PRISHTINË, 10 Janar 2018-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë, Behlul Jashari//
I dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Dr. Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, do të jenë në Kosovë për një vizitë të përbashkët në 10 dhe 11 janar 2018.
Gjatë vizitës së tyre, ata do të takohen me Presidentin, Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, si dhe me përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile, bën të ditur njoftimi i sapodërguar nga Ambasada gjermane në Prishtinë.
Theksohet se, vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.“Tema të tjera për t’u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, përfundohet në njoftim.







PRISHTINË, 22 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se dënimi i Ratko Mladiçit me burg të përjetshëm është vendosje e drejtësisë ndërkombëtare dhe satisfaksion për viktimat e luftës në Bosnjë.Qeveria dhe populli i Kosovës më këtë rast, përkujtojnë publikun botëror se regjimi i Sllobodan Millosheviçit dhe gjeneralët e tij, kanë aplikuar edhe në Kosovë të gjitha format e krimeve të përshkruara në aktakuzën kundër Mlladiçit.Serbia e Millosheviçit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë në Kosovë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje lufte 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave, dhe në fund ka deportuar rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është sinjal tepër trishtues për brezat që vijnë tendenca e rehabilitimit të kriminelëve të luftës, qoftë përmes heroizmit, qoftë përmes rehabilitimit të tyre, duke i propozuar ata që të ligjërojnë në Akademitë ushtarake.Qeveria e Kosovës vlerëson se porosia që dha sot TPNJ duhet t’u shërbejë në radhë të parë qeverive të rajonit për t’u ballafaquar me guxim me të kaluarën dhe për të reflektuar më shumë vendosmëri për t’u thënë jo politikave etnonacionaliste, si dhe për të nxitur më shumë mirëkuptim për viktimat – pavarësisht origjinës së tyre – për një paqe të qëndrueshme dhe pajtim ndërmjet popujve të kësaj hapësire të Europës.Ky verdikt i TPNJ duhet t’u shërbejë qeverive të rajonit për përkujtesë për ta braktisur përfundimisht dhunën në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për të marrë kursin e pajtimit dhe njohjes e respektimit të vlerave reciproke, për t’i dhënë zemër përqafimit të vlerave të përbashkëta europiane dhe për ta inkurajuar synimin e popujve të rajonit tonë drejt integrimeve europiane dhe Euro-Atlantike./b.j/