• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Pandemia, sfidë përtej çdo mospajtimi politik

April 20, 2020 by dgreca

-Me ftesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tryezë me përfaqësuesit e institucioneve dhe subjekteve politike për menaxhimin e pandemisë me COVID 19. Kryeministri në detyrë Kurti ritheksoi edhe një herë gatishmërinë sikurse edhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar me COVID-19. Kjo është sfidë e përbashkët, përtej çdo mospajtimi politik, prandaj edhe përpjekja duhet të jetë e përbashkët/

PRISHTINË, 20 Prill 2020-Gazeta DIELLI/Sot, me ftesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt tryeza me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike për menaxhimin e pandemisë me COVID 19. Ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë iu përgjigjën Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasnqi. Ndërkaq prezentë ishin edhe Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia dhe Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Ilir Aliu.


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij hapëse prezantoi situatën aktuale me COVID 19 në Kosovë dhe masat që i ka marrë Qeveria e Kosovës deri më tash për ta menaxhuar këtë situatë. Ai i njoftoi të pranishmit se në biseda telefonike me kryetarët e të gjitha komunave në Kosovë janë vlerësuar të gjitha nevojat që ato i kanë, e më pas ai edhe i ka vizituar deri më tash 15 prej tyre, që të njoftohet më për së afërmi me situatën në terren. Ai poashtu tregoi se janë organizuar katër tryeza me ambasadorë ku janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmës, është hapur llogari e veçantë në thesarin e Republikës së Kosovës për menaxhim me pandeminë e COVID 19, ku deri më tani janë mbledhur rreth 400 mijë euro, derisa vlera e ndihmës së marrë deri tash nga organizatat dhe shtetet e huaja ka arritur në 341 milionë euro. Kryeministri Kurti poashtu shpjegoi se masat në fuqi janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të epidemiologëve dhe IKShPK-së dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj, me ç’rast do të rishqyrtohet situata.


Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nga takimet e saj me kryetarë të komunave vërehet një brengë rreth ndaljes së projekteve kapitale, sidomos atyre të furnizimit me ujë, duke e pasur parasysh se sa e rëndësishme është higjiena personale në këtë situatë. Ndërkaq sa i përket kredive nga organizmat ndërkombëtarë financiarë dhe nga shtetet individuale, ajo shprehu gatishmërinë e Kuvendit që të japë garancinë politike që kreditë dhe ndihmat të realizohen. Ajo foli edhe për tri nismat legjislative që janë në procedurë të Kuvendit, dy të propozuara nga GP i PDK-së dhe e treta që derivon drejtpërdrejtë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për kufizimin e lëvizjes, në mënyrë që mos të ketë probleme të natyrës juridike për të ndërmarrë masat. Ajo potencoi se si institucion janë munduar të jenë sa më bashkëpunues me Qeverinë e Kosovës për menaxhimin më të mirë të situatës.


Ndërkaq, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh përfaqësues i PDK-së në këtë takim, Memli Krasniqi tha se vet prezenca e tij në këtë takim tregon për përkushtimin e PDK-së për t’i tejkaluar interesat partiake për çështjen me rëndësi për vendin. Ai e quajti këtë ftesë të vonuar, ndërkaq që shfaqi pakënaqësinë se iniciativat e PDK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë deri më tash nuk janë marrë parasysh nga Qeveria, me theks të veçantë te masat për kufizim të lëvizjes dhe pakoja financiare. Megjithatë, ai theksoi gatishmërinë e partisë së tij për të kontribuar, me përgjegjësinë si partia më e madhe opozitare. Ai bëri thirrje që së bashku, pa dallime e në interes të qytetarëve, në Kuvend të hartohet një projekt ekonomik për ta kaluar këtë situatë.

Në fund Kryeministri në detyrë Kurti ritheksoi edhe një herë gatishmërinë sikurse edhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar me COVID-19. Kjo është sfidë e përbashkët, përtej çdo mospajtimi politik, prandaj edhe përpjekja duhet të jetë e përbashkët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Pandemia

KOSOVA, NJË MUAJ PËRBALLJE ME PNDEMINË, NIS TË DYTIN…

April 14, 2020 by dgreca

-Në karantinë janë vendosur Prishtina Ferizaj, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Klina, Mitrovica Veriore, Zveçani/

-SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE ME COVID-19 NË KOSOVË – Raporti më i ri i orëve para mesnatës të mbrëmjes së 13 prillit 2020 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës/

PRISHTINË, 14 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Kosova hyri në muajin e dytë të përballjes me pandeminë, pas të parit nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar 2 rastet e para me koronavirus, e  deri më 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 362 raste. Gjatë ditës së fundit të kaluar -13 prillit janë diagnostikuar gjithsej 15 raste infektimesh me koronavirus, ndërsa numri i të shëruarëve ishte 4.

Deri me datë 13 prill, 63 raste janë shëruar. Janë regjistruar 8 raste të vdekjes, të gjitha kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në karantonë janë vendosur Prishtina Ferizaj, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Klina, Mitrovica Veriore dhe Zveçani.

Pas një muaji përballje me pandeminë, ky është raporti më i ri i orëve para mesnatës të mbrëmjes së 13 prillit 2020 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës:

SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE ME COVID-19 NË KOSOVË

Më datë 31 dhjetor 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u njoftua për disa raste të pneumonisë në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës. Kjo situatë ngriti shqetësimin e Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) duke u mobilizuar menjëherë. Bazuar në rekomandimet e OBSH dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) u aktivizuan të gjithë instrumentet me qëllimin kryesor, pamundësimin e përhapjes.

Në fillim të muajit janar 2020 u fillua me përgatitjet e rekomandimeve, udhëzuesve, protokolleve dhe dokumenteve tjera për profesionistë shëndetësorë, popullatën, organizata publike dhe private, aeroportin, pikat kufitare tokësore etj.

Në fund të muajit janar 2020, Laboratori i Mikrobiologjisë në IKSHPK është pajisur me reaksione për testim në SARS-CoV-2.

Më 14 shkurt 2020, u dorëzua Plani për gatishmëri dhe reagim për Coronavirus/ COVID-19 në MSH, me mundësi të revidimit sipas situatës epidemiologjike dhe konform OBSH, ECDC, CDC.

Nga data 8 shkurt – 12 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar 2 rastet e para, deri me 12 prill 2020 kanë rezultuar pozitivë 362 raste.

Deri me datë 13 prill, pas evidentimit, 59 raste janë shëruar. Konsiderohen të tillë sipas protokollit të OBSH-së, pra kur 2 mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Dhe janë regjistruar 8 raste të vdekjes. Të gjitha rastet kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Përgjatë 24 orëve në IKSHPK kontaktohen dhe mbikëqyren të gjitha kontaktet e rasteve dhe kontaktet e kontakteve. Ata obligohen për vetizolim dhe këshillohen për ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.

Deri me datë 13 prill janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4.795 kontakte të rasteve. Duke e përcjellur numrin e rasteve të detektuara dhe konfirmuara, vërehet tendencë e rritjes së shpërndarjes së COVID-19 në vend dhe në botë.

Resurset humane të specializuara në epidemiologji në Kosovë.

Në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).
Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë).

Pse nevojiten epidemiologët? Ata kanë rol kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse. Metodat specifike të detektimit, hulumtimit e gjurmimit epidemiologjik, e bëjnë angazhimin e tyre gjatë pandemisë të pazëvendësueshëm.

Aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë.

Deri tani nuk ka ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa kemi, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur.

Në Qendrën Operative Emergjente punojnë 10 epidemiologë. Ata mbulojnë gjithë territorin e vendit së bashku me epidemiologët e rajoneve.

Puna e epidemiologëve konsiston në: hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.

Hulumtimi: Për çdo rast që referohet si i dyshimtë në COVID-19 nga Klinika Infektive, Klinikat e tjera të QKUK, spitalet rajonale, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe rastet që raportohen nga terreni, menjëherë inicohet hulumtimi i rastit dhe gjurmimi i kontakteve.

Gjurmimi: Me zbulimin e kontakteve nis gjurmimi i detajuar për lëvizshmërinë e kontaktit të kontakteve në 3 javët e fundit të tyre. Kështu mbërrihet tek burimi i infeksionit (rasti 0). Ky proces ka vështirësinë maksimale dhe merr kohë.

Çdo rast që rezulton qoftë pozitiv apo negativ, i cili nuk është i shtrirë në klinikë, mbikëqyret në vazhdimësi përmes kontaktit të përditshëm, në bashkëpunim me policinë, duke iu dhënë rekomandimet për zbatimin e masave mbrojtëse dhe duke u interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të gjitha këto informacione të marra shndërrohen në të dhëna që futen në Sistemin Alert Kosova Health, bazën e të dhënave sipas OBSH dhe bazën e të dhënave të IKShPK. Këto të dhëna përpunohen dhe analizohen për përgatitjen e raporteve të rregullta.

Çdo institucion shëndetësor dhe kryetar komune veç e veç informohet për rastet pozitive dhe negative dhe rekomandohet për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe të kontrollit në komunat përkatëse. Informohet secila Qendër rajonale e shëndetit publik për rastet në rajonet e tyre. Raportet periodike dërgohen në institucionet ndërkombëtare (ECDC dhe OBSH).

Të dhënat e grumbulluara dhe të analizuara shërbejnë për planifikimin e terrenit për gjurmimin dhe testimin e kontakteve të afërta me rastet pozitive.

Resurset humane të specializuara në mikrobiologji në Kosovë.

Në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë – 12 vetë dhe në 6 Qendrat -17 vetë). Nevojat bazike, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Poashtu, nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo Spital të Përgjithshëm Rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24).

Departamenti i Mikrobiologjisë gjatë periudhës 8 shkurt-13 prill 2020 ka testuar dhe vazhdon të testojë të gjitha rastet në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR.

Që nga viti 2009 Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi i tillë në të gjithë Kosovën.

Në laborator kanë punuar deri në fillim të pandemisë më COVID-10 vetëm dy persona: një specialiste e Mikrobiologjisë, si dhe një laborant.

Me shtimin e numrit të kërkesave për testim – janë shtuar fillimisht 2 specialiste të Mikrobiologjisë dhe 1 laborant, të cilët kanë pasur përvojë paraprake në testim me RT PCR. Dhe ditët e fundit janë shtuar dhe 3 specialiste të Mikrobiologjisë.

Kemi kërkuar ndihmë dhe nga 2 kolegë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe 1 kolegë në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, të cilët kanë ekspertizën e nevojshme.

Deri më tani përmes IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë kontraktuar 11.250 reaksione me Real Time PCR. Ndërsa, në proces të prokurimit është edhe kërkesa për 10.000 reaksione tjera, për të cilat ka filluar procedura. Poashtu, 2500 reaksione me RT-PCR janë kërkuar përmes zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, si dhe në kërkesën adresuar zyrës së USAID-it përmes OBSH-së janë edhe 3500 reaksione.

Janë pranuar dy aparate “Real Time PCR” për shfrytëzim në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, njëri nga Fakulteti i Mjekësisë, si dhe tjetrin nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale. Dy institucione tjera, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ofruar Real Time PCR aparatet e tyre për shfrytëzim në rast të nevojës.

Jemi në proces të blerjes së katër aparateve për ekstraktim automatik të acideve nukleike që është një proces i rëndësishëm për testim. Kjo përmes Zyrës së OBSH-së në Prishtinë dhe USAID-it. Si dhe 4 aparate Real Time PCR përmes zyrës së USAID-it dhe CDF-it (GFATM ). Pas 4-6 javësh kapacitetet laboratorike me aparaturë pritet të rriten dukshëm duke ju falënderuar këtyre donatorëve.

Pse nuk kryhen më shumë teste për diagnozë të infeksionit me COVID-19 në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK?

Së pari do të ishte më mirë që të kishim pasur më shumë laboratore për diagnostikë molekulare në sektorin shëndetësor dhe më shumë personel të specializuar në këtë procedurë diagnostike. Por këto kapacitete njerëzore dhe laboratorike nuk mund të krijohen për 2-3 javë e as për 2-3 muaj. Edhe një specialisti të dedikuar për të punuar në diagnostikë molekulare i nevojiten rreth 6 muaj për trajnim në mënyrë që të punojë i pavarur. Gjithashtu edhe kërkesat laboratorike për aparaturë dhe hapësirë të punës nuk mund të krijohen ad-hoc për shkak të kushteve shumë speifike të punës, edhe në rast së në këtë moment ka shumë nevojë për këto.

Departamenti i Mikrobiologjisë, IKSHPK, me një buxhet tejet të limituar, kryen rreth 200.000 ekzaminime të ndryshme mikrobiologjike në vit për infeksione të rëndësishme për shëndetin publik për tërë Kosovën, për pacientët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe qytetarët e rajonit të Prishtinës. Në të gjitha laboratoret ku kryhen këto shërbime punon një specialist i mikrobiologjisë dhe një laborant. Prandaj, të vendoset si cak i kritikave se pse nuk po testohen më shumë njerëz në Kosovë për COVID-19, një laborator, përkatësisht shërbimi diagnostik i sëmundjeve ngjitëse të të cilit i janë neglizhuar me vite nevojat për burime njerëzore të bëra si kërkesa të vazhdueshme, për pajisje, për hapësirë të punës, si dhe për buxhet, nuk mund të jetë aspak korrekte.

Që nga fillimi i gjendjes me pandeminë COVID-19 personeli i laboratorit është duke punuar shtatë ditë në javë, pa ndonjë orar të caktuar me afro 16 orë në ditë. Të gjitha mostrat të cilat janë pranuar deri më sot, janë testuar brenda ditës ose më së largu brenda 24 orëve që nënkupton tejkalim të kapaciteteve edhe të laboratorëve moderne evropiane. Asnjë qytetar i Kosovës që ka pasur indikacion epidemiologjik dhe që është referuar për testim nuk ka mbetur pa u testuar.

Shtetet e tjera kanë angazhuar për testim me RT PCR për diagnozë të COVID 19 të gjithë laboratorët që i disponojnë. Ndërsa te ne Laboratori i Mikrobiologjisë molekulare në IKSHPK është i vetmi i tillë në Kosovë në sektorin publik e privat shëndetësor.

Në Kosovë nuk prodhohen as teste e as aparatura për Real Time PCR. Si dhe punojmë në shtetin që ka ndarë më së paku për shëndetësi në Evropë për shumë vite me radhë.

Ndaj jemi duke iu bërë thirrje që në rast se nuk keni mundësi profesionale të na ndihmoni në këtë situatë:

Ju lutemi së paku të mos na kritikoni pa bazë, sepse është duke u dhënë maksimumi i angazhimit në rrethanat që kemi.

Çdo kritikë e pabazuar mund të jetë me ndikim në rëndimin e situatës epidemiologjike dhe në demotivimin e stafit të përkushtuar në realizimin e vëllimit të stërngarkuar të punëve në ballafaqimin me epideminë.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova

ÇFARË PO NDODH NË VISET SHQIPTARE NË BETEJËN ME COVID-19?

April 4, 2020 by dgreca

SHQIPËRI, COVID -19 RRËMBEN VIKTIMËN  E 18-të/

Edhe pse Shqipëria ka aplikuar ashpërsimin e masave shtërnguse për ndalim-qarkullimin e qytetarëve,fillimisht ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër, Coronovirusi po vazhdon të infektojë e të rrëmbejë pacientë. Sot, e shtunë 4 prill, u shënua viktima e 18-të, një 67 vjeçar nga Tirana dërroi jetë ën spitalin Infektiv “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku mjekohej prej 13 ditësh. Edhe numri i të infektuarëve me virusin e padukshëm po rritet nga dita në ditë. Gjatë ditës së sotme u raportuan 29 raste të reja nga COVID-19, nga 216 teste të aplikuara ndër pacientë. Nuk dihet numri i saktë i të infektuarëve, pasi numri i të testuarve është i kufizuar. Natyrisht nëse do të kishte më shumë testime, do të dilnin më shumë bartës të virusit panepidemik.

Gjithësesi zyrtarisht Shqpëria ka raportuar 333 të infektuar ndër 2,250 teste të aplikuara. Instituti i Shëndetit Publik dhe Minsitria e Shëndetsisë raportuan se deri të shtunën ishin të shtruar në dy spitalet ku janë përqëndruar të infektuarit me probleme ndodhen 71 pacientë në mjekim.

Po ashtu u raportua për rritje të numrit të të infektuarëve në qytetin verior të Shkodrës, ku numri i të infektuarëv sot u raportua në 31, nga 22 që ishte deri dje. Ndërsa numrin më të madh të infektuarëv e mbanë kryeqyteti, Tirana me 157 raste, më pas vjen Durrësi me 33, Shkodra 31, Fieri 17 etj.

Janë 17 qytete të Shqipërisë që janë të prekur nga COVID-19.

Lajm i mirë është shërimi i disa mjekëve, përfshirë mjekun e njohur Dhimtër Kraja, ndërkohë që një tjetër mjek është në mjekim në spital Roland Xhaxho.

Duket paksa i çuditshëm “lirimi” i karantinës, paralajmërim që u bë edhe nga Kryeministri Rama. Media raporton se gjatë ditës së shtunë, 4 prill, u panë lëvizje masive nëpër rrugë dhe nëpër dyqane. Ta lirosh menjëherë atë ç’ka ke shtërnguar me ligj e urdhëra, nuk duket punë e mençur. Parashikimet janë për rritje të numrit të infektuarëve.

KOSOVA REGJISTROI TË INFEKTUARIN E 135-të

Kosova raportoi sot se numri i të infektuarëve shkoi në 135. Këtë e konfirmoi të Shtunën Instituti i  Shëndetit Publik. Të shtunën me 4 prill u raportua 

Se ishin shëruar dhe 7 pacientë që ndodheshin në mjekim.

Të tri rastet e reja që iu shtuan numrit total prej 132 deri të premten i takonin Mitrovicës Veriore. Tash Kosova ka 135 të infektuar.

Deri tani është shënuar vetëm një viktimë, ndërkohë që janë shëruar 23 pacientë. Instituti raportoi se janë nën vazhgim 2 mijë e 772 persona që kanë pasë raste kontakti me të infektuarit.

MAQEDONIA E VERIUT SHËNON 5 VIKTIMA TË REJA

Republika e Maqedonisë së Veriut ku jetojnë shumë bashkatdhetarë të Kombësisë shqiptare, sot shënoi 5 viktima të reja. Shkon kështu në 17 numri i të vdekurëve, një më pak se Shqipëria. Viktimat ishin: 2 nga Kumanova,dhe nga një viktimë kishin: Shkupi, Struga dhe Vele.

Maqedonai raportoi se kishte kryera kohët e fundit 414 teste dhe 53 kanë rezultuar me COVID-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarëve ka shkuar në 483. Shteti i Maqedonisë së Veriut ka raportuar se kryer në tërësi 4,920 teste, ndërkohë që ka shëruar 20 pacientë që janë mjekuar dhe pas shërimit rezultuan negative. Numrin më të madh të të infektuarëve e kanë  shënuar Shkupi, Struga dhe Kumanova.

MALI I ZI

Edhe në Malin e Zi, ku jetojnë edhe bashkatdhetarët tanë,  me 4 prill u raportua për 23 raste të reja me COVID-19 në, kjo shifër i takon  24 orëve të fundit..Institucionet shëndetsore raportuan se në shkallë vendi numri i të infektuarëve ka shkuar në 197. Në Podgoricë janë raportuar 14 raste të reja, në Tivar 6 dhe 3 në Nikshiq.

Numrin më të madh të të infektuarëve e mbanë kryeqyteti Podgorica me 91 persona, dhe më pas vjen Komuna me shumicë shqiptare e Tuzit me 34 raste dhe Ulqini me 9 raste. Numri i të vdekurëve është 2, ndërkohë që gjendja po mbahet nën kontroll.(Pergatiti:D .Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, shqiperia

KOSOVA, QEVERI TË RE APO ZGJEDHJE TË REJA

April 1, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi  konsultime me partitë  parlamentare për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë  nga Kuvendi i Kosovës. Ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19. Para takimit Kryeministri në detyrë, Kurti i ka dërguar letër Presidentit Thaçi/

PRISHTINË, 1 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti kryetarët e tre subjekteve më të mëdha politike parlamentare në takime të ndara konsultative për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë  nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.

Në orën 10:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Në orën 10:30, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Në orën 11:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Si rrjedhojë e masave të ndërmarra kundër virusit COVID19 dhe rekomandimeve të personelit shëndetësor për ta ulur rrezikun, për shkak të hapësirës së papërshtatshme për dhjetëra gazetarë, fotografë e kameramanë në Zyrën e Presidentit, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun është përkujdesur që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve.

Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se nesër do vazhdojë takimet me partitë tjera parlamentare.

Pas tre takimeve të sotme, në komunikatën e dërguar nga Presidenca theksohet:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka filluar konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Presidenti Thaçi sot ka pritur në takime të ndara Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, Kryetarin e LDK-së, njëherësh ish-kryeministrin, Isa Mustafa, si dhe Kryetarin e PDK-së, njëherësh ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Presidenti Thaçi ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe nesër.

Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, Presidenti i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.

Në njoftimin e dërguar nga Kryeministria bëhet e ditur se, para takimit Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Presidentit Hashim Thaçi, për temat që do të diskutoheshin sot në takim pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ku ka theksuar se, “si kurrë më parë, Republika e Kosovës ka nevojë për një president që e respekton Kushtetutën, deri në çdo pikë e presje të saj.”

“Në këtë drejtim,  Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe vetë praktika jaj e mëparshme në vitin 2017, e bëjnë të qartë se, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e vetmja rrugë përpara është  shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 82.2 të Kushtetutës, dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.”

“Prandaj, dëshiroj paraprakisht t’ju bëj të qartë, se çështja e vetme për të cilën do të bisedoj sot me ju, është se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Kjo është një çështje që duhet të diskutojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe një çështje për të cilën jemi të detyruar për t’i mbajtur qytetarët e Republikës, burimin e sovranitetin demokratik, vazhdimisht të informuar. 

Ndërsa, për sa i përket interpretimeve të gabuara të nenit 95.5 të Kushtetutës, këtë temë të rëndësisë dytësore apo tretësore, mund ta lëmë për ndonjë ditë tjetër”, ka shkruan Kurti në letrën dërguar  Thaçit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi u shpreh se,  “duhet marrë parasysh që mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, e që nënkupton se është shumica prej mbi dy të tretave, e cila ka të drejtë të ndryshojë edhe Kushtetutën”. 

“Ne jemi për atë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese dhe procedurën që e ka paraparë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014”, tha kryetari i LDK, Mustafa, derisa ka shtuar se, “ne vlerësojmë se nuk është koha të shkohet në zgjedhje, për shkak të pandemisë”.

Pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u deklarua shkurt për median:

 “Krejt çka kërkojmë është të respektohet kushtetuta. Vullneti i sovranit është ma legjitimi por kur jemi në situatën e pandemisë është hipokrizi për zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Në 30 Mars 2020 , Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.

Në këtë takim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ambasadori i Gjermanisë, Ambasadorja e Francës, Ambasadori i Italisë dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Presidenti Thaçi u shpreh se “pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President i Republikës së Kosovës”.

Presidenti Thaçi shtoi se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se si President i Republikës së Kosovës do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën jemi futur, pas shkarkimit të Qeverisë së Kosovës.

Kreu i shtetit ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik.

Në 25 Mars 2020, në mbrëmje, më shumë se një orë para mesnate,  Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës. Qeveria e Kosovës do vazhdojë punën si qeveri në detyrë deri në zgjedhje të reja e një qeveri të re, që sipas disa deklaratave mund të jetë edhe qeveri pa zgjedhje të reja.

Seanca e Kuvendit të Kosovës e zhvilluar në kushte jashtëzakonshme me maska e masa tjera mbrojtëse nga  virusi COVID-19 ka nisur me praninë e 106 deputetëve, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 117 deputetë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit  Albin Kurti –  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi

Kosova po rrezikon ta përsëris pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?

March 28, 2020 by dgreca

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*/

Premtimi për amerikanët është baras me besën për shqiptarët! (A promise is a promise – premtimi është premtim)

Nga përvoja ime e punës me organizata të ndryshme amerikane, kam mësuar një gjë: Te amerikanët vlen rregulla: ,,kurrë mos premto atë që nuk je në gjendje ta përmbushësh”.

Këtë thënie, më vonë e kam hasur edhe gjatë studimeve të mia post-diplomatike, që jo rastësisht zgjodha marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 1919-1939.

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri në vitet 1922-1928 rezultuan me njohjen e Shqipërisë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gusht 1922. 

Shqiptarët, të zhgënjyer nga lëkundjet e diplomacisë evropiane ndaj çështjes shqiptare dhe duke qenë të pafuqishëm përballë apetitet imperialiste të shteteve fqinje, vendosin t`i drejtohen Amerikës, me kërkesë që të pengojë përpjekjet për copëtimin e Shqipërisë. 

Zyrtarët amerikanë e arsyetonin nevojën për njohje të Shqipërisë nga qeveria e tyre edhe me faktin se Shqipëria, edhe në ato kushte, ishte vend pa borxhe të jashtme, posedonte rezerva të mëdha nafte dhe ofronte mundësi të mira për investime në hekurudha, rrugë dhe industrinë e drurit. 

Gjithashtu, ata insistonin që interesat amerikane të trajtohen sipas rregullave për kombin më të favorizuar, kusht ky që u pranua nga qeveria shqiptare, pas njohjes de jure, bashkë me dy kushtet tjera të marrëveshjes. 

Njëra prej tyre kishte të bënte me angazhimin e qeverisë shqiptare që të respektonte natyralizimin e shtetasve të huaj në SHBA, kurse tjetra – me një hua të madhe nga bankat amerikane, që do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nën kontrollin e ekspertëve amerikanë.

Periudha 1923-1925 karakterizohet me një ftohje të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, që ishte një goditje e rëndë në përpjekjet e forcave demokratike. 

Favorizimi i interesave ekonomike të Italisë dhe Anglisë, bëri që marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë të ftohen dukshëm. 

Amerikanët mendonin se SHBA meritonte së paku një trajtim të barabartë, duke pasur parasysh shërbimet që i kishin bërë Shqipërisë përmes presidentit Uillson dhe Kryqit të Kuq. 

Në këtë mënyrë, Shqipëria kishte shkelur tri pikat e marrëveshjes në raport me SHBA-të. 

Pas në periudhe ftohje, në prill të vitit 1926, fillon të përmirësohet qëndrimi ndaj Amerikës, falë Faik Konicës, i shkolluar pjesërisht në Harvard, që ishte emëruar ambasador në Uashington. 

Në vitet 1928-1939, periudhën e Monarkisë në Shqipëri, Qeveria e SHBA-së, duke njohur Mbretërinë e Shqipërisë kishte parasysh marrëveshjen e lidhur nëpërmjet shkëmbimit të notave në qershor të vitit 1922, midis Maksvell Bllejkut dhe qeverisë shqiptare, e cila mbetej në fuqi. 

Por, SHBA-ja nuk ndërmori asgjë, në vitin 1939, për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga Italia, edhe pse Faik Konica, si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në SHBA, kishte njoftuar Departamentin e Shtetit se Shqipëria gjendej para greminës dhe se së shpejti do të pushtohej nga Italia fashiste. 

Fajtore për këtë mos reagim të SHBA-së konsiderohet të ishte politika e Zogut. 

Më 10.06.1939, me udhëzim të Departamentit të Shtetit, mbyllet ambasada amerikane në Tiranë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ndërpriten.

Këtë  kronologji të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë e ri-solla për të rikujtuar politikanët tanë në Kosovë me rrezikun për të provokuar një zemërim tjetër amerikan ndaj shqiptarëve, pas gati një shekulli, edhe pse arsyet mund të ndryshojnë.

Roli i Amerikës ishte vendimtar edhe te çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj.

Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se Amerika mundet pa Kosovën, por është pikëpyetje e madhe nëse Kosova mundet pa Amerikën. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të lëshojmë pe në interesat jetike të shtetit të Kosovës, por duhet të dinë që gjërat t`i bëjmë me më shumë diplomaci.

Mjerisht, Kosova ka shumë politikanë e pak diplomatë. Ata duhet kuptuar se Amerika nuk mund të barazohet me çfarëdo shteti tjetër, në raport me interesat shqiptare.

Shpresojmë për ditë më të mira.

………………………………….

(Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare&diplomacisë

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, kosova, Xhylije Ibrahimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT