• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATERLOJA POLITIKE E TIRANËS

June 23, 2014 by dgreca

– Bosat e shtetit/
nga KOLEC TRABOINI/
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull.
Kalkulimi për goditjen e Lazaratit është bërë në marrveshje të plotë me emisarët e BE dhe të Ambasadorit Arvizu. Sado të përpiqen ta mohojnë maja e aisbergut duket dhe pjesa e nënujshme fare lehtë përftyrohet. Dhjetë ditë më pare se të ndodhte ndërhyrja e shumëpërfolur, ministri i brëndshëm kishte një platformë tjetër, të një zgjidhje europiane, gjithëpërfshirëse, si është e mundur pra që po ky ministër bën një zgjidhje të një goditje rrufe që më shumë se stil europian të jep përshtypjen e një inkursioni hollivudian stil Rambo. Pra hezitimit të gjatë të qeverisë shqiptare për të ndërhyrë me trupa speciale, ju gjëndën pranë ndërkombëtarët për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me fasadën, që të krijohet përshtypja se Qeveria shqiptare e ka gjëndjen nën kontroll dhe ësht ë në rrugë të mbarë. Pra një show për të kënaqur europianët të cilët e dinë mirë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht të vërtetë për të qënë pjesë e integrimit europian, dhe përgjegjësia është së pari e politikës. Natyrisht politika duhej ndihmuar, duhej shpëtuar sepse refuzimi i tretë do ti të varroste politikën shqiptare përfundimisht dhe nuk mbetej veç të shiheshin aleanca lindore në segmentin Turqi Kinë, mirëpo kjo nuk u interesonte të dërguarve europianë. A nuk e shihni çfarë bën Europa për të tërhequr Sërbinë nga prëhëri rus? Tani në Beograd shkon dhe Toni Bler. Anipse Lazarati nuk ishte në asnjë nga 12 pikat e kushteve, papritur shqiptarët e politikës dhe emisarët e huaj e vunë si pikë të parë krejt e paqënë. Sepse ishte i vetmi kusht që mund ta realizonin dhe atë gjithësesi me vështirësi sepse u vunë 1000 policë kundër 15 antarëve të një bande të armatosur nga të cilët u arrestuan vetëm kush u dorëzua, të tjerët ikën në drejtim të paditur. Si ti përpinte dheu. Kjo tani shitet si sukses kur kurrfarë suksesi nuk është sepse kjo mund të bëhej pa patur nevojë të pushtohej ushtarakisht Lazarati dhe të turpërohej policia, megjithëse propoganda po e shet disfaten si lavdi.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me Ambasadorin Arvizu i cili tashmë nuk e honeps Berishën, dhe me të drejtë sepse është brënda konceptit amerikan, kur je në pushtet je gjithçka, kur zbret nga pushteti je një qytetar i thjeshtë. Kështu do të thjeshtëzohet edhe Arvizu në Amerikë kur të lëshoj postin për një tjetër. Por Arvizu nuk mund të puqet me mendimin se ndërsa ai do të shkojë e do të thjeshtëzohet në SHBA, Berisha do të vazhdojë të jetë faktor dhe i përnatshëm në qëndër të vëmëndjen në Shqipëri. Por përtej ndjesive personale ndaj atij që e quajti “burrë shteti”, ka edhe pasigurinë se socialistët nuk do të dijnë të mbajnë pushtetin përballë një dinosauri politik si Berisha që manipulon gjithçka në këtë vend, ndaj jo më kot ia zgjatën mandatin që i ka skaduar si ambasador Aleksander Arvizut, për eleminimin politik përfundimtar të Berishës për ti lënë krah të lirë Lulzim Bashës. Për realizimin e kësaj ai mesaduket ka menduar për një sërë masash që duheshin marrë për ti dobësuar pushtetin politik Berishës. Ai e ka dëgjuar Ministrin e Brëndshëm Tahiri në intervistën televizive mbi zgjidhjen e problemit të Lazaratit në plan europian dhe ka mbetur i pakënaqur duke i sugjeruar zgjidhjen e problemit në stil amerikan. Dhe kështu të bindurit tanë e kanë pranuar goditjen me stil Rambo mbi Lazaratin. Por llogaritë nuk dolën siç u menduan me shkakun se ato 1000 policë shqiptarë, ca thonë edhe specialiste italianë ndërhyrjesh, nuk patën sukses me blicin e tyre sepse u frenuan nga 15 njerëz, kaçakë të armatosur, mercenarë fshatarë këta të bosave të droges, të cilët rezistuan në pesë ditë por nuk vranë njeri, ikën nga sytë këmbët në drejtim të paditur duke ua lëshuar fshatin policisë që hyri si triumfatore e lodhur e raskapitur deri në palcë. Ca thonë edhe e uritur. E për ti dhënë një gjallëri e publicitet aksionit nxorrën në foto dhe një vajzë të bukur, e dënjë për Mis Albania, me uniformën e policit dhe automatik në dorë. Tani në internet të rinjtë po çmënden pas kësaj fotografie që vërtetë është e admirueshme por gjithësesi policja e bukur nuk e përballon suksesin e betejës së pesë ditëve kuturisje, por propoganda është propogandë ajo do bëjë punën e saj sa të shuhet zhurmënaja e betejës e pjatave e pirunëve në Padam dhe beteja raskapitese në Lazarat.
Gjithësesi qëllimi politik u arrit, klanit të Berishës ju pre mbështetja financiare nga bastionet e Lazaratit dhe si e tillë ai tashmë financiarisht mbetët i dobët. Fakti se kryetari i fshatit Lazarat gjithnjë është gjëndur nëpër grevat e metingjet e PD tregon shumëçka për lidhjet e kësaj partie me republiken e kanabisit. Por megjithë se kjo zgjidhje me goditje të përqendruar policore është në interes të kryeministrit dhe të Ambasadorit që duan shmangjien e Sali Berishës nga skena politike, ose të paktën dobësimin e tij maksimal, kjo nuk i shkon për shtat politikës së LSI-s me Ilir Metën që e ka në shtrungë partinë e vet. Atij i intereson të vazhdojë aleancën me PS dhe Ramën por jo dhe aq sa këta të fundit të forcohen aq shumë sa të mos ja ndjejnë më nevojën LSI dhe Metës, aq më tepër ai nuk do që PS të jetë plotësisht e sigurtë se Metën tashmë e ka prapavijën e vet. Meta nuk është nga ata që rrin nga pas, ambicja e tij është të rrijë në krye. Meta gjithashtu dëshëron që aleati gjithmonë të jetë me frikën e ikjës së tij nga aleanca, ndaj nuk i intereson eleminimi i plotë e Berishës nga skena politika. Me Berishën e lidhin shumë gjëra që dihen e nuk kanë nevojë për koment. Berisha e shpëtoi Meten, gjyqi u kthye në një farsë dhe ja ku është edhe më lart në rolin kyç të politikës shqiptare, një nga tre burrat e shtetit me peshë më të madhe se vetë presidenti. Meta me mjeshtri gjeti rastin kur Berisha i nxehur përsëriti ato çfarë i kishin sjellë informatorët e vet nga darka që u hëngër ligsht në “Padam”, por që ishin mbajtur jashtë vëmëndjes së publikut. Pra përfitoi dhe e ndaloi Berishën në foltoren e Kuvendit, një sinjal ky besnikërie ndaj Ramës duke e siguruar se në kuvendin që drejtonte ai, Meta, nuk guxon njeri të prekë kryeministrin, por nga ana tjetër, Meta i frikësuar( nuk ka trima në politikë, ka vetëm dhelpra) se Berisha do ti priste të gjitha lidhjet me të e do ti përfliste gjyqin Meta-Prifti, deshi s’deshi bëri një deklaratë publike duke thënë se e kishte dobësi Saliun dhe do të kishte kënaqësi ta dëgjonte edhe më tej në kuvend. S’ka më bukur. Me një gur Meta vrau dy zogj, jep siguri tek Rama por jo siguri maksimale dhe kësisoj e zbut Berishën duke i dhënë të kuptojë se mirësinë që i ka bërë nuk ja harron e në ditë të vështira do ti gjëndej në krahë.
Jemi kësisoj si në kohën e triumviratit të Jul Çezarit me një pushtet që shfaqet si një kurorë mbajtur në tre gozhda e ku gozhda e Saliut nuk ka gjasa të zhgulet në të gjallë të tij. Veç Zoti mund ta ndryshojë këtë raport. Por Zotit nuk i intereson politika e shqiptarëve dhe i lë gjërat të rrjedhin siç duan njerëzit. Përfundimisht mund të themi se shteti shqiptar është i përqendruar në tre shtylla Rama, Meta dhe Berisha (presidenti është inekzistent ndoshta jo plotësisht për fajin e tij), ku Meta qëndron në mes dhe është forca ekuilibruese e triumviratit të ri shqiptar prej të cilit kurrnjë të mirë nuk pret ky popull. Pa daljen e Sali Berishës, Fatmir Mediut dhe grupimit ish qeveritar në gjyq dhe zvogëlimin e rolit të Metës në shkallët e pushtetit, nuk ka shpresë që Shqipëria të kthehet në normalitet. Por kjo mjerisht nuk ka asnjë gjasë të ndodhë me këto raporet e aleanca që janë krijuar, prandaj shqiptarët të mos jetojnë me iluzione kultesh por të kuptojnë se është koha për të nxjerrë në skenë forca e individ të një fryme të re e me energji pozitive në politikë që i tejkalojnë këto konspiracione që e kangrenzojnë shoqërinë shqiptare, që më shumë të kujtojnë klanet mafioze se sa politikën e shtetit të ligjit dhe të së drejtës.

23 qershor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, POLITIKE E TIRANËS, VATERLOJA

LAZARATI NË TYM – SHTETI NË DELIR

June 21, 2014 by dgreca

NGA KOLEC TRABOINI/ BOSTON/
*Blu lejohet Canabisi, Portokalli nuk lejohet por nuk konsiderohet krim,Rozë nuk lejohet por rallë dënohet,me ngjyrë të Kuqe është ilegale, pra nuk ka ligje strikte që të veprojnë njëlloj në të gjithë botën/
…O qeveritarët tanë mendjendritur që i konsideroni lazaratasit kriminelë, mësoni: Hollanda, Uruguaj,Republika Çeke, Portugalia, Bangladeshi, Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara, (Washingtoni edhe Kolorado) kanë ligjet me të buta për prodhimin e përdorimin marijuanës. Për ata që nuk e dinë mund të thuhet se këtë bimë e ka kultivuar edhe Tomas Xhefersoni.Mos vallë të gjitha këta na qënkan kriminelë?! Mos o Zot!/
Ku janë shoqatat fantazma të fëmijëve. Ku janë shoqatat fantazma që mbrojnë të drejtat e njeriut, që tundojnë tërë opinionin edhe për gjërat më të rëndomta por nuk kujtohen të thonë se djegia e Canabis Sativës brënda në fshatin e Lazaratit është e dëmshme për shëndetin e fëmijëve, është e dëmshme për pleqtë e plakat por më së shumti është e dëmshme për gratë shtatzana sepse të mos harrojmë se në Lazarat jetojnë njerëz e nuk është një pyll a shkretirë, se Lazarati është një fshat i madh që i përmban të gjitha këto kategori. Si mund të digjen tonelata pafund të bimëve narkotike në mjediset ku ka njerëz, ku flenë e zgjohen, duke shtuar këtu traumat psikologjike të fëmijëve prej pranisë të trupave special policore që shqelmojnë dyer, nxjerrin thikat e presin rrjeta, që hyjne e dalin vrullshëm në çdo shtëpi sikur të ishte gjendje lufte e sikur të ishin trupa special në Mosul të Irakut. Ku është e në çfarë vrimë rri fshehur ministri i Shëndetësisë. A ka ministër shëndetësie ky vend e mese merret? Pse opozita ka frikë e merret me lojra fjalësh e nuk e kërkon në foltore të flasë për efektet e dëmshme që mund të ketë për popullsinë kjo djegie masive e bimëve narkotike në vende të banuara. A janë konsultuar ministrat e shëndetësisë e të mjedisit më parë për këtë ndërhyrje emergjente të trupave speciale të policisë së shtetit? Po shkojmë edhe më tej. Përse ky demostrim i palogjikshëm force kur gjërat mund të bëheshin më shtruar e më qetë sepse kjo është polici e popullit e jo polici indivitësh që kanë pushtet dhe duan të tregojnë se janë të fortë. Po nga buron kjo forcë pushteti që demostrohet me kaq brrutalitet. Por me e rëndësishme a është e nevojshme? Banda e armatosur që mbante peng Lazaratin ju iku 800 policëve të armatorur deri në dhëmbë, e pabesueshme kjo, nuk ishin në gjendje ti mbërthenin e ti prangosnin dhe merren tani me ata që konsiderohen banorë paqësorë anipse bashkfajtorë kolektiv në kultivimin e bimës. Po pse kështu kryhet punët e shtetit që, siç thotë populli, e zë lepurin me qerre. Jo, këta duan ta zënë lepurin me autoblinda. Duan spektaket ti shoh Europa e mundësisht gjithë bota sa të harrojnë edhe kampionatin botëror për tu thënë se jemi ne kërthiza e planetit e jo ju. Kjo është një qorrollepsje e suksesëshme, lavdimadhe, përrallëtare dhe me vjen vërtetë një indinjatë se si mund të sillen me popullin kështu. Se dhe lazaratasit, duan apo nuk duan pushtetarët, popull shqiptarë janë. Madje atdhetarë. Halli e nevoja të bën të merresh me soj soj punësh për të mbijetuar. Edhe popuj të tjerë e kanë kaluar këtë në procesin e zhvillimit të tyre. Dihen ndalesat që ka patur Amerika në vitet 30 të shekullit të kaluar për alkolet. Por erdh një kohë që alkolet u lejuan. Po kjo bimë të mallkuar padrejtësisht, sepse nuk e ka fajin bima, ështe e lejuar në disa shtete sepse është forma më e lehtë e drogës me efekt narkotizues më të ulët. Shqiptarët e kanë pasur në traditë dhe e kanë kultivuar hashashin të cilin kanë përdorur si çaj, vetë Ali Pash Tepelena, të cilit i thurim hymne disi të dyshimta sepse ndihmoi të bëjë shtetin grek e jo shtetin shqiptar, ka pas një nargjyle me të cilën thithte tymin e kësaj bime të tharë. Ja afroj dhe Bajronit. U kënaq edhe ai. U harrua ca çaste në tymra të trëndafiltë. Askush nuk e dënoi e mallkoi për këtë në histori. Kjo bimë tashmë po kthehen në legjendë vrasëse prej propogandes televizive servile, kurrë nuk ka qënë e tillë në histori?! Po i japin atribute që mezi ja mbajnë shpatullat e vogla. Canabisin shqiptarët e kanë quajtur historikisht kërp, që ka përmbajteje të vogël droge por është përdorur për industrinë, për prodhimin e litarëve, letrës dhe ka një përdorim të gjërë industrial. Tani na e tregojnë sikur është gjëma e gjëmave të botës. Po dale more se me ç’na japin lajmet, Hollanda, Uruguaj,Republika Çeke, Portugalia, Bangladeshi, Korea e Veriutdhe Shtetet e Bashkuara, (Washingtoni edhe Kolorado) kanë ligjet me të buta për prodhimin e përdorimin marijuanës. Për ata që nuk e dinë mund të thuhet se këtë bimë e ka kultivuar edhe Tomas Xhefersoni. Çfarë mund të themi për këtë shqiptarët e televizioneve me kulturë gjysmake, që aq dinë e aq thonë, se duhet ta heqim edhe Xhefersonin nga historia ti shpallim këto shtete kriminale? A nuk jemi të vegjël për ta bërë këtë punë ne shqipot barkthatë, që e kemi kthyer shtetin në një kopësht eksperimental ku aplikohen idetë e çdo kujt që na vjen si diplomat shpëtimtar nga Europa, sado të pamundura apo marroke që të jenë.
Pse na krijoni vërtetë gogola vrasës të gjelbër të cilët po na shfaqen edhe në ëndrra. O media, po flisni more edhe për anën tjetër të medaljes e jo vetëm për gogolin e gjelbërt se krijoni vërtetë trauma sa kur shoh sfondin e blertë të Top Chanel më hyjnë të dridhurat. Më kujtohen filma horror ku shfaqen bimë mishgrënëse. A ka njeri të kthjelltë në këtë shtet shqiptar apo të gjithë janë kapluar nga ethet e tymit të canabisit, sepse ashtu po i shohim edhe deputetët edhe qeveritarët. Se çfarë ti thuash ta zëmë ministrit të brëndshëm që një javë më parë kishte një mendje tjetër për zgjidhjen me mënçuri e qetësi të problemit të Lazaratit dhe pas një jave bëri të kundërtën, u nis yrysh për ta pushtuar policërisht. Në deklarimin e parë ishte më racional, ishte për një mënyrë më efikase, me një plan më të detajuar e me një përspektivë për ta mbyllur këtë plagë sociale, sepse është e lehtë ta quash thjeshtë një vepër kriminale por ama duhet ta gjykosh me qetësi e të kuptosh se kemi një plagë sociale në mes. Dhe burimi i plagës janë vetë shteti e pushteti që nuk po arrijnë të funksionojnë së pari për zhvillimin ekonomik të vëndit e krahas kësaj në vendosjen e pushtetit jo policor por pushtetit të ligjit.
Ku janë gjithashtu shoqatat civile fantazmë për të cilat janë paguar miliona dollarë nga forumet e institucionet ndërkombëtare, pse heshtin apo mendojnë se duhet ta kenë mirë me qeverinë sepse kjo ju krijon lehtësita për të përfituar sërisht mijra e mijra dollarë. Dhe a e dini gjë që nuk është sekret, të gjithë forumaxhint e kryetarët e shoqatava kanë shtëpi luksoze, madje kanë edhe dy tre shtëpi, kanë të ardhura të mëdha e ku po i plas atyre se ta zëmë fëmijët e Lazaratit do të kenë pasoja nga kjo tymnajë droge në qiellin e fshatit, le më pastaj për traumat psikologjike të jetuarit në kushte shtetrrethimi policor. Se mos del ndonjëri nga shoqatamaniakët të thotë nuk është shtetrrethim. Se është si të jetosh në një kamping pushimi. Si të jetosh ta zëmë në Dubai, ku kalojnë pushimet së bashku politikanët e lartë, pushtetarët e lartë edhe padrinot e drogës e të mishit të bardhë. Pse nuk dalin analistët të na thonë se cili është efekti serë i djegieve të Canabisit në mes të fshatit, a nuk ka mënyra të tjera për ti transportuar e djegur larg vendbanimeve. Jo për këtë as që flet fare ta zëmë Ministria e Mjedisit apo kryeprotestuesi kundër kimikateve të Sirisë Sazan Guri me shoqatën e vet ekologjike. Ku jeni more dilni t’ju shoh populli që ti thoni qeverisë një këshillë të mënçur se tymrat e djegieve dhe marrshi policor kanë efekte psikologjike por edhe shëndetësore mbi kategoritë më të brishta të popullsisë. Ku jeni shoqata humanitare, pse nuk shkoni në Lazarat e ti jepni ndoca pak ushqim asaj plakës së mjerë që e mbetur panjeri tha se me dy rrënjë kanabis mbaja frymën, tani nuk e di çfarë do të bëje, çfarë do te hajë. Apo le ti dale tymi një herë pastaj kushdo të bëjë si të dojë. Pra e të vdesin njerëzit dhe për bukë. Ku është plani për kthimin e Lazaratit në jetë normale, ku do të punojnë njerëzit, mese do të merren të rinjtë apo mos ka ndërmend mafia e parave të hap atje një dyqan lojrash fati, se ato nuk qenkan te rrezikshme për qeverinë. Sa fjalë thatë nga opozita se sa të vijmë do të mbyllim të gjitha lojrat e fatit sepse janë kancer për një shoqëri e një shtet ku ka papunësinë më të lartë në Europë. Por sa shpejt i harruat premtimet. Mbushur Tirana me lojra fati të cilat janë po aq a më shumë të dëmshme sa Canabisi i Lazaratit apo këtu mpleksen interest e politikës sepse nga fitimet e tyre ndahet një pjesë edhe për partitë, ngase dihet se të gjithë pronarët e lojrave të fatit janë antar aktivë të partive. Jo për këto nuk flet njeri, se këto i ka lali xhan, se këta dinë si tia mbushin xhepin gjithkujt që ka frenat e pushtetit dhe politikës.
Flini gjumë shoqata të drejtave të njeriut, ju bishtra të politikës, se kohë tymnaja droge është edhe ju shoqatat e fëmijëve, edhe ju të ekologjikës, edhe ju të psikologjive, të gjithë ju që dini ti mbushni mirë xhepat tuaja pa patur nevojë të merreni me punë të paligjëshme si lazaratasit e gjorë, që u bënë viktima të dyfishta të bosave të krimit por edhe të kësaj katraure që po e pësojnë, e për çfarë për një copë bukë të cilën, tani e më pas, nuk dinë më si ta sigurojnë. Sepse të gjithë flasin për zbatim ligjesh, rregullash, taksash, por asnjë nuk të thotë se si mund të jetosh kur nuk ke as punë dhe as shpresë.
Më shumë se lazaratasit, më duket se janë pushtetarët e politikanët e vetë shteti shqiptar që ecën kuturu si sonambul nën ethet e tymnajave të drogës. Ky shtet kaotik me fytyrë të vrarë lije…

21 qershor 2014
*Blu lejohet Canabisi, Portokalli nuk lejohet por nuk konsiderohet krim,Rozë nuk lejohet por rallë dënohet,me ngjyrë të Kuqe është ilegale, pra nuk ka ligje strikte që të veprojnë njëlloj në të gjithë botën

Filed Under: Analiza Tagged With: - SHTETI NË DELIR, Kolec Traboini, LAZARATI NË TYM

PUSHOI ZEMRA E MENTOR QUKUT,STUDIUESIT TË MJEDËS

June 1, 2014 by dgreca

Askush nuk do të dëshëronte të jepte një lajm gjëmë për një mik të çmuar, për një njeri të mirë, për një studiues të palodhur për një mësues të dashur. Deri ne çast të fundit me hulumtime, për një fjalë, për një varg a një kujtim, me dëshirën të publikojë gjithë çka gjetur e mbledhur nga jeta e vepra e poetit të “Gjuhës shqipe”, “Vajit të bylbylit” dhe “Andrrës së jetës”. Pertej studimit punoi bashkë me Dom Nik Ukgjinin, Astrit Totën e të tjerë edhe për Kishën e Kuklit, shtatoren e muzeun e poetit Dom Ndre Mjeda.
Mentor Quku botoi veprën e plotë të Mjedës, mblodhi dëshmi e fakte, duke krijuar korpusin e plotë mjedjan, një monument ky, që e nderon dhe e bën punën dhe emrin e tij të paharruar.
Pushoftë në Paqe miku ynë i madh, Mentor Quku!

Kolec Traboini
31 maj 2014

Filed Under: Kronike Tagged With: E, Kolec Traboini, MENTOR QUKUT, PUSHOI ZEMRA, STUDIUESIT, TË MJEDËS

NJERKA SHKON NË BALLO

May 25, 2014 by dgreca

-Një ditë tragjike e keqpërdorur si festë/
Nga KOLEC TRABOINI/
Në Pallatin e Kongreseve më 20 maj, disa shoqata dhe fondacione të huaja transparencën e qëllimet e të cilave nuk i kemi fort të qarta, organizuan një show në të cilën u shfaqën në paradë udhëheqësit më të lartë të shtetit duke përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit e kuptohet se gjithë vargani i qeveritarëve do t’u vinte pas. Për çudinë tonë te madhe nuk mungoi në këtë show dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.
Duke qënë shpirtërisht e realisht i lidhur me kategorinë e këtyre fëmijëve që fatkeqesia i ka goditur që në vegjëli, nuk mund të jem indiferent e të hiqem në një anë e të mos shpreh indinjaten time kur shoh këtë spekullim publik me jetimët. Them kështu sepse jam i bindur se cilindo nga pjesmarrësit apo edhe organizatorët po t’i pyesësh se çfarë shpreh data 20 maj, si u caktua si ditë jetimësh e për çfarë shkaku, asnjë prej tyre duke përfshirë dhe ambasadorin amerikan nuk do të dinte të përgjigjej. Kjo ndodh sepse në të tilla tubime rroftë sebepi për t’u dukur, të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjer jetimët tek kush i kane varur shpresat!
Në sfondin e skenës qe shkruar me gërma kapitale marramëndese “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nënpunësa hijerëndë, zyrtarë, rrogtarë thuaj, ajo tufë bodyguardësh që mbushën sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Gjithçka për t’u dukur. Ishte e njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dore e kishte Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë, të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxorri kallajin publikisht. Sepse ishin mbledhur të gjithë nxënësit e shkollave të Tiranës e asnjë jetim nuk gjëndej në sallë. Tani që kalit të pushtetit ja kanë shaluar të tjerë purpurantë, mjerisht shohim të njëjtin koncept, të njëjtën eufori e paradë pushtetarësh.
Konstatojmë se kauza e fëmijëve jetimë kësisoj është veç një fasadë, për të mos thënë akoma më keq një spekullim i turpshëm, sepse kjo shoqëri hipokrite gjithçka e shfrytëzon deri dhe fatkeqësitë njerëzore. Dhe kësisoj në ekranin televiziv pamë kryeministrin, kryetarin e parlamentit, por edhe ambasadorin amerikan, dhe kur këta burra të mëdhenj festojnë, pse të mos gëzojnë fëmijët jetimë? Madje duan apo nuk duan jetimët shqiptarë detyrimisht duhet të jenë të lumtur e të gëzojnë, madje t’u bien tam-tameve. Reminishencë e gjallë kjo e kohës së diktaturës me një glorifikim të neveritshëm.
Ndërkohë nëpër rrugët kryesore të Tiranës dalin e mbledhin ndihma ndër qytetarë me dhjetra grupe të shoqatave fantazmë që i fusin paratë në xhepat e vet, sepse kur i pyet se të kujt shoqate jeni, a keni një adresë, a telefon ata ngrejnë supet dhe të shohin vëngër sikur po u prek në privatësinë e interesat e biznesit të tyre.
Kështu bëhet tabloja e një realiteti më glorioz. Brenda e jashtë Pallatit të Kongreseve të gjithë e gjithçka për jetimët. Çfarë mashtrimi! A më mirë të themi çfarë vetmashtrimi social e politik. A thua nuk e dinë këta njerëz, pushtetarë a ambasadorë qofshin, se jetimët në Shqipëri janë në pikë të hallit. Përralla në Pallat të Kongreseve do të na tregojnë?

Nuk është fjala për ata në jetimoret, por për ata që pas jetimores nisin kalvarin e vuajtjeve, sepse nuk gjejnë dot një strehë, janë të papunë dhe u duhet të rrojnë veç me tre mijë lekë në muaj, pra diç më pak se një dollar në ditë.
E megjithatë, të mbetur pa strehë, pa ushqim e veshmbathje, të mbetur madje për shkak të varfërisë edhe të pamartuar. Por edhe të martuar qofshin, me fëmijë nëpër geto, u dashkërka edhe këta të festojnë.
Po le t’i kthehemi datës 20 maj që aq shumë po spekullohet sikur kjo të ishte festa e 1 qershorit. Së pari e gjithë kjo masë njerëzish që na u shfaqën me pompë në Pallat të Kongreseve duhet ta dinë një herë e mirë se 20 maji nuk është ditë feste. Nuk ka si të jetë ditë feste dita e mortit të një fëmije jetim. E për të hedhur dritë mbi këtë ditë dhëmbje që po na e kthejnë në ditë tam-tamesh qeveritare na vjen në ndihmë Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit të Jetimeve Shqiptarë, i cili është edhe nisiatori i caktimit të kësaj dite për jetimët shqiptarë, madje me dëshirën të kthehet edhe në ditë ndërkombëtare të jetimëve. Jo dite festimesh me bujë kurrsesi, por një ditë reflektimi ku shoqëria, shteti, institucionet e mediat të reflektojnë se çfarë kanë bërë e çfarë më shumë duhet të bëjnë për jetën e kësaj kategorie për të cilët shteti duhet të kryeje rolin e prindit e jo të njerkës që shkon në ballo.

Në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë më 20 maj 1979, një vajzë e vogël 12 vjeçare me emrin Xhuliana Luli për shkak se e kishin dënuar pangrënë dhe nga mugesa e vëmëndjes dhe përkujdesjes ndaj saj, doli në rrugë, hipën në një pishë që të hajë frutat e boçave por bie nga lartësitë me një fund tragjik. Jeta e saj nuk mundi të shpëtohej. Varrimi i vogëlushes u bë më 30 maj nën një pikëllim të pashoq të bashkmoshatarëve e bashkjetimëve por edhe qytetarëve sarandiotë. Prekur prej kësaj ngjarje tragjike në fëmijëri, Ilir Çumani arriti që para 11 vjetëve ta kthente këtë ditë përkujtimore zie, në një ditë për kthimin e vëmëndjes së shoqërisë e shtetit tek jetimët për t’ju bërë atyre mbështetje. Pra kuptimi i kësaj dite tragjike nuk është festë, por shoqëria e shteti të reflektojnë, t’ju gjënden pranë, t’ju qajnë hallet, i pyesin e bashkbisedojnë me jetimët për ta bërë shoqërinë më të ndjeshme.
Do të doja të pyesja dhe do të desha një përgjigje publike, a mundet që ditët e vdekjes së prindërve apo të afërmeve tuaj ti ktheni në një ditë feste të nderuar kryeministër, kryetar i parlamentit dhe i nderuari ambasador? Nuk besoj. Prandaj nuk mund ta ktheni në festë me lajle e lule, bashkrënduar me ca shoqata fantazmagorike a ndonjë fondacion turko-arab, vdekjen tragjike të jetimes Xhuliana Luli.
Larg euforisë e glorifikimit të gjithçkaje sepse ajo ishte tipar i kohës së monizmit, diktaturës, ku gjithçka edhe pse e përgjakur dhe e mundimshme kthehej në delir, asaj shoqëria hipokrite që kur i prekeshin interesat, kur një jetim shprehte aspiratën e lirisë nuk ngurronte ta ekzekutonte siç bëri me jetimin 22 vjeçar Skënder Daja, në përkujtimin e te cilit as kryeministri i vendit , as kryetari i parlamentit, por mjerisht as ambasadori amerikan nuk dënjoi të vinte vetë apo të dërgonte një përfaqësues.
Fëmijët jetimë duan dashuri e përkujdesje, ta reduktosh këtë dashuri e përkujdesje në një shfaqje në Pallat të Kongreseve me lulka e tollumbace, ca fjalime me retorike shterpë, tregon se sa e papërgjegjëshme, e pandjeshme dhe hipokrite është shoqëria shqiptare ndaj njerëzve në nevojë.
Ky koncept e kjo mënyrë pune padyshim se duhet ndryshuar, po si mund të bëhet kjo nëse organet e pushtetit mbështesin ca organizime spekulative dhe ca shoqata fantazmë që përfitojnë prej fatkeqësive të fëmijëve jetimë.
Ne Foto: Shtëpia e Fëmijës Sarandë në vitet 1970, në mes të cileve edhe Xhuliana Luli.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, NJERKA, SHKON NË BALLO

NJE NGJARJE E DHIMBSHME NË RRUGËN E KAVAJËS

May 24, 2014 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
Proverbi biblik: “Fali Zot se nuk e dinë çfarë bëjnë!”- është për të gjithë ata mëkatarë, që të marrakatun pas interesave a marrëzive të veta u shkaktojnë vuajtje e dhembje të tjerëve. Por kjo nuk i takon vetëm një kategorie njerëzish e në këtë gjasë nuk ka pse përjashtohen edhe njerëzit me veladon nëpër objektet e kultit. Shkuar pas kësaj urtësie biblike edhe unë këtu e vite të shkuara, kur tokën e varreve të familjes na e përgjysmoi një njeri me lejen e bekimin e një prifti me origjinë nga Kosova në Kishën Katedrale të Shkodrës, nuk ia përmenda emrin asnjëherë atij prifti, nuk e mallkova anipse dhimbja që më ka shkaktuar ka qenë fort e madhe. Se toka e varreve familjare nuk është pasuri, por është e shenjtë e nuk bën të tjetërsohet se është dinjitet, është kujtim amshimi për brezat paraardhës për të cilët në ballë të Rrmajit shkruhet “Faljua Zot pushimin e pasosun!”. Ndaj kam thënë e them: “Fale Zot priftin nga Kosova se nuk ka ditur çfarë bënte”.
Nuk do të isha kujtuar për këtë episod disi elegjiak, sikur këto ditë të mos isha ndodhur sërish para një prapësie, të mos i kisha përsëritur sërish fjalët: “Fali zot se nuk dinë çfarë bëjnë!”, e fjala këtu ishte sërish për njerëz me veladon.
Pranë kishës katolike në rrugën e Kavajës, në Tiranë, më zunë sytë një shtëpi me numur 149 me çati e mure të rrënuara e në oborr të saj një mjet i rëndë shkatërrues. Dukej një punë e nisur dhe e pambaruar. Pyeta taksistët që janë aty përditë e më thanë se ka patur një konflikt të vjetër mes Kishës Katolike dhe banorëve të shtëpisë, së pari për pronësinë e së dyti se Kisha donte t’i nxirrte jashtë pasi kishte arritur dosido të vërtetonte se në vitin 1956 apo ‘57 një firmë italiane që kishte pronësinë mbi të ia kishte dhuruar Kishës( mesa duket një falje fiktive për të shpëtuar nga konfiskimi shtetror). Banorët nuk bindeshin dhe deklaronin se kjo qe e gjitha një kurdisje që të merrej prona ku ata ishin qiraxhinj të shtetit. Njerëzit u nxorrën jashtë e në këtë nxjerrje të përdhunshme pati një tragjedi. Në ndërgjegjen e meshtarëve apo administratorit të Kishës Katolike në rrugën e Kavajës është jeta e humbur një njeriu. Gjergj Skënderaj banonte në atë shtëpi prej vitesh. Ishte dhe i sëmurë. Por Kisha arriti ta nxirrte në rrugë dhe i mjeri njeri flinte aty përjashta dhe një natë të ftohtë aty dha shpirt, në derë të kishës, në rrugën e Kavajës.
A thua e vrau ndërgjegjia ndonjë prej meshtarëve të asaj Kishe?! A thua shkoi zëri deri lart në hierarkinë fetare për shuarjen e jetës së një njeriu nga i ftohti i natës e hidhërimi që e nxorrën në rrugë?! Nuk dimë ndaj nuk mund të flasim. Ajo çfarë mund të themi është se aty dha shpirt në hidhërim e pikëllim të thellë shqiptari Gjergj Skënderaj.
Po koha qenka e tillë që shumë shpejt harrohen edhe dhembja edhe plagët, e sa për vrasje ndërgjegjeje as që bëhet fjalë.
Sikur të mos kish ndodhur asgjë, sikur Gjergj Skënderaj të mos kish qenë kurrë në këtë botë, ndërgjegjia e pavrarë e njerëzve me veladon në Kishën Katolike në rrugë të Kavajës, ndërmarrin një veprim tjetër që tregon se në shpirtin e tyre nuk ekziston institucioni i kristian mëshirës së Jezu Krishtit, por i pamëshirës.
Anipse çështja e kësaj ndërtese vazhdon të jetë në gjyq, siç na thanë banorët, sepse gjyqet e dy shkallëve i kanë fituar qytetarët ankues dhe ndodhet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, Kisha bën një veprim të papritur, për ta bërë gjithë këtë çështje një punë të kryer në favorin e saj, pra një lloj vetgjyqësie. Vendos prishjen e ndërtesës, anipse ajo është nga ato ndërtime për të cilat shoqatat që merren me urbanizmin në kryeqytet e që dinë të protestojnë edhe për një dru, duhej të ishin bërë gjallë për t’i ndaluar dorën Kishës me shkakun serioz se ndërtesa paraqet vlera arkitekturore. Por, kush e di ku i fle lepuri i këtyre shoqatave. E për ta bërë punën të kryer e të pakthyer, Kisha gjeti dhe personat që e kanë mjeshtri shkatërrimin. Koha më e përshtatshme u mendua ajo në të cilën na ranë edhe dy tërmete (siç duket për t’ia vënë fajin tërmetit për shkatërrimin) dhe kësisoj të thuhej se “Kështu desh Zoti!”.
E që puna të bëhej sa më e paqme, asgjë të mos binte në sy, u zgjodh edhe ora 2 pas mesnate. Kështu mjeti i rëndë shkatërrues hyri në oborrin e ndërtesës në krah të Kishës e nisi shkatërrimin. At kohë një tërmet i vërtetë alarmoi e u prishi gjumin banorëve që i kanë shtëpitë ngjitur me ndërtesën në fjalë.
Qytetari Dritan Dinaj tregon se çfarë tmerri kish pësuar atë natë, si e kishte rrëmbyer vajzën 6-muajshe dhe megjithë gruan kishte dalë përjashta në rrugë duke menduar se një tërmet shkatërrues po e rrafshonte Tiranën. Veç kur kanë dalë jashtë kanë parë eskavatorin. Eskavatoristi i ndodhur përballë banorëve të acaruar u ka kërkuar falje duke u thënë se e kishin siguruar se shtëpitë e banimit të lagjes ishin 16 metra larg e jo ngjitur njëra pas tjetrës. Të revoltuar rreth 30 banorë kanë lajmëruar Policinë e Bashkinë dhe më së fundi po kjo bashki që u ka dhënë lejen e prishjes në kundërshtim me ligjin, sepse procesi gjyqësor vazhdonte, kjo pra parkoi një makinë të policisë bashkiake tek porta dhe pezulloi vazhdimin e shkatërrimit.
Në të vërtetë djallëzia nën veladon e ka bërë punën, sepse çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata e Lartë, gjysma e ndërtesës tashmë është shkatërruar dhe ajo duket si t’i kishte rënë bomba. Kisha e imponoi zgjidhjen. Po kujt i shërbeu me këtë imponim? A ia vlen që një institucion kulti të hyjë në konflikt me banorët e lagjes, të cilët tashmë e shohin kishën si një uzurpatore të dhunshme që nuk ka as durimin të presë vendimin e Gjykatës së Lartë. Për më tepër se kanë dalë fjalë se tërë kjo mizanskenë konfliktesh është e inicuar nga disa persona të lidhur me krerët bashkiakë dhe krerët e kësaj kishe të cilët siç thonë kanë për qëllim që në vend të një ndërtese karakteristike të ndërtimeve të Tiranës pas vitit 1920 të ngrihet një kompleks tregtar fitimprurës. Pyetja shtrohet se qëkur edhe njerëzit e veladonit kanë nisur të miklohen prej bisneseve sa të rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve që nga Gjergj Skënderaj, por edhe dy ish banorë të kësaj ndërtese që vdiqën pikërisht prej hidhërimit se i nxorrën në rrugë?! Rrezikuan deri edhe fëmijë 6-muajsh. Ne themi i faltë Zoti se nuk dinë çfarë bëjnë, por a thua i fal Zoti këta njerëz që me fjalë predikojnë mëshirën e nën veladon fshehin pamëshirën?
Dritan Dinaj, i tmerruar për fatin e vajzës së vet ferishte thotë se i ka shkruar Papës në Vatikan dhe do t’i shkruajë përsëri duke shpresuar se do t’u ndalet dora veladonëve të rrugës së Kavajës. Ai beson se kjo do të ndodhë se Kisha Katolike Romane i ka themelet e saj në mëshirën dhe dashurinë njerëzore.

Filed Under: Kulture Tagged With: E KAVAJËS, Kolec Traboini, Ne rrugen, NËN VELADON, PAMËSHIRA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT