• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARADOKSI : BASHKIMI ME SHQIPËRINË VJEN SI PATERICË PER NDARJEN E KOSOVËS!

February 12, 2019 by dgreca

Paris, 12 shkurt 2019/

Nga Klara BUDA-Shefe e Këshillit për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë/

Në këtë moment preçiz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar.

E kam shprehur edhe më herët pozicionin[1]tim në lidhje me bashkimin Kosovë – Shqipëri.

Së pari, Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar. Si rrjedhojë e këtij specificiteti në ndërtimin e parlamentit të saj, ky i fundit e ka të vështirë të marrë shumicën e votave për çështje të mbijetesës, e jo më të vendosë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë.

Së dyti, bashkimi Kosovë-Shqipëri, një endërr e gjithë shqiptarëve që prej ndarjes së Kosovës nga trungu amtar, mund dhe do të duhet të realizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të pastruara nga krimi. Sot nën gangrenën e krimit, ato nuk janë funksionalë për të qeverisur problemet e brendëshme, e jo më të realizojnë bashkimin kombëtar.

Vërehet një hipokrizi dhe një manipulim i opinionit nga liderët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ata nuk e sqarojnë se si do të zgjidhet kjo aspiratë e tyre praktikisht në parlamentin aktual të Kosovës dhe anashkalojnë pasojat që do të sillte kjo : kërkesën e serbëve të Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që do të institucionalizonte një “republika serbska” brenda Kosovës dhe do të shërbente si justifikim për kërkesën e bashkimin të veriut të Kosovës më Serbinë.

Por kjo nuk është tema e këtij artikulli, ai rreket të tregojë se kërkimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht në këtë moment para zgjidhjes së problemit të Kosovë me Sërbinë, shkon në favor të ndarjes së Kosovës dhe kundër interesit kombëtar shqiptar.

Nëse pranojmë se bashkimi nuk mund të bëhët për shkak se të dy shtetet janë thellësisht të kriminalizuara dhe se kushtetuta e Kosovës nuk e mundëson një gjë të tillë atëherë është e qartë se deklaratat për bashkim në këtë moment kanë qellime të tjera. Ato, përveç se janë bomba tymëse për nevoja momentale të spektrit politik në të dyja anët e kufirit, të artikuluara në këtë moment kanë kryesisht një arsye tjetër : të ndihmojnë në pranimin e idesë për ndarjen e Kosovës.

Sado paradoksale që kjo mund të duket ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij të fundit nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar dhe në shërbim të krijimi të Serbisë së madhe.

Cilat janë idetë që përpiqen të ndihmojnë në pranimin nga opinioni publik të idesë qendrore serbe për ndarjen e Kosovës?

I – Bashkimi i Preshevës me Kosovën[1].

Presheva, është një zonë të lënë në mëshirë të fatit prej pushtetit serb e nga ku shqiptarët janë larguar në atë masë sa që ka shumë pak fëmijë shqiptarë në një fshat për tu hapur klasa të shqipes, apo që të ketë një maternitet. Përpos kemi të bëjmë më një pjesë pa burime natyrore, të cilën Serbia e ka kokëçarje.

II – Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën

Nëse Veriu i Mitroviçës (Miniera e Trepçes dhe Liqenin i Ujmanit) do të bashkoheshin me Serbinë, Kosovës i hiqet pjesa më e madhe e burimeve të saj natyrore dhe si rezultat ajo nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht. Ndaj ndarja e veriut kalon me vështirësi tek opinioni publik. Atëhere hidhet karemi i bashkimit me Shqipërinë: vërtet aneksohet miniera e Trepçes dhe liqeni i Ujmanit, por bashkimi me Shqipërinë i jep Kosovës dalje në det dhe së bashku me Shqipërinë bëhet një vend që mund të mbijetojë!

Shtrohet pyetja, se pse pikërisht në këtë momënt, Serbia i ka harruar akuzat e saj të gjithëherëshme për Shqipërinë e madhe? Edhe ky fakt vjen e vërteton hipotezën se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është vetëm një patericë që i shërben idesë së ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut të saj të pasur nga Sërbia.

Si konkluzion bashkimi Kosovës me Shqipërinë në fakt nuk është ende një projekt serioz i liedershipit në Shqipëri e në Kosovë, por qartësisht vetëm një patericë e idesë për ndarjen e Kosovës e kurdisur në Beograd. Trumpetimi i tij në këtë moment i shërben ndarjes së Kosovën dhe krijimit të Sërbisë së madhe, të cilën askush në Ballkan e në Europë nuk e dëshëron.

[1]Nënvizojmë se nuk bëhët fjalë për gjithë zonën shqiptare ku përfshihet lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanovçi dhe këtu është një kurth tjetër; pse jo e gjithë pjesa shqiptare e jugut të Sërbisë, po vetëm Presheva?

[1]shih Rrokum Tv, nentor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: bashkimi me Shqiperine, Klara Buda, kosova, ndarja, Paradoksi

Klara Buda në Francë me “raki shqiptare” të Mitrush Kutelit, në 110 vjetorin e lindjes së tij

January 27, 2017 by dgreca

1 mitrush kuteli(Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, me Shkrimtaren dhe Gazetaren e mirënjohur Klara Buda)/
1-raimondaok-250x266

Bisedoi:Raimonda MOISIU/Shkrimtarja, gazetarja adhe esseist-ja, Klara Buda është një emër fort i njohur në botën shqiptare, e cila jeton dhe punon mes Parisit dhe Neë York-ut. Më një përvojë të konsoliduar e mbresëlënëse në menaxhmin e strukturave të mediave në Francë e SHBA-ës, deri edhe këshilltare në komunikim. Klara Buda i jep rëndësi të vecantë lirisë së  fjalës, së individit  dhe lirisë të një  shtypi të lirë. Krijimtaria letrare e saj si romanciere është e fokusuar në lirinë individuale dhe e të drejtave të njeriut, ndërsa shqetësimi i saj në gazetari është kultura e korrupsionit, me qëllimin e vetëm për ta denoncuar atë, promovon një gazetari në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik. Këtë lloj vizioni gazetaresk, znj. Buda e ka reflektuar në krijimin e mediave të pavarura si Beratinus TV dhe internet Gazeta KlaraBudaPost. Me një  karrierë brilante e mbresëlënëse  të gazetarisë,  si Kryeredaktore dhe Lektore në Radio Journalism për Radio France International, me qendër në Paris, në departamentin franko-shqiptar deri në  mbylljen e këtij programacioni, në vitin 2010-ë. Gjithashtu shkrimtarja dhe gazetarja Klara Buda ka punuar për disa kohë  për UNESCO-n dhe departamentin Transmetimeve britanike,  Corporation BBC. Ajo ka menaxhuar  trajnime të shumta në gazetari në vendet e Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në vitin 2012-ë,  ajo ishte këshilltare e jashtëme,  për Çështjet Ndërkombëtare dhe Mediat në  Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë. Për kontributin e saj në vitin 2013-ë, ajo u nderua me Cmimin e personalitetit «Frankofone të Vitit» nga “Organizata Internacionale e  Frankofonisë” dhe MPJ të Shqipërisë. Në vitin 2015-ë ajo themeloi në Neë York, “Korporata e Diplomacisë Kulturës Shqiptare”,  misioni i të cilës  është  të promovojë   shtrirjen e kulturës shqiptare në Diasporë.  Në të njëjtën kohë,  ajo që ja motivon ditën znj. Buda është pasioni për letërsinë. Krijimtaria letrare e saj si romanciere, gjithashtu është e fokusuar në lirinë individuale, Punimi i saj Universitar,  biografia letrare e Mitrush Kutelit dhe përkthimi i rrëfenjës “Fshati im e pi Rakinë”, i mbrojtur frëngjisht në Ecole Pratique Des Hautes Etudes, Paris është përkthyer në shqip nga Adriana Koxha. Përkthyesja Klara Buda, me “rakinë shqiptare” të Mitrush Kutelit, në 110 vjetorin e lindjes së tij, pikërisht në Francë, si punim dygjuhësh. Romani “Kloroform’, i botuar së fundmi, u vlerësua maksimalisht nga kritika e kohës.

Aktualisht, Znj Buda bashkëpunon me gazeta të ndryshme franceze dhe është kreu i TV & Film Production Studio, Beratinus, etj.  Publicistika e Klara Budës është vlerësuar me Cmime kombëtare e ndërkombëtare, është vlerësuar gjithashtu edhe këtu në Amerikë.  Në këtë intervistë shkrimtarja, gazetarja dhe esseist-ja Klara Buda, flet për jetën e saj mes Parisit dhe Neë York-ut, dhe për udhëtimin e saj të cmuar si krijuese; romanciere, gazetare, esseiste dhe përkthyese. Për më shumë ndiqni bisedën.

Bisedoi: Raimonda MOISIU

 

-Si u gjendët në krye të Studios së prodhimit (TV & Film Production) Beratinus?

 

Projekti im i krijimit të Studios Beratinus ishte më tepër fryt i një rastësie se sa një plan. Projekt im fitoi konkursin e Radio Francë Internacional dhe ju akordua “Prime de Creation “, Çmimi i Krijimit prej 20.000 Euros, është granti më i madh që akordon ky institucion publik francez si RFI-ja. Në jetën time jam drejtuar nga parimi më mirë të dish, se sa të kesh dhe e vetmja fushë ku kam financuar është dija, nëpërmjet studimit, por edhe karrierës: vend pune të cilin e kam vlerësuar, për çka më ofron intelektualisht. Kështu që, shumë më quajtën të çmendur kur vendosa me dëshirën time të largohem nga Radio Franca, pas mbylljes së Redaksisë së Gjuhës Shqipe, ky me statusin e krye- redaktores, që do të thotë një rrogë të lartë,  më e lartë se mesatarja e rrogave në Francë, kisha një të ardhur të jashtëzakonshme. Në gazetarinë  Franceze nëse ngrihesh në nivelin e kryeredaktorit, nuk e humb më këtë nivel edhe nëse ndryshon shërbim dhe aq më tepër që personalisht pata  kontratë të përjetëshme. Por, ajo që për disa ishte çmenduri, për mua ishte një hap i rëndësishëm në karrierën time. Më duhet të pranoj se ishte  akt i guximshëm, pasi Franca ka një sistem të mrekullueshëm të vlerësimit dhe trajtimit të gazetarëve, që nuk e gjen në Amerikë, ku hapa studion time.  Pra fakti që kisha një rrogë të mirë nuk ishte i mjaftueshëm të qendroja në RFI, siç bëri i gjithë ekipi i Redaksise Shqipe,  të cilin  unë e  drejtoja. Për mua faza e radios kishte përfunduar dhe desha të shoh horizonte të reja si kinematografia, prodhimi dokumentar dhe televiziv.  Kinematografia ishte diçka që ka ardhur në mënyrë të natyrshme në karrierën time. Në fund të fundit gjithshka reduktohet në tregimin e një historie dhe sa më mirë të njohësh mediumet e ndryshme, aq më lehtë e qartë, do të mund ta tregosh këtë histori me stil dhe formë universale. Mbyllja e kontratës me RFI-në koinçidoi me pranimin e projektit të skenarit të romanit “Kloroform” nga John Truby Ëriting Studio dhe paralelisht një vit universitar në Creative Ëriting, master class në skenar filmi, USA. Pra, unë zgjodha të mos integroj shërbimin Francez të RFI-së, në shkëmbim të disa dhjetra mijra euro shpërblim dhe financimin e një viti universitar në SHBA-ës. RFI –ja e financoi gjthshka në këtë vit universitar në SHBA, dhe i jam mirënjohëse Radio France Internationale, për trajtimin dinjitoz, që më ka bërë, nga emërimi në krye të ekipit shqiptar dhe finacimi i ëndrrës sime kinematografike.

 

-Me studion tuaj Beratinus, ju keni konceptuar, drejtuar dhe prodhuar TV Shoën; “Shqipëri të Dua! Cili është objekti i këtij shoë?

 

Përmes portreteve të spikatur dhe personazheve të suksesshëm në perëndim analizohet kompleksiteti i të qenit Shqiptar, evoluimi i riteve e zakoneve tradicionale shqiptare në këto vite tranzicioni. Në këtë kontakt të fuqishëm me botën perëndimore analizohen përmes diasporës së re e të vjetër,  të qenit shqiptar, “Shqiptaria e mbartur në bagazhe” analizohet me dashuri e thjeshtësi, pa tabu dhe pompozitet, pa dramaticitet dhe duke e vënë theksin në anët më të mira, që na çojnë përpara si individë e komb, duke stigmatizuar ato që na tërheqin pas, apo na mbajnë të lidhur me të shkuarën.

Gjithshka bëhet me respekt dhe humor, bëhet shaka me veten, për të relativizuar cfarë është e dalë mode dhe cfarë është e re dhe moderne në të qenit Shqiptar, në Tiranë, Paris, Neë York, Romë, Athinë apo Alaska. Si e jetojnë ethnicitetin kombe të tjerë migrante, a i reziston më fort,  apo me pak identiteti shqiptar asimilimit në përgjithësi, si evoluojnë pjesë të tij?

Cfarë është e veçantë në kulturën tonë, e cila  në dallon nga kulturat e tjera europiane?

Për shëmbull: A është rastësi që Nënë Tereza është Shqiptare apo kultura jonë prodhon nëna të mrekullueshme,  pasi femra shqiptare është para së gjithash nënë!

-Dhe kjo temë është pikërisht në bazë të projektit tuaj Nënat e Guximit!

Ky është një  projekt që ka për qëllim në  realizimin e dokumentarit Nënat e Guximit, në zhanrin dokumentar.  Një grua shqiptare shpesh sakrifikon cdo gjë për fëmijët dhe familjen e saj dhe shpesh ajo është  parasëgjithash, Nënë.

-C’mund të na thoni si filloi karriera tuaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës? Cfarë mendoni se ju ka frymëzuar për t’u bërë krijuese?

Kam filluar të shkruaj që në moshë të re, Mbaja ditar dhe në të përvçse shënimeve, pikturoja dhe tek -tuk shkruaja edhe poezi. Një numër syresh janë botuar në gazetat letrare të Shtëpisë së Pionerit. Më vonë tematika e tyre nuk ka qenë e natyrës së botimit, pasi me shpesh kanë qenë poezi satirike, për ngjarje apo objekte. Më kujtohet se në familje më tërhiqnin vëmendjen shpesh, që të kisha kujdes se mos i lexoja jashtë. Më vonë kam shkruar tregime të shkurtër, por edhe në prozë ritmi poetik ka qenë i pranishëm deri vonë; hartimet e mia pëlqeheshin, më kujtohet se hartimin përfundimtar, atë të maturës e kam shkruar tërësisht në poesi. Sa do të dëshiroja dhe sa kurioze do të isha, të mund ta lexoja, atë tekst sot.

-Isadora Duncan shkruan:Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë,  megjithëse  arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithcka,  ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithcka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju?

 

Është e vërtetë se arti kërkon përkushtim mendor, pasion dhe intelegjencë dhe se këto faktorë të domosdoshëm për të krijuar nuk varen aspak nga seksi. Jam i një mendimi; do ta nuancoja paksa, duke thënë se çdo individ mund të jetë një artist i vërtetë, nëse ka imagjinatë, pasion, përkushtim dhe inteligjencë. Madje mund të shkoj edhe me larg duke cituar romancierin anglez i Çmimit Nobel në Letërsi, Ëilliam Golding, te “Lord of the Flies”: “Unë mendoj se gratë janë të çmendura tek pretendojnë se ato janë të barabarta me burrat, ato janë shumë më superiore dhe gjithmonë kanë qenë”

 

-Duke lexuar novelën tuaj e botuar  vitin e kaluar “Kloroform” vërej se ju keni një aftësi të pabesueshme të stilit tuaj në prozë, që dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër  autoret femra shqiptare e klasit të parë –sipas publicistit dhe essistit Sami Milloshi  dhe kritikës letrare ndërkombëtare të kohës. Cfarë mendoni se ka mbetur konstante?

 

Konstantja në shkrimin tim është qëllimi për të transmetuar një ide, për të ndriçuar një dilemë sociale, për të stigmatizuar një fenomen që shqetëson. Kjo mendoj se është një konstate në shkrimin tim në përgjithësi. Nuk sajoj historira tërheqëse për t’u lexuar,– por përpiqem të transmetoj idetë duke i vënë ato në kontekstin e duhur. Historia apo ngjarja e romanit është një mjet për të tërehequr lexuesin  që e ndihmon atë në kapjen e thelbit të ideve dhe temat që trajtoj.

 

-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj të romanit? Sfida që u përballeët  me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve, ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

 

Eksperienca personale pasuron njohjen, por imagjinata shkon gjithmonë shumë më larg se një eksperiencë personale, madje shumë më larg se eksperienca të lexuara. Mendoj se jo vetëm eksperienca personale, por edhe e gjithë letërsia e lexuar është në “bazën e të dhënave” të autorit në momentin e konceptimit të një krijimi të ri, sado i vogël qoftë ai. Nëse një autor bazohet vetëm në eksperiencën e tij personale, vepra e tij do të ishte shumë e varfër dhe pa interes. Por eksperienca personale, personaliteti dhe veçoritë e një individualiteti krijues janë një lloj filtri, ku kalon gjithë “ari” i lexuar dhe jeta e jetuar. Jo më kot André Malraux shkruan: “ Biografia e një artisti është biografia e artit të tij ”, kjo shprehje është e dykahëshme.

 

-Zhanrin e romanit “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

 

Romani mendoj është gjinia më e plotë për komoditetin e shprehjes; ai të lejon të shprehësh gjithshka pa asjnë kufizim, në të gjitha nivelet e mundëshme; tregimi të kufizon në gjatësi dhe personazhe. Letërsia është një nga mënyrat më të fuqishme dhe të sofistikuara të transmetimit e dijes njerëzore, ajo jo vetëm që e tejkalon gazetarinë, madje ajo është më e sofistikuar se filozofia. Romani është një gjini pasi të lejon të kesh një gamë të gjerë lexuesish. Por një gjini që e pëlqej, është edhe rrëfenja në vetën e parë, apo rrëfenja shkurt, e lëvruar me art, oh sa me art prej Kutelit, babait të prozës së shkurtër shqipe. Romanit “Kloform”  i erdhi koha të përkthehet në anglisht,  nga eksperienca e di që gjërat nuk duhen sforcuar, por duhen bërë në kohë.

-Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?

 

Nuk e di nëse mund të klafsifikohem si shkrimtare feministe, pasi letërsia ime nuk është një letërsi e angazhuar që i shërben kauzës feministe.  Personalisht jam për barazinë e sekseve, kundër patriarkalizmit; por korrentet feministe sot i tejkalojnë këto, kryesisht në Amerikë, mendoj se i tejkalojnë ato europiane, saqë sot në Amerikë, po bëhet e vështirë të jesh burrë. Ndërsa si kohë, -po,-ajo i përket periudhës postkomuniste. Kemi të bëjmë me një letërsi e prodhuar jashtë kufijve të Shqipërisë dhe megjithë statusin tim të veçantë: të një gazetari, që e ka kaluar pothuaj gjysmën e karrierës duke trajtuar realitetin shqiptar. Unë nuk frymoj  në Shqipëri prej gati 26 vite,  por megjithëse nuk ndeshem me vështirësitë e ekzistencës aty, por në Paris e Neë York, nuk jam e huaj për realitetin e përditshëm në vendin tim, pasi ndjek nga afër revolucionin e tij.  Mendoj se një temë e rëndësishme për mua është liria e individit dhe dimensionet e saj. Në mënyrë më të veçantë: rrugëtimi i vështirë drejt lirisë, i adultëve të rritur në diktaturë. Çlirimi i tyre nga e kaluara, në kuptimin e plotë të fjalës, duke e parë këtë ecje drejt lirisë personale si një akt vetjak të rëndësishëm. Një akt që është rezultat i një pune personale, që nuk mund të jetë i vetvetishëm. Me rënien e totalitarizmit,  që tek ne rimonte edhe me taraf edhe me gënjeshtër, nuk ndodh si me magji edhe vetçlirimi i njerëzve të rritur e edukuar në të nga mënyra totalitare e të menduarit, praktikat jetësore totalitare. Qënia totalitare nuk vdes lehtë! Ndërkohë zgjedhjet personale janë ato të cilat  ndikojnë, që njeriu të evoluojë drejt një lirie më të madhe, apo të burgoset akoma më shumë. Liria është një nocion relativ dhe liria personale, shpesh imponon edhe sakrifica. Nuk është e lehtë t’i shpëtosh joshjeve të rrugëve të lehta, të cilat janë shpesh komprometuese dhe vjedhëse, apo varmihëse lirie. Çdo akt kompromisi që bëjmë në jetën tonë, na e zvogëlon çdo herë nga pak lirinë, na i zvogëlon gradet e saj. Inspirim për mua janë individë e liderë, të cilët  kanë jetuar dhe i kanë kushtuar jetën idealeve të lirisë së individit, të barazisë dhe dinjitetit njerëzor.

 

-Cfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht?

 

Realiteti nuk është një materje që më intereson në vetvete, për ta paraqitur apo transformuar artistikisht. Letërsia ime ka një kahje tjetër, ajo është vendi ku tentohet të kuptohet, të analizohet e të shpjegohet rrugëtimi i individëve drejt rritjes, emancipimit, zhvillmi i tyre në përgjithësi. Në romanin Kloroform, në qendër është liria e individit dhe dhunimi i saj, ose me saktë përdhunimi i saj, sepse fjala dhunim nuk është aq e fortë sa duhet për të shprehur dhunën kundër lirisë së individit që ka ndodhur në Shqipërinë totalitare.

 

Përsëri te proza tuaj.Teksa i lexon  të japin përshtypjen e “ngjarjeve” reale, apo duhet t’i vlerësojmë  për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substancat humaniste në përputhje me interpretimin tradicional historik, të jetës, midis modernes,  artit dhe filozofisë?

 

Nëse ngjarjet iu tingëllojnë reale, ky është  kompliment shumë i madh. Ngjarjet janë tërësisht të trilluara, në kuptimin se ato që përshkruhen në roman nuk i kanë ndodhur një njeriu të veçantë, por të gjithë shqiptarëve bashkë. Simbolika është gjithmonë e pranishme, pasi mua më pëlqen të luaj me të, dhe simbolet kanë fuqi të konsiderueshme, loja me to i jep tekstit disa nivele leximi, nga ai emocional e deri tek ai psikologjik.

 

-A ka dicka nga jeta reale në librat tuaj? Cfarë lloj kërkimi keni bërë për to? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?

 

Ngjarjet që përshkruaj janë totalisht imagjinarë, (fiction), përmes tyre tentoj t’i afrohem dhe të bëj të prekëshme dhunën, që sistemi ushtronte mbi individin. Kam studjuar çdo vepër të botuar mbi terrorin dhe dhunën e totalitarizmit shqiptar këto 25 vjet. Por, persekutimi i individit në rregjimin totalitar është një eksperiencë që fatkeqësisht, ( dhe fatmirësisht për formimin dhe analizën time ), e kam jetuar së pari përmes njerëzve të famijes, por edhe timin personal. Im atë, një mjek poligot e humanist është dënuar si teknokrat në vitin 1967-ë dhe është internuar me ceremoni. Disa vite më parë nëna ime, ishte larguar nga gjimnazi dhe ishte dërguar mësuese në fshat, për veshje ekstravagante. Gjyshi nga nëna është shpronësuar dhe ka bërë burg për agjitacion e prapagandë. Im vëlla është përjashtuar nga Universiteti me akuzën për grisje të veprave të klasikëve. Unë përfundova gjimnazin me notën absolute “dhjetë”, dhe m’u refuzua e drejta e studimeve universitare dhe në vend që të shkoja në Universitet, kam punuar në ndërmarrjen e bonifikimit në Hoxharë, derisa falë një njeriu human Aleks Buda, u çova në universitet. Një shëmbull që asgjë nuk duhet marrë kurrë bardhë e zi – se edhe brenda atij sistemi të dhunshëm ka pasur njerëz që të gjendur për një arsye a për një tjetër në ingranazhet e tij- bënin ç’ishte në fuqinë e tyre për të zvogëluar mizorinë e sistemit.

-Znj. Buda, ju  keni një karrierë gati 25 vjecare gjithashtu në publicistikë, në gjuhën  shqipe, angleze dhe frënge. Kam lexuar  me interes të vecantë editorialët  tuaj  studimore, esse, trajtesa, analiza, opinione, e publikime të tjera në fushën e publicistikës. Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?

 

Jam rritur në një familje qytetare, që bënte pjesë në opozitën historike të rregjimit, ku gjërat emërtoheshin me emrin e tyre. Im atë ishte një mjek i apasionuar pas profesionit të tij, ai lexonte në mënyrë të vazhdueshme vepra të specializuara dhe periodike të mjekësisë, kryesisht italiane. Nëna mësuese letërsie dhe historie në shkollë të mesme. Im atë kishte studjuar në seminarin ortodoks të Tiranës, dhe më pas në liceun francez të Korcës dhe ishte diplomuar për mjekësi në Sofje, Bullgari. Rridhte  nga një familje e vjetër orthodokse dhe kishte kryer gjithë shkollimin e mundshëm fetar. Ishte i vetmi shqiptar që kishte formimin në teologji për t’u bërë Peshkop i Shqipërisë, në kohën kur u zgjodh Janullatosi, pas përmbysjes së totalitarizmit. Në atë kohë ka qenë anëtar i këshillit të Kishës orthodokse, por u largua, pasi nuk përputhej gjithmonë në mendim. Në vitin 1997-ë, të dy prindët e mij, emigruan në Francë.  Ati im  ishte një  intelektual poligot e liberal, por mbi të gjitha, ishte  njeri shumë i ndershëm. Nëna ime ka qenë shumë strikte. Integriteti ishte një nga vlerat kryesore, që kam marrë në familje. Si gazetare jam formuar në Francë, një vend ku ka rregulla të përcaktuara qartë. Konflikti i interesit mund të çojë në humbjen e kartës së shtypit dhe të ushtrimit të profesionit, por mbi të gjitha është diçka që moralisht është shumë e dënueshme, humbja e reputacionit në fusha si media është shpesh e pa-kthyeshme. Gazetarë dordolecë që shërbejnë sa majtas sa djathtas,  nuk kanë jetëgjatësi profesionale, ata detyrohen ta lenë gazetarinë dhe të merren me gjë tjetër. Implikimi, në më të voglën ngjarje të paqartë mund të kushtojë shtrenjtë. Etika e gazetarit profesionist ka shtuar pjesë të tjera në personalitetin tim. Por mendoj se kundvështrimi im, shpesh i ndryshëm nga mendimi dominant, është cilësi e lidhur me një evolucion personal të të menduarit, që lidhet me shumë me një analizë të ndryshme nga të tjerët, se sa ka të bëjë me integritetin. Por është integriteti ai, që bën të thuash mendimin tënd edhe kur kjo është jashtë interesit tënd. “Liria dhe e vërteta janë dy binarët që bëjnë gazetarin,  të kryejë misionin e tij të shenjtë të informimit. Çdo akt kompromisi që bën në jetën e tij, ia zvogëlon atij çdo herë nga pak lirinë e domosdoshme për mbrojtur të vërtetën. Por kurajua për ta thënë këtë të vërtetë, kur kjo përbën rrezik, është ajo që ndan gazetarët e mëdhenj nga të vegjëlit. Ndan ata që ja kanë kushtuar jetën misionit nobël të gazetarit dhe atyre që livadhisin sa andej e këtej në këtë profesion: kanë zvendësuar seksin me të shkruarin.

 

-Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arrini  ju ta realizoni  këtë në prozën tuaj?

 

Kjo është një pyetje shumë e veçantë dhe vjen nga njohja juaj si autore që lëvroni sikurse letërsinë edhe publicistikën. Vetëm një njohës i mirë i të dyjave mund ta bëjë këtë pyetje. Mendoj se letërsia dhe publicistika janë dy kahje të ndryshme në gjuhë. Ndërsa letërsia e mirë e zhvillon dhe e përpunon frazën, e bën atë të dykuptimtë, mes dy kuptimeve, apo shkon më tutje dhe e bën shumëdimensionale, gjuha publicistike ecën në kah të kundërt, ajo tenton drejt thjeshtësimit, në favor të qartësisë. Nëse ambiguiteti, dykuptimësia në fiksion është vlerë, në publicistikë ai është dobësi. Publicisti dhe autori i fiksionit shpesh duhet të “ xhonglojë” mes këtyre dy kahjeve. Janë dy ushtrime krejt të ndryshme. Ndërkohë profesioni i gazetarit është i pa zëvendësueshëm për të pasuruar fiksionin. Askush më mirë se një gazetar profesionist nuk e rrok aq shpejt aktualitetin, instikti i gazetarit që fitohet nga praktika e profesionit është përparësi kundrejt  autorëve  të fiksionit.

 

 

-Znj. Buda, ju jeni edhe përkthyese, dhe keni përkthyer disa libra, kryesisht në shqip e gjuhën frënge. Cfarë ju ka shtyrë t’i përktheni ato? Cilët janë autorët  dhe titujt e tyre? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e tyre?

 

Duke punuar në një redaksi shqipe në perëndim, përkthimi është një ushtrim i përditshëm dhe më është bërë shprehi, apo rutinë. Ndryshe qëndron puna me përkthimin letrar. Këtë e kam ushtruar në kuadrin e studimeve Universitare në Histori Arti, në Francë. Gjatë programit kemi punuar për përkthimin e kanunit të Lek Dukagjinit në frëngjisht, që e ka përkthyer drejtuesi i tezës sime mbi Kutelin, latinisti dhe albanologu i mirënjohur Christian Gut. Në këtë kuadër për të bërë të mundur studimin e Mitrush Kutelit, m’u desh të përktheja rrëfenjën “Fshati im e pi Rakinë”. Egzistonte një përkthim shumë i dobët në frëngjisht i novelës Vjeshta e Xheladin Beut, nga Luan Gjergji, një pseudonim, dhe që i kishte mbyllur “derën” e përkthimit të veprës së Kutelit në Francë. Duke pasur parasysh këtë përkthim Ecole Pratique Des Hautes Etudes, e hodhi poshtë, si jo interesant studimin e veprës së Kutelit. Por unë nuk u tërhoqa, këmbëngula se përkthimi ishte shumë i dobët  dhe e cënonte vlerën e veprës, kështu që propozova të përkthej një novelë tjetër të Kutelit. Ata pranuan dhe përmes stilit të kësaj rrëfenje e binda komisionin,  që të pranonte studimin e Kutelit në një Universitet francez. Kjo rrëfenjë madje edhe është dramatizuar dhe është vënë në skenë në Normandi të Francës,  një zonë ku prodhohen pijet calvados, që është një lloj rakie molle. Tema e studimit është: Biografia Letrare Mitrush Kutelit dhe përkthimi i rrëfenjës “Fshati im e pi Rakinë”. Në këtë punim Universitar mbi Mitrush Kutelin jam drejtuar nga Profesor Christian Gut, një albanolog i njohur antar i akademisë së Shkencave të Kosovës dhe prof. Remzi Përnaska, ka qenë një nga oponentët. Punimi është përkthyer në shqip dhe tashmë doli edhe në frëngjisht, në sesionin dimëror letrar francez, është një rrëfenjë tipike për procedenë e vecantë të Kutelit, atë të stilit të tij oral (ligjërues)  dhe ngjashmërinë me Baladën, sipas konceptit të ethnografeve gjermanë. Por sa herë që kam tentuar të merrem me ndonjë përkthim, është gjithmmonë shkrimi letrar, që ka thithur gjithë energjinë, pasionin dhe interesin tim. Ndjehem më e plotësuar tek shkruaj, se sa kur përkthej.

 

-A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut.  Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

 

Po kam shkruar disa skenarë. “Nënat e Guximit”, është një prej tyre, si dhe skenarin e romanit “Kloroform” për të cilin kam punuar gjatë një viti universitar në “creative ëriting” në Amerikë. Kam në dorë skenarin mbi jetën e gjyshit tim në Amerikë,  kthimin në Shqipëri, shpronësimin nga regjimi totalitar dhe dënimin me burg për agjitacion dhe  prapagandë. Skenari është një shkrim i pasuruar me elementët teknikë të xhirimit dhe të planeve filmike. Në prozën time ka shumë imazh dhe është e  lehtë,  që me tekstet e mija të bëhen skenarë filmash. Shkrimi i skenarëve ka qenë një ushrim pasurues për stilin tim në prozë. Madje,  pas punës së thelluar të shkrimit të skenarit të romanit “Kloroform”, vetë romani, është bërë më i ajrosur dhe më pak hermetik. Skenari i filmit është një shkrim që imponon thjeshtësim të gjuhës, pasi personazhet e filmit flasin në aksion dhe detyrimisht shkurt e konkretisht. Respektimi i këtyre elementëve kur shkruan roman, ndihmon për zgjerimin e gamës së lexuesve, por jo detyrimisht e rrit cilësinë e prozës.

 

–Dhe kjo temë është pikërisht në bazë të projektit tuaj Nënat e Guximit..? Ju gjithashtu keni themeluar Shoqatën Albanian Cultural Diplomacy që e lançoi këtë projekt., c’mund të na thoni për këtë?

 

Ky është një projekt që ka për qëllim në  realizimin e dokumentarit-Nënat e Guximit.Gruaja  shqiptare shpesh sakrifikon çdo gjë për fëmijët dhe familjen e saj

Nuk është rastësi që Nënë Tereza ishte shqiptare, sakrifica e nënave shqiptare është produkt i kulturës shqiptare dhe traditës në tërësi. Nënat e mrekullueshme,  “Prodhimi”, më i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore.

 

 

-Në punën tuaj si përkthyese, a e ka nxitur përkthimi i tyre ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin tuaj të të shkruarit?

 

Përkthimi është një ushtrim i mirë për disa arsye. Duke përkthyer një vepër ju i bëni asaj një lexim shumë të thelluar dhe mësoni nga struktura e saj, shumë më tepër se sa një lexim, qoftë edhe ma laps në dorë. Përkthimi të pasuron shumë, jo vetëm në gjuhën të huaj, sepse nevoja e përkthimit të bën të kërkosh fjalë e shprehje, që nuk i njeh, por nga ana tjetër meqë gjuhë të ndryshme nuk janë njëlloj të pasura për fusha të ndryshme semantike atëhere përkthimi të ndihmon të pasurosh atë gjuhë, që është më e varfër në një fushë të caktuar. Në këtë optikë përkthimi e ndihmon krijuesin duke i ofruar atij një kuptim më të mirë të veprave që ka përkthyer, gjë që ndihmon edhe strukturimin apo pasurimin e veprave të tij të mirëfillta. Kemi përkthimin “Polivalente”, apo ndryshe, përkthimi i destinuar për radio dramatizim. Kam përkthyer dhe përshtatur në shqip një seri 60-ë emisionesh, të mësimit të frëngjishtes për shqiptarët: “L’affaire du coffret” ( Çështja e Sëndukut), histori me gjueti thesari në botën franceze magjepëse, të pasur dhe realiste, e cila  është perlë për çdo vizitor të huaj në Francë dhe përballet me leksikun urban dhe frëngjishten kulturore. Gjithashtu, personalisht kam qenë përgjegjëse për Kastingun dhe radio dramatizimin e këtij ciklit. Theatri është një nga pasionet e mija. Ky pasion së bashku me atë të radios dhë mundësionë e  bashkëpunimit për  radiodramatizimin e kurseve të frëngjishtes, në ciklin « L’affaire du coffret”, me mbështetjen dhe  bashkëpunimin  me aktorin e mrekullueshëm Arben Bajraktaraj dhe Cecilia Plasari.

 

-Znj.Buda ju jeni në Bordin e Pen America/Free Expression Literature me qendër Neë York.  Si e shihni kontributin tuaj në të? 

 

PEN America është shoqata prestigjioze e shkrimtarëve amerikanë, ajo është e përkushtuar në Free Expression në letërsi dhe gazetari. Qëllimi i saj është të promovojë dhe të mbështesë lirinë e shprehjes si dhe të mbështesë kolegët që ndeshin vështirësi në ushtrimin e profesioni të tyre në vende ku kufizohet liria e shprehjes në mënyrë të hapur apo të fshehur. Kontributin tim në lirinë e shprehjes në letërsi dhe gazetari e konsideroj si një detyrë qytetare. Po ashtu e quaj edhe mbështetjen e kolegëve të persekutuar në vendin e tyre, për shprehjen hapur të mendimeve në shkrimet e tyre.

 

– Me sa di unë si një dashamirëse e artit tuaj krijues, kini realizuar dokumentarë, skenarë   që kanë  patur jehonë në Paris dhe Neë York, por dhe  mjaft  të vlerësuar nga kritika botërore. Cfarë ju ka tërhequr dhe si kini arritur t’i realizoni ato”?

 

Reportazhi radiofonik ka qenë pjesa kryesore e punës sime gjatë gjithë karierës si gazetare në Radio France Interncional. Së fundi kam punuar në një cikël reportazhe televizivë, me autorë të cilët përpiqem t’iu rrëmbej pjesën e pashkruar të veprave të tyre. Cdo autor ka një dimension të cilin nuk e gjen në veprën letrare, dhe dokumentari në formë interviste tenton pikërisht të zbulojë këtë anë të pa thënë të këtyre autorëve.

 

– Cfarë mendoni për statusin aktual të kritikës. A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

 

Unë mendoj se totalitarizmi në letrat shqipe nuk është përmbysur! Dhe se në letrat shqipe ka shkrimtarë të mrekullueshëm, por ata që të rriten në përmasa botërore, duhet të çlirohen nga frika, të heqin servilizmin si mënyrë ekzistence dhe të distancohen nga “princat e letrave shqipe” dhe të pushojnë së qëni ende servilë e adhurues të tyre, të heqin dorë nga përkatesia klanike dhe t’i kushtohen tërësisht lexuesit.

 

-Cfarë ju pëlqen e cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj të përditshme?

 

Më pëlqen pjesa e krijimit, por kam dëshirë të delogoj cdo punë tjetër, kur kjo është e mundur.

 

-Në ditët e sotme tradita e realiteti “përzien” me  vlerat fetare. Si romanciere dhe publiciste, pra si autore femër, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera?

 

Pranimi i diferencës dhe i tjetrit si i barabartë me ty, është pjesa e mirë e marrëdhënieve njerëzore, mospranimi i tjetrit dhe i kulturës së tij ose konsiderimi i kulturës së tjetrit si kulturë inferiore krijon konfuzin dhe madje tension e konflikt në marërdhëniet njerëzore. Unë mendoj se nuk ka një kulturë. Kultura perëndimore është një kulturë e vlefshme, por jo superiore. Të gjithë kulturat kanë vlerën e tyre.

 

–Si jeni ndjerë përballë botës së frikëshme të mediokritetit klaneve hipokritëve dhe inferioritetit maskilist?

 

Shoqëria shqiptare ka ende tipare të theksuara maskiliste. Sigurisht që jo vetëm femrat por edhe meshkujt e emancipuar nuk ndjehen mirë në këtë lloj mjedisi. Madje edhe në rrethet intelektuale kjo është shpesh e pranishme, nuk ka një kulturë të barazisë të sekseve. Nuk ka një barazi që të mësohet në shkollë, nuk ka ende një barazi të sekseve në familje, nuk ka një letërsi që ta promovojë këtë barazi të sekseve; femra shihet ende si objekt. Nuk ka një respekt të femrës si partnerë në punë, në bisznes. Një femër duhet të ketë një burrë, një të dashur, duhet të ketë një prezencë mashkullore, që të merret seriozisht. Ka vetëm një stereotip të vlerësuar: femra e martuar dhe mundësisht nënë. Çdo femër përfundon herët a vonë në këtë stereotip, në martesë qoftë edhe të stisur në fund të rinisë sepse është shumë e vështirë t’i dalësh kundër modelit dominant të pranuar unanimisht nga të gjithë. Nuk aprovohesh, nuk “votohesh”, po qe se je një beqar apo beqare e vonuar. Duhet të kesh domosdo familje, vlera e individit në vetvete nuk mjafton.

 

-Si shkrimtare e publiciste, cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe demokracinë në vendin tonë?

 

Demokracia është një sistem që ka gradë dhe këto gradë varen nga niveli i mesatares së popullsisë. Nga vetë fjala pa dashur të zgjatem në etimiologji, demokracia vjen nga Demos – popull dhe cratos – pushtet. Duke u nisur nga kjo është evidente se pushteti që populli ushtron, ndryshon dhe varet nga niveli i ndërgjegjes së popullit në fjalë. Me kujtohen zgjedhjet e lira të pasluftes në Afganistan. Një shoqatë franceze jo qeveritare kishte zgjedhur të punonte për tu shpjeguar demokracinë  popullatave, në disa zona analfabete përmes pikturave. Kjo bëri shumë bujë atëhere dhe aksioni i tyre u quajt shumë i sukseshëm, pasi nxiti një numër njerëzish të shkojnë dhe  të votojnë. Por nga akti i votimit, në zgjedhjen e përfaqësuesit adekuat,  dhe në ushtrimin e kontrollit mbi këtë të zgjedhur, është një det i tërë. Po qe se do të ishte kaq e thjeshtë, atëhere do të ishte e mundur,  të themi që gjithë informacioni i viteve lumierë në Francë mund të deshifrohej, përmes pikturave dhe skicave. Ka një ndryshim thelbësor në mes një popullsie që ka studjuar në shkollë Volterin, Dideronë, Tocquville në perceptimin e demokracisë dhe të një popullsie të cilëve u është shpjeguar demokracia me piktura apo skica, pra si pasojë ka një demokraci franceze dhe një afgane, ndryshimi në mes tyre është ndryshimi  mes niveleve të popullsive të tyre. Mendoj se nuk mund të ketë vetëm një demokraci standarte. Në mënyrë proporcionale me letrimin, ndërgjegjësimin e popullsisë pason edhe grada e zhvillimit dhe e aplikimit të demokracisë. Demokracia shqiptare është e re, ajo ka një rrugë të gjatë përpara. Atë po e minojnë përditë e më shumë politikanët e papërgjegjshëm e të korruptuar. Mungesa e demokracisë brenda partive kryesore është treguesi i parë për nivelin e demokracisë shqiptare. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008-ë e kanë theksuar mentalitetin klanik në drejtimin e partive dhe kanë penguar demokratizimin brenda partive dhe në përgjithësi në gjithë vendin. Ndërsa për pushtetin, për partitë politike, mendoj se ne kemi politikanë të papërgjegjshëm dhe partitë politike janë klane që qeverisen me rregullat arkaike të klanit dhe jo me statusin e partisë. Është evidente që në shkallë të gjerë mendohet, pranohet se postet janë mënyra për të siguaruar të ardhuar personale, të grupit e të klanit. Nuk ka një ndërgjegjësim se populli është sovrani, dhe se çdo i zgjedhur duhet t’i shërbejë publikut.Nga ana tjetër dhe më kryesorja,  niveli i politikës; tregues i kulturës së përgjithëshme të popullit. Është  llogjikë e thjeshtë nëse ka politikanë që gënjejnë, persona publikë që gënjejnë; teorikisht ky është përfaqësim i përhapjes së këtij vesi në popullsi, që do të thotë nëse politikanët gënjejnë, detyrimisht edhe shqiptari i thjeshtë, po ashtu. Pra kemi përkthimin e  gabuar të  demokracisë proporcionale në stilin partiak Shqiptar. Nëse guxon të flasësh për këto të quajnë naiv; madje, shkohet më larg, dhe në brendësi të partive shkohet deri aty sa në bazë të numrit të votave nuk llogaritet vetëm numri i deputetëve, që hyjnë në parlament, por edhe sa vende pune proporcionalisht në administratë do të fitohen. Kjo është kulmi! Perceptimi më absurd i demokracisë që kam dëgjuar ndonjëherë; Kulti i Individit. Qënia totalitare nuk vdes lehtë. Kjo duket rëndom në shoqërinë shqiptare. Pothuajse tvetë  liderët partiakë riprodhojnë skema totalitare që i kanë parë në jetën e tyre në familje apo në eksperiencën e tyre në shoqëri, kulti i individit është praktikë e zbatuar rëndom. Mjafton të shikoni sitet internet të ministrive, nuk ka ekipe që përmenden, nuk ka foto të takimeve të ekipeve-por vetem titullari; Vjedhja Albanian Style!

 

-Pse shkruan Klara Buda…?

– Të shkruarit është një pjesë e rëndësishme e ekzistencës sime dhe një nevojë vitale ekuilibri. Unë e kam pasur të domosdoshme të hedh në letër mendimet që në kohë shumë të hershme dhe kam zhvilluar një formë personale të të menduarit apo të analizës së problemeve, që më duhet të zgjidh e që mbështetet tek analizimi i tyre përmes shkrimit. Ky i fundit shërben për të vënë rregull në kokën time dhe është e vetmja formë që kam gjetur për të frenuar shpejtësinë e mendimit, por dhe ruminimin mendor ( sjelljen nëpër mend të një problemi të shtruar për zgjidhje). Të shkruarit është për mua një parcelë lirie, që më ndihmon të krijoj një botë sipas këndvështrimit tim. Kam ushtruar pra të shkruarin  analitik gjatë gjithë jetës sime adulte dhe stë shkruarit letrar erdhi si nevojë për të komunikuar në një nivel më të lartë, sipërore, mundësi të cilën ta jep vetëm letërsia. Por ka ardhur edhe si përgjigje personale ndaj individëve, që kanë ndihmuar me sjelljet e tyre në skicimin apo krijimin e personazhet e mij.Sa herë që ndodhem përpara një sjellje jo humane, intrigë, keqësie, e ngushëlloj vetëm se ky rast me dha një personazh apo një histori për të shkruar. Unë kam një shprehje personale, të cilën ia them vetes me zë të ulët, sa herë që ndodhem në një debat / diskutim të pamundur: “ Përgjigja është letërsi”, pra kam nevojë për një ekstragim të cështjes a problemit në fjalë përmes letërsisë, është një formë personale ekzistence.

 

– Jetoni mes Amerikës dhe Parisit, cfarë iu lidh me Tiranën?

 

Dhëmbja deri në asht për vendin tim. Dëshira për të ndihmuar në progresin e shoqërisë shqiptare, në emancipimin e shoqërisë, në edukimin e brezit të ri. Në krijimin e një shtrese të intelektualëve publikë jashtë klaneve dhe partive politike. Në shëndetësimin e mediave që janë ende partiake, klanike  dhe disa herë të  kapura. Në zhvillimin e shtypit të lirë në shërbim të publikut i cili është sporadik dhe pa mbështetje. Edhe vetë kam themeluar Klara Buda Post, gazetë etike. Është e pa-imagjinueshme mënyrat që përdoren për të sabotuar aksionin e shtypit të lirë e të pavarur, këtë e kam provuar me shëmbuj personalë!

 

-A ka ndonjë ngjarje në jetën tuaj së cilës ia sheh gjurmët edhe sot?

 

Ngjarjet, të cilat  e skalisin një karakter në  jetë, janë të shumta, por do të veçoja një, e cila ka ndikuar jashtëzakonisht fort në karakterin tim dhe ka bërë që të respektoj çdo njeri pamvarësisht nga pozicioni në të cilin ai ndodhet në një moment të caktuar dhe të mos e gjykoj apo paragjykoj. Pas përfundimit të shkollës së mesme, nuk m’u dha e drejta e studimit, megjithëse për nga rezultatet e meritoja plotësisht atë. Së pari ka qenë drama e parë në jetën time, një studente me të gjitha dhjeta në çdo lëndë dhe për 4 vjet rrjesht,  e propozuar për medalje ari, ishte  një goditje. Kam punuar një vit në ndërmarrjen e bonifikimit të Fierit, si punëtore në mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit të kënetës së Hoxharës. Aty kam punuar me ish të burgosur politikë, që e kishin kaluar jetën në burg dhe në punë krahu. Unë në jëtën time 17 vjecare kisha qenë shëmbullore dhe nuk kisha bërë asgjë për të mërituar punën e detyruar pa pagesë. Ritmi i atij viti pune, zgjimi në orën 4 të mëngjezit dhe kthimi vonë në darkë, ka ndryshuar rrënjësisht konceptimin tim për punën dhe njerëzit. Atë vit nuk kam lexuar më pak se në cdo moment të jetës sime. Lodhja fizike ishte e tillë që nuk kisha më energji për asgjë tjetër. Kjo më mësoi, se pamvarësisht nga dëshirat, kushtet në një moment të caktuar janë vendimtare, për qenien e individit dhe se në segmente të ndryshme të jetës, kjo është pak a shumë e vërtetë për gjithkënd. Para se të shkoja atje,  bota jashtë dijes nuk ekzistonte për mua, dhe një njëri i palexuar ishte për mua një “krriç” që meritonte përbuzje. Porse atë vit të vështirë unë u ktheva vetë, në një “kërriç”. Nuk kisha kohë të lexoja as gazetën, sepse vija e vdekur prej pune. Mësova se ka edhe vlera të tjera që e bëjnë një qenie të mënçur dhe se jeta është një eksperiencë që në mos e zëvendëson librin, e shoqëron fare pranë atë. Se kushtet në të cilat ka kaluar një jetë janë predominuese, dhe se njerëzit nuk mund t’i paragjykojmë se sa dinë. Se ka më shumë vlerë dikush që, atë pak që di, e ka të shoqëruar me nder dhe integritet, se sa dikush që e ka kaluar gjithë jetën duke lexuar dhe duke u informuar dhe ka një nivel të kënaqshëm intelektual por jo moral,  në kushtet se ka bërë gjithë kompromiset apo shkeljet e mundëshme për të arritur tek ai nivel.

Bisedoi:Raimonda MOISIU

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Klara Buda, Mitrush Kuteli

Jusuf Vrioni, Adoleshenti i përjetshëm

March 16, 2016 by dgreca

Sot njëqindvjetori i lindjes/ Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi/

Nga Klara Buda/

Sot mbushen 100 vjet nga lindja e një figure të shquar të kulturës shqiptare dhe të lidhur ngushtë me historinë e totalitarizmit shqiptar, Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar. Në botën frankofone, ai njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata, që si unë patën fatin ta njihnin nga afër, intelektualin poliedrik, burrin me sqimë e elegant, nuk ka dyshim, se aristokrati i letrave shqipe ishte, mirë e bukur, ai vetë!

Është e vështirë të përmbledhësh jetën e Jusuf Vrionit në një shkrim të shkurtër pa u treguar e mangët në paraqitjen e vlerave e të dimensionit human e intelektual që ai përfaqësonte. Ndaj do të mjaftohen duke trajtuar marrëdhënien e tij me totalitarizmin, analizën erudite që ai i bënte atij dhe rëndësinë në këtë analizë të eksperiencës së tij personale dhe shembullore, që është edhe kalvari tipik i intelektualit shqiptar e që e shpreh aq mirë titulli i kujtimeve të tij, botuar në Francë, nga JC Lattes: “Mondes effacés”, botë të fshira, si me gomë, shqipëruar “Botë të harruara”.

Odiseja e Jusuf Vrionit mjafton e vetme për të ilustruar fatin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Jusuf Vrioni i mbijetoi diktaturës duke ulur kokën, duke u fshirë dhe më pas duke i fshehur vlerat dhe talentet e tij. Fati i tij është pasqyra më e mirë dhe prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. Pas zhdukjes fizike të pjesës më të madhe të elitës intelektuale të angazhuar gjallërisht në politikë, menjëherë pas luftës, regjimi do të shtrinte kthetrat e tij edhe në pjesën paqësore të intelektit të kombit, për të cilën Vrioni ishte përfaqësuesi më i shquar. Duke përdorur të njëjtën rrugë, metodikisht: akuza të rreme e dënim pa fakte, burgosje, shpronësim për të përfunduar në fshirje totale nga jeta publike e zërit të ndryshëm, progresist e tolerant.

Më 13 shtator 1947, arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27-mujor, ai do të tentojë, të presë pa sukses damarët. I akuzuar si bashkëpunëtor i agjenturave të huaja, Vrioni do të pranonte vetëm se kishte pasur kontakte për krijimin e opozitës legale të parashikuar në bazë të Ligjit Elektoral. Fiziku i sportistit do t’i vinte në ndihmë për të mbijetuar në këtë kalimin pa përgatitje nga një botë luksi mes elitave europiane drejt e në qelitë e Koci Xoxes. Ja si shkruan revista franceze “Ekspress”, pas botimit të kujtimeve të Vrionit në Francë: “Pas diplomimit në HEC, École des Hautes Études Commerciales, në Paris, Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel dhe më pas në Romë […] ku do të lidhet me klanin Agnelli, Magnani, Visconti, Malaparte apo me vajzën e Mussolinit, gruan e Conte Ciano-s. Më 29 qershor 1950, Vrioni dënohet me 15 vite burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete “Tenis, not, i riu shqiptar, një sportist i kompletuar, koleksionon trofetë, ndër të cilët edhe atë të anëtarit të ekipit kampion të Francës në hockey mbi akull”.

Në këto kujtime, ai i përshkruan hollësisht torturat në paradhomat e vdekjes, por kur personalisht e kam pyetur, se cili ishte kujtimi më i trishtë i jetës së tij, ai nuk foli për këto tortura, por një kujtim të nënës së tij: “Një herë shqova nga larg një grua plakë të kërrusur e të ngarkuar me dy trasta që ecte e ndalonte, ecte pak e ndalonte sërish, dukej sikur nga momenti në moment do të binte në rrugën e burgut që dukej nga vendi ku ne punonim… shumë nga ne ndaluan punën për të ndjekur atë nënë…Kur u kthyem, në çastin kur zbulova se ajo grua ishte nëna ime, ky është kujtimi më i tmerrshëm i jetës sime!”

Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi. Gjenia e tij ishte që kuptoi se ajo që i kërkonin, ishte të shuhej, të mos ekzistonte intelektualisht. Duke kaluar në të gjitha fazat e kësaj shuarje të programuar, ai, politologu i formuar në shkollat elitare franceze, do të analizonte në thelb dhe do të arrinte të kuptonte si rrallëkush, sistemin totalitar shqiptar dhe do të mësojë t’i përshtatet e t’i mbijetojë atij mrekullisht.

Pas torturave dhe burgut individët tërhiqeshin për të mos bërë hije, dhe vinte faza e përdorjes së vlerave të tyre më të mira në shërbim të ndriçimit të individualiteteve mediokre, që ishin zëri i regjimit. Në kategorinë e të shuarve shënohen Kasem Trebeshina, Mitrush Kuteli për të përmendur vetëm dy. Ata që nuk e kuptuan apo nuk deshën të shuheshin, pra të pushonin së ekzistuari si individualitete intelektuale apo artistike, u ridënuan dhe u riburgosën, duke u asgjësuar madje edhe fizikisht, ose patën fatin të iknin si Arshi Pipa.

Në personin e tij vetëm, Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të procesit të shterpësimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Njohja dhe analiza e thellë që ai i bënte këtij sistemi, në bisedat me miq të afërt, do të ishte një perlë për trashëgiminë botërore, po të ishte hedhur në letër. Por Jusuf Vrioni, nuk e pati as kohën dhe as mundësinë t’i përkushtohej këtij studimi, pasi ai vdiq i varfër. Në të gjallë ai nuk mori asnjë prej pronave të tij, ai përsëriste shpesh, preferoj më mirë, të punoj se sa të rri pas dyerve për të kërkuar. Fatkeqësisht posti i Ambasadorit të UNESCO-s, nuk mund t’i siguronte atij një të ardhur dinjitoze për Parisin, ku kontaktet e tij të dikurshme u ringjallën menjëherë pas ardhjes më 1997. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85-vjeçare.

Por a ndihej ai i plotësuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, çka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”

E ndiej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…”.

E kam ende të gjallë goditjen e gishtave të tij mbi tastierën e kompjuterit, e që të mrekullonte për nga precizioni dhe shpejtësia, ndërkohë që mjeshtri ankohej se: ” … jo, ndjeshmëria e germave ndryshon nga makina ime e shkrimit dhe nuk ecën aq shpejt sa duhet…” Ai duhet të përkthente shpejt, deri në muajin e fundit, ai punoi dhe përktheu çdo tekst që kishte marrë përsipër.

Komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve e njohu veprën e tij, më 1994, përmes çmimit prestigjioz “Halperin Kaminski”, ndërsa më 1998, Jusuf Vrioni nderohet nga Republika Franceze për kontributin e tij të çmuar në gjuhën frënge me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur. Ai është padyshim ndër përkthyesit më të mëdhenj drejt gjuhës frënge, dhe më i madhi nga gjuha shqipe, falë edhe veprës prolifike të shkrimtarit Ismail Kadare.

Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.

Ai u nda nga jeta në Paris, më 25 maj 2001, duke lënë një kujtim të rrallë te të gjithë ata që e njohën, për tolerancën, mungesën e urrejtjes dhe atdhedashurinë, por veçanërisht tek një grup artistësh të rinj shqiptarë e francezë me të cilët i kalonte orët e humbura. Eric Faye ishte një prej tyre, ja si do të shkruante laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë …”. Miku i tij, shkrimtari Claude Arnaud, për mënyrën e pastër dhe pa helm me të cilën ai e shihte dhe e trajtonte çdo çështje, do ta quante Vrionin: adoleshenti i përjetshëm. Maji i këtij viti shënon 15 vjet nga humbja e Jusuf Vrionit, kësaj figure të çmuar të kulturës shqiptare, të njeriut fisnik, të cilin torturat, vuajtjet e mundimet e kishin bërë edhe më fisnik, patriotit që e donte me shpirt Shqipërinë dhe popullin e tij, e të cilat i përfaqësoi me dinjitet, në UNESCO e kudo ku ai shkonte e mbarte me vete Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe Presidenti i Republikës shpresoj do ta nderojnë atë në këtë përvjetor të vdekjes, për kontributin e tij në shkëlqimin e kulturës dhe të letrave shqipe në botë!(Shqip)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Adoleshenti i përjetshëm, Jusuf Vrioni, Klara Buda

Të mbytesh në një pikë qumësht!

January 7, 2016 by dgreca

Drama e prodhimit  Made in Albania/
Nga Klara Buda/
Prodhimi në Shqipëri ndodhet sot në nje gjendje kritike por kriminalizimi i parlamentit, informaliteti endemik i shoqërisë dhe drejtësia e pa denjë për besim, të ndjekura nga një Media shpesh partiake e jo etike, e kanë larguar vëmendjen e publikut nga prodhimi. “Prodhimi ? Kush merret me të në Shqipëri përveç naivëve?” dëgjon rëndom në Tiranë. Por ai është në bazë të zhvillimit të çdo vendi dhe gjendja e tij është tregues i pa neglizhueshëm i ekonomisë.
Kjo gjendje kritike e prodhimit ka ardhur si rezultat i gabimeve të njëpasnjëshme të qeverive të mëparshme, në këto 25 vjet tranzicion. Arsyet – një sekret Polishineli – paaftësia dhe korrupsioni kanë sjellë si pasojë: mungesën e politikave për mbështetjen dhe zhvillimin e prodhimit vendas, çmimet e larta të shërbimeve dhe konkurencën e pandershme të rënduar edhe nga marrëveshje të pafavorshme.
Qëllimi i këtij shkrimi është të tregojë, vështirësitë deri në pamundësi të prodhimit në Shqipëri dhe humnerën në të cilën bie investimi i bërë në të.
Njësia e prodhimit test që do të analizojmë është një kuti qumësht i pasterizuar / sterilizuar.
Kostoja e një kutie qumështi të sterilizuar, ambalazh tetrapak në bazë të të dhënave mesatare të marra në tre burime të ndryshme, të ndërmarrjeve të paketimit të qumështit në vend, është si më poshtë :
Shërbimi / Litër
Çmimi në Lekë
Qumësht prej fermës
48.00
Ambalazhi Tetrapak
18.00
Kosto Anekse
9.80
Fuqi Punëtore
5.00
Mbledhja dhe shpërndarja
15.20
Total
96.00
Vërehet se kostoja që i shtohet çdo litri qumështi nga shërbime si : grumbullimi tek fshatari, transporti në fabrikë, pasterizim/ sterilizim, amballazhim, ruajtje në frigorifer, transport në pikën e shpërndarjes është 48.00 Lekë. Pra çmimi në grumbullim, 48.00 Lekë (34 – 40 Lekë, në ferma të mëdha) dyfishohet duke arritur në 96.00 Lekë. Çmimet e larta të shërbimeve vijnë si rezultat i çmimeve të larta të karburantit, elektricitetit etj., Në Shqipëri, çmimet e mësipërme rezultojnë më të lartë se në Kosovë e Maqedoni dhe në vendet fqinje (sipas raportit të fundit të Bankës Botërore).
Deri dje, kostoja e lartë e kutisë së qumështit ekuilibrohej disi, me informalitetin, blerje pa TVSH etj,. Aktualisht, marrja e masave për formalizimin e ekonomisë e ka vështirësuar tregtimin e saj. Tregtarët e vegjël nuk po munden ta blejnë më. Nuk ka tregues të saktë mbi shkaqet. A është ulja e fuqisë blerëse në përgjithesi që ndikon në këtë kolaps apo çmimi i lartë i prodhimit të vendit në lidhje me atë të importit ? Në kushtet e deklaratave optimiste të pushtetit është vështirë të vlerësohet me saktësi se cilat janë pasojat, dhe se ku po shkohet.
Në rrugën për Europë, Shqipëria ka ratifikuar një numër marrëveshjes dhe ligjesh. Ne do të shënojmë vetëm ato që lidhen me njësinë tonë test.
Konkurenca në rend ngritës vjen nga :
1- Qumështi i pa kontrolluar, më i lirë por me rrezik për shëndetin, që shitet me bidona në rrugë.
2- Qumështi i importuar nga Kosova, Bosnja – Herzegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia, i bërë i mundur nga marrveshja  CEFTA[1].
3- Qumështi i ardhur nga Europa, kryesisht Italia, është konkurenti më i madh. Prania e tij në tregun shqiptar, madje mund të jetë fatale për kutinë e qumështit tetrapak  « Made in Albania ».
Qumështi që vjen nga vendet fqinje të rajonit dhe Europa ka një kosto prodhimi më të ulët dhe me gjithë transportin dhe doganën, arrin të shitet me çmime konkuruese në krahasim me prodhimin vendas. Por ndërkohë që qumështi që vjen nga vendet e Europës Qendrore nuk mund të ndalohet pa negociata për shkak të CEFTA-s, ai i ardhur nga Italia, nuk e ka këtë mbrojtje. Per momentin nuk ka asnjë marrëveshje që e detyron Shqipërinë që të importojë nga Italia apo vende të tjera të Europës.
Qumështi Made in Albania në botën globale
Cfarë do të sjellë hyrja në Europë për prodhuesin e kutisë së qumështit ? Në Europë, prodhimi i qumështit financohet nga shteti, dhe për pasojë, ka çmime më të ulëta se prodhimi vendas në Shqipëri. Për shembull : pas liberalizimit të kuotave që kufizonin prodhimin e qumështit në Europë, rritja e prodhimit të fermave të mëdha moderne e ka ulur çmimin e një litri qumësht në 32, 2 Lekë (23 cents Euros) dhe po shkatëron fermerin e vogël europian.
Siç e thamë më lart kostoja e një litri qumësht është mesatarisht 96 Lekë në ndërmarrjet shqiptare të përpunim paketimit.
Pra qumështi me cilësi i prodhuar në Shqipëri është tri herë më i shtrenjtë se në Europe 32, 2 Lekë !
Me hyrjen në Europë dhe në kushtet e marrëveshjes së tregtisë së lirë, prodhuesi vendas do të gjendet përballë importit të qumështit shumë më të lirë të financuar nga shtetet e fuqishme europiane dhe nuk do të mund të jetë konkurues. Prodhuesit shqiptarë nuk mund të shesin dot më prodhimin e tyre në vend, pra hyrja në Europë do të shënonte edhe fundin e tyre. Europa ka norma cilësie të cilat janë konformë me mesataren e zhvillimit të vendeve të saj. Shqipëria për të hyrë në të i ka ratifikuar shumë syresh, pa i shqyrtuar më parë nëse vërtet mund t’i plotësojë. Kjo do të sjellë herët a vonë, problemin në tryezë. Do të duhet të kontrollohet prodhimi i qumështit që në silazhin që ha lopa dhe kjo do të ngrejë edhe më shumë koston aktuale të prodhimit, përpos një problematike të komplikuar, që nuk mund të analizohet këtu.
Po a ka shteti një aksion në ndihmë të prodhuesit shqiptar ? A egziston një strukturë, një ekip që të ndjekë prodhuesit që përpunojnë qumështin e vendit dhe punësojnë shqiptarët? A llogaritet dhe ndiqet  kostoja e një litri qumësht të pasterizuar/sterilizuar ? Sa është fuqia blerëse e këtij prodhimi ? Sa është defiçiti që krijohet duke e shitur prodhimin me çmim më të ulët se kostoja e prodhimit ? Përgjigja për këtë seri pyetjesh është : jo !
Pasterizimi apo sterilizimi i qumështit është një proçes i thjeshtë, i mundur tani edhe në vendin më të varfër të botës. Nëse për shkak të çmimeve të shërbimeve aktuale kostoja del më e lartë se sa mund ta përballojë konsumatori shqiptar, shteti duhet ta ndihmojë prodhuesin ta rikuperojë këtë vlerë të shtuar, deri sa të ndërmerret rregullimi një nga një i të gjithë këtyre hallkave të proçesit të prodhimit.
Kjo praktikë (siç e treguam më lart) ekziston në vendet e Bashkimit Europian që për të stimuluar e mbështetur prodhimin vendas e financojnë atë që nga ferma deri në industrinë e paketim përpunimit.
Mbështetja e këtij lloj prodhimi në vështirësi të dukshme është një detyrë urgjente e shtetit me qellim që të ndihmohet prodhimi, të mbahen investitorët aktualë dhe të tërhiqen të rinj. Nuk ka rrugë tjetër ekonomike për të zgjidhur këtë gjëndje me të cilën përballet prodhimi i qumështit në Shqipëri.
Por ajo që është më shqetësuese, kur flet me prodhuesit që ndeshin përditë këto vështirësi, ata as nuk e mendojnë se shteti mund të ndihmojë. Pra në mënyrë unanime të gjithë e dinë se shteti nuk dëgjon nga ai vesh e nuk shikon nga ai sy. Pra papërgjegjshmëria e politikës, pamundësia e qeverisë për të zgjidhur aktualisht problemet e trashëguara të kësaj natyre që ndesh prodhimi, të shoqëruara nga nepotizmi ekstrem janë të njohura dhe të pranuara si « të këqija?», të natyrshme nga shumica e popullsisë.
Kutia e qumështit dhe produkteve të tij ka thithur disa miliona euro, në fabrikat bashkëkohore të paketimit të saj dhe disa vite punë, por prodhimi vendas ende nuk po shkon dot tek konsumatori shqiptar.
Fakte Shqetsuese 
Fabrika që prodhonte qumështin “Fast”, e blerë nga një investitor gjerman u mbyll pas tre vjet prodhimi me humbje.
Cili është fati që i pret fabrikat e tjera të paketimit dhe përpunimit të qumështit? Do të shkatërrohen edhe investime të tjera – duke e ngritur apo vërtetuar rrezikun e investimit në Shqipëri ?!
Një përfundim dhe masa të mundëshme  
Pamundësia e shitjes së prodhimeve të domosdoshmërisë së parë për shkak të kostos së lartë të prodhimit të tyre është një dështim real i prodhimit në Shqipëri.
Për momentin do të duhet të kontrollohet sasia e qumështit që vjen nga Europa (kryesisht Italia) për të cilin nuk ka asnjë obligim me marrëveshje që të lejohet në Shqipëri. Çmimi i tij në prodhim është shumë më i ulët sepse subvencionohet nga shteti (fermeri dhe fabrika e paketim përpunimit).
Tregtimi i tij në Shqipëri mbështet prodhimin e huaj dhe me çmimin konkurencial shkatërron prodhimin vendës.
Ky është një rreth vicioz në të cilin gjendet përpunim paketimi i qumështit në Shqipëri. Ai meriton vëmëndjen e Qeverisë.
Fakti që konsumatori shqiptar nuk ka fuqi blerëse të përballojë as një litër qumësht të pasterizuar, të prodhuar në vend është një fakt i drames në të cilën gjendet prodhimi shqiptar dhe fuqia blerëse në vend. Ai është vdekjeprurës për investitorët aktualë dhe ata potencialë, që duan të vijnë në Shqipëri.
[1] Marrveshja CEFTA (Central European Free Trade Agreement) e qarkullimi të lirë të mallrave e vendeve të Europës qendrore, e firmosur nga Shqipëria në 1996, ku që prej Korrikut 2013 janë ende pjestare, vetëm Shqipëria, Kosova, Bosnia – Herzegovina, Macedonia, Moldova, Montenegro dhe Serbia. Ajo përfundon me futjen e vendit përkatës në Europë

Filed Under: Analiza Tagged With: Klara Buda, ne nje pike qumesht, te mbytesh

MOS HARRO, ISHIM VETË NE 16 VJET MË PARË!

September 28, 2015 by dgreca

” Ne kishim nevojë për ujë të pastër për fëmijët e te tjerët, por policia na goditi me ujë të ndotur ”/

– Një refugjat me fëmijën e tij në Röszke, Hungari”/

NGA KLARA BUDA/

Albanian-woman-feeds-her-baby-in-the-refugees-colone-1999-300x225

Kjo foto e rufugjateve në kufirin mes Hungarise dhe Serbise më kujtoi kohen e luftes se Kosoves, kur punoja si gazetar në Radio France International, Paris.

Imazhet jane aq simetrike sa eshte veshtire te mos kujtohesh, te harrosh. Mos Harro! Mos harrojme këtë vuajtje, kjo ishte e vështirë për të gjithë ne. Kjo i ka ndodhur shqiptarëve vetëm 16 te vjet me pare.

Le ti tregojnë botës se ne nuk jemi një turmë, por kemi nje ndërgjegje kombëtare, jemi njerzore dhe nuk e harrojmë!

Me kujtohet nje mbasdite, pasi kisha pergatitur dhe prezantuar buletinin Informativ ne menyre profesionale, pra neutrale dhe ne menyre te baras peshuar, pa lene te duket asnje emocion ne lidhje me faktet e refugjateve Kosovare, siç u kërkohet të gjithë gazetareve profesioniste, jashte e pamvaresisht nga ethniciteti i tyre, diçka e vecante me ndodhi njëherë kur u ktheheva ne darkë në shtëpi. Kur djali im, në atë kohë tre vjeç, mu hodh në krah dhe më therriti Mami, me të njëjtën gjuhë sikurse fëmijët kosovarë qe e ulërinin këtë fjalë të bekuar në kolonat e pafundme te refugjatëve kosovareve, unë shpertheva në lot…e natyrshme, e kuptueshme…

 

Human Right Watch

 

Human Right Whatch me shkruan sot”

“Refugjatët e ikur nga dhuna dhe persekutimi në vendet e tyre janë goditur me gaz lotsjellës dhe ujë tek kërkojnë strehim në Evropë. Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Human Rights Watch raportoi kushtet për faqe të zezë në qendrat e burgimit të emigrantëve përgjatë kufirit të Hungarisë me Serbinë.

Kjo është e papranueshme, dhe duhet të ndalet tani.

 

Dhuroni për të ndihmuar në mbrojtjen të të drejtave të njerëzve që i largohen dhunës dhe persekutimit.

Emigrantët dhe azil-kërkuesit janë duke u mbajtur në vende të papastra, kushte të mbipopulluara me qasje jo adekuate në ushqim, ujë të pastër dhe kujdes mjekësor.

Nënat e dy foshnjave të porsalindura në kamp – në moshë më pak se një muaj – thanë se foshnjat kishin ethe të larta dhe të vjella dhe nuk kanë marrë ndihmë mjekësore.

Autoritetet evropiane kanë detyrim të sigurojnë që Refugjatë, Migrantë dhe azilkërkues të trajtohen në mënyrë humane dhe që të drejtat e tyre respektohen.

Human Rights Watch ka hulumtuesit në terren që bëjnë të njëjtën rrugë me azilkërkuesit – duke ngritur zërin dhe duke dokumentuar abuzimet. Avokatët tanë e tyre jane duke sensibilizuar udhëheqësit botërorë për të ushtruar presion mbi qeveritë për të hequr pengesat për kalimin e sigurt për këta njerëz në krizë.

Na mbeshtesni neqë të ndihmojmë për të mbrojtur jetën e të gjithë atyre që janë të dëshpëruar për të gjetur një vend të sigurt për ta thirrur shtëpi. ”

Kjo i ka ndodhur popullit shqiptar vetëm 16 vjet më parë. Shqiptarë kudo që jeni dhe sido që e keni vuajtur atë kohë të vështirë për të gjithë ne, tregoni solidaritetin tuaj për refugjatët qe kerkojne ndihme, ata vuajne sot te njejten gje sikurse ne dje. Ne nuk mund ta harrojme pastrimin etnik te popullit tone, sepse kemi një vetëdije kombëtare, jemi nje komb e jo nje turmë!

Donate to Human Rights Watch today.

(KLARA BUDA POST)

Filed Under: Analiza Tagged With: 16 vjet me pare, ISHIM VETË NE, Klara Buda, MOS HARRO

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT