• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në 60-të Vjetorin e një aktivisti të nderuar të Diasporës z.Mark Qehaja

September 29, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo-U nisa nga fshati im i lindjes Tetaj një fshat i thellë në zonën e Nikaj Mërturit për në Tiranë për në shkollën ushtarake “Skënderbej”, me një valixhe druri me çelës ku kisha mbyllur pasurinë time me disa ndërresa dhe disa kokrra mollë që e aromatizonin ajrin përreth.  Aty po projektoja pa ditur të ardhmen time. M.Q.

Gjashtë dekada jetë nuk janë as pak as shumë, e rëndësishme është si i ke kaluar ato gjashtë dekada në jetën tënde.  Ndonëse për njeriun gjithmonë vitet ikin vetëtimthi, përsëri ato ngelen në kujtesë si gurë diamanti që nuk ndryshken kurrë.  Në një ditë të diel në “Taverna Kyclades”, Queens Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” organizoi ditëindjen jubilare të z.Mark Qehaja njëherazi dhe kryetar i kësaj shoqate.  Për shkak të Pandemisë botërore numri i pjesëmarrësve ishte tejet i kufizuar prandaj kryesia kishte vendosur që ta organizonte këtë ditëlindje ceremoniale vetëm me anëtarët e kryesisë.  

Në krah të tij qëndronte bashkëshortja e tij fisnike znj.Vera Qehaja e cila është një intelektuale dhe nënë shembullore dhe e devotshme në rritjen e dy fëmijëve të mrekullueshëm si Elisa dhe Denisi të mëkuar qysh në fëmijëri me traditat e mahnitshme të Kombit tonë.  Ceremoninë e ka hapur z.Imer Laçaj n/kryetar i Shoqates i cili i uroi plot përzemërsi dhe mirënjohje 60-të Vjetorin si dhe e vlerësoi punën e tij të palodhur per shoqaten.  Z.Laçaj në emër të kryesisë të cilët ndodheshin në tavoline si Alketa Veshi (sekretare) Nikollë Nilaj, Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Glen Nutaj, i dorëzoi z.Qehaja pllakën e mirënjohjes për një kontribut të vyer për drejtimin e shoqatës dhe punën e saj serioze dhe të përkushtuar në Diasporë.  

Me shumë emocion u mirëprit fjala përshëndetëse e z.Qehaja i cili ndër të tjera tha se:  “Më keni nderuar si kryesi me mbështetjen tuaj të vazhdueshme qysh në fillim të krijimit të shoqatës sonë “Skënderbej”me kryetar z.Bashkim Shehu dhe anëtar nderi z.Qemal Zylo.  Tashmë shoqata jonë dëgjohet dhe respektohet jo vetëm në komunitetin tonë, por më gjerë se kaq.  Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme për të gjithë anëtarët dhe tha se ma bëtë më të bukur dhe më të paharrueshëm udhëtimin tim 60 vjeçar.

Udhetimi im 60 vjeçar ka pasur zig-zaket e vështirësitë e jetës.  U nisa nga fshati im i lindjes Tetaj një fshat i thellë në zonën e Nikaj Mërturit për në Tiranë për në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”.  Unë nuk i harroj kurrë lotët e nënës kur më përcollën, ishja më i madhi i fëmijëve.  Ecëm në këmbë me babain tim gati pesë orë dhe pastaj me një kamion zbritëm në Bajram Curri me një valixhe druri me çelës ku kisha mbyllur pasurinë time me disa ndërresa dhe disa kokrra mollë që e aromatizonin ajrin përreth.  Aty po projektoja pa ditur të ardhmen time. Lotët nuk i përmbahen kur përmend prindërit e tij të shtrenjtë për të cilët tha se ndihem tejet krenar ngase gjithë mundin dhe vështiresië e shumta i përkushtuan për fëmijët e tyre.  Tani pas 60 vjetësh në Amerikë jam i bekuar nga Zoti dhe se lutjet e prindërve të mi u dëgjuan vazhdoi z.Qehaja.”

Kemi pasur fatin t’i njohim shumë bashkatdhetarë në organizime aktivitetesh, por është shumë krenari kur në krye të këtyre aktiviteteve janë njerëz si Mark Qehaja. Si media 

TV “Alba Life” kemi ndjekur shumë aktivitete të diasporës, midis tyre kanë qenë dhe të z.Qehaja. Ato kane qenë organizime shumë mbresëlënëse pasi ato janë realizuar me plot përkushtim, atdhetarizëm dhe kulturë. Z.Qehaja së bashku me kryesinë kanë ftuar personalitete të shquara të Diaspores si kongresistin Joe Di Guardi, këshilltarin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, z.Marko Kepi, Presidentin e Organizates “Rrënjët Shqiptare”, ligjvënënsin z.David Tubiolo në Këshillin e Legjislatorëve të Qarkut të Westchesterit, z.Pashko Camaj, zv/kryetar i organizatës më të vjetër shqiptare, e shumë të tjerë deri dhe nga Shqipëria si poetin z.Agim Doci, “Mjeshter i Madh”, z.Paulin Zefi drejtori i Muzeut Lezhë, Dr.Rovena Vata etj.

Ishte gëzim për gjithë anëtarët kur Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej me kryetar z.Bashkim Shehu u mblodh në Manhattan në restorantin “San Marino” për të njohur anëtarët dhe simpatizantët e saj me marrjen e dokumentacionit, miratimin e shoqatës nga departamenti i shtetit të Nju Jorkut si dhe me statutin dhe programin për vitin 2019-të.

Kanë ngelur në kujtesën e shumë pjesëmarrësve aktivitetet si: Festimi i 73 Vjetorit të Shkollës “Skënderbej”, aktivitet me rastin e 550-të Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, aktivitet në 106-të Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festimin i 11-të Vjetorit të Pavarësise së Kosovës, aktivitet që nderoi me madhështi Pavarësinë e Amerikës.

Historike do të jenë dy ditë aktivitetet madhështore në nderim të At Gjergj Fishtës, Nderi IiKombit, që kulmoi me Simpoziumin Shkencor për At Gjergj Fishtën pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, New York.

Veprim human është mbledhja e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri dhe që u dorëzuan pranë Vatrës, inisiatore për këtë nismë tejet mbështetëse në ndihmë të shqiptarëve.

Në Kosovë z.Qehaja u takua me përfaqsues të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës si me z.Jashar Ramadani (vëllai i heroit të Kosovës Agim Ramadanit), shefin e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, me Kolonel Feriz Trezhnjeva si dhe me këshilltarë të Ministrit të Mbrojtjes etj.

Një veprim bamirës është dhe ndihma qe ka dhënë për të dëmtuarit nga tërmeti i nëntorit në Shqipëri ku z.Qehaja i vizitoi kokë më kokë disa familje të dëmtuara rëndë.

Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” vazhdon të jetë aktive dhe në kohën e pandemisë botërore ku janë kryer disa takime në Google Meet dhe nje takim në një restorant në Queens në mjediset përjashta ku dhe u pranuan disa anëtarë të rinj.

Të gjitha këto aktivitete e nderojnë z. Qehaja dhe kryesinë që punojnë me aq përkushtim dhe seriozitet. Sidoqofte ne e festuam thjesht dhe me zemër ditelindjen e tij jubilare dhe ndërkohë urojme nje lider të vërtetë, sepse veprimet e tij janë frymezuese ashtu siç thonë Amerikanët: “If your actions inspire others to dream more, learn more, do more and become more, you are a leader.” … që përkthehet: 

“Nëse veprimet tuaja frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të ecin më shumë, ju jeni një lider.” …

është njerëzore të urosh 60-të vjetorin e një bashkatdhetari në Diasporë aty ku na hodhën fatet dhe ta festojmë së bashku si një familje e madhe.

Gëzuar Mark Qehaja 60-të Vjetorin e ditëlindjes suaj dhe paçi jetë të gjatë!

28 shtator, 2020-New York

Filed Under: Opinion Tagged With: 60 Vjetori, Keze Kozeta Zylo, Mark Qehaja

SHKOLLA SHQIPE”ALBA LIFE” NË KOHËN E COVID-19

September 17, 2020 by dgreca

-Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York me mësimet në Online mundi Covid 19 nga izolimi-

Nga Keze Kozeta Zylo*- Pas një pune përgatitore intensive me mësime të hapura dhe treinimeve midis mësuesëve nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut prej disa javësh të drejtuara nga Dr.Valbona Zylo Watkins filloi mësimi i Gjuhës Shqipe në Online.  Kjo metodë e mëismdhënies në SHQIP ushtrohet për herë të parë në të gjithë Diasporën Shqiptaro Amerikane.  Dhe ndodh pikërisht fal përkushtimit të të gjitha mësueseve ku gjej rastin si Bord t’ju shprehim mirënjohjen e pakufishme si mësueseve: Adelina Laçaj, Vlera Thaqi, Entela Muda, Brunilda Puli, Gela Bulku, Fatbardha Shaqirukaj, Mirvete Krasniqi Veselaj, Dr.Manjola Duli, Vjollca Skënderi dhe dy koordinatorët për Bronxin Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj nën drejtimin e themeluesit dhe drejtorit të shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo.

Ndonëse për shkak të pandemisë kushtet mund të mos jenë të përshtatshme, por gjithmonë mësuesi është nje krijues i vërtetë dhuruar prej Perendisë dhe di bukur të përshtatet me situatën dhe të sjellë metoda efikase në mësimdhënie.  Është e vërtetë që puna parapërgatitore me mësuesit ishte shumë e lodhshme (very stressful) kur thonë Amerikanët për arsye të metodave të reja teknike kompjuterike, frikës nga Covid 19, problemet që solli pandemia botërore, por ato me qetësi dhe dashuri ia dolën mbanë në ditën e parë të mësimit të Gjuhës Shqipe në Online.  

Si një mësuese me një përvojë me dekada midis dy kontinenteve Europës dhe Amerikës, kurrë nuk e kishja provuar një ditë të parë të shtatorit që t’i takoja nxënësit në ekranin e kompjuterit.  Atje pashë fytyrat e tyre të qeshura dhe të bukura me librin përpara të Abetares dhe të Gjuhës Shqipe.  Ishte një përvojë që do të më ngelet gjithë jetën në fletët e ditarit tim të kujtesës dhe sytë e tyre gjithë dritë ndriçonin dhe më shumë botën e izoluar nga pandemia.  Mësueset me shumë profesionalizëm ditën të mbanin të fokusuar para ekranit gjithë nxënësit e klasave të tyre dhe ky ishte një sukses i dukshëm. 

Më lejoni të dashur lexues ta ilustrojë me një shembull fokusin e nxënësve në këtë ditë të parë të mësimit shqip. Kur ne shkuam në Online t’i përshëndesnim nxënësit dhe mësuesit dhe konkretisht u ndalëm në klasën e Entelës në Staten Island me një grup shumë të interesuar për të mësuar shqip, befasia ishte se ata nuk donin të largoheshin nga ekrani qëndruan gati dhe një 20 minutsh më shumë nga ora e planifikuar.  Ata kishin mall për njeri tjetrin, pasi kanë vite që janë bashkë, ata janë miqësuar aq shumë sa nuk po ndaheshin dot dhe kjo është një mrekulli se si Shkolla Shqipe “Alba Life” vepron si një familje e bukur shqiptare.  Ka shumë gjëra të bukura nga kjo ditë për të ndarë, ashtu siç ndodh gjithmonë me ditën e parë të shkollës, por siç thashë dhe më lart ato ngelen ne kujtesën e gjithësecilit dhe ditarin e mësuesit.  Nuk kishte më emocion dhe të mos lotoje, kur dëgjova nxënësit e kësaj klase të këndonin Himnin Kombëtar dhe me dorë pranë zemrës të interpretonin aq bukur. Në këtë klasë kishte dhe nga Long Island si Saranda Halsted që u regjistrua për të mësuar në Online.

Mësimi në Online solli risi të tjera për Shkollën Shqipe pasi nuk kishte nxënës vetëm nga Nju Jorku, por dhe nga shtete të tjera të Amerikës, sepse këtë mundësi ta jep mësimi në Online ngaqë takohesh vetëm virtualisht.  Kështu në klasën e mësuese Vjollcës në Queens ishin dhe dy nxënës nga Washington State.

Me shumë emocion i mirëprita dy nxënës inteligjent nga Washington State Christiana dhe Blake Brewer të cilët kanë nënë shqiptare Loreta Çibuku dhe baba Amerikan Darren J Brewer. Ata ishin çuar qysh herët, sepse ka diference me orën në New York, pasi ne jemi 3 orë më përpara. Dhe ky veprim i tyre të frymëzon.  

Mamaja dhe gjyshërit në Tiranë si mësuese Nexhi dhe Dr.Agron Çibuku ishin shumë të etur që Christiana dhe Blake të mësojnë Shqip.  Dhe ja sot ata u ulën pranë ekranit me një vëmendje të jashtëzakonshme, ku Loreta shkruajti se Blake ka mbajtur gjysmë faqe shënim në Shqip…

Asnjëherë nuk do t’i harroj lotët e mësuese Vjollcës në ekran, kur ne po e intervistonim si Bord për ta pranuar në shkollë këtë vit.  Ajo ndjente një mungesë të madhe të Atdheut, të shkollës, të nxënësve, ndaj i rridhnin lotët e nxehtë të mallit papushim.  Pasi e pranuam dhe i besuam klasën ajo tha se: “Prane jush gjeta një copëz Atdheu që më djeg si prush nga malli”… Lotët e mësueseve peshojnë rëndë në shpirtin tim…

Shumë prindër mezi po prisnin që fëmijët e tyre të fillonin mësimin Shqip, sepse mjaft prej tyre në qindra e-maila na shkruanin qe t’i kishin aktiv dhe të sfidonin izolimin nga Covid 19.  Ja si më shkruante Adelina Halim Shehu një prind prej disa vitesh që sjellë fëmijët e saj të mrekullueshëm në Brooklyn si: “Blenda dhe Rilindi po ëndërrojnë që të fillojnë sa më shpejt mësimin Shqip”.  

Të gjithë këto e-maila të shkruajtura nga dora e prindërve janë shumë frymëzuese për të vazhduar punën më tej.  Ndonëse kemi marrë kërkesa nga Bota e diasporës jashtë Amerikës ku unë po përmend vetëm në Suedi, Greqi, Gjermani, Spanjë etj të cilët na shkruajnë për t’i vendosur fëmijët e tyre pranë Shkollës sonë, përsëri Bordi po punon për shkak të orareve dhe kohës që është komplet e ndryshme me orën tonë këtu në Amerikë.  Le të shpresojmë për t’jua realizuar këtë dëshirë të etur të tyre.

Hapja e Shkollës Shqipe “Alba Life” në kohën e pandemisë botërore e sfidon si vaksinë Covid 19 nga izolimi dhe jeton me besim të plotë dhe shumë pozitivitet, pasi nuk ka kohë më cilësore dhe më aktive se të sjellësh fëmijët në Diasporë për të mësuar Shqip, në vend që  t’i “burgosësh” dhe t’u mpish gjymtyrët para lojnave kompjuterike që mjerisht shpesh jane të pankontrolluara. 

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit me mësimet në Online mundi Covdi 19 nga izolimi.

 Shtator, 2020- New York

*Per me shume fotograafi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Alba Life, Keze Kozeta Zylo, Pandemi

Nderim dhe Respekt për Gazetarin Sulejman Gashi

September 12, 2020 by dgreca

Nga çatitë e djegura të Kosovës pashë Flamurin kuq e zi që velëvitej i LIRË. (Sulejman Gashi)

Nga Keze Kozeta Zylo-

U nda nga jeta gazetari i mirënjohur Sulejman Gashi, lajmërim që e pashë të botuar tek gazeta “Illyria” ku i biri i tij Driloni lajmëronte për vdekjen e parakohshme të të Atit. 

Ikja e parakohshme e gazetarit të mirënjohur Sulejman Gashit është një dhimbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij të shtrenjte për bashkeshorten fisnike dhe katër fëmijët yje, por dhe për gjithë Diasporën Shqiptaro-Amerikane dhe më gjerë. 

Nuk mund ta kaloj këtë lajm kaq të trishtë vetëm me një fjalë të thjeshtë si: “Ngushëllime”, nëpër statuse të ndryshme që kanë publikuar në F/B, por si koleg i çmuar shpreh respektin maksimal dhe mirënjohjen e pakufishme për çfarë i dha medias shqiptare në mënyrë tejet profesionale dhe plot kulturë. E kam takuar disa herë dhe kam pasur komunikim për botime të ndryshme, e kam parë në skena duke promovuar plot dinjitet dhe kulturë Atdheun e Tij, Shqipërinë dhe Kosovën që e deshte aq shumë. I kam dëgjuar të gjitha raportimet e gazetarit Gashi për RTK si dhe kam lexuar shkrimet në gazetën “Illyria” i cili ka qenë bashkëthemeluesi i saj dhe ka dhënë një kontribut të çmuar siç dhe shprehet kryeredaktori i gazetës “Illyria” Ruben Avxhiu dhe botuesi i saj z.Vehbi Bajrami.  Gjithçka qe ai dha në media janë pasuri e çmuar për letrat shqipe. 

Kurrë nuk do ta harroj aktivitetin madhëshstor per 5-Vjetorin e Kosovës organizuar nga Gazeta e mirënjohur “Illyria” në Manhattan, ku moderator i kësaj mbëmjeje ishte gazetari Sulejman Gashi.  Aktiviteti ishte i një niveli shumë të lartë, ishte për Kosovën martire, por më duhet të them se moderimi nga gazetari i shquar Sulejman Gashi nëpërmjet elekuencës në të folur si në shqip dhe në anglisht, zëri i tij burrëror i dha një ton dhe më të veçantë para pjesëmarrësve të shumtë si dhe politikanëve të lartë të Kongresit Amerikan.  Ajo që do të më ngelet në kujtesë dhe jo vetëm mua ishte se gazetari dhe atdhetari zemërzjarr Gashi, foli çfarë kishte ndjerë dhe parë si Biri i devotshëm i Kosovës.  

Midis të tjerash ai tha se:  “Ndihej i privilegjuar që të prezatonte këtë mbrëmje kushtuar pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Ne sot do të nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën, të gjithë ata që janë midis nesh.  Ne duhet të kujtojmë se Liria erdhi me gjak, guxim dhe krenari…

Kur unë shkova në Kosovë pas dy muajsh që ishte çliruar, duke parë shtëpinë e prindërve që ishte djegur, eca në rrugën Prishtinë-Pejë në Qershor 1999, ndalova në fshatin Llapushnik dhe numërova 17 çati shtëpish që po rindërtoheshin dhe mbi to valëvitej Flamuri kuq e zi.  Duke i parë thashë me vete: Kjo është Liri.  Shumë herë ne jemi mbledhur në Nju Jork, Bronx, Nju Xhersi, Conektikat, Miçigan, Dallas, Boston dhe shumë herë në Washington DC të protestonim kundër diskriminimit dhe persekutimit të dy milionë shqiptarëve në Kosovë.

Z.Gashi vazhdoi se sot do të kujtoj dhe letrën që Presidenti Obama i cili ka përshëndetur pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dërguar udhëheqësve të Kosovës nga shefi i diplomacisë Amerikane z.John Kerry.  Shteti Amerikan do të vazhdojë të suportojë pavarësinë e Kosovës dhe ne do të mbetemi partner dhe miq.”

Edhe 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës me Konsull të përgjithshëm z.Bekim Sejdiu e moderoi gazetari Sulejman Gashi. 

Mbrëmjen e filloi me këto fragmente: “Po shënojmë sonte gjashtëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe dua të them se ne, komuniteti shqiptar në Amerikë, jemi shumë të privilegjuar për mysafirët që kemi sonte: “Ju kujtohet, gjashtë vjet më parë kur më 17 shkurt 2008 në Parlamentin e Republikës së Kosovës u mbajt një seancë solemne, më e rëndëishmja në historinë e saj, më gjithëprfshirëse në jetën politike ku të zgjedhurit e Kosovës morën përsipër atributin më të lartë të organizimit politik, krijimin e shtetit të pavarur që ishte një kurorëzim i idealeve, përpjekjeve dhe sakrificave dhe luftërave të vazhdueshme të brezave të tëra. 

Aty do të lexoheshin fjalët historike që i shqiptoi njeriu i cili me praninë e tij na nderon sonte. Ai është i njejti burrshtetas i para gjashtë vjetëve, ndonëse sot paksa më flokë më të zbardhura dhe me një periudhë udhëheqje të shtetit të Kosovës si shef i ekzekutivit të saj tash gjashtë vjet. 

Para se t’i japë fjalën, kujtoj edhe njëherë fjalët më historike që kryeministri i Kosovës 

z. Hashim Thaçi i shqiptoi para deputetëve të Kosovës, para miliona shqiptarëve dhe para botës:

 “Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë… Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran.”

Bashkombës të nderuar, thërras para jush për një fjalë përshëndetëse në këtë solemnitet, kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi: 

Një falënderim i posaçëm dhe borxh i kemi edhe vendit tonë të adoptuar, vendit më liridashës në botë, vendit djep i demokracisë. Ndihma, përkrahja, mbështetja e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka munguar në asnjë periudhë kohore në dy dekadat e fundit të cilat ishin vendimtare për proceset historike të krijimit të shtetit të Kosovës.

Gjatë këtyre gjashtë viteve, udhëheqësit amerikanë, në radhë të pare presidenti dhe Departmenti i Shtetit kanë ritheksuar përkushtimin e Washingtonit për ardhëmrinë e Kosovës, duke thënë se përvjetorët e Pavarësisë janë një rast që liderët e zgjedhur të Kosovës ta forcojnë përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë si një parakusht i integrimit euro-atlantik.’ 

Ftoj para jush njërin ndër arkitektët e pavaërsisië së Kosovës, ndërmjetësuesin amerikan në bisedimet për statusin e saj përfundimtar, z.  Frank Wisner.”

Në e-mailat që shkëmbenim sidomos kur më duhet të botoja reportazhet për Kosovën dhe aktivitetet ku ai moderonte, ndjeja një komunikim tejet korrekt, një koleg gjeneroz që vetëm frymëzon, por që mjerisht jo dhe shumë janë të tillë sot… Më lejoni ju lutem ta ndaj me ju një prej e-mailave të tij se si ai me burrëri dhe delikatesë shpreh mirënjohjen për një kolege në diasporë si:

“Përshëndetje Zonja Kozeta, Edhe për mua ishte kënaqësi që ju takova, gjithëherë zonjë dhe profesioniste”.

Ne nuk kemi qenë bashkë vetem në aktivitete të Diasporës për Kombin, por ka rastisur dhe në darka familjare ku në një rast kemi qenë së bashku familjarisht në tavolinë dhe sigurisht siç ndodh rëndom në këto raste ke më shumë kohë për t’u prezantuar me anëtarët e familjes. Kështu në fejesën e Benjaminit dhe të Lidës fëmijët e pronarit te TV “Alb” Bajram Dreshaj ku ne ishim të ftuar dhe së bashku në një tavolinë, kur ai me tha emrat e fëmijëve të tij u kënaqa pamasë, u emocionova që çdo tingull i tyre më vinte si një këngë e bukur SHQIP.  

Emrat e tyre Drilon, Egzon, Janina dhe Saranda ishin gjithë Shqipëria. -Ja më tha Janinën dhe Sarandën i kam nga Jugu tuaj.  Tek emri Janina ndalova pakëz më shumë me një heshtje tronditëse së brendshmi… -Sa emër të bukur që i ke vënë Janines, shpresoj se ajo do të luftojë, kur të rritet t’ja kthejë Kombit Janinën.  Ky emër i thashë më kujton, kur sundonte Ali Pashë Tepelena i cili e kishte një nga qytetet më të rëndësishme në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër dhe vatër e prushtë arsimore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe SHIQPJA. Janinën sa ishte gjallë nuk guxoi njeri t’ia merrte? Ku është Janina sot? – vazhdova une…  – Doemos qe e di historinë e Janinës së Ali Pashë Tepelenës u përgjegj qetësisht gazetari Gashi dhe ndaj jam frymëzuar për ta pagëzuar bijën time të shtrenjtë me këtë emër.  Unë këtë dhimbje dhe plagë të Atdheut që mjerisht janë me shumicë nuk dua t’i lë pashëruar, të paktën i mbjellë në trupin dhe shpirtin tim.  Atëhere Janina vazhdova unë është shpallur botërisht kryeqytet në familjen e madhe dhe të respektuar Gashi…  

Duke pasur një model të një njeriu qytetar në shpirt, të një gazetari brilant, të një emigranti që shkriu jetën e tij për Kombin nuk ka se si të mos shkojë në mendje që për këta bashkëkombas të ndritur dhe për punën e jashtëzakonshme të Diasporës shqiptaro amerikane të mos ngrihet një Muze këtu në New York, ku dhe janë shumica e emigrantëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Shpresoj qe nje dite Biznesmenet e suksesshëm tëmblidhen me persnonalitete të shquara të Diasporës dhe të mendojnë seriozisht për këtë godinë të historisë së Diasporës e cila ka shkruar historinë me aq mund dhe sakrifica në shërbim të cështjes kombëtare.  E ëndërroj dhe mendoj se janë të gjithe kushtet dhe mundësitë për t’ja arritur qëllimit, mjafton që të ngrihet ekipi për ta udhëhequr këtë nismë për ngritjen e Muzeut të Diasporës Shqiptaro Amerikane ku fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme të njohin, respektojnë dhe të frymëzohen nga historitë e suksesit në Diasporë në Amerikë në vendin më demokratik dhe më dashamirës për Kombin tonë të përbashkët.  

Gazetari i shquar Sulejman Gashi ka lënë pas një trashëgimi të vyer për median shqiptare dhe do të kujtohet përgjithmonë.    

Ngushëllime familjes, bashkëshortes së tij finsike znj.Tone dhe të katërt fëmijëve, Drilon, Egzon, Janina dhe Saranda të cilët kanë katër vjet që i qëndrojnë pranë si dhe gjithë lexuesve që e respektuan aq shumë. 

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilën shkrive jetën me penë dhe me mund! 

Dritë të pastë shpirti koleg i çmuar Sulejman Gashi!

Staten Island, New York– 12 Shtator, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Lamtumire, Sulejman Gashi

Shkolla Shqipe “Alba Life” NY do të fillojë në online vitin akademik mësimor 2020-2021

August 17, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta ZYLO- Mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, shkollë që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut u takuan në online për të diskutuar rreth programit mësimor për vitin akademik 2020-2021.  

Ndonëse gjithë bota po jeton kohën pandemike dhe jeta bëhet më e vështirë, shumë institucione kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mos penguar edukimin e nxënësve si nëpër shkollat publike ashtu dhe në shkollat private. 

Shkolla Shqipe “Alba Life” pasi festoi me një sukses të jashtëzakonshëm ditën e 

7 Marsit, ditën e shenjtë të mësuesit, nuk qëndroi indiferente me nxënësit e saj për shkak të Covid 19-të, por e vazhdoi punën në forma të ndryshme për t’ju mësuar fëmijëve Gjuhën Shqipe.  Kështu nëpërmjet conference call me mësuesit, vidiove të ndryshme në shqip që na dërgonin prindërit e nxënësve, komunikimi nëpërmjet Google Meet në shqip, emisionet speciale për disa orë  të shtunave nga TV “Alba Life” pati rezultatet përkatëse duke sjellë kënaqësi dhe optimizëm në familjet shqiptare të emigrantëve.  Gjithmonë kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm për shëndetin e nxënësve në radhë të parë, të prindërve dhe të staffit të shkolles, po aq dhe të prekur shumë për mbylljen e shkollave.  Shumë nxënës ju mungon tmerrësisht Shkolla Shqipe dhe vërtetë ata mezi e presin hapjen e saj, sepse ata në Diasporë jo vetem qe bëhen Engjëjt mbrojtës të Alfabetit Shqip, por krijojne dhe nje miqësi për tërë jetën.  

Takimi i organizuar nga Bordi drejtues i Shkollës Shqipe ishte plot profesionalizem dhe me kulturë.  Takimin e hapi z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i Shkollës Shqipe dhe TV “Alba Life”. Pasi u përshëndetën dhe informuan njeri-tjetrin për gjendjen shëndetësore ai tha se Shkolles Shqipe “Alba Life”, programit serioz të saj ku shumica e mësuesëve janë të kualifikuar si në Mëmëdhe dhe këtu në Amerikë iu afrua për bashkëpunim dhe një zonjë e nderuar Dr.Manjola Duli e cila ka një përvojë të shkëlqyer si pedagoge në Universitet në Tiranë dhe po kështu do të vazhdojë ëndrrën e saj dhe këtu në Amerikë.       

 Shkolla Shqipe “Alba Life” do të vazhdojë mësimin shqip rregullisht në online si dhe TV “Alba Life” do të ketë një emision special për mësimin shqip.  Ky vendim u mor pasi në 10 Shtator do të hapen shkollat publike amerikane në New York dhe ne jemi të lidhur me Bordin e Edukimit pasi siç e dini mësimet i zhvillojmë në këto mjedise publike.  Nëse Bordi do të lejojë mësimin pas programit amerikan doemos që dhe ne do të jemi përfshirë në këto programe.  Mësimi do të zhvillohet pa pagesë në online pasi misioni ynë është mësimi i Gjuhës Shqipe dhe ruajtja e traditave kombëtare.  Moderimin e konferencës ne online e drejtoi 

Dr.Valbona Zylo Watkins e cila dha udhëzimet përkatëse duke shfrytëzuar përvojën e saj disa vjeçare në kolegjin amerikan dhe duke e përshtatur me mësimin shqip.  

Mësuese të ndryshme dhe anëtarë të stafit,  si: Adelina Lacaj, Vlera Thaqi, Arta Xhaferi, Entela Muda, Blerim Gjocaj, Majlinda Tafaj, Fatbardha Shiqerukaj, Alva Gjika  e morën fjalën e tyre duke e pritur pozitivisht hapjen e shkollës dhe punën që do të kryejnë me klasat e tyre në online.  Ato do të hartojnë program të posaçëm pasi është një përvojë e re e mësimit shqip nëpërmjet Google Meet, për shkak të kushteve që na dikton pandemia botërore.  Mësimi për nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” do të filloje, më 11 shtator, 2020, lajm që u mirëprit me dashuri dhe entuziazëm nga mësuesit dhe koordinatorët.  

15 Gusht, 2020

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Albalife, Keze Kozeta Zylo, Shkolla shqipe

Koliqi dhe Camaj, dy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit

July 12, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Të arratisesh nga Shqipëria në çdo kohë do të thotë që nuk je dakord me sistemin që sundon politikisht. Kjo tragjedi, sidomos e trurit të Kombit, ka ndodhur përherë dhe nuk ka ndërmend të ndalet.Ikjetsa më larg sistemeve makabre i ndjen ai ajo që ka ikur në mënyra nga më të ndryshmet, më tëçuditshmet, qoftë dhe më komodet apo dhe më të dhimbshmet. 

Kurrë nuk mund t’i ndjejë një njeri që s’e ka parë me sy emigracionin, për më teper të jetëndjerëi rehatuar dhe i privilegjuar nga sistemi që sundon dhe ku bashkëpunon.  I sjellë këto përvoja pasi si çdo emigrant i ka ndjerë në kurriz plagët e gjakta të fillimit tëviteve të emigrimit, të stropacitjeve të dokumenteve, të përbuzjeve si shqiptarë sidomos nëpër Europë, sepse të gjitha këto tortura e kanë të vetmin burim dhe të vetmen fillesë në qeverisjet që e kanë lënëMëmëdheun tonë të shtrijë dorën udhëve tëçakërdisura të botës pa pikë autoriteti dhe dinjiteti ndërkohë vetë qeveritarët dhe sahanlëpirësit e tyre notojnë në lluks të shfrenuar. 

Sidoqotë këto përjetime i solla për parantezë sepse po lexoj në media që këto kohë po zhurmojnë dhe është ndezur zjarri bubulak për dy korifejtë e kulturës kombëtare, prof.Ernest Koliqin dhe prof.Martin Camaj.  Z.Auron Tare ka sjellë zellshëm disa tipthashethemesh spiunësh të pacipë nga agjensi të ndryshme të dëgjuara në botë si me CIA-n, shërbimet sekrete të Republikës Federale Gjermane, KGB-ja sovjetike, angleze,ndërsa për UDB-në famëkeqe do t’i shohë më  vonë sa te happen arkivatsipas z.Tare,ndezësi i këtij fitili qëmë së shumti duken si shashkat tymuese. 

S’dua të ndalem fare dhe as që më bëjnë përshtypje këto lloj dokumentesh sjellë nga agjentë  tëndryshëm, që shpesh dhe vetë historianët thonë që shumë prej këtyre agjentëve nuk merren për bazë,sidomos kur kanë survejuar vetëm, pa grup.  Por edhe sikur t’i besojmë këta sorollopë të paguar asgjë nuk del që ata po luftonin kundër trojeve shqiptare, kishin tradhtuar Kombin, por thjesht luftonin për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës prej të cilit ata u dënuan pa mëshirë po aq dhe familjet e tyre që jetuan brenda rrethit vicioz tëdiktaturës komuniste. 

Në këtë mori debatesh feisbukjane gëlojnë shkrues dhe shkara shkrues duke përfituar nga inkompetenca e historianëve me pagesë që nuk sjellin mendimin shkencor dhe historik jo vetëm per Ernest Koliqin, Camaj, por dhe për shumë figura të tjera të ndritura të Kombit në Diasporë tëcilët duan me çdo kusht t’ baltosin ose t’i hedhin pa mëshirë në koshin e plehrave.  Në këtë luftë me mullinjte e erës i vetmi që përfiton është prurësi i këtij debati Auron Tare qëi hipën avionit sa herë t’ihipi ne tru të kokës sa në Washington, Angli, Gjermani, shumë shpejt dhe në Beograd… Më të lumtë Z.Tare, ne të ikurit nga sistemet që ju jeni i punësuarme poste prej tyre mendohemi 1000 herë pa të vimë në Atdhe… Aferim Z.Tare!

Kam takuar dhe intervistuar dhjetra të burgosur, tëinternuar, fëmijë me prindër tëpushkatuar dhe ajo që më ka bërë përshtypje dhe që e kanë emërues të përbashkët nuk kerkojnëhakmarrje personale, por vetëm drejtësi nga organet kompetente që mjerisht në Atdheun tonë të përbashkët drejtësia është e zhytur nëllucën e korrupsionit.  Me këtë korrupsion të fëlliqët qëkullon qelb nga trupi i Shqipërisë  duhet të merreni ju z.Tare ngase i shikoni direkt vuajtjet dhe varfërinë e tejskajshme ku ka rënë shumica e popullit shqiptar. 

“Who cares” z.Tare se çfarë sillni ju për Martin Camaj dhe Ernest Koliqin! 

Ata e shkruan historinë me mund dhe me sakrifica nga më të dhimbshmet, ata janë frymëzues për mua dhe shumë shqiptarë të tjerë që përgjërohen për Kombin dhe pse të arratisur nga sistemet.  Nga përvoja ime personale këtu në Diasporë në USA unë po sjellë vetem një rast dhe të rekomandoj të shikoni dokumentarin realizuar nga TVSh-ja nën titullin: “Martin Camaj” Një dokumentar nga Tefta Radi.  Sinqerisht s’mund t’i harrojë lotët e bashkëshortit tim kur flitej për ndarjen e Camaj, arratisja e tij, dashuria për nënën, familjen që u persekutua në mënyrë makabre…  Nga ana tjetër ndiheshim tejet krenar se si një bashkatdhetari ynë me kaq mund dhe sakrifica, arriti të integrohet në botën marramendëse perëndimore dhe të hapë për herë të parë Katedrën e Albanologjisë në Munih të Gjermanisë që askush deri më sot nuk e ka bërë.

Martin Camaj do të ftohej nga Universiteti “Ludëig Maximilian” të Munihut si lektor.  Dhe vetëm këto do të mjaftonin për një intelektual klasi siçështë Martin Camaj që të vihej nëpanteonin e kulturës kombëtare, por ai ka lënë pas vepra të tjera që moria e analfabetëve po aq dhe e lexuesve që e kanë shpirtin vetëm për ligësira e anatamojnë si skuadrat famëkeqe të pushkatimit.

Çfarë mund të thuhet për Ernest Koliqin këtë soj intelektuali që vetëm i bën nder Kombit tonë për kultuën, shërbimin dhe çka i solli historisë dhe letërsisë kombëtare.Ky burr i ndritur i Kombit i këndoi gjuhës shqipe me aq mall dhe krenari si:“O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash/ Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku/ Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande…”

Shkollat Shqipe që Ernest Koliqi ngriti në Kosovë, si dhe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër e nderojnë dhe e sjellin në syrin tim si nje Rilindas të vërtetë.  Të ngrije shkollat Shqipe në atë kohë ka qenë shumë e vështirë, ka qenë sakrificë për jetën, ka qenë dashuri për Kombin, ka qenë sfidë me penë dhe kulturë kundër UDB-së dhe regjimit armiqësor jugosllav që ju e keni ëndërr dhe pasion për të gërmuar në arkivat e UDB-së për të gjetur ndonjë perçarjte të ndonjë spiuni serb tëcilët e kanëtë mëkuar me qumështin e nënës për ta zhdukur Kombin tonë.

Këta korifej bashkëthemeluan revistën “Shejzat” ne Itali.  Këto materiale na sillni ju z.Tare meqënse e ke mundësinë e madhe financiare që ta shetisësh botën me aviona sa herë të hipën nëtru të kokës.

Dr. Lazer Radi një tjetër korife i letrave shqipe, i burgosur dhe internuar për 50 vjet me të cilin pata fatin të kem miqësi pas përmbysjes së diktaturës prej disa vitesh deri sa u arratisëm në vitin e mbrapshtë të 97-ës e kujtonte me një adhurim të veçantë Prof.Ernest Koliqin dhe ja si dëshmote: “Gjuhën shqipe që e mësova aq pastër dhe bukur ja përkushtoj prof.Ernest Koliqit sidomos kur lexova “Hija e Maleve”.  Aty mësova parurinë e gjuhës amtare, mësova artin e magjishëm, mënyrën se si shkruante Koliqi.  Unë erdha nga Prizreni dhe nuk e kishja aq të zhvilluar artistikisht të folurin shqip, por leximi i veprës së tij mëmahniti dhe pasuroi botën time për të shkruar libra…”

I vëllai i Ernest Koliqit, Mikel Koliqi, Kardinali i emëruar nga Papa Gjon Pali i dytëështë denuar me 40 vjet hejqje lirie nga regjimi diktatorial komunist. 

A kështu shpërbleheshin ata qe i shërbenin partisë dhe Enverit duke i vuajtur gjithë familja, vrarë e varur çengelave të zinj? 

Kardinali Mikel Koliqi është udhë drite shpirtërore dhe kombëtare vulosur nga udhëheqësi shpirtëror dhe njeriu më karzimatik i botës katolike Shën Gjon Pali i dytë, që të paudhët duhet tëmarrin pak dritëz dhe t’i largohen verbërisë ekstreme që tëçon vetëm në humnerë rrethuar nga korba të zinj.

Në“Vatican News” në përvjetorin e vdekjes së Kardinal Ernest Koliqit shkruhet si:

“E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.”

Ju drejtohem ju z.Tare per te reflektuar, për ta parë të vërtetën në sy, ju drejtohem të gjithë bashkatdhetareve të mi që e duam kulturën, shërbimin qytetar, qe dinë të vlerësojnë sakrificat e atdhetarëve të vërtetë, që të krenohemi dhe tëfrymëzohemi nga këta korifej të Kombit.  Ne i kemi këta korifej, por dikush me ligësi ose injorancë hedh baltë ndaj shqetësimi i Faik Konicës është tejet aktual dhe në ditët e sotme kur shkruan se:

“Ne duhet të udhëhiqemi nga dishepujt e kulturës kombëtare ndryshe do te ndodh si: “Ne vetëm duhet të shikojmë në shpirtin tonë dhe t’i shohim mendjendriturit lartë në qiellin tonë, që në mejtime mbase ende nuk thonë diç, por veç sa s’e kanë humbur durimin të na marrin për veshit si çilimiun e të na ngërmohen: “Kjo është rruga jonë…”

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj me veprën e tyre e dënuan dhunën e gjuhës sëmashtrimit sepse vetë Camaj do të thoshte: “Dhuna s’asht trmni, por shej ligshtie.”

Për veprën kombëtare që ata lanëErnest Koliqi dhe Martin Camaj ngelendy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit.

12 korrik, 2020

New York

Filed Under: Analiza Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Koliqi & Camaj, sherbestare te Kombit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 23
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT