

këtë mëngjes trishtimi

i pështirë i mbështjelle tulatshëm

me vrushkuj

kokash që akullsisht përkunden,

përgjumur duke rrufitur me tahmi

si kafen e shpejtë në pompën e benzinës  …

Ja anash në autostradë.  

Ku një pemë e vetmuar bën selfi

harrueshëm në një sfond gri,

pa diell,

dhe askënd që t’i afrohet,

veç gjetheve të kuqërremta,

që bryma i rrëzon duke i zverdhur,

dhe shpirtit tim ëndërrimtar,

që si pemë gollomeshe  

shqyen gojën tok me makinat,

në këtë mëngjes të guntë…

Duke pritur

se do ketë diell më pas.

Por zgjimi nuk dihet se kur do vijë…

Helikopteri motit nuk po shquan dot gjë,

Radioja flet prapë për mjegullën,

Dhe gris pankarta zgjedhjesh,

Që komshiu e hodhi në plehra pankartën

Me emrin e kandidatit që nuk fitoi..,

Ndërsa agimi,

mbjell tabela kuqërreme në rrugë

“Alert! Rrezik zgjimi!”

 

Nëntor, Michigan 2016

Vajzë mulate

Në rininë tonë

Se nga vinin ca këngë,

Që mbeteshin si buzë të paputhura

E dridheshin në kitarë

Si shpresa të këputura,

“Le të më thonë shokët , mos u ngatërro

Me mulaten ti je i bardhë,

Unë nga ti, nuk ndahem, jo jo

Edhe pse ti je një vajzë mulate.  

Ti mulate je e imja …..”

Këndoi ai, kënduam dhe ne.

Por ajo s’u bë asnjëherë e tij.

Për të ai kaloi net në qeli.

“ Ç’ është kjo mulate?”, i thanë,

Kush janë shokët ?

Trego apo do të rrish në birucë!

Po as ai s’dinte se ç’të thoshte   

Dhe asnjë se dinte zanafillën

E një dëshirë të përzier për gjysmë

Si vetë fjala “mulate”.  

E bukur si një fjalë e përzierë

Si kombinim ngjyrash,

Ç’ ishte ajo vajzë ku shkoi ajo ndjenjë?

Nuk kishte polici

As hetuesi ta gjente,

pasi s’e dinte as ai

vetë.

Në jetën time s’di si mbeti ajo këngë

Si kujtimi i një rinie të ndezur

Në ballkonin e një konvikti

Këndoja unë.  Vitja dhe Çimi dhe Gimi,

(Gimi që u bë tenor në botë më vonë),  

Këngën e mulates buzëpërdredhur ….

Dhe kujtimet e fshikën këngën,

E një fytyre pa rrudha    

Dhe rasti arkeolog i këngës

30 vjet më vonë,  

Zbuloi shpirtin

Që vazhdoi t’i këndonte

Një ëndrre…

I plakur, pas një kuzhine buzuku

ku lante pjata, këndonte  

Aty anës lumit në Detroit, në Greek Town atë këngë..,

Ai kërkonte ftohmën e përzhitjes

së shpirtit

që nuk shuhej në uzo….

pas asaj vajze mulate.

Që s’dihet se ku ishte ?

Atë e kishin lënë të gjithë

E kishte lënë gruaja

S’i fliste djali

E kishte lënë vajza,

E kishte lënë dhe centi i fundit,

Në makinetat e kazinosë

Por jo kënga.

Në notat e një serenate…..      

Shpirti i tij bonjak

këndonte si në Korçë

në një postafë,

në një sokak….

Dhe 30 vjet më vonë,

Në qytetin e madh

Mbushur me zezakë

Këndonte për një dashuri ngushëllimi,

Shpirti i bohemit

Që binjak kish Eseninin

Por ai që duel kishte bërë vetëm me hijen e vetes

Këndonte tani prap për mulaten.

Se vetëm ajo se kishte lënë…

Mendova se në jetë

Sa dashuri të heshtura degdisen pa gjurmë

Dhe unë do desha që si kënga e mulates,

Mos kishin humb…

Për ne

që për dreq

s’guxuam dhe

mbetëm në shpirt

bohem fatkeq.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dhe, Kartolinë e pamundur, Letër për Santën, Rafael Floqi me Prag Krishtlindjesh, Sofra e Diellit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT