• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLE RODHE-SI U SHUA VATRANI NË BURGUN E BURRELIT?

December 3, 2020 by dgreca

SOT 71 VJETORI I VDEKJES- KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTET I PARLAMENTIT TË PARË SHQIPTAR(KORCË), PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT….

   * Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…

Kole Rodhe, i dyti ne kembe, nga e djathta.

   * Vajza e Kolë Rodhes, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…

-A do të kujtohet sivjet ish deputeti i harruar i Parlamentit të Parë shqiptar?

NGA DALIP GRECA

Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”

  Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”

Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë  e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët  e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”

     Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…

    ***

   … Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.

Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin  e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.

***

Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:

   -Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”

            Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

       Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.

    Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.

Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.

   Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.

Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

     ***

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.

Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.

   Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”

Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”

    Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”

    Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

” Kolë Rodhja jep llogari.”

Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..

– Sabotator!

– Ujk plak…!

Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?

Kola:-Asnjë!

Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola:-JO!

Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?

Kola:-Asnjë!

Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…

(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)

Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Akuzat vazhdonin lumë….

Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ?  Dhe zgjodhi heshtjen….   

Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…

     Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!

 Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e  diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!

     ***

BIBLIOGRAFI

 1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)

2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1

 3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104

4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914

5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923

6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924

7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946

8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A

9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.

10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.

Captions: 1- Kolë Rodhe

2-Grupi i Besa-Besën me uniformat, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. Kolë Rodhe, i dyti nga e majta, në këmbë. Flitet se ky grup dërguan nga Amerika Flamurin Kombëtar dhe ia dorëzuan Marigo Pozios në Korfuz.

3- Pleqësia e degës nr. 19 të Vatrës në Marlboro. Kola, i dyti nga e djathta.

4-Kolë Rodhe në çetën e Gorës,i pari djathtas.

5- Gazeta “Vullnetari” që botohej nga Kolë Rodhe

6- Në Kishën e Shën Gjergjit, ku Noli u dorëzua Dhespot.

7. Vajza e tij Eleni me bashkëshortin Genc Leka, i cili u pushkatuar nga diktatura.

Filed Under: Featured Tagged With: Burgu i Burrelit, dalip greca, Kole Rodhe, Vdekja

GAZETA “VULLNETARI” DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS

September 25, 2017 by dgreca

GAZETA “VULLNETARI” NE AMERIKE ME BOTUES KOL RODHE DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS/

1 aqif Permeti

* Aqif Përmeti,(i pari ne foto) ish Menaxheri i Diellit, Komandanti që stërviti Trupat Vullnetare të Vatrës në SHBA dhe i shoqëroi në Shqipëri,- u shpërblye duke u pushkatuar nga Diktatura Komuniste….

2 Kole Rodhe
– Vatrani Kole Rodhe(Foto e dyte), ish Kryetari i Besa-Besën më 1908, themelusi dhe botuesi i Gazetës”Vullnetari”, ish Luftëtari i Cetave patyriotike të Korcës, ish deputeti i Parlamentit Shqiptar, ish Prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, vdiq në Burgun e Burrelit….

4 gazeta Vullnetari

NGA DALIP GRECA*/Botoi Gazeta”DIELLI” SHBA

Gazeta “Vullnetari” ishte një tjetër pioniere e shtypit shqiptar në Mërgatën Shqiptare të Amerikës, që mori përsipër mbrojtjen e Shqipërisë në vitet e vështira të mungesës së shtetit. Fillimisht si një buletin informues e më pas një gazetë me pretendime profesionale ajo e kreu detyrën më së miri. Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Ishte e përdyjavshme, botuesi i së cilës fillimisht, në numrat e parë, nuk e shënonte emrin, por mjaftohej me shënimin:” Organ Kombëtar. Botohet dy herë në muaj- Popullore, Politike dhe Satirike. Pajtimi: Kush të dojë dhe sa të dojë.”
Në faqen e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj.

DENONCIMI I MASAKRAVE GREKE

Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.
Në numrin e parë Vullnetari shkruante: A e dëgjoni vajtimin e nënave shqiptarka? A e dëgjoni ulërimën e fëmijëve?Keni pak mëshirë për ata që presin dhe shpresojnë në punërat tuaja, në veprat, në shpëtimin tuaj. A është koha tani, or zotërinj, për sharje, për çpifje kundra njeri-tjetrit? Vullnetari sillte në vëmendje vargjet e Vaso Pashë Shkodranit:
Vjen njeri i huaj dhe u rri në Votër
Për me Ju turpnu me gru e me motër,
Mblidhuni ju varza, mblidhuni ju gra,
Me ata syt’ e bukur që dini me kja….
Edhe të vajtoni Shqipninë e mjerë,
Qi ka met’ e shkret’, pa emën e pa ner..
Nuk, nuk , këtë marrni kurkush s’e do…
Kët’ faqe të zezë kurkush se duron….
Editoriali i Gazetës titullohej”Kush na mpron e mprojmë dhe i jemi mirënjohës”. Në të demaskohej pabesia dhe dinakëria turke ndaj shqiptarëve, si dhe politika agresive e shteteve fqinje. Vullnetari shkruante:”Të copëtuar nga propaganda e shteteve lakmonjëse, të prishur e të djegur nga shtetet fqinje Greqia, Serbi Malziu, të shastisur nga propaganda, të lëftuar pa mëshirë nga ata që iu dhanë një shtet të krasitur dhe të pasiguruar, shqiptarët kanë lypur kurdoherë mbrojtje. Shqiptarët kanë nevojë për mbrojtje. Ata shtete që iu sigurojnë shqiptarëve jetën e Kombit, ndere dhe pasurinë e tij, le të jenë tësigurtë se do t’iu jemi “krahu i djathtë” dhe se do iu jemi kurdoherë mirënjohës.”
Në shkrimin”Shqipëria Jugore si varr i Zbuluar”, gazeta denonconte edhe politikën Europiane ndaj Shqipërisë:” Nuk qe mjaft mosvërejtja e Konferencës së Londrës për çështjen e Shqipërisë Jugore, nuk qe e mjaftë krasitja e viseve më të mira, më pjellore, dhe thjesht të shqiptarta; si Konica, Janina- Kryeqyteti i Toskërisë dhe shtrati i Pirros, Mbretit të Shqiptarëve, si Preveza-skela e parë natyrale e Shqipërisë, që padrejtësia Evropiane i bëri theror në duart e armikut, i cili me pahir dhe duke shkretuar gjithçka, po mundohet të na Ç’kombësojë….”
Artikulli me pathos komëbtar mbyllej me thirrjen:” Le të jemi të gjithë të bashkuar në Flamurin e Vatrës, që të mundim të ndalojmë çdo padrejtësi, që i bëhet Shqipërisë,t’i kundërshtojmë me hov çdo armik dhe kundërshtar, që tenton të shtjerë në robëri Shqipërinë a pjesë të saj.

KURORË GJEMBASH-KOKA E ESADIT TRI KACIDHE

Në numrin 6, publikuar me 1 Maj 1916,publikohet informacioni se Gazeta “Vullnetari” kishte për botues dhe editor patriotin korçar Kol P.Rodhe, një nga vatranët e dimrit dhe të beharit. “Vullnetari” u bë një zëdhënës i bashkimit Kombëtar, duke goditur individët apo grupet përçarëse, duke replikuar fort me grindavecët dhe të shiturit tek grekërit. Vullnetari goditi ashpër me artikuj, poezi, karaikatura Esad Toptanin dhe ndjeksit e tij, duke i cilësuar si tradhëtarë të Kombit. Numri i dytë i gazetës, i publikuar me 3 Mars, hapej me Esatin: ”Kurorë Gjembash- Koka e Esatit Tri Kacidhe”, ku i numëroheshin të gjitha prapësitë që kishte bërë Esati në dëm të çështjes shqiptare: Që nga tradhëtia e Shkodrës, i propozuar si princ i Shqipërisë nga ana e Serbisë, Malëziut(Malit të Zi) dhe Greqisë, organizator i kryengritjeve në Shqipërinë e Mesme, i dëbuar prej Mbretit(Princ Vidit), i blerë prej Italisë, i marrëveshur me Greqinë(me ndërmjetësinë e Italisë) për rënien e Korçës në duart e grekëve dhe shumë tardhëti të tjera, që numëroheshin prej Vullnetarit dhe që në mënyrë të pamëshirshme e damkoste si tradhëtar…”Ky njeri në vend të kurorës me dafina, meriton kurorë gjembash”, arrinte në përfundim gazeta.
Vullnetari nisi botimin edhe të karikaturave kundër Esatit dhe botoi poezi satirike si:

DERA E TOPTANIT

Nga dera e toptanit
Dolli një egërsirë,
Zu këmbën e Sulltanit
Ha njerës pa mëshirë…
…………………………………….
Kombin fisnik të Skënderbeut
Kurkush se turpërovi,
Vetëm Esati, i poshtri i dhe’ut…

……………………………………………..
Nga raca e bekuar,
Raca e Kastriotit,
Dolli një i mallkuar,
Që vate kundra Zotit….

Poezia, me 10 shtrofa katërshe, nuk e kursente fjalorin e varfër të shqipes së asaj kohe.Gazeta që botohej në Natick të Massachusetts, replikoi fort ashpër me Gazetën Italiane “Corriere delle Puglia”, e cila në pjesën shqipe të numrit të saj të 1 dhe 2 shkurt 1916, shkruante një artikull fort të çuditshëm me titullin”Gegëria në dorë të Austrisë”.Vullnetari shkruan se redaktori i pjesës shqipe S. Gjika na qenkish tepër i friksuar me hyrjen e austriakëve në Shqipëri; dhe kjo s’na çudit, sa na bën të zgurdullojmë sytë, entuziazma e tij që iu jep katilave të Esatit, të lëftojnë, –thotë, burrërisht kundra armikut, se atëherë nderohen armët e Shqipërisë. Esat Pasha, shkruan z. Gjika, i deklaroi luftë Austrisë, dhe po lufton trimërisht kundra armiqëve! E pyesim z. Gjika: Austria, a është aleate e Turqisë? Si guxon t’I bjerë flamurit të Osmanllisë të cilin e ka dhe Esati? Apo e ka ndërruar?! Dhe, në e ka ndërruar, cilin ka në vend të tij? Sa për flamurin tonë(kuq e zi) e dimë se nuk e ka (se do t’I hajë mushkëritë)… Mos ka Flamurin e Serbisë? Apo të Malziut?!
Vullnetari ironizon z. Gjika: “Në të vjen keq për Esatin, shko ndihi, të marrësh dhe një plagë tjetër, si atë që more nga maja e Rashbullit…pa sa për shqiptarët, të lutemi, mos i këshillo se na vjen keq që të vriten bashkë me osmanllinjtë. Në të vjen keq për Shqipërinë dhe shqiptarët, jemi me një ngushëllim; shqiptarët, kush i mbron e mbrojnë; kush iu ndih-e ndihin, kush vritet për ta, vriten ata për të….

VULLNETARI NË MBËSHTETJE TË VATRËS, KUNDËR PËRÇARSVE

Botuesi i “Vullnetarit” mbështese punën Kombëtare të Vatrës, e cila po i dilte për Zot çështjes Shqiptare dhe ishte një avokate e fuqishme në mungesë të shtetit. Gazeta shkruan për bashkimin dhe lufton fort kundër përçarjes, kundër grupimeve. Është koha kur një grup i madh vatranësh,udhëhequr nga ish kryetari i Vatrës në vitin 1913, paralelisht edhe Editor i Diellit, Kristo Dako kritikonte ashpër, vend e pa vend Komisionin e Qendrës dhe në vitin 1917, me bashkëshorten Sevasti Qiriazi dhe mbështetësit e tyre krijuan Partinë Politike, duke i marrë Vatrës një pjesë të konsiderushme të anëtarësisë. Gazeta “Vullnetari” duke ruajtur principet e shtypit të lirë, i pasqyroi veprimtaritë e Dakos me grupimin e vet, ndërkohë që bëri edhe oponencë të fortë ndaj tij.
Në numrin e 3 Marsit 1916, gazeta botoi shkrimi”Konferenca e z. Kristo Dako në Natick, Mass”. Duke përshkruar një nga konferencat e Dakos në Natick, Vullnetari e pasqyron të plotë kronikën,natyrisht edhe fjalën e Editorit dhe botuesit të saj Kol Rodhe, i cili e kritikoi Dakon për artikullin përçarës që kishte botuar në Gazetën”Koha “ të Mihal Gramenos, ku bëheshin kritika për Komisionin qendror të Vatrës dhe hidheshin akuza të pa faktuara. Gazeta përshkruan dhe diskutimin e atdhetarit Kristo Kirka, i cili lexoi një letër që Kristo Dako ia kishte dhënë kur kishin kaluar nga Shqipëria në Europë, me lejen që ta lexonet para shqiptarëve,kurdo që ta shihte të arsyshme. Çudi, pyeti z. Kirka, dikur ne gëzonim besimin tek njëri-tjetri, ndërsa sot jo.Gazeta kritikon veprimine z. Dako, që nuk priti leximin e letrës nga z. Kirka, por shkoi para mbylljes së takimit.
“Vullnetari” u përpoq që në dy vjet e ca muaj që vazhdoi botimi, të rrokte të gjithë ngjarjet në dhe përreth Shqipërisë, të përgatiste shqiptarët e Amerikës për t’i dalë zot Atdheut, u bënte thirrje që të jepnin kontribut financiar për t’ndihë Atdheut, të mënjanonin grindjet mes grupeve e krahinave, besimeve dhe sherreve të kota.

TRUPAT VULLNETARE TË VATRËS

Ashtu si zëri i Vatrës, Gazeta Kombëtare”Dielli” edhe “Vullnetari”ia nisi herët të propagandonte nevojën e përgatitjes të Trupave Vullnetare për të shkuar në Shqipëri dhe për të luftuar për Lirinë e Atdheut të robëruar. Ishte shtruat detyrë për çdo degë të Vatrës në fshatra apo qytete e shtete,të ngrinte grupin e ushtarëve vullnetarë, të cilët duhej të stërviteshin dhe të bëheshin gati për t’u nisur drejt Atdheut me qëllim që ta mbronin nga fqinjët grabitqarë që synonin tokat shqiptare.
Sipas Gazetës’Dielli” vendimi për organizimin e Trupave Vullnetare të Vatrës ishet marrë në mbledhjen e Komisionit të Qendrës me 6 Mars 1915 me propozimin e pjestarëve të Komisionit : Kristo kirka, Kol Tromara, Nick Dishnica dhe Andrea Kristo. Pas propozimit ishte zgjedhë komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kost Chekrezi dhe Vangjel Sotiri. Komisioni qendror që udhëhiqte Vatrën në vitin 1915, kur u mor ky vendim përbëhej nga: Faslli Frashëri, Mice Bardho, Kost Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(sekretar i komisionit), Loni Kristo -sekretar i Vatrës,(Noli dhe Konica ishin në Europë). Komandanti i përgjithshëm i Trupave ishet caktuar Aqif(Akif) Përmeti.
Gazeta “Vullnetari” në numrin e publikuar me 17 Mars 1916, në shkrimin redaksional”Çështja e Vullnetarëve” argumentonte domosdoshmërinë e përgatitjes luftarake të djemve shqiptaro-Amerikënë, që u thirrën Trupat Vullnetare të Vatrës, me qëllim që kur të vinte momenti të marshonin drejt Atdheut dhe këmbëngulte për përshpejtim të përgatitjes. Në artikull argumentohej se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhë nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Gazeta shkruante: Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e saj sepse në ushtri janë rreshtuar gjithëfarë tipash, përveç atdhetarëve, edhe kriminelë e plaçkitës, që nuk kishin qëllim të luftonin për Atdhenë, por për pronë e fitime. Ajo kohë duhet të mbetet e shkuar, arsyteonte editori i Vullnetarit dhe shtonte: Tani, besojmë se Trumbeta do të na thërrasë dhe nëqoftëse na gjenë të papërgatitur, të paorganizuar, atëherë nuk është faji i atyre që kanë mjeshtëri tradhëtinë dhe shkatërrimin. Gazeat u bënte thirrje të gjitha kolonive, ku jetonin shqiptarët, të nisnin përgatitjet, me qëllim që kur të binte Kushtrimi të ishin gati.
Duket se përgatitjet e trupave Vullnetare kishin nisë që në vitin 1915. Dalim Në këtë përfundim pasi në numrin e 31 Marsit të Vullnetarit, botohej një kronikë-njoftim- koment, ku flitej për Trupat Vullnetare të Bostonit. Gazeta njoftonte se me 2 prill 1916, në orën 1 e 30 minuta pasdite, Vullnetarëte Bostonit do të festonin motin e ushtrimit të përgatitjeve.Pra me 2 prill 1916, mbushej moti ç’ka nënkupton faktin se trupa Vullnetare e Bostonit ishte krijuar në Prill 1915. Gazeta ftonte të gjithë shqiptarët e Bostonit dhe rrethinave që të merrin pjesë në këtë festë Kombëtare dhe t’i uroninVullnetarët për patriotizmin e tyre.Burrat ishin të lutur që të merrnin me vete edhe zonjat dhe të festohej së bashku. Vullnetarët do të ishin të veshur me uniformat ushtrake dhe do të demonstronin disa ushtrime përpara mbledhjes. Gazeta njoftonte se adresa ishte :Vendi i përgatitjes i Trupave Vullnetare: 995 Ëashington Street, ku Vatra kishte marrë me qera një hangar të madh.
Gazeta uronte nga zemra vullnetarët e Bostonit për atë ditë të shënuar, e cila do të mbetej e paharruar. Kronika mbyllej me urimin:Dhëntë Zoti,që përsëshpejti,djmtë luftëtarë të lirisë, të venë në Shqipëri, për të mbaruar detyrën Kombëtare!
Festa u bë e madhe. Trupat vullnetare të veshura me uniforma të rregullta parakaluan përmes thirrjeve entuziaste të shqiptarëve dhe të amerikanëve që ksihin mbushur dy anët e rrugëë, edhe pse koha ishte me shtërngatë shiu.Banda muzikore shoqëronte parakaluesit.

FLAMURI KOMBËTAR ÇANË RRUGËT E BOSTONIT

Sipas gazetës mësohet se Trupat Vullnetare ishin krijuar pranë degëve të mëdha të Vatrës. Kështu psh në një shkrim polemik të botuar në faqen e parë të Vullnetarit të 20 Mjait 1916, shkruhet se pranë degës së South Bridge ishin grumbulluar 62 Trupa vullnetare. Në atë kohë Vatra kishte rreth 80 degë.
“Vullnetari i kushton rëndësi të veçantë përgatitjes së ushtrisë së organizuar. Krahas përgatitjes të Trupave Vullnetare, gazeta nxit shqiptarët që të shkojnë në shkollë ushtarake për t’u përgatitur si oficerë sepse Atdheu ka nevojë. Në një njoftim të publikuar në Faqen e parë të numrit të 19 Korrikut 1916, gazeta shkruan:”Në doni Atdhenë, Mësohuni Oficerë”. Në njoftim gazeta paralajmëronte se Kapiteni i Xhandarmërisë Shqiptare Lytfi Topojani, i marrëveshur me z. Paskal Jubani, mësonjësin e oficerëve shqiptarë në shkollën ushtarake të Italisë, do të hapnin shumë shpejt shkollë për të mësuar dhe për të nxjerrë oficerë shqiptarëtë mbaruar, shumë të përgatitur.”Ky rast s’duhet t’ju ikë nga dora. Shkolla do të hapet në atë koloni ku do të ketë më shumë kërkesa. Pagesa për një muaj $2.00”, njoftonte gazeta.
“Vullnetari” entuziazmohet nga përgatitja dhe paraqitja në publik e Trupave vullnetare të Vatrës. Në një shkrim të botuar në faqen e dytë të numrit të 18 Korrikur 1916 nën titullin:”Flamuri Kombëtar çanë rrugët e Bostonit”, shkruhet se për të parën herë Vullnetarët e Bostonit dhe të Natick-ut marshuan në Paradë me Flamurin Kombëtar dhe me dy Banda ushtarake. Shiu me rrebesh ksihte përmbytur rrugëtr e Bostonit, por vullnetarët shqiptarë me madhështi çanin ujërat dhe paarkalonin. Për nder të Kombit Shqiptar dhe të Vullnetarëve trima, qeveria e Bostonit, iu dha për atë ditë, nëj Bandë ushtarake. Një shumicë e madhe civilësh shqiptarë shkonin pas vullnetarëve. Amerikanët po habiteshin me këtë paradë në mes të shiut. Gjithandej dëgjoheshin:Urraaaa dhe duartrokitje për Shqipërinë dhe shqipatrët.
Gazeta e mbyllte përshkrimin me urimin:Iu lumtë atdhetarëve që nderojnë emrin shqiptar përpara Botës amerikane. Dhëntë Zoti, që për së shpejti të çajnë rrugët e qyteteve të Shqipërisë.
Gazeta”Vullnetari” me seriozitetin e politikës së saj botuese me propagandën që bën në ndihmë të Atdhut, ç’ka shihej si detyrë për shqiptarëte Amerikës, mori edhe përkrahjen e gazetave amerikane. Njëra prej tyre, “NATICK TRIBUNE” shkruante se “Shqiptarët duke parë Kombin e tyre të shkelur prej fqinjëve, të grabitur prej llojë-llojë ushtrishë, po zgjerojnë idealine tyre Kombëtar në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shteteve të Bashkuara. Veçanërisht në këtë fshat(Natick) ku jetojnë një shumicë mjaft e madhe shqipatrësh,prej shumë kohësh botohet gazeta”Vullnetari”, e cila duhet të përkrahet. Në artikullin e gjatë shkruhej se për punët kombëtare të Vullnetarit dhe përgatitjete shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, do të informojnë në vazhdimësi.

TRUPAT VULLNETARE PËRGATITETISHIN NGA OFICERË AMERIKANË DHE SHQIPTARË

Në numrin 12 të publikimit, gazeta boton në faqe të parë një fotografi të madhe që ka zënë të katër kolonat e gazetës, e cila ka si titull hapës”Disa nga Shpresat e Atdheut”.Poshte fotografisë , nën shënimin:”Një pjesë e Trupave Vullnetarëve- Boston-Natick”, publikohen disa nga emrat e Trupave vullnetare, dhe në mesin e tyre Oficeri amerikan që përgatit Trupat e Ntaick z. Charls Green. Ja disa nga emrat e Trupave Vullnetare: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali, Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Theodor, Koli Nochka, Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji, Gjimi katundi, Kristo Lara, Vani Grecho, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemeno Bratko, Pando Kondili, Gjim Panariti.
Në shënimin redaksional që përcjell fotografinë e Trupave Vullnetare përcillet ideja e domosdoshmërisë për t’i aftësuar ushtarakisht djemtë shqiptarë që t’I dalin zot Atdhut. Nëse të tjerët përgatisin ushtri të mëdha e të fuqishme për të zaptuar tokat e shteteve të vegjël, ne le të përgatisim trupat tona, për t’u treguar atyre se nuk do t’i lejojmë që të na marrin tokat tona. Gazeta shkruante: Duke patur Trupa Vullnetare në të gjitha kolonitë e Amerikës do të heshtin së foluri armiqtë kundër nesh dhe bota njerëzdashëse do të kuptojnë se shqiptarët janë të zot të mbajnë me nder Shtetin e tyre dhe e meritojnë të rrojnë në një shtet të vetin.
Komenti na përcjell dhe një informacion shtesë për organizimin e nëj Kuvendi të madh me pjesmarrjen e të gjithë trupave vullnetare të ngritur pranë degëve. Vullnetari shkruan: Kuvendi i Trupave Vullnetare që do të organizohet, do të vërë tërë fuqinë për shtimin e Trupave dhe për shumëfishimin e Vullnetarëve. Gazeta ftonte atdhetarët më të stërvitur në çështjet komëbtare që të propagandonin nëpër koloni rëndësinë e shtimit të këtyre Trupave, që Atdheu i priste me padurim për t’i dalë zot.
Gazeta do t’i rikthehej disa herë çështjes së përgatitjes së Trupave Vullnetare, herë me entuziazëm, e herë me tone kritike për ato degë ku stërvitja nuk shkonte mirë. Numri i 2 tetorit e trajton me shqetësim ngadalësinë e përgatitjeve dhe bën thirrje për ndërgjegjësim të kolonive shqiptare,që ta përkrahin më shumë Vatrën në nismën e saj për përgatitjen e trupave. Nën Titullin emadh me shkronja kapitale, ” Organizohuni sa është dita”, editori pyet:”Ç’na nevojitet të trajtojmë çështjen e vullnetarëve dhe përse s’përparon shtimi dhe përgatitja ashtu siç e kërkon nevoja e Atdheut…?”.
Gjatë shtjellimit të artikullit sqarohet se e vetmja rrugë është përgatitja dhe shtimi i trupave vullnetare, ndryshe, Shqipëria është e mbaruar. Editori përpiqet që t’i prekë atdhetarët në shpirt. Ai shkruan:”Atdhetarët, që e panë me syshkatërrimin e Shqipërisë prej reaksionarëve,ishin aq të pakët, por edhe të pabashkuar, sa s’mundnin të mbanin duart e gjakosura të tradhëtorëve, dhe kështu të shtërnguar ikën duke lënë Shqipërinë në mes të tymit dhe të flakës të tmerruar. Iknë atdhetarët, posi ata trimat e thyer prej mizorisë së armiqëve dhe shpresat janë varur tek organizimi i një fuqie, qëtë shpëtojë Atdhenë nga duart e tradhëtorëve dhe pushtuesve…
Vullnetari evokon trimëritë e atdhetarëve dhe vajton për fatin e Atdhut: Ardhnë mandatarët, dhe pasi u kallëzuan shokëve të tyre shkatërrimin e pamëshirshëm të Shqipërisë përhapën idenë se i vetmi shpëtim i Shqipërisë është formimi i Trupave Vullnetare. Atheu është duke rënkuar….Editori argumentonte:Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!.
Më pas “Vullnetari” informon lexuesit e vet se Kuvendi i Vatrës ndau një fond për të organizuar një Kuvend të Trupave Vullnetare. Por koha po kalon dhe qendra nuk po lëvizte, degët po ashtu. Vullnetari nuk ia kursen kritikat. Gazeta lëshon thirrjen: O burra pra, të mos flemë!
Gazeta informon në vazhdimësi për përgatitjet e Trupave vullnetare. Në një kronikë nga Jamestown(Xhejms taun), që publikohej në numrin e 28 Marsit shkruhet se Trupi Vullnetar i kësaj qyteze ku banonin mjaft shqiptarë kishte bërë përgatitje të vazhdueshme dhe kishte shënuar përparime të mëdha. Kjo trupë drejtohej nga oficerë shqiptarë, me në krye oficer Kame Menkulasi, oficeri Sabri Daut Korça dhe tetari Demir Zvezda. Gazeta përhiron komandantin e Trupës Abas Kamenica, oficerët dhe të gjithë Trupën që po i nderon shqiptarët me përparimet që ka bërë. Në kronikën e publikuar informohet komuniteti shqiptar se Banda muzikore”Mbretëresha Sofia” me kryetarin e saj Ysen Belortaja do të organizonte në zyrën e Vatrës të kësaj qyteze “Albanian Pazar”, ku do të ishin të pranishëm edhe trupat vullnetare.

TRUPAT VULLNETARE TE VATRES FORMUAN GARDEN KOMBETARE TE SHQIPERISE

Trupat Vullnetare së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës patën si komandant të përgjithshëm Aqif Përmetin, i cili u priu atyre në udhëtimin historik drejt Shqipërisë.Arritën në Durrës rreth 20 Shkurtit të vitit 1920.
Po kush ishte komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës? Aqif Përmeti ishte ushtarak i karrierës, që i kishte kryer studimet në Akademinë Ushtarake të Stambollit, nga viti 1903 deri me 1906. Nga akademia doli me rezultate të larta dhe me gradën toger. Që më 1912, në shtetin e pavarur shqiptar, iu përkushtua Atdheut duke u radhitur në radhët e Xhandarmërisë shqiptare.Duke qenë në vijën e parë të luftës kundër shovinistëve grekë, ai u detyrua që pas ikjes së Princ Vidit, me 1914, të linte Atdheun, dhe emigronte në Boston. Menjëherë u përfshi në Vatër dhe vijoi veprimtarinë për cështjen Kombëtare. Më 6 Mars 915 iu caktua detyra e organizimit të Trupave Vullnetare të Vatrës.
Kontributi që dhanë Trupat Vullnetare në vendosjen e qetësisë dhe rendit në zonat Jugore të Shqipërise ishin të ndjeshme. Ata arritën deri në Vlorë, ku rreshtuan përkrah luftëtarve të Luftës së Vlorës. KëngaHimn”Vlora-Vlora” është kompozuar nga drejtuesi i bandës së Vatrës Thoma Nasi. Ishte ajo këngë që ndezi zemrat e luftëtarve. Komandanti i Trupave Vullnetare dhe organizatori i Ushtrisë Shqiptare, Aqif Përmeti, u shpërblye nga diktatura komuniste me plumba.

* Editori falenderon Emil Nace, nipin e Kolë Rodhes, që bëri të mundur një kopje të koleksionit të Gazetës”Vullnetari”, që tashmë ndodhet në Vatër.

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Gazeta Vullnetari, Kole Rodhe, Trupat e Vatres

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT