• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Rama flet për sfidat e sigurisë në Ballkan

April 13, 2016 by dgreca

Nga Keida KOSTRECI/ Zeri i Amerikës/

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli sot në Këshillin e Atlantikut, ku ai u ndal tek sfidat e sigurisë me të cilat ndeshet sot Ballkani perëdnimor në kuadër të përpjekjeve të tij për t’u integruar në Bashkimin Evropian.Zoti Rama nga njëra anë shprehu shqetësimin se sfidat me të cilat përballet Evropa, rrezikojnë ta lënë në hije integrimin e Ballkanit deri në një afat të pacaktuar dhe nga ana tjetër theksoi se përfitimet e integrimit do të ishin të dyanshme.

“Në këtë kontekst, ekziston rreziku se pasojat e krizës ekonomike, të sigurisë dhe asaj të migrantëve që po kalon Evropa do të përhapen në Ballkanin Perëndimor duke sjellë më shumë pasiguri për këtë rajon”, tha zoti Rama.Për momentin tha kryeministri, çështja e migrantëve është problemi numër një në Evropë, si nga ana e sigurisë ashtu edhe nga çështja e vlerave. Ai the se përgjigjia e Evropës ka qenë e ngadaltë dhe jo e qartë, me përjashtim të Gjermanisë.

Zoti Rama e shprehu shqetësimin se zgjerimi mund të mos jetë përparësi, por duke dolur për sfidat aktuale në kontinent, ai sugjeroi se përfitimet mes Ballkanit dhe Evropës janë reciproke.

“Nuk është e tepruar të thuhet, se Evropa, ka nevojë për Ballkanin të paktën po aq sa ç’ka nevojë Ballkani për BE-në”, në këto momente.

Zoti Rama tha se rajoni është në momentin më të mirë të mundshëm përsa i takon marrdhënieve mes vendeve të tij, një arritje siç tha ai duke pasur parasysh të kaluarën me përplasje etnike.Kryeministri i bëri thirrje Evropës për të intensifikiuar bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor në këto kohë krizash.Një nga këto sfida dhe një temë për të cilën zoti Rama qëndroi gjatë, ishte çështja e ekstremizmit të dhunshëm.

Zoti Rama tha se vendi i tij është bërë partner i plotë në përpjekjen globale për ta luftuar atë. Sipas burimeve të ndryshme, nga Shqipëria ka patur rreth 100 luftëtarë që i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme.Por kryeministri Rama tha sot se gjatë vitit 2015 asnjë shtetas shqiptar nuk është bashkuar me organizatat ekstremiste.  Kryeministri shqiptar përmendi në fjalën e tij se Shqipëria është një shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës së feve të ndryshme. Ai tha se radikalizimi duhet luftuar së pari në mendjet e njerëzve, sidomos të rinjve.

“Duhet t’u mësojmë brezave të rinj sesa i çmueshëm është ky shembull i Shqipërisë, sa i vlefshëm është ky komunitet tolerance dhe bashkëekzistence fetare dhe çfarë rrezikohet përsa u takon kërcënimeve që vijnë nga të gjitha anët ndaj kësaj pasurie kombëtare”, tha kryeministri.“Ne mendojmë se informacioni i përshtatshëm për moshën dhe një diskutim i hapur në klasa do të kontribuojë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të fitojnë njohuri që të jenë më mirë në gjendje që t’i rezistojnë urrejtjes mbështetur tek feja, të refuzojnë diskriminimin dhe kështu të përforcojmë kompaktësinë tonë të njohur sociale”, tha zoti Rama.

Ai iu referua kështu një teme të diskutuar mjaft në Shqipëri. Zoti Rama tha se kur ndodhin sulme terroriste si ai i Parisit, ka nga ata që thonë që ato u kryen nga myslimanët dhe pastaj vazhdojnë duke thënë se kjo është arsyeja që duhen mbyllur kufijtë, duhet t’u hiqet shtetësia dhe këtyre njerëzve u rritet mbështetja.Duke folur për këtë temë, zoti Rama, përmendi edhe kandidatin republikan, Donald Trump, komentet për të cilin kishte dhënë para disa ditësh, ngjallën reagime në Shqipëri.Ai sugjeroi se do të ishte e rrezikshme që një njeri që demonizon grupe të caktuara – duke folur veçanërisht për myslimanët – të ishte në krye të Shteteve të Bashkuara.

“Dhe ta them deri në fund se nuk mund të mos e them, se si mundet që Donald Trump mund të arrijë të jetë kandidati i një partie që kishte si kondidat Ronald Reganin”.

Dhe duke folur më gjerë për rrezikun e mosnjohjes, ai dha më shumë hollësi për kontekstin duke thënë se kjo mosnjohje e tjetrit, hendek në mosnjohje krijon premisa të rrezikshme që i bën njerëzit të ndjehen të përjashtuar dhe stigmatizuar.

“Dhe pastaj e kupton që ka një hendek njohjeje, një hapësirë e gjerë ku injoranca, mosnjohja e koncepteve të thjeshta, bazë për fetë dhe për besimin e tjetrit, ka krijuar një terren që e ushqen këtë lloj politike, për këtë lloj radikalizimi dhe krijon një efekt zinxhir”.

Zoti Rama vlerësoi lart marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Shqiptarët janë me fat që është një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai përmendi si sfidë për rajonin edhe përpjekjet për ndikim rus, por shtoi se ky ndikim nuk është i njëjtë për të gjitha vendet e rajonit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Rama foli edhe për problemet me të cilat përballen vendet e Ballkanit së brendshmi, si klima politike, përfshirë Shqipërinë.

“Po, ne si vende të rajonit, na duhet të përballemi sfidat që kanë të bëjnë me të shkuarën tonë dhe do ta lidhja thjesht me ritmin e integrimit të vendeve ish-komuniste”, tha ai.

“Nëse për vende si Polonia, të hynin në Evropë ishte si të riktheheshin në shtëpitë e tyre, për ne hyrja në Evropë, është të shkojmë diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha ai.

Ai shtoi se vende si Shqipëria kanë më shumë sfida të dukshme përsa i takon korrupsionit apo mungesës së vullnetit për të respektuar ligjin, për shkak të mungesës së modernizimit.

Ai bëri edhe një krahasim me klimën politike në SHBA.

“Përsa i takon klimës politike, jemi në Uashington dhe nuk është një vend që më bën të më vojë zor për jetën tonë politike, sepse nëse nuk ka ndonjë gjë për të mësuar në Uashington është se si të partitë të bashkohen për të mirën e vendit, sepse as republikanët, as demokratët nuk mund të na thonë se e duan njëri-tjetrin dhe sa të gatshëm janë për të bashkuar forcat për një synim më të madh”, tha zoti Rama duke iu referuar retorikës së ashpër të fushatës presidenciale në SHBA.

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Sigurisë, keida Kostreci, ne Ballkan, Rama flet për sfidat

Hooper: Dështimi i votës për Gjykatën dëmton rëndë marrëdhëniet me SHBA

June 27, 2015 by dgreca

Nga Keida Kostreci/VOA/

Një ekspert i çështjeve të Ballkanit thotë se dështimi i miratimit të legjislacionit për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, dëmton rëndë marrëdhëniet dyplaëshe me Shetet e Bashkuara. James Hooper, Drejtor Menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politikat, i tha dje në një intervistë Zërit të Amerikës se hapat e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik rrezikohen nga ky dështim. Ai i tha koleges Keida Kostreci se shpreson që Kosova të gjejë një mënyrë për ta votuar përsëri legjislacionin, pasi sipas tij në të kundërt do të fillonte destabilizimi i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, sot parlamenti i Kosovës nuk arriti të miratojë legjislacionin për ndryshimet kushtetuese që do të bënin të mundur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës. Çfarë do të thotë kjo, sipas mendimit tuaj?

James Hooper: Kjo i dëmton rëndë marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Mendoj se kjo është shumë serioze dhe shpresoj që tani të mbizotërojnë mendjet më të ftohta. E kuptoj që ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë që u duhej të merrnin kosovarët dhe nuk dua ta minimizoj. Ishte një nga vendimet më të rëndësishme që u është dashur të merrnin që kur mbaroi lufta në vitin 1999, sepse gjykata është konsideruar nga shumë vetë në Kosovë si një proces që ngre pyetje për legjitimitetin e luftës, legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo ka shkaktuar një ankth dhe pakënaqësi të konsiderueshme mes ish-anëtarëve të UÇK-së dhe mes qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, të cilët e kanë parë këtë si një kërcënim për të ardhmen e tyre, që vë në pikëpytje legjitimitetin e të qenurit shtet. Ajo që mund të them është se Kosova ka ndërmarrë kaq shumë hapa pozitivë, si fitorja e luftës me NATO-n si partnere në vitin 1999, shpallja e pavarësisë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtyre hapave Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithnjë në krah të Kosovës.  Është bindja ime që Kosova ka grunbulluar shumë kapital përsa i takon vullnetit të mirë nga komuniteti ndërkombëtar. Mund të thuhet që kjo u konsolidua nga marrëveshja e para dy viteve në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës që krijoi mundësinë për hedhjen e hapave përpara. E gjithë kjo e ka vënë Kosovën në një situatë që nuk i duhet të shqetësohet për lirinë e tyre, për pavarësinë e tyre, nuk kërcënohet nga ndonjë sulm, që mund të përqendrohen tani tek ndërtimi i vendit, i shoqërisë së tyre, zgjidhja e problemeve të shoqërisë. Por kjo (ky vendim) do të ishte një kthim prapa, sepse e kthen debatin – dhe mendoj në një mënyrë emocionale për Kosovën – tek legjitimiteti i saj si shtet tek pavarësia dhe (shqiptarët e Kosovës) do të kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në gjithë rajonin për këtë çështje.

Unë u befasova vërtet që me gjithë inkurajimin që Shtetet e Bashkuara i dhanë Kosovës për ta ndihmuar që të arrinte të merrte një vendim që gjithkush në Uashington e kuptonte sesa i vështirë ishte, pra pavarësisht nga kjo Asambleja nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej dy të tretash.

Zëri i Amerikës: Në këtë pikë, a mendoni se mund të bëhet diçka për të ndryshuar vendimin e sotëm dhe cili do të ishte sugjerimi juaj?

James Hooper: Nuk besoj se është vonë. Ky nuk duhet të jetë votimi i fundit dhe përfundimtar për këtë çështje i banorëve të Kosovës përmes deputetëve që i përfaqësojnë. Unë do t’u bëja thirrja autoriteteve të gjejnë një mënyrë për të patur një votim të ri. Të mos nxitohen, ta shqyrtojnë edhe një herë situatën, të analizojnë dëmin që do t’i shkatonin marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ky votim në këtë formë, do t’u shkaktonte dëm serioz marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara në se nuk do të korrigjohej. Kosova duhet të gjejë një rrugë, të gjejë një zgjidhje që Gjykata të krijohet dhe në të njejtën kohë të ruhen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Nuk dua në asnjë mënyrë të minimizoj rrezikun që vendimi i së premtes përmban për marrëdhëniet e Shteteteve të Bashkuara me Kosovën. Ky ishte një vendim serioz që do të shkaktonte dëme të mëdha.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, cilat mendoni se do të jenë pasojat jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe me Uashingtonin, por edhe me kryeqytetet evropiane që e kanë mbështetur Kosovën dhe tek e ardhmja e saj?

James Hooper: Dhe sidomos Gjermania, mes vendeve mike evropiane. Gjermania ka ndërmarrë përpjekje serioze dhe të vazhdueshme, për të ndërmjetësuar marrëdhënie më të mira mes Serbisë dhe Kosovës, që marrëveshja për Veriun të zbatohet në mënyrë konstruktive dhe për të inkurajuar Serbinë të pranojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, gjë që unë mendoj se është diçka me rëndësi kritike që duhet të ndodhë. Nëse ky votim do të lejohet të qëndrojë në fuqi, kjo do të ishte një hap i madh prapa për marrëdhëniet me Evropën, pa folur për SHBA. Siç e kam përmendur, ky do të ishte një hap prapa në marrëdhëniet me SHBA, do të ishte një humbje e besimit në këto marrëdhënie dhe sidomos në Kongres. Do të ishte më e vështirë për miqtë e Kosovës në Kongres ta mbështesnin atë me të njëjtën forcë si në të kaluarën. Por në Evropë, kjo do të dëmtonte përpjekjet për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe për të krijuar shtegun drejt anëtarësimit. Është gjithashtu një hap prapa për marrëdhëniet e Kosovës në përpjekjet për të hyrë në NATO, gjë që mendoj se ka rëndësi kritike. Prandaj mendoj se për hir të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA dhe me Evropën, për hir të së ardhmes së saj në NATO dhe në BE, është e nevojshme që ajo të ndërmarrë një votim të ri dhe ta miratojë ligjin.

Zëri i Amerikës: Alternativa tjetër, për të cilën Kosova ishte paralajmëruar që të mos ta lejonte të ndodhte, është ngritja e një gjykate të tillë nga Këshilli i Sigurimit, sipas një propozimi rus. Çfarë do të thoshte kjo – nëse nuk zgjidhet çështja e alternatives që dështoi dje – dhe alternativa e Këshillit të Sigurimit mbetet e vetmja mbi tryezë?

James Hooper: Ky do të ishte një skenar edhe më i keq se sa ta miratonin krijimin e gjykatës. Kjo do të thotë në fakt që Shtetet e Bashkuara të bëhen partnere me Rusinë për një Gjykatë të krijuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që nuk do të shihej si legjitim nga banorët e Kosovës. Ndërsa Gjykata  që do të krijohej nga vetë parlamenti, do të gëzonte mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara duke u siguruar që ajo do të ishte një gjykatë e drejtë përsa u përket procedurave dhe jo një gjykatë politike. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të besohen për këtë. Ndërsa krijimi i gjykatës nga Këshilli i Sigurimit do të ishte fillimi i një procesi që shënon kthim pas, ku gjerat përkeqësoshen dhe alternativat për Kosovën do të keqësohen. Në se kjo Gjykatë, që mbështetet nga Shtetet e Bashskuara nuk pranohet, si do ta shikonin kosovarët gjykatën e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit….

Zëri i Amerikës: Ndoshta ata nuk duan krijimin e asnjë gjykate, por ç’do të ndodhte në se Gjykata krijohet pa dëshirën e tyre (Kosovës)?

James Hooper: Në se Gjykata nuk miratohet, në se kosovarët këmbëngulin që të mos pranojnë asnjë gjykatë,  as atë të tanishmen, as atë të Këshillit të Sigurimit, e cila po ashtu do të mbështetej nga Shtetet e Bashkuara por në të cilion Shtetet e Bashkuara nuk do të luanin dot më një rol konstruktiv, pasi kur gjerat kalojnë në Këshillin e Sigurimit,  ka edhe aktorë të tjerë të përfshirë, sidomos Rusia, kjo do të shënonte kthim pas për Kosovën dhe në vend që të gjendeshin forma për t’i çuar përpara marrëdhëniet me Evropën, me NATO-n, forcimin e ekonomisë, atëhere do të kishim një skenar kur lufta për pavarësinë do të hynte në kanale ligjore, emocionet do të shtoheshin, njerëzit do të kërkonin gjeste simbolike, vendime simbolike, do ta vishnin veten me flamur, nacionalizmi do të shtohej në Kosovë dhe në situata të tilla, nuk ka ecje përpara, ka kthim pas. Në se situata nuk ndryshon unë shoh fillimin e destabilizimit të Kosovës. Dhe kjo do të ishte një pasojë shumë serioze.

Filed Under: Interviste Tagged With: Deshtimi i votes, GJYKATA SPECIALE, Hooper, keida Kostreci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT