-Qeveria e Kosovës miraton vendimin për shpalljen e Emergjencës për Shëndetin Publik/
PRISHTINË, 15 Mars 2020-Gazeta DIELLI/
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 11-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, ka marrë vendim që të shpallë emergjencë për shëndetin publik.Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të funksionit mbështetës emergjentë 8 (FME8 shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore).
Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin public, bën të ditur njoftimi dërguar mbrëmjen e sotme nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.Më herët, sot, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi edhe për konfirmimin e katër rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, deri tani në Kosovë janë të konfirmuara 9 raste pozitive me koronavirus.