-Inicohet ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015/-Kosova dhe Mali i Zi dakordohen që të finalizojnë sa më shpejtë një draft marrëveshje për bashkëpunim kulturor, e cila aktualisht ekziston.
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me homologen e tij nga Mali i Zi, Dragica Miliç, me të cilën janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit kulturor mes të dyja institucioneve.
“Jemi duke punuar në finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor për ta bërë formalizmin e saj nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shpresojmë që sa më shpejtë të bëhet nënshkrimi i saj nëpërmjet të dy ministrave tanë”, tha Hoti.
Ai kërkoi bashkëpunim me Malin e Zi posaçërisht në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet galerive, muzeve dhe institucioneve tjera, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor si dhe një sërë çështjes tjera të rëndësishme.
Edhe zëvendësministrja Miliç kërkoi formalizmin sa më të shpejtë të marrëveshjes për bashkëpunim kulturor në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo shprehu mbështetje për shkëmbim përvojash edhe në fushat e tjera të rëndësishme kulturore.
Nga Ministria kosovare bëhet e ditur se, Hoti dhe Miliç gjithashtu ranë dakord që për vitin e ardhshëm, të dyja ministritë të hartojnë buxhete për fillimin e mbajtjes së javëve kulturore në mes të dyja shteteve, duke filluar nga parashikimi i vitit të ardhshëm buxhetor.
Zëvendësministri Hoti, në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, u takua edhe me përfaqësuesen e Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi, Elvina Bektesi, me të cilin diskutuan mundësinë e një bashkëpunimi të përafërt mes tyre, dhe Ministrisë në Diasporës të Kosovës.
Hoti u takua edhe me Zoran Gjukanoviç, shef i Departamentit për Monitorim, Kërkim, Informim dhe Publikim të Informacioneve në kuadër të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi. Të dy ranë dakord për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve bashkëpunuese.
Zëvendësministri Hoti është takuar edhe Genc Nimanbegun, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe deputet në Parlamentin malazez.
Hoti dha mbështetjen e Ministrisë për të ofruar ndihmë në përmirësimin e jetës kulturore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Nimanbegun kërkoi nga zëvendësministri Hoti që Republika e Kosovës të ofrojë mbështetje shtetërore financiare dhe konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë parasysh se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është duke u tkurrë gjithnjë e më shumë në të gjitha drejtimet.
Gjithashtu, gjatë bisedës u iniciua ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare, prej ku do të mund të mbuloheshin nevojat emergjente që kanë shqiptarët në Matë zi, qofshin ato arsimore, shëndetësore, kulturore, ekonomike.
Gjatë vizitës në Mal të Zi zëvendësministri Hoti është shoqëruar edhe nga Lazar Raduloviç, kryetar i Partisë Malazeze të Kosovës.
Kosova mot vere dhe rritje fluksi për bregdetin shqiptar
-Patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë/
Nga: Behlul Jashari/ PRISHTINË,6 Korrik.-Kosova këtë javë, në pjesën dërmuese, do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit, të cilat burimin e kanë nga Afrika Veriore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë celsius, kurse maksimalet ditës, nga e hëna deri të mërkurën, do të lëvizin ndërmjet 31-35. Të enjtën ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës jep parashikimin e motit edhe për bregdetin shqiptar, drejt të cilit pritet të rritet edhe më shumë fluksi i pushuesëve kosovarë në këtë sezon vere.
Thekson se, edhe përgjatë vijës bregdetare pritet të mbajë mot i nxehtë me temperatura tipike verore. Temperaturat më të ulëta do të lëvizin ndërmjet 17-23, derisa maksimalet e ditës do të lëvizin nga 31-38 gradë celsius.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, në qershor 2015 ka pasë gjithësej 500288 hyrje dalje të personave, 142763 ose 39% më shumë se në qershor 2014, kur kishte 357525 personave, e që ishin 105179 më shumë se në 2013-tën.
Në Vërmicë kishte 234167 hyrje e 198513 dalje. Në Qafë Morinë 25688 hyrje e 19530 dalje. Në Qafë Prush 13457 hyrje e 8933 dalje. Këto janë shifrat për hyrje-daljet e personave.
Ndërsa, për automjetet: Në Vërmicë kishte 70258 hyrje e 69590 dalje. Në Qafë Morinë 10009 hyrje e 8664 dalje. Në Qafë Prush 5466 hyrje e 4690 dalje.
Shifratat e hyrjeve-daljeve në tre portat kufitare i bëri të ditura ekskluzivisht për ATSH-në Major Baki Kelani, Shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Në 1 korrik 2015 ka nisur zbatimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Pas një konference të përbashkët për shtyp në vendkalimin kufitar në Vërmicë-Morinë, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në përpjekje për rritjen e elementëve të sigurisë rrugore, nisi turni i parë i zyrtarëve policorë të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht me njësitet e trafikut të Policisë Shqiptare, në Shqipëri.
U bë e ditur se, gjatë sezonit turistik, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasëve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet, prandaj është parë e nevojshme realizimi i kësaj marrëveshje të përbashkët.
Me synim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy vendeve janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri.
Patrullimi i përbashkët është siguri e përkujdesje për të gjithë qytetarët në fluksin e rritur në verë në akset rrugore Shqipëri-Kosovë.
Shqipëria dhe Kosova drejt unifikimit të plotë të dy ekonomive
Kosovë-Shqipëri, qershori 2015 rritje fluksi 39% të hyrje daljeve të personave krahasuar me 2014/
Nga Behlul Jashari – PRISHTINË, 3 Korrik./-Shqipëria dhe Kosova shkojnë drejt unifikimit të plotë të dy ekonomive. Ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti priti sot në Prizren në vizitë zyrtare një delegacion të Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë të kryesuar nga ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Ministri i Financave të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, duke falënderuar homologun e tij për mikpritjen dhe bashkëpunimin që kanë pasur gjatë kësaj periudhe, tha se të dyja palët sot kanë arritur në konkluzionin që është bërë një punë e madhe, është arritur objektivi dhe janë përmbushur të gjitha pikat e programit që të dyja palët kishin hartuar në mars të këtij viti.
“Për në mbledhjen e shtatorit ku do të bëjmë përsëri analizën, ne së bashku identifikuam një grup çështjesh tashmë më jo vetëm të karakterit procedural dhe të rregullimeve që duhet të bëjmë në të gjithë atmosferën harmonizuese dhe unifikuese të dokumentacioneve dhe të praktikave, por të hedhim hapa shumë herë më konkretë në përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete të tatimpaguesve kryesisht të biznesit, por edhe të individëve të të dy krahëve”, tha ministri shqiptar.
“Objektivi ynë final është që të mos ketë asnjë barrierë dhe asnjë kufizim në mënyrë që shqiptari i Kosovës apo i Shqipërisë ta ndjejë vetën në Kosovë apo Shqipëri njëllojë për nga aspekti fiskal. Kjo është detyrë e jona dhe këtë detyrë me bindje të plotë, me dëshirën më të madhe dhe me vullnetin e plotë do ta përmbushim në një kohë sa më të shkurtër. Në shtator do të takohemi dhe do të ju flasim për hapat e realizuara dhe për objektivat që kemi”, theksoi ministri shqiptar, Cani.
Gjatë kësaj vizite ministri Hoti së bashku me bashkëpunëtorët e tij sot në Prizren zhvilluan një në takim të përbashkët më ministrin e Financave të Republikës së Shqipërisë Shkëlqim Cani dhe bashkëpunëtorët e tij për të diskutuar lidhur me marrëveshjet të arritura në mars të këtij viti ndërmjet të dy qeverive në Tiranë.
Ministri Hoti tha se, “sot kemi kaluar besoj prej fjalëve në vepra pas takimit të përbashkët të qeverive në mars, ku së bashku me Ministrin Cani kam pas kënaqësinë të nënshkruajmë një marrëveshje ndërmjet dy ministrive të financave dhe administratave tatimore dhe doganore”. “Tash e sa muaj grupi punues ka punuar për të quar përpara ato që jemi marrë vesh në takimin e përbashkët të dy qeverive. Besoj që kemi bërë progres të mirë, ka plot çështje të cilat kanë marr rrugë dhe kanë filluar të implemtohen. Normalisht ka edhe të tjera që duhet të punojmë bashkërisht”, u shpreh ai.
“Sot jemi ulur bashkë, kemi rishikuar progresin që kemi arritur të dy ministritë në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, në eliminimin e barrierave, në luftimin e ekonomisë joformale dhe në shumë çështje të tjera. Jemi dakorduar për progresin që është arritur deri më tani dhe jemi të kënaqur me punën që është bërë në të dyja anën e kufirit. Në fakt jemi duke punuar që të eliminojmë komplet këtë kufi dhe u dakorduam për një plan të punës për 3 muajt e ardhshëm dhe besojmë që në fund të shtatorit do të takohemi prapë për të eleminuar të gjitha pengesat që janë në mes dy vendeve tona sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Ne po lëvizim shpejt me hapa të mëdhenjë, konkretë dhe praktikë drejtë unifikimit të plotë të dy ekonomive si hap i parë drejtë i integrimit të plotë të dy vendeve në tregun e përbashkët të Bashkësisë Evropiane”, tha ministri Hoti, cituar në njoftimin e dërguar nga zyra e tij.
Kosova beson dhe punon në politikat e fqinjësisë së mirë
Kadri Veseli: “Mirëse na keni ardhë në Kosovë, në Prishtinë”, iu dretua ai në gjuhën serbe deputeteve nga Kuvendi serb në takimin me deputetet e Kuvendit kosovar./
Nga Prishtina: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 3 Korrik/.-Republika e Kosovës beson dhe punon në politikat e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e regjionit tonë, përfshirë edhe fqinjin e saj verior – Serbinë, tha kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli.
“Një përshëndetje të veçantë për të nderuarat deputete nga Kuvendi i Republikës së Serbisë”, ka bërë sot në Kuvendin e Kosovës, në sallën e seancave plenare, kryeparlamentari kosovar. “Mirëse na keni ardhë në Kosovë, në Prishtinë”, iu dretua ai në gjuhën serbe deputeteve nga Kuvendi serb në takimin me deputetet e Kuvendit kosovar.
Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prani të deputetëve të Kuvendit, përfaqësuesve të misioneve diplomatike e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, si dhe deputeteve nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, është shfaqur dokumentari “Folloë us” (i sponsorizuar nga Misioni i OSBE-së), i cili trajton rolin e grave në shoqëri dhe në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hapjen e kësaj ngjarjeje e bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve, takimin e sotëm e konsideroi “mundësi të mirë për dhënien e mesazheve të përbashkëta të mirëkuptimit reciprok, por edhe për nxitjen e bashkëpunimit në funksion të paqes, zhvillimit dhe progresit të përgjithshëm rajonal”.
Ai theksoi platformën e dialogut mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që raportet të normalizohen dhe problemet të zgjidhen përmes komunikimit dhe marrëveshjeve.
“Horizonti i këtij dialogu duhet të zgjerohet. Pra, të mos jetë vetëm dialog politik dhe institucional, privilegj i elitave politike, por edhe dialog qytetar dhe kulturor, në fushën e shoqërisë civile”, theksoi Veseli.
“Në Kosovë besohet se historia e konflikteve të dhunshme ka përfunduar një herë e përgjithmonë, duke i hapur rrugë një epoke të re marrëdhëniesh bashkëpunimi. Kjo epokë udhëhiqet nga vizioni për ta bërë Ballkanin pjesë të vlerave euro-atlanike”, u shpreh kreu i Kuvendit të Kosovës.
Këtë takim kryetari Veseli e cilësoi si një argument më shumë se vizioni evropian po zë vend në mendjet dhe zemrat e qytetarëve, në të cilin roli i deputeteve dhe i grave që ato përfaqësojnë, është shumë i rëndësishëm.
“E dimë se ende ka shumë pengesa, hezitime e paragjykime, sikurse e tregon edhe dokumentari ‘Folloë Us’, por ne duhet ta kemi të qartë se jemi zgjedhur për t’i kapërcyer me vendosmëri këto pengesa dhe paragjykime. Ne jemi zgjedhur për t’i çuar përpara shoqëritë tona, drejt një të ardhme që dallon krejtësisht nga e kaluara.
Kemi shansin historik, por edhe mundësitë dhe instrumentet për t’ia arritur këtij qëllimi”, theksoi në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.
Lidhur me rëndësinë e dokumentarit dhe nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në të cilin një rol të rëndësishëm bartin gratë përfaqësuese të Kosovës dhe Serbisë, foli kryetarja kosovare e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu-Kodra.
“’Follow us’ është guxim i grave për të nisur projekte jo populiste. Prandaj sot është është një ditë reflektimi e angazhimi për sfidat që kemi përpara, me që sot nis një qasje ndryshe për të zgjedhur problemet tona të përbashkëta”, theksoi ajo.
Në vazhdim folën edhe deputetja e Parlamentit të Kosovës, Teuta Sahatqija, deputetja e Parlamentit të Serbisë, Maria Obradoviç dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger.
Deputetet nga Serbia erdhën në Kosovë me ftesë të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.
Le Monde: Kosova simbolike eksporton harmoninë ndërfetare
Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” ka botuar sot një reportazh nga konferenca e katërt ndërkombëtare ndërfetare e mbajtur në Kosovë në maj të këtij viti. “Le Monde” raporton për folësit e ndryshëm të kësaj konference, të cilët këtë nismë e quajnë shtyllë të diplomacisë publike të Kosovës./
Reportazhi i Le Monde:/
Në një hotel në Sheshin Nëna Terezë, 200 pjesëmarrës nga e gjithë bota dëgjuan fjalët e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila i hapi punimet e konferencës. Prania e përfaqësuesve e grupeve fetare të Kosovës dëshmoi një paqe dhe unitet që mund t’i zinte në befasi shumë të pranishëm. Kështu, Igumani ortodoks Sava Janjiq vuri në dukje se “feja nuk ka luajtur asnjë rol në shkaktimin e luftës, që e kishte gjakosur Kosovën”.
Ejup Ramadani, shef kabineti tek Bashkësia Islame e Kosovës bëri thirrje për “zhdukjen e ekstremizmit, kudo që mund të jetë fshehur”.
Dr. Don Lush Gjergji, nga radhët e komunitetit katolik, një pakicë shumë e vogël, por një pjesë përbërëse e popullit shqiptar, nënvizoi se “askush nuk ka arritur të thyejë unitetin fetar në vend, një vlerë të cilën Kosova do të duhej ta eksportojë”.
Për të përmbyllur këtë seancë, kryerabini i dikurshëm i Norvegjisë dhe ish zëvendës ministri izraelit Michael Melchior, ka ndarë me të pranishmit një nga përvojat e tij më të fuqishme në fushën e dialogut ndërfetar.
Më 2014, ndërsa po përgatitej për festën hebraike të Yom Kippur-it në Izrael, kishte marrë informacione se ekstremistët po përgatiteshin për të shkaktuar trazira mes hebrenjve dhe myslimanëve, duke përfituar nga rastësia e datave me festën e Kurban Bajramit – në njërën anë, agjërimi, në tjetrën gostia. Me të mësuar për këtë kërcënim, ai kontaktoi me imamët lokalë me të cilët, bashkërisht, ata arritën të evitonin një gjakderdhje. Në përmbyllje, rabini Melchior theksoi se “fetë janë OJQ-ja më e madhe në botë”.
E veçanta e kësaj konference ishte fokusi në gjetjen e zgjidhjeve në kuadër të luftës kundër urrejtjes në internet. Drejtoresha ekzekutive për politika të produkteve pranë Facebook, Monika Bickert, ofroi një prezantim gjithëpërfshirës mbi strategjitë e rrjetit më të madh social në botë në këtë fushë. Diskutimet e zhvilluara pasqyruan edhe rrugën që të rinjtë mund të ndjekin për t’u bërë aktivistë të paqes, nën udhëheqjen e zëvendësministrit të jashtëm kosovar, Petrit Selimit.
Në të vërtetë, kjo ngjarje është një nga shtyllat e “diplomacisë digjitale” të Kosovës, e cila dëshiron të përçojë modelin e një shoqërie laike me shumicë myslimane gjithandej botës.
Grupe të vogla të aktivistëve të rinj, që ishin pjesë e debatit, të tillë si francezët e shoqatës “Coexister” (“Bashkëjetoj”), që erdhën në Kosovë për të ndarë përvojat e tyre me të rinjtë dhe aktorë të tjerë, duke përfshirë një numër të madh të amerikanëve.
Ndër pyetjet e bëra, ishte edhe roli dhe përgjegjësia e mediave në kuptim të njohurive që kanë dhe prezantimin që i bëjnë feve. Së këndejmi duhet të theksohet se vlerësimi i angazhimit të mediave në këtë fushë nuk ka qenë gjithmonë i favorshëm për “pushtetin e katërt”. Një temë e rëndësishme për t’ua parandaluar ekstremistët që të gjejnë argumente per kauzën e tyre./Kosovapress/
- « Previous Page
- 1
- …
- 93
- 94
- 95
- 96
- 97
- …
- 106
- Next Page »