• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

95-vjetori i Memorandumit të Parë të Korçs 13-19 shkurt 1921 (2016)

February 13, 2016 by dgreca

*Qeveria e Iliaz Vrionit, nuk reagoi ndaj Përmendores së paraqitur nga të krishterët korçar, dhe të dërguarit e saj/
-Memorandumi i parë me rëndësi historike që paraqet dhe nivelin e dr.Koço Kotës/
-Koço Kota më datë 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë/
– Shqipëria u njoh prej Konferencës Londrës si shtet indipedent e neutral, që nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit oriental të Turqisë/
– Kombi Shqiptar, është e vërtetë që është një komb homogjen, porse ndryshimi i fesë dhe i kulturës, e kanë ndarë në dy komenta zakonesh/
– Gjermanët dhe pas humbjes së luftës, vazhdojnë të jenë gjith ata gjermanë të bashkuar, sado të ndarë në mbretëri dhe krahina politikërisht dhe fetarisht /
Ne Foto_ Kabineti i Kryeministrit Koco Kota(Kryemitri ne mes)/
Shkruan:Harallamb Kota, studiues i historisë/
Qeveria e Iliaz Vrionit, nuk reagoi ndaj Përmendores së paraqitur nga të krishterët korçar, dhe të dërguarit e saj përkrahnin vetëm kandidatët e paraqitur nga Pandeli Cale. Si pasojë grupi i Koço Kotës më datë 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë. Memorandumi u botua në organin “Gazet e Korçës” më 19 shkurt 1921. Nisur nga rëndësia historike që paraqet dhe lidhja organike me dr.Koço Kotën, Memorandumin po e botojmë të plotë.

Titulli:
Memorandumi i të Krishterëve Shqiptarë

Teksti:
Ne të Krishterët Shqiptarë të Korçës e të Qarkut, duke parë se qeverimi i Shtetit Shqiptar, që më 1913, d.m.th. që kurse Shqipëria u njoh prej Konferencës Londrës si shtet indipedent e neutral, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit oriental të Turqisë, e kështu shkakëtoj shumë herë rezike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke parë se gjithë kjo mënyrë qeverimi është duke vazhduar, sikurse sheshaz dhe me fakte është provuar në tërë këtë periudhë të qeverive të ndryshme, deri në kohët e zgjedhjeve, me gjithë programet e bukura që i janë shfaqur popullit prej këtyre qeverive të ndryshme, gjë e cila sigurisht i sjell vdekjen Kombit; për të shpëtuar këtë nga rëziket e sigurta, vendosmë që të mos marim pjesë në zgjedhjet e paligjshme parllamentare që u krijuan prej qeverisë dhe t’i çfaqim pik së pari kësaj, pas detyrës që kemi, programin t’onë, të bazuar mbi themele të sigurta e të provuara në të gjitha shtetet e qytetëruara të botës, i cili është i vetëmi mjet që mundet të sigurojë jetën politike të Kombit t’onë dhe përparimin e tij. Por, përpara se ti parashtrojmë Qeverisë së ndershme përmbajtjen e programit t’onë, shofim të arësyeshme që të bëjmë më parë një hyrje historike të zhvillimit të kombeve të qytetëruara të botës. Historia e gati tërë shteteve, qartas provon se qeverimi qendror, ka sjellë gjithëmonë edhe në shtetet më omogjene, shkatërimin e tyre, për arësye se kjo mënyrë qeverimi, duke u bazuar mbi federalizmin, i cili ka të vetëm qëllim të thithurit e gjakut të popullit, natyrisht sjell një paralizim të gjymtyrave të trupit shtetnor dhe ka si përfundim të domosdoshmen, shkatërimin e shtetit e të kombit. Përkundrazi, qeverimi çqendror (decentralizimi), i cili u zbatua në shekullin e fundit, në të tëra gati shtetet e qytetëruara të botës, ka sjellë përparimin e tyre, sepse duke qënë në shëndet të plotë ç’do gjymtyrë e trupit në vetë vehten, përfundimisht tërësia e Shtetit është në shëndet të plotë e në përparim. Dy shëmbulla vetëm mjaftojnë, që të na provojnë bazën e therorive të nalttreguara. Turqia, duke mos dashur të pranojë e të zbatojë administratën çqendrore, me gjithë rekomandimet e qeverisë Gjermane dhe Austrohungareze, shkakëtoi jo vetëm çkatërimin e saj, por provokoj edhe atipathinë, si të gjithë elementëve nacionale e fetare që përbënte, si edhe të tërë botës qytetëruar, passi në një periudhë jete shteti mjaft të gjatë, nuk mundi të kryejë detyrën e saj civilizatrise mbi kombet që ajo përbënte. Kurse përkundrazi, monarshia Austro-ungare me mënyrën zivilizatrise të qeverimit të saj, edhe pas shkatërimit, vazhdon të ketë sympathitë, jo vetëm të popujve e kombeve që përbëheshe, por edhe të botës tërë, duke u konsideruar si një element civilizator i domosdoshëm për Europën. Sistemi pra i decentralizimit, nuk është vetëm i domosdoshëm për sigurimin e jetës politike të shteteve omogjene ose eterogjene, por edhe i vetëmi mjet që mundet të sjellë e të sigurojë bashkimin kombëtar të vërtetë dhe jo të syperfuqishëm. Këtë gjë, e shifim të gjallë sot, sidomos pas luftës europiane, në kombin Gjerman, i cili sado që shtet i ndarë në shumë mbretërira, dukata e qytete të lira, vazhdon të ketë një lidhje kombëtare të tillë, që përgënjeshtroj të gjitha theoritë e atyre politikanëve, të cilët mbesonin se rënja e militarizmit, do të shkakëtonte dhe të ndarit të krahinave gjermane në krahina armike njeara kundrë tjatrës; e kështu Gjermanët dhe pas humbjes së luftës, vazhdojnë të jenë gjith ata Gjermanë të bashkuar, sado të ndarë në mbretëri dhe krahina politikërisht dhe fetarisht. Kombi Shqiptar, është e vërtetë që është një komb homogjen, porse ndryshimi i fesë dhe i kulturës, e kanë ndarë në dy komenta zakonesh dhe qytetërimi të ndryshëm, e kështu nuk është kursesi e mundur që të vijë bashkimi i vërtetë dhe përparimi i kombit Shqiptar, sa që sundimi i krahinës të Shqipërisë Jugore të jetë në dorë të elementit Muhamedan, i cili për arësye të kulturës orientale, është tepër e vështirë që të adaptojë qytetërimin oksidental. Përveç kësaj, pasandaj edhe një interesë e madhe politike, kërkon doemos që krahina e Shqipërisë Jugore, e cila është kufi me Greqinë, shtet shumë më i përparuar dhe i cili ka pamje politipe të shkakëtuara prej qeverimit oriental; që kjo krahinë të ketë një administratë të mbaruar europiane, e me këtë mënyrë të çduken prej vetiut këto qëllime politike, që i trashëgoj qeverimi i tiranisë turke, e të sigurohet jeta politike e kombit dhe e shtetit t’onë. Meqënë pra, se zhvillimi i kombeve u shtrohet njësisht ligjave natyrele dhe është gjë e pa mundur që kombi t’onë të jashtohet prej këti lloj zhvillimi, prandaj;
Ne të Krishterët Shqiptarë, me anë të kësaj përmendoreje, po i parashtrojmë Qeverisë Qendrore, programin t’onë mbi mënyrën e administratës së Shqipërisë Jugore, të bazuar mbi fakte të provuara, duke dekllaruar se vetëm në rasë pranimi të programit t’onë, i cili është i vetëmi shënjëtim i jetës politike të kombit t’onë, do të marrim pjesë në organizimin e Shtetit, e përndryshe do të heqim dorë krykëput, duke u lënë të gjithë përgjegjësinë Qeverisë dhe bashkatdhetarëve t’onë Muhamedanë.

Programi i Ynë mbi Organizimin e Shqipërisë Jugore është ky:

1) Shqipëria Jugore, të ketë një administratë të veçantë, të regulluar në këtë mënyrë;
2) Kjo krahinë, të administrohet prej një Guvernatori të përgjithshëm dhe një Këshillë departementore.
3) Guvernatori i përgjithshëm, do të zgjidhet me shumicën e votive të gjymtyrave të këshillës departemantore dhe do të aprovohet prej Qeverisë qendrore.
4) Këshilla departemantore, e cila do të zërë vëndin e një farë parllamenti të departamentit, do të përbëhet prej një numëri këshillonjësve, të cilët do të zgjidhen me vota drejt për drejt pe popullit dhe do përmbajë 2/3 të krishterë dhe 1/3 muhamedanë.
5) Kjo këshillë, do të ketë për detyrë të bisedojë e mendohet mbi tërë çështjet e krahinës, ekonomike, administratore, arësimore e gjyqësore, do të votojë ligjat e nevojshme të krahinës dhe ndrimin e tyre pas nevojave dhe zhvillimit të popullit, si edhe ligjat e tjera, që u përkasin ekonomisë, administratës, arësimit et.t. pas nevojës dhe shvillimit të krahinës.
6) Të gjithë nënpunësit e krahinës, do të emërohen prej Guvernatorit të përgjithshim, pas vendimit e pëlqimit që do të meret prej këshillës departemantore dhe do të aprovohen prej Qeverisë Qendrore.
7) Të ardhurat e krahinët tonë, do të prishen të gjitha për nevojën e saj; vetëm do të marrë pjesë në shpenzimet e përbashkëta, për Qeverinë qëndrore dhe legacionet e jashtme, pas ligjës themelore që do të votojë mbledhja konstituente për tërë Shtetin, porse gjithmonë në një analogji me krahinat e tjera të Shqipërisë.
8) Passi shteti Shqiptar është njohur që në fillimin si një shtet neutral dhe passi sot gadi në gjithë botën po çfaqen deshira dhe tendancione për një çarmatim të përgjithshëshim, krahina tonë, do të mbajë një gjendarmëri të mjaftë, sa për të mbajturit e qetësisë të vëndit. Për këtë gjë, këshilla do të ketë të drejtë të votojë, që të sjellë oficerë europianë, aq sa të ketë nevojë organizimi i Gjendarmërisë.
9) Gjithashtu, këshilla do të ketë të drejtë të votojë, që të sillen organizatorë të huaj dhe për të gjitha degët e tjera, që kështu t’i nepet sa më shpejt krahinës sonë, një organizim e përparim europian, e kështu të bëhet një model edhe për krahinat e tjera të Shqipërisë.
10) Nënpunësit si edhe oficerët e gjendarmërisë, për shpëtimin e Kombit e të Atdheut, do të jenë 75% të Krishterë e 25% Muhamedan,deri sa të bëhet një transformasion i kombit, kur atëherë do të jetë çdukur më mantaliteti oriental në krahinën t’onë dhe nuk do të jetë më nevoja e kësaj mase.
11) Qendra e Guvernatorit të përgjithëshim dhe të këshillës të regjionit të Shqipërisë Jugore do të jetë qyteti i Korçës.

KOMISIONI:
Koço Kotta, Llambro Mborja, Efklidh Shomo, Thoma Orolloga, Kol Rodhe, Milto Sotir-Gurra, Jorgji Lukeri, Llambi Bimbli, Aleks M.Lubonja.
( Vazhdojnë nënshkrimet e popullit të Krishter ).

Vlerësime të ndryshme lidhur me “Memorandumin e Korçës”

Patriotët shqiptarë në prefekturën e Korçës, duke gjykuar që popullsia shqiptare në Jug të Shqipërisë, “i përket në shumicë besimit ortodoks dhe atij bektashian”, siç e theksuam më lart, hartuan në 13 shkurt 1921 një “Memorandum” të cilin ja paraqitën qeverisë shqiptare të kryesuar nga kryeministri Iliaz Vrioni. Hartuesit e memorandumit ishin Koço Kota dhe grupi i mbështetësve të tij: Llambro Mborja, Efklidh Shomo, Thoma Orollogo, Kol Rodhe, Milto Sotir-Gurra , Jorgji Lukeri, Llambi Bimbli, Aleks M.Lubonja dhe populli i Krishter. Për qartësimin e kësaj ngjarje, po japim disa versione të pikpamjeve të shënuara në literaturën e botuar, të cilat pavarësisht objeksionit individual të gjithsecilit, kanë vlerat e tyre historike dhe analizuese.

Sipas Organizatës “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, në artikullin e botuar më 12 mars 1921, në “Gazet e Korçës”, ndër të tjera thuhet: Po thua se nga gjithë gazetat t’ona, të cilat gjer më sot u muar me memorandumin e të Krishterëve Shqiptarë të Korçës, vetëm “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, nuk shpetoj t’ë denojë si antikombëtare që në pamje të parë, por se ajo tregon me të vërtet një paanësië e interes patriotik, duke këshilluar gjiak-ftohtësie e studijim të thellë, për para ç’do lloj kritike. Prandaj edhe ne, me kënaqësi të madhe, po hyjmë në një bisedim shkencor, me simotrën t’onë, mbi Memorandumin e përmendur, sepse vetëm kësimënyre do të munt të kthellohat e të dale në shesh e drejta e themes së parashtruarë. Shkurtimi i përmbajtjes së artikullit të simotrës s’onë, mundet që të përmblidhet në kaq: “Që nuk ishte koha e mënyra e duhurë sot për sot për një memorandum të tillë, sepse ndodhemi në një periudhë provimi prej anës së Europës, në është se meritojmë për një jetë politike si atë, që na u dha në Konferencë të Londrës më 1913, e vetëm bashkim’ i gjithmbarëshëm i Kombit, do të japë shenjën më të bukur për meritën t’onë”. Cok kjo periudhë provimi është, që i shtyn Shqiptarët e Krishterë, që t’i heqin vërejtjen Qeverisë, pas detyrës që ka ç’do Shqiptar, e kështu të meren masa të shpejta e radikale, për sigurimin e jetës politike të Shtetit t’onë, sepse me fakte u pa, se, në një periudhë qeverimi mjaft të gjatë, Qeverit’ e ndryshme të Shqipërisë, jo vetëm që nuk muar ndo një fare mase për këtë gjë, por përkundrazi, duke vepruar me sistemin e matalitetin e Anadollit, prunë shkatërimin e po rrëzikojnë edhe sot jetën e Shqipërisë t’onë të dashurë. Në artikullin t’uaj, po thoni se sot vepra më e bukurë e urtia më e madhe nga ana jonë do të jetë bashkimi i Kombit gjithëmbarë, e madje shtoni “bashkimi i shejtë (shënjtë hk) e i pastër”. Jemi pikë për pikë një mëndjeje. Por, a thoni se munt të vijë një bashkim kombëtar i vërtetë, kur njësia mungon plotësisht, e i Krishteri shihet po me nj’atë sy, që shihej në kohën e Turqisë ?. Katundet të krishtera të qarkut t’onë janë përmbledhur në qytet, dhe me gjith që punët n’Amerikë jenë të mbyllura, preferojnë të largohen nga atdheu i tyre e të ikin për atje, nga se nuk kuxojnë të venë në shtëpi’e pronja e tyre, të cilat u a kanë zaptuar të fuqishmit. Por dhe ata që rojnë nër katunde, po tiranizohen me çfarë do mënyrë; shtëpitë po i u digjen dhe me ç’do mënyrë po shtrëngohen që të lënë plenk e pronjë shkretë; e mandej nuk kuxojnë as që të qahen, se për ndryshe edhe jeta e tyre është në rrezik. Shtypi ka bërtitur e po bërtet për dita mbi këto të gjitha, por se Qeveria as është tundur, as që do që të tundet e të marrë masat e lipsura. Pra, një shtet, i cili nuk ka një administrat të bazuar në njesie të plotë, nuk është e mundur që të rojë, sado në rrugë të mirë të jetë politika e jashtme e ati shteti, sepse jeta politike e një shteti, në çdo pikëpamje, ësht’ e siguruar sa që administratë e mbrëndëshme të jetë e bazuar në themele të shëndosha dhe jo të kalbura. Jemi të mëndjes se duhet çporur, në na dhembet me të vërtet atdheu, ai mantaliteti turk, të cilët kujdesoheshin vetëm për t’ë mshehur në sytë e të huajvet kalbësinë e ndërtesës së tyre shtetnore, pa i marrë dhe masat e meremetimit, se përfundja do të jetë “humbje e përjetëshme”.

Sipas Dr.L. Krati, në artikullin e tij botuar më 26 mars 1921 në “Gazet’ e Korçës”, shkruan: Për Memorandumin, që disa shokë të asaj klike (Cale & Shok.h.k.),duan të thonë që është një akt anti patriotizmë, njoftojmë popullin që përkundër është një akt patriotik, i cili na dha të drejtat të njeriut, të çmpira në Francë më 1789 prej M.Robespierit, i cili la kokën e vet në gijotinë për me i mbrojt ato të drejta dhe cilatë po rrojnë sot në gjithë botën, na kërkojnë që jo vetëm çdo tufë, po ç’do nënshtetash ka të drejtë me çpall mendimet e vet çka i përket Atdheut dhe shumica e votave është e lirë a do pranojë a jo këto mendime. Nuk marim vesh, ku është antipatriotizmi i atyre që nënshkruan atë të famshmin Memorandum?. Vetëm në mëndje të asaj klike, që ka ba më të mëdhatë intriga deri sot dhe ka vue në rezik jetën e Shtetit Shqiptar !. Në Shkodër, as njeri nuk e hodhi nderë për me u ba vegla e njenit ose’ e tjetrit, për me filue (fitue. hk) klika si ajo e Korçës, por të gjithë të krishtenëtë të bashkume me klerë, u mblodhë në kishë të madhe dhe vendosnë që të mospranojnë të dërkojnë deputetë, derisa të mos pranohetë deshira e popullit, cila kërkoi të jenë: 7 Deputetë të krishterë e 3 muhamedanë, dhe për me arirë këtë qëllim, i nderçmi At.Thaçi, i vëllai i ish Deputetit Shkodrës, si orator i dytë që pat fol në mbledhje, pat thënë; që kemi ndihmës dhe krishterëtë të Korçës. Pra e kanë me thanë klika e Korçës: “që dhe Shkodranëtë janë antipatriotë se mprojnë të drejtat lokale, cilatë janë jeta e Shtetit….”.

Sipas z. Loni Logory, në artikullin e tij më 26 mars 1921 në “Gazet’ e Korçës”, shkruan:
Me qënë shkruani mi mementesien (mentalite) orientake, ju dërgoj një pjesë nga ribieri (raporti) i Lord-it Milnor me punët t’Egjyptës. “Muslimani ka një sduresë (impatience) të mfshehur pa të gjallë, kundër bindësies ti. Në ligjën të Krishtianit, Muslimani qi ka një bice të latër a nji ofiq politik tyke qënë nënë urdhër të një Krishtiani, është kundër frymës funndimetake (fondamentale) të Isllami-it, dhe ndjenjat qi kanë mbirë nga kjo frymë, rojnë shumë kohë pas, megjithë që parimet fetare janë fortësisht lëpirë sot, janë fare shuar”. Që kur dolli Memorandumi, shumë ditare shkruhan artikuj me shënjëtyrën mohamedane, tyke sharë, hedhur gurë dhe cilësuar me shumë cilitake (qualificatifs) të poshta leader-it të ati memorandumi. Nuk mund të ketë asnjë dyshim mbi patriotizmin të atyre Zotërinj dhe është e tepër të kapemi mbi atë kapiter (chapitre). As njeri nuk u ndoth djer sot të kërkonjë kavshën të ati memorandum-i dhe nga ky mburoj, nga seë rrodhi. Në u ndodhë të 5 (pesë), të gudzojnë të marrin inisien të kësaj pune, dhe tyke pandehur se ata janë të shitur, populli qi i ndoqi në këtë mëndje, ka mbrenda njerës qi nuk hanë kashtë dhe nuk hiqen për hunde. Shijetaku (l’esseutiel) në këtë punë, është që Krishtianët nuk janë të kënaqur. Nga seë? përse?. Këtë të kërkojnë shënjëtarët të artikujve. Për këtë të pyesin Qeverinë, dhe këtë të kërkojnë të gjenjë Qeveria. As njeri nuk pyeti as kërkoj të mësonjë ngasseën, përseën. Nuk them që asnjeri nuk ka kovi të çëpkatnj Memorandumin dhe të shohë cilë anë ka të mirë dhe cilë anë ka të keqe. Ay njeri, qi shan dhe qerton dhe largohet nga bisidimi, rëfen vehten mae fajtor.

Sipas Sejfi Vllamasit, shënuar në librin “Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942”, fq. 239, Koço Kota me shokë, të shtytur nga një ambicje e shfrenuar, deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme t’elementit të krishterë dhe me një “Memorandum” që i drejtuan qeverisë, kërkonin krijimin e një situate të privelegjuar në favor të elementit të krishterë në Jug. Por qeveria më 26 shkurt 1921 u përgjigjet, duke u thënë se është jashtë kompetencës së saj për të biseduar mbi pikat e shënuara në Memorandum, të cilat mund të shqyrtohen vetëm nga Parlamenti. Kjo marrëzi u bë me inisiativën e Koço Kotës nga një pakicë e verbuar nga ambicja dhe u përkrah nga një pjesë e grekomanëve, por u përbuz me indinjatë prej të gjithë patriotëve dhe prej popullit të krishterë e musliman të Korçës. Megjithatë, thekson Sejfi Vllamasi, kur Greqia deshi ta shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, Koço Kota me shokë, me një telegram që i bënë Lidhjes së Kombeve, deklaruan se “të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme”.

Sipas librit “Historia e Popullit Shqiptar” botim i vitit 2007 i Akademisë së Shkencave të RSH f.179, trajtimi i memorandumit paraqitet si më poshtë: “Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota, me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bën thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet. Kur kjo përpjekje nuk pati sukses, hodhën një hap tjetër përçarës. Me një Memorandum drejtuar qeverisë më 13 shkurt 1921, ata kërkuan të krijohej në jug të vendit, ku bashkësia e të krishterëve ortodoksë ishte e madhe, një administratë e veçantë “autonome”, me parlament të vetin e me qendër në Korçë. Në të njënjtën kohë filloi të gjallërohej edhe kleri katolik, i cili kërkoi krijimin e një kantoni të veçantë në krahinat veriore me banorë të besimit katolik. Këto kërkesa, objektivisht çonin ujë në mullirin e atyre vendeve që nuk ishin për stabilizimin e Shqipërisë, si Jugosllavia e Greqia, prandaj u kundërshtuan nga opinioni publik shqiptar. Ato u jepnin të huajve, sidomos shteteve fqinje argumente për të luftuar shtetin e ri shqiptar në arenën e jashtme. Këto orvajtje i shfrytëzoi sidomos propaganda e Athinës dhe brenda vendit mitropolia e Korçës, që drejtohej nga peshkopi grek Jakovi, si edhe shtypi i Beogradit. Në këto rrethana Koço Kota e pasuesit e tij deklaruan botërisht që; “të huajt nuk kishin pse të merreshin me problemet e brendshme të Shqipërisë”.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botuar nga Akadermia e Shkencave e Shqipërisë Vëll.II,f.1327, zëri KOTA Kostaq (Koço) formuluar nga historiania Fatmira Musaj, trajtimi i Memorandumit paraqitet si vijon: Koço Kota më 13 shkurt 1921 i drejtoi qeverisë një “memorandum”, ku kërkonte që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë. Ky veprim u kritikua nga qarqet patriotike, brënda dhe jashtë vendit, si i dëmshëm e i mbarsur me rreziqe për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e tij.

Prof.Dr.Hysni Myzyri, në librin e tij “Pandeli Evangjeli” shënon. -I pyetur nëse nënshtetasit shqiptarë kishin ose jo të drejtë të parashtronin përpara qeverisë ndonjë projekt të ri administrimi ose ndryshim ligji, Pandeli Evangjeli u përgjigj: “Si një nënshtetas ose më shumë, kanë të drejtë medoemos t’i adresohen qeverisë për çdo gjë të nevojshme për të mirën e atdheut”. Madje ai shton, se sipas kushtetutave “të botës së qytetëruar”, asnjë person apo grup personash, nuk mund të bëhen objekt ndjekjeje nga organet shtetërore, sepse ata i kanë drejtuar qeverisë ndonjë projekt “për të mirën dhe sigurimin e shtetit” dhe që nuk është “në kundërshtim me jetën themelore të shtetit”. Sipas Evangjelit, “Shqipëria duhet të jetë një shtet konstitucional dhe kurrë absolutist”.
Lidhur me “Memorandumin e Korçës”, Pandeli Evangjeli është shprehur: Për tu qeverisur Shqipëria, më duket se do të jetë mirë një “decantralizim administrative”, sepse centralizimi ka shumë të meta dhe smund të sjellë ndonjë dobi përveçse dëmit”. Kurse “Memorandumi i Korçës” nuk është bërë me një qëllim separatizmi (ndarje), sidoqë ka dhe pak të meta. Memorandumi gabon në konsideracionet e tij dhe më tepër në atë pjesë ku bën fjalë për proporcionin e nëpunësve dhe në shkallën kulturore të ndryshme midis elementit shqiptar, fakt i cili shkakton ftohtësinë midis dy feve”. Kjo i kishte dhënë shkas shtypit për kritika të ashpra, por edhe disa “njerëzve politikanë të huaj, të cilët me çdo mënyrë, kërkojnë një pjesë të tokës së atdheut tonë” dhe e përdorën “faqe botës këtë situatë si armë kundër interesave të shtetit tonë, duke e shpjeguar, pa të drejtë, si një shenjë separatizmi në dëshirat e shfaqura me anën e permendores (memorandumit)”. Por thekson ai, nuk duhej vënë aspak “në dyshim patriotizmi i të krishterëve shqiptar, i cili është rëfyer me punë, me vepra dhe jo me fjalë, dhe aq më tepër i atyre të Korçës. Se, kur asnjë zë nuk dëgjohej për lirimin e Shqipërisë, këta punonin pareshtur në fushën kombëtare”.

Sipas Historianes Marela Guga, e cila i referohet edhe gazetës “Fjal e Lir” botuar në Vlorë në 1 mars 1921, e trajton këtë akt politik (Memorandumin), në librin e saj “Prefektura e Beratit” f.76-77 si më poshtë: “Fushata zgjedhore për Qeverinë Vrioni nuk ishte e qetë. Ajo u përball me shumë probleme, si: problemi fetar për qëllime kantonale në Shkodër, luftën politike të disa qarqeve në Korçë, për një “qeverisje autonomiste”. Më tej ajo vazhdon: “Qarqet greke u përpoqën të bojkotonin zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, një mënyrë për të realizuar strategjinë e tyre, që do të shërbente si provë bindëse e “shpirtit iredentist të popullsisë greke” në këtë rajon. Më tej ajo thotë: “Me një Memorandum drejtuar qeverisë, më 13 shkurt 1921, ata kërkuan të krijohej në jug të vendit një “Administratë Autonome”, aty ku bashkësia e të krishterëve ortodoksë ishte më e madhe, e cila të kishte një parlament të vetin me qendër në Korçë. Populli shqiptar e dënoi këtë përpjekje të qarqeve greke, po kështu edhe qytetarët e Beratit e quajtën antipatriotike. Më 24 shkurt 1921, komuniteti i dy besimeve fetare në Berat, i dërgoi një telegram proteste kryeministrit të vendit, ku dënohej ky koncension në kurriz të Shqipërisë së Jugut. ….Qeveria e Iliaz Vrionit mbajti një qëndrim të matur ndaj autonomistëve”.

Sipas Burhan Çirakut, shënuar në artikullin e tij “Zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri”, publikuar me Librin, “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare 1919-1924”, botim i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë USHT, në faqen 162-165 thuhet: Grupi i Koço Kotës kur pa se zgjedhësit e dytë nuk premtonin të zgjidhnin deputet Koço Kotën me shokët e tij, i shtytur nga një ambicje e shfrenuar, deklaroi gjendjen e jashtëzakonëshme të elementit të krishterë. Më 13 shkurt 1921, i drejtoi qeverisë një Memorandum, ku kërkohej krijimi i një situate të privilegjuar në favor të elementit të krishterë. Kundër Memorandumit shpërtheu një vale e madhe zemërimi dhe proteste në të gjithë vendin. Edhe vetë Koço Kota me shokët e tij, kur pa se Greqia deshi ta shfrytëzonte këtë çështje në favor të saj, i bënë një telegram Lidhjes së Kombeve, me anën e të cilit deklaronin se: “të huajtë nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brendëshme”.

III-Vlerat Atdhetare të Memorandumit të Korçës

Duke dashur të kontribuoj sadopak në çështjen e gjykimit të vlerave dhe rolit të “Memorandumit” kaq shumë të debatueshëm, qysh kur u shfaq në skenën politike shqiptare, aq të ngarkuar veçmas për shkak të etapës së re, kthesës historike që nisi për shtetin shqiptar të saporimëkëmbur nga vendimet historike të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, pasi parashtrova komentet e bëra, të cilat fatkeqësisht janë ngatëruar në vorbullën e shprehjes popullore “digjet i njomi me të thatin”, ndjej të nevojshme të shfaq edhe unë mendimet e mija. Me të drejtë, vëmëndja e shtypit patriotik kombëtar e intelektual si dhe e popullit shqiptar, ndaj rreziqeve turko-greko-sllave dhe bashkëpunëtorëve të tyre, në dëm të çështjes shqiptare dhe të krijimit të shtetit shqiptar, ka qenë dhe vazhdon të jetë e lartë. Por abuzimi me termin “vigjilencë” sjell dëme të mëdha dhe nuk e justifikon njollosjen e patriotëve shqiptar pa argumenta bindëse dhe prova të dokumentuara, me përcaktorin: armik, vorioepirot, grekoman, shkie, turkoman, etj. Memorandumi, thotë Sejfi Vllamasi, u hartua nga verbëria e luftës politike. Kjo është e vërtetë, pasi kjo verbëri politike po shoqëronte patriotizmën shqiptare qysh pas krijimit të Shqipërisë. Pikërisht, për të luftuar këtë verbëri politike, u krijua organizata patriotike “Krahu Kombëtar”, e cila kishte si synim të shuante ambiciet për pushtet dhe të bashkonte anëtarët e saj në përpjekjet e përbashkëta për ta ndërtuar Shtetin Shqiptar. Mirëpo, fatkeqësisht këto ambicie krijuan konflikte edhe brenda “Krahut Kombëtar”. Për pasojë, dy nga anëtarët më të vjetër dhe patriotët më të dalluar, Pandeli Cale dhe Koço Kota, ishin armiqësuar jo vetëm nga ambiciet e Pandeliut për pushtet, por edhe të qëndrimit të palëkundur të Koço Kotës ndaj vlerave të Ismail Qemalit. Duke njohur këto qëndrime, duam të besojmë që nxitje për hartimin e “Memorandumit”, paskeshin qenë jo vetëm ambiciet politike, por edhe disa ngjarje, të cilat po i radhitim si më poshtë:
Pranimi i “Listës së Pandeliut” nga administrata Qendrore Shtetërore e Tiranës, nxiti zëmërimin e grupit të Koço Kotës dhe u bë shkak për hartimin e “Memorandumit”, që në fakt ishte i parakohëshëm e i nxituar dhe u shfrytëzua nga segmentet grekomanë, të cilët u munduan ta paraqesin para Fuqive të Mëdha, si “paaftësi shtetformuese e shqiptarëve” dhe për qëllimet e tyre aneksioniste.
Rrethanat historiko-politike, që ndodhej ende Shteti Shqiptar në atë kohë, kur Koço Kota ja paraqiti Memorandumin (cituar më sipër) Qeverisë Shqiptare, ishin të tilla:
Shqiptarët qeveriseshin ende me ligjet e Perandorisë Osmane. Shqiptarët e Krishterë trajtoheshin si në kohë të Turqisë. Ende vazhdonin thirjet: “duam babën”, “gegët të sundojnë mbi toskët” dhe për një “Shqipëri nën Turqi”.
Krahas faktorëve që paraqitëm më sipër, të cilët kanë si qëllim të nxjerin në pah, arësyet që e shtynë grupin e Koço Kotës për hartimin e “Memorandumit”, po sjellim para lexuesit të nderuar edhe mjaft argumente që hedhin poshtë pretendimet e disa shkrimeve historike e publiçistike lidhur me figurën dhe personalitetin e patriotit Koço Kota.
Historiania Marela Guga, në librin e saj ka konkluduar si më poshtë: “ndërkaq shteti grek filloi të intensifikojë provokacionet. Qarqet greke u përpoqën të pengonin zhvillimin e zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri, një mënyrë për të realizuar strategjinë e tyre, që do të shërbente si provë bindëse e “shpirtit irredentist të popullsisë greke”, në këtë rajon ?!! .”.
F 14
Të përgëzoj z. Marela lidhur me evidentimin e ngjarjeve të cilat kanë lidhje me armiqësitë e grekomanëve ndaj shqiptarëve, por ç’lidhje kanë manovrat e tyre me “Memorandumin”. Hamendësimi është letërsi, ndërsa faktet historike nuk mund të komentohen as politikisht dhe as në këndvështrimin e përkatësisë fetare. Sipas këtij këndvështrimi, Kostaq apo Koço Kota duke patur emër ortodoks është i lidhur padyshim me grekomanët ose vorioepirotët. Znj.Marela, je ende në kurthin e ngritur nga armiqtë e shqiptarizmës, të cilët shqiptarët me emëra musliman i quanin turq dhe shqiptarët me emëra ortodoks i quanin grek apo vlleh. Mendoj, që është rrëshqitje nga udha e Rilindasve tanë të Mëdhenj, kur kushdo qoftë, i trajton shqiptarët jo sipas përkatësisë kombëtare por sipas përkatësisë fetare dhe fare “padashur” i damkos grek apo vlleh ata shqiptar pse janë ortodoks. Rasti i patriotit shqiptar Koço Kota është tipik për tu trajtuar. Veç tij kemi edhe mjaft personalitete dhe figura të të tjera të rëndësishme, shqiptarë ortodoks, që janë shkruajtur “gabimisht” në librat e historisë duke u cilësuar grek apo vlleh. Midis tyre përmendim: Naum Bredhi (Veqilharxhi), Pionerin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe hartuesin e abetares së parë shqipe, Vasiliqin, gruan e Ali pash Tepelenës, Kleoniqi Surmelin, gruan e Ismail Qemalit, Pandeli Evangjelin, patriotin e madh shqiptar, Spiro N.Konda –filologun e shquar shqiptar, hartusin e dy veprave të çmuara: “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” dhe “Mbi Etruskët”, Dr.Nuçi K.Kota, hartusin e veprës madhore “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”,etj. Mjaft patriot shqiptar me emëra ortodoks, janë sakrifikuar për ta bërë Shqipërinë. I sakrifikuari i parë është udhërëfyesi i ndritur Dhaskal Todri, që na kujton Prometeun në mitologjinë pellazgo-ilire, duke udhëtuar si Ulissi homerik me germat shqipe në torbat e tij, ndeshur me zonjën greke fanarite -Çirçen dinake e të pabesë dhe helmuar prej sajë. Pas dhaskalit, Fanari grekoman, vrau e helmoi Naum P.Bredhin, Papa Kristo Negovanin, Petro N. Luarasin, Kol Kotën, Llambi N.Kotën, Aristidh P.Kolën e mjaft të tjerë. Historian të nderuar, ruhuni nga marëveshjet patriarkano-osmane dhe sllavo-greke. Mos e besoni “shejtanin”. Emërat e shqiptarëve nuk janë përcaktor të kombësisë. Përcaktor i etnisë pellazgo-iliro-arbënoro-shqiptare është vetëm gjaku shqiptar që na rjedh në deje. Ky gjak rjedh në shekuj edhe në kurmin e pinjollëve Kota dhe padyshim edhe në atë të patriotit shqiptar Koço N.Kota. Shikimi i ngjarjes historike me këndvështrim politik dhe fetar, dashur pa dashur, e shtrëmbëron të vërtetën historike dhe objektivitetin e ngjarjes. Si pasojë, bashkthemeluesin e federatës panshqiptare “Vatra” në Amerikë, e quajtur “Një copëz Shqipëri”, mbështetësin e Fan Nolit dhe Ismail Qemalit, bashkthemeluesin e organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”, përfaqësuesin e Korçës në Kongresin e Lushnjës dhe senatorin Koço Kota të zgjedhur në këtë kongres, nuk e trajton me faktin historik të momentit e rrethanave historiko-politike që ndodhej ende Shteti Shqiptar në atë kohë, kur Koço Kota ja paraqiti Memorandumin Qeverisë Shqiptare. Duhet të kujtoj se ende vazhdonin thirjet: “duam babën” apo “gegët të sundojnë mbi toskët” dhe ende vepronin qarqe të caktuara që shpreheshin për një “Shqipëri nën Turqi”. Sipas burimeve historike cituar më sipër, “Fushata zgjedhore për qeverinë Vrioni nuk ishte e qetë, ajo u përball me shumë probleme, si: problemi fetar për qëllime kantonale në Shkodër, luftën politike të disa qarqeve në Korçë, për një qeverisje autonomiste”. Pra në të njënjtën periudhë paskan ndodhur dy lëvizje autonomiste, në Korçë qyteti juglindor ku kishin qeverisur francezët dhe në Shkodër qyteti verior ku ishin vendosur komandat e ushtrive austrohungareze dhe pas luftës së parë botërore shtabet e Fuqive Aleate.

Filed Under: Histori Tagged With: 95 vjetori i memorandumit, Harallamb Kota, Koco Kota

Ish-Kryeminsitri, Koço Nuçi Kota

January 6, 2016 by dgreca

Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme/
Nga, Harallamb Kota/
Studiues i Historisë/
( Jetëshkrim )/
Ne Foto;Koco Kota, ne mes/
Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arësimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I jati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë. Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arësimin fillor në Korçë, arësimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arësimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike. Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat qëndrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX,me Fan.S.Nolin me Ismail Qemalin, dhe Ahmet Zogun.
Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911 u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pas pak kohe, emigroi në Amerikë. Në SHBA, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqipëtarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh Kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj. Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “VATRA” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. Vatra ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare.
Më 1912 Federata Vatra e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqsuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëndor 1912, shpalli pavërësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arësimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arësimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave.
Në fillim të marsit 1914 Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar” e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar
Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arësimit, e cila drejtohej nga dr.Turtulli Ministër Arësimi në qeverinë e Turhan Pashës.
Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit -Avokat.
Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, sëbashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”.Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë.
Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austrohungarezëve.
Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arësimi në Drejtorinë Arësimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austrohungareze u larguan nga Shqipëria dhe në teritorin shqiptar u vendos ushtria italiane.
Luigj Gurakuqi, ministri i Arësimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n “Inspektor Arësimi” pranë Prefekturës Berat.
Në shkurt të vitit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar. Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota Inspektori i Arësimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekur be Vrioni Kryepari i Katundariës, Zarif Aga Haznatari-Kryetar i klubit“Bashkim”,Fevzi Ruli-Advokat, Themistokli Kassapi -Notablë i krishter, Salih Gjuka -direktori Arsimit, Adem Shehu -sekretari i Arësimit, Islam be Vrioni -Notabël muhamedan,Melek be Frashëri -Kapitanë, Xhevdet Meqemea–Advokat,Zejnel be Prodani–Notabël,Teki be Selenica-Notabël, Zoj Tonçi –Tregtar,Todi Naska -Nëpunës drejtësie,Bektash H.Berberi-Zanatli,Gaqe papa Zaharia-direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi-Sekretari i Perlimentares, Hajredin Kuçi –Notabël,Andon Capo –Tregtar, Hysni aga Kafasi -Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja -Sekretari i Drejtësisë), bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.
Më 6 shtator 1919, sëbashku me patriotët dhe vullnetarë berates Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek
Më 21 dhjetor 1919 shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplot tek amerikanët.
Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të tij. Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e zgjodhi Koço Kota-n anëtar të Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e parlamentit shqiptar, organ i krijuar për here të pare në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare. Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.
Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turkoman, e detyruan Koçon ti shprehte Ahmet Zogut Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e S. Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptar ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turkomane. Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes.
Qysh në fillimin e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse. Për ti bërë presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921 i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar. Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, K.Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që spjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme teritoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.
Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme të shtetit Shqiptar”.
Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi dr.K.Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore. Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës K.Kota ishte Prefekt i Beratit u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numërin e tyre në 61 shkolla fillore
Më 14 tetor 1921,ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike.
Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e K.Kota-s që ishte Prefekt i Beratit dhe mbështetjen e kryeministrit Xh. Ypi, ministrit të P.Brendshme A.Zogu, në Berat (në sallën e Shkollës së Mangalemit) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH)..
Më 27 dhjetorit 1923, dr.K.Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese e cila u mblodh në janar 1924. Më 30 mars 1924 K.Kota u emërua minister i Punëve .Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci.Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol.
Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor 1924, Zogu i mbështetur nga forcat mercenare jugosllave erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brëndshme.
Më 6 janar 1925, Kostaq Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv.Ministër i P.Brëndëshme.
Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925 u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar.
Më 17 maj 1925, Dr.Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.
Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërimin e kufive të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.
Më 23 shtator 1925 dr.Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve
Më 11 maj 1928 kryeministri Ahmet Zogu e emëroi K.Kota-n Ministër të P. të Brëndëshme.
Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja.
Më 1 shtator 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë:“Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguarë” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve.
Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marëdhëniet civile, tregëtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi. Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera. Më 4 mars 1930, Kryeministri Kota, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kota theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.
Në vitin 1930, K.Kota u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e pare të tij zgjodhi dr.Koço Kota-n Kryetar Parlamenti.
Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për Reformën Legjislative dhe Kodin Civil.
Në vitin 1932 dr.Koço Kota, mandatohet përsëri deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri Kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqëndroheshin mbi problemet e arësimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe tradidave të popullit shqiptar. U dekretuan tre ligje: modifikimin e ligjeve 197,206,207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësave me gra të huaja.
Mbreti Zog më 9 nëndor 1936, dekretoi dr.Koço Kota-n Kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare(Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë.
Më 31 janar 1937, parlamenti i dha votbesimin qeverisë së Koço Kotës. Në detyrën e Kryeministrit, Koço Kota u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër monarkisë. Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kota dhe dekretuar nga mbreti Zog-I, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të mernin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik. Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindasi i madh Fan S.Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi kishën autoqefale shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937 nga Ahmet Zogu dhe Koço Kota.
Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekretligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.
Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Ethem Toto, ish ministër i P.Brendëshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kotën në Paris, për të biseduar me ta, të arinte kompromise dhe tu mbushte mëndjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogist, pas shumë dilemave vendosën kthimin në Shqipëri.
Në gusht të vitit 1938, Koço Kota vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e Kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmëndje kryeministrin e i tha: -Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi.
Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.
Në shtator 1938,Koço Kota,Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rrexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një Marëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane” me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën kurorën perandorake të Savojës.
Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kotës nga Qeveria”.
Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare.Mbreti sapo kapërceu Kapshticën e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste në mërgim.
Më 7 prill 1939, Koço Kota i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga oborri mbretëror dhe u sistemua në Selanik.
Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish kryeministri Koço Kota, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga Qeveritë Rregjencë të ngritura nga Ushtria Gjermane.
Në pranver të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mithat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar federatë apo konfederatë. Sipas Mithat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo –përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kota –përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të pasluftës. Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranushëm nga Legaliteti. Dr.Koço Kota i kërkoi z.Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z.Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”. Projekt-idea e fundit,e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranushme nga qeveritë kuislinge shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mithat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.

Pas vendosjes së rregjimit komunist në Shqipëri
Një rruge në Kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë të cilës në vitet 30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kota”, pas pushtimit fashiste italianët asaj rruge ia hoqën emrin K.Kota dhe i vunë emrin Rruga “Galeaco Çiano”, pas vendosjes së rregjimit komunist po asaj rruge iu hoq emri Galeaco Ciano dhe iu vu emri Rruga “Qemal Stafa”.
Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik së bashku me oficerin shqiptar Andon Çeti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në gjyqin special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kota-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.
Lidhur me mosorganizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kota ka thënë: Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, ….Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë….Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.
Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar
Koço Kota deklaroi: Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarës në bisedime si person privat.

Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të rregjimit hoxhist, dr.Koço Kota u gjykua nga gjyqi farsë i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve Koxi Xoxe.
Ish Kryeministri u dënua me burgim nga gjyqi special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kotës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eleminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pakopromentuar, i cili jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.

Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist,
Më 24 Nëndor 2014, Dr Koço Kota u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit” pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.
————————————————————————————————————Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kota, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të Atdheut e të Kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i rregjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes kombëtare, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar . Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr.Koço Kota.

Studiues i Historisë
Harallamb Kota

Tiranë më 31 dhjetor 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Harallamb Kota, Koco Kota, Kryeministri i shqiperise

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT