• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MONOGRAFIA PER TAFIL BUZIN SI HOMAZH PER AUTORIN

April 5, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Kur jeta e një njeriu këputet në mes para kohe padyshim që kujtimet që lë pas janë  gjurmë në memorje, si një Hënë e bukur vere. Në këtë esse e kam fjalën për autorin e disa shkrimeve, librave, kryeredaktorin e gazetës së mirënjohur “Trebeshina” e cila është bërë një tribunë e mendimit të lirë tepelenas dhe mbarëkombëtare.  Ndoshta mund të mos takohesh kurrë me një njeri gjatë jetës tënde, por shkrimet, gazetat, librat që kanë lënë bëhen miq pakuptuar me të gjithë lexuesit e tyre.

Duke e pasur për zemër gazetën “Trebeshina” jo vetëm si tepelenase, por dhe si një lexuese që më ngazëllehet shpirti kur shikoj publikimin e suksesshëm të saj, kam parasysh padyshim dhe një nga kontribuesit kryesorë të kësaj gazete si ish kryredaktorin të ndjerin Lumo Paza i cili u nda para pak kohe nga jeta.

Në kollonën e gazetës ku ai publikonte vazhdimisht dukej sikur mbinte një lule e bukur Trebeshine i cili me majën e penes qëndiste botën e tij shpirtërore.  Ato trokisnin fort në zemrat e lexuesve edhe pse krijuesi shpesh herë mund të ndesh me netë skeptike, por degët e pemëve thyheshin nga pesha e frutave të pjekur të vjeshtës tepelenase.

Ishte një mësues që eci gjurmëve të historisë duke na dhuruar shumë libra ndërmjet tyre dhe monografinë: “Tafil Buzi, kryekënga e trimave”, libër që erdhi mbi krahë pulëbardhe mbi dallgë oqeani dhe përhapte zërin e Tafil Buz mustaqeziut i cili të kujton këngën e famshme popullore si: Ndë Stamboll karta dërgojnë/ Se raeja po lëftojnë/ Që në Berat’ e në Vlorë/ U mbush deti me pamporë/ Një pasha me tre taborë/ Misërishtatë i korrë/ Se e dinë me kë lëftojnë/ Me Gjon Lekë Kuçin thojnë/ Gjon Lek’ e Hodo Aliu/ Mbë dorë palla ç’ju ngriu/ Tafil Buz-mustaqeziu/ Nga Gryk’ e Kuçit arriu/…

Libri thotë autori është mbështetur në materialin arkivor të përkthyer në gjuhën shqipe kryesisht prej arkivave osmane, në botimet e historianëve e të kronistëve tanë ku trajtohen lëvizjet kryengritëse kundër osmane të asaj periudhe, në burimet gojore e të dhëna të tjera arkivore të nevojshme për një monografi.

Ishte një zë tepelenas me ëndrra të një kundrimi magjik duke u bashkuar në peizazhe shetitëse me vatranët e fillimshekullit të kaluar tepelenas.  Në të tilla projekte pa çmime të epërme shihet pasqyra e një edukatori me duar të blerta që sjellë lule bjeshke duke i dërguar mesazhe qiellit nga ditari i tij si me refrenin: Buken tonë të përditshme falna sot!

Tafil Buzi ka frymëzuar shqiptarët në kryengritje kundër osmanëve si dhe poetin e shquar Agim Shehun i cili ndër të tjera në poezinë “Fotografia” e Gjolekës shkruan:

“Tafil Buzit të m’i thoi/ Gjoleka s’e turpëroi/ isua e maleve tejpërtej kumboi/ Gjoleka’ po formohej pikturë/ mbi piedestal Heroi.
Monografia e publikuar për Tafil Buzin nga autori Paza të kujton nobelisten e shquar amerikane Tony Morrison e cila thotë se: Në qofte se ju vërtetë doni të lexoni një liber, por akoma ky libër nuk është shkruar, ju duhet ta shkruani atë.

Është ditari i një mësuesi si një degë e bukur lule molle që varet nga një guvertë e bukur reje të argjendtë dhe që hedh petale pikëllimi të ndarjes parakohe.  Nga bardhësia e degëve me lule të bardha molle bariu i Trebeshinës me fyellin magjik përflak si vetëtimat tingujt tek lexuesi i rregullt ngase dehet dhe digjet metaforikisht brenda tyre.

Monografia “Tafil Buzi – Kryekënga e trimave” e studiuesit Limo Paza, është botuar 10 vjet më parë, me rastin e 175-vjetorit të Kuvendit të Beratit, pararendësja e denjë e promovimit të figurës së Tafil Buzit në Shqipëri!

Në fund të vitit 2013, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani e nderoi Tafil Buzin, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Dhimbja e ikjes për këdo është e madhe, por po aq dhe për krijuesin si në rastin në fjalë për të ndjerin Lumo Pazën, ndaj dhe familja, fëmijët për momentin mund të hutohen, por krenohen me veprat dhe shkrimet që ka lënë.

Ato ngelen strehë e kujtimeve, një shteg ylberi ku Pegasi fluturon i lirë, i lirë.

Ishte një mësues dhe krijues që eci rrugëve të pashkelura dhe ndali pranë Trebeshinës, malit lirik që çdo udhëtar çmendet nga magjia e gjirit të tij që pikon kulloshtër.  Ishte një k/redaktor që s’u lodh kurrë brenda kullës që sillte gjithë blerimin e stinëve, paçka se ndonjëherë ato mund të egërsoheshin si shterpa.

Ai tashmë është në shtëpinë qiellore ku prek dhe sheh qartë me sytë e Diellit gazetën “Trebeshina” i cili shkriu gjithë mundin dhe dijen për të.

Krijimet e tij nuk janë zymtësi muzgu vjeshte dhe ato nuk e lënë punën dhe idetë e hedhura të mpiksen si pikëz gjaku në ndonjë pjesëz trupi, apo të vajtojnë në ndonjë shkarpë të thyer si këngë qyqeje, ato janë veçse ditar i blertë i nje mësuesi, i një autori që komunikon përjetësisht.  Gjuha e përdorur si deti i thellë pasqyrohet kaltërsisht në sytë e lexuesve dhe qëndron si syprinë e qetë për pritje të tjera me vazhdimësi besnikërie dhe mirënjohjeje nga kolegët e tij të dashur.

 

5 Prill, 2014

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, MONOGRAFIA PER TAFIL BUZIN SI HOMAZH. PER AUTORIN

Atdheu dhe Feja

February 8, 2014 by dgreca

 Nga Keze Kozeta Zylo/

Shqiptarët e vërtetë asnjëherë se kanë ngatërruar Atdheun me fenë.  Atdheu për të gjithë ne në të gjitha kohrat qëndron mbi çdo gjë.  Luftrat shekullore, gjaku i derdhur lumë për gjuhën dhe Atdheun kanë bërë që ne të jemi bashkë kur thërret nderi i Tij.

Por le të ndalemi pak tek shkrimtarët dhe burrat e mëdhenj të Kombit tonë të cilët kanë qëndruar bashkë pa dallime krahinore dhe feje.  A nuk kanë ngelur hymn vargjet e Pashko Vasës “Moj Shqypni e mjera Shqypni” 1880, që edhe sot ngrenë në këmbë me emocion një popull të tërë.  Jo shumë larg, por para disa muajsh në festimin e 5 vjetorit të TV Alba Life ku merrnin pjesë qindra shqiptarë aktori i mirënjohur Pajazit Murtishi kishte ardhur që nga Çikagoja për të festuar së bashku, shqiptarçe.  Kur z.Murtishi doli në skenë dhe interpretoi poezinë e Pashko Vasës, të gjithë ç’ishin shqiptarë dhe amerikanë

(të cilët u ngritën për inerci) u çuan në këmbë dhe u ndalën gjatë me duartrokitje sidomos në vargjet: “Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu/ Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu/ E mos shikoni kisha e xhamia/ Feja e shqyptarit asht shqyptaria”!

Dhëndëri im amerikan me besim katolik u befasua nga ngritja e të gjithë pjesëmarrësve në këmbë dhe pyeti: “Pse u mirëprit aq me emocion kjo poezi”?  E sqarova duke intepretuar përkthimin e prof.Peter Priftit si: Awake, Albania, it’s time to rise/ And bind yourselves with brotherly ties/ Look not to church or mosque for pietism/The faith of Albanians is Albanianism!… Populli ynë mbijetoi se kishte mbi çdo gjë Atdheun.  Mirpo në këtë mbijetesë ka shumë shqiptarë trushpëlarë që kanë punuar nën rogoz ose hapur për t’i bërë lëmsh punët e Kombit dhe të fesë.

Konkretisht, kohët e fundit në media, forume dhe në rrjetin më të madh social f/b ka pasur një debat të ndezur, sidomos pas demonstratës që u zhvillua kundër Kryepeshkopit grek Janullatosit i cili është në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse në Shqipëri.  Demonstrata ishte organizuar nga “Rrënjët shqiptare”, me president Marko Kepin të besimit katolik.  Shkak për këtë u bë nderimi që po i bënte universiteti i mirënjohur amerikan “Fordham”, kryepeshkopit grek duke i dhënë titullin “Doktor nderi në letrat humane”.  Shqiptarët e Amerikës u ngritën në protestë dhe kërkonin me të drejtë heqjen e Janullatosit nga Kisha Autoqefale Shqiptare i cili e ka pushtuar atë me dinakërinë greke dhe ka shkelur me të dyja këmbët nenin 16 të ne statutin e Kishës Autoqefale të vitit 1929, në të cilën thuhet se ndalohet përgjithmonë ndikimi i të huajve në Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.  Shqiptarët u ngritën të protestonin kundër Janullatosit se ai nuk e meritonte këtë çmim, ngase ndikimi i tij në Shqipëri ka qenë vetëm në shërbim të shovinizmit grek.  Janullatosi nuk ka reaguar karshi dhunimeve dhe abuzimeve që janë bërë kundër emigrantëve shqiptarë në Greqi, i cili është i vetmi vend në botë që ju ndryshon emrat nga shqiptarë duke i shkruajtur si emra grekë, në se do të punësohen nga ky i fundit.  Janullatosi nuk ka reaguar karshi genocidit grek kundër popullsisë së pafajshme çame nga gjenerali famëkeq Zerva dhe qeveria greke.  Janullatosit as s’i shkon mendja për Kosovën që të ndikojë si “humanist” tek qeveria e tij qe të njohë pavarësinë e saj edhe pse jemi fqinj shekullorë me ta.

Fan Noli e shkëputi njëherë e përgjithmonë Kishën Ortodokse shqiptare nga Patrikana e Stambollit dhe e Greqisë duke dhënë meshë për herë të parë në shqip në Boston në vitin 1908.  Këtë pasuri kombëtare që na la Noli duhet ta mbrojmë me ligj, pasi u fitua me gjakun e martirëve të Gjuhës shqipe si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Dhaskal Todri, të cilët u helmuan nga priftërinjtë grekë, vëllezërit e një gjaku të Janullatosit.  Masakrat e tyre jane të pashembullta.  Është tepër e mjerueshme që disa sahanlëpirës dhe idhtarë të Janullatosit janë ngritur kundër demonstratës si dhe kundër shkrimit tim që shkruajta kundër krypeshkopit grek për të mos qenë në krye të Kishes shqiptare dhe të iki sa më parë nga trojet e Mëmëdheut tonë.  Këta mjeranë ose janë të paguar nga Janullatosi dhe qarqe të caktuara greke që jo pak e kanë përdorur paranë për të asimiluar gjuhën, njerëzit dhe për të marrë Vorio Epirin, tokat e bukura shqiptare, ose vertete ju jane shpëlarë trutë nga propaganda e priftit grek, që ka hyre si Kali i Trojës në zemër të Shqipërisë.  Këta vasalë të Janullatosit na dalin dhe na shkruajnë biografinë, apo hyjnë çmendurisht dhe në besimet tona fetare qoftë dhe ateiste, të cilat janë vetëm shpirtërore dhe s’ka të bëjë fare me Kombin.  Feja është shpirtërore, personale, secili e zgjedh vetë atë, askush s’ka të drejtë të ndërhyjë për aq kohë që t’i nuk prek ligjet e shtetit ku jeton.  Kush e bën këtë sjellë vetëm përçarje dhe abuzon me traditën e shkëlqyer të popullit tonë, tolerancën fetare e cila është një pasuri e vyer e Kombit tonë.  Brenda familjes sime qysh në shekullin e kaluar u mirëprit krahëhapur gruaja e xhaxhait tim, me besim ortodoks Aspasia, me të cilën shkuam një jetë të tërë gjithë dashuri e respekt, si dhe shumë të tjerë brenda besimeve që jemi lidhur, duke respektuar dhe çmuar njeri-tjetrin.  Sherrxhinjtë dhe të gjithë atyre që duan të ngatërrojnë fenë me Kombin ju them se askush nuk e di se cilës fe i përkas, sepse ajo është zgjedhja ime personale, është vetëm shpirtërore.  Këto s’janë gjë tjetër vetëm punë fort të liga të cilëve dredhia ju është hedhur si kulpër pas trupit dhe mendjes.

Më duhet t’ju kujtoj këtyre zotërinjve në lidhje me besimet fetare të shqiptarëve thënien e Nolit se: “Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”.”   Le të mos e ngatërrojmë fenë me Atdheun, duke lavdëruar njerin besim dhe sharë tjetrin, sepse kjo lloj propagande çon ujë vetëm në mullirin grek, dhe aspak nuk i përket botës demokratike ku po jetojmë dhe punojme plot dinjitet.  Ndërsa të betuarit e Janullatosit ngrihen dhe e mbrojnë atë me jetën e tyre në tokën tonë, mendoni se çfarë mund të ndodhë me grekërit po të ishte një shqiptar jashtë ligjit në krye të tyre në Greqi (që kjo s’mund të ndodhë kurrë) ?  Shqiptari shan dhe mallkon shqiptarin duke iu ulur në gjunjë kryepeshkopit grek ngase i është betuar se për ty japim jetën, prandaj rri në Shqipëri, e ke vendin në krye të oxhakut.   Të ngrihesh kundër një pushtuesi të huaj në tokën tonë i cili është jashtë kanunores dhe idhtarët e Janullatosit ta mbrojnë atë ky është një mjerim i madh dhe luftë e hapur, si ligji i luftës që mbajnë ndezur në Greqi për të rrëmbyer Vorio Epirin.

Sa herë qe lexoj reagime të kësaj natyre më sjellin ndërmen Mark Twin i cili thotë se nga të gjitha gjërat që kam humbur me ka marrë malli shumë për mendjen.  Dhe mendja duke u bashkuar me të Janullatosit medoemos që helmohet dhe do të humbas përjetësisht Shqipërinë duke na kërcënuar, përçarë qëllimisht dhe tinëzisht me fetë për të lënë Atdheun mënjanë, të cilin e kemi mbi çdo gjë.

8 Shkurt, 2014

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Atdheu dhe Feja, Keze Zylo

Fondacioni Plavë-Guci Festoi 101 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

December 2, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e restorantit “Maestro” në Bronx Fondacioni Plavë-Guci festoi me madhështi 101 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Qindra shqiptarë me ngjyrat kuq e zi u mblodhën për të festuar këtë ditë të shenjtë të shqiptarëve.Eshtë nga ditët më të bukura ku shqiptarët nga të gjitha trojet mblidhen së bashku nën Flamurin Kombëtar me shkabën dykrenore.

Ajo që do më bënte përshtypje në këtë festë të bukur dhe tejet mbresëlënëse ishte pjesëmarrja e mjaft të rinjve, ku djemtë dhe vajzat dukeshin si Pëllumba Paqeje, të cilët ruajnë me aq zjarr e dashuri identitetin kombëtar.  Mbrëmjen e ka moderuar z.Kukaj dhe zonjusha Rugova.  Zëri fonik i z. Xhevat Kukaj e bënte dhe më tërheqës programin e përgatitur enkas për festën e Flamurit. Vargjet e Fishtës për gjuhën shqipe inerpretuar mjeshtërisht nga z.Kukaj do të ngelen një hymn për Gjuhën tonë amtare.

Ja disa vargje prej tyre: Porsi kanga e zogut t’verës/ qi vallzon n’blerim të prillit/ porsi i ambli flladi i erës/ qi lmon gjit e drandofillit/…  Pra, mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis/ trashigim, që na la i Pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lèn mbas dore.

Moderatori i mbrëmjes ka ftuar kryetarin e Fondacionit “Plavë-Guci” z.Esad Gjonbalaj i cili me seriozitetin e duhur dhe thjeshtësinë karakteristike ka folur për festimin e kësaj dite të shqiptarëve duke iu uruar atyre e festofshim pëjetësisht këtë Ditë të Shenjtë.Njëkohësisht z.Gjonbalaj ka folur dhe për punën e kryesisë dhe të gjithë anëtarëve të saj që po punojnë me seriozitetin e duhur për të ruajtur vlerat kombëtare dhe për të promovuar kulturën shqiptare.  Fjala e z.Gjonbalaj u ndërpre  nga duartrokitjet e të pranishmëve.  Z. Kukaj ka falënderuar të ftuarit si: Ansambleistin Mark Gjonaj i cili në pamundësi për të marrë pjesë kishte sjellë përfaqsuesesn e tij zonjushen e nderuar Artenida Gjeli, z.Elljo Berisha, nga Fondacioni “Malësia”, z.Xheladin Zeneli nga shoqata “Ana e Malit”, z.Gjergj Dedvukaj nga “Bashkimi Kombëtar”,  z.Mark Dedvukaj nga “Fondacioni Ded Gjo Luli, e shumë të tjerë, të cilët kishin ardhur për të festuar së bashku Ditën e Flamurit.

Moderatori i mbrëmjes ka ftuar gjithashtu në skenë Konsullin e Pergjithshem në New York, Ambasador z.Bekim Sejdiu i cili i ka uruar përzemërsisht të gjithë shqiptarët: “Gëzuar Ditën e Flamurit” dhe ka përshëndetur punën patriotike dhe kulturore që po bën Fondacioni “Plavë e Guci”.  Puna dhe kontributi i Fondacionit Plavë e Guci vlerësohet dhe çmohet lart nga të gjithë.

Në këtë mbrëmje ishte i ftuar nga Shqipëria Dr.Koco Danaj studjues dhe hartuesi i Platformës “Shqipëri Natyrale”.  Dr.Danaj iu uroi të gjithë të pranishmëve Gëzuar Pavarësia dhe midis të tjerash ai vazhdoi se së shpejti do të realizojmë Aktin Juridik të Shqipërisë natyrale që u injorua nga ambasadorët famëkeq të Londrës.  Jam i bindur tha ai se ne do ta gëzojmë Bashkimin e Kombit, brezat pas nesh do ta konsolidojnë, ndërsa të gjithë të tjerët më pas nesh do ta festojnë përjetësisht.

Në këtë program ka përshëndetur dhe aktivistja e dalluar dhe zonjusha Arlinda Balidemaj e cila tha se si brezi i parë në ShBA kam kënaqësi dhe dashuri shumë të madhe të përshëndet popullin tim si brenda dhe jashtë kufijve të saj.  Ta përshëndes vendin tim në gjuhën tonë shqipe, sepse ne kemi një Flamur, një kulturë, një Atdhe.

Z.Kukaj tha se Fondacioni “Plavë e Guci” sot do të vleresojë me çmimin e mirënjohjes z.Din Kukaj i cili ka mbledhur 1.000.000 dollarë për Luftën e Kosovës kundër bishës serbe udhëhequr nga trimat e UÇK-s.  Z.Esad Gjonbalaj pasi e përgëzoi përzemërsisht për kontributin e tij të vyer i tha se ne ju jemi gjithmonë borxhli dhe ju shprehim mirënjohjen tonë për punën tuaj aq patriotike.

Pas programit mbrëmja ka kaluar në një festë gazmore me këngë e valle të bukura shqiptare ku nuk kanë munguar dhe instrumentet folklorike ku ka kënduar dhe luajtur në Lahutë z. Rustem Çelaj.

Pjesëmarrësit i kanë argëtuar deri në orët e vona këngëtarët si: Albërie Hadergjonaj, Ylli Demaj, Nik Çarku dhe DJ. drejtuar nga z. Dritan Papa.

Njerëzit u shpërndanë të lumtur dhe të gëzuar me bindjen se vitin tjetër do të festojmë “Bashkimin e Kombit”, ku Fondacioni Plavë e Guci po jep një kontribut të vyer në këtë mision historik.

Ne Foto: I ftuari i mbremjes Koco Danaj duke pershendetur pjesmarresit

1 dhjetor, 2013

Bronx, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fondacioni Plave e Guci, Keze Zylo

Në Lehman College në New York u shfaq poema dramatike Gergj Kastrioti Skënderbeu

November 28, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Nju Jork Skënderbeu mblodhi ushtarët e besës shqiptare dhe përcolli mesazhin hyjnor se Shqipëria do të rrojë sa të jetë njerëzimi.Në Kolegjin Lehman në Bronx, në Recital Hall, në kuadrin e 101 vjetorit të Pavarësisë dramaturgu, regjisori dhe aktori Xhevat Limani interpretoi poemën dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU”.

Në këtë shfaqje në rolin e Donikës ishte sopranoja e mirënjohur, Era Hoxha Limani, kurse narracioni u realizua nga aktorja e qytetit të Korçës Merita Çoçoli, me regji nga Limani dhe Michael Tylo.

Sa hyje në sallë impresionoheshe me skenën madhështore, stemat e principatave dhe me të gjitha reliket në të cilën jetoi Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.  Skena është realizuar mjeshtërisht nga Kristaq Kapedani.  Me emocione të fuqishme u prit narratorja Merita Çoçoli e cila me zërin e saj të ngrohte dhe plot ekspresivitet të fytyrës së bukur lajmëroi ardhjen e Skënderbeut.  Xhevat Liman një aktor i mirënjohur në skenat e ndryshme shqiptare si brenda saj dhe jashtë kufijve solli Skënderbeun pranë spektatoreve në diten e shënuar të shqiptarëve, në Ditën e shenjtë të tyre, Flamurit Kombetar.

Kumbimi i zërit të tij çka e bën të dallueshëm si aktor ishte tejet mbresëlënës kur interpretoi me tërë fuqinë e shpirtit fjalën e Skënderbeut se: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë, në ushtat!  (Nga libri i Marlin Barletit përkthyer nga Fan Noli)

Ato janë kushtrim për shqiptarët në cdo kohë dhe kurdoherë, duke i dëgjuar të dukej sikur autori sillte shekujt një nga një, sillte shekullin e Skënderbeut që luftoi me shpatë në dorë kundër hordhive turke dhe barbare.  Lufta e tij prej një strategu ushtarak ishte një sfidë për ushtritë e mëdha turke, i cili sa qe gjallë nuk la këmbë turku në tokën arbërore.

Ajo skenë me tre aktorë nën interpretimin e poemës dramatike Gjergj Kastrioti Skënderbeu solli epokën më të lavishme shqiptare epokën e Skënderbeut.  Veshjet që përdorte Skënderbeu, shpata gjigande që vetëm ajo dorë dinte ta përdorte dhe përkrenarja e Tij mbi kokë medoemos që sillnin duartrokitje dhe respekt të veçantë për interpretimin e tij tejet profesional.  Përkrenarja ishte e punuar artistikisht duke sjellë me saktësi origjinalen.

Aktori Limani nëpërmjet monologjeve të shumta të Skënderbeut solli historinë tonë të lavdishme, gjakun e derdhur lumë të shqiptarëve për Liri, strategjinëe tij të jashtëzakonshme ushtarake që u përballë me një perandori të madhe dhe e mundi.  Poema dramatike për Skënderbeun do të mbetet reale për çdo kohë, ngase mjerisht Shqipërisë nuk i kanë munguar dhe faqezinjtë si ballaban pashët.  Kjo ishte një pjesë tronditëse e shkeljes së besës, e tradhëtarëve të cilët me dredhira dhe dhurata u munduan ta blenin Skënderbeun.  Por Skënderbeu Ballaban Pashës në vend të dhuratave të cmuara i dërgoi një shkop çobani dhe një gunë, sepse i tillë ishte ballabani për çoban dhe të shkonte më mire të ruante bagëtinë në fshat se sa të tradhëtonte Atdheun.

Efekte të magjishme solli dhe loja e bukur dhe zëri i një zane shqiptare, sopranoja Era Hoxha.  Ariet e intepretuara mjeshtërisht nga ajo e cila kishte rolin e Donikës në skenë e bënin dhe më emocionante shfaqjen.  Era kishte rolin e Donikës, një rol që kërkon përkushtim dashuri dhe punë të pakufishme.  Aktrimi i saj ishte arisokrat, ajo solli pranë nesh Donikën e bukur të Kaninës së Vlorës.  Dasmës së Skenderbeut me Donikën të bijën e Gjergj Arianitit populli i këndoi:  Ç’dasmë që bë Araniti/ Atë natë kalaja ndriti/ Kënga dhe vallja buçiti/ Çelën llamba, ndezën pisha/ Plot tryeza me të gjitha/ Mish dashi, Labërie/ Verë Parge Çamërie…”

Ariet muzikore ishin përgatitur nga kompozitori i shquar Aleksandër Peçi ndërsa muzika e shfaqjes nga Elvis Peçi.  Zëri dhe eleganca e lëvizjes së krahëve si një mjelmë ishin në një harmoni perfekte.  Betejat e Skënderbeut së bashku me ushtarët e tij kishin tronditur botën, kishin frymëzuar shkrimtarët dhe artsitët e famshëm botërorë ku një prej tyre ishte poeti amerikan Longfellow i cili ka shkruar poemën për Skënderbeun dhe e ka përkthyer Fan S.Noli.  Po sjellë disa vargje prej Tij:  Nga Kështjella shpejt ka rënë/ Flamuri me gjysmë-hënë/ Edhe populli shikon/ Që në vent të tij valon/ Flamuri i Skënderit n’erë/ Shkab e zezë me dy krerë/ Dhe një thirrje lart u ngrit/ Se çdo zemër e çdo shpirt/ U mërzit nga turku i lik/ Që e bër atë Krujë/ Zi, murtajë dhe rrëmujë/ Ay zë me gas me bujë/ Q’oshëtin brek më brek/ Eshtë: “Rrofsh o Skanderbeg”!

Aktori Limani pruri Kombin të bashkuar në skenë, ashtu siç donte Kryetrimi Skënderbeu, me lojën aktoreske solli ushtarët trima shqiptarë që dhanë jetën për Lirinë kundër barbarëve turq, me poemën hymn për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun iu solli Diellin ndriçonjës shqiptarëve, se vetëm nën këtë prijës Shqipëria jonë do të mbijetojë dhe do të jetë kryezonjë.

 

Në 101 Vjetorin e Pavarësisë, më 28 Nëntor, 2013

Bronx, New York

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Keze Zylo, Lehman College, Skenderbeu, Xhevat Limani

QINDRA SHQIPTARE NE TEATRIN SVA NE MANHATTAN

November 9, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Duke shkuar drejt teatrit SVA që ndodhet ne Manhattan në hyrje të tij shfaqej reklama e shkruar me gërma të arta “Java e filmit shqiptar në New York”.  Nuk kishte shqiptar që të mos ndihej i emocionuar kur lexonte reklamen për javën e festivalit të filmit shqiptar.

Brenda teatrit të uronin mirëseardhjen drejtuesit dhe organizatorët e festivalit të filmit shqiptar z.Ariot Myrtaj dhe Mrika Krasniqi si dhe regjisori i filmit “Agon” z.Robert Budina.

Qindra shqiptarë erdhën në ceremoninë e hapjes së festivalit të filmit shqiptar ku dalloheshin midis tyre artistë, aktorë, regjisorë, kritikë, përfaqsues organizatash të ndryshme, media të cilët kishin ardhur për të mbështetur dhe parë filmin shqiptar.  Javën që kaloi u dha premiera e parë e filmit komik shqiptar “MikeyBoy” në teatrin e famshëm të Manhattanit AMC me aktorin e Hollivudit Mike Dusi, i cili së bashku me prindërit Maria dhe Zef kishin ardhur posaçërisht për Javën e Festivalit të filmit shqiptar.  Aktori i Hollivudit midis të tjerash tha se e kishte parë filmin dhe e vlerësonte punën e regjisorit Budina, si dhe lojën aktoreske të artistëve në film.

Ndërsa regjisori Budina tha se ndihej krenar për filmin “Agon” dhe komentoi se titulli aq simbolik i filmit është në shërbim të subjektit të zgjedhur.  Tranzicioni 20 vjeçar solli emigrimin e mijëra njerëzve në vende të ndryshme të botës dhe veçanërisht në Greqi.  Problemet e shumta gjatë tranzicionit i kam sjellë në film nëpërmjet dy vëllezërve ‘Saimir’ qe rolin e tij e luan aktori Marvin Tafaj, dhe vellai i tij Vini që luhet nga Guljem Kotori, dhe të tjerëve që ecin si në një tunel të errët dhe në fund të tunelit gjejnë një dritë që zbardh, “Agon”.   Në këtë pjesëmarrje binte në sy ardhja e shumë të rinjve çka të jep shpresë për një shtytje më të fuqishme kulturore në botën e artit ku bota ka shume nevojë për ta njohur sa më shumë Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.  Gjatë intervistave të shumta për TV Alba Life mjaft aktorë u shprehën se ishin të kënaqur për bashkëpunimin me njeri-tjetrin dhe shpresonin se do të sillnin dhe më shumë filma me tematikë nga bota shqiptare.  Z.Arton Myrtaj një djalë i talentuar si dhe znj.Mrika Krasniqi një vajzë plot sharm, bashkëorganizatore të Festivalit thanë para kamerave se ishte viti i dytë që e organizonin festivalin e filmit shqiptar dhe falënderoi gjithë bashkëpunetorët e tij që ishin ndodhur në çdo moment për ta realizuar sa më bukur edicionin e dytë të Festivalit.  Zonjusha Ermira Babamusta aktiviste e dalluar dhe promotore e kulturës tha se ishte e lumtur që zhvillohej edicioni i dytë i festivalit të filmit shqiptar dhe uroi që ky bashkëpunim të vazhdojë pambarim.   Aktori dhe regjisori i talentuar Ergys Bakalli si dhe aktori kryesor në filmin e tij “Made in America” Artan Telqiu thanë se ishin të nderuar që merrnin pjesë  në këtë film dhe falënderoi bashkëpunëtorët e shumtë.   Emira Berisha aktore që ka luajtur në teatrin “Invitation to a marriage” foli me plot dashuri për festivalet që organizohen dhe është kënaqësi që ne të marrim pjesë në to.  Edhe znj.Theodhora Rexhepi drejtore e marketingut tha se po punonte vazhdimisht për ta paraqitur festivalin sa më dinjitoz dhe më tërheqës.

Të veshur me kostume kombëtare aktorët që lujane role nga më patriotiket Shaban Lajci dhe Tom Gjergji thanë se organizime të tilla festivalesh sjellin gjithmonë atmosferë festive dhe njëkohësisht njohje të Shqipërisë pranë botës.  Aktori plot përvojë i disa roleve me origjinë nga Maqedonia z.Luan Bexheti ndihej shumë krenar për festivalin e filmit shqiptar dhe falënderoi gjithë aktorët, organizatorët që në këto aktivitete sjellin mjaft shqiptarë.  Të marrësh pjesë në këto aktivitete kaq të rëndësishme medoemos që ngarkohesh me emocione të fuqishme dhe ndihesh krenare për atë çka bëjnë shqiptarët e kulturuar.

Aty takohesh me plot dashamirës të artit, të kulturës, të edukimit ku prej tyre do të veçoja dhe tri zonjat profesore dhe studjuese, të cilat kishin menduar që më parë për t’i dhuruan shkollës shqipe Alba Life dy bluza me Flamurin tonë Kombëtar.  Gjesti fisnik i tyre do të më ngelet gjatë në kujtesë.

Festivali u hap me filmin “Agon” të regjisorit të mirënjohur Robert Budina.  Filmi “Agon” është përzgjedhur midis 76 filmave të huaj për çmimin Oskar në vitin 2014.  Shpresojmë që të zgjidhet në pesçen finale për të shkuar direkt në konkurrimin për Oskar. Para filmit kanë përshëndetur organizatorët e tij si znj.Mrika Krasniqi dhe Ariot Myrtaj.  Znj. Krasniqi e çeli ceremoninë e hapjes me falënderimin e gjithë artdashësve që merrnin pjesë në këtë festival si dhe kineastët për punën e shkëlqyer dhe bashkëpunimin me ta.  Ndersa Z.Myrtaj tha se ne sot jemi dy vjeçarë dhe shpresoj që kjo traditë të vazhdojë sa më gjatë.  Ai tha se unë u frymëzova për të organizuar festivale që t’i tregojmë botës kulturën tonë, historitë e shumta, ngase bota vetëm nëpërmjet kulturës, artit do të na njohë më shumë.  Z.Myrtaj falënderoi sponsorizuesit e shumte si Liberty Blue group, Familia pizeria, Elvis Murriqi, Bekim Bardhi, Bejtulla Krasniqi etj…

Ambasadori i Kosovës në New York z.Bekim Sejdiu me thjeshtësinë që e karakterizon iu uroi dy organizatorëve punë të mbarë dhe tha se kemi dhënë një kontribut modest si konsullatë në organizimin e këtij festivali dhe shpresoj që ky festival të kthehet në një traditë të bukur ngase promovohen vlerat kombëtare.   Me humor vazhdoi ai se jam i sigurtë se ju nuk keni ardhur këtu të dëgjoni fjalimin e një dipllomati, por keni ardhur për të pare filmin.

Pas fjalës së tij në skenë është ngjitur regjisori i filmit “Agon” z.Robert Budina.  Z.Budina midis të tjerash tha se jam shumë i prekur nga puna e jashtëzakonshme e dy të rinjve Krasniqi dhe Myrtaj.  Festivalet e mëdhaja nuk i bëjnë sipërfaqet, por energjia e njerëzve dhe shpresoj që në të ardhmen festivali të ketë sa më shumë kineastë.

Në fund të filmit “Agon” i cili  u ndërpre disa herë nga duartrokitjet z.Myrtaj dhe Krasniqi organizuan bashkëbisedimin me pjesëmarrësit në sallë.  Artdashësit  i drejtuan pyetje të ndryshme regjisorit Budina i cili u përgjigj plot kulturë dhe profesionalizëm.

8 Nëntor, 2013

Manhattan, New York

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali i filmit, Keze Zylo, Shqiptar ne Nju jork

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT