• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kombi vezë e veza komb

August 13, 2015 by dgreca

SHKRUAN:KOLEC TRABOINI/
-Fejton-/
E pafrytshme do të qe çdo përpjekje për ti mbushur mendjen ndonjë artikullshkruesi se nuk ka kurrfarë zbulese në teorizimet e tyre se prej një kombi na u krijuakan edhe kombe të tjerë si në lojën e kungulleshës që “kam një komb dhe e ndaj në dy pjese, pse dy, po sa , tre” e kështu me radhë. Kjo për faktin se këtu kemi të bëjmë me njerëz që e kanë marrë seriozisht këtë punën e pjelljes së kombeve në laboratorin e tyre krijues. Po nuk janë dhe aq të vjetra këto histori me pështjellime kombesh, sepse edhe para një shekulli, kur kishin dy vjet pavarësi, u bë një komplot nga një agjent ushtarak i Stambollit me origjinë nga Grebeneja, për ta na bashkuar sërish me sulltanët, sepse mendja e tij e çartur na konsideronte një komb turk.
Mjerisht krijuesi i teorisë famëkeqe të kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu, analist e mësimdhënës nga Mitrovica, këto kohë në rrjetat sociale po del nga loja si intelektual e zbret të flas si një i zakonshëm që grindet në një kafene rruge tek i drejtohet publicistit Fahri Xharra në Gjakovë:”…kujt i referohesh kur thua “Kombi i ardhmërisë, Kombi Kosovar? Përzierje me kënd?.” Për të qenë komb mjafton të kesh shtetin tënd, nuk është e thënë të përzihesh me askënd. Kombi kosovar është monoetnik, përbehet vetëm nga pjesëtaret e etnisë shqiptare, përfshi edhe idiotët dhe zagarët si ti.”.
Le te shohim cilët janë disa nga titujt e veprave të analistit Nexhmedin Spahiu para se të japim dy mendime mbi nulitetin historik të ideve të tij: “Drejt Kombit Kosovar”, Mitrovicë, 2004.,”Kombi në Inkubator”, Prishtine, 2010, “Foshnjëria e Kombit Kosovar”, Prishtinë, 2014. Për çdo shqiptar atdhetar këta tituj janë iritues, me ti shti dreqnit do të thoshnim, e nuk mund të mos shoqërohen nga një ironi si reflektim i absurditetit që përcjellin. Kësisoj pra, në këtë turr të pjellakombësve mund të vazhdohet të dalin edhe vepra të tjera si “Adoleshenca e Kombit Kosovar”, “Puberteti i Kombit Kosovar” “Martesa e Kombit Kosovar” “Andropauza e Kombit Kosovar” si dhe së fundmi “Pleqëria e bjerramendja e Kombit Kosovar”, sepse, meqë krahasimi është bërë me jetët njerëzore, kush plaket qe besa edhe rrjedh bukur mirë. Po jo ama të rrjedhë aq shumë e aq shpejt siç po terrahupet tërë kjo sajesë që na kujton një vezë të prishur, të cilën ngrohe sa të duash, kurrë prej saj nuk do të dalë ndonjë zog pule me emrin Komb Kosovar. Por problemi tashmë është jo efekti i këtyre teorive që po konsiderohen përralla me komb, por zbritja nga teoritë konfuze të librave të tillë në debate të një niveli të ultë në rrjetat sociale, çfarë tregon shumëçka nga qerthulli ku marrakoten teoricienët e krijimit të kombeve në inkubator. Me sa duket tashmë u janë shkarkuar bateritë e inkubatorit të sajesës komb e po merren me vulg-biseda që më shumë të qorrollepsin se sa të kthjellojnë. Kësaj i thonë as më pak e as më shumë, por kur pula nuk po na bën më vezë, të paktën të kënaqemi me glasat. Duke parë rrethanat e kësaj sajese komb kosovar, që kundërshtohet nga çdo mendje e kthjelltë shqiptare, ndoshta gjenden dhe arsye që autorët e kësaj sajese ka kenë humbur qetësinë e të shpërthejnë si nëpër zënka adoleshentësh gjaknxehtë. Se vërtetë ka qenë tepër e lodhshme mbi një dekade të rreket një profesor për të sajuar kombin kosovar. Kaq aventuror e kaq i pamend ky përkushtim sepse nuk ka e nuk ka për të pas kurrë komb kosovar. U duhet thënë hapur tashmë se po behën anakronikë: Lërini këto hamendësime se periudha historike e krijimit të kombeve është e kryer në këtë botë. Kombi nuk krijohet si robotët në laborator. Ah po, përpiqen të sajojnë një komb islamik të fandaksurit e Kalifatit në Irak e Siri. Po a ja vlen te imitohem këto injoranca të shoqërisë njerëzore që po përgjakin popujt me kokëprerje si në epokën më të errtë të mesjetës. Mos vallë ky është inspirimi edhe i pjellakombësve tanë nga Kosova?! Ta kthesh historinë së prapthi, të nisesh e të jetosh me mendje në kohën e krijimit të kombeve është si të marrësh Rosinantin e Cervantesit e ti biesh pash në pash Kosovës e Shqipërise duke kaluar edhe nëpër Iliriadë e Maqedoninë e Shkupit. Është mirë të lihen në një anë përpjekjet alogjike, naive e destruktive, qëllimkëqija, që në thelb janë antikombëtare e rrjedhimisht antishqiptare. Është një përçapje absurde që nuk i nderon, ju humbet edhe ato çfarë kanë fituar si autor shkrimesh. Kjo gjithsesi mund të shtojë një lloj vëmendje mediatike, por nuk është e mirë për ta si përçues teorish konfuze e pa taban. Pa ne si shqiptarë në një komb të përbashkët me shqiptarët e tjerë në gjithë Ballkanin nuk po kemi dert se po na dalin do guriçka në rrugë a shkopinj nën rrotë. Kësisoj teoricienësh plëngprishës ka pas gjithmonë, edhe tradhtar kemi pas gjithmonë, edhe njerëz që punojnë për shkatërrimin e kombit shqiptare copëzimin e tij kemi pasur e vazhdojnë të kemi, por kauza shqiptare ka ecur përpara. Mirë është tu thuhet që të mos i bashkohen mjerimit intelektual, shterpësisë, atyre që e shesin shpirtin për pak para tek qarqet antishqiptarë të fqinjëve e që përfaqësohet së pari nga Kapllan Resul (Buroviçi) e do të tjerë. Të vjen keq kur po tollovitet mjerueshëm edhe një intelektual e analist si Halil Matoshi, madje me fill të humbur edhe i nderuari Rexhep Qosja. Çfarë po ndodh me këto njerëz që me teoritë e tyre po sjellin aq moskuptime e marramendje në popull, që po kërkojnë të ndajnë trungun shqiptar, që po kërkojnë ta na tjetërsojnë e te na nxjerrin krejt ndryshe nga se jemi. A mund të thuhet se Gjermania na paska pas deri sa ra Muri i Berlinit, dy kombe. Apo Koreja e Vietnami për shkak të ndarjes shtetërore administrative na qenkan dy kombe. Është absurde të mendohet. Ashtu dhe Shqipëria e Kosova. Ndaj të mos shkojnë humbës këto analistë. Jemi një komb e nuk mund të na ndajë askush me kësisoj teorish artificiale e pa taban. Ja si e merr nën mbrojtje këtë teori analisti Halil Matoshi në debatin për çeshtjen e Kombit Kosovar:
“…Teorite e Nexhit u perkasin dijeve sociologjike dhe politike, pra për me i rrëzu ose forcu duhen argumente nga këto dije, mosni burra me albanocentrizëm të shekullit 19”. Pra sipas Halil Matoshit, të thuash se nuk mund të krijohen kombe të reja përderisa procesi i formimit i kombit shqiptar është kryer, do të thotë sipas tij që intelektualët kombëtar shqiptar notojnë në albanocentrizmin e shekullit të 19.” . Kjo në të vërtetë është një pasqyrë me reflektim të mjerueshëm në çfarë ujërash kanë rënë teoricienët e krijimit të kombit kosovar. Këshilla jonë për këta kombpjellsa, që sillen si beduinët në shkretinë duke kërkuar një identitet të ri, është se nuk duhet tu bashkohen “Muhaxhirëve” të satirizuar nga Konica, si njerëz me kujtesë historike të shuar sepse mund të shkojnë vërtetë vulëhumbur si një fare intelektuali i njohur në kohën e vet, por tepër konfuz e aventuror me emrin Beqir Grebeneja. Grebeneja udhëhoqi një përpjekje për marrjen e pushtetit për të kthyer sulltanët në trojet shqiptare në vitin 1914. Për këtë u kap bashkë me ushtarët komplotistë turq. E gjykuan dhe dënuan me vdekje, por Princ Vidi e fali. Po atë vit, shkoi e luftoi për Turqinë në frontin rus ku dhe gjeti vdekjen. Por më e rëndë se vdekja për Beqirin nga Grebeneja paska qenë harrimi nga populli i vet, megjithëse ka edhe zëra që lodhshëm përpiqen ta glorifikojnë këtë agjent anadollak. E natyrshëm kjo në kohën tonë kur nuk mbeti tradhtar kombëtar pa u shpallur hero. Dhe paradoksalisht kujtimin e halldupit Beqo e ruan Turqia. Prandaj kush është shqiptar, mirë është të mos i shkojë asaj udhe si Grebeneja, që në Shqipëri u shfaq si mercenar i huaj, e me ketë shkak për shqiptarët është i shkuar e i harruar. Nderi i çdo atdhetari është të punojë për kombin e vet, për bashkimin e përparimin e tij e jo të punojë për të tjerët, jo të përçojmë ide e mendime panikndjellëse e kryekreje të mos hallakatemi si mizat pa kokë.

12 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: e veza Komb, Kolec Traboini, Kombi veze

VËSHTRIM MBI GJUHËS SHQIPE NË VITIN 1810

August 9, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI
Hobhouse, John Cam, Lord Broughton. “Nëpër Shqipëri, dhe krahinat e tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi, në Konstandinopojë, gjatë viteve 1809 dhe 1810” Vol Ι-II, Londër, James Cawthorn, 1813./
John Cameron Hobhouse (1786-1869), që më vonë do të marrë titullin e lartë Lord Broughton, u bë mik i Bajronit kur ata ishin me studime në Kembrixh, dhe ishte shpesh shoqërues në udhëtimet e poetit të madh. Në shtator 1809 Bajroni dhe Hobhouse ishin në Maltë dhe shfrytëzuan rastin për një udhëtim me një anije që do të shkonte në Prevezë, një qytet shqiptar në Çamëri. Më pas shkuan dhe në Tepelenë ku takuan Ali Pashën, i cili i priti me nderime të mëdha. Duke u kthyer në Janinë, atëherë një qytet i madh i Perandorisë Osmane, Hobhouse dhe Lord Bajroni udhëtuan nëpërmjet Acarnania për në Delfi dhe përfunduan në Athinë, ku qëndruan për dhjetë javë. Gjatë kësaj kohe, Hobhouse vizitoi Megarën, Atikën dhe Kalkidhën. Në vitin 1810 ata u ndanë: Lord Bajroni u kthye në Athinë, ndërsa Hobhouse u nis për në Angli, ku ai u përfshi në jetën politike. Nga ky udhëtim fillimisht në 1813, botoi një libër përshtypjesh për vendet nga kaluan në Shqipëri dhe Greqi me titull “Nëpër Shqipëri, dhe krahinat e tjera të Turqisë gjatë viteve 1809 dhe 1810”. Më vonë u bë anëtar i parlamentit, shërbeu si sekretar për luftën në kabinetin kryeministrit Charles Grey (1830–1834) dhe ka mbajtur poste në qeveritë e mëvonshme. Dy vëllime e librit të tij u botuan shumë herë, madje deri edhe në vitin 2015.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët flitet gjatë gjithë librit voluminoz, por në fundin e vëllimit të dytë ka një ekstrat ku gjenden 20 faqe vështrim mbi gjuhën shqipe duke e parë në një plan gjithëpërfshirës, sepse kjo gjuhë flitej jo vetëm në krahinat e njohura si trojet shqiptare, por anembanë Greqisë. Kemi një analizë me karakteristikat e gjuhës shqipe, tiparet dhe natyra e saj, aspekte të gramatikës, të zgjedhimit të foljeve, emrat, përemrat madje edhe numërimin në gjuhën shqipe. E rëndësishme është se ai ka studiuar me kujdes në terren të folurën shqipe të arvanitasve të Atikisë, rreth e qark Athinës. John Cam. Hobhouse sjell edhe vështrimin mbi një fjalor të gjuhës shqipe të Da Lecce. Dimë që këtë libër e ka njohur e vlerësuar Faik Konica, sepse në disa raste ai i referohet vëllimeve të Hobhouse në revistën “Albania”.
Është për t’u admiruar puna e këtij udhëtari anglez që ka njohuri edhe nga gjuhësia që ka lënë të dokumentuar mjaft trajta të shprehuri të shqipes. Ai që në fillim shpreh shqetësimin që kanë shqiptarët se nuk kanë alfabetin e tyre për të shprehur mirë e saktë gjuhën e vet. Në kërkimet e bashkëbisedimet e veta me shqiptarët duke përfshirë dhe shqiptarët e rrethinave të Athinës, ai shprehet se nuk sheh ndonjë ndryshim në mes të gjuhës shqipe që përdorin në Atiki dhe asaj që përdorin në Epir. Është e njëjtë, është gjuhë shqipe. Sapo nis kapitullin “Gjuha Shqipe” ai shkruan se ka në dorë librin e Pader Francesko Maria da Lecce me titull “Osservationi Grammaticalli nella lingua albanese…. In Roma Della Stamperia della Sag. Congr: di Prop. Fede, 1716”.
Në vëzhgimet që bën Da Lecce, në librin e tij, J.C. Hobhouse e konsideron të gabuar mendimin se gjuha shqipe nuk është e shkruar, dhe veçmas duke nxjerrë si shkak vështirësitë në problemin e gramatikës së shqipes në përshtatjen e një alfabeti. Ky konkluzion i gabuar vjen thotë Hobhouse, sepse Da Lecce në librin e tij është mbështetur më së shumti tek përvoja e misionarëve fetarë të huaj, kryesisht italianë që kanë shërbyer në Shqipëri e që kanë hartuar gramatika jo të sakta që shprehin tingujt e shqipes. Gramatika që paraqet Padër Da Lecce është një udhëzues që është përdorur për misionarët e rinj të fesë që vinin në Shqipëri si një udhëzues që në fund të fundit nuk është mbështetur në ndonjë model apo studiues e njohës profesionalë të gjuhës. I konsideron si përvoja empirike dhe jo shkencore. Çdo shpjegim është bërë duke u mbështetur në përqasje me italishten. Pikërisht për këtë Hobhouse merr përsipër në 20 faqe të librit të vet, libri i dytë shtesë, një analizim të gramatikës së gjuhës shqipe duke nxjerrë karakteristikat e saj. Shumë gërma të italishtes i përshtaten tingujve të shqipes, por jo të gjitha konstaton ai, prandaj lind nevoja e disa shenjave grafike të veçanta.
“Kam mbledhur- shkruan Hobhouse- një numër të madh fjalësh e shprehjesh të shqiptarëve të fshatrave të Atikës, përreth Athinës dhe dëshiroj ta vendos në fund të librit si shtesë për të parë sa qëndrojnë ato që shkruan Da Lecce. Duke krahasuar dy raste specifike, shkruan Hobhouse, unë konstatoj se fjalë e shprehje të tëra të folura shqipe të Atikës janë krejt ngjashëm me ato të Epirit, natyrisht me ndryshime fare të vogla si karakteristika e nuancat dialektesh si në çdo gjuhë tjetër. Ai merr në analizë emrat, mbiemrat, përemrat, parafjalët, numëroret, foljet dhe kohët e tyre duke sjellë shembuj me fjalë e fjali të plota që tregojnë me sa vëmendje i ka studiuar karakteristikat e gjuhës shqipe dhe ligjësinë e brendshme të gramatikës në prirjet e zhvillimit të saj, pa harruar leksikografinë dhe përshëndetjet tipike shqiptare.
Në konkluzionet e tij autori Hobhouse thotë se këto vështrime mbi gjuhën shqipe janë si shënime njohëse e nëse ata nuk e plotësojnë krejt e të plotë njohjen e gjuhës shqipe, mjaft mirë do të ishte që lexuesi të adresohet tek libri i Da Lecces, por nëse edhe këtë nuk e konsideron të plotë atëherë i mbetet të ushtrohet duke u mbështetur tek gramatika për të cilën jepet një shembull mesa duket i mbështetur tek Da Lecce në vitin 1716 se si mund të komunikohet në gjuhën shqipe.
Po e sjellim letrën origjinale nga faqja 433 e librit dhe në vazhdim të përshtatur.

Arbenorit.
Arbenuer i dasciuni ket’ gramatiken e sckrova io per dzottinii tande, ki di màa fort, e màa nkΘieet, se une: por atà Fratini ki viiene per se largu me i ù scerbbouem. E persè ket nde dee te Romese skane hàbèr te ghiuse sate: pune emire asct, ki maa pare ta marrene vesc kaha. Nde te pelcheft hessapi i kessai letre ( te lutem) me fale Tinedzott, se dà mùe scendetne me mbaruem kach pune, nde mos e paccia mire rièscpitune fialata ndieiima: persè luftova, sa mùita, me i vum pàa hile, sicundrese m’ fali dzottouni, me te dcilne pacc jeten’ e giatt, e te pouΘ dòrene.

Arbnorit.
Arbnor i dashtun ket’ gramatikën e shkrova jo për zotnin tande, ti e di ma fort,
e ma afër se unë: por për At Fratinin që vjen prej së largu e për ti shërbye. E kjo sepse këta të Romës s’kanë haber të gjuhës sate: punë e mirë asht që ma parë ta marrin vesh se kah është. Në të pëlqeftë shkrimi i kësaj letre (të lutem) të më fali Zoti ynë, të më jap mua shëndet me mbaru këtë punë, në mos i paça respektu fjalët të kërkoj ndjesë: sepse luftova, sa munda, me i vue pa hile, sikur mi fali do Zoti ynë me të cilin paç jetën’ e gjatë, e të puth dorën.

Në vazhdim autori shkruan se të vetmet fragmente të regjistruara nga arvanitët e Atikës, fshatrat që e rrethojnë Athinën, ishin tre strofa të një kënge arvanite- shqipe që përmbajnë thirrje dëshpëruese të një arvaniti drejtuar një vajze të re.

De vdeksa tema kquash be gropa targalissa.
Tete coombeesema bundi tema pustrosh me sisa.

Vdekea athe me savanosna.
A pastai me metasnosa.

Vdekea athe de klish me kialn.
A pastai rovne te kliagn.

Vihet re se përkthimi në anglisht i kësaj poezie nuk është krejt e saktë, por e përafërt. Po përpiqemi ta sjellim në shqipërim të lirë në gjuhën e sotme letrare.

Në vdeksha të më çosh tek gropa përqafuar
Të mbështetem e së fundi të më pushtosh me sisa

Vdiqa e atëherë më mbështollën në çarçaf
Më lanë e pastaj ikën larg.

Vdiqa dhe në kishë më futën në varr.
E pastaj harruan të më qajnë.

Ky libër historik në dy volume të mëdha është botuar me dhjetëra herë, madje në kuadrin e 200 vjetorit të botimit të parë njohu disa botime, në 2011, 20013, 2014 dhe 2015. Libri në dy volume ka një vlerë shumë të madhe për të njohur zhvillimet në fillimin e shekullit të 19-të nëpër qytetet shqiptare si Tepelena, Preveza, Parga, Arta (Ambrakia e lashtë), Janina e me tej në Atikë, Peleponez e ishuj, kudo ku ky mik i madh e bashkudhëtar i Bajronit dhe shqiptarëve takonte njerëz që flisnin gjuhën shqipe. I përshkruan ata besnikë, të cilët madje krejt me dëshirën e tyre e pa asnjë pagesë e përcjellin duke u dhënë siguri të plotë kur kalojnë për në Janinë. Ai përshkruan pritjen e Ali Pashait në kalanë e Tepelenës që e konsideron një pritje të shkëlqyer dhe i kundërshton thëniet e Mr. Hyges që e përshkruan vezirin Ali si të rëndë e jo miqësor. J. C. Hobhouse shkruan se ne gjetëm të kundërtën. Një pritje mbresëlënëse edhe në Janinë këtë kryeqytet të shqiptarëve. Libri nuk është një trajtesë gjuhësore, por shënime udhëtimi e vëzhgime të thella, çfarë tregon për interesin e madh që kishin të huajt për Shqipërinë në fillimin e shekullit XIX. Vetë fakti se librit i kishte vënë titullin “Nëpër Shqipëri…dhe provinca të tjera të Turqisë”, tregon se Shqipëria ishte përparësi në udhëtimin e tij dhe kishte tërhequr vëmendjen e qarqeve evropiane. Shqipëria në mendjen e njerëzve të ditur i Hobhouse – Lordi anglez Broughton, i cili e meriton një përkujtimore diku në Shqipëri, kishte një shtrirje të gjerë hapësinore në Ballkan dhe kurrsesi nuk mund të përfytyrohej në dimensionet që i dha Konferenca vrastare e Ambasadorëve në vitin 1913. Lordi Broughton i gjente gjurmët shqiptare madje deri dhe në rrethinat e Athinës e kudo nëpër ishujt e Greqisë, e cila do të krijohej si shtet po prej shqiptarëve-arvanitas 20 vjet më vonë. E dobishme do të qe të botohej ky libër nga Akademia jonë e Shkencave, së paku pjesë të seleksionuara, siç kanë bërë me shënimet e këtij autori për Italinë botuar këtë vit, sepse falë njerëzve të mëdhenj si Bajronit, përfshirë dhe Lordi Broughton me këtë libër, çështja jonë kombëtare sa vinte e bëhej më e njohur anipse mjerisht për shkaqe që tashmë janë të ditura, ne shqiptarët dolëm të vonuar, të copëtuar dhe të fundit nga gërmadhat e perandorisë osmane.

Filed Under: Histori Tagged With: Kolec Traboini, MBI GJUHËS SHQIPE, NË VITIN 1810, veshtrim

Kanabisi kuq – Kanabisi blu

August 8, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
Deri sa erdhi aksioni i madh policor “Big Show me Canabis Sativa” në Lazarat të Gjirokastrës, plasi propoganda marroke televizioneve dhe gazetave çakërqefe shqiptare se Kanabis Sativen e mbjell Lazarati Blu që ishte bërë Kolumbia e Shqipërisë. I vunë vulën me urdhër të shtabit qeveritar dhe Lazarati u njollos në lajme që u publikuan në të gjithë botën. Policia e qeverisjes së majtë bëri dy aksione në Lazarat që i kushtoi dhe një jetë njeriu. E po thamë se kjo punë u krye. I lamë duart nga kanabisi.Fjalime, përgëzime, vet urime me bollëk, sepse më së fundi kjo plagë u mbyll, edhe me shkakun se këta blutë e Lazaratit nuk kishin më mbështetje politike, de. Por këtu në Shqipërinë e tarafeve dhe sarafëve ndodhin çudira për të çuditur edhe bufat ne pemë e jo më për të trullosur çdo mendje normale në tokë. E me këtë rast, në ndihmë të propogandës qeveritare vjen shtypi teveqel. U krijua përshtypja se Qeveria e Demokrateve nuk kish bërë tjetër për tetë vjet veç kishte mbjellë e korr vetëm Kanabis Sativa. E meqë një farë Genc Ruli që rulosi kolltukët si ministër që këtu e njëzet vjet, duke qenë së fundi ministër bujqësie i takonte të konsiderohej edhe ministri i kanabisit shqiptar. Mirëpo ndodhi si puna e një lajmi që nxorri një farë Ndoc Rroku në Shkodër që nisi të tallet e të rrej botën. Dëgjoni o milet, ka plas krapi në Breg të Ranës. Ishte fjala për bregun e liqenit të Shkodrës. Kaq tha Ndoc Rroku e fjala nxorri fjalën dhe mori dhenë. E tu lëshuan të gjithë shkodranët me kusia e me sahana me mbledh peshk në breg të liqenit. Kur del Ndoc Rroku tek Dugajt e Reja, sheh do miq të vet që vrapojnë. Po ku shkoni, more të marre, u tha Ndoc Rroku. Ata me turr e vrap ja kthejnë, lëri fjalët Ndoc se sot është dita e veprimit, merr një thes a një kazan e të shkojmë të mbledhim krap se ka rrah në Breg të Ranës. Ndoc Rroku po mendon dhe në fund tha, edhe mundet, e u nis bashkë me të tjerët duke gënjyer kësisoj edhe veten se krye peshku në breg të liqenit nuk kish dalë. Kështu dhe këto gazetat tona që rrinë e qëndisin rrena natën që gjindja ti besojnë ditën, sikur- sikur qeveria që iku mbillte vetëm kanabis se punë tjetër nuk kish. Por një ditë gushti në mes të vapës na vjen një aeroplan spiun italian e ti bjen përqark qiellit të Tepelenës. Batërdia! Kaq shumë qe habitur piloti italian sa për pak nuk u rrëzua mbi një parcelë të gjelbër. Kudo arat e pllajat ishin mbjellë me Kanabis Sativa, dhe ai dyshoi se mos ndodhej në Kolumbi apo Afganistan e jo në Tepelenën e Ali Pashait. E dhanë lajmin me gjysmë zëri. Mirëpo njerëzit, prej rrenave të gazetave dhe komunikatave të zëdhënësve qeveritar, ishin ngujua në mendimin se vetëm ato terrene që ishin bastione blu të partive të opozitës merreshin me kultivimin prodhimin e drogës. A mos është ky lajm diversioni më i ri i shqup-istëve? Po tani si i bëhet se Tepelena është kryeqendra e kuqe e partisë në pushtet. A do lërë tepelenasi i fortë i partisë që ka qeverisjen të ndërhyhet edhe në Tepelenë si në Lazarat? Të gjithë mendojnë se jo. Aq më tepër se kjo Tepelena është dhe mbështetja politike e ministrit të brendshëm që e ka prejardhjen e vet nga ky vend. Atëherë u vu në punë kryebashkiaku i sapozgjedhur me emrin sugjestiv Termet. Termet, i thanë, bëje termet ti se ne jemi me pushime të thella në Vlorë e përtej. Dhe ky Tërmeti bubulloi në një mbledhje të Këshillit të ri bashkiak të sapozgjedhur dhe i ftoi tepelenasit që vetë ata të heqin dorë nga Kanabisi e ti vinin flakën arave. Deri më tani tym nuk ka. A po shkulet e digjet droga në ara akoma nuk ka lajme. Kasnecët televiziv dhe të shtypit të varur që llapaqosen në kazan të qeverisë, disa këshilltarë që të çajnë të çarën në panele televizive për natë, po përgatisin edhe ata planin e tyre për të pasqyruar këtë trimëri të re policore. Mirëpo si? Se kjo është si thika me dy presa, të shkruajnë apo thonë se një aksion i madh policor po mposht Tepelenën, siç thanë për Lazaratin nuk është e mundur. Se Tepelena është si muri i madh kinez i partisë në pushtet e jo bastion blu i partisë së gremisur me vota popullore. Garda e shtypit politik pro qeverisës është në kërkim të një zgjidhje që peshku i Ndoc Rrokut të piqet por helli i sojliut të qeverisë të mos digjet. Ca po thonë se ka një variant të mundshëm, që të shkruhet e zeza mbi të bardhë sikur qielli me rrufe i vuri flakën pyjeve, ndër to edhe qindra parcelave me Kanabis Sativa mbjell nga të panjohur e kështu çeshtja të mbyllet pa bujë. Pastaj përparësia e qeverisë është se nuk ka kush ta kontestojë rrenën që shitet si e vërtetë apo sapunin për djathë në këtë treg marrok të fjalës së manipuluar. Shto faktin se opozita është në panik e kaos se u rezulton që dhjetë bukurosha deputetë, të kenë votuar kundër kandidatit të partisë së vet për kryebashkiak të kryeqytetit. Pra thënë hapur, demokratët jo vetëm që humbën pushtetin qendror 2013 dhe lokal 2015, por u është hallakatur i tërë elektorati që nuk i honeps ata që janë në krye kaq vjet e të cilët i konsiderojnë si parazitë, të korruptuar, që shiten për çmimin më të lirë që u afrohet. Gjendur kësisoj si në një brrakë me ujë të ndenjur, (ca po thonë të qelbur) opozita rri e numëron yjet e netëve të gjata të gushtit duke shpresuar të ketë ndonjë furtunë me shi politik në vjeshtë. Kështu të dy krahët e politikës nuk po dinë çfarë të bëjnë. Ndërkohë tepelenasit që ëndërronin të kishin një mundësi të re për tu bërë ata një Lazarat i ri me bum ekonomik, superfuqi tregu, për të fituar kësisoj miliarda dollarë, janë në dilemë. Ata ishin në pararojë të luftës elektorale për të fituar qeveria, ca u punësuan në polici falë ministrit tepelenas, por a ngopet ariu me miza? Populli do të hajë përditë, djemtë duan vetura, po dasmat e dollitë me dollibash duan para e Kanabisi i zgjidhte të gjitha këto punë. Njëri nga ata, një plak i vjetër thua një shekull, rrinte e kundronte bimët e Kanabisit që kishin marrë për mbarë mbi dy metra e kusur. Ku Luzati e ku Lazarati, tha duke kërkuar me sy në horizont atje ku retë i dukeshin si tym kanabisi i djegur e shkrumbuar. Të shkojë gjithë kjo punë dem! Ai sodiste bimët e harlisura e në mend i shkonte deputeti i partisë së vet në pushtet, që lëshonte një zë skifteri në mes të deputetëve të Kuvendit që të legalizohej Kanabis Sativa, por asnjëri nuk ja varte. Medet! Ai qenka për popullin fukara, mendoi plaku me krrabë nga Luzati. Atë të kishim të parë e jo këtë sojliun e gjatë që as ta bën e as të lëshon. Se të thuash të drejtën, ai tjetri, që tani rri në kuvend e mollois si plaku i qoshesë, të paktën për tetë vjet bëri një sy qorr e një vesh shurdhër. Ky i yni, na ruaj zot, me sy të shqyer çakërr, me vesh të ngritur që të kujtojnë ujkun, që të flet veç për burgun, e, si do të dalë buka e gojës nuk do t’ia dijë as ai e as qehajallarët e tij. Ngordh po deshe. Po të paktën do ngordhësh i nderuar, si zbatues i denjë i ligjeve të shtetit që nuk pjerdh për popullin. Më së fundi plaku me kërrabë, atje lart në një gërxh të Luzatit me vështrim ne horizont, tej e përtej Picarit, atje ku mendonte se gjendej diku Lazarati. Ofshani fort e tha: si nuk e patëm fatin historik të kishim edhe ne një Pavlo Eskobar. Pastaj pa përreth e ndërroi mendje. Po kush tha se s’mund ta kemi tani që kanabisin e mbjell gjithë Shqipëria?!

Filed Under: Opinion Tagged With: Kanabisi kuq - Kanabisi blu, Kolec Traboini

SERBIA SHPËTIMTARE E PERANDORISË TURKE

August 3, 2015 by dgreca

Shqiptarëve që gënjehen prej erërave mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë tu themi: mësoni ta lexoni historinë e të mos bini viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët. Nuk ka pse të ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i serbëve. Në aparencë të duket se shteti serb nuk ka interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të dimë si ta lexojmë historinë./
Ne Foto:Sulltan Bajaziti I dhe gruaja e tij serbe, Princesha Olivera/

Nga Kolec TRABOINI /

Ka ngjarje në histori të kaluara në gjysëm heshtje e në të kundërt mjaft prej të tjerave thirren në evidencë për qëllime të ditës e të realizimit të planeve gjeostrategjike në Ballkan. Në këtë mosnjohje historike po ndodhin dhe precedentë nga më të çuditshmet dhe më të dëmshmet. Shumë ndër shqiptarë të nxitur nga inkursionet e të huajve po bëhen zëdhënës e trumbetues të krijimit të hegjemonive të reja, duke ëndërruar krijimin e një bashkësie shtetesh në Ballkan ngjashëm me perandorinë osmane, e stimuluar kjo nga politika Erdoganit dhe përhapja e ideve e parullave mjaft agresive, ndër të cilat “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”. Këto qarqe që kërkojnë revanshe historike nuk dalin të shpjegojnë se ku qëndron kjo sentencë, mbi çfarë baze historike dhe ku duan të arrijnë me të. Gjithsesi, ky synim është mjaft i dëmshëm për çështjen shqiptare, ende e pazgjidhur përfundimisht në trojet e veta të ndara si plaçkë tregu dhe trofe luftërash prej shtetesh ballkanike, që mesa duket ende nuk paskan të ngopur me trojet e të parëve tanë ilire. Natyrisht krijimi i kësaj psikoze, se Turqia e Erdoganit ka ambicie për krijimin e një formacioni të madh në aleanca mbështetur në popullsinë myslimane të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, i shkon sipas orekseve qarqeve të Beogradit, por edhe Athinës për gjoja rrezikun që përmbajnë shqiptarët në prirjen e tyre për të krijuar një kalifat ballkanik mysliman. Ata e shfrytëzojnë këtë ide të stisur me qëllim të fusin panikun në shtetet e tjera ballkanike, por edhe Evropës dhe Amerikës, madje edhe duke u shtirë si të frikësuar, duke u paraqitur pas masakrave e gjenocidit që ka bërë mbi shqiptarët, mundësisht edhe si një viktime. Kjo është një politikë tinëzare që ne si shqiptarë duhet të dimë si ta kundërshtojmë dhe ta demaskojmë, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë dëshirë t’i bashkohen asnjë lloj grupimi a bashkimi veç asaj të BE-së dhe aleancës historike me Amerikën, si shpëtimtarët e popullit shqiptar të Kosovës. Shqiptarëve që gënjehen prej erërave mikluese e mashtruese që fryjnë në të katër horizontet, dëshirojmë tu themi: mësoni ta lexoni historinë e të mos bini viktimë e rivaliteteve herë të hapura e herë të fshehta të shteteve ballkanike e më gjerë që punojnë për interesat e veta e jo për shqiptarët. Nuk ka pse të ngulmojmë në mendimin se Turqia është miku ynë dhe armik i serbëve. Në aparencë të duket se shteti serb nuk ka interesa dhe aleanca e ndonjë miqësi fort të madhe me Turqinë, por ne duhet të dimë si ta lexojmë historinë. Historinë tonë, por edhe historinë e të tjerëve. Po t’i ndjekim me kujdes faktet historike, na del se Serbia jo vetëm nuk ka qenë ndonjë armik i përbetuar i Turqisë, por nje aleat që të paktën në një çast historik ka qenë edhe shpëtimtare e Perandorisë Turke. Nuk duam të bëjmë historizëm po le t’i hedhin një vështrim marrëdhënieve serbo-turke. E vërteta është se ka pasur një betejë në histori e kthyer në mit të sforcuar si betejë vetëm serbe; është fjala për betejën e aleatëve ballkanikë dhe forcave të perandorisë turke në Fushë Kosovë në vitin 1389, e cila doli humbëse për aleancën ballkanike në mes të cilëve qenë dhe shqiptarët, por veçmas fatale për serbët, të cilët humbën Car Lazarin në fushë të betejës. Por edhe turqit megjithëse e konsiderojnë betejën të fituar, lanë në fushëbeteje sulltan Muratin e I. Këtu shquhet emri i luftëtarit shqiptar të kthyer në legjendë Millosh Kopili, që nëpër analet osmane quhet edhe Bilesh Kyble. Në këtë betejë pashallarët turq kishin në komandë edhe dy djemtë e Sulltan Muratit, Jakub Çelebiu dhe Bajaziti. Të ndodhur përpara alternativës se cilin duhej të zgjidhnin sultan, pashallarët turq e vranë vetë Jakub Çelebiun dhe shpallën sulltan Bajazitin e parë. Nga kjo betejë Serbia pranoi vasalitetin dhe vajza e Car Lazarit të vrarë ju dha Bajazitit, i cili e mbajti në harem si një nga tre gratë e veta. Vetë Bajaziti e kishte nënën greke. Pikërisht tek kjo grua serbe, vajza e vogël e Car Lazarit të Serbisë, Mileva Olivera Llazareviq, turqit e quanin Despina Hatun, do të nisë një miqësi mes serbëve dhe turqve. Pavarësisht martesës së saj, ajo kurrë nuk u konvertua në Islam. Ajo kishte një ndikim të madh te sulltani, i cili ndihmoi njerëzit e saj, vendin dhe familjen për të mbijetuar. Në këtë kohë në krye të Serbisë, ishte vëllai i saj Stefan Lazari si aleat i turqve. Në 20 korrik të vitit 1402, mes forcave kalorësiake të fiseve tartare të Timurit dhe atyre të Sulltan Bajazitit, u zhvillua një betejë vendimtare, e quajtur sipas vendit ku u zhvillua, beteja e Edrenesë. Në krah të Sulltan Bajazitit ishin si aleatë forcat serbe të Stefan Lazarit, por edhe princët shqiptarë që kishin pranuar vasalitetin, si Gjon Kastrioti, Koja Zaharia (babai i Lek Zaharisë), Dhimitër Jonima dhe mendohet edhe Tanush Dukagjini. Ishte një nga betejat më të përgjakshme. Historianët shënojnë se brenda një ore u vranë prej furisë së kalorësve të Timurit afro 50 mijë ushtarë turq. Ndodhur në këto kushte forcat aleate ballkanike arritën të dalin nga rrethimi që u kishte bërë Timurlengu, i konsideruar një ushtarak shumë i zoti. Madje historianët shënojnë se cprinci serb Stefan Lazari, vëllai i gruas së sulltan Bajazitit, i kërkoi këtij që të tërhiqeshin për të shpëtuar nga ndonjë grackë e mundshme e Timurlengut. Por nga sedra e madhe, sulltan Bajazitit, i njohur për shumë fitore në kohën e sundimit të tij, nuk e la fushën e luftës dhe vazhdoi qëndresën pa u tërhequr. Kjo do t’i sillte shkatërrimin. I mbetur me jo më shumë se disa qindra kalorës, i rrethuar nga forcat armike, ai zihet i gjalle megjithë shpurën e tij, me gruan serbe dhe me një nga djemtë. Kesisoj erdhi shkatërrimi i perandorisë turke, e cila për 11 vjet do të vazhdonte të ishte në kaos. Sulltan Bajaziti u mbajt rob, por mbas disa muajsh, në vitin 1403, ai vdiq nga hidhërimi. Pas kërkesave të shumta nga Serbia, Timurlengu pranoi të lërë të lirë gruan serbe të Bajazitit dhe një nga djemtë e tij mbetur rob. Në këtë periudhë ndjehet roli i sulltaneshës Despina Hatun në riformimin e perandorisë turke, e cila ndodhej në luftë civile e rivalitete pushteti mes katër djemve të sulltan Bajazitit që zgjati deri në vitin 1413. Për këtë princeshë serbe dhe grua sulltani është botuar një libër në vitin 2009 në Beograd me titull “Princesha Olivera, heroina serbe e harruar”. Serbët e përkrahën njërin nga djemtë, Mehmetin, i cili i mundi të vëllezërit një e nga një, i vrau dhe u shpall sulltan Mehmeti i parë. Me vdekjen e Timurit në moshën 69 vjeç, ndërsa ishte duke përgatitur 300 mijë trupa për të sulmuar Kinën, perandoria turke nën sulltan Mehmetin e parë e rimori veten falë edhe kontributit që serbët dhanë për ripërtëritjen e saj. Jo më kot Serbia e ka lejuar gjithëherë turben që u ngrit nga turqit në vendin ku u vra sulltan Murati i I nga shqiptari Milosh Kopili. Ishte tyrbja e babait të Sulltan Bajaziti i I, dhëndrrit të Serbisë ku çuditërisht falen edhe sot e kësaj dite shqiptarët myslimanë të Kosovës pa e ditur krejt çfarë bëjnë në këtë ironi të historisë, se ky sulltan është i afërt i serbëve e jo i shqiptarëve. Dhe që ta dimë mirë historinë, sulltan Bajaziti i lejoj serbët të pushtonin Shkupin sepse i konsideronte aleatët më të besuar në Ballkan, çfarë historia a vërtetoi me ndihmën që këta dhanë me ringritjen e perandorisë osmane me sjelljen në pushtet të Mehmetit e I. Miti i betejës së Kosovës në vitin 1389 i ka shërbyer Serbisë jo si armiqësi ndaj turqëve, por vetëm e vetëm për të mbajtur të pushtuar tokat shqiptare. Ja pra që historia ka edhe dritëhijet e veta. Lidhjet serbo-turke disa ndër shqiptarët e Kosovës nuk arrijnë t’i dallojnë, por ato aty janë, në histori. Ndaj të mos na vijë çudi që Perandoria Osmane ua lejoi serbëve pavarësinë, ashtu si më parë grekëve, por kurrën e kurrës nuk mendonte ta bënte këtë gjë me shqiptarët, me mendimin se tashmë shqiptarët ishin shkombëtarizuar, ishin tjetërsuar, ishin kthyer në turq dhe nuk kishin asnjë lloj identiteti. Të mos e harrojmë devizën e sulltanëve turq që “vendi të shkatërrohet e asnjë shqiptar gjallë të mos mbetet”, e cila shprehte mllefin e egër thuaj shtazarak të pushtuesve ndaj një çerek shekulli rezistencë të shqiptarëve dhe disfatave të hordhive të lindjes. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që në trojet shqiptare me ushtri të panumërta të shfaqeshin vetë sulltanët e jo një here, por disa herë dhe të kthyer me turp andej prej nga kishin ardhur. Analet historike, shënimet e udhëtarëve, kronikanët e sulltanëve e përshkruajnë me tone urrejtjeje deri dhe patologjike Gjergj Kastriotin, atë që mbante emrin e Aleksandrit të madh, Iskander- Skënderbeu. Ato përshkruajnë masakrat që janë bërë ndaj shqiptarëve prej hordhive sulltanore por nuk gjendën te njëjtat trajtime asnjë herë në kronikat e tyre në trojet e ndaj popullsisë serbe. Mizoria ndaj shqiptarëve e pohuar prej tyre në arkivat osmane janë një mizori e vërtetë me një dëshirë të egër për zhdukjen e kësaj popullsie nga faqja e dheut. E nëse shqiptarët arritën të shpëtojnë si komb ishte, siç e përshkruajnë kronikanët turq, se shqiptarët që shpëtuan prej kokëprerjeve shkuan në malet e lartë e në pyje të dëndura ku nuk mund të depërtonte këmbë ushtari. Në këto anale historike populli që urrenin më shumë, që e përshkruanin si më të egrin me të cilët kishin luftuar ndonjëherë e që meritonte të shfaroseshin qenë shqiptarët. E kjo histori është e shkruar me dorën e tyre e nuk mund të vihen në dyshim as faktet që sjellin e as urrejtjen që shprehin. Ka që hedhin dyshime se shkrimet e Marin Barletit tonë të madh janë subjektive, se masakrat nuk kanë qënë dhe aq sa përshkruan tek “Skënderbeu” dhe “Rrethimi i Shkodrës”. Lexoni kronikanët e vjetër turq Ahmedi (1334-1413), Shukrullah(1386-1459), Oruçi, Mehmet Neshri, Tursuni, Këvami, Idriz Bitlisi(? – 1520), Kemal Pashazade (1468-1534), Hoxha Sadeddin(1536-1599), Ali ( 1541-1600) e plot të tjerë për të mësuar skena vrasjesh e tmerresh të pafundme, biblike ndër shqiptarët. Vetëm këto kronika po të paraqiteshin para opinionit publik ndërkombëtar do të mjaftonte për ti konsideruar pesë shekuj pushtim si pesë shekuj gjenocid të turqëve mbi shqiptarët. Edhe në qindvjeçarin e shtetit shqiptar janë parë aleanca turko-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve. Le të kujtojmë konventën jugosllavo-turke të vitit 1938, e cila ishte në kuadër të programit shovinist për spastrimin e Kosovës prej shqiptarëve. Dhe e vërteta është se turqit i ndihmuan serbët të zbojnë nga Kosova me qindra e mijëra shqiptarë duke e zvogëluar numrin e popullsisë. Por edhe më pas Luftës së Dytë Botërore ka marrëveshje si ajo e quajtur Pakti Ballkanik mes tre shteteve: Turqi-Jugosllavi-Greqi, në sajë të të cilit u bë shpërngulja e mbi 400 mijë shqiptarëve nga Kosova duke u dhënë kalimin në Turqi. Historia e ka treguar se miqësia nuk është ajo që shprehet me fjalë të bukura nëpër vizita e mitingje, por ajo që realizohet në praktikë dhe ajo në të vërtetë është se anipse në Turqi jetojnë mbi 5 milionë shqiptarë, as nuk diskutohet që ky komunitet i madh shqiptarësh të ketë ato të drejta që gëzojnë të gjitha komunitetet në vende të qytetëruara. Kështu që, megjithëse në aparencë Greqia e Turqia shtiren se kanë kontradikta, kur bie fjala për qëndrimin ndaj shqiptarëve që gjenden në këto shtete, të dy këto mbajnë një qëndrim arrogant, mospërfillës dhe as që flitet për respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Çdo iluzion i krijuar nga propagandat që inspirojnë ekspansione e kërkojnë të ngjallin fantazmat historike si perandoria osmane apo megaloidheja, e më tej përrallisje si Kosova- djepi i Serbisë, duhet të na bëjnë të jemi syçelë e të mos e humbim mendjen pas miqësive të rreme të atyre që natën të vrasin e ditën të qajnë.

Filed Under: Histori Tagged With: E PERANDORISË TURKE, Kolec Traboini, SERBIA SHPËTIMTARE

Televizioni Publik dhe kriza e Këshillit të Alfred Pezës

July 5, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
E kam pas një borxh për të folur publikisht për tërë ato makinacione me të cilat u zgjodh Këshilli i Televizionit, e ku gjithçka u manipulua nga llogoret e Partive. Nuk është e nevojshme të kesh qenë ushtarak për të kuptuar se ç’janë llogoret, ku nëse bie shi të mbyt balta. Po le të vazhdoj pikërisht aty ku mbaron shkrimi “Si zgjidhet kriza në Radiotelevizionin Publik? -nga Alfred Peza- në të cilin si në profani na sjell mendimin se krizat na i zgjidhin pikërisht ata që i krijojnë. Po zoti Alfred, zoti deputet, ka kaos në forumet drejtuese të një institucioni siç është Televizioni Publik, që duhet të ishte i pavarur, e ky kaos ndodh se gjithçka e bën politika dhe anëtarët e këshillit. Kur u zgjodhën më së shumti u mor në konsideratë kriteri politik dhe aspak profesionalizmi, madje në këshill prej 10 anëtarësh zgjodhët pikërisht tre piktorë e një skulptor, sikur të ishte këshilli i Galerisë së Arteve. Kasta politike e ka politizuar aq keq këtë vend, sa as në kohën e diktaturës nuk ka qenë. Mund të ishe drejtues a këshilltar edhe pa qenë komunist, o Alfred Peza. I di ti këto punë mirë, por bën sikur nuk i di. Çfarë pune kanë PS, PD dhe LSI me televizionin publik? Asnjë punë. Veç ngatërresa. Veç regres. Kanceri i Televizionit Publik është pikërisht politika. Jeni ju të partive që i vutë kazmën çdo gjëje në këtë vend. Televizioni Publik paguhet nga populli dhe duhet që shoqëria civile e jo partitë të bëjnë zgjedhjet për në forumet. Po ju këtë normë elementare për çdo vend demokratik e të kulturuar e keni kthyer në manovra politike e prapaskena të pështira që çdo ditë na shohin sytë. Në emër të gjoja një progresi që keni në kokë, por që nuk duket në realitet, po ia bëni varrin kësaj shoqërie. Cilit progres?! Ku është progresi? Tek ndarja absurde, 10 të këshillit i përkasin PS, PD dhe LSI? Ku vemi kësisoj me këtë egërsi për të kapur politikisht çdo pushtet e çdo institucion. Po le të shohim çfarë ndodh në këto Këshilla Televizioni të sajuar në orekse partish. Lexova platformën e njërit nga të dy kandidatët, për të cilin nuk po gjen rehat deputeti Alfred Peza. Ishte një platformë solide, plot imagjinatë krijuese, me perspektivë vënien e televizionit në një platformë të tillë që të bëhet një dritare ku publiku të shohë vetveten. Por më erdhi çudi se pikërisht atij kandidati i kishin dhënë më pak vota se tjetrit që është rektor në Universitetin e Arteve dhe kërkon të kërcejë nga një kolltuk në një tjetër në sajë të njohjeve dhe privilegjeve që i kanë krijuar pikërisht politika. Nuk u gjend një tjetër të mos kërcente pupthi nga kreu i një institucioni në një tjetër? Të krijohet përshtypja se disa njerëz në sajë të njohjeve, miqve, rrethit duke përfshirë dhe politikën, e kanë një siguri të përjetshme të mbajnë funksione të larta publike. Pikërisht këtij Këshilli të Televizionit Publik, kjo sajesë e Komisionit të Medias që drejton Alfred Peza, i dha këtij kandidati më shumë vota se tjetrit. Kjo tregon se mendësia e këshillit të sajuar “progresivisht” nga Alfred Peza është për të dëshëruar, që fare pak ka të bëjë me profesionalizmin, sikur të mos e dinë se të drejtosh një institucion publik nuk është e nevojshme të jesh aktor, as të dish si interpretohet një rol e ta plastosh mimikën, por të kesh përvojë në fushën e mjetet e komunikimit masiv. Shihni çfarë bëhet me ndërrimin e kryebashkiakëve, i shporrin anëtarët e një partie humbëse dhe vijnë palikarët e partisë fitimtare. Është kthyer rrotacioni politik në rrotacion për vendet e punës. Administrata është politizuar deri në absurditet. Në Shqipërinë e esnafëve “progresistë” që trumbetoni ju, nuk gjen as punë po nuk qe anëtar i një partie politike. A e dini realitetin shqiptar ju që shfaqeni si deputet i partisë, sepse partia të caktoi me listë, siç marrin bukën me listë. Nuk kam pasur fare besim se ju do të ishit një progresist, që kur kryetari i PS ju paraqiti me bujë në media sikur çfarë po sillte t’i paraqiste popullit si kandidaturë në Parlament. Botova asokohe shkrimin “Po vjen Alfred Peza”. Dhe ja ku jemi. Ky këshill është manipuluar i gjithë nga ju. Patët edhe guximin të më hiqnit nga lista e kandidatëve për këshillin e Televizionit në momentet e fundit, një hakmarrje e vogël kjo, për të cilën duhej t’ju skuqej pak fytyra. Edhe pse gjatë një viti ju kam kërkuar shkakun e vërtetë e jo lojëra fjalësh, megjithë premtimin tuaj, asnjëherë nuk më dhatë një përgjigje, as personalisht e as institucionalisht, sepse kërkesën për kandidaturën time në atë këshill e kishte bërë një shoqatë civile e jo partitë tuaja, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, jetimët pra, ata që ju as që i kini në konsideratë, por unë në fatin e tyre jam fort i ndjeshëm. Ju do të vazhdoni luftën për të vënë në udhëheqje të punëve të kulturës njerëzit që politikisht ju shërbejnë, së pari juve e jo popullit, ju mund t’i hani paratë (se me paratë e popullit keni rroga të majme e makina të shtrenjta), por respektin e popullit kurrë nuk do ta meritoni. Sepse që të meritoni respektin e popullit duhet së pari t’i depolitizoni institucionet e kulturës e jo t’i manipuloni pas kuintave të politikës mediokre shqiptare. Kësisoj nuk ka asnjë mundësi reale apo dhe hipotetike që një njeri a grupim që me veprimet e veta prodhon krizat në institucionet shtetërore e në veçanti ato të kulturës, të na bëhet promotor i zgjidhjes së krizave. Kjo mund të ndodhë vetëm në përralla i nderuar deputet! Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël, u thoshte e madhja Vera Zheji, vogëlushëve në valët e Radio Tiranës kur mbaronte emisionin e përrallave.



Filed Under: ESSE Tagged With: Alfred Pza, Kolec Traboini, kriza e Keshlli, TV Publik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT