Kosovë-Shqipëri, bashkë për mësimin shqip në diasporë
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Në Prishtinë mbahet nesër takimi i parë i grupeve të punës për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë për mësimin shqip në diasporë.
Hapjen e punimeve në takimin e grupit të punës e bëjnë Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, Valon Murati, ministër i Diasporës dhe Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë i Republikës së Kosovës.
Tre ministrat do t’i kenë fjalimet e tyre nga ora 10:00, ndërsa pas përfundimit të hapjes mbahet konferencë për shtyp.
Në mbledhjen e dy qeverive, “Një tokë – Një Popull – Një ëndërr”, në Tiranë, në 23 mars 2015, që pasonte të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, në Tiranë, në tetor 2015, diskutuan për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe u dakorduan për dinamikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Njoftimi i ministrisë kosovare theksonte se, krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhanë mbështetje të pa rezervë për punën e Ministrisë së Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë do të trajtohet.
Kosovë-Shqipëri, në pikat kufitare fluks i lartë lëvizjesh
PRISHTINË, 22 Gusht /Behlul Jashari/.- Në pikat kufitare mes Kosovës e Shqipërisë në paraditën e sotme kalimet janë të shpejta në fluks të lartë. Në vendkalimin Vërmicë-Morinë, ku kalohet nëpër autostradë, në hyrje pritjet janë 5-10 minuta në kolonë 80-100 metra, në dalje kolona është zero metra e kalohet për 2-5 minuta.
Në dy vendkalimet tjera, Qafë e Prushit dhe Qafë e Morinës, pritjet dhe kolonat janë të shumtën zero. Në të parën pritjet në hyrje janë 2 minuta e në të dytën 2-5 në kolonë 50 metra.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, këtë javë nisi të jape informata në intervale të rregullta lidhur me fluksin dhe kohën e pritjes në hyrje dhe dalje për të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Në këtë mënyrë, çdo qytetar i interesuar do të jetë i informuar për çdo pikëkalim kufitar para nisjes së udhëtimit në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në linkun: mpb-ks.org/qkmk.
Në pikat kufitare Kosovë-Shqipëri, në korrik 2015 ka pasur më shumë se një milion (1023970) hyrje dalje të personave, afër gjysëm milioni (481933) apo afër dyfish më shumë se në korrikun 2014, kur kishe 542037 hyrje dalje. Në qershor 2015 ka pasur gjithësej 500 288 hyrje dalje të personave, sipas të dhënave të njoftuar ekskluzivisht për ATSH nga Policia e Kosovës.
Kosovë-Shqipëri, korriku 2015 shënon fluks të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare
Kosovë-Shqipëri, korriku 2015 shënon fluks të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare/PRISHTINË, 5 Gusht /ATSH-Behlul Jashari/.- Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, në korrik 2015 ka pasur gjithsej 1 023 970 hyrje dalje të personave, ose 481 933 më shumë se në korrikun 2014, kur kishe 542 037 hyrje dalje.
Ndërsa numri i automjeteve në hyrje- dalje në korrik 2015 ishte 274 899, ose 75 622 më shumë në krahasim me korrikun 2014, kur kishte 199 277 hyrje- dalje të automjeteve. Krahasuar me qershorin 2015, në korrik kishte 30 600 automjete më shumë.
Për personat, gjatë korrikut 2015, në Vërmicë kishte 528 590 hyrje e 420 685 dalje. Në Qafë Prush 15 259 hyrje e 10 052 dalje. Në Qafë Morinë 27 071 hyrje e 22 313 dalje. Në këto tre porta kufitare, gjithsej kishte 570 920 hyrje e 453 050 dalje të personave.
Ndërsa, për automjetet në korrikun 2015 shifrat janë këto: Në Vërmicë kishte 91 783 hyrje e 84 357 dalje. Në Qafë Prush 5 236 hyrje e 4 419 dalje. Në Qafë Morinë 7 144 hyrje e 6 338 dalje. Gjithsej kishte 104 163 hyrje e 95 114 dalje të automjeteve.
Për fluksin e hyrjeve e daljeve në tre portat kufitare shifrat i bëri të ditura ekskluzivisht për ATSH-në Major Baki Kelani, shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Kosove-Shqiperi-pota-Vermice-Morine-23mars2015-foto-ATSH-Behlul-JashariNë vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasuar me 2013-ën, bënte të ditur në fillim të 2015-ës policia kosovare.
Në 1 korrik 2015 ka nisur zbatimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Pas një konference të përbashkët për shtyp në vendkalimin kufitar në Vërmicë-Morinë, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në përpjekje për rritjen e elementëve të sigurisë rrugore, nisi turni i parë i zyrtarëve policorë të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht me njësitet e trafikut të policisë shqiptare, në Shqipëri.
U bë e ditur se, gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy shtetet, prandaj është parë e nevojshme realizimi i kësaj marrëveshje të përbashkët.
Kosove-Major-Baki-Kelani-shef-i-Zyrës-për-Infomim-dhe-Marrëdhënie-me-PublikunMe synim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy shteteve janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri.
Patrullimi i përbashkët është siguri e përkujdesje për të gjithë qytetarët në fluksin e rritur në verë në akset rrugore Shqipëri-Kosovë, kanë theksuar policitë e të dy vendeve.
Këtë verë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës jep parashikimin e motit edhe për bregdetin shqiptar, drejt të cilit është rritur shumë fluksi i kosovarëve në këtë sezon pushimesh. “Mot i nxehtë dhe me temperatura të larta, do të mbajë përgjatë vijës bregdetare shqiptare. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 21-26 gradë celsius. Ndërsa, maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 36-39 gradë celsius”, është parashikimi për këtë javë.
Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim edhe për diasporën
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro u prit nga ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, në një takim ku në fokus ishte bashkëpunimi i ministrive në aktivitetet kulturore “Ditët e kulturës shqiptare”, të cilat planifikohen të organizohen në diasporë.
Ministri Murati e njoftoi ministren Kumbaro për punën dhe funksionimin e tre qendrave kulturore në diasporë, konkretisht në Turqi, Zvicër dhe Suedi.
Sipas ministrisë kosovare, dy ministrat ranë dakord të themelohen qendra të përbashkëta kulturore në diasporë, të cilat do të shërbenin si vende ku mësohet për gjuhën dhe kulturën shqiptare, që atë ta paraqesin sa më mirë para botës.
Ndërsa, ministrja Kumbaro theksoi krijimin e një modeli të qendrave kulturore që do të kishte sukses për shumë vjet.
Të dyja palët ranë dakord që të kontribuojnë me projekte të përbashkëta të komunitetit artistik shqiptar, gjithnjë në të mirë të diasporës.
Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti priti ministren e Kulturës të Shqipërisë, Mirela Kumbaro në një takim, ku u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e kulturës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5