• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYETARI I VATRËS MESAZH NGUSHËLLIMI PËR HUMBJEN E ISH-KRYEPARLAMENTARIT TË KOSOVËS KOLË BERISHA

August 30, 2021 by s p

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të familjes sime dhe në emër tim personal, përcjellim ngushëllimet më të sinqerta e më të dhimbshme për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës. Kosova humbi një burrë shteti, unë humba një mik të ngushtë dhe një bashkëpunëtor të shkëlqyer së bashku me presidentin Rugova. Federata VATRA, shqiptaroamerikanët, patriotët shqiptarë e mbarë viset shqipfolëse do i jenë mirënjohës dhe s’do ta harrojnë kurrë kontributin e Kolë Berishës në shtetformimin e Kosovës si ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Nënkryetar i LDK-së. Kolë Berisha ishte një patriot i madh dhe luftoi pa u lodhur e punoi për liri, pavarësi dhe demokraci në Kosovë. Federata VATRA dhe shqiptaroamerikanët i gjendet pranë familjes, bashkëpunëtorëve, e miqve të Kolë Berishës në këto momente trishtimi e lamtumire.

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Kole Berisha, Vatra

Predikimi në Meshën e Dritës për të ndjerin Kolë BERISHËN

August 30, 2021 by s p

Nga: Don Lush GJERGJI 

Fijet e jetës dhe të vdekjes, sidomos  lindja – fillimi, si dhe vdekja – kalimi në amshim, nuk janë në duar tona. Ato janë në duart e Zotit, Krijuesit dhe Shëlbuesit tonë, me dashje apo pa dashje tonë. „Unë jam Ringjallja dhe jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.“ (Gjn 11, 25), na siguron Jezusi. Bashkë me psalmistin edhe ne themi dhe lutemi: “O Hyj, mos më rri larg, Hyji im shpejto të më ndihmosh… Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjin.” (Ps 71 (70), 12; Ps 73 (72), 28). Janë dy momente: kërkimi i ndihmës, por edhe siguria që vetëm prania, dashuria, mirësia, falja e Zotit, do t’i plotësojë në tërësi të gjitha kërkesat, nevojat, dëshirat, planet, mbi të gjitha etjen dhe urinë për Jetë dhe për Dashuri – amshim të lumtur. Besimtari, i krishteri, këtë e di dhe e pranon  vdekjen – kalimin në amshim, si mundësi, dhuratë, bashkëpunim  dhe bashkëudhëtim me Zotin, por edhe si rast shpërblimi, amshimi dhe pavdeksie. „Baca Kolë“, si e kemi quajtur ne me shumë nderim, simpati dhe dashuri, ishte një i krishterë i sprovuar nga jeta, me pengesa, burgime dhe sëmundja. Ai në rini kishte besim që nëpërmjet shkollimit, arsimimit dhe qytetërimit, do të ngritej niveli i vetëdijësimit, kulturës, me këtë edhe arritja e idealeve të larta, si liria, demokracia, barazia shoqërore dhe kombëtare, paqja e mirëfillët e mendjes dhe zemrës.  Ishte një lloj „iluministi“ modern. Mu për këtë ai kishte investuar shumë në shkollimin personal, të fëmijëve, por edhe t; popullit me veprimtarinë edukative,  arsimore dhe pedagogjike. Puna dhe vperimtaria e tij në këtë lëmi qe keqinterpretuar dhe ndaluar për rrethana të njohura politike. Kur çdo gjë „ra në ujë“, me shembjen e sistemit dhe ideologjisë komuniste dhe ateiste, Kola ynë doli në front të parë të luftës paqësore dhe jo – dhunore, së bashku me të ndjerin dr. Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë, duke besuar dhe investuar shumë për vlera dhe virtyte njerëzore, kombëtare dhe fetare. I thonte vetvetes dhe të tjerëve: „Tash është koha jonë…, për të dëshmuar dhe vepruar sipas parimeve dhe bindjeve tona!“. Jezusi na  thotë; „Rini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.“ Këtë qortim të Mjeshtrit hyjnor ai e komentonte kështu: „Zoti i ka në dorë të gjitha, sidomos shtegtimin tonë në amshim… Ai i pari vullnetarisht e ka provuar vdekjen, për të na bindur se  ajo është vetëm një kalim, për ne ndoshta pak i vështirë, i panjohur, por kalim në amshim…“ Për ne besimtarët nuk ka kohë të mirë dhe të keqe, por ka njerëz të bindur dhe të përcaktuar, të guximshëm dhe vizionarë, që në çdo kohë dhe vend mundohen të jenë vetvetja, të udhëhequr nga e Vërteta dhe Dashuria, për të mirën e të gjithëve. Kështu edhe Kolë Berisha hyri në politikë, jo për karierizëm, edhe më pak për nam apo famë, aspak për fitime dhe përfitime, por për ta mbrojtur Popullin e përbuzur dhe të kërcnuar, për ta dhënë kontributin e tij në proceset e rëndësishme të Shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. E bashkëndante moton e Presidentit dr. Ibrahim Rugova: „Jemi argatë të popullit.“ Dhe edhe kësaj ia doli me faqe të bardhë, me ndihmën dhe praninë e Zotit, si dhe me përkrahjen e Popullit. Faza e tretë e jetës së tij, ishte sfida me vuajtje, më vonë edhe „shoqërimi“ i gjatë me sëmundje, prandaj Kryqi. Prapë doli në pah karakteri i fortë i tij, feja konkrete, si jetë me Zotin dhe me të afërmin, shpresa – edhe atëherë kur çdo gjë duket si e pa shpresë, mbi të gjitha motivimi dhe frymëzimi, përkushtimi, dashuria për Zotin, Popullin, familjen, çdo njeri të mendjes  dhe zemrës së mirë. Në sëmundje ishte i durueshëm dhe me shpresë, jo aq në shërim, sa në amshim. Disa herë pata mundësinë ta vizitoj dhe t’ia ndaj sakramentet e shtegtimit për amshim, që i pranonte me plotë fe dhe siguri, me shumë nderime dhe falënderime. Jeta e tij tokësore kushtuar arsimimit, pastaj politikës, së fundi sfida e sëmundjes dhe vuajtes, e skaliten figurën e njeriut, bashkëshortit, babait, besimtarit të fortë dhe të pathyeshëm, parimor në ide dhe ideale të larta njerëzore, kombëtare dhe fetare. Feja për Kolë Berishën, „nuk është në urdhërime, por për një rrugë, ose më saktë, për rrugën vendimtare me të cilën duhet të angazhohemi, që të mund të bëhemi vetvetja“, komenton ai në parathënie shqip të librit Luigi Giussani, Ndjenja fetare, vëllimi i parë Rrugëtimi, DRITA, 2011, f. 17. Ky rrugëtim, me Zotin dhe me të afërmin, na sjellë në amshim. Dhe porosia e  Jezusit, që aq shumë i pëlqente Kolës tonë: „Në botë keni vuajtje, por mos u trembni – unë e munda botën!“, pohonte që është ngushëllimi më i madh që mund ta kemi në sfida të ndryshme të jetës tokësore. Zoti, i cili i di të gjitha, dhe nuk i ka mbetur askujt borxh, Kolë Berishën e shpërbleftë me dritë, paqe, jetë dhe lumturi të amshura, ndërsa familjen dhe miqët. me ngushëllime, që burojnë nga feja e krishterë, ngjallja e Krsihtit, si burim dhe fitore përfundimtare për ne dhe për shëlbimin tonë. 

Pushoftë në paqe! 

Prishtinë, 30 gusht 2021                                            Don Lush GJERGJI 

Filed Under: Politike Tagged With: don Lush Gjergji, Kole Berisha, kosova

Kolë M. Berisha, hero i pamposhtur para torturave çnjerëzore serbe

August 6, 2020 by dgreca

Kolë M. Berisha krahu i djathtë i presidentit dr. Ibrahim Rugovës

Shkruan: Tomë Mrijaj-Nju Jork/

Vitet kalojnë dhe në kujtesën e freskët të historisë së Kosovës, gjithmonë një vend të veçantë zë figura e patriotit dhe personalitetit të shquar shqiptar Kolë M. Berisha, i cili, gjatë gjithë jetës së tij aktive tregoi me shembuj pozitiv konkret një heroizëm të veçantë, duke përballuar ngjarjet e dhimbshme të historisë plot plagë të atdheut tonë martir.

Me mikun tim të dashur kolën për herë të parë u takuam në vitin 1966 në shkollën Normale “Hysni Zajmi” të Gjakovës. 

Ai ishte një djalë elegant, i dashur dhe shumë serioz me të gjithë, fjalë pak e punë shumë, mik dhe shok besnik me të gjithë atë që e kanë njohur nga afër. 

Që asokohe dhe deir sot në jemi miq të njeri-tjetrit. Pas përfundimit të shkollë së mesme, Kola, ka punuar disa vite si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqit” në Klinë, dhe gjatë kësaj kohë jemi takuar disa herë, ku kemi shkëmbyer mendime dhe ide mbi Kosovën, dhe fatkeqsitë që e ka pllakosur atë në ato ditë. Kola ishte një patriot i flaktë.

Atë e kam takuar edhe gjatë vizitave të shpeshta zyrtare, që ka bërë në New York, duke qenë kryetar i LDK-së. Ai këtu kishte dajët e tij. 

Ai ishte në shtëpinë time këtu në New York, me të cilin kemi folur gjatë për Kosovën. Kola, sa here që ka ardhur në SHBA, ka vizituar edhe zyrën e Lidhjes së Tretë të Priztenit në Bronx, New York, kryetarin e Lidhjes Ismet Ukë Sadik Berishën, të cilin e kishte bashkëvendas, dhe mua si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes. 

Presidenti dr. Ibrahim Rugova, shumë vite më parë kishte organizuar një manifestim të madh, për përkujtimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, ku, ai kishte ftuar shumë personalitete të botë shqiptare nga të gjithë vendet e ndryshme të botës. 

Midis tyre, me ftesë të posaçme nga Presidenti dr. Rugova ishte edhe delegacioni i ynë i ardhur nga SHBA, në krye të të cilës ishte kryetari i Lidhjes së Tretë të Prizrenit Ismet Ukë Sadiku Berisha dhe unë si Sekretar i Përgjithshëm i saj. 

Për ne ishte një çast shumë emocionues, mbasi Presidenca e Kosovës, vlerësonte shumë kontributin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit në SHBA (1962), e cila kishte bërë shumë përpjekje për çeshtjen e Kosovës, përmes demostratave, peticioneve, memorandumeve, letrave dërguar presidentëve në Shtëpinë e Bardhë, senatorëve, kongresmenëve etj. 

Ditën e nesërme vizitën e parë në Prishtinë e filluam me nacionalistin Kolë M. Berishën, në zyrën e tij si fuksionar i lartë i LDK-së. Atë ditë mbas një bisede të ngrohtë dhe miqësore, Kola mua dhe Ismetit na dhuroi nga një libër të tij, me titull: “Ditari i një izolanti”. 

Gjatë bisedës sonë në zyrën e tij, në një moment, unë i drejtohem mikut të vjetër të shkollës Kolës me shaka: “Pse kaq shumë roje për udhëheqësit sot në Kosovën e Lirë!?” Pergjigja e tij ishte buzëqeshja, e cila na la shumë për të kuptuar. 

Gjatë një dite tjetër, të qëndrimit në Prishtinë, ne pamë më sytë tanë makinën e presidentit të Kosovës dr. Rogovës, të rrethuar nga shumë roje. 

Ne, u shqetsuam shumë, kur pamë këtë skenë. Në ato momente shumë të ardhur, që ishim vendosur në hotelin “Grand”, në ditët në vijim, ku, kishim takime dhe darka pune të ndryshme, në të cilat na shoqëroi edhe vetë Presidenti Dr. Rugova, Kolë M. Berisha dhe akademik Mark Krasniqi etj., sërisht ne na u krijua një përshtypje e pakëndshme, se diçka nuk shkonte në Kosovën e lirë. 

Këto skena me badigarda, kërkojnë shumë shpenzime financiare, të cilat rëndonin shumë ekonominë e shkatërruar dhe të lodhur të Kosovës, që sapo kishte dalur nga lufta e saj për liri. Kosovën e lamë me zemër të thyer.

Një ditë në shtëpinë time

Në shtëpinë time, një ditë erdhi për vizitë miku i familjes Ukë Gjoka, i cili, për disa vite ka punuar si profesor i gjuhës angleze në gjimazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. 

Uka kur e pa në bibiotekën time librin: “Dirari i një izolanti”, me autor Kolë M. Berishën, iu mbushën sytë me lot. 

Unë e pashë në sy, se ai ishte prekur thëllë dhe mbasi e mori vetën e pyes Ukën. Ai filloi të rrëfej: “Një ditë mbas orarit të mësimit me shumë kolegë të gjimnazit, ishim nisur për të pirë një kafe sëbashku dhe biseduar për gjendjen e vështirë të atyre ditëve, që po kalonte Kosova e jonë, në mesin tonë ishte edhe sekretari i saj Kolë M. Berisha, para se të mbërrijmë në qendër tek udhekryqi, pamë disa policë serb. Njeri nga kolegët tha: “Pse kaq shumë policë aty!!!”

 Kola, duke e ndjekur nga afër situatën, që u krijua ai menjëherë tha: “Policët nuk kanë punë me ju, por vetëm me mua.” Dhe ashtu ndodhi. 

Policët, sapo u afruan tek ne, u drejtuan menjëherë drejt Kolës në mënyrë agresive dhe filluan me shkopinj që kishin në duar ta qëllonin papushim në trup. Ata vetëm e qëllonin pa ditur se ku i binin atij. 

Kola, i gjatë qëndrote stoik. Trupi i tij u nxi nga shkopinjt e gomës dhe shqelmat e mallkimet me fjalë banale që përdorinin policët…

Ai kishte vendosur dy duart në mbrotje të kokës së tij dhe gjatë gjithë asaj kohe deri që është rrëzuar përdhe. 

Ne, asokohe në atë skenë makrabre të krijuar nga policët mizorë serb, jemi ndier shumë keq, sepse nuk ishim në gjendje ta ndihmonim shokun tonë Kolën.” 

Kulla apo shtëpia e tij në Klinë, është e para që është goditur nga breshëritë e plumbave të çetnikëve serbë, e cila edhe sot është e pabanueshme dhe ka gjurmët e plumbave dhe nuk banohet nga askush. Ajo është një dëshmi historike e dhunës policore serbe, ndaj shqiptarëve dhe shtëpive të tyre. 

Miku im Kolë Berisha, prej shumë viteve nga plagët që ka marrë gjatë asaj periudhe të vështirë, gjendet sot i sëmurë në shtëpinë ë tij në Prishtinë, nën kujdesin e vijueshëm të familjes së tij të dashur.

Më vjen shumë keq, që prej shumë vitesh, për patriotin e shquar Kolë M. Berisha, askush nuk ka shkruar asnjë rresht përkujtimi të historive të tij plot plagë, kur të gjithë e dijnë se ai ishte edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, lider kryesor i LDK-së, miku dhe krahu i djathtë më i ngushtë i Presidentit dr. Rugovës.  

Dhimbjet e Kolës janë plagët e përgjakshme të të gjithë shqiptarëve

Një vepre të kompletuar si: “Ditari i një izolanti”, shkruar nga atdhetari i shquar Kolë M. Berisha, është e vështirë t’i bëhet një parathënie, sepse nuk mund t’i bësh ndonjë interpretim ose koment, të japësh ndonjë meditim apo shtosh fjalë pa rënë në përsëritje të atyre çfarë ka thënë vetë autori, sepse ai ka rrëfyer me sinçeritet gjithçka, që mund të thuhet rreth lëndës, që ka trajtuar me një vërtetësi absolute.

Aty tregohen deri në hollësitë më të vogla të gjitha vuajtjet fizike dhe shpirtërore, traumat dhe streset psiqike, që pësoi “izolanti” dhe jo vetëm ai, gjithë asaj periudhe afro tre mujore të atij “izolimi arbitrar”, që në fakt nuk ishte një “izolim”, por një burg i vërtetë.

Prandaj edhe unë nuk do t’i bëj ndonjë parathënie këtij libri, gjë të cilën ia ka bërë vetë autori me shkrimin “Në vend të hyrjes”, por dua të them vetëm dy fjalë, duke theksuar fort me plot gojën, se kjo vepër nuk është thjesht një “Ditar” i zakonshëm kujtimesh e ngjarjesh të kaluara, që lexohen dhe harrohen shpejt; por është një akt-akuzë, që të ngulitet thellë në memorie e të lë mbresa të paharruara për gjithë jetën; është një akt-akuzë më e fuqishme, që mund t’i bëhet diktaturës serbo-komuniste të Millosheviqit, për urretjen psikologjike dhe për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, jo vetëm për atë periudhë tre mujore, por edhe gjatë sundimit të diktatorit Millosheviq gjatë një shekulli të tërë.

Kjo urretje e pakufishme e brymosur për dekada me radhë në shpirtin serb ndaj popullit kosovar, për të vetmin faj se ai është një popull autokton në trojet e veta, i ka rrënjët pikërisht në faktin e qënies së tyre të vetëdijshëm, sepse sipas serbëve ata janë si mish i huaj në atë tokë, të cilën e zaptuan dhe e mbajtën me dhunë.

Prandaj, autoktonët duhet të shfarosën ose të detyrohen të largohen me dhunë, që Kosova shqipare të bëhet plotësisht pronë e përjetshme e tyre. Kjo është filozofia shoviniste serbe. 

Pikërisht, këtu qëndron edhe vlera e këtij “Ditari i një izolanti”, i cili, duhet të ruhet përjetsisht si një dokument dhe provë e gjallë, për të gjitha ato krime monstruoze të ushtruara nga përbindshat serbë mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, me qëllim që mos të harrohen dhe kurrë të mos përsëritet më kjo histori e dhimbshme.

Dhe këtë mësazh kaq human, jam i bindur se z. Kolë M. Berisha, ia ka dalë ta përçojë me sukses në zemrat e çdo lexuesi e veçanërisht të rinisë e popullit kosovar.

Si shok i tij, shpiptar e si kosovar, e përgëzoj me gjithë zemër e mirënjohje të thellë për këtë vepër edhe pse ndodhem mijëra kilometra larg Atdheut dhe Kosovës sime të dashur.

page10image4120

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë M. Berisha, duke pritur kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli

page20image2920

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë M. Berisha, duke peruruar Bibliotekën e Kuvendit të Kosovës, një project i mbështetur nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare.

/var/folders/zd/24j9ndz12kgdgwm67htpzv3m0000gp/T/com.microsoft.Word/WebArchiveCopyPasteTempFiles/kolee_1508410672-3468284.jpg

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, një prej figurave të rëndsishme të LDK-së gjatë viteve të 90-të dhe pas luftës një kujtim i paharruar me dr. Ibrahim Rugovën.

Filed Under: Politike Tagged With: dr. Rugova, Kole Berisha, Tom mrijaj

Artikujt e fundit

  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca
  • IN MEMORIAM, DR. GJON BUÇAJ
  • Ikja e Dr.Gjon Buçaj e Dalip Grecës, komuniteti humbi dy patriotë të përkushtuar
  • Një prej atij brezi…
  • I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I Dr. GJON BUCAJ
  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT