Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Gusht 2015/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzon letrat kredenciale në pritjen te presidentja e Republikës, sot pasdite, në orën 14:50.
Pas këtij takimi presidentja kosovare dhe ambasadori amerikan do të japin deklarata për mediat.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pret në takim sot në orën 16:30 ambasdorin e ri të SHBA-ve, Greg Delawie, i cili ka mbërritur dje në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Në fjalën në ceremoninë e betimit si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, në 24 korrik 2015, Delawie mes tjerash është shprehur: “Besoj që qytetarët e Kosovës e ndajnë vizionin tonë. Aspiratat e tyre e përfshijnë Kosovën si shtet demokratik, shumetnik, të njohur dhe në paqe me fqinjët e vet, me një qeveri që funksionon mirë dhe që e zbaton sundimin e ligjit dhe që është e lirë nga korrupsioni. Edhe ata e dëshirojnë një Kosovë që është në rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në institucionet kryesore evropiane. Dhe ata dëshirojnë një Kosovë ku me arsye mund të presin të gjejnë vende pune që do t’u ofrojë familjeve të tyre të ardhme pozitive”.
Në 6 korrik, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e lamtumires e dekoroi ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para mëse 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
“Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës është festë për kosovarët dhe përjetohet si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen”, shkruaja-raportoja në media atë ditë të lume gëzimi para 19 viteve.
Në 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte presidentja e Republikës duke iu drejtuar ambasadores së SHBA-ve.