AAK: E drejta ështe në anën e Kosovës/
PRISHTINË, 9 Nëntor 2015/ Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO.
“Kosova e ka merituar plotësisht që të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon se sa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë por edhe në vetë Kombet e Bashkuara”, deklaroi AAK.
“Për fatin e keq koncesionet qe i ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe dy marrëvedshjet e fundit me Serbine dhe Malin e Zi, nuk ishin të mjaftueshme që Serbia të mos e zhvillojë një fushatë të eger kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, thekson partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj.
“Sidoqoftë, kjo në asnje situatë nuk bën të na dekurajojë nga përkushtimi dhe vendosmëria jonë që anëtarsëimin në UNESCO, OKB dhe organizata të tjera, ta synojmë me çdo kusht.
E drejta ështe në anën e Kosovës!”, përfundohet në deklaratën e AAK./b.j/
Kosova, anëtarja e 200 e Federates Ndërkombëtare të Hendbollit
PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Kosova u bë sot anetarja e 200 e Federates Nderkombetare të Hendbollit.
“Pas votimit nga ana e delegateve te pranishme këtu ne Sochi, Rusi, Federata e Hendbollit të Kosovës u bë anëtarja e 200 e asociacionit më të madh botëror të hendbollit”, bën të ditur Federata kosovare.
Njoftoht edhe konfirmimi i IHF-së, që i është dhënë Kosovës me rastin e pranimit si anëtare e plotë./b.j/
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris, Kosova, Të Hënën Votimi
*Kumbaro: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, i merituar/
*Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit/
TIRANË, 7 Nëntor/Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
“Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, nënvizoi Kumbaro.
Kisha ortodokse serbe, vijoi ajo, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.
Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.
“Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit”, u shpreh Kumbaro.
Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. “Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova , por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë”, tha Kumbaro.
“Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja Kumbaro deklaroi se “është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si “fuçi baruti në Europë”, sot të kthehet në “ fuçinë e Kulturës” në Europë. Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.
“Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës”, vazhdoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit”.
Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.
Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.
Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim(Sipas ATSH-se)
Kosova lobim për UNESCO, votimi të hënën
-Te një nga fotot e postuara nga Parisi Thaçi ka shkruar: “Nën-Sekretari Blinken i Departamentit të Shtetit i cili sot foli për Kosovën afirmativisht. SHBA me mish e me shpirt po ndihmojnë anëtarësimin dhe po kundershtojnë propagandën anti-kosovare që po politizon anëtarësimin tonë”/
PRISHTINË, 6 Nëntor 2015-B.Jashari/Kryeministri e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi bën të ditur se votimi për Kosovën në UNESCO do bëhet të hënen.
“Edhe një fitore e vogël por e rëndësishme procedurale sot në UNESCO. Tentativa serbe që votimi të shtyhet me 13 nëntor, kur edhe shumë shtete e lëshojnë Parisin, nuk pati sukses. Votimi u konfirmua për të hënën”, ka shkruar shefi i diplomacisë kosovare gjatw ditws sw sotme në ‘Facebook’.
Thaçi pak më parë ka shkruar poashtu: “Edhe një ditë e ngjeshur, duke u koordinuar dhe lobuar për anëtarësimin tonë në UNESCO. U takuam me dhjetëra delegacione nga mbarë bota dhe morëm shumë konfirmime për votim pozitiv në ditën vendimtare të Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s.
Falënderoj edhe ish-presidentin Pacolli, i cili është bërë pjesë aktive e fushatës sonë lobuese #KosovoinUNESCO”.
Te një nga fotot e postuara nga Parisi Thaçi ka shkruar: “Nën-Sekretari Blinken i Departamentit të Shtetit i cili sot foli për Kosovën afirmativisht. SHBA me mish e me shpirt po ndihmojnë anëtarësimin dhe po kundershtojnë propagandën anti-kosovare që po politizon anëtarësimin tonë”.
Në 21 tetor 2015, nga Parisi, MPJ kosovare, në njoftimin e dërguar theksonte se, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të specializuar të KB-së ka miratuar me 27 vota për, 14 kundër dhe 14 abstenime, propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën. Shtohej se, mbetet që Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, në nëntor, të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Kosova, fokusim te zbatimi i MSA me BE
-Komisioneri i BE-së Hahn në Kosovë, drejt zbatimit të MSA-së: Duhet të fokusohemi te zbatimi i MSA-së. BE do vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në përkrahjen e Kosovës.-Presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.- Axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Nëntor 2015/ Komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, sot në Kosovë zhvilloi takime duke nisur me presidenten Atifete Jahjaga dhe në vazhdim me kryeministrin Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe zyrtarë të tjerë përkatës për të diskutuar zbatimin Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së, të nënshkruar në 27 tetor në Strasburg dhe të ratifikuar në Parlamentin kosovar të hënën e kësaj jave, në 2 nëntor. Pas takimit, Hahn dhe Mustafa mbajtën një konferencë shtypi, ku theksuanan angazhimet drejt zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Komisioneri Hahn paralajmëroi se “brenda dy javësh kryeministri Mustafa do të vijë në Bruksel ku do takohet me presidentin Junker për të forcuar më tutje marrëdhëniet e bashkëpënumit BE- Kosovë” .
“Duhet të fokusohemi te zbatimi i MSA-së. BE do vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në përkrahjen e Kosovës. Të mos harrojmë që MSA i jep përkrahje zhvillimit ekonomik”, theksoi Hahn.
Ndërsa, kryeministri Mustafa tha se ne duhet të plotësojmë të gjitha kriteret dhe jemi zotuar që do ta bëjmë.
“Për ne është me rëndësi që në fund të këtij viti të jept rekomandimi për liberalizmin, pastaj është çështje e vendeve të BE kur do të hyjë në fuqi”, u shpreh Mustafa.
Në takimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me komisionarin e BE-së për Politikat evropiane të fqinjësisë dhe Negociatave për zgjerim, Johannes Hahn, u bisedua për shumë çështje që kanë të bëjnë më raportet aktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Hahn fillimisht përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se “kjo marrëveshje gjeneron një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zgjerimin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me vendet e BE-së dhe stimulim për zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Kosovë”.
Më tutje, Hahn theksoi se presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ky është rezultat i përpjekjeve të vetë institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve teknike e politike”, theksoi ai.
Nga ana e tij, kryetari Veseli, potencoi faktin se Kosova është shumë e përkushtuar që të ecë më shpejt në proceset e integrimit evropian, për të shtuar se “MSA-ja është një e arritur e rëndësishme, ngase tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit, por ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet: ne duhet të ecim më shpejt në rrugën evropiane, dhe kjo varet nga puna jonë”.
“Ne i kemi të qarta obligimet tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë më shpejt në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Lidhur me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas veprimeve të partive opozitare, Hahn theksoi se axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës.
“Deputetët janë zgjedhur të punojnë, të nxjerrin ligje, e jo të defunksionalizojnë parlamentin”, theksoi Hahn.
Kryetari Veseli nga ana e tij u shpreh se, “vështirësitë aktuale janë sfiduese por institucionet e vendit, si dhe vetë partitë politike do të gjejnë shtegdalje, sepse të gjithë kemi të njëjtin vizion politik dhe të njëjtat qëllime lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës”.
Në takim u bisedua edhe për krizën e refugjatëve me të cilën është duke u ballafaquar aktualisht BE-ja dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë nuk ka pasur ndikim negativ në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në raport me BE-në.
Në vazhdim Kuvendi kosovar u mblodh në një seancë të veçantë për nder të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili në ceremoninë e nënshkrimit ka thënë se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, theksonte Hahn.
Të dy seancat e Kuvendit kosovar, e të hënës dhe e sotmja, janë të rëndësishme për “procesin e evropianizimit kuptimplotë” dhe për këtë “përkushtimin e plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian”, të theksuar nga kryeministri kosovar Isa Mustafa me rastin e nënshkrimit të MSA-së, të vlerësuar ngjarje historike.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Komisioneri i BE-së, Hahn në pasditen e mbrëmjen e sotme do ketë një takim të veçantë me përfaaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, zëvendëskryetarin e Kuvendit Sllobodan Petroviç, si dhe me liderin e Listës Serbe Sllavko Simiç, në Zyrën e BE-së. Në axhendën e njoftuar nga Zyra e BE-së në Kosovë është edhe vizita e Hahn në Fabrikën për Trajtimin e Ujit në Shipol – në Mitrovicë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 81
- 82
- 83
- 84
- 85
- …
- 106
- Next Page »