Diaspora e Shqipërise kudo në botë ka mbajtur lidhje të forta shpirtërore dhe fizike me Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur. Në palcë të saj është dashuria dhe dhimbja e pashmangshme për vendin tonë, për prindërit, të afërmit, kolegët, vendet e punës që lamë e gjithçka shpirtërore e vetmja pasuri e patundshme për shumicën që kanë marrë dhe vazhdojnë të arratisen si në kohët biblike. Megjithë përpjekjet dhe sakrificat e mundimshme për të mbijetuar në emigrim njerëzit e gjejnë mundësinë të mblidhen në grupime të ndryshme për të ndarë dhe gëzuar së bashku festat tona tradicionale dhe më gjerë.
Në këto festime tradicionale të shumë shoqatave atdhetare, në hallet dhe gëzimet e Diasporës ka qenë përherë midis nesh Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York z.Dritan Mishto. Duke jetuar për kaq vite në New York, që duket se po më afrohet të kem të njejtin balancë me vitet e punës në arsim me Tiranën tonë, njeriu ndjen të domosdoshme të komunikojë me bashkatdhetarët e tij ngase merr prej tyre aromëz Shqipërie, për më tepër medoemos do të marrësh dhe respektin reciprok me përfaqsues të shtetit amë. Njeri prej tyre që e ka përfaqsuar denjësisht ka qenë z.Dritan Mishto.
Më duhet të them se TV Alba Life dhe shkollat shqipe janë komplet të pavarura nga rrymat e ndryshme politike dhe shprehim krenarinë tonë për punën dhe bashkëpunimin tonë me mësuesit, prindërit, artistët, shoqatat, personalitete të shquara të Kombit, dhe ndërtimin e punës sonë tërësisht në forcat tona. Pra për të qenë më e qartë në ceremoninë e dorëzimit të mirënjohjes që u organizua në shkollë në Brooklyn në nderim të z.Mishto, u fol vetëm për punën e tij dhe bashkëpunimin që ka pasur me Shkollat Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.
Megjithatë për lexuesit që nuk e njohin historinë tashmë të përfolur dhe të botuar në shumë gazeta më duhet t’ju sqaroj se kohët e fundit e kam pritur me dëshpërim dhe zhgënjim heqjen nga detyra të Konsullit të Përgjithshëm z.Dritan Mishto deklaruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama në mënyrë jo profesionale dhe shokuese në mbrëmjen e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan. Mbrëmja do të nderonte Zëvendës/ndihmës Sekretarin Amerikan te Shtetit, z.Filip Riker dhe nobelistin Prof. Muhammad Yunus.
Në këtë mbrëmje ishin të ftuar kryeministri z.Edi Rama, presidenti z.Bujar Nishani, kryeministri i Kosovës z.Hshim Thaci, personalitete të tjera në fusha të ndryshme, pjesëmarrës që kishin paguar biletën plot dollarë për t’u ndodhur atje, si dhe vetë z.Dritan Mishto i cili ishte i ftuar zyrtarisht nga KKSHA-ja në grupin e shoqërimit të presidentit Nishani.
Më vjen keq ose aspak keq që nuk u ndodhëm atje si media për TV Alba Life, pasi kishim kohë që kishim lajmëruar prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe për hapjen e ditës së parë të shkollës për vitin akademik 2013-2014. Sigurisht për shumë shqiptarë është më mirë t’ju mësosh fëmijëve larg mëmëdheut gjuhën shqipe se sa të harxhosh shuma të majme dhe darka të bujshme ku as më shumë e as më pak bëhet një fushatë e tmerrshme politike nga të ftuarit dhe ç’është më e dhimbshmja asnjë nga këta politikanë nuk i shkon mendja absolutisht që të vinë t’i përshëndesin fëmijët dhe t’i inkurajojnë për të mësuar gjuhën e nënës. Disa prej tyre mund ta kishin shkollën larg vetëm pesë minuta, por është e kotë t’jua thuash ngase më shumë ju interesojnë darkat dhe dollari që derdhet pa kufi.
Ndërkohë lexova shkrimin e gazetarit të mirënjohur z.Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës nën titullin “Gabove z.Kryemistër” në të cilin z.Rama për z.Mishto thotë tekstualisht kështu:
“Jam shumë i kënaqur t’ju njoftoj se Ministri ynë i Punëve të Jashtëme i ka propozuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të pasur në këtë qytet madhështor një konsull nderi, në vend të një konsulli burokrat, të cilin tanimë e kemi pushuar nga puna. Ky konsull i ri nderi do të jetë njëri prej jush, i cili do punojë me ju dhe me ne, dhe jo i ardhur nga Shqipëria për punë propagandistike, e ai është Sal Rusi”, tha Kryeminsitri shqiptar Edi Rama.
Pasi mbarova komplet shkrimin pata ndjesinë se në një farë mënyre darka ka degjeneruar në një mbledhje forumi ose të ministrisë së jashtme shqiptare ku hiqen dhe vihen pa kritere njerëzit që do të punojnë për të. Sidoqoftë të gjitha këto do të më bëjnë të ndalem në një shkrim tjetër, pasi sot e kam fjalën absolutisht për punën e kulturuar të Konsullit të Përgjithshëm Z.Dritan Mishto ku kam qenë vetë dëshmitare e shumë aktiviteteve të organizuara nga Diaspora dhe ai me një modesti, çiltërsi dhe plot diplomaci ka përshëndetur dhe folur në podiume të ndryshme. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje si dhe nga dëgjimet e pjesëmarrësve të panumërt për portretin e z.Mishto është se fjalimet e tij kanë qenë jo më shumë se dy paragrafe, ku është thënë thelbi i gjërave pa propagandë partiake, pa bujë, pa fushatë, por ka falënderuar gjithmonë pjesëmarrësit dhe punën e aktivistëve të shquar për Kombin duke u bërë një frymëzues për punë të bukura.
Prandaj si kryeministri i ri dhe të gjithë qeveritarët kur flasin para Diasporës për punët e saj, është mirë të konsultohen më parë me të dhe pastaj të hedhin granata ose shashka tymi, që në rastin në fjalë sipas shumë artikujve akuzohet z.Rama për hakmarrje dhe konflikte të mëparshme që ka pasur me z.Mishto.
Për të gjithë këtë punë të palodhur të Konsullit të Përgjithshëm, mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe në Brooklyn e pritën z.Mishto plot respekt dhe dashuri ditën e premte në datën 4 tetor në mjediset e saj. Zoti Mishto ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike znj.Agatia Mishto. Pasi ka mbaruar mësimi, Themeluesi i shkollave shqipe dhe president i TV Alba Life z.Qemal Zylo në emër të stafit të tij i dhuroi z.Mishto në prag të largimit të tij për shkak të shkarkimit nga detyra deklaruar nga z.Rama në New York një pllakë mirënjohjeje me këtë motivacion: “Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të sinqertë për shkollat Shqipe dhe TV Alba Life. Ne vlerësojmë kontributin tuaj për ruajtjen dhe kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë shërbimit si Konsull i përgjithshëm në New York”.
Gjatë marrjes së pllakës së mirënjohjes Z.Mishto tha me emocion se ishte i nderuar për vlerësimin që i bënë Shkollat Shqipe, TV Alba Life dhe uroi që ato të zgjerohen dhe të mos mbyllen kurrë. Puna që po bëjnë mësuesit, themeluesit e hapjes së shkollave shqipe është nga më të shenjtat dhe më fisniket. Ai uroi që Atdheu ynë të përparojë më shumë dhe të radhitet së shpejti pranë kombeve të qytetëruara. Ndërkohë ndër pjesëmarrësit kishte dhe pikëza loti për largimin e tij gjë që shprehnin dhe njëherë respektin dhe punën e tij të palodhur. Më pas ka përshëndetur dhe sopranoja e famshme shqiptare Lindita Mezini Lole e cila këtë radhë nuk këndoi, por nga sytë e saj blu e thellë rrëshqitën lot kur tha se e falënderonte pamasë bashkëpunimin e z.Mishto me shkollat, TV Alba Life dhe gjithë Diasporën. Ajo i uroi atij jetë më të mirë dhe u shpreh e sigurtë se do ta gjente vehten shumë shpejt.
Në fund të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit bënë një fotografi të përbashkët për ta pasur kujtim në jetën e tyre. Ai u nda me dashuri dhe plot respekt me ta dhe u premtoi se do të vijë përsëri. Përcjellja e tij plot respekt nga fëmijët dëshmon qartë se Z.Mishto do të jetë përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe.(Keze Kozeta Zylo)
4 Tetor, 2013
Brooklyn, New York