• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALEKSANDER MOISIU DHE AKUZAT: Bolshevik, Komunist, cifut e revolucionar

April 2, 2017 by dgreca

A ishte Aleksander Moisiu komunist?/

1 Frei PressMe rastin e 138 vjetorit të lindjes së aktorit të madh/

1 CeintungNga Pjeter Logoreci/

Gjatë përpunimit të qindra dokumentave, artikujsh, pjesë librash apo copza gazetash, që kisha nxjerrë nga arkivat në Vjenë mbi jetën dhe veprën e Aleksander Moisiut, më terhoqi vemendjen (në disa prej tyre) etiketimi i tij si:… bolshevik, komunist, cifut, revolucionar, filo-rus, i kuq…etj..etj… I joshur për të gjetë shpjegimin e këtyre epiteteve, vendosa të lexoj, ato materiale që kisha zgjedhur, duke u përqëndruar në zbulimin e argumentave të kësaj “akuze”. Vërejta me keqardhje që, mëndyra se si shkruhej ishte provokuese, e rëndë, fyese dhe ndikonte mjaft (por jo tek unë), që të prishej imazhi i një mjeshtri të kalibrit ndërkombëtar të skenës, të një aktori të pakrahasueshëm, për nga talenti, me kolegët e tij në të gjithë Europën…

Sot, për këtë shkrim, vendosa me qëllim titullin e mësipërm, pasi kjo pyetje ishte një temë e shumë diskutuar, në të gjitha trevat gjermanishtfolëse. Cili pra ishte shkaku që aktorit të madh ju veshën këto epitete? Cili ishte reagimi i tij në këtë rast? Sa ndikoi propaganda keqdashëse nacionalsocialiste, e qarqeve të caktuara, në jetën dhe aktivitetin e gjeniut të skenës Aleksander Moisi?  Sa ndikuan tek ai levizjet revolucionare të kohës në Gjermani dhe simpatia e madhe që ai kishte për Rusinë Sovjetike? Edhe pse personalisht, e njoh shumë mirë historinë e jetës së Aleksander Moisiut, dëshëroj që sa më poshtë vijon, ti trajtoj problemet thjeshtë duke u mbështetur në shkrimet dhe artikujt e shtypit të kohës mbi ngjarjet apo rrethanat dhe jo mbi komentet dhe emocionet e mija përsonale, për elementët që shkaktuan këtë zemratë dhe fushatë kundër Moisiut tonë.

Ishin vitet 1918-1919, vite që sollën levizje të vrullëshme politike, kur përfaqësues të lëvizjeve e grupeve komuniste si Roza Luxemburgun e Karl Liebknecht, për të mbrojtur idete e tyre u flijuan nga ushtarët e gardës kombëtare gjermane.

Biografi i Moisiut, gjermani R. Schapër shkruan: …Ishte koha kur në Berlin, ishte rrezuar Kaiseri dhe mbi fortesën e qytetit valvitej flamuri i kuq. Kur turma të mëdha qytetarësh, punëtorësh, studentësh i drejtoheshin Reichstag-ut, me parulla ndër duar ku shkruheshin fjalët “Liri, Paqë, Bukë”. Kur u rrezua monarkia dhe socialdemokratet morën fuqinë. Moisiu ishte në Berlin. Ai nuk bënte sehir, por luante një rol aktiv, të rezikshëm për te, në revolucionin gjerman. Ai besonte në një revolucion mbarëbotëror, ndërsa, recitonte plot zjarr para turmave të mijëra punëtorëve Tolstoin, gjë që bëhet shkak të etiketohet nga gazetarët si bolshevik…Edhe regjisori i famshëm Max Reinhardt, tregon për turma demostruesish që i kalonin poshtë shtëpisë …Moisiu ishte me kryengritësit, ai mbante një shirit të kuq në krah… Nga mesi i demostruesve, Aleksandri i thërriste atij…“Ejani poshtë Profesor, këtu ka nevojë për ju. Këtu luhet teatri i vërtetë, ejani…

Në një gazetë të Salzburgut, nga Siegfried Geyer u botua një artikull ku autori i tërhiqte vëmendjen Moisiut me keto fjalë: …e keqja e Aleksander Moisiut është se ndjehet romantik e nga kjo ai i egzagjëron gjërat, por njekohësisht kërkon të jetë edhe njerzor; po ka vetëm një rrugë: Ai duhet të mbaje (mbyllë)  gojën. Askush nuk do ngrihej kundër tij sikur ai të mos ligjëronte vazhdimisht në disa shoqëri të vogla të përkrahësve të komunizmit, gjë që bën që ai të marrë vulën e bolshevikut dhe të bëhet qesharak e i padashur në syrin e të tjerëve…

Por Aleksandri nuk ndalej. Ai dëshëronte të ishte sa më aktiv në përpjekjet për vëndosjen e barazisë sociale. “I dashur vëlla Moisi” i flisnin punëtorët dhe të vegjëlit, pranë të cilëve ishte kurdoherë me artin e punën e tij. Por kjo gjë nuk i pëlqente qarqeve të caktuara nacionaliste, të cilat e vendosën atë në shenjestër duke përgjuar me rreptësi aktivitetet e tija në publik. Me qëllim për ta denigruar dhe për ta larguar nga aktiviteti politik dhe jeta sociale që bënte, kundër tij filluan sanksionet e para.

Në numrin 176, të ditës së shtunë 28 qeshor 1919, në GAZETA E PUNETOREVE (ARBEITERZEITUNG), organ i socialdemokratëve austriak, në mes lajmëve të tjera, është botuar shkrimi  me titullin

…MOISI NUK MUND TE SHKOJE NE PRAGE….

Nga Praga lajmerohet që… “Shfaqja e Aleksander Moisiut e cila është lajmëruar për javën që vjen në Pragë, do të anullohet; pasi Moisiut nuk i është dhënë lejeudhëtimi për në Republikën Ceko-Sllovake. Shkaku i refuzimit – BINDJET DHE AKTIVITETI I TIJ KOMUNIST NE VJENE…

Në një lajm tjetër nga Berlini, një bashkëpunëtor i gazetës vjeneze Neuen Wiener Jurnals, po në vitin 1919, lajmëron me fjalë befasuese nga zyra e gjëndjes civile atje, mbi kurorëzimin e aktorit Aleksander Moisiut me kolegen nga Deutsche Theater, aktoren Johanna Terwin. Autori i shkrimit kërkon të bëjë lajm, duke theksuar me qellim praninë e gruas së komunistit internacionalist Karl Liebknecht, si mike e familjes dhe dëshmitare e martesës e ciftit Moisiu.

LAJMI

…Moisiu, sipas bindjes së tij, shumë të kontestueshme BOLSHEVIKE, është celebruar sot , por, vetëm në gjendje civile.  Si dëshmitare të martesës, Moisiu ka zgjedhur Togerin Bremer dhe gruan e vejë të Karl Liebknecht. Moisiu vetë, e përshkruan skenën e përjetuar në gjendjën civile kështu:…nënpunësi i zyrës u tregua me mua dhe Johannën shumë i ashpër e mospërfillës. Pastaj, krejt ndryshe, me ton shumë lutës e miqësor ftoi togerin Bremer që të firmosë. Kur erdhi radha e zonjës Liebknecht, ftoftë e pyeti atë për emrin e burrit të saj…dhe pastaj me një ton të ashpër e përbuzës, i tregoj asaj se ku duhej të qëndronte si dëshmitare…

Në një kronikë të 30 janarit 1920 nga Hamburgu me titull :

Një mbrëmje e dështuar kulturore e Moisiut në Hamburg

…shkruhet: …Një mbremje ku do të ligjëronte Aleksander Moissi, u prish nga pasuesit e partisë nacionaliste. Ato „përshëndetën“ hyrjen e Moisiut në sallë me vishkëllima, më pas hodhën pjesë karrigash të thyera aty ku ai qëndronte, shtinë me revolet e tyre fishekë zhurmues, duke e detyruar atë që të largohej nga podiumi. Ligjërimi i tij u desht të ndërpritej.

Në numrin 54 te shkurtit 1920, në Gazeta e Punës (Arbeiterzeitung), gazetari Heinrich Ströbel  boton artikullin:

Nje provokim nacionalist

…se sa është shtuar nacionalizmi gjerman, si rezultat i presionit e propagandës së jashtme, e tregojnë vargu i grupimeve të oficerëve e ushtarakëve, studentëve e organizatave, të cilët për shkak të dobësisë e heshtjes së qeverisë, janë vëndosur jo vetëm kundër kriminelve të luftës e shkaktarve të dhunës, por edhe kundër revolucionarve të rinj, shpirtit paqësor dhe demokratik.

Aleksander Moisi, që dikur u përshendet me zjarr nga të gjithë gjermanët, sepse zgjodhi Gjermaninë fitimtare si atdhun e tij, tani u pengua dhe u ndalua që të lexonte Goethën dhe Moritz, për shkak se kohët e fundit në Hamburg por rritej influenca e Revolucionit dhe e shpirtit për ndryshime radikale… Ligjërimi i Moisiut nuk u zhvillua, pasi u pengua nga Organizata Nacionaliste e Studentëve, edhe pse ndjekësit e Moisiut, që mbushnin pjesvn më të madhe të sallës, ishin të gatshëm për ta mbrojtur atë, ndërsa policët në mëndyrë demostrative mbushnin korridoret…

Kjo ngjarje u pasqyrua edhe në gazetën Giornale D´Italia, në një kronikë të 31 janarit të po atij viti.

Aktori Moisi në mes fishkëllimash

Aktori gjerman Aleksander Moisi, thuhet të jetë komunist, e kjo famë e keqe i solli atij gjatë shfaqjes fishkëllima nga nacionalistët në sallë.  Nuk i mjaftoi atyre që ai luftoj për Gjermaninë dhe që mundohet të shmanget nga cdo propagandë politike. Aktori interpretoj pjesë  të Schillerit, Heines, Tolstoit, dhe për këtë, u shpërblye nga  publiku, parmbrëmë, me hudhje të plumbave plasës. Admiruesit e tij reaguan; disa studentë u ngjitën në skenë për ta detyruar atë të tërhiqej…

Pas kësaj ngjarje, Moisiu u detyrua të reagoj publikisht, për provokimet që ndodhën gjatë ligjëratave të tij në qytete të ndryshme. Në një shkrim të tij të titulluar Moisiu si Politikan, të botuar, në gazetën DIE ZEIT, të 7 korrikut 1919, ai shkruan:

…nuk po shkruaj që të mbrohem nga kjo propagandë e shfrenuar negative që gazetat e bëjnë falas kundër meje, por, sepse mua më bën të ndjehem keq, si në rolin e të akuzuarit në kërkim, që fshihet…, nuk jam marrë kurrë publikisht me politikë. Kanë dy motive, ato që më akuzojnë si komunist: i pari: se i kam premtuar studentëve vjenez që të flas në një takim të tyre dhe kisha zgjedhur për këtë qëllim një fjalim të Viktor Hygoit mbi Volterin, dhe i dyti: sepse kam firmosur për një protestë që do të shpëtonte një jetë njërzore… Në të vertetë, është e pamundur që të merrem me një lëvizje politike, sepse ka vite që kam vëndosur të gjitha forcat e mija, jo për ndonjë revolucion apo kundrarevolucion, por për artin tim, profesionin tim… Më akuzojnë që jam komunist e që fitoj shumë! Po, unë bëj një punë shumë të vështirë, që paguhet,… nuk i interson kujt, dhe është puna ime si i shpenzoj paratë… Këtë dëshiroj tua them të gjithë atyre që më akuzojnë si politikan,….në vend që të përqëndrohen në arritjet e mija në skenë…

Në gazetën Neue Wiener Jurnal të datës 14 shkurt 1920, në shkrimin me titull

Vetëmbrojtja e Moisiut

Gazetari shkruan:..”.Moisiu pretëndon se po akuzohet rëndë nga disa përsona e grupe, që nuk dihen e që nuk mund të vërtetohen konkretisht, se është i angazhuar në partitë politike si komunist e si kundërshtar i Gjermanisë. Kjo gjë ka  zemëruar rininë nacionaliste të Hamburgut. Kur Moisiu po luante Kufomën e Gjallë në Thaliatheatër, filluan të ndigjoheshin fishkëllima të egra të cilat nuk lejonin që ai tv dëgjohej. Ndodhi edhe më keq, gjatë një ligjerate të Moisiut, që me sa duket  prekte ndjenjat nacionaliste apo atakonte pjesë të propagandës antisemitiste, prekte grupe të rinisë të paangazhuar, të oficierëve, të familjarve të tyre, të shoqatave të vullnetarëve, studentëve, nxënësve, të cilët u grumbulluan dhe filluan të bëjnë zhurmë duke thirrur, fishkelluar, goditur trumpetat që mbanin me vehte, sapo Moisiu doli në podium. Shashka plasëse e tymuese, këmbë të thyera karrigash fluturuan në skenë. Perballë këtyre përsonave, por të pafuqishvm, qindra perkrahës të aktorit luteshin që ai ta vazhdonte ligjeratën, por thirrjet e tyre mbulosheshin nga këngë patriotike të rinisë nacionaliste. Pas kësaj, disa përsona të nxehur e agresiv, deshtën të sulmonin Moisiun në Podium, duke e detyruar atë të largohej në dhomën e aktorëve, që të ndalohej më e keqja.  Vetëm pas pak kohe, arriti policia dhe punonjësit e sigurisë, të cilët ishin të lajmëruar për aktivitetin disa ditë përpara. Kjo mbrëmje për të cilën, të nesërmen, u debatua 3 orë në parlamentin e qytetit, la gjurmët të thella.”

Pas kësaj ngjarje të padenjë, Moisiu mendoj se duhet të sqaronte publikun për këtë keqkuptim, duke botuar në shtyp këtë mesazh: “…disa zëra më akuzuan si kriminel e tradhëtar i kombit. Pa ndonjë dëtyrim ligjor, vullnetarisht, me fillimin e luftës u lajmerova në armaten gjermane, ku si cdonjeri mora mësimet ushtarake, ….kalova të gjithë mundimet e luftës dhe të burgut si rob lufte, deri sa arrita që duke rrezikuar jetën, të arratisem. Gjatë burgosjes në Francë u sëmura nga tuberkulozi i  mushkërive, nga i cili vuajta shumë në një klinikë në Zvicër. A është kjo një tradhëti ndaj atdheut?? Jam komunist thërrasin disa zëra. Unë pyes: Ku i mora unë këto mësime? Nuk kam pasë kurrë lidhje me politikën. Dhe kjo është e thjeshtë: unë nuk jam politikan dhe nuk dua që të jem i tillë. Qëllimi im i jetës është ti sherbej artit. Apo quhem Komunist se me punën që bëj i shërbej punëtorëve e të gjithë atyre që janë ndjekës të artit. A mundem unë ti ndaloj ndjekësit e mij të vizitojnë Shtepinë e Artit,  Teatrin? Përkundrazi, unë do mundohem që kurdoherë të sjell në mes të errësirës të jetës së njërzve të thjeshtë, Diellin e Artit. Pra ose jam një lider i komunistëve ose jam një udhëheqës i të gjithë gjermanëve. Po e mbyll duke përdor fjalët e Goethës:…unë nuk njoh shoqëri tjetër, që është më e “vogël” se sa i gjithë njerzimi…”

Autorja Ursula L. Alex në librin e saj Deutsche Volksfront, faqe 23 shënon:”…Në vitin 1921, u themelua ne Gjermani IAH (Internationale Arbeiterhilfe – Solidariteti internacional i punëtorve). Kjo organizatë u formua që të mblidhte ndihma për të uriturit në Rusi, por edhe në botë, kjo si një ideologji e sforcuar e partisë komuniste në emër të “solidaritetit proletar”. Në këtë shoqatë ishin pjestar personalitete, si fizikanti Albert Einstein, shkrimtari Leonard Frank, shkencëtari Alfons Goldschmidt, piktori Georg Grosz, publicisti Maksimilian Harden ….aktori Aleksander Moissi. Shoqëria IAH, sipas sindikatës së përgjithëshme gjermane, ishte kolona e tretë e politikës komuniste.”

Kjo është pasqyruar edhe në thirrjen e kësaj shoqate që gazeta austriake Neue Freie Presse e datës 3 shkurt 1922 boton në rubrikën e quajtur…Drejtuar Artistëve dhe Intelektualëve të Austrisë…

“…vazhdojnë të vijnë lajme të këqia nga krahina të ndryshme të Rusisë, ku uria po bën kërdinë. 30 milion njerëz, sipas lajmeve tronditëse nga Rusia, janë prekur nga uria ekstreme…,  kufoma të vdekurish dergjen rrugëve pa u varrosur. Gra dhe fëmij vdesin në rrugë nga semundjet dhe gjvndja e keqe… Rusia që na dha Dostojevskin dhe Tolstoin, Gogolin dhe Cehovin, poete që i shkruajtën dhimbjes e shpirtit njerzor, pret nga Europa një deshmi të dashurise njërzore…

…Vetëm Bukë…

Punëtorët tonë janë bashkuar në organizata të fuqishme, me qëllim që të ndihmojnë të uriturit. Por thirrja i drejtohet të gjithëve edhe artistëve të cilët e kanë mision të punës së tyre angazhimin kundër dhimbjeve njërzore…”

Poshtë thirrjes rreshtohen të gjithë emrat e komitetit organizator, ku bën pjesë edhe emri i Aleksander Moisiut.

Një gazetë tjetër që etiketon Moisiun si cifut komunist është dhe gazeta  Prager Tagblatt, nr. 97 e datës 27 prill 1921, ku në mes të tjerash shkruhet: ”…shfaqja e tretë e Wedekind “Schloss Wetterstein” u anullua si rezultat i një theatërskandali. Drejtuesit e këtij theatri u detyruan që të refuzonin shfaqjen e planifikuar atë ditë, për një mbrëmje ku do të ligjeronte aktori Aleksander Moisi, NJE KOMUNIST CIFUT, ligjërate që në të vertetë nuk është e dobishme… “

Ndërsa në një link gjerman, me informacione për Theatrin, Filmin, TV-në, Show-n,…për aktorin Aleksander Moisiu ndër të tjera shkruhet: ”…Moisiu, në vitin 1918 vendosi që ti bashkohej  lëvizjes Spartakiste të rezistencës në Gjermani…”

(Shënim i artikullshkruesit: Levizja Spartakiste ishte një bashkim i socialistëve marksist në Gjermani, të cilët gjatë luftës së parë botërore, synuan një Revolucion Proletar Internacional, për të rrëzuar Kapitalizmin, Imperializmin dhe Militarizmin e botës… Spartakistët morën pjesë aktive në revolucionin e nëntorit 1918-të…)

Edhe në shkrimin e Hamburger Abendblatt, 19.5.2000 në shkrimin Legjenda e Teatrit dhe  Simpatizanti i grave, autori W. Mommert shkruan: “… Në historikun e karrierës së aktorit ka edhe një faqe politike, atë të luftës së parë botërore, kur ai u lajmërua vullnetar për në front, për të luftuar për Gjermaninë, por që më pas u izolua dhe u etiketua nga Nazistët si „ cifuti komunist“…”

Së fundi, duke e mbyllur shkrimin, dëshëroj të theksoj për lexuesin që, pothuajse e njëjta fushatë presioni ndaj aktorit Aleksander Moisiu, u përsërit në shtyp edhe në vjeshtën e vitit 1931. Kjo pas një ngjarje që në opinion njihet si  “Skandali Moisiut”, ku propaganda nacionalsocialiste u bë shumë agresive, duke organizuar lëvizje, demostrata apo pengesa të ndryshme gjatë ligjeratave apo shfaqjeve të Aleksander Moisiut në skenë.

Vjene, me 26.3.2017

Filed Under: Histori Tagged With: Aleksander Moisiu, cifut revolucionar, komunist

Deputetët gjermanë vizituan Burgun e diktaturës në Spaç

April 12, 2016 by dgreca

Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve/

Burgu i Spaçit është një dëshmi e gjallë e vujatjeve të mijëra të burgosurve gjatë periudhës së komunizmit. Një periudhë shumë e diskutuar por që ende has debat të madh në opinionin publik.
Për t’u njohur më nga afër mbi historinë e këtij kampi famëkeq, 5 deputetë të Bundestagut vizituan nga afër atë që ka mbetur nga burgu.
Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve.
“Hapi i parë që duhet bërë është që të lindë dhe të zhvillohet një koncept i mirë se si prej këtij vendi të bëhet një memorial apo një muze, sepse kështu siç është, është e qartë që nuk mund të qëndrojë më. Kush nuk njeh mirë të shkuarën e vetë, nuk mund të punojë mirë për të ardhmen. Ndaj, vende të tilla duhet të ruhen për të përkujtuar viktima të së shkuarës, por edhe si shenjë paralajmërimi për brezat e së ardhmes”, deklaroi Lammel.
Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori Helmut Hoffman, i cili bëri thirrje për më shumë vëmendje në këtë temë.
“Edhe ne në Gjermani kemi një të shkuar jo pak të dhimbshme. Kemi pasur të bëjmë me dy diktatura mjaft të dhunshme, ndaj e dimë mjaft mirë sesa i vështirë është ky proces i përballjes me të shkuarën. Por ne e dimë gjithashtu që është po kaq e rëndësishme dhe ju detyrohemi viktimave të asaj periudhe që të merremi me të shkuarën. Këtë jemi duke e bërë prej vitesh në Gjermani. E di mjaft mirë që kjo është një temë mjaft delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmenje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, u shpreh Hoffman.
Për gati 3 orë, deputetët e Parlamentit gjerman u njohën me dëshmitë e të mbijetuarve për torturat e pësuara në këtë burg.

Filed Under: Komente Tagged With: Deputetët gjermanë, komunist, ne Spac, vizituan kampin e internimit

Fan Noli: Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste

April 5, 2015 by dgreca

Një luftë e rreptë shpërtheu brenda gjirit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë në vitet 1949-55, ateherë kur një pjesë besimtarësh brenda saj, u orvatën ta rrëzonin Peshkop Nolin nga kryesia e Kishës duke e akuzuar si komunist. Qarqet shoveniste greke shfrytëzuan rivalitetet klanore të shqiptarëve, duke i nxitur të kërkonin prej Patrikanës së Stambollit një Peshkop tjetër, të përshtatshëm. Patrikana nisi menjëherë Mark Lipen, prift me origjinë shqiptare, duke e emëruar pa asnjë të drejtë kanunore Kryepeshkop. Qe një manevër djallëzore për të futur kishat shqiptare të Amerikës, qendrat kulturore të identitetit dhe të ndjenjave patriotike, nën kupolën e kishës greke. Per disa vjet kishat shqiptare u përçanë duke patur secila palë kryepeshkopin e saj. Më se tre të katërtat e kishave shqiptare qendruan me Fan Nolin, ndaj diversioni i Patrikanës nuk pati sukses. Pas vdekjes së Mark Lipës, 2 nga 3 kishat që ishin bashkuar me të, u kthyen në gjirin e Kishës shqiptare. Artikulli i Nolit shquhet për parashtrimin e fakteve me logjikë, për forcën e argumentimit dhe për gjuhën e mprehtë, duke shkëlqyer me polemikën e tij në mbrojtje të pavarësisë së Kishës shqiptare në Amerikë dhe dinjitetit kombëtar.

Letra e Fan S Nolit:
Në përgjegje të disa aludimeve të bëra në raportin e zotit Glenn A. MëkLein prej Quincy, Mass., të cilat u futën në Apendiksin e Fjalimeve të Kongregacionit të 31 korrikut dhe të 1 gushtit të vitit 1951 prej të nderuarit Harold H. Velde nga Ilinoisi, dëshiroj të bëj deklaratën që vijon:
Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste, ose prokomuniste dhe asnjëherë në jetën time nuk kam bërë predikime komuniste, prokomuniste ose anti-amerikane. Përkundrazi gjithmonë kam lavdëruar modelin e demokracisë amerikane dhe jam përpjekur të evidencoj faktin historik se Shqipëria ia detyron pavarësisnë në radhë të parë përkrahjes së Amerikës dhe veçanërisht Presidentit Wilson. As Kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Sinodi a Patrikane të huaj komuniste a të çfardo lloji tjetër, sepse Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës, të cilën e kryesoj, është e pavarur administrativisht. Nuk kam pushuar nga detyra ndonjë prift për arsye se ka qenë antikomunist. At Radoja e humbi detyrën që kishte në Nju Jork sepse ai vetë i kërkoi Kryesisë së Kishës lokale ose t’i paguanin një rrogë më të lartë, ose të gjenin prift tjetër. Sa për emërimin ose shkarkimin e Peshkopëve (Dhespotëve) ose Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse në Shqipëri, unë nuk kam të bëj aspak me atë çështje.
Të thënat e zotit MëkLein janë një çorbë derri që s’e tret stomaku, gatuar me materiale të ardhura nga burime të dyshimta dhe jo të besueshme. Informatorët e tij kryesorë, të cilët i përmend shpesh, janë von Redlik, panegjirist i mbretit Zog dhe Vasil Alarupi, prokonsulli i shquar Fashist i Korçës gjatë pushtimit italian të Shqipërisë. Zoti MëkLain tregohet tepër naiv kur çirrjet e tyre i merr si të vërteta të shenjta.
Duket qartë se zoti MëkLain nuk ka aftësinë e duhur të gjykojë Kishën Ortodokse Shqiptare, ose përgjithësisht Kishën Ortodokse të Lindjes, sepse është komplet injorant në këtë fushë. Atij i thotë mendja, për shembull, se Patriku i Stambollit e ka pozitën njëlloj si Papa i Romës dhe kësisoj gëzon të drejtën të caktojë një Kryepeshkop për shqiptarët ortodoksë të Amerikës, ashtu siç bëri kur dërgoi Mark Lipen në Boston. Sikurse dihet mirëfilli Patriku i Stambollit nuk e ka këtë të drejtë. Juridiksioni i tij përfshin vetëm Dioqezën e Stambollit (Konstantinopolit), me një popullsi prej më pak se 100.000 grekër. Kishat e tjera e njohin atë nominalisht si krye, po nuk marrin urdhëra prej tij, sepse praktikisht janë të pavarura. Këshilli Ekumenik, ku gjithë kishat përfaqësohen nga Peshkopët e tyre, është autoriteti i vetëm, urdhërat e të cilit janë të detyrueshme. Patriku i Stambollit vetëm emrin ka igumenik, ndërsa në të vërtetë s’është veçse një kryepeshkop provincial grek i parëndësishëm dhe çka është më keq, grigja e tij po pakësohet me shpejtësi, nga që mijra grekë po ikin prej Stambollit për shkak të përndjekjeve turke dhe në një të ardhme të afërt, ka perspektivën të katandiset Peshkop titullar “in partibus infidelium,” pa asnjë besimtar.
E vërteta është se në të kaluarën Ortodoksët e Shqipërisë kanë qenë nën juridiksionin e Patrikut të Stambollit, por më 1936, kur ai njohu Kishën Shqiptare si autoqefale, ky juridiksion mori fund. Që nga ai vit Patrikana s’ka asnjë të drejtë kanonike të ndërhyjë në çështjet e Kishës Ortodokse Shqiptare kudo qofshin ata. Për pasojë ai ka kryer një akt jo kanonik kur caktoi Mark Lipen si Kryepeshkop për Ortodoksët Shqiptarë në Amerikë. Edhe përpara këtij akti, qysh më 1950, Patriku shkeli rregullat kanonike qysh kur lejoi Mark Lipen të bëhej në mënyrë të rrufeshme dhjak, prift dhe Kryepeshkop brenda gjashtë muajsh. Kanuni I i Këshillit Ekumenik VII të Nikesë, Kanuni X i Këshillit të Sardës, Kanuni XVI i Këshillit të Parë dhe të Dytë të Konstantinopolit kërkojnë respektimin e rregullit se askush nuk mund të dorëzohet Peshkop pa patur shkollë dhe pa një periudhë të gjatë shërbimi si dhjak e prift. Konsakrimi i Lipes si Kryepeshkop pa përgatitjen e duhur është po aq qesharak sa edhe të prezantosh doktor me gradë shkencore një njeri që ka kryer vetëm gjashtë muaj shkollë mjeksore.
Zoti MëkLain nuk e njeh mirë as gjeografinë e Ballkanit. Na kumton se Lipa “e ka marrë edukatën fetare në shkollën telogjike të Kalkës në Shqipëri.” Çdokush që e njeh sadopak gjeografinë e Ballkanit dhe të Patriarkatit të Stambollit do ta dinte se shkolla telogjike e Kalkës gjendet afër Stambollit, në Turqi dhe jo në Shqipëri. Me sa duket vështirë të besohet se Mark Lipa ka kryer ndonjë shkollë teologjike në Kalkë ose në ndonjë vend tjetër. Duke gjykuar nga letrat e tij, si zor të ketë mbaruar edhe shkollën fillore.
Konsakrimi i këtij batakçiu injorant tridhjetvjeçar në postin episkopal është një veprim pa mend dhe shkatërrimtar që nuk i gjendet shoku në historinë e kishës. Ne s’kemi nevojë të shkojmë larg për të zbuluar arsyet pse u flakën mënjanë në mënyrë aq cinike ligjet kanonike nga konsekratorët e Mark Lipes. Edhe fëmijët e Lindjes së Afërme e dinë se Patrikana e Stambollit s’është veçse një zgjatim i zyrave të Propagandës Greke. Duhej të punonte një agjent ndërmjet shqiptarëve ortodoksë për të fituar përkrahës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Mark Lipa u shenjua për ta kryer këtë detyrë, nën rason fetare dhe kështu u konsakrua në kundërshtim me traditat e lashta të kishës.
Zoti Mëklein më akuzon mua dhe Kishën time si antiamerikane, ndërsa Mark Lipen e gjen si të vetmin njeri të aftë t’u mësojë shqiptarëve demokracinë amerikane. Absurditeti i kësaj lidhje duket sheshazi për çdo njeri që njeh faktet. Dalka se Mark Lipa nuk merr erë nga anglishtja dhe nuk ka të ngjarë të ketë mësuar shumë për demokracinë amerikane në Stamboll, a në Turqi ku lindi dhe u rrit. Ndryshe nga ç’pandehet, Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës përbëhet kryesisht nga qytetarë amerikanë, të cilët shkulen së qeshuri me idenë që të marrin mësime për demokracinë amerikane nga një ignoramus1 si Lipa, këmba e të cilit s’ka veçse disa muaj që shkeli në tokën amerikane.
Po bëhen tani më se dhjetë vjet qëkurse Kisha jonë iu vu punës për të zbatuar programin e amerikanizimit të kishës. Na u duk se rruga më e mirë qe të futnim shërbesën anglisht për Kishën tonë, duke filluar nga të kremtet e mëdha si Krishtlindja dhe Pashkët. Këtë gjë duhesh ta bënim për të tërhequr brezin e ri, shumë nga të cilët as nuk e flasin shqipen, as nuk e kuptojnë. Po për ta kthyer shërbesën anglisht duhesh një punë kolosale dhe shpenzime të mëdha. Jam i kënaqur të them se kësaj detyre themeltare i dolëm mbanë. Më 1949 Kisha jonë botoi “Libri i Lutjeve të Ortodoksëve të Lindjes” (The Eastern Orthodox Prayer Book), një vepër prej 695 faqesh, ku janë përmbledhur të gjitha shërbesat e Kishës Ortodokse të Lindjes në anglisht. I vetmi libër në gjuhën angleze që mund të barazohet me të, është ai i Ms. Hapgood, shpenzimet e të cilit u mbuluan nga Sinodi i Shenjtë i Rusisë gjatë regjimit carist. Këtë vit vit Kisha jonë botoi “Hymnore e Ortodoksëve të Lindjes” e cila padyshim është më e mira dhe më e kuptueshmja e hymnoreve të Ortodoksëve të Lindjes që janë botuar anglisht. Këto dy libra flasin më shumë se fjalët për punën tonë për amerikanizimin e kishës.
Kryepeshkop F.S. Noli
i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë
18 tetor 1951
E përktheu nga anglishtja Naum Prifti(Dielli-arkiv)

Filed Under: Vatra Tagged With: dielli, komunist, Naum Prift, noli, nuk kam qene

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT