• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDRIZ SEFERI, HEROI KOMBETAR QE LUFTOI PER BASHKIMIN E TOKAVE SHQIPTARE

July 18, 2013 by dgreca

“U munova tanë jetën me çliru dhe bashku këtë vend, por po vdes me ixhram që nuk munda ti bëj tokat shqiptare Shqipni”,  Idriz Seferi !

Shkruan: Nga Gani Qarri /

Atdhetari i madh, heroi i kombit, si dhe njëri ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor ushtarak të kryengritjeve kombëtare për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare, Idriz Seferi, u lind në vitin 1847 në fshatin Sefer të trevës së Karadakut afër Shkupit dhe vdiq në vitin 1927 me dëshpërimin e thellë në shpirt,ngase përkundër aq shumë vuajtjesh, luftërash e përpjekjesh kombëtare, shqiptarët asnjëherë nuk arritën ti bashkonin të gjitha trojet e tyre etnike dhe bënin – Shqipëri.

Shpirti i tij luftarak dhe shtypja e madhe e bashkëkombësve nga Perandoria turke,e shtynë heroin e atyre viteve të rënda e të vështira për kombin,kur një popull i tërë luftonte për jetë a vdekje,që qysh në moshën e tij të re, duke mos duruar shtypjen e mëtejme dhe varfërinë e cila do të keqësohej së tepërmi , sidomos pas reformave të Tanzimatit, të hidhej në luftë të armatosur kundër pushtuesve osman, për çka në vitin 1875, kur ishte vetëm 28 vjeçar , do të burgosej nga pushtetarët turq.

Si patriot dhe luftëtar i shquar që ishte, Idriz Seferi u ftua dhe mori pjesë në të gjitha ngjarjet kryesore të kohës, kuvendet me rëndësi dhe luftërat vendimtare që bëheshin kundër kësaj Perandorie, për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimi shumë shekullor i saj.

Ai kudo u shqua me aftësitë e tij organizative dhe udhëheqjet e dëshmuara për strategji të larta ushtarake, i cili me të drejtë do të caktohej-udhëheqës i Betejës së Kaçanikut dhe njëri ndër prijësit kryesor të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.

Idriz Seferi, ishte njëri ndër strategët kryesor të betejave për çlirimin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt e vendbanimeve të tjera shqiptare në këto dhe më gjerë në trojet tona.

Edhe pse me kërkesat e Fuqive të Mëdha, luftëtarët kombëtar nga fundi i muajit gusht të vitit 1912,do të detyroheshin të çarmatoseshin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas fillimit të luftërave ballkanike, në tetor të vitit 1912, kur tokat shqiptare do të sulmoheshin nga të gjitha anët, ai do të mobilizohej përsëri dhe me vullnetarët e tubuar nga të gjitha trojet,do të hidhej në mbrojtjen e Bujanocit, Llapit, Gollakut, Kumanovës,e vendeve tjera,nga sulmet e pushtuesve serbomëdhenj, të cilëve do t’u shkaktonte humbje të mëdha, por me gjithë përpjekjet heroike, jo edhe t’i ndalte për kohë të gjatë, nga mungesa e armëve, municionit dhe ushqimeve, kur trojet shqiptare që të gjitha njëkohësisht, digjeshin në flakët e luftës nga çdo anë, të sulmuara njëherësh prej shumë shteteve ballkanike, si Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria.

Megjithatë, kryengritjet e tij për liri kundër pushtuesve serbë në vitet 1913 deri më 1915, dhe pushtuesve bullgarë  nga vitet 1916 deri më 1918, asnjëherë nuk do të ndaleshin, për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, deri në fund të jetës së tij.

Pra shqiptarët, për fat të keq, nuk kishin vetëm një armik,kështu që pushtuesi i radhës-qeveria shoviniste serbe,që nga viti 1900,kishte filluar ti forconte agjenturat e saj, përmes mësuesve dhe priftërinjve sllavo-ortodoks, nëpër fshatrat e përziera dhe të banuara me sllavë, të cilat vepronin nën emrin e njohur si “Dora e zezë”.

Madje ajo, do të dërgonte edhe oficer të lart ushtarak,dhe nga viti 1907, do të krijonte edhe çeta të armatosura çetnikësh,të cilat kishin për detyrë të përgatisnin terrenin për ndërhyrjen ushtarake serbe në Kosovë, pas largimit të Perandorisë Turke nga tokat tona.

Banda të armatosura dhe grupe spiunazhi,përherë  janë mbajtur dhe strehuar në kishat dhe manastiret serbe,gjithandej trojeve tona, të cilat gjatë gjithë kohës ishin dhe mbetën, vatra të agjenturave të fshehta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë

Një çetë të tillë çetnikësh, që në vitin 1907,Serbia do ta formonte edhe në fshatin Pasjan,në lindje të Gjilanit,e cila për një kohë do të strehohej e kamufluar në kishën sllavo-ortodokse të këtij fshati të banuar jo tërësisht me serbë. Por,pas paraqitjes publike, prijësi popullor i kryengritësve shqiptar, heroi Idriz Seferi do të urdhëronte asgjësimin e kësaj çete të armatosur,bashkë me udhëheqësin e saj, oficerin e lartë ushtarak,  Dragolub Nikoliq, i cili ishte dërguar enkas nga Beogradi,për këtë detyrë.

Kjo ishte vetëm një pjesë e vogël nga historia e gjatë e luftërave dhe trimërive të shumta të këtij Burri.

Ndaj,për betejat që udhëhoqi dhe heroizmat e treguara gjatë atyre viteve të vështira për kombin dhe atdheun e shqiptarëve, Idriz Seferi bashkë me Isa Buletinin u shndërruan në mite,kurse luftimet e fuqishme që ata organizuan dhe udhëhoqën me trimëri, të zhvilluara me aq sukses, në përballje me ushtri shumë herë më të mëdha armike,në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar u kthyen në  legjenda dhe vlerësuan lartë në historinë e kombit tonë.

Kryengritjet e tyre, kundër pushtimit osman, të cilat që nga reformat e Tanzimatit, nuk u ndalën asnjë herë, deri në përzënien përfundimtare të Perandorisë Osmane nga trojet tona, si dhe organizimi i mbrojtjes,për aq sa ishte e mundur nën kushtet e një lufte pothuajse duarthatë kundër shteteve ballkanike, ishin përpjekje titanike të cilat do të çonin në shpalljen historike të Pavarësisë së Shqipërisë etnike më 1912 në Vlorë, edhe pse ai do të vdiste me “ixhram” si shumë patriot tjerë të kombit,të cilët me gjithë luftën që bënë dhe vuajtjet që përjetuan,nuk arritën ti bënin të gjitha tokat shqiptare Shqipni.

*Pjesë nga libri “Krijuesit e Historisë”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Heroi Kombetar, Idriz Seferi, Kombetar, qe luftoi per bashkim

FEJA DHE IDENTITETI KOMBETAR

April 3, 2013 by dgreca

Roli i fesë në krijimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar/
Kur besimi në Zotin fillon të dobësohet te një popull, atëherë bëhu gati te shikosh rrëzimin e tij. A. H./

SHKRUAN: Mr. sc. Besim Morina /

Udhëheqësit shpirtërorë te popullit shqiptar, gjatë gjithë historisë kanë mbajtur gjithnjë barrën kryesore, duke mos ndarë kurrë fenë nga atdheu, duke i shërbyer si Zotit ashtu edhe grigjës. Ashtu siç i shërbyen të lumit Zot, njashtu dijtën edhe t‘i rroknin armët e t‘u prinin popullit të cilit i takonin në mbrojtje te dinjitetit njerëzor.
Krishterimi është baza e kulturës moderne, e, mbi bazën e fesë së krishterë është ngritur civilizimi i sotëm Europjan. Krishterimi në vend të instiktit vuri ndergjegjën me përgjegjësi. Krishterimi hoqi skllavën dhe i dha familjes nënën, i dha femijës të drejtën e jetës, i dha gruas dinjitetin, krijoi universitete mbrojtëse të diturisë, spitale mbrojtëse të njeriut.
Pjesë e rëndësishme e civilizimit të krishterë për rreth pesëmbëdhjetë shekuj, ishin popullsia iliro-arbërore. Gjatë periudhës paleokristiane dhe në mesjetën e hershme, popullsia ilire i dhuroi botës së krishterë emra eminentë si: Perandori Konstantini i Madh i cili e legalizoi fenë e krishterë, shën Jeronimi i cili është përkthyesi i Biblës në gjuhën latine, Perandorin Justinian, etj.
Për rreth pesë shekujsh, pushtuesit turq kanë izoluar popullin shqiptar nga civilizimi Eeuropian. Këta pushtues sikur nuk u kënaqën me shkatërrimet, vrasjet, dëbimet, konvertimet, por edhe pas largimit nga trojet e pushtuara te një pjesë të Ballkanit, sjellin flotën e tyre për të sjellur në jetë planet sllave, që teritoret etnike shqiptare dhunshëm t‘i dhurohen sllavëve, ku mjerisht popullsia autoktone perjetoi për të satën herë barbarinë sllave.
Gjatë periudhës se dyndjeve barbare sllave, popullsia autoktone pësoi rëndë, priftërinjët gjithnjë ishin në ballë të grigjës, kishat dhe manastirët e tyre u shkatërruan, u dogjën, u vranë shumë prifterinjë së bashku me grigjën e tyre. Edhe pas pagëzimit te popullit serb, popullsia autoktone perjetoi barbarinë sllave, krishterimi pothuaj së pak ka pasur ndikim në jetën e popullsisë serbe, për të hequr dorë nga barbarizmi.
Gjatë kohës se sulmeve, pastaj pas pushtimit te tokava etnike shqiptare nga pushtuesit osmanë, prifterinjtë shqiptarë, qofshin ata katolikë apo ortodoksë, ishin në ballë te luftës për të mbrojtur tokat tona. Gjatë gjithë periudhës sa zgjati pushtimi i trojeve etnike shqiptare nga ana e pushtuesve osmanë, prifterinjtë katolikë dhe ortodoks shqiptarë, ishin të detyruar për mbijetesë, te mbronin grigjën e tyre edhe nga konvertimet, qoftë në islam (konvertim që detyrohej nga ana e pushtuesve Osman), apo në ortodoks (këtë konvertim e bënin kisha ortodokse serbe dhe kisha ortodokse greke, por me bekimin e Portës së Lartë).
Feja islame vertetë se ka ardhur bashkë me pushtuesit osmanë, por popullsia shqiptare e islamizur nuk ka hequr dorë lehtë nga përkatësia etnike. Në të mirë të ketij mendimi flet edhe kjo e dhënë, se kur udhëtari anglez, Xh. Hobhaus, vizitoi gjatë viteve 1808 dhe 1810 Shqipërinë dhe rajone të tjera të Perandorisë Osmane, kishte shkruar se kur “banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjen “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet “unë jam shqiptar”. Mburrja e përbashkët kombëtare e tyre ishte aq e fortë sa që nuk i ka lënë vend përçarjeve religjioze, që i ka ndarë njerëzit e këtij populli.
Pra, perderisa iliro- arbërorët, kaluan nga besimi në shumë zotra, në një Zot të vetëm, arbëroro-shqiptarët, nuk e kishin lehtë të braktisnin fenë e të parëve të tyre vetem pse deshironin apo me mirë te themi që i shtrengonin pushtuesit osmanë. Madje, është e rëndësishme të themi, se në kohën e mbërritjes së osmanëve në Ballkan (1388), Arbëria ishte tashmë një vend i krishterë, e, i përbërë nga 43 seli Episkopale, duke u bërë një kala katolike kundër islamit. Organizimi i hierarkisë kishtare në trojet tona etnike, flet më së miri, se populli shqiptar ishte pjesë e civilizimit Europjan.
Periudha e pushtimit osman mbi popullin shqiptar, është periudhë e dakadencës shpirtërore dhe kulturore. Pushtimi osman la pasoja të rënda jo vetëm fizike por edhe shpirtërore, pasoja këto që do të kërkojnë kohë, mjete edukative dhe morale për breza me radhë që të eliminohen.
Në kryengritjet e armatosura te popullsisë etnike shqiptare, që u organizuan kundër pushtuesve turq, apo te pushtuesve sllavë, për çlirimin e trojeve tona etnike, roli i priftërinjëve katolikë, priftërinjëve ortodoks, bektashinjëve, shehlerëve dhe hoxhallarëve, ishte mjaft aktiv dhe i rëndësisë se veçantë. Sipas, dokumenteve të kohës, del, se krahinat e Shqipërisë veriore së bashku me Kosovën dhe teritoret etnike shqiptare në Maqedoni, mbi 80 % e popullsisë janë në gjendje te rrokin armët në luftë për lirinë e vendit te tyre, ndërsa kjo përqindje është më e ulët në krahinat e Shqiperisë Jugore, për arsye te propagandës që ushtronte kisha ortodokse greke, e cila kishte bekimin e Portës së Lartë.
Rol të rëndësishem në organizimin e kryengritjeve antiosmane kishte Hoxhë Hasan Tasini, për rolin e tij dhënë qështjës kombëtare është shkruar fare pak, pastaj Ymer Prizreni, me rolin e tij të pamohueshëm në përpjekjet për t‘i mbrojtur trojet etnike shqiptare.
Mirëpo, deri me tani, pak ose fare studiuesit nuk kanë shkruar për kontributin e klerit katolik në përpjekjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Kështu, kur në Kongresin e Manastirit, ndër të tjera, at Gjergj Fishta tha: “Nëse Evropa … prapë do të na tradhtojë dhe do na ndajë trojet tona duke u dhuruar pushtuesve …, ne do ti therrasim bijtë tanë më të mirë që të rrokin armët për t‘i mbrojtur trojet tona. Imami i Shkupit, u ngjit në foltore duke qajtur, e perqafoi at Gjergj Fishtën, e tha: “kësi burrash i duhen atdheut, dhe as ne nuk do te ndahemi në luftën për mbrajtjen e vendit tonë”. Imzot Nikollë Kaçorri, në një fjalim gjithashtu te mbajtur në Kongresin e Manastirit, u bëri thirrje delegatëve që ta pranonin alfabetin latin, i cili i lidhte shqiptarët me perëndimin, u bëri thirrje të pranishmëve që jo vetëm fizikisht e shpirtërisht të ndihmojnë çlirimin e vendit por edhe materjalisht, e cila është njëra prej mundësive që në mënyrë praktike të realizohej çlirimi i trojeve shqiptare.

Në Memorandumin e datës 13 nëntor 1912 dërguar përendorit e mbretit të Austro- Hungarisë, Franc Jozefit I, dom Nikollë Kaçorri shkrimin e kishte filluar kështu: “Shumë të vështira e të rrezikshme janë këto ditë për ne shqiptarët e për nanën tonë Shqipninë, që të katër shtetet e Ballkanit po dojnë me e perpi me e coptu”. Në këtë Memorandum i cili përfshinë tri faqe, gjejmë nënshkrimet e atdhetarëve të njohur, si: Mustafë Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Abdi Beji, Murat Toptani, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani.

Figurë mjaft e rëndësishme ishte edhe ajo e Imzot Luigj Bumçit, i cili u kushtoi një rëndësi të veçantë takimeve me përfaqësues të shteteve që kishin ndikim drejtpërdrejt në fatin e trojeve etnike shqiptare. Kështu, ka arritur të takohet me përfaqësues të Shteteve te Bashkueme të Amerikës, Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, etj. Në këto takime ai mundohet t‘i bindë përfaqësuesit e këtyre shteteve se, çeshtja Shqiptare nuk është një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit, por është problem kryesor për ruejtjen e paqës në mbarë Evropën.
Imzot Luigj Bumçi posa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, është i pari që protestoi tek Presidenti Willson, për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë, gjithashtu i dorëzoi presidentit Willson listën me emrat e viktimave në krahinën e Rugovës.
Shtjefen Gjeqovi, nji burrë i cili gëzonte një autoritet të lartë në popull, për shkak te veprimtarisë së pandalshme patriotike, pushtuesit serbë pas disa tentimeve për të bërë atentat arriten ta vrasin. Gjeqovi, ishte mbledhësi i të drejtës zakonore shqiptare, te botuara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, pastaj mbledhës i artifaketeve, te cilat dëshmonin autoktoninë e popullit shqiptar në këto troje, është edhe një dëshmi më shumë se udhëheqësit shpirterorë të popullit shqipar, jo që nuk ishin kundër atdheut por ata flijuan jetën e tyre në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të atdheut.

Nga kjo që u tha shihet, se roli i udhëheqësve shpirterorë shqiptar, ka qenë në të mirë të çështjes sonë kombëtare. Por, cila është arsyeja që shteti komunist shqiptar u shpalli luftë institucjoneve fetare, ku nëpërmjet të ashtuquajturit “gjyq i popullit” u maltertuan, dënuan me varje apo me pushkatim? Pse feja shiqohej si një gogol i frikshëm, madje u pandeh se Zoti u hoq prej botës dhe se mbaroi besimi në faqe të botës për tërë jetën. Per këtë akt “perparimtar” të shtetit shqiptar Rexhep Qosja patë deklaruar: “jam i lumtur që Shqipëria është shteti i parë ateist në botë”.
Shqipëria nje vënd i vogël, por mjerisht që printe me ndjekjet, maltretimet, vrasjet e intelektualëve (nëse krahasohet me numrin e banorëve), pra të intelektualëve të kalibrit Europian, po perçante, infektonte e shpiunonte edhe shqiptarët që kishin mbetur nën sundimin sllav, madje edhe shqiptarët të cilët për shkak te orientimit nacionalist kishin emigruar në perëndim apo në SHBA-të. Shqiperia e cila kishte mungesë të ushqimit për banorët e vet, hargjonte mjete të shumta për propagandë marksiste e leniniste.

Në fund le ti kujtojmë fjalët e atdhetarit At Anton Harapi, që bënte thirrje: “Zoti i vertetë e atdheu le te na bashkojnë, në ruajtjen e botës shqiptare dhe zhvillimin e saj, në bashkimin e shqiptarëve dhe sigurimin e mirëqenies së përbashkët kombëtare e kulturore”. Ti kujtojmë fjalët e At Anton Harapit: ”Të sakrifikojmë pikëpamjet tona e jo popullin as Shqipërinë; të bashkohemi mbasi vendi pret shpetimin prej nesh e jo prej te huejve”, madje vazhdonte se: “kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen fe dhe atdhe, ai ka një kuptim te gabuar për atdhetarizmin, atdhetarizmi në kuptimin fetar është një virtyt i shenjtë si drejtësia dhe dashuria”.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Feja dhe identiteti, Kombetar, mr. Sc. Besim Morina

PAVARËSIA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR

November 2, 2012 by dgreca

Nga prof. dr. Beqir Meta/

Dhjetvjeçari i dytë i shekullit XX përbën kulmin e përpjekjeve për afirmimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilat u kurorëzuan me krijimin e shtetit kombëtar pas 450 vjet robëri. Shqipëria u rishfaq në skenën ballkanike dhe evropiane si një faktor real, ajo ofronte shanse të mëdha për vendosjen e ekuilibrit politik të qëndrueshëm në Ballkan dhe për zhvillimin paqësor të rajonit tonë.

Në vitin 1912 pavarësia e Shqipërisë ishte pjekur për zgjidhje si nga pikëpamja e zhvillimeve të brendshme të Perandorisë Otomane, ashtu edhe nga faktorët e rinj, që po shfaqeshin në politikën evropiane dhe ballkanike. Por në radhë të parë tashmë këtë e diktonte zhvillimi i forcave politike shpirtërore brenda territoreve shqiptare. Sundimit të Turqisë në Ballkan i kishte ardhur fundi. Hovi i ri i lëvizjes kombëtare shqiptare kishte vënë në rend të ditës çështjen e së ardhmes së këtij kombi të vjetër evropian. Lëvizja kombëtare shqiptare në periudhën e mëparshme, veçanërisht prej Lidhjes së  Prizrenit (1878) e këtej ndonëse nuk kishte arritur objektivin e saj kryesor, kishte patur përveç të tjerash një rezultat të madh historik, kishte afirmuar identitetin e kombit  shqiptar në arenën ndërkombëtare. Rezultatet e saj do të kishin qenë shumë më pozitive, nëqoftëse ajo, s’do të ishte ndodhur në pozita të disfavorshme ndërkombëtare.

Lëvizja shqiptare kishte kundër gjithë shtetet fqinjë, dhe pas tyre një pjesë të mirë të diplomacisë evropiane, që ishte influencuar kryesisht nga Rusia Cariste. Fatkeqësia e shqiptarëve në radhë të parë, por edhe e popujve të tjerë ballkanikë, ishte se lëvizjet çlirimtare të gadishullit nuk bënë kurrë një front të përbashkët lufte kundër sundimit të huaj. Krijimi i Aleancës Ballkanike, në vitin 1912, nuk mund të konsiderohet si instrument i këtij fronti. Rrjedha historike e ngjarjeve dëshmoi se ajo ishte një koalicion i përkohshëm, i brishtë, i paprinciptë dhe i pasinqertë.  Në krijimin e Aleancës Ballkanike, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte vendin e saj. Madje, shkakun imediat për fillimin e sulmit kundër Turqisë do ta jepnin kryengritjet shqiptare e në mënyrë të veçantë kryengritja e madhe e pranverës së vitit 1912, që u përhap sidomos në Shqipërinë Veriore. Këtë rol të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e ka pranuar deri diku edhe literatura e huaj historike. As qarqet drejtuese të shteteve fqinje, nuk e injoruan në atë kohë faktorin shqiptar, përkundrazi u vendosën kontakte, u zhvilluan bisedime për bashkëveprim, disa here midis kryengritësve shqiptarë dhe përfaqësuesve të shteteve fqinje, por megjithatë Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk u njoh prej tyre zyrtarisht, nuk u trajtua si palë zyrtare. Kështu, në fund të fundit, shpërthimi i Luftës Ballkanike në vjeshtë të vitit 1912, i gjeti shqiptarët jashtë radhëve të Aleancës Ballkanike. Dihet gjithashtu se shtetet fqinje ia vunë për këtë fajin shqiptarëve, duke i akuzuar për besnikëri ndaj Portës dhe për papjekurinë e tyre për vetëqeverisje. Këto koncepte i ka  mbrojtur dhe për shumë kohë historiografia Ballkanike1.

Shumë historianë kanë bërë përpjekje për të nxjerrë konluzione nga kjo ngjarje historike, por unë mendoj se refleksionet rreth saj nuk janë asnjëherë të tepërta. Ajo pati rëndësi, sepse ndikoi pozitivisht në kapërcimin e atij pozicioni tepër të rrezikshëm politik, për të cilin nuk do ta tepronim  po të shpreheshim se ishte vetëm një hap drejt shpërbërjes fatale të kombit shqiptar duke e çuar pozitën e tij drejt një ekuilibri të ri, i cili po lëvizte në një drejtim përtej greminës. Edhe pse shteti, që u krijua pas saj qe i brishtë, dhe kaloi përmes krizash e vështirësish të jashtëzakonshme, ai deri në vitin 1920 shërbeu për të krijuar eksperiencën e parë pozitive dhe hodhi hapat e para për fuqizimin e identitetit të ri si komb – shtet.

Në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, kombi shqiptar kaloi provën më të rëndë të historisë së tij. Ai arriti të shpallte pavarësinë në gjysmën e territoreve të tij etnike, ndërtoi një administratë kombëtare, por fatkeqësisht koha ishte kundër tij. I ndodhur nën presionin e fuqishëm të fqinjëve me aspirata shoviniste të forta  dhe të Fuqive të Mëdha, që ishin në prag të shpërthimit të konfliktit botëror dhe që më tej e filluan atë, në një moment kritik kur ndërgjegjja kombëtare nuk ishte e konsoliduar në të gjitha shtresat e popullsisë, kur elita politike kombëtare ende ishte e paformuar, Shqipëria u përfshi në një sërë lëvizjesh separatiste dhe me frymëzim antikombëtar. Për ironi të fatit, pikërisht në Vlorën e flamurit të pavarësisë, rebelët fanatikë të Haxhi Qamilit e ulën dhe dhunuan flamurin tonë kombëtar. Dëshpërimi kaploi shtresa të shumta shqiptarësh. Por Kongresi i Lushnjës në aspektin politik dhe Lufta e Vlorës në atë ushtarak i dhanë fund këtij procesi regresiv. Ato mposhtën dëshpërimin, pesimizmin dhe skepticizmin se shteti shqiptar nuk mund të bëhej. Ato i thanë stop asaj krize kombëtare, që u shfaq në momentet e para të vështira të lindjes së shtetit shqiptar dhe i hapën rrugën një etape të re të konsolidimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të institucioneve kombëtare. Pra, këto ngjarje, jo vetëm që ishim një dëshmi e qartë e një faze të re të pjekurisë politike dhe e formimit të indentitetit kombëtar shqiptar, por edhe një premisë për ta çuar atë më tej.

Në vitet ’20 – ’30 Shqipëria hyri në rrugën e stabilizimit të saj kombëtar. Institucionet kombëtare u bënë më efektive, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve ndërsa Konferenca e Ambasadorëve rinjohu pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. Një sërë shtetesh vendosën marrëdhënie diplomatike me të. Sigurisht një faktor i rëndësishëm nxitës i këtyre proceseve afirmuese pozitive ishte demonstrim i qartë dhe i vendosur i vullnetit të shqiptarëve për të ndërtuar dhe mbrojtur shtetin e tyre kombëtar dhe integritetin territorial.

Sigurisht rruga e afirmimit kombëtar dhe e stabilizimit të shtetit nuk qe e lehtë dhe nuk eci në një vijë të drejtë. Shqipëria provoi kriza e vështirësi të reja në sendërtimin e institucioneve të saj kombëtare. Por tashmë ishin tejkaluar fenomenet e viteve 1913 – 1915 dhe problematika kishte ndryshuar. Akti i I. Qemalit dhe ngritja e flamurit në Vlorë në të gjitha këto ngjarje, shërbeu si një shembull frymëzimi për unitet kombëtar, për ta nxitur faktorin shqiptar të merrte në dorë fatet e vendit të tij. Ato gjithmonë qenë një model për elitën politike shqiptare dhe një pikë reference për të zhvilluar një politikë kombëtare, që bazohej në interesat dhe në moralin kombëtar.

Edhe paskësaj shteti shqiptar dhe institucionet e tij u ndeshën me një sërë vështirësish. Ata u ballafaquan pikësëpari me presionin politik, diplomatik e ushtarak të shteteve fqinje, Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilat u përpoqën jo vetëm të aneksonin territore të reja, jo vetëm të fusnin atë nën influencën dhe ndikimin e tyre, por edhe të zbehnin karakterin unik dhe kombëtar të tyre, të nxisnin lëvizjen separatiste brenda tij etj.

Përpjekjet e Greqisë për rigjallërimin e lëvizjes vorioepirote, për krijimin e një statusi autonom për Jugun e Shqipërisë, për mohimin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, përpjekjet e Jugosllavisë për të aneksuar territore në veri të vendit për te nxitur një lëvizje separatiste në Mirditë apo për të rigjallëruar lëvizjen esatiste në Shqipërinë e Mesme ndeshën në vullnetin dhe qëndresën e fortë të forcave atdhetare shqiptare, të cilat duke iu referuar dhe duke u frymëziar nga Flamuri i ngritur në Vlorë ishin të bindura dhe plot entuziazëm se uniteti kombëtar, stabiliteti i shtetit shqiptar dhe e ardhmja mund të ndërtoheshin vetëm duke luftuar me forcë dhe të bashkuar çdo lloj presioni dhe politike antishqiptare.

Afirmimi dhe plotësimi i identitetit kombëtar shqiptar në Himarë dhe në disa treva të tjera të Shqipërisë së Jugut ishte një proces që erdhi duke u rritur. Entuziazmi që krijoi Pavarësia si dhe rrjedhojat politike të saj ishin vazhdimisht faktorë nxitës në gjithë këtë proces jetik për kombin shqiptar dhe ky nuk është thjesht një deduksion logjik, por një fakt që përmendet në një sërë dokumentash historike të kohës.

Madje edhe disa dekada më vonë, siç ishte periudha e Luftës II Botërore, kur përfaqësues të ndryshëm të shtetit shqiptar u ndodhën edhe njëherë përpara detyrës së vështirë që të mbronin të drejtën historike të kombit shqiptar për të jetuar i lirë në shtetin e tij, akti i I. Qemalit u paraqit si një argument historik dhe si një provë e vullnetit dhe e ndërgjegjes kombëtare të këtij kombi për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij.

Përballë argumentave false të diplomacisë greke e jugosllave dhe të disa qarqeve politike britanike etj. se populli shqiptar nuk ishte pjekur politikisht për shtetin kombëtar, se pavarësia e Shqipërisë kishte qenë thjesht një eksperiment i dështuar dhe produkt e krijesë e politikës italiane e Austro-Hungareze dhe se një popull raja i gadishullit ballkanik ishte ngritur në pozitën e një kombi të pavarur jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij etj., diplomatët, politikanët dhe intelektualët e shquar shqiptarë i kundërvunë, përveç të tjerash edhe shembullin brilant të kryengritjeve shqiptare në prag të pavarësisë dhe Aktin e Madh të Kuvendit të Vlorës,  më 1912. Këto fakte historike kanë qenë vështirë të kundërshtohen si nga miqtë ashtu dhe nga armiqtë e lirisë shqiptare.

Kështu, Kuvendi i Vlorës dhe pavarësia e shpallur prej tij krijoi premisat, modelin dhe frymëzimin për të çuar përpara procesin e konsolidimit të identitetit kombëtar shqiptar. Ato kanë lënë gjurmë të thella pozitive për forcimin e shqiptarizmit.(Dielli –arkiv)

 

1 P.N.Pipinelis “Europe and the Albanian question” Chicago, 1963 p.27-28.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Meta, dhe identiteti, Kombetar, pavaresia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT