• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në shtëpinë e Mark Twain në Harford, Connecticut

December 29, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Njeriu gjatë jetës ka ëndrra të ndryshme të parealizueshme, ëndrra që mund t’i realizojë me imagjinatë dhe ëndrra që në një ditë të bukur bëhen realitet. Zakonisht këto lloj ëndrrash mund te ndodhin për të takuar njerezit botërorë që kanë lënë gjurmë, që kanë ndryshuar rrjedhën për mirë të historisë dhe të perfshirë në këtë rrjedhë të pandalur padyshim janë shkrimtarët dhe artistët që s’vdesin kurrë!…
Në një ditë të bukur dhjetori që mund ta ngatërroje me një ditë mbjelljesh pranverore shetitëm gjatë në disa qytetete të Connecticut me dy çifte miqsh të afërt artdashësish, por qëllimi kryesor ishte vizita në shtepinë e shkrimtarit, publicistit, eseistit, satiristit të famshëm botëror, Mark Twain në Hartford në kryeqytetin e Connecticut. Gjithmonë i kam pritur me emocion vizitat nëpër muzetë e ndryshme, ngase kanë brenda historinë e një individi, të një populli apo të një bote të tërë, por vizita tek shkrimtari Mark Tuen do të më ngelet gjatë në kujtesë. Takimi me “Tuen” se ç’kishte dicka që të futej në gjak dhe prej andej lufton që ta mbash gjatë, të fut në ëndërrime që edhe pse s’mund t’i realizosh ato bëhen aq të bukura sa dhe realet, përjeton artin e magjishëm të Tij që shkruajti aq bukur me majën e hollë të penës. Vendndodhja e shtëpisë së tij në një kodër të bukur me bar të gjelbër dhe pemë, zogjtë në qiell që cicërinin dhe ketrushat në tokë që bënin balet përbënte një spektakël të vërtetë rreth këtij kompleksi muzeal.
Ciceronja amerikane, një vajzë simpatike dhe plot elegancë pasi hapi derën e shtëpisë me çelës e cila bëri një zhurmë sikur vinte nga thellësitë e shekujve, dhe çelësat i posedonin të gjithë ciceronët që shoqëronin grupet e ndryshme dhe pambarim na lajmëroi se nuk do të preknin asgjë brenda dhe nuk do të bënim foto, pasi shumica e sendeve, materialeve janë shumë të vjetra, origjinale dhe nuk duam që të thyhen, prishen, ndërsa për fotot jemi krejtësisht konservatorë e kemi për këtë muzeum, shtëpinë në të cilën ai jetoi dhe shkruajti. Hyrja brenda në shtëpi të jepte një ndjesi gati mistike dhe të shenjtë, nën efektet e ngjyrës së kafes së errët të mobilimit, lartësitë e tavaneve me ngjyrat dhe figurat marramendëse, oxhaku që kishte dritare pasqyre nga ku lejonte të kishte lidhje me dhomën tjetër dhe të bënte shkrimtarin të shikonte oborrin, pemët etj ishte një lloj përshtatje dhe bukuri arkitetktoriale që të ngjallte shumë kërshëri për mjediset e tjera.
Ciceronja e filloi me shpjegimin e emrit të Mark Tuen e cila tha se emri i tij ishte Samuel Clement, dhe para se të vinte në Hartford kishte punuar në avullore bashkë me timonierin e saj, dmth si ndihmës i tij. Në libra dhe në shkrime përdori emrin Mark Twain në nderim të pilotit të avullores. Fotot që kishte me bashkëshorten Olivian e cila vinte nga një familje e pasur, por liberale, edukimi i saj ishte 10 vjet më shumë se Twain, dhe që iku para kohe më 1904, vajzat e tij aq simpatike si Susy e cila në vitin 1896 ndërroi jetë nga milingjiti, Jane më 1909 iku nga kjo bote pak më vone, lanë vragë të thellë në shpirtin e babait të tyre shkrimtar. Ai e dashuronte jetën, familjen ndaj dhe thote: “Jeta është e shkurtër, thyeji rregullat… Fal shumë shpejt, puth ngadalë. Dashuro me shpirt. Qesh pa kontrolluar, dhe kurrë nuk të vjen e keqja nga buzëqeshja”.
Vajza e dytë Clara rrojti gjatë ajo jetoi deri në vitin 1962. Shkrimtari Tuen ishte gjallë kur dy vajzat e tij ikën përpara babait dhe doemos e çuan atë në depresion të thellë.
Dhomat e vajzave muret i kishin të veshura me figura kafshësh të ndryshme që Twain i donte aq shumë. Në lidhje me dashurinë për kafshët ai thotë: ”Eshtë kotësi e njeriut dhe pafytyrësi për ta thirrur kafshën memece sepse për këtë kjo është memecëri për perpectimet e tij të shurdhëra”.
Shumë intersant ishte fakti qe Mark Tuen ka qenë njeriu i parë në botë që ka pasur telefon të dhuruar nga miku i tij i ngushtë, shpikësi i telefonit Alexander Graham Bell, ndërkohë “sot” pas një shekulli e një dekadë të gjithë vizitorëve iu është thënë të fiknin celularet gjatë vizitës në shtëpinë e tij. Mark Tuen nuk ishte vetëm njeriu i parë që përdori telefonin, por ishte dhe shkrimtari i parë që përdori përsosmërisht shtypshkronjën. Edhe pse shtëpia dukej shumë lluksoze në pamje të parë, jetesa nga më lluksozet fëmijëria e tij kishte qenë tejet e vështirë çka e bëri atë të shkruante realitetin dhe ta ndihmonin në frymëzimin dhe mënyrën se si shkruajti libra.
Mobiljet e dhomës së gjumit i porositi në Itali dhe të ishin antike. Në fakt kur ato erdhën në shtepi Tuen mori një specialist për t’i parë, e vërteta doli që ato ishin krejtësisht prodhim i ri dhe nuk ishin antike nga Italia. Koka e krevatit ishte punuar mjaft bukur dhe m’u duk impresionuese ngase ishte e rrethuar me ëngjëj të shumtë, por ajo që do më bënte përshtypje ishte se jastëkët e krevatit i mbante tek këmbët, sepse i dukej sikur gjatë natës në gjumë do i shtypte ëngjëjt dhe ndërkohe s’do i mbronin ata dhe paranë e fituar.
Kati përdhes ishte guzhina që gatuanin shërbëtorët e tij dhe që shkrimtari i trajtonte aq mirë. Ja: tha ciceronja të martuarit flinin në dhomat më lart, kurse beqarët vinin nga dera e jashtme që shikoni përballë. Në një liber të tij ai kishte lënë përkushtimin që ja kushtone shërbyesit të tij me ngjyrë të zezë dhe që e respektonte aq shumë. Tek guzhina më zuri syri dhe një llokan, çark për minjtë që e përdornin për t’i gjuajtur minjtë.
Në dhomën e tij që ishte dhoma e argëtimit dhe e qetësisë ishte dhe tavolina e lojës, dritaret kishin pamje në pika të ndryshme të qytetit, tek njera prej tyre dukej lumi. Tavani ishte me piktura të ndryshme, veçanërisht dominonte cigarja, tymi i kalter i saj që dilte nga llulla që përdorte Tuen. Në lidhje me cigaren ai ka thënë se: Gjëja më e lehtë në botë është të leshë cigaren, e them këtë pasi e kam provuar mijëra herë. Muri ishte në ngjyrë të kuqe, ngjyra më e preferuar e tij. Në atë mori dhomash, kjo ishte e vetmja dhomë që ai kishte vënë dorën dhe shijen e vet.
Ne u larguam me librat e tij në mendje, librat më të bujshme si: Aventurat e Tom Sojerit, Aventura e Hakelberri Fin, Wilsoni kokëtrashë, Mosha e artë, Të pafajshëm në dhe të huaj, Princi dhe i varfëri, e shumë të tjera, ku me të drejtë Heminguej në lidhje me librin “Aventura e Hakelberri Fin” do të shprehej se çdo roman modern amerikan e ka origjinën tek Hakelberri Fin.
Magjia e shkrimeve të Mark Tuen, arti i i mahnitshëm i ndërtimit të shtëpisë që është nje muezum i gjallë dhe që ruhet me aq kujdes, dekorimi dhe arkiva brenda shtëpisë të bëje ta ndjeje në çdo qelizë të trupit gjithçka që pame me sytë tanë në Harford.
“National Geographic” e ka cilësuar si nga 10 shtëpitë me të mira historike në botë.
Duke vizituar çdo dhomë nuk kishte se si të mos më shkonte mendja në Shqipërinë tonë të shumëvuajtur konkretisht në Tepelenë meqënse jam më konfidente për të folur, në qytetin tim të lindjes ku dikur është ulur kembëkryq shkrimtari i madh anglez me famë botërore Xhorxh Bajroni, më shkonte mendja se atje duhet te ngrihet nje monument për Bajronin, duhet te jetë muzeu brenda kalasë ku Bajronin e pritën me aq madhështi dhe ndere të mëdha Ali Pashe Tepelena dhe populli tepelenas, saqë ai u magjeps nga bujaria tepelenase. Ndërkohë kemi dhe shkrimtarë të tjerë që kanë dhenë kontribut me shumë vlera në fushën e letrave si psh Fehmi Bej Mezhgoranin, firmëtarin e Pavarësisë, avokat në qeverinë e Ismail Vlores, publicist i shquar, botues i gazetës Zgjimi në Greqi ku publikoi 120 artikuj për Kombin. Pse mos te ketë një shtëpi muzé për të, a nuk do të ishte shumë interesante për brezat që të mësojnë historinë reale të penave të ndritura të Kombit? Dhe nuk e kam fjalën vetëm për ata që përmenda më lart, por dhe për të tjerë në vende të ndryshme që me zërin dhe penën e tyre kanë emancipuar dhe civilizuar shumë mendje njerëzore.
Një popull që vlerëson shkrimtarët e vërtetë dhe një shtet që kujdeset për të ruajtur vlerësimin e popullit medoemos që jeton gjatë…
Megjithatë unë e mendoja ngritjen e muzeumeve në vendin tone, nderimin e tyre, gjë që besoj se ndodh dhe me shumë miq të tjerë, por ndërkohë më bëhej sikur ndodhte siç ka thënë vetë Mark Tuen se: “Është e vërtetë që një herë në jetë, fati troket në jetën e çdo njeriu, por shume herë në këtë kohë, njeriu rri në pijetoren fqinje dhe nuk e dëgjon trokitjen e tij”.
Shpresoj që trokitja e tingullit që dëgjova kur ciceronja hapi derën për të hyre brenda në shtëpinë e Mark Tuen të jetë një tingull këmbane për pushtetarët që kanë në dorë paranë, por dhe për ne që e duam dhe e përjetojmë profesionalisht artin dhe letërsinë, harmonia e të dy palëve me siguri që sjell ndryshime cilësore.
Le të shpresojmë. Mark Twain na frymëzon, le t’i zbatojmë.

28 Dhjetor, 2014
Hartford, Connecticut

Filed Under: Featured Tagged With: hartford, Keze Zylo, Mark Twain

Malësorët e Ded Gjo Lulit midis palëve të Flamurit

December 2, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Nëntorin e Flamurit, Nëntorin e Pavarësisë shqiptarët kudo si dhe në Amerikë e kanë muajin më të shenjtë, muajin më të bukur, sepse mblidhen të gjithë së bashku rreth Flamurit të Nënës Shqipëri.
Në restorantin Eastwood Manor në Bronx, Fondacioni Plavë e Guci festoi me madhështi 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Salla plot e përplot ku organizohej Festa ndrinte nga flamujt kuq e zi dhe njerëzit veshur me këto ngjyra kombëtare. Ata me krenarinë e ligjshme e festojnë këtë ditë të shenjtë, ata përkujtojnë se pikërisht në vendin e tyre në Bratile të Hotit u valëvit Flamuri i Gjergj Kastriotit në prill të vitit 1911 pas luftrave, përpjekjeve heroike, pas robërimit të zi 500 vjeçar nga turqia otomane.
Ndërsa i shikoja që takoheshin dhe përshëndeteshin grupe-grupe më dukej sikur dhe përshëndetja e tyre ishte një betim si në vitin 1911:
De Gjo Luli lëshon kushtrimin/ çoni burra të bëjmë betimin/…
Mbrëmjen e kanë moderuar Gjovalin Nikci dhe Alberita Rugova.
Gjovalin Nikci veshur kuq e zi dhe me plisin e bardhë në kokë një traditë e lashtë e popullit tonë përshëndeti gjithë të pranishmit për Festën e Flamurit. Gjatë moderimit z.Nikci me një humor të hollë ai tha se të gjithë dëshirojmë Shqipërinë etnike dhe uroj që njeri nga ambasadorët që kemi këtu mysafir të shkojë në shtëpi kur të bashkohemi në një…
Ai iu uroi atyre se Flamuri shqiptar do të valëvitet në perjetësi, ndërkohë ka ftuar znj.Vlora Çitaku, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës e cila iu uroi gjithë pjesëmarrësve: Gëzuar Ditën e Flamurit! Ajo tha se ambasada jonë është dhe shtëpia juaj dhe të gjithë jeni të mirëpritur. Ne duhet të punojmë së bashku fort për ta ngritur dhe më lart emrin e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trevave që u ndanë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha. Kosova ju ështëgjithmonë mirënjohëse për cfarë ju keni bërë për Pavarësinë e saj.
Z.Ferid Hoxha ambasadori shqiptar pranë misionit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara i cili midis të tjerash tha se e kam kënaqësi të veçantë të ndodhem midis jush si malësor dhe shqiptar për të festuar 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së bashku. Shqipëria në këto vite në arenën ndërkombëtare ka ecur me shpejtësi dhe emri i saj po dëgjohet dhe më shumë në qarqet e larta politike. Uroj që së shpejti ta festojmë së bashku.
Pas dy ambasadorëve fjalën e ka marrë Ansambleisti i parë shqiptar në shtetin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, i cili siç e kam thënë në çdo shkrim të befason me pjesëmarrjen e tij në festat dhe ngjarjet e rëndësishme të komunitetit. Z.Gjonaj pasi kishte organizuar festën e përbashkët dhe madhështore në Maestro Restorant e gjeti kohën për të ardhur midis bashkatdhetarëve të Fondacionit Plavë e Guci.
Z.Gjonaj iu uroi Gëzuar të gjithëve ditën e Flamurit, Gëzuar nga mot. Nuk ka më kënaqësi kur shikoj gjeneratën e re të vinë së bashku në këtë ditë të shenjtë dhe të valëvisim Flamurin kuq e zi kudo, Flamurin e Skënderbeut. Le të jemi të gjithë së bashku se kështu do të mbërrijmë atje ku ëndërrojmë për Atdheun tonë. Për mua nuk ka asgjë tjetër më shumë se ajo që më bën krenar të jem shqiptar. Ai falënderoi Fondacionin “Plavë e Guci” per këtë organizim të bukur dhe ne veçanti fjalë miradie ishin dhe për z.Esad Gjonbalaj kryetar i Fondacionit. Ai theksoi se nuk ka djalë më të mirë dhe patriot si Gjonbalaj, i cili punon me aq përkushtim dhe ndershmëri për Kombin dhe Plavë Gucinë, bashkëpunimi me të ka dhënë frutet e veta.
Pas fjalës së z.Gjonaj ka përshëndetur në emër të shoqatës atdhetare Malësia e madhe nga Detroiti dhe në emër të 9 shoqatave shqiptaro-amerikane me origjinë nga trojet etnike shqiptare nën Mal të Zi, z.Pashko Gjokaj i cili tha se: “Ju uroj gëzuar 28 Nëntorin ditën e Pamvarsise, festën e krenarisë së Kombit tonë. Ne përkujtojmë të gjithë ata që flijuan jetët e tyre qe ne të gezojmë dhe të jem krenar që jemi keta që jemi sot.
Ne jemi sonte malësorë mes malësorve, vëllezër mes vëllezërve.
Falënderoj kryesinë dhe kryetarin e Fondacionit Plavë e Guci zotin Esad Gjonbalaj për ftesën që më bëri dhe përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të ftuarit e nderit të shoqates suaj prezent në këtë mbrëmje. Ishin pikërisht ngjarjet e ndodhura në trojet etnike nën Mal të Zi sot që i shtyn fuqitë e mëdha ta marrin më me seriozitet cështjen shqiptare, ishin ngjarje që edhe i paraprinë Pamvarsisë së një pjese të kombit tonë. Betejat e komandant Jakup ferrit me ushtrinë e Mark Milanit u shpartalluan nga kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 e udhëhequr nga heroi yne kombëtar Dedëe Gjon Luli.
Me plot duartrokitje u mirëprit plaku patriot dhe i mënçur, veterani i çështjes kombëtare në moshën 92 vjeçare Rexhep Gali Balidemaj i cili ka përshëndetur të gjithë mysafirët, pjesëmarrësit dhe iu ka uruar atyre ta gëzojmë Flamurin Kombëtar dhe le të valëvitet ai pafundësisht në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë mbrëmje kanë qenë mysafirë si: kryetari i shoqatës Ana e Malit Ismet Kurti si dhe Xheladin Zeneli n/kryetar, Marko Kepi president i organizatës “Rrënjët”, Kryetari i Fondit Humanitar Malësija, z.Ejllo Berishaj
të cilët së bashku kanë përshëndetur bashkatdhetaret kudo që janë në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Në fund e ka marrë fjalën i zoti i shtëpisë, z.Esad Gjonbalaj njëherazi dhe kryetar i fondacionit Plavë e Guci i cili tha se:
Sonte është një natë e veçantë, sonte shoqata jonë me antarsinë e gjerë të saj dhe malsorët e Plavë Gucisë kremtojnë së bashku me ju Festën e Flamurit.
102 Vite më parë plaku legjendar Ismail Bej Vlora ngriti Flamurin tonë Kombëtar në Vlorën tonë heroike duke shpallur kështu Shqiperinë tonë të dashur, shtet të pavarur dhe sovran. Plaku i urtë dhe mendje hollë Ismail Bej Vlora e dinte mirë se tokat shqiptare të përgjakura me gjakun e bijve ma të mirë të kombit tonë, po gllabëroheshin nga fqinjët tanë me ndihmën e Rusisë cariste. Një muaj ma herët se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë, e pikërisht më 19 Tetor 1912-të, Plavë Gucia heroike pushtohet nga bandat e Avrocemit dhe Malit te Zi të Kral Nikollës.
Sonte në këtë natë Festojmë 102 vjetorin e Pavarësisë dhe përkujtojmë dëshmorët e genocidit malazes në Plave Guci të njohur si masakra e Previsë.
Ju uroj gëzuar Ditën e Flamurit dhe le ta festojmë së bashku këtë ditë të shenjtë!
Duke i ndjekur me vëmendje dhe kënaqësinë më të madhe fjalimet e bashkatdhetarëve të mi malësorë, për Flamurin, Ismail Qemalin, Ded Gjo Lulin, nuk ka se si të te mos vijë ndërmend ajo çka ka thënë Ismail Bej Vlora për Ded Gjo Lulin i cili kur shkoi në Vlorë për ta përshëndetur për Pavarësinë, plaku i urtë dhe i mençur Ismail Vlora e quajti ate: quajti atë me të drejtë pushkë e ngrehur për Shqipërinë.
Mjaft interesante dhe tejet tradicionale ishte ndarja e bukës, që simbolizon mikpritjen e shqiptarit të thëna aq bukur nga goja e tij si: Bujrum të gjithë ne sofrën malësore: Bukë e krypë e zemër!
Pas fjalëve përshëndetëse një program i bukur artistik është shfaqur në mjedisin kuq e zi. Shoqata “Bashkimi Kombëtar” me artistë të mirënjohur të Diasporës si Shaban Lajçi, veshur si Ismail Qemali dhe Tom Gjergji si Isa Boletini, ndersa Agim Rugova Agim Rugova veshur me kostumin kombëtar i cili me fjalën e tij hyrëse e përfshiu sallën në emocion duke thënë para dronit që u shfaq aq madhërishëm në stadiumin e Beogradit ku djemtë e kombëtares me Lorik Canen si Ante i vunë gjoksin për ta mbrojtur. Shikoni kush ma ka dhuruar këtë Flamur i thotë Shaban Lajçit në rolin e Ismail Qemalit dhe Tom Gjergjit ne rolin e Is Boletinit që se hoqi kurrë koburen nga brezi dhe në sallat mondane të Anglisë… Loja e tyre aktoreske ishte mjaft tërheqëse dhe profesionale çka i dha sallës dhe më shumë argëtim dhe bukuri. Fahrudin Kukaj me zërin burrëror ka kënduar me fjalë të zgjedhura për Shqipërinë, malësorët që i dolën ballë shkjaut, turqisë, krajleve të zinj që pushtuan tokat tona. Nxënësit e shkollës shqipe në Bronx me z.Gjergj Dedvukaj, Engjëll Jumçaj dhe Dia Caverbasha kënduan plot dashuri para bashkatdhetarëve në ditën e Flamurit.
Z.Mehmet Vuçetaj i ka kënduar me lahutë Flamurit, historisë së Kombit shqiptar dhe heronjve që dhanë jetën për Atdhe e Flamur.
Pjesëmarrësit janë argëtuar nën tingujt melodiozë të këngëve të ndryshme nga këngëtaret Ismet Aloshi dhe Alma Vela nën drejtimin e DJ-it, të cilët me interpretimet e tyre e kanë çuar të gjithë sallën të këndojnë dhe vallëzojnë së bashku midis palëve të Flamurit.

Bronx, New York
2 dhjetor, 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Dede Gjo Lulit, Keze Zylo, Malsoret

Në përkujtim të 10 vjetorit të Anita Bitrit

October 21, 2014 by dgreca

(Mbresa dhe kujtime nga një tragjedi shqiptare në Amerikë që mori jetën e tri hyjneshave shqiptare)/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Ndonëse ka kaluar një dekadë që nga ikja tragjike e artistes së madhe shqiptare Anita Bitrit, përsëri Diaspora, gjithë dashamirësit e Anitës dhe artdashësit e kujtojnë me dhimbje tragjedinë që ndodhi në qytetin ku jetoi në Staten Island, në New York. Ishte një ngjarje tejet e dhimbshme ku u trondit çdo qënie njërezore që e dëgjoi në lajmet amerikane dhe shqiptare, ngase humbën tri jetë njerëzish. Ishin tri gjenerata: Anita, e bija Sibora dhe nëna e saj Hazbija. Ato u mbytën nga gazi, monoksidi i karbonit.
Ditën e shtunë në Brooklyn bashkësia shqiptare e udhëhequr nga Pastori amerikan Steve Galegor dha një përshpirtje në gjuhën shqipe në përkujtim të Anitës, bijës dhe nënës së saj, në 10 vjetorin e tragjedisë së humbjes së jetës së tyre. Pastori amerikan Galegor, i cili të befason me të folurën e bukur të gjuhës shqipe tha se edhe pse nuk kam qenë atë ditë në koncertin e lamtumirës, pasi ishja me shërbim në Tiranë, e përjetova me dhimbje të madhe humbjen e tri krijesave të Zotit që u ndanë nga ne para kohe. Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje e dashuri Anitën, Siborën dhe nënë Hazbijen të cilat humbën jetën tragjikisht në mjediset e shtëpisë së tyre në Staten Island në New York tha pastori amerikan Steve Galegor në përshpirtje. Në këtë përshpirtje ishte dhe vëllai i Anitës, Arben Bitri së bashku me të fejuarën e tij Kinon.
Në intervisten që dha për TV Alba Life në New York, ai kujtoi me dhimbje dhe lot në sy tragjedinë e tmerrshme që i ndodhi familjes së tij. Ai vazhdoi se sonte ndodhemi pikërisht në këtë vend të shenjtë në Kishën First Evangelical Free Church në Brooklyn, ku dhjetë vjet më parë të gjithë artistët e Komunitetit, Diaspora, artdashësit e shumtë, së bashku me Qemal Zylon si organizator kryesor në bashkëpunim të ngushtë me artistin e shquar Frederik Ndocin dhe orkestrën mirënjohur “Alba” të udhëhequr nga kitaristi i talentuar Edi Xhani, organizuan një koncert lamtumire në nderim të artistes vlonjate mbarë kombëtare Anita Bitrit. Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme në emër të gjithë familjes së tij për nderimin e veprës që i bën Anitës dhe tha se do të punojë së bashku me artistët për të realizuar një dokumentar që trashëgimia e vyer e saj t’u ngelet brezave. Ndërkohë Q.Zylo kujtoi të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Frederik Ndocin, Edi Xhanin, ambasadorët e kulturës shqiptare Merita Halilin dhe Raif Hysenin, Vait Hajdarin, Sokol Asllanin dhe Maksim Vathin, artistët e shumtë, dashamirësit, mediat si Adem Belliun për kulturën shqiptare, Dalip Grecën për gazetën “Illyria”, të cilët u ndodhën pranë në vendin e ngjarjes pasi e dëgjuan gjëmën që ndodhi, ngjarje që u publikua në mediat e shumta. Ai shprehu dhe mirënjohjen për të gjithë amerikanët dhe bordin e kishës First Evangelical Free Church, pasi si i punësuar aty për vite me radhë, kujtoi ditën që kjo kishë hapi të gjitha dyertë për të organizuar koncertin e lamtumirës. Ajo që do të më ngelet gjatë në kujtesë vazhdoi ai është se në vendin që u organizua koncerti i lamtumirës, ishte planifikuar me kohë të organizohej ceremonia e një dasme amerikane, por kur bordit i paraqita se me shqiptarët duam të organizojmë një koncert lamtumire për artisten e shquar shqiptare, familjarët dhe Bordi me zemërgjerësinë më të madhe pranuan të shkonin në katin e nëndheshëm, përdhes, (basement siç e quajnë amerikanët) dhe na lejuan që ne t’i bënim nderimet e duhura tri gjeneratave që humbën jetën tragjikisht.
Çdo njeri mbart kujtimet e tij në atë ngjarje tragjike, dhe ne kësi rastesh është e vështirë të ngjesh fjalë ngushëlluese. Personalisht kurre s’do ta harroj telefonatën në kolegj në Brooklyn të Frederik Ndocit i cili me një zë vajtues më dha i pari lajmin e kobshëm për tri gjeneratat të mbytura nga monksidi i karbonit. Tepër e rëndë ishte për vellain e Anitës, Benin jo vetëm tragjedia, por edhe sepse ai se kishte takuar kurrë Siborën, për shkak dokumentash, një ëngjëll që premtonte shumë për të ardhmen, por mjerisht ai erdhi për të përcjellë trupat në Atdhe, në Vlorë. Beni kishte dëgjuar vetëm zërin e saj qindra herë në telefon, dhe shprehjen aq të bukur të mbesës së tij Siborës duke i thënë në anglisht: “I love you Daja”!
Arti i Anitës, këngët e saj, violina e bukur, tekstet muzikore që krijonte, i përkasin fondit të artë të muzikës shqiptare. Nga të gjithë folësit atë ditë ajo u pagëzua si Pop Star i muzikës shqiptare, por mjerisht shpesh herë na duhen histori të dhimbshme si tek kalaja e Rozafës, që të dalin në pah madhështia dhe gjenialiteti i popullit tonë. Nga shpirti atë ditë në ceremoni i dhashë lamtumirën me këtë poezi: Kjo vdekja e zezë/ muret i çanë/ për tri hyjneshat që vdekjen panë/. Tmerruar nga lajmi rrugën mora/ kalova me drita të kuqe vetëtimë/ në cep të rrugës frymën ndalova/ ngriva statujë kur pashë shtëpinë/. Zemra më rrihte si e zënë në faj/ si labe e qava: e mjera e mjera/ ndenja gjatë, por porta s’u hap/ ndeza qiririn dhe e vura tek dera/. Vitet do të ikin dhe shpejt do të kalojnë/ loti i mërgimtarit do të ngelet në derë/ Orkestra “Alba” shpesh do të ekzekutojë/ këngët e tua në tastierë/. More helmin në zemër, ike larg Anita/ ndoshta të gjeje qetësinë/ bashkë me violinën si shelg lotues, le dhe këngën/ dhe me zërin tënd pavdeksinë!
Duke përfunduar në vesh ende kam zërin e vogëlushes, zërin e një ëngjëlli Siborës e cila i këndon mamit të saj si: Jam e bekuar si ty, kënga ime le të jehojë, për mamin le ta dëgjojnë…
Kënga dhe Zëri i Anitës kur këndon me të bijën e saj Siborën në duet duket sikur vazhdon të mbush qiellin si cicërima zogjsh, si zëra në përjetësi!

Tetor, 2014
Brooklyn, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, Në përkujtim të 10 vjetorit, të Anita Bitrit

PER HERE TE PARE, SHKOLLE SHQIPE NE MANHATTAN

October 14, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Manhattan nxënësit shqiptaro-amerikanë u ulën në bangat e shkollës për të mësuar SHQIP, në mjediset e shkollës publike amerikane Ps 173, Fort Washington Avenue, me leje nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut.
Pas përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit pedagogjik për t’ju mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën Shqipe më në fund i gjithë mundi i organizatorëve dhe mësueses me përvojë në gjithë jetën e saj znj. Liza Pllumbit u kurorëzua me sukses me hapjen e shkollës shqipe për herë të parë në Manhattan.
Është emocionante dhe ndjehesh krenare tek udhëton në fundjavë nga Staten Island së bashku me mësuesen e dashur Ditën, babain e saj z.Delaj nga Kelmendi, i cili shprehte mirënjohjen dhe falënderonte “Alba Life” që vajzën e tij e kishim pjesë të stafit të punës, me Brian, Dean dy nxënës shqiptarë dhe të shkosh përballë një shkolle të re shqiptare ku të takohesh me nxënës të rinj, prindër dhe mësues. Duke trokitur në derën kryesore të shkollës, nxënësit rendnin me vrap kush e kush mundohej të hapte derën i pari. Ata na përqafonin sikur të kishim kohë që ishim takuar dhe me magjinë e moshës së tyre miqësoheshin shumë shpejt dhe me njeri-tjetrin. Është një botë krejtësisht e veçantë një botë që më mban të gëzuar, gjallë, plot jetë, por sidomos më sjellë pranë Shqiperinë tonë aq të munguar.
Mundet që hapja e kësaj shkolle në Manhattan të jetë një pikë uji në Diasporen tonë, por me siguri në se mblidhemi së bashku në një tryezë të rrumbullakët për të hedhur idetë dhe pastaj ato të vihen në zbatim sidomos kjo e fundit është tejet e rëndësishme, ndryshe idetë vdesin si peshku në rërë, atëhere pika e ujit kthehet një oqean i gjuhës shqipe nga e cila fillon identiteti ynë. Asgjë s’është e pamundur, çdo gjë e bukur është e mundur sidomos kur është fjala për isntitucionalizmin e shkollave shqipe për të shkuar nxënësit cdo ditë ashtu sic i kanë hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët e shumë komunitete të tjera që mjerisht në këtë pikë ne jemi mbrapa…
Por kjo përbën një temë tjetër që ha shumë diskutim dhe punë altruiste nga Diaspora që nuk mungojnë në shumë anëtarë të saj. Ja pikërisht disa nga anëtarët e Diasporës që kanë vite që jetojnë në Amerikë vjen një ditë dhe me përvojën e tyre si mësimdhënës të Gjuhës Shqipe i afrohen programit mësimor të Gjuhës Shqipe dhe e ushtrojnë pranë fëmijëve të Diasporës lindur dhe rritur në Amerikë, por që prindërit e kanë ëndërr që fëmijët e tyre mos ta harrojnë kurrë gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të tyre.
Themeluesi i shkollave Shqipe z.Qemal Zylo iu ka uruar nxënësve, prindërve, mësuesëve mirëseardhjen dhe punë të mbarë për mësimin e Gjuhës Shqipe. Një falënderim të veçantë i ka dhënë mësuese Liza Pllumbit me të cilën bashkëpunoi një kohë të gjatë për të realizuar hapjen e një shkolle shqipe në Manhattan. Po ashtu me plot dashamirësi ka falënderuar dhe prindin Nora Nilaj për kontributin e saj në këtë mision fisnik.
Në fjalën e tij të shkurtër ftoi të gjithë prindërit dhe mësuesit ta përhapin këtë lajm të bukur dhe shpresoj që të kemi sa më shumë nxënës në këtë shkollë, ne kemi një përvojë shumë vjeçare në mësimin e gjuhës shqipe, pasi kemi dhe dy shkolla të tjera shqipe në Staten Island dhe në Brooklyn, shkolla që kanë disa vite të hapura.
Më pas me lot në sy përshëndeti mësuesja e shkollës shqipe në Manhattan znj.Liza Pllumbi e cila me emocion iu uroi gjithë nxënësve punë të mbarë. Ajo i shprehu mirënjohjen e pakufishme “Alba Life” qe i bëri të mundur të realizojë ëndrrën dhe të ushtrojë profesionin e saj si mësimdhënëse në Manhattan. Së bashku vazhdoi mësuesja do të mesojmë gjuhën shqipe që kurrë mos të harrojme rrënjet e të parëve tanë. Më vonë z.Zylo u shpërndau librat e shenjta të abetares të unifikuara dhe fletoret e punës të cilat nxënësit shqiptarë i merrnin dhe i hapnin me kujdes të posaçëm për të shuar paksa kuriozitetin e tyre për momentin. Ora e mësimit u mirëprit me duartrokitje kur mësuese Liza së bashku me mësuese Ditën i mblodhën nxënësit në klasë dhe filluan mësimin shqip. Mësuese Liza i ka pyetur nxënësit se para se të fillojmë të mësojmë abetaren kush do të vijë të na recitojë në shqip për të parë njëkohësisht se sa ata e njihnin shqipen e folur. Ja në këtë kërkesë të mësuese Lizës nuk ngurroi të dilte përpara klasës nxënësja Nora Hysaj e cila recitoi vargjet nga Gjuha Shqipe e Fishtës si: “Porsi kanga e zogut t’verës/ qi vallzon n’blerim të prilli/ porsi i ambli fllad i erës/ qi lmon gjit e drandofillit/ porsi vala e bregut t’detit/ porsi gjáma e rrfès zhgjetare/ porsi ushtima e nji tërmetit/ ngjashtu á’ gjuha e jonë shqyptare/”.
Pas saj u ngrit Dea e cila recitoi vargje nga Gjuha Shqipe e Naim Frashërit si: “Gjuha Shqipe sa e mirë/ sa e ëmbël sa e gjerë/ sa e lehtë sa e lirë/ sa e bukur sa e vlerë/”!
Pas përshëndetjes me dy poezitë nga më populloret dhe të mirënjohura të shkruajtura nga shkrimtarët aq të dashur për popullin shqiptar Fishta dhe Frashëri, të cilët dukeshin sikur bekonin që nga froni i Perëndive ku kanë vendin, nxënësit shqiptare për mësimin e Abetares, mesuesja ka vazhduar normalisht mësimin midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në Manhattan, shkollë shqipe që hapet për herë të parë në kryeqytetin e botës.

11 tetor, 2014
Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo, Shkolle shqipe ne Manhattan

Në Dollestown, PA, dy gëzime në një ditë

September 23, 2014 by dgreca

Nënë e bir festuan ditëlindjet së bashku/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Festat familjare gjithmonë janë të veçanta ngase sjellin pranë vatrës së të Zotit të shtëpisë këngë, muzikë dhe valle ku së bashku me familjarë, të aferm miq e shokë mblidhen së bashku. Në emigrim këto marrin dhe më shumë kuptim, më shumë vëmendje sepse mungesa dhe largësia e emigrantëve nga prindërit, vëllezërit dhe motrat është tepër e ndjeshme, është mall që djeg.
Është interesant se disa qytete të vogla për vëtë hapësirën gjeografike që kanë i mban dhe më të lidhur shqiptarët me njeri -tjetrin. Këtë kemi ndjerë gjithmonë sa herë që kemi marrë pjesë në qytetin Dollestown të Pensilvanisë ku jeton dhe punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh, një qytet që e ka origjinën e emrit më 1745, kur William Doyle ndërtoi tavernën me të njejtin emër. Ftesën e marrë nga Koço dhe Natasha Gaba për të festuar 60 vjetorin e Natashës dhe të të birit të tyre Ivit 35-vjetorin, e pritëm me shumë kënaqesi dhe emocion. Kur them me emocion ndjej se tek ajo familje plot kulturë ka diçka speciale, është një shkollë më vehte me dy prindër ndoshta dhe më mirë se psikologët e certifikuar… Ivi ka qenë një fëmijë në nevojë, me autizëm, por sa herë që e kemi takuar ne kemi parë rritjen, pjekurinë dhe xhentilencën që u dhuron të gjithë miqve dhe shokëve që e duan aq shumë. Ai i priste dhe i përqafonte të gjithë të ftuarit kërcente dhe këndonte krejt normal me ta, ndoshta dhe më mirë se shumë të tjerë që nuk e kanë pasion vallëzimin.
Duke punuar në programin e autizmit në shkollë të mesme në qytetin ku unë jetoj në Staten Island, dhe duke e krahasuar me përvojën time prej gati 8 vjetësh, shikoj dhe prek nga afër progresin e dukshëm të Ivit, sikur të ketë qenë në të gjitha shërbimet e posaçme që vihen këtu në dispozicion të studentëve në nevojë, si terapia e të folurit, lëvizjet fizike, ora e dëgjimit dhe sherbime të tjera që ju plotësohen me ligj nga Bordi i Edukimit. Por Ivi nuk e pati shansin të jetë në këto shkolla, pasi mungesa e dokumenteve që për ironi të fatit ka bërë që të jetë i përjashtuar nga këto programe të posaçme. Por kjo është një temë tjetër e dhimbshme… Përshëndetja e Ivit për të gjithë miqtë ishte një përshëndetje e ngrohtë dhe plot mirësi. Ja psh ai falënderoi në radhë të parë mamanë e tij Natashën që po festonte 60 vjetorin dhe që më ka rritur me shumë përkujdesje, dy gjyshërit e tij në Tiranë, nëna Bylen dhe gjyshi Gimin që nuk kishin mundësi të vinin, por ja më kanë blerë një byzylyk të argjendtë dhe ngriti dorën që i shkelqente bashkë me sytë blu, vazhdoi me tezen e tij Artën Deputeten e Parlamentit e cila na bëri surprizën më të bukur të vitit duke ardhur që nga Tirana posaçërisht për ne. Në këtë kohë Arta shkon dhe e takon dhe me lot në sy përqafohen nën duartrokitjet e të gjithë pjesëmarrësve.
Një falënderim të veçantë vazdhoi Ivi dua t’i bej Andreas dhe sopranos së shquar Lindita Mezini Loles e cila e përshëndeti me këngën e nënës, lule bore etj, TV Alba Life, dhe të gjithë ju që keni ardhur sot dhe na keni nderuar. E dëgjoja me vëmendje, dhe ndjeja se kjo ditëlindje solli veç sfidë, ngase këta fëmijë të dhurojnë një dashuri krejtësisht të veçantë, një dashuri që ju buron në gjithë qenien e tyre. Prindërit e tij dhe vëllai i vetëm Edgari, i cili punon si financier në një kompani amerikane i kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë edukimin, durimin, dashurinë, këto nuk mund të blihen në pazar janë dhurata gati nga Perëndia…
Të gjithë e duam Ivin më thoshnin plot gra si Albana, Luljeta Jaho, Arta Bitri e shumë e shumë të tjerë që e kam të pamundur t’i përmend gjithë emrat, ai është shumë i dashur dhe zemërartë.
Por Ivi ka dhe nje aktivitet të dukshëm që nga Shqipëria, ecuria e tij nën përkujdesjen e jashtëzakonshme të prinderve intelektualë bëri që të ketë një zhvillim të shpejtë.
Ivi ka marrë pjesë në Olimpiadën Speciale në vitin 1995, ku fitoi medalje ari në garën 100 metra dhe medaljen e përfaqësimit që e meritojnë të gjithë atletët.
Pas këtij suksesi ai mori përsëri pjesë në vitin 1998 në Lojërat Botërore duke na përfaqësuar denjësisht.
Ivi u përshëndet veçanerisht nga aktori i Hollivudit dhe politikani Arnold Shvarceneger dhëndri i familjes Kennedy.
Motra e presidentit Kennedy, Eunice Kennedy Shriver ka krijuar Olimpiadën Speciale në vitin 1962 dhe sot në të aderojnë 150 shtete nga e gjithë bota.
Ndërsa burri i saj z.Shriver është një ndër themeluesit e Korpësit të Paqes.
Mbrëmja u zhvillua në restorantin “Garden of Eaten” me ushqime të shijshme shqiptare dhe pjesëmarresit u argëtuan nën tingujt e bukur të muzikës shqiptare me një harmoni dhe respekt të vecantë për Natashën dhe Ivin, ku si nënë e bir festuan ditëlindjet së bashku.
Ishte një e dielë e bukur në Dollestown me dy gëzime në një ditë.

21 shtator, 2014
Dollestown, Pennsylvania

Filed Under: Komunitet Tagged With: dy gëzime, Keze Zylo, Në Dollestown, në një ditë, PA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT