• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJEGJE PREJ RRUGAÇI E KRYEMINISTRIT SHQIPTAR

December 10, 2018 by dgreca

2 Kolec Traboini 3

Nga KOLEC TRABOINI/

 “Bëji një radiografi sferës poshtë kapelës” , – më shkruan Edi Rama- kur radiografitë na i bën mikesha e tij familjare Vilma Nushi, të cilës i jep koncesion miliona euro nga paratë e popullit më të varfër në Europës.

Dhe pikërisht në kohën që në Shqipëri kanë dalë katër probleme që po e fusin tërë shoqërinë në panik e amulli qeverisje, Kryeministri i Shqipërisë në mënyrë të fshehtë e jashtë vëmendjes së opinionit publik e Medias i hipën avionit e shkon në Turqi. Ca të tjerë thonë se edhe më tej e ka marrë revanin. Po ku? E megjithëse nuk dihet nga shkon e nga vjen, ai gjen kohë të përcjellë në faqen e tij në Facebook ca xhirime me vizita në ca familje të varfra që kinse u jep libra falas kur ato libra duhet të kthehen sërish në dispozicion të shtetit, dhe këto propaganda personale i vë nën okielon ERTv. Pra televizioni personal i kryeministrit sikur ai të jetë angazhuar në një biznes privat e jo të paguhet nga populli më i varfër me taksat më të larta. Po ky nuk do t’ia dijë fare edhe pse ka ardhur në pushtet si forcë e majtë politike që duhej të kishte në fokus problemet sociale dhe programin për të luftuar varfërinë e jo rritur atë nëpërmjet papunësisë e taksave të larta. Dhe cilat janë problemet që po e fusin në amulli qeverisjen; protestat e vazhdueshme kundër prishjes së shtëpive të qytetarëve të rajonit të Astirit, tek Unaza e Madhe në hyrje të Tiranës, duke mos u paguar të paktën aq sa kushtojnë shtëpitë që qytetarët kanë bërë për të futur kokën. Gjithashtu protesta që i ka kaluar të 100 ditët për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga prishja që kërkon ti bëjë qeveria duke i dhënë tokën publike oligarkëve partnerë të saj për të ndërtuar kulla aty në qendër të Tiranës, shto edhe protestën e madhe të studenteve kundër tarifave të larta për arsimin në vendin më të varfër në Europë, kur ikjet e shqiptarëve për shkak të varfërisë janë në rritje të frikshme duke rrezikuar të ardhmen e këtij vendi. Pikërisht në këtë kohë varfërie, plas një skandali vjedhjes së jashtëzakonshme të parave të popullit, Qeveria jep koncesionin për 2 km rrugë 40 milion Euro, një segment të saj një kompanie fantazmë, Of Shore, e regjistruar nga një shqiptar 26-vjeçar pa të ardhura, që, na ruaj zot poturet e kryeministrit,  punon në një punë të rëndomtë portier hoteli dhe regjistrimi i kësaj kompanie në dhënien e koncesionit është bërë me dokumente kinse nga SHBA, por të falsifikuara që shqetësojnë edhe organet kompetente amerikane të cilat menjëherë nisën ta hetonin këtë skandal korruptiv, ku vihen në lojë jo pak por 18 milion euro.

Pikërisht në këtë gjendje të pështjelluar, Kryeministri gjen para e kohë për tu nis në shëtitjet me avion, thonë për Turqi, por nuk ka asnjë informacion si e pse ky udhëtim kur veprime të kësaj natyre duhej të ishin transparente.

Në videon qe kishte vënë, kinse ishte në Shqipëri e jo diku ne qiellin e Stambollit ne udhëtim, krahas shumë qytetarëve që të shqetësuar pyesin e kërkojnë shpjegime edhe unë bëra një shënim të shkurtër. Më poshtë po vendos shënimin tim dhe përgjigjen e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, tek i cili kemi varur shpresën se do të zhvillohet edhe kjo Shqipëria jonë,” Shqipëria që duam”, e  “në drejtimin e duhur”, sepse punët kanë vajtur keq e më keq e tundimi për ta braktisur atdheun është një epidemi dhe një katastrofë e vërtetë kombëtare.

Pas replikës së tij që tingëllon rrugaçërore, i dhashë përgjigjen time disi të përmbajtur, ani pse populli di të stigmatizoje e mallkojë nga pikëpamja stilistikë, shumë më mirë dhe më hidhur se kastat që ka në zverk.
Siç do të vini re më poshtë,  kryeministri i Shqipërisë jep shembullin e vet mospërfillës dhe injorues, pos të tjerash, edhe se si  nuk duhet marrë në konsideratë Gjuha Shqipe, duke mos respektuar as rregullat me të thjeshta të drejtshkrimit.
KOLEC P. TRABOINI: Nga bredh, o njeri. Shko tek studentët se ata po ti tundin themelet e qeverisjes…dhe fol pak për 18 milion Euro të kaparosura nëpër kompani fantazma.

KRYEMINISTRI EDI RAMA: Kolec P. Traboini mos u qaj hallin themeleve te qeverisjes zotrote, po shko beji nje radiografi sferes poshte kapeles, se i paska rrjedhur brendia me duket. Cilat 18 milione Euro te kaparosura neper kompani fantazma? Nga dolen 18 dhe pse 18 e jo 28 per shembull? Hajde kokeboshllek hajde, muhabet klubi per nje kompani qe jo vetem s’ka marre asnje kokerr leku nga shteti, po qe nese rezulton te kete fallsifikuar dokumentat, do te ballafaqohet me ligjin deri ne fund. Flet Shqupi, mbledh kapelja dhe nxjerr goja e Kolecit, pune e madhe sa e madhe budallakia kur i thonë.

KOLEC P. TRABOINI: Zoti Edi Rama, Bilbil je, o nipi i Nikos. Jo për gjë por e kam pas koleg zyre. Si nuk i ke ngjarë pak dajës, do të ishe më  mirë se kështu kunj në kunj me të gjithë. Ti më përmend kapelën, por unë nuk të përmenda poturet, as pantallonat e shkurta me tiranda kur shkoje në stërvitje se kishe një dalldisje për basketbollist që i vogël pa le kohën e Parisit. Të mbaj mend, o nipi i Nikos. Kishim shumë shpresa tek ty, të kam përkrahur me dhjetëra shkrime në 2013, por dole ky që je e aspak më i mirë se Sali Katraura. Mjerisht ky popull punon e robtohet dhe është i detyruar të hajë shqelmat e atyre që duhej ta konsideronin vetën shërbëtorë e jo padronë të popullit. Dhe sa për të kujtuar, ironinë e satirën i zotëroj mirë e mos kujto se më turbullojnë ato krahasimet pa logjikë që adreson ti. E ato 18 milionët ishin projektuar të shkonin diku, pyet at ministrin që ka magjistarin, indianin Guru si mik në shtëpi,  se e di ai se si ja kaparosi një 26- vjeçari pa asnjë eksperience, një portier hoteli, një koncesion 18 milion euro. Sot je kryeministër, por mendo për atëherë kur nuk do të jesh, do ta kesh të vështirë të shpjegosh gjithë këtë katrahurë në qeverisje. Dhe prano ato kërkesat e drejta të studentëve sepse jemi vendi më i varfër në Europë, me të ardhurat më të pakta, ndaj dhe shkollimin e shtresave në nevojë duhet ta përballojë shteti. Dhe atë SHQUP-in mos ma përmend mua, nuk jam i Shqup-it e as i Surrelit, sepse kur ti e kishe mik Sali Katrahurën, dilje edhe në foto me të zotërote, unë e stigmatizoja si një kalorës mesjetar delirant.
Partia ime është populli im e jo ato rrangallat parti që manovroni si ti, si Saliu apo Medi-ziu. Lëri pak nder vetes e mos u bëj i payndyrë, sepse vlera më e madhe që lemë pas është kujtimi i mirë tek të tjerët.

Kolec P. Traboini/9 dhjetor 20181 Replike me Edi Ramen

Filed Under: Analiza Tagged With: GJEGJE PREJ RRUGAÇI E, Kolec Traboini, KRYEMINISTRIT SHQIPTAR

Poeti Fatos Arapi, fisniku i bukurive të shpirtit

October 13, 2018 by dgreca

1Fatos_Arapi_Traboini– nga Kolec Traboini/

Fatos Arapi ishte dhe mbetet një ndër nga poetët më të shquar e më të veçantë në letërsinë shqipe. Tek ai gjente harmoni të përkryer njeriu dhe poeti. Të gjitha ata që shfryjnë mllefe në këtë dite zie për poezinë shqipe e nuk njohin vlerat e vërteta të një jete krijuese, e kanë paguar dhe vetë haraçin e diktaturës, por kinse janë ndryshe e dalin si vaj mbi lakra. Po kërkojnë të na thonë se kush ka qenë Fatos Arapi (1929-2018) dhe krijimtaria e tij. E kush po ngutet ta përgojojë poetin e vdekur dhe ende të pavarrosur? Bash ata që as e kanë njohur e as e kanë lexuar ndonjëherë poetin e profesorin tonë të nderuar. Nuk ka pasur njeri në Shqipëri që nuk e ka paguar haraçin e vet në diktaturë, por në fund të fundit  siç njeriut i vjen vdekja, vjen peshorja që mat vlerat e ndan grurin nga egjra.

Nuk më pëlqejnë as urra-të e surrogateve komuniste, por as dhe të sharat pa tru në kokë për çdo artist që fati e vuri të jetojë në kohë të keqe. Në fund të fundit kush ka qenë i talentuar ka lënë edhe vlera. Ne flasim për vlerat e jo për plehrat. Mirëpo disa nuk munden ndryshe, veç duke gërmuar ndër plehra. Poetët nuk i krijojnë diktaturat. Përkundrazi poetet janë të parat viktima të diktaturave edhe dje edhe sot. Ky është një mësim historik. Është tragjedi jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për popullin, kur regjimet i kthejnë krijuesit në vegla të tyre të verbra.

Fatos Arapi pavarësisht se ka paguar haraç të madh krijues, është një familje patriotesh, ai e donte atdheun e vet, lindi e jetoi dhe vdiq në këtë Atdhe për të cilin ndjente krenari. Lexoni poezinë e tij për atdheun me një dashuri sublime. Po sjell një strofë:

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.

një prill i pikëlluar në shpirt.

atdheu është kryqi, është kryqi.

e mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Edhe atdheu ndjen krenari për të tillë bij. Ai ka qenë një poet lirik me vlera të veçanta që nuk ka mbet për ta vlerësuar disa që as nuk e kanë idenë çfarë është poezia, por telendisën e përpëliten si daci në gaviç në mjerimin e vet mohues e smirëzi. A nuk shpifin edhe për Migjenin kështu, atë gjeni që e ktheu në rrugë të mbarë hullinë e poetikes shqiptare duke e modernizuar atë.

Në një poezi të tij, ndoshta të fundit nga dora e Fatos Arapit, shkruante:

Lexoni heshtjen.

Këtë forcë e qetësi shpirtërore, që me

dorë të saj vendos epoka të tëra para e prapa jush.

Lexoni heshtjen,

Ajo do t’ju tregojë dramën e vërtetë

të një shpirti të papërlyer

me gjakun e ëndrrave hyjnore.

Lexoni heshtjen,

Zbërtheni kodin e moçëm të saj

dhe përshëndetni ditëlindjen e një shprese.

Po ne a nuk po mundemi ta ruajmë kodin e heshtjes pikërisht në ditën e humbjen se madhe të poetikës shqiptare, në ditën e nderimit të fundit për poetin? Një smirë e ligësi e madhe po e shtyn njeriun të flasë pikërisht atëherë kur duhet të heshtë, sepse për analiza poetike, nëse kanë prirje kritizerësh, ka edhe të nesërme. Gjithsesi, edhe nëse i hyjmë një komenti që bëjnë dashakeqësit duke e vendosur Fatos Arapin në rendin e tretë të poetëve të asaj kohe, duhet të dini çfarë mendonim ne studentët që merreshim me letërsi atëbotë dhe botonim edhe ndonjë libër. Treshen në vlerësimin zyrtar e shihnim të përmbysur, sepse e vërteta ishte se ai i treti, pra Fatos Arapi,  në të vërtetë ishte i pari dhe liriku më i mirë i atyre viteve, me pas do te dilnim Frederik Rreshpja, Vehbi Skënderi dhe Ndoc Gjetja e të tjerë.

“E bukura do ta shpëtojë botën” ka thënë Dostojevski. Dhe poeti ynë Fatos Arapi ka lënë perla poetike, çfarë e motivon më së miri dashurinë e lexuesit për autorin. Po citojmë një perlë poetike drithëruese të këtij autori “Si s’të desha pak më tepër”:

Unë e desha përtej vdekjes,

Ashtu dashurova unë

Edhe prap s’ia fal dot vetes:

S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,

T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…

Të gënjejmë mallin që s’shuhet,

Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,

Atje ku nis “ca pak” tjetër,-

Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.

Lirikat e Fatos Arapit janë poezi që mbijetojnë në kujtesën e popullit, në bukurinë shpirtërore të brezave. Nuk i harroj kurrë fjalët që më ka thënë në Athinë në vitin 1995, shkrimtari i njohur ndërkombëtarisht Kosta Valeta, kur po flisnim për letërsinë shqipe: “Padyshim Fatos Arapi është liriku më i madh i poezisë së sotme  shqipe, një poet që ju nderon ndër popuj të tjerë. Them kështu sepse e njoh poezinë e tij.”

Urdhëroni tani e lexoni këto poezi dhe uluni e shkruani të tilla perla, po të keni këllqe, o ju kritizerë. Por pikësëpari duhet ta dini, e nëse nuk e dini ta mësoni para se të uleni e të shkruani me shafran kundër poetit, se shpifja dhe denigrimi nuk kanë qenë e kurrë nuk do të jenë art.

Nderim për poetin lirik Fatos Arapi, këtë fisnik të rrallë të bukurive të shpirtit.

12 tetor 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatos Arapi, fisniku i bukurive, Kolec Traboini, te shpirtit

HELM E VRER MBI KOL IDROMENON

September 20, 2018 by dgreca

1 Kole Idromene

Nga Kolec TRABOINI/

Lexojmë edhe pse nuk duam ta besojmë: “Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare”. (Gazeta “Shqip” – Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare – Eleni Laperi 15 gusht 2017) Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinç shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën “Shqip”.me firmë e me vulë të Eleni Laperit. Ky po që është studim-zbulim me të qorrollis mendjen si nëpër ato humoreskat popullore “fluturon, fluturon…..gomari”. Por le të vazhdojmë ta lëçisim zonjën Laperi: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi. Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi te tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, të cilat sot i admirojmë ne dhe të huajt gjithashtu, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës e kthyen paraqitjen e qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë nga Europa, evolucioni më i madh në këtë qytet bashkë me zhvillimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin europian, shprehje e të cilit është edhe arkitektura. Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit.   Dhe Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo zonjë kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, që bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të familjes ( le të flasë dhe Ernest Rini Andrakia se edhe ai të afërt e ka), nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” e jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit 2 vjeçar dhe motrës në moshë të re, Motra Tone e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kish aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëllimi romantike siç fantazon jetën e artistëve Eleni Laperi. Fantazitë kësaj zonje që shkruan çfarë ti vijë për mbarë vazhdojnë:   “Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.” U bëre ti zonja Laperi ta kthesh Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak. Më të vërtetë është paturpësi, shpirtligësi dhe e neveritshme. Veç tundimi i madh më bën të reagoj se kësisoj paçavure shkrimesh nuk meritojnë vëmendje. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një farë fyelltari me një vrimë e pantallona te shkurta, pikturisti Mustafa Arapi, kur shkroi çmendurinë se portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk e ka bërë Idromeno. Po kush e ka bërë, o mendje ndrituri Mustafa? Të parët e tu në Anadoll? Se një shqiptar i vërtetë nuk ka as turpësinë e as paturpësinë të  degradojë figurat e kombit të vet. Po edhe ti, moj zonja Laperi, kur e ktheve shqiponjën e Flamurit të Pavarësisë në një qafe pate, çorap e bëre historinë. Nga kanë dalë gjithë këta të çmendur more dhe kanë marrë një revan të cilin nuk e dimë deri ku do të shkojë?! Në ke gjë për të ndrequr në këtë botë, moj zonjë që do të bësh shou me surrogate, rregullo se pari mbiemrin tënd. Jepi një kuptim pak më të bukur se në fjalorin e gjuhës shqipe fjala laperi shpjegohet gojëndyrë. E kjo nuk është ndonjë zbulim. Për me tepër vetë shkrimi yt i çoroditur i jep një kuptim. Zot na ruaj, dalin liliputët të rrëzojnë gjigantët. Nuk keni parë gjë akoma në këtë humbëtirë ku punohet me kazmë natë e ditë. Duan t’ia nxjerrin tabanin këtij dheu që duhej ta kishim të shenjtë. Ndoshta gojë-ndyrja është gjeja me pak e dëmshme në këtë vend, ndaj i shohim të botohen lloj-lloj paçavuresh në gazetat e Tiranës.

Filed Under: Opinion Tagged With: HELM E VRER, Kolec Traboini, MBI KOL IDROMENON

EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR

August 11, 2018 by dgreca

SHQIPËRIA TUMLLAS ME BEJTEXHI – EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR /

“Jam njeri i Shqipërisë. Jam poet i dashurisë.”/

 

2 KRIMINELI BEJTEXHI

Nga KOLEC TRABOINI /

Kalova tek faqja elektronike e kriminelit 24 vjeçar Ritvan Zykaj që me 10 gusht vrau 8 vetë të fisit të vet pa pasur as mëshirë për dy fëmijë të vegjël. Ngjarja ndodhi në fshatin Resulaj të Selenicës së Vlorës dhe shokoi gjithë Shqipërinë, siç thonë mediat, por edhe shumë për tu shokuar nuk jemi, se vrasje makabre po ndodhin përditë.   Kishte tre profile të ndryshme e në njërën prej tyre shënonte se ishte një punonjës i FBI (Federal Bureau of Investigation)  dhe në tjetrën se kish mbaruar Universitetin George Washington. Kishte dhe një tjetër anonim, me punësim gjoja në Greqi, kishte në profil edhe foto me maskë nga ato që përdorin grabitësit e bankave. Këto lloj veprimesh janë të zakonshme për shumë të rinj parazitë  që e përdorin facebook-un për trille, për mashtrime, për shantazhe. Faqja e tij kryesore në të vërtetë u mbyll punë orësh pas ngjarjes makabre. Dikush, mbase investiguesit,  u interesuan ta mbyllnin. Megjithatë arritëm të fotokopjojmë  disa pamje. Në faqen e tij vihej re se ky na ishte edhe një vjershëtar me pompë, të cilit i bënin lajka plot djem e vajza, madje edhe me shenjën zemër. Kaq pëlqime që për të ardhur keq nuk i shkojnë as poetëve të mëdhenj botërore ta zëmë Robert Frost-it. Sepse shqipot e vjershave bajate nuk e kuptojnë Frostin apo Ezra Pound e Cesare Valejo, por mirëkuptohen me bejtet e njëri-tjetrit. Ka mijëra të tillë  bejtexhinj  si puna e këtij Vani Zykaj që e quajnë veten poetë, edhe ky krimineli ishte një prej tyre sepse kishte edhe plot suksese në mes të bejtexhinjve që e kanë mbushur facebookun. Ishte dhe frekuentues i faqeve me grupime injorantësh si “Poezia më e bukur” dhe disa faqe e grupe të tjera ordinere e të çoroditura. Arritëm të marrim dy bejte prej tij ku e ndjente veten levend si shumë marrokë të tjerë grafomanë, veç ky kishte edhe shpirtin e kriminelit. Kishte edhe një foto me maskë që policia po të ishte e vëmendshme, vetëm për këtë duhet ta kishte investiguar. Ja dhe përcjelljet e tij të cilat po i lemë pa redaktuar siç i kishte në faqen që më pas u zhduk nga pamja në internet: Me mungon moj budalaqe. Me mungojne ato faqe. Me mungojne syte e tu. Me mungojne fjalet e tua. Buza jote porsi ftua. Me mungojne me te vertete. Pa te goc nuk dua jet… E më tej Jam njeri i shqiperise. Jam poet i dashurise. Jam simbol i trimerise. Jam 1 ngrenes i qershisë. Ma do zemra edhe veshka. Me pelqen edhe pjeshka… Kam përshtypjen se pjesa më e madhe e vjershëtarëve tanë ja kishin zili nivelit të këtij myteberri, prandaj duhet parë me kujdes se mos këta mijëra bejtexhinj tanë të internetit, të ashtuquajtur poetë e poetesha, se mos na shkallojnë e u bëjnë gjëmën njerëzve si ky kriminel i vetëquajtur poet, se poezisë ja kanë bërë gjëmën me vakt e me kohë. 10 gusht 2018

Make Google view image button visible again: https://goo.gl/DYGbub

Filed Under: Komente Tagged With: EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR, Kolec Traboini

JOZEFINA TOPALLI, ARIAN ÇANI DHE SOZIA IM I PANJOHUR

July 16, 2018 by dgreca

– Në tallavanë televizive “Zonë e lirë” : Çfarë rrengu kishte punuar Arian Çani që kishte thënë në emision se po intervistojmë autorin e shkrimit Kolec Traboini, kur unë kurrë nuk kisha folur me të në telefon!

  • Kush ishte ai që kishte folur në emrin tim kur unë isha në Boston? Nga cili shtet? Apo ishte thjesht nga një dhomë tjetër e televizionit dhe Arian Çani improvizonte si nëpër studiot e filmave vizatimorë ku dublohen zërat. Kush ishte dublanti im?!

1 Kolec Jozefina.jpg1 Zone-e-Lire-Arian-Cani

Nga KOLEC TRABOINI/

Ka histori që të vënë ndër mendime apo të bëjnë për të qeshur për tërë jetën. Një prej këtyre historive është ajo në mes meje e Arian Çanit. Dikush mund të me pyes që në krye a e njeh Arian Çanin? E them hapur se nuk e njoh. E kam parë, e kam soditur në emisione televizive ku më është dukur konfuz dhe i papërqendruar, me një dëshirë snobizmi, për të bërë shou artificialisht dhe kaq. Nuk kam pasur asnjëherë interes të takohem e flas me gazetarin e bujshëm të Tiranës, ku e tërë gazetaria televizive është në tollovi, ngjashëm me muzikën tallava.

Por ndoshta ai nuk ka pas të njëjtin mendim, sepse pasi ka kërkuar në internet shkrime për Jozefina Topallin ka gjetur shkrimin tim “Bukuri shkodrane” që kisha vite që e kisha shkruar kur Jozefina nuk kishte funksione shtetërorë. Arian Çani është marr me atë shkrim gjërë e gjatë. Ai shkrim i imi nuk ishte një shkrim emfatik, sepse nuk shquhem për emfazë, përkundrazi jam tepër skeptik, dyshues, por isha përpjekur të paraqisja një vizion fizik dhe një imazh tradicional të bukurisë së femrës shkodrane, si një prej bukurive tipike të këtij qyteti që niste me Teutën, tek Motra Tone e mrekullitë që Marubi e Idromeno i kanë fiksuar në xhamat fotografikë.

Pasi e lexoi atë shkrim, gazetarit Arian Çani i lindi ideja ta përdorte në një intervistë në studio me kryetaren e Kuvendit aso kohe Jozefina Topalli, të cilën e kisha përmendur si mjaft emra të tjerë si Jolanda Pogu, Lili Leka, Meri Topallaj, se thënë të drejtën edhe ajo, Jozi, ishte e vazhdon të mbetet një femër e bukur. E kisha njohur që në kohën e rinisë së saj, kur punonte në Institutin e Misrit  Dobraç. Atje shkoja shpesh se kisha disa miq të mi, Shyqyri Mollën, Ahmet Osen e Genc Drinin, atje punonte si specialist seleksioner edhe një komshi i imi në Shkodër nga një familja shumë e mirë gjakovare, Gjergj Dionizi, që kishte një vëlla të arratisur, si dhe Pjetër Logoreci. Por shkoja edhe si redaktor i kronikës në Kinostudio për xhirime. Por mua më intereson më se shumti bukuria fizike e gërshetuar me bukurinë e mendjes e jo thjeshtë fytyra të pispillosura që me i shti frikën edhe shejtanit.
Kësisoj duke shfrytëzuar shkrimin tim Arian Çani na e paska bërë emisionin në shoun e tij të radhës me Jozefina Topallin. Unë as e kam parë atë emision dhe as kam kërkuar nëpër arkiva televizionesh për ta parë. Shkaku kryesor se ndodhesha përtej oqeanit Atlantik, në Boston, që prej verës së vitit 1995.

Por një telefonim nga Tirana pas disa ditësh më vuri në mendime. Ime bijë që ishte në Tiranë e kishte parë emisionin e Çanit dhe intervistën e Jozefina Topallit ku qe përmendur disa herë edhe emri im. Çani e kish pyetur a e njeh Kolec Traboinin. Jozi kishte thënë jo. Dhe kjo qe e vërtetë. Anipse kisha qenë në institutin e Misrit në Shkodër dikur kur atje punonte edhe ajo. Ajo nuk më mbante mend. Por, gjatë një xhirimi në atë institut, në vitet 80 të shekullit të kaluar, pra rreth 30 vjet më parë,  një zë pak si dridhshëm më tha me një ton pëshpëritës, “mos e xhironi në fytyrë atë vajzë” dhe bëri me shenjë nga njëra prej vajzave me bluze të bardhë. I thashë se si të mos e xhironim kur ajo kishte fytyrën më të bukur ndoshta në tërë Shkodrën. E, tha ai i Partisë,…është si puna e mollës. Molla e bukur ka krimb. Ka biografi të keqe.

Ne vazhduam punën, në fund, nën vështrimin egërshan të sekretarit të Partisë që nuk na i ndante sytë,  me operatorin Ibrahim Kasapi shkuam e i takuam vajzat një e nga një, i dhamë dorën edhe asaj me “biografi të keqe” por me një portret të mrekullueshëm duke i bërë komplimente për bukurinë e saj. Ajo vajzë që na buzëqeshi me mirësi ishte Jozefina Çoba. Ende nuk ish martuar që të merrte mbiemrin Topalli dhe ende nuk ishte bërë kryetare kuvendi që të etiketohej soj-soj prej kundërshtarëve të vet politik siç bëjnë në këtë palo pluralizëm. Duhej të kalonin vite për këtë. Pikërisht për këtë shkodrane të bukur kisha shkruar pak rreshta, të cilat Arian Çani i kishte mbërthyer e zbërthyer shumë mirë sipas mendjes së vet. Madje i kish thënë thukshëm, ky Kolec Traboini të paska krehur mirë e mirë. Llafet e Çanit gjithmonë janë ilaritet.

Më mori ime bijë në telefon nga Tirana e më tha se më kishin intervistuar edhe mua në telefon. Por….e vajza e ndërpreu bisedën paksa, nuk e di bâ… por nuk mu duk si zëri yt.

Atëherë vendin e meditimit e zuri buzëqeshja. Çfarë rrengu kishte punuar Arian Çani që kishte thënë në emision se po intervistojmë autorin e shkrimit Kolec Traboini, kur unë kurrë nuk kisha folur me të në telefon!

Kush ishte ai që kishte folur në emrin tim kur unë isha në Boston? Nga cili shtet? Apo ishte thjesht nga një dhomë tjetër e televizionit dhe Arian Çani improvizonte si nëpër studiot e filmave vizatimorë ku dublohen zërat. Kush ishte dublanti im?!

Kjo është një çudi që kurrë nuk kam arritur ta kuptoj, një enigmë që është e bukur sa kohë që është e fshehtë.

Prandaj herë më vë ndër mendime e herë-herë më vjen për të qeshur.

Në fund të fundit unë kisha folur e nuk kisha folur me Arian Çanin. Ec e jepi zgjidhje  këtij lëmshi mediatik. Por kur pas disa kohe e takova Jozefina Topallin në zyrën e saj, nuk ja përmenda. Ajo më priti me përzemërsi me mendimin se kishim folur me njeri tjetrin nëpërmjet linjës telefonike ndërkombëtare të Arian Çanit. Nuk i thashë asgjë se nuk desha ta çmeritoj nga kënaqësia që kish ndjerë në emision “Zonë e lirë”, por edhe ajo modestish nuk më pyeti. Nuk e dija si do ta priste atë lojë që ishte bërë me atë ne një emision televiziv alla Çan.

Nuk i bëra të ditur as atë takimin tonë në Institutin Misrit. Ajo tashmë ishte në qiellin e shtatë, e kur ndodhesh aq lart, kujtesa është kthyer në pluhur. Pati mirësinë të më sillte në zyrën e saj, ku dikur kishte qenë ndenja e diktatori Enver Hoxha, një kafe që e piva me kënaqësi. E falënderova. E falënderoj edhe tani. Se e bukura, thënë të drejtën, e ka tagrin e vet, respektohet nga të gjithë, ani pse politika fëlliq gjithçka, si qentë borën e bardhë e të butë, të cilës vazhdojnë ti këndojnë pa nda, poetët.

Filed Under: Politike Tagged With: ARIAN ÇANI DHE, Jozefina Topalli, Kolec Traboini, SOZIA IM I PANJOHUR

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT