NGA Azgan HAKLAJ/
70 vjet më parë në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës u mblodh Konferenca e Këshillit Nacional-çlirimtar të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (e njohur me emrin Konferenca e Bujanit). Dera e kullës së Sali Manit, Tropojë, u hap për të pritur 49 delegatë nga vise të ndryshme të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të të gjithë popujve që jetonin në këto hapësira shqiptare.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje, që është një faqe e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar, do të jeptë rrugëzgjidhjen e problemit kombëtar, aq jetik për popullin shqiptar. Në Rezolutën e dalë nga kjo Konferencë shprehet qartë se populli i Koosvës, ashtu si edhe deri më sor, shpreh vullnetin e tij për t’u bashkuar me atdheun e tij Shqipërinë, dhe se këtë qëllim e sheh të mundshëm për t’u realizuar duke marrë pjesë me armë në dorë kundër pushtuesve nazistë.
Trajtesa e problemeve të Konferencës lidhej me pjesmarrjen në Luftën Antifashiste, përkrah popujve të tjerë, si dhe me pozitën që duhej të kishte Kosova pas luftës, pozitë e cila duhet të ishte e barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, siç ishte shprehur dhe në mbledhjen e AVNOJ-it të nëntorit 1943.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës e përcollën me gëzim e besim këtë ngjarje, udhëheqja jugosllave reagoi ashpër kundër vendimeve të saj, nëpërmjet letrës së 28 marsit 1944. Në atë letër u sulmua pozita e veçantë e Kosovës me viset e tjera dhe sanksionimi që i bëri Konferenca problemit të vetëvendosjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nuk u njoh Këshilli Nacionalçlirimtar si organi më i lartë i pushtetit për Kosovën. Vendimet e kësaj Konference historike u lanë në heshtje edhe nga udhëheqja e PKSH, çka përbën një anashkalim të qëllimshëm, një tradhti të fshehur për problemin kombëtar.
Tito dhe Hoxha në kulisat e një politike tinëzare e djallëzore, me akordin e tyre përligjën padrejtësitë e Traktatit të Versajës, që krijoi Jugosllavinë, për të plotësuar interesat hegjemoniste të Sllavëve të Jugut.
Krejt shekulli XX kaloi për popullin vëlla të Kosovës në shtypje politike, ekonomike e kombëtare, Tropoja, djepi i Konferencës historike, tre herë gjatë 100 vjetëve të fundit hapi portat e mikëpritjes, të vëllazërimit e të shpëtimit për kosovarët e ndjekur e të përzënë prej trojeve të veta nga dhuna e kralëve të vjetër e të rinj të Beogradit.
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo që punojnë e jetojnë në botë, me një zë të vetëm u ngritën e i thanë ndal revanshit të Millosheviçit, që në fund të shekullit të kaluar e ktheu Kosovën në një varr të hapur, vrau, preu e dogji shtëpi të shqiptarëve etnik.
Tani, në 70 vjetorin e Konferencës së Bujanit, Kosova hyn në vitin e gjashtë të saj si shtet i pavarur e sovran me mbi njëqind njohje ndërkombëtare dhe ecën drejt antarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Konferenca e Bujanit, kjo faqe e pambyllur e historisë, troket sot pas gjysmë shekulli në memorien kombëtare me zërin atdhetar e trimëror të hartuesve të Rezolutës së saj: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Rifat Berisha, Zekeria Rexha, Xheladin Hana, Hajdar Dushi, Sali Mani, Veli Nimani, Hasan Isufi, etj.
Vendimet e saj janë kambana alarmi për politikën dhe brezat e sotëm. Jehona e kësaj ngjarjeje përcjell herë pas here atë solemnitet, atë vendosmëri e heroizëm që u shfaq në ato tri ditë (31 dhjetor 1943-2 janar 1944). Thirrja e saj madhore që bëri rrugën nga dimri me borë i atyre viteve, në acarin e borën e këtij dimri mbetet:Me Kosovën e për Kosovën.
Homeri i ndjesive shqiptare, poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta lëshonte kushtrim, që është i freskët edhe sot: “…Në kamë shqiptarë e mos t’ju lëshojë zemra / Në kamë se kurrsesi s’keni me u thye / e t’ju bijë ndërmend se më e rëndë është thembra e shkjaut kokë e trashë / se guri i vorrit në krye./ Në kamë pra djem shqiptarë kushdo ka le / në mos mujt shqiptar me mbet / shqiptar të hyjë nën dhe /.
Për Konferencën e Bujanit kam botuar para 16 viteve një vështrim historiko-politik në gazetën e parë opozitare postkomuniste, në RD (29 dhjetor 1998) me titull “Kosova të bashkohet me Shqipërinë”, e cila tashmë nuk është një thirrje, nuk mbetet veç apel kombëtar, por është një domosdoshmëri historike drejt së cilës duhet ecur pa u ndalur, pa shmangie, vendosmërisht.