Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës sot në mbledhje/
-Qeveria e Kosovës, për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndau sot 70 mijë euro/
-Qeveria miraton tre marrëveshje financiare në vlerë prej 158 milionë, janë negociuar paraprakisht me qeveritë e Austrisë, Francës dhe Hungarisë/
-Kryeministri Isa Mustafa, e ka njoftuar kabinetin qeveritar për marrëveshjen që është arritur për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe planin për ndërtimin e sheshit atje: Komuna e Mitrovicës së veriut ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen/
PRISHTINË, 8 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova përgatitet për festimet e 9 vjetorit të Pavarësisë, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, qeveria në mbledhjen e sotme vendosi për themelimin e Këshillit Organizativ, i cili do të ketë këtë përbërje:
-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryesues;
-Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;
-Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar;
-Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;
-Zyra e Kryeministrit, anëtar;
Po ashtu janë ftuar që të dërgojnë nga një përfaqësues në Këshill edhe:
-Zyra e Presidentit, anëtar;
-Kuvendi i Republikës së Kosovës, anëtar;
-Komuna e Prishtinës, anëtar;
-Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, anëtar;
-Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, anëtar; dhe përfaqësues të OJQ-ve.
Për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e nëntë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 70 mijë euro.Ndërsa, që në fillimin e sesionit pranveror, në mbledhjen e parë të këtij viti të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare është vendosur që ditën e përvjetorit të pavarësisë në 17 shkurt 2017 të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.Shpallja e pavarësisë para 9 viteve është pasuar me miratimin nga Kuvendi në 9 prill 2008 të Kushtetutës së Republikës, e cila në nenin 1 përcakton se “Kosova është ështet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Kushtetuta ka hyrë në fuqi në 15 qershor 2008, dhe në këtë një zhvillim shumë i rëndësishëm ishte dekretimi i 41 ligjeve të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së.Një nga këto ligje është është ai për festat zyrtare në Republikën e Kosovës të miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, sipas të cilit Dita e Pavarësisë 17 Shkurti, po edhe Dita e Kushtetutës 9 Prilli, janë festa shtetërore.Republika e Kosovës deri tash është njohur nga 113 shtete anëtare të OKB-së dhe është anëtarësuar në mbi 50 organizata ndërkombëtare, prej atyre politike, të sigurisë, ekonomike etj.
QEVERIA MIRATON TRE MARRËVESHJE FINANCIARE NË VLERË PREJ 158 MILIONË
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi 3 marrëveshje financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me qeveritë e Austrisë, Francës dhe Hungarisë. Poashtu, qeveriia miratoi Garancinë Shtetërore me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e këtyre marrëveshjeve para kabinetit qeveritar, në lidhje me Projektligjin për Marrëveshjen Financiare me qeverinë e Austrisë, bëri të ditur se kjo i mundëson qeverisë së Kosovës marrje të huasë nga qeveria austriake në vlerë deri në 30 milionë euro për investime në projekte të ndryshme kapitale.Lidhur me Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Financiar në mes të qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Francës dhe Marrëveshjen për Hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit të Qeverisë Franceze –NATIXIS, ministri Hoti bëri të ditur se, në 5 korrik të vitit të kaluar është nënshkruar Protokolli Financiar për bashkëpunim ndërshtetëror.“Në këtë marrëveshje është parashikuar nënshkrimi i marrëveshjes për Hua për financimin e Projektit të trajtimit të ujërave të zeza në komunën e Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit. Në 19 janar 2017 kemi nënshkruar edhe Marrëveshjen për Hua me ç’rast i kemi kompletuar Marrëveshjet e nevojshme për fillimin e përgatitjeve për realizim të projektit. Kjo Marrëveshje ka një vlerë totale 66 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.036%, grejs periudhë 5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 25 vite” , tha ministri.Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe qeverisë Hungareze për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, sipas ministrit Hoti, është një Kornizë për bashkëpunim financiar në mes të dy shteteve për financimin e projekteve në sektorët e ujërave/ujërave të zeza si dhe infrastrukturës.Sipas tij, marrëveshja me qeverinë e Hungarisë ka një vlerë totale 62 milionë euro, normë efektive të interesit vjetorë 0.00%, grejs periudhë 1.5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 17 vite. Ndërsa, sa i përket miratimit të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK) ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri Hoti bëri të ditur se, janë zhvilluar negociatat me BERZH dhe se vlera financiare e kësaj marrëveshje është 24 milionë euro.
KRYEMINISTRI ISA MUSTAFA: KOMUNA E MITROVICËS SË VERIUT KA ZBATUAR ME PËRPIKËRI MARRËVESHJEN
Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës,kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar kabinetin qeveritar për marrëveshjen që është arritur për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe planin për ndërtimin e sheshit atje.“Kemi pas takime intensive me përfaqësuesit e Komunës së Veriut, kryetarin e Komunës dhe përfaqësues tjerë të komunitetit serb. Nga ana e deputetëve dhe ministrave që janë tek ne, kemi pas poashtu një përkushtim të madh dhe të drejtë, mjaft parimor dhe ligjor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kanë punuar shumë edhe ministri Ferati, edhe zëvendësministri Gecaj në këtë fushë. Është arritur një marrëveshje, e cila konsideroj se është shumë e mirë. Është një marrëveshje ligjore, është zgjidhë një problem në mënyrën më të mirë, në saj të mirëkuptimit. Edhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vetë Komuna dhe organet komunale. Ministria e Mjedisit dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal gjatë gjithë periudhës i kanë marrë të gjitha masat ligjore dhe i kanë respektuar këto procedura në përpikëri, prej vërejtjeve që i ka dhënë Inspeksioni i Ministrisë së Mjedisit deri në momentin e fundit kur është hartuar dhe nënshkruar marrëveshja. Komuna e Mitrovicës së Veriut poashtu ka zbatuar me përpikëri marrëveshjen që kemi lidh, sikurse edhe dy ministritë tona të cilat kanë punuar edhe ditën e shtunë që të kryejnë të gjitha veprimet që janë kërkuar nga këto ministri dhe tani kam informatën që kemi kërkesë nga Komuna e Veriut që të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në procesin e mbikëqyrjes së këtyre punimeve, në mënyrë që çdo gjë të bëhet, që është një shembull shumë i mirë”, tha kryeministri Mustafa.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, falënderoj kryeministrin dhe tërë ekipin e tij që gjatë tërë periudhës së bisedimeve, në negociata, kemi kryer punën e bisedimeve. “Këtë po e them me theks të veçantë, sepse ne gjithçka që kemi bërë ka qenë edhe legjislative edhe në ambientet e brendshme të institucioneve tona, dhe esenciale është që ne kemi biseduar me pushtetin lokal dhe përfaqësuesit, e përfaqësuesit qendror të komunitetit serb. Që nga faza e implementimit, gjegjësisht të fillimit të ndërtimit, pas marrjes së informacioneve kronologjike, ne kemi kryer të gjithë hapat e ndërprerjes në fillim të punimeve. Të them të drejtën edhe ndërprerja e punimeve është rasti i parë, i veçantë ose unik, që ata fillojnë me zbatuar vendimin dhe procesverbalet tona, pastaj orvatjet tjera për të modeluar janë ndërprerë përsëri nga inspektorët tanë. Kemi filluar procedurat juridike, por paralelisht kësaj asnjëherë nuk e kemi ndërprerë komunikimin në nivel zyrtar me përfaqësuesit e pushtetit lokal të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kanë filluar bisedimet pas ngritjes së atij tensioni dhe me ndihmën edhe të partnerëve, që dua t’i falënderoj këtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorin Delaëie, përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian, znj. Apostolova, ekipet e tyre dhe përfaqësuesit e dy institucioneve tona, zëvendësministrin dhe ekipin e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me kabinetin e kryeministrit. Këto kanë qenë palët që kanë biseduar gjatë tërë kohës, normal me grupet e ekspertëve, profesionistë nga Instituti i Planifikimit Hapësinor dhe ekspertë tjerë që kanë qenë pjesë e logjistikës gjatë fazës së bisedimeve për projekte, dhe detaje tjera teknike dhe urbanistike. Ajo që për mua është tepër e rëndësishme është që ne kemi zbatuar ligjin në përpikëri, kemi kryer detyra kushtetuese, kemi realizuar dhe arrit që edhe pjesa e asamblistëve të komunës së Mitrovicës së Veriut, të pajtohen plotësisht me këtë marrëveshje, për herë të parë kemi një dakordim të të gjitha partive politike, pa marrë parasysh nga çfarë krahu vijnë, e aprovojnë këtë projekt, dhe për herë të parë kemi një projekt në komunën e Mitrovicës së Veriut që i kalon të gjitha procedurat legale juridike nga niveli lokal deri në nivel qendror, dhe retroaktivisht, kërkesën dhe përgjigjet tona. Pra, marrëveshja është plotësisht legale, është arrit mes palëve të institucioneve tona, sepse këtu ka tendenca dhe implikime, dhe është bërë gjithmonë në ambientet zyrtare të Republikës së Kosovës. Ndihmesë të madhe kanë dhënë të gjitha ata që u thanë më herët, por që e veçanta tjetër është që, pas arritjes së kësaj marrëveshje, ka filluar implementimi dhe kemi realizim pothuajse qind për qind deri në këtë moment, të asaj që është arritur dhe të asaj që është planifikuar.
Çka parasheh marrëveshja? Marrëveshja parasheh në rend të parë largimin e murit, rrënimin e tij, i cili është realizuar brenda afatit të paraparë. Marrëveshja ka paraparë pastaj dizajnimin e planit të sheshit, i cili është plan që është negociuar gjatë, për çdo detaje të tij, edhe juridike, edhe teknike, edhe hapësinore, konform legjislacionit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pushtetit lokal të komunës së Mitrovicës së Veriut.Pas hartimit të këtij plani, pas debatimit dhe zgjidhjeve urbanistike për gjithë qasjen në shesh, është arrit që plani të plotësoj komponentët e lëvizjes së lirë, me të gjitha elementet tjera përbërëse, siç janë, shtegu për çiklizëm, shtegu për këmbësor, shtegu për siguri, shtegu për lëvizje të lirë, të të gjithë kësaj pjese territoriale.E veçantë tjetër e projektit është që lidhet me projektin që Bashkimi Evropian është duke e zbatuar në Urën e Ibrit, një projekt i mëhershëm. Pra, i ka të gjitha komponentët urbanistike dhe planifikuese që korrespondon me pjesën tjetër të jugut dhe me pjesën e projektit të Urës së Ibrit.Ky projekt është harmonizuar dhe ka përafërsisht në 90 për qind të projektit, të njëjtat standarde dhe kritere teknike dhe urbanistike, me ato që janë hartuar dhe janë sot në zbatueshmëri edhe në projekte e Bashkimin Evropian por edhe në të gjitha qytetet tona.Pozicioni gjeografik dhe situata që ka qenë atje, ka krijuar një kërkesë teknike që në një pjesë të rreth rrotullimit që lidhet me pjesën qendrore të sheshit, ka qenë kërkesë edhe shkencore edhe teknike, edhe politike ndoshta, me pas një lloj ndarje, pengese, që mos me pas qasje direkte në rreth rrotullim, që është kërkesë legjitime, sepse në asnjë vend nuk ka qasje në rreth rrotullim këmbësori, por i ka në dy krahët në rreth rrotullim, shtigjet e këmbësorëve dhe shtigjet tjera përcjellëse. Pra, në këtë pjesë, që së fundi është bërë debat jo është mur jo s’është mur, nuk ka mur, në atë shesh nuk ka mure, ka vazo lulesh me dy nivele, me një lartësi i pari 40 centimetra, dhe i dyti maksimum 70 centimetra, ku do të jenë të hapura në mes, të mbushura me dhe për lule, dhe asnjë lloj muri, asnjë lloj simbolike, asnjë lloj kriteri tjetër nuk ka. Ky komponent është i domosdoshëm dhe shkon me gjithë pjesën tjetër përbërëse. Në të dy krahët e rrethit ka qasje për këmbësor dhe ka qasje për automjete. Në krahun e djathtë kemi 9 metra portë hyrëse në shesh me pengesa hidraulike, që janë arsyetuar dhe pajtuar të dy palët që emergjencat, siguria, rastet e veçanta të zjarrfikëse, mund të depërtojnë në shesh pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj pengese, por njëkohësisht kjo pjesë përdoret edhe për lëvizjen e lirë të këmbësorëve, sepse pengesat janë 1 metër e 20 larg njëra-tjetrës, dhe këso raste kemi edhe në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë , kemi edhe në sheshet e Bashkimit Evropian, si sheshi i Berlinit që është kështu i bllokuar, dhe shumë sheshe tjera. Në pjesën tjetër të majtë të rreth rrotullimit, që lidhet me pjesën veriore, kemi një rrugë të re, që është pjesë e këtyre shesheve dhe këtyre projekteve, ku ka qasje edhe këmbësori edhe automjetet, për t’u lidh me pjesën qendrore, Lagjen e Spitaleve, lartë, e kështu me radhë.
Në të dy krahët të gjitha shtigjet lidhin Lagjen e Boshnjakëve me Kroin e Vitakut, dhe kemi një kompozicion infrastrukturor që edhe komunikon edhe krijon hapësirë për lëvizje të lirë me të gjitha pjesët e qytetit, edhe në veri edhe në jug.
Unë jam i bindur se kjo është një zgjidhje e mirë dhe e arritshme, dhe tash çka mund të them është që deri në këtë fazë, edhe sot, Marrëveshja po realizohet në përpikëri, dhe dje ka filluar projekti i implementimit të sheshit. Shërbimet tona profesionale të kadastrit, gjeodetët tanë, dhe trupat inspektuese të Ministrisë, në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, kanë vendosur shenjat, kuotat, apo reperët e projektit, në bashkëpunim të plotë, pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj eksesi, dhe po fillon ndërtimi i sheshit nën mbikëqyrjen ligjore, dhe profesionale të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është rasti i parë kur në mënyrë ligjore, legale dhe të qetë po realizohet një projekt në pjesën veriore, dhe po integrohet qyteti hap pas hapi me metodat dhe praktikat më të mira civilizuese. Edhe njëherë ju falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar, dhe ju garantoj që nuk kemi nevojë për asnjë lloj shqetësimi që do të ketë mure tjera, që do të ketë ndarje tjera, që do të ketë pengesa tjera në lëvizje. Gjithçka është transparente. Ne tashmë e kemi publikuar komplet Marrëveshjen në uebsajtin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kush dëshiron e ka aty, por jemi të hapur edhe për biseda, pyetje e përgjigje, për detaje të caktuara. Faleminderit edhe njëherë”, tha ministri Shala.Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha se kanë qenë bisedime shumë konstruktive. “Falënderoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, z. Rakiq, që vërtetë ka qenë i vështirë në negociata, por mjaftë konstruktiv dhe tani kemi arrit, që një proces, i cili është nis në mënyrë joligjore, është kthyer komplet në kornizat ligjore të Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministri Gecaj, duke falënderuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë proces.Kryeministri Mustafa, tha se nga fillimi deri në fund kanë pas një koordinim të plotë edhe me Presidentin e vendit edhe me kryetarin e Parlamentit dhe të gjitha informatat, bashkërenditjet, koordinimet janë bërë në nivel të plotë dhe se të gjitha institucionet e vendit kanë qenë të kyçura duke nxjerrë një rezultat shumë të mirë. “Në të gjitha bisedat, pa marrë parasysh a i kemi zhvilluar ditën a natën, të shtunave, të dielave, ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delaëie, ambasadorja e BE-së, znj. Apostolova, ka pas edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian që janë marrë drejtpërdrejt më këtë çështje që kanë qenë së bashku me ne. Prandaj, është një praktikë shumë e mirë që ne të gjitha problemet edhe çështje mund t’i zgjidhim më mënyra të tilla dhe është një mirëbesim edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.