Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Gusht 2015/ Kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri i parë e ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe delegacioni i Kosovës do të marrin pjesë në samitin treditor për shtetet e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, i cili nis sot. Pritet që kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi të nënshkruajnë disa marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Sipas njoftimit të sapodërguar nga MPJ kosovare, zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Në ditën e dytë të Samitit, zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit mbi “Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit”, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.
Në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e vendeve organizatore të samiteve të vitit të shkuar dhe të sivjetmë, Gjermanisë dhe Austrisë, me në krye presidentin Heinz Fischer. Pastaj edhe krerët e vendeve që do t’i organizojnë samitet e radhës në vitet që vijnë, Francës dhe Italisë, por edhe ata të shteteve që e përkrahin “Procesin e Berlinit”, Sllovenisë e Kroacisë, bashkë edhe me shumë anëtarë të Komisionit Evropian dhe presidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Samiti i sivjetmë në Vjenë për shtetet e Ballkanit Perëndimor është i ndarë në tre nivele: për kryeministra, për ministra të jashtëm dhe për ministra të ekonomisë, kurse tema kryesore të tij do të jenë “infrastruktura dhe ndërlidhja”, “bashkëpunimi rajonal”, “rinia” dhe “sfida e refugjatëve”.
Do të kentë edhe drekë pune me nikoqirët e samitit, presidentin Fischer dhe me ministrin Kurz.