Esse-In Memoriam of Francesk Radi/
nga Raimonda MOISIU/
Francesk Radi ishte njeri i përzëmërt, fisnik dhe tejet modest, talent me shpirtin e lirë të një artisti të shkëlqyer, gjithmonë në kërkim të së bukurës, nën fuqinë e tingujve të kitarës në shtegëtimin pafund të pasionit dashuror të refleksioneve muzikore dhe artit për muzikën.
Artisti, i cili theu tabutë e kohës së realizmit socialist që jetonim, dhe këndoi me shpirtin e lirizmit të tij dhe ëndrrave të trazuara, mëkatare e rebele, artisti antikomformist me përplasjen dhe botëkuptimin e botës shpirtërore, të pasur e ndjesore, me moralin dhe mjerimin e shoqërisë brenda asaj bote që na rrethonte. Për Frankon, muzika ishte e vetmja fuqi talenti, shpirti dhe delikatese, sikundër janë përgjithësisht artistët e mirëfilltë, me madhështinë e një vitaliteti, përkushtimi e vullneti të hekurt, artisti që shkriu shpirtin dhe dëshirën, pasionin dhe dashurinë për artin, kulturën e muzikën, vetëm për një duartrokitje, për pak buzëqeshje dhe dinjitet, përballë misterit të rregjimit të kohës, për të bërë historinë. Dhe ia doli! Franko bëri historinë!
Francesk Radi, që në moshë të re shpërtheu duke kompozuar me tinguj kitare, në kërkim të identitetit unik të tij, dhe befas “bëri jehonë” në vitet ‘70-ë të shekullit të kaluar me vidioklipet e dy këngëve “Adresa”, dhe “Bicikleta”, aty ku edhe nisi rrugëtimi virtuoz i krijimtarisë artistike dhe muzikore e tij. Muzika, ndjenja, stili dhe moda e ritmit muzikor të kompozuara prej Francesk Radi-it, dallohej lehtë për vizionin se cfarë është muzika që del nga një shpirti dhe mendim i lirë i artistit, për të jetuar në harmoni me natyrën e njerëzit, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore.
Francesk Radi, një muzikant i apasionuar, i talentuar dhe plot frymëzim ka hulumtuar zhanre të ndryshme në fushën e muzikës, duke përfshirë bashkimin e elementeve të ndryshme të ritmeve të muzikës së ndaluar dhe persekutimit shpirtëror, social e kulturor të kohës, nëpërmjet baladave romantike e lirike, të ëmbla dhe sentimantale, Brenda tyre ka shumë ndjenjë e melodi harmonike e melankolike, trishtim, dhimbje e dashuri: “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Kemi dasëm “o”…”, ritmet
e elementeve të hard-rock, te “ Rroku i burgut”, të kombinuar me shpirtin e lirë e të trazuar të një “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra..”, etj. Melodia e tyre kapej shumë shpejt nga publiku, fërshëllehej dhe këndohej nga rinia dhe kanë mbetur në kujtesën e publikut. Këngët e Frankos, e këtij artisti modest e të mrekullueshëm, patën një arritje të suksesshme personale dhe kulturore për mijra fansat e tij, dhe e kanë kapërcyer me kohë, të paturit e një ndikimi të madh mbi to. Këngët e tij të para; “Adresa”, dhe “Bicikleta”, arritën kulmin duke u shëndrruar në hit i madh i kohës kur u kompozuan, në cdo notë e tinguj kitare, antitezë e fortë me artin e muzikës që kërkohej nga konflikti i luftës së klasave.
Sot për sot, Francesk Radi mbetet një nga artistët dhe këngëtarët më të rëndësishëm dhe me emër, dhe shumë i dashur, i cili fitoi popullaritet në lartësitë e lavdisë e përjetësisë me këngët e tij më të mira ndër vite, që kanë pushtuar zemrat dhe kanë emocionuar mijra herë, artdashësit dhe fansat e tij, vecmas me timbrin e zërit të tij të spikatur. Me portetin e një artisti, stilin e tij të veshjes dhe flokëve të gjata, modën që spikati në rininë e tij, ritmet e muzikës së ndaluar, Franko sfidoi imazhin e një artisti që kërkohej nga rregjimi komunist i kohës, edhe kur e cuan në barakën prej druri në Fushë-Arrës, por si një qytetar i rrallë, bashkëshort e baba i mrekullueshëm, artist i pakrahasueshëm, ikonë e artit muzikor ndër vite, ky Celentano shqiptar, nuk u ndal kurrë për të realizuar pasionin e tij për muzikën. Një nga fotoportretet e fiksuara nga aparati i ekspertit dhe studiuesit të njohur të fotografisë, Qerim Vrionit,-e tregon artistin Francesk Radi në shtator të viti 2009-ë. Gjatë atij takimi artistësh, studiuesi i shquar shqiptaro-amerikan, Qerim Vrioni, i bëri një fotografi këtij artisti të madh, në studion e tij, portret, i cili është nga më të mirët e portretit të Francesk Radit. Më duhet të sjell në vëmendje se në ekranin e kompjuterit të artistit, është portreti i Bethovenit, analogji e ndjeshme tejet njerëzore dhe e spikatur në formë e në funksion me portretin e Frankos sonë.
Me mëncuri, dashuri, modesti dhe krenari, vital e unik, Francesk Radi vazhdoi të kompozonte duke adaptuar vlerat më të mira muzikore dhe të krenarisë së tij, me vlerat më të mira të lahutës, ciftelisë dhe krenarisë malësore, sfidoi frikën dhe arriti triumfin mbi të, duke mbetur përjetësisht një vlerë e traditës, historisë dhe trashëgimisë kulturore e muzikore.
Pra pak kohësh u shua kantautori, kompozitori, kitaristi i famshëm dhe këngëtari i njohur Francesk Radi, frymëzimi i kohës së rinisë të brezit tonë dhe brezat që vijnë, i cili me këngët e tij, la jehonë përjetësie. Humbëm një Artist të madh, një aset të cmuar, vlerë njohëse dhe emër i vlerësuar, një artist që dha aq shumë nga forca e talentit muzikor dhe mëncurisë së artistit, në fushën e muzikës, artit e kulturës shqiptare.
Francesk Radi i përkët elitës së shquar e brezit të artë të artistëve shqiptarë, një ikonë e paharruar.
Pushofsh në Paqen e Amëshuar, Franko!
Raimonda MOISIU
Flaming Island
Jacksonville, Florida
Prill 2017