PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Sot isha i nderuar me pjesëmarrjen inauguruese të segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Infrastruktura rrugore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik përmes së cilës rritet cilësia e sistemit të transportit, mundësohet qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Rrjedhimisht, investimet në infrastrukturën rrugore siç janë Rruga e kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada “Arbën Xhaferi”, ndikojnë në zhvillimin ekonomik, standardin e jetës dhe konkurrencën ekonomike.
Sot u lëshua në qarkullim një segment autostrade, ndërsa pas pak ditësh, hapim zyrtarisht rrugëtimin historik të perspektivës evropiane për Kosovën duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe mëpastaj, liberalizimin e vizave. Këto janë argumente se Kosova po lëviz përpara, duke dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon, partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i besueshëm në marrjen e detyrimeve ndërkombëtare.
MSA-ja e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës dhe qasjen tonë integruese për komunitetet, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e politike, kështu bashkërisht ta kemi vendin tonë të merituar brenda familjes evropiane.
Të gjithë atyre që do ta shfrytëzojnë këtë autostradë, ju dëshiroj rrugëtim të mbarë, të sigurt dhe me fat. Po ashtu, përgëzoj autoritetet qeveritare për investimin e tyre dhe punëkryesit e këtij segmenti të Autostradës.
Kjo Autostradë, mban me plot meritë emrin e Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit që besonte në fuqinë e komunikimit të lirë, në rrugët që lidhin popujt dhe që thyejnë paragjykimet, që sjellin zhvillim për shtetet dhe popujt e këtij rajoni./b.j/
Kosova lidhë autostradat drejt Shqipërisë e Maqedonisë
-Mustafa: Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor./
Nga Prishtina Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kosova lidh autostradën drejt Shqipërisë me atë në ndërtim drejt Maqedonisë, dy projektet më të mëdha të infrastrukturës kosovare të rëndësishme edhe për gjithë rajonin. Sapo u mbajt sot ceremonia inauguruese e hapjes së nyjës lidhëse të Rrugës 6 “Arbën Xhaferi” me Rrugën 7 “ Ibrahim Rugova”. Në ceremoni folën kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Të gjithë së bashku, pak më parë, prenë shiritin e inaugurimit.
Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka vlerësuar se kjo autostradë është vepër e madhe dhe e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Mustafa po ashtu tha se ky është një projekt i cili ia mundëson Kosovës që të arrijë standardet e shteteve të Bashkimit Evropian, në infrastrukturën rrugore.
“Sot po përurojmë kyçjen e autostradës “Ibrahim Rugova” me autostradën “Arbër Xhaferi”, që është një vepër e madhe për ne dhe tepër e rëndësishme. Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që na gëzon është se janë punë shumë cilësore të cilat po bëhen”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Duke bërë të ditur se ky është një projekt i cili Buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro, kryeministri po ashtu tha se kjo është një vepër tepër e rëndësishme për Kosovën, sepse do të përfitojnë qytetarët, do të përfitoj ekonomia dhe do të përfitojnë lidhjet e Kosovës me shtetet fqinje dhe miqtë e saj.
“Ky është edhe një projekt i cili na mundëson që ne të arrijmë kompleksin e projekteve që po i realizojmë bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat po bëjmë përpjekje që të arrijmë standardet që kanë shtetet e BE-së. Ne kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme me FMN-në, e cila do të na mundësojë që ne të ndërtojmë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për vendin. Këtë autostradë do ta lidhim edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish. Do të zgjerojmë rrugën për Mitrovicë dhe do të arrijmë në Mitrovicë me autostradë, e po ashtu do të rikonstruktojmë linjën hekurudhore që na lidh nga Hani e Elezit deri në Leshak”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se këto rezultate dhe suksese të mëdha do të jenë në shërbim të qytetarëve tanë, rajonit dhe miqve të Kosovës.
Në Kosovë, në 3 korrik 2014 është organizuar ceremonia me rastin e fillimit të ndërtimit të autostradës drejt Maqedonisë, Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit. Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi në një ceremoni të organizuar nga qeveria kosovare ka bërë përurimin e nisjes së punimeve për autostradën që është emërtuar me emrin e intelektualit dhe veprimtarit shqiptar nga Maqedonia Arbën Xhaferi.
Në shtator paralajmërohej edhe fillimi i punimeve në autostradën nga Shkupi drejt Kosovës.
Gjatë vitit 2016 pritet fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), me qëllim të plotësimit të autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën maqedonase.
Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Nimetullah Halimi i deklaronte RTK-së se gjatë muajit do përfundonte projekti i fizibilitetit për ndërtimin e këtij aksi nga firma projektuese.
“Është nënshkruar kontratë ndërmjet Kornizës Investuese për Ballkanin Perendimor (ËBIF) për projektimin e kësaj rruge. Është bërë edhe zhvendosja e nyjes në Stenkovec.
Projektimi i ri ka paraparë edhe përcaktimin e saktë të pikës kufitare Bllacë-Hani Elezit, përmes së cilës do të lidhet autostrada Shkup-Prishtinë”, paralajmëronte Halimi.
Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit është e gjatë rreth 60 kilometra, e një pjesë e saj, pas inaugurimit sot, të hënën do të lëshohet në qarkullim për qytetarët.
Haradinaj: Në Kosovë është përmbysur jeta parlamentare e sistemi demokratik
-“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në Kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, përfundoi lideri i AAK në konferencën për shtyp./
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë shtypi, tha se, “ngjarjet e djeshme ne Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik”.
Ai ka thënë se, “ka një këmbëngulje të madhe që për t’iu ikur gabimeve të bëra të qeverisë, duke i sulmuar metodat e kundërshtimit të opozitës, madje në situata të caktuar edhe duke sajuar e shpifur kundër saj”.
Sipas Haradinajt, “marrëveshjet për Demarkacionin dhe Asociacionin, nuk mund të jenë çështje e dy njërëzve apo e do farë komisionesh me njerëz të korruptuar”.
“Këto tema janë më të mëdha sepse flitet për territorin e Shtetit, sepse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk është derivate e një marrëveshjeje, as e një Plani (siç ka qenë Plani Ahtisaari), por diçka krejtësisht e re, që është në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Haradinaj.
Prandaj, vijoi ai, “meqë nuk po shohim shenja të reflektimit as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri me sot janë penguar të gjitha nismat për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me ‘Maskaradën’ e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë”.
Lideri i partisë opozitare AAK tha se, “është për t’u habitur se si qeveria, në vend që të reflektojë dhe ta shohë opozitën si partner në këto tema, ka vendosur që ta luftojë atë, madje edhe me polici në Kuvend. Ajo ka vendosur të mos e dëgjojë as zërin e shoqërisë civile e të 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin”.
“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, përfundoi lideri i AAK në konferencën për shtyp./b.j/
KOSOVA, SOT NE SYTE E MI
NGA ASLLAN BUSHATI/
Duke ndjekur këto javët e fundit ,mediat e poratalet on line për Kosovën,kam një përzierje mendimesh e ndjenjash deri ne kakofoni britjesh e thirrjes të brendëshme, që më trazojnë shpirtin e qetësin sa më bëjnë të thërras,të bërtas e të uluras deri në kup të qellit se cka po ndodh ,cpo bëhet dhe ku po shkojmë me avanturizmin dhe prakticizmin foshnjarak.Kjo më trysnon po ashtu të mendoj se investimi që kanë bërë disa brezni para nesh, që brezi yne dhe ndërkombëtarët kanë bërë për Kosovën, është apo nuk është produktiv dhe kombëtar? I kompleton aspiratat dhe ndiesitë e kombit apo i dyzon dhe i dyshon ato? Po shkojmë drejt demokracisë e shtetit ligjor në Kosovë, apo derejt një autokracije që mund ti veshë cdo emër, por që më i pranueshmi do të ishte autoritarizëm primitive i kohëve modern.
Duke patur para syshë faktin që pas zgjedhjeve te qershorit të 2014-tës pati pështjellim, pati një vakum pas zgjedhor qeverisjeje për gjashtë muaj dhe me shumë vështirësi u gjet nga ndërkombëtarët një formulë gjysëm e pranueshme ( qeverisja LDK dhe PDK), tregon se zgjidhja ndërkombëtare ka brenda qefmbetje opozitare dhe mllefi i sotëm politik është pjesë e kësaj zgjidhjeje pas zgjedhore. Por qefmbetja e opozitës ka dhe emra të vecantë si Mustafa e LDK të cilat i konsideron tradhëtare të kauzës opozitare, kurse Thacin e PDK-në tradhëtare të interesave të Kosovës. Madje ka disa që Zotin Mustafa pas 9 dhjetorit 2014 e quajnë “ ish Mustafa” sikur kemi të bëjmë me një dyftyrësi të pa imagjinueshme që e ndanë një datë e vetme sic është 9 dhjetori i 2014-ës.
Por le ti marrim gjerat me radhe dhe ti shohim nga këndshikimi i sejcilit aktor dhe nga interesi publik. Po e nisim me opozitën e cila ka zbritur në sheshbetejë me trysninë për tërheqjen e dokumentave të firmosura për të ashtuquajturat “zajednica” ose e thënë ndryshe “Bashkësia e komunave serbe në Kosovë”. Sipas saj ky document tradhëton interest kombëtare të Kosovës sepse krijon një shtet serb brenda shtetit të Kosovës, i cili me këtë marrveshje i merr Kosovës gati tridhjetë përqind të sipërfaqes së saj.N.q.se është tërësisht kështu, shqetësimi i opozitës është legjitim dhe mbron interesin publik. Problemi i dytë që opozita ngre është ai i “demarkacionit” (vija kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi). Sipas saj Kosova nga firmosja e kësaj marrveshje ka humbur nje sasi të konsiderueshme kilometrash katrore. Edhe nga kjo qasje në se është tërësisht keshtu, opozita ka të drejtë.
Por, ndërkombëtarët, qeveria dhe shumica parlamentare thonë se cdo marrveshje midis Kosovës dhe Serbisë është e paraparë nga përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës.Po ashtu dihet se Kushtetuta e Kosovës, sipas projektit të Ahtisarit, ka cungimet e veta për arsyet që dihen e që nuk mund të ribëhen sot në një Kosovë të pa formësur mirë organizativisht e demokratikisht. Marrveshjet janë zgjidhje praktike ku asnjera palë (kosovare apo serbe) nuk ka përfitimet maksimale, por përfitimet janë optimale , që u lejon palëve të bëjnë pak lëshime, por të ndërtojnë urat e së ardhmes për në Eoropën e Bashkuar. Po ashtu ata thonë se tërheqja nga një marrveshje e nënshkruar është absurditet, sepse ajo është një fakt i kryer dhe i pa tjetërsueshëm. Por shtojnë se marrveshjet nuk mund të hyjnë në fuqi pa një vendim të Parlamentit të Kosovës dhe në këto kushte pozita thotë hajdeni ta diskutojmë në parlament. Edhe marrveshja për vijën kufitare me Malin e Zi është bërë sipas kushtetutës së 1974-ës të ish Jugosllavisë ,document sipas të cilit Kosovën e njeh dhe e administron Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Parë nga ky këndshikimi edhe pozita dhe ndërkombëtarët kanë një farë të drejte.
Të gjitha palët interin e përgjithëshëm,kërkojnë ta bëjë pronë të tyre. Ka përqasje që thonë shiheni përputhjen e plotë dhe identike të vijës e qëndrimeve tona politike me interesat kombëtare të Kosovës , duke aluduar se e palës tjetër është anti kombëtare.Por nga ana tjetër veprimtaria normale e parlamentit është e bllokuar, mungesa e respektit reciprok është në kulm, përdori i masmedias për etiketime perspnale është këthyer në modë të përditëshme, përdorimi i mjeteve zhurmuese vend e pa vend e deri tek përdorimi i gazit lotsjellës brenda sallës së parlamentit, nuk janë fenomene të castit e për dy problemet që pikësohen këto javët e fundit, por mendoj se janë grumbullime të mllefeve politike të së shkuarës jo të largët. Sepse edhe parlamenti si tempull i demokracisë jo rrallë ka dhunuar me maxhoritetin e kartonave duke mos i lënë hapsirën e nevojëshmë mendimit alternative e duke votuar ligje për të cilat ka patur kontestime që lidhen me interesat jetike të Kosovës. Po tu shtosh këtyre edhe korrupsionin masiv, papunësinë e madhe, mungesën e hapsirave perspektive për të ardhmen, dhe keq qeverisjen pothuaj në të gjitha nivelet e deri tek përdorimi jo rrallë i pushtetit si armë kundër kundërshtarëve , po e cojnë Kosovën në prag të një kolapsi , fundi i të cilit mund të jetë drithërues.
Nisur nga të gjitha këto, por edhe për shumë të tjera, ndjehem tërësisht i shqetësua,sepse shoh që klasa politike në Kosovë po humbet shumë kohë për ta bërë Kosovën shtet demokratik e veprues. Ajo me paaftësinë që tregon në drejtim, po e shtynë vetë me duart e saja kohën e integrimit në strukturat euro-atlantike. Në gjykimin tim kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë kështu,sepse kjo po e con Kosovën në destabilitet të pa shmangëshëm.Përgjegjësia mendoj se është e të gjithë aktorëve veprues pa përjashtim në pozitë e në opozitë,nga Presidentja, Qeveria, Parlamenti e deri tek të zgjedhurit vendor.
Personalisht mendoj se është koha për refleksion të menjëhershëm. E përkrah veprimin e Presidentes Jahjaga për bisedimet që bëri me krerët e partive politike dhe shpresoj e besoj të ketë patur sukses. Por hapi më i rëndësishëm është, normalizimi i veprimtarisë së parlamentit. Populli duhet të dëgjojë argumentat dhe kundër argumentat e të dyja palëve. Prej debatit duhet të dilet në disa përfundime të përbashkëta qe përbëjnë caqet e interesave kombëtare të periudhës afat mesme të Kosovës, caqe të cilat nuk mund ti shkeli askush dhe për asnjë lloji arsyeje. Po ashtu mendoj se ngërci politik mund të zgjidhet nëse lihet mënjanë mllefi politik i grumbulluar, i cili është gërryes i unitetit e paqëtimit të brendëshëm dhe bariera kryesore e ecjes përpara.
Për ata që bënë luftën në Kosovë, populli ju ka ngritur lapidare e ju a ka njohur të githa meritat deri në maksimalizim, por askush nuk duhet të abuzojë me to dhe askush prej tyre nuk është gjeni, i jashtëzakonshëm, gjithfuqiplotë e i pa zëvëndësueshëm dhe i destinuari i përjetëshëm për të qënë në krye të Kosovës. Sot është koha për të bërë paqen, demokracinë, ekonominë dhe lumturinë e njerëzve. Edhe opozita ka gjithë mundësitë për të vepruar në përputhe me Kushtetutën,ligjin dhe rregullat e miratuara dhe prej tyre të korrë sukseset që dëshiron. Jo të marrë vezët në dorë e të qellojë me to kush i del perpara në rrugë të madhe i shoqëruar me gra e femijë duke krijuar kështu përshtypjen e rrugacrisë. Si hap i pare ajo le të pranojë diskutimin në parlament. Në se humbet me forcën e kartonave le ta cojë ceshtjen në Gjykatën Kushtetuese. Në se nuk e fiton edhe atje të mbjedh firmat per referendum. Në referendum eshte vota e popullit dhe ajo do ti thotë gjithkujtë se me kë është e drejta.
Autori është zv/Kryetar i Vatrës
Kosova nënshkruan MSA-në më 27 tetor
-Ky është moment historik për Kosovën/
PRISHTINË, 21 Tetor 2015-B.Jashari/ Ministri kosovar për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, njëherësh kryenegociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ka njoftuar sot zyrtarisht Bashkimin Evropian për gatishmërinë e Kosovës për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
“Procedurat e brendshme nga palët janë në përfundim e sipër dhe nënshkrimi do të ndodh javën e ardhshme, me datë 27 Tetor 2015, në Strasburg”, u bë e ditur pak më parë nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Deklarata e dërguar thekson se, nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim shënon pikë kthese në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Ky është moment historik për Kosovën, sepse për herë të parë vendos marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian”, vlerëson Ministria kosovare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 83
- 84
- 85
- 86
- 87
- …
- 106
- Next Page »