• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, bashkëthemeluese e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione

September 9, 2015 by dgreca

-Marrëveshja rajonale do të nënshkruhet në 17 shtator nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Shtator 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës  miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes Rajonale për Themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione.“Themelimi i Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione është një nismë rajonale që synon të realizohet përmes marrëveshjes rajonale që do të nënshkruhet më 17 shtator të këtij viti në Split, Kroaci, nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia”, u bë e ditur sot në mbledhjen e qeverisë kosovare.U theksua se, “Qendra e Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione do të jetë një organizatë ndërkombëtare e pavarur, jofitimprurëse dhe në pronësi të palëve nënshkruese të marrëveshjes rajonale”.

“Kjo qendër do të mbështes fuqizimin e bashkëpunimit në nivel evropian dhe nivel ndërkombëtar, duke përmirësuar klimën e Ballkanit Perëndimor për hulumtime dhe inovacione”, deklaroi qeveria e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar sot mbledhjen e 48-të me radhë.

Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës është aprovuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë për Transportin Rrugor Ndërkombëtarë të Udhëtarëve dhe Mallrave.

 Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë ka marr miratimin e qeverisë. Sipas këtij projektligji, bashkësitë fetare ekzistuese dhe ato që regjistrohen të reja, kanë statusin e personave juridikë dhe kanë të drejtë të themelimit të institucioneve të ndryshme brenda tyre, me karakter humanitar, fetar, edukativ, apo karakter tjetër të ngjashëm, të cilat mund të fitojnë edhe vetë statusin e personit juridik. Shteti respekton të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës, njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, logot dhe vulën e tyre.

 Në mbledhjen e sotme, qeveria ka emëruar drejtorët në Bordet e Ndërmarrjeve Publike: “Posta e Kosovës Sh.A”, “Aeroporti i Gjakovës” dhe “Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS Sh.A”.

  Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimin për rishikimin e ndarjes së shtesave të cilat realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Pas kërkesës së ministrave të komunitetit serb, qeveria e Kosovës ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme miratimin e Ligjit për arsimin e lartë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ballakni Perendimor, bashkethemeluse, e qendres, kosova

Kosova në Forumin ekonomik në Poloni

September 9, 2015 by dgreca

-Kosovës, MSA dhe liberalizim vizash për perspektivë evropiane/

  PRISHTINË, 9 Shtator 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,  në Poloni merr pjesë në Forumin e 25-të ekonomik, me temën: “Drejt një Evrope të qëndrueshme. Strategjitë për të ardhmen”.Veseli është i ftuar të marrë pjesë si panelist dhe me këtë rast janë paraparë edhe takime me homologë të shteteve të ndryshme, burrështetasë, diplomatë dhe ekspertë pjesëmarrës të Forumit. Njoftimi dërguar nga Kuvendi i Kosovës thekson se, Forumi Ekonomik është konferenca më e rëndësishme ekonomike në Evropën Qendrore. Për 25 vjet ajo ka qenë një vend debati e diskutimi i krerëve më të lartë shtetërorë të Evropës dhe më gjerë.

Ndërsa Ministria e  Integrimit Evropian të Kosovës bën të ditur se, zëvendësministri Ramadan Ilazi po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Polonisë dhe ka qenë pjesë e panelit të Forumit Ekonomik të Liderëve të Rinj me titull “Çfarë mund të bëjnë liderët e së ardhmes të shpëtojnë projektin evropian”.

Ai tha se, Kosova vazhdon të jetë e izoluar dhe jemi mbrapa në procesin e integrimit në krahasim me vendet e tjera.

“Nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës është konfirmim dhe konkretizim i perspektives evropiane për Kosovën, të cilën e mbështesin të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Ilazi.

Ai ka thënë se, “pa perspektiven evropiane, Ballkani do të kishte të pamundur të bënte hapin drejt pajtimit dhe orientimit kah zhvillimi”.

“Prandaj, forcimi i perspektives evropiane për rajonin, duke përshpejtuar procesin e integrimit duhet të jetë objektiv strategjik i BE-së, sepse përafrimi i vendeve të Ballkanit me BE-në, kontribuuan në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit”, ka theksuar Ilazi.

Christoph Zoepel, ish ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, gjatë diskutimit deklaroi se problemi i BE-së është fakti që rreth 22 milionë njerëz nuk janë pjesë e saj, e që duhet të jenë, duke përfshirë edhe Kosovën.

 Në Forumin Ekonomik të Liderëve të Rinj po marrin pjesë 350 pjesëmarrës nga 42 shtete. Zëvendësministri Ilazi sot do të flasë edhe në panelin dedikuar pajtimit në kuadër të Forumit Ekonomik të Polonisë./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: kosova, Liderete Rinj, ne forumin Ekonomik

KOSOVA,THIRRJE ANETAREVE TE KESHILLIT TE SIGURIMIT PER ANETARESIMIN NE UNESCO

August 24, 2015 by dgreca

-Thaçi: Kosova ka të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s përpara se të bëhet një shtet anëtar i OKB-së, me kusht që ajo të sigurojë një shumicë prej dy të tretave të votave në konferencën e përgjithshme, një votim ky që zhvillohet me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
Shefi i diplomacisë së Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të 21 gushtit 2015, mes tjerash ka thënë:
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Ne fillimisht kërkuam nga Nju Jorku që të përcjellë kërkesën tonë për në UNESCO pasi kjo ishte një këshillë që na u bë nga Sekretariati i UNESCO-s. Ne e kuptojmë se OKB-ja nuk dëshiron të ketë një rol në shkëmbimin e korrespondencës dhe ua ka lënë vendeve anëtare të UNESCO-s që të vendosin mbi meritën e anëtarësimit të Kosovës. Ne dëgjuam disa çështje që u ngritën këtu sot, dhe më lejoni që të përgjigjem në disa prej tyre:
A ka Kosova të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s para se të bëhet anëtare e OKB-së?
Përgjigjja është një po absolute. Kosova ka të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s përpara se të bëhet një shtet anëtar i OKB-së, me kusht që ajo të sigurojë një shumicë prej dy të tretave të votave në konferencën e përgjithshme, një votim ky që zhvillohet me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s. Ne do ta kuptojmë rezultatin përfundimtar të votimit në nëntor të këtij viti. Shumë vende, duke filluar nga Austria deri te Vietnami, janë bërë anëtare të UNESCO-s shumë kohë para se të anëtarësoheshin në OKB.
Një pyetje e dytë është: a thua anëtarësimi i Kosovës në UNESCO-s do të rrezikojë dialogun që po vazhdon në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre?
Kosova tashmë është anëtare e dy agjencive të specializuara të OKB-së, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. UNESCO për këtë arsye nuk do të jetë agjencia ose organizata e parë ndërkombëtare në të cilën anëtarësohet Kosova që nga fillimi i dialogut teknik me Serbinë në mars të vitit 2011. Pra, pavarësisht nga ajo që po e thotë Serbia, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare vetëm se do të forcojë stabilitetin dhe do të fuqizojë dialogun që kërkon normalizim. Izolimi i Kosovës, me siguri nuk do të sjellë normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe së treti, më duhet të përgjigjem në pyetjen nëse objektet e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s janë të sigurta në Kosovë?
Unë mund të konfirmoj sot me përgjegjësi të plotë se ato janë të sigurta, ose më të sigurta se çdoherë gjatë njëmijë viteve të fundit. Ato janë të mbrojtura nga një kornizë ligjore shumë e konsoliduar dhe bashkëkohore, e aprovuar nga i dërguari i OKB-së Martti Ahtisaari, e mbështetur gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së si dhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. 95% e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe mbahen të sigurta nga vetë policia jonë. Forcat e NATO-s na kanë dhënë besimin e tyre dhe janë të kënaqur me sigurinë rreth këtyre objekteve. Mijëra turistë që nga Japonia deri në Ruandë po i vizitojnë sot këto objekte dhe ato gjenerojnë të ardhura të mira për popullin e Kosovës. Unë ju ftoj juve anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vizitoni Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur për t’u bindur vetë për sigurinë dhe situatën pozitive në vend. Qeveria jonë gjithashtu është angazhuar në dialog ndërfetar dhe kjo u vu re në disa raporte nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, si një kontribut pozitiv për pajtim.

Të nderuar anëtarë të Këshillit,

Unë po i ndjek me vëmendje dhe gjerësisht çështjet që kanë të bëjnë me kërkesën tonë për anëtarësim në UNESCO, sepse seriozisht jemi të shqetësuar me metodat që po aplikon Serbia në përpjekje që të na mohojë anëtarësinë dhe të na mbajë të izoluar nga mundësitë në arsim, shkencë dhe kulturë.
Ambasadori i Serbisë në UNESCO, z. Darko Tanaskoviç, kohët e fundit, në një intervistë për një radio ruse, bëri thirrje për një “front më të gjerë të krishterë” kundër anëtarësimit të Kosovës!
Kjo gjuhë, krejtësisht e papërshtatshme dhe e papranueshme bën thirrje për përplasje mes besimeve dhe përmban tone të qarta raciste. Lufta në Kosovë nuk ishte një konflikt fetar. Ajo ishte një gjenocid i kryer nga shteti i Serbisë, që shkatërroi jetët e njerëzve në tri vende dhe që shkaktoi tri konflikte të ndryshme të armatosura.
Ne presim se do të kemi një përballje të argumenteve me Serbinë mbi meritat e anëtarësimit tonë, por refuzojmë që të përfshihemi në një diskurs të ulët dhe të papranueshëm që promovon grindje mes feve dhe rritë mungesën e tolerancës fetare. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Ju mund ta bëni këtë edhe nëse ende nuk e keni njohur Kosovën.
Zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës,Thaçi në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka paralajmëruar edhe se: Ne gjithashtu do të kërkojmë anëtarësim në Interpol dhe në Këshillin e Evropës si dy mekanizma jetikë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe jetën e njeriut.

KËRKOHET KONTRIBUTI I TË GJITHËVE PËR ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË UNESCO

Në një postim në ‘Facebook’, shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se anëtarësimi në UNESCO “është betejë e vështirë” dhe kërkon kontributin e të gjithëve.
“Kosova është e vogël, por zëri ynë do të ndihet dhe me çdo fuqi që kemi do te tentojmë ta anetaresojmë Kosovën në UNESCO. Kërkoj edhe nga ju të jepni kontribut. Të dërgoni letra, të qeta, pozitive, me fokus në nevojat tona në arsim, shkencë dhe kulturë. Behuni edhe ju ambasadorë të Kosovës!”, ka theksuar Thaçi. Ai ka postuar edhe foto: “Detaj prej Dokufest, nga një libër i diplomacisë sonë dedikuar anëtarësimit në UNESCO”.

Filed Under: Rajon Tagged With: kosova, NE UNESCO, TE KESHILLIT TE SIGURIMIT PER ANETARESIMIN, THIRRJE ANETAREVE

Kosova, Këshill Kombëtar për Ndryshime Klimatike

August 21, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Gusht 2015/ Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, të 45-tën drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mori vendim për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike. “Këshilli ka përgjegjësinë e përcjelljes së zbatimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshimet klimatike në përputhje me angazhimet e Konventës Kornizë për Ndryshimet Klimatike të Kombeve të Bashkuara dhe Protokollit të Kijotos”, u theksua në mbledhje.
Kabineti qeveritar miratoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Botërore për Projektin e Përmirësimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë, i cili ka për qëllim forcimin e sistemeve të përzgjedhura që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë, llogaridhënies, efikasitetin e arsimit në vend.
U aprovua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për heqjen e ndërsjellë të vizave hyrëse për bartësit e pasaportave diplomatike dhe shërbimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Kuvajtit, e cila, siç u vlerësua, përveç rëndësisë në përmbajtjen e saj, do të avancoj edhe më tutje marrëdhëniet ekzistuese shumë të mira ndërmjet dy vendeve.
Pika e parë që u aprovua ishte Projektligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Edhe Projektligji për mjekësinë ligjore ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.
E votuar në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, qeveria e Kosovës për vitin 2015 ka paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

Filed Under: Kronike Tagged With: Këshill Kombëtar për, kosova, Ndryshime Klimatike

Kosova, vendi i mirënjohjes së përjetshme për SHBA-në

August 19, 2015 by dgreca

….ndërkohë që sot në Kosovë festohet ditëlindja e ish-Presidentit Amerikan, Bill Clinton./
PRISHTINË, 19 Gusht /ATSH-Behlul Jashari/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme në Kosovë prej afro 20 vitesh. Kjo përkujtohet në një video prezantuese të ambasadorit të ri amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ndërkohë që sot në Kosovë festohet ditëlindja e ish-Presidentit Amerikan, Bill Clinton. Po ashtu në qytetin e Prizrenit David Holbrooke, djali i diplomatit të ndjerë amerikan Richard Holbrooke, promovon filmin “The Diplomat”, kushtuar karrierës dhe trashëgimisë së babait të tij, pasi dje në qytetin e Vitisë vizitoi kompleksin me shtatore “Richard Holbrooke” dhe ekspozitën me këtë emër.
Në Prishtinë, kryeqytetin e vendit të mirënjohjes së përjetshme për SHBA-të, “mbrëmë rezidenca amerikane u shndërrua në kinema, ndërsa filmi i shfaqur ishte shumë i veçantë”, shprehet sot zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Së bashku me liderët e shtetit, mediat dhe miqtë e Richard Holbrooke, ishte prezent edhe djali i diplomatit të ndjerë, David – regjisor i filmit ‘The Diplomat’. Richardi ishte mik i Kosovës por diplomat i tërë botës. Paqja në Ballkan qëndron mbi supet e njerëzve si i ndjeri Richard Holbrooke”, thekson kryediplomati kosovar.
Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 shkurtin historik 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes, kur e njohën edhe Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shqipëria, Turqia, Afganistani dhe Kosta Rika.
01.11.2009-ZKM-07-(1)Në Kosovë, ku edhe festohet bashkë me vendin e miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, tradicionalisht nga populli, por edhe institucionalisht, festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miqtë e Amerikës janë një shoqatë që po ashtu tradicionalisht organizojnë në Kosovë festimet e ditëlindjes së mikut të madh, Presidentit amerikan Clinton.
Në shenjë falënderimi e mirënjohje të përjetshme, në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, shtatorja e ish-Presidentit amerikan është e ngritur në një nga sheshet kryesore që mban edhe emrin e tij, e përuruar në 1 nëntor 2009, në praninë e vetë Bill Clinton, në vizitën e tij të parë në Kosovën e pavarur, e cila ishte e dyta pas vizitës në kohën kur ishte President, pak muaj pas 12 qershorit 1999, Ditës së Lirisë – të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
“Keni bërë punë shumë më mirë se sa menduan të tjerët, madje edhe miqtë tuaj”, vlerësonte Presidenti Bill Clinton, në vitin e 10-vjetorit të lirisë, duke iu drejtuar institucioneve dhe popullit të Kosovës nga seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur për nder të tij.
“Ju duhet të jeni shumë krenarë për atë që keni kaluar gjatë dhjetë vjetëve të fundit”, theksonte Clinton, duke vlerësuar ndërtimin e institucoioneve demokratike të shtetit të ri dhe në vitet e lirisë së Kosovës.
Në mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur nisi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s për t’u dhënë fund zhvillimeve tragjike të terrorit e spastrimit etnik kundër shqiptarëve kosovarë, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan duke theksuar se “tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”. “Populli i saj megjithëse Kosovën kanë vendin e tyre nuk mund të jetojnë atje, prandaj na duhet ne t’ua sigurojmë jetën e tyre dhe ata të mos kenë më frikë për jetën”, ishte fjala e Clinton.
01.11.2009-ZKM-03Ngjarjet dhe zhvillimet historike të gjitha viteve, afër dy dekada, të pranisë amerikane në Kosovë, që nga fillimi, janë të raportuara nga ATSH – korrespondenti në Prishtinë.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) më 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportonte korrespondenti i ATSH-së në Prishtinë para 19 viteve.
Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s për Kosovën e popullin e saj, korrepondenti i ATSH nga Prishtina ka raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht dhe Zyrën e SHBA-së në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
05.05.2015-Ambasada-amerikane_4Më 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tashmë kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.
Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe përfaqësues të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila këto ditë përfundon misionin në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” nisi prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehet ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, thotë ambasadori amerikan.
“Familja ime dhe unë presim t’i eksplorojmë traditat e lashta të Kosovës dhe bukurinë e saj natyrore dhe ta shijojmë makiaton e Kosovës për të cilën thuhet që është më e mira në botë. Dhe dua të mësoj më tepër nga ju, popull i Kosovës, Mirëupafshim! Shihemi në Kosovë!”, përfundon mesazhin ambasadori i ri i SHBA që do vijë në Prishtinë.
Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë thekson se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.
Anëtar karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Delawie ka shërbyer si zëvendësndihmëssekretar për verifikim, planifikim dhe siguri evropiane në Zyrën për kontrollim, verifikim dhe pajtueshmëri të armëve. Ishte përgjegjës për Zyrat për çështje të sigurisë euroatlantike, verifikim, planifikim dhe kontaktim, dhe i Qendrës për reduktim të rrezikut bërthamor.
Para kësaj detyre, Delawie ka shërbyer si zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Berlin, Gjermani, ku ishte zyrtari kryesor operativ i njërit prej misioneve më të mëdha të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit.
Para Berlinit, ai ishte zëvendësndihmëssekretar në Zyrën për çështje politiko-ushtarake, ku ishte personi kryesor i Departamentit të Shtetit për çështje kundër piraterisë dhe menaxhoi programet për çminim humanitar, negocim të marrëveshje për status të forcave, dhe marrëdhënie shtet-mbrojtje.
Delawie gjithashtu ka shërbyer jashtë vendit si zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Zagreb, Kroaci, dhe në pozita të ndryshme në Romë, Ankara dhe Frankfurt. Në detyra të tjera në Uashington ai ka punuar në çështje të tregtisë bilaterale, politika të burimeve njerëzore, siguri të aviacionit, si oficer për Organizatën për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, dhe si zyrtar mbikëqyrës në Qendrën për operacione të Departamentit të Shtetit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, kosova, për SHBA-në, vendi i mirënjohjes së përjetshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT