-Prof. dr. Ismet Salihu:Krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer një numër të madh të krimeve ndaj popullatës civile, kanë vrarë rreth 12 mijë shqiptarë, mijëra i kanë zhdukur e rreth 1 milion i kanë dëbuar. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon edhe se, në Kosovë janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Në prezantimin e Monografisë – Personat e zhdukur, të autorëve prof. dr. Ismet Salihu dhe prof. dr. Pajazit Nushi, botimi i së cilës, në dy gjuhë shqip dhe anglisht, u përurua nga Instituti, u theksua se “krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale”.
“Ky krim shtë shumë i rëndë jo vetëm për viktimën, por edhe për familjen e tij dhe për tërë komunitetin. Për më tepër, ky krim është dhe më i rëndë se vrasja, sepse humben, zhduken edhe mbetjet mortore”, tha profesor Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Në Konventat Evropiane, për të zhdukurit thuhet se viktima të këtij lloj krimi shumë të rëndë nuk janë vetëm personat e zhdukur, por edhe familjarët e tyre”, theksoi ai.
Në Kosovë, sipas studimit që është bërë nga hulumtuesit e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, deri në fund të majit të vitit 2015 janë ende 1229 persona për fatin e të cilëve nuk duhet dhe konisderohen të zhdukur. Ndërsa, sipas bazës së të dhënave të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, deri në fund të majit 2015 konsiderohen akoma të zhdukur edhe 1653 persona. Dallimi prej 424 personave të zhdukur është nga fakti se, sipas Statutit dhe rregulloreve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, krime të luftës përfshirë zhdukjet konsiderohen ato që kanë ndodhur deri në 12 qershor 1999 – në ditën e përfundimit të luftës e çlirimit të Kosovës.
Nga 1229 përsonat e zhdukur, 173 janë femra, 1056 meshkuj, 104 janë nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i themeluar para katër viteve, këtë javë bëri promovimin e katër botimeve të tij: Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë 1998-1999 / Challenges of researching ëar crimes in Kosovo 1998/1999, Prishtinë, 2013; Prof. Dr. Ismet Salihu – Prof. Dr. Pajazit Nushi, Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998/99 /Missing persons in Kosova during the ëar 1998/99, Prishtinë, 2015; Prof. Dr. Fejaz Drançolli, Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99 /Destroyed monuments in Kosova 1998/99, Prishtinë, 2015; Ilir Ulaj, Vrasjet në Kosovë 1998-1999 (Vëllimi i Parë) / Killings in Kosova 1998-1999” (First volume), Prishtinë, 2015.
Kosovë- Procesi për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese drejt përsëritjes
– Ndonëse nesër skadon afati ligjor për shqyrtimin e nominimeve për kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni, në mungesë kuorumi, as sot nuk ka arritur të mbajë mbledhje/
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ Procesi për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shkon drejt përsëritjes.
Ndonëse nesër skadon afati ligjor për shqyrtimin e nominimeve për kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni, në mungesë kuorumi, as sot nuk ka arritur të mbajë mbledhje.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Komisionit për shqyrtimin e nominimeve për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës tha se, mbledhja e radhës do të tentohet të mbahet nesër, duke filluar nga ora 11:00. Ai po ashtu njoftoi se, nëse Komisioni edhe nesër nuk do të arrijë të mbajë mbledhje, procesi do të përsëritet.
Mbledhja e Komisionit për shqyrtimin e nominimeve për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, e paraparë për 23 tetor ishte shtyrë për sot, poashtu në mungesë kuorumi.
Në 13 tetor njoftohej se ishte përmbyllur afati për dorëzimin e nominimeve (sipas ftesës-thirrjes publike) për paraqitjen e nominimeve të kandidatëve për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Konfirmohej se nominimet i kishin paraqitur 15 kandidatë.
Opozita kosovare bojkoton komisionet dhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit e të shefave të grupeve parlamentare si dhe komisonet, ndërsa shkon në seancat plenare për t’i pamundësuar ato.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta./b.j/
Kosovë, dita e nata e Kuvendit
-Paradita me marsh paqësor, pasdite dhe deri në mesnatë përsëri gaz lotsjellës në Kuvend dhe përplasje jashtë tij në shesh, seancë pas mesnate jashtë sallës plenare/
-Kronikë përmbledhëse e ngjarjeve të një dite e nate të gjatë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ As në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, po edhe pa median, u mbajt në orët e para të pas mesnatës.
Gazi lotsjellës u hodh përsëri në mesnatë nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe e ndërpreu. “Pauzë të shkurtë”, dha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa u dëgjuan “replika” me fjalor të ashpër. Pati edhe një “shprehje në mënyrë joadekuate” të kryeparlamentarit, për të cilën kërkoi falje.
Gjatë ditës së djeshme pati marsh paqësor paradite në rrugët e Prishtinës, organizuar nga shoqëria civile, me mesazhe drejt Kuvendit, ku u pamundësua nga gazi lotsjellës i opozitës seanca e ftuar për pasdite dhe e ndërprerë dhe paralajmëruar për orë të mbrëmjes, ndërkohë që në sheshin pranë vazhdonte protesta e aktivistëve opozitarë e qyetatarëve të mbledhur, nga të cilët kishte edhe gjuajtje bomolash tymi me ngjyra drejt Policisë që kishte shtuar masat e sigurisë edhe me kordone. Jashtë Kuvendit në sheshin përballë kishte edhe përplasje mes protestuesëve dhe Policisë së Kosovës.
Kuevendi i Kosovës nuk u rimblodh në orën 20:00 e as në 22:00 e 23 si kishte paralajmërime pas pamundësimit me hedhje gazi lotsjellës e bllokim nga opozita të fillimit të seancës plenare që ishte ftuar nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare vetëm të pozitës, përfshirë minoritetet, për në orën 16:00. Ishte seanca e tretë e sesionit vjeshtor, fillimi i së cilës u pamundësua nga gazi lotësjesës që gjatë ditës së djeshme u hodh disa herë nga opozita, e për herë të parë edhe jashtë sallës plenare, pranë zyrës së kryeparlamentarit, rreth gjysëm ore para kohës kur pritej nisja e seancës.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk ka arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë.
Kryetari i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj, në një deklaratë tha se para se të fillonte seanca i kishte kërkuar koalicionit qeverisës “të gjejnë një mënyrë për anulimin e marrëveshjeve” të 25 gushtit me Serbinë dhe të demarkacionit me Malin e Zi. “Pa anulim të marrëveshjeve, nuk ka kushte të mbahet seanca e Kuvendit”, u shpreh ai.
Pas hedhjes së parë të gazit lotsjellës të ditës së djeshme LVV deklaronte se, “protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi”.
Pas rindërprerjes së seancës me gaz lotsjellës në mesnatë, grupet parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, përfshirë minoritetet, zhvilluan seancën në një sallë të improvizuar-byfe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, derisa në sallën e seancave po qëndronin deputetë të opozitës. Seanca e Kuvendit u mbajt në katin e pestë të Kuvendit të Kosovës, ku Policia-sigurimi kishte pamundësuar shkuarjen e deputetëve opozitarë, po edhe mediave.
Më parë, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, po jo të opozitës, vendosi që seanca e ndërprerë e rindërprerë dje të vazhdonte në orët e natës.
Pas diskutimeve të nënkryetarëve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare lidhur me gjendjen aktuale dhe nevojën e tejkalimit të kësaj situate, Kryesia, me katër vota pro dhe një kundër, vendosi që “në pamundësi të mbajtjes së seancave plenare më 17 shtator, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, të kërkohet veprim plotësues, duke përfshirë ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë, për sigurinë, shëndetin e deputetëve dhe mbarëvajtjen e punimeve të seancës plenare”.
Ky vendim u është dërguar për zbatim kryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në vazhdimin e seancës jashtë sallës plenare pa opozitën në orët ë para të ditës së sotme, Kuvendi miratoi Projektligjin për shëndetin mendor, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
Në vazhdim Kuvendi votoi pro emërimit të Elbasan Dervishajt, për anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Ndërksa, emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas u shty për një seancë tjetër.
Kuvendi pastaj emëroi Abdullah Aliun,anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe formoi Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.
Në fund të seancës u përkrahën propozimimet e disa grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas menate shkrujti në “Facebook”: “Në Seancën plenare të mbajtur sonte, në një moment gjatë përpjekjeve për të qetësuar situatën e krijuar jam shprehur në mënyrë joadekuate, shprehje me të cilën mund të preken nënat dhe motrat tona.
Dëshiroj t’ju kërkoj falje atyre nga thellësia e zemrës, duke filluar nga nëna ime, bashkëshortja ime dhe të gjitha nënave dhe motrave të Kosovës sonë”.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës në zhvillimet e mesnatës kishte edhe hedhje shishesh të ujit nga opozita në drejtim të kryeparlamentarit dhe kabinetit qeveritar, që u larguan.
Subjekti më i madh politik opozitar kosovar, LVV pas menate, derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, shkruante në ‘Facebook’: “Aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit. Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”.
KOSOVË, DITË MARSHI PAQËSOR
-Dhe seance në Kuvendin e bllokuar nga opozita/
-Derisa ka “veprime të dhunshme në institucione dhe jashtë tyre, të cilat janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik”, për sot në Prishtinë paralajmërohet marsh paqësor organizuar nga shoqëria civile/
-“Pozita e opozita s’ndryshojnë qëndrimet, qytetarët kundër dhunës”, theksohet sot në një kryetitull të ballinave të shtypit të Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ Në Prishtinë sot është një ditë e gjatë ngjarjesh, deri në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të ftuar nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare, pa përfaqësuesit e opozitës, për në orën 16:00, gjatë dhe pas saj. Derisa Kuvendi nuk ka arritur të përfundojë asnjë seancë plenare ka më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, ndërsa në bllokimet nga opozita të ndërprera edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, edhe mes fërshëllimash e fjalori të ashpër, Presidentja e Republikës i ka ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, ka takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës, dhe sot priten përpjekjet që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, para seancës së Kuvendit.
Derisa ka “veprime të dhunshme në institucione dhe jashtë tyre, të cilat janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik”, për sot në Prishtinë paralajmërohet marsh paqësor organizuar nga shoqëria civile.
“Duke e përcjellur me shqetësim rrjedhën e situatës politike të krijuar në vend, organizatat e shoqërisë civile, sot duke filluar nga ora 11:00 do të organizojnë një marsh paqësor simbolik për të adresuar mesazhet e tyre lidhur me zhvillimet e fundit”, është bërë e ditur në një konferencë për shtyp.
Marshi paqësor nis nga Sheshi Zahir Pajaziti dhe përfundon te Kuvendi kosovar, me thirrjen që “dhuna të mos jetë pjesë e veprimit politik si brenda ashtu jashtë institucioneve të Kosovës” dhe se mesazhin se “gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike”.
Organizatat e shoqërisë civile shprehen se, mbështesin iniciativën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga për takim me liderët e subjekteve politike parlamentare, në funksion të tejkalimit të gjendjes së krijuar dhe inkurajojnë subjektet politike për gjetjen e zgjidhjeve konkrete për normalizimin e jetës parlamentare dhe institucionale në vend.
“Thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike, përkundrazi ajo mund të ndikojë në përshkallëzimin e mëtutjeshëm të saj”, theksojnë në një deklaratë 20 organizata të shoqërisë civile kosovare.
Mbledhja plenare e Kuvendit, e ndërprerë më 15 tetor, të vazhdojë sot në orën 16:00, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, kurse munguan ata të partive opozitare.
“Thirrja e seancës së Kuvendit të Kosovës është provokim dhe papërgjegjëshmëri politike”, ka deklaruar opozita kosovare.
Opozita paralajmëron se, “nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet”.
“Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë. Ne si deputetë të opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj”, ka ritheksuar qëndrimin e paralajmërimin e saj opozita e bashkuar.
Pjesë ekundërshtimeve të opozitës janë edhe protestat në rrugë dhe grumbullimet e veprimtarëve e qytetarëve para Kuvendit në orët e seancave, që mund të ndodhin edhe sot, si dhe një peticion me mëse 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, ka paralajmëruar opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma. Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile e Kosovës, ku merrnin pjesë edhe deputetë, është shprehur edhe opinioni se, “thirrja e seancës parlamentare për sot, pa përfunduar diskutimet te Presidentja, është një provokim për dhunë dhe mund të sjellë një fundjavë të tensionuar”.
“Pozita e opozita s’ndryshojnë qëndrimet, qytetarët kundër dhunës”, theksohet sot në një kryetitull të ballinave të shtypit të Kosovës.
Me qëndrime të betonuara dhe gjuhë të acaruar, që nuk arriti t’i zbusë as dialogu i presidentes Jahjaga, pozita dhe opozita do t’ia mësyjnë edhe seancës së radhës, e cila mbahet sot pasdite,shkruan gazeta Koha Ditore.
Partitë në pushtet nuk kanë treguar nëse ka ndryshim skenari përballë bllokadës së paralajmëruar të opozitës.
Por gazeta merr vesh se ekziston dakordim mes partnerëve të koalicionit PDK- LDK, me përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve, që të zbatohet plotësisht Rregullorja e Kuvendit, e cila parasheh edhe futjen e masave shtesë të sigurisë.
Masa të forta kontrolli për deputetët dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend do të ketë në hyrje-daljet e Kuvendit. Por, këto masa në seancën e kaluar nuk kishin ndaluar futjen e gazit lotsjellës prej opozitës, madje me dyfishim doze, përkujton gazeta.
“Paralajmërohet bllokim i séances”, është titulli në ballinë i gazetës Zëri.
Kjo gazetë shkruan se, Kuvendi i Kosovës pritet sërish që sot të përballet me “betejën” e radhës së opozitarëve, të cilët me çfarëdo forme do ta pamundësojnë zhvillimin e punimeve të legjislativit, ku nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të gazit lotsjellës dhe përleshjes në mes ligjvënësve.
Spektri politik opozitar që tashmë është bashkuar në një front të përbashkët nuk lëkundet nga qëndrimet e veta, për të bllokuar punën e Kuvendit. Pavarësisht se janë dhënë sinjale se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, një nismë e tillë nuk pritet t’i zmbrapsë opozitën rreth zhbllokimit të punës së Kuvendit.
Opozita thonë se nuk u beson vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sipas këtij blloku, vetëm nëse tërhiqen marrëveshjet e arritura atëherë mund të vazhdojë puna në Kuvend.
Zyrtarë të “Vetëvendosjes” deklarojnë se iniciativa eventuale e presidentes Jahjaga për ta dërguar në Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes për “Zajednicën”, siç e quajnë nuk do t’i tërheqë nga bllokada e punës së Parlamentit.
“Gjykata Kushtetuese është institucion i kapur nga pushteti. Ne nuk besojmë në kredibilitetin dhe legjitimitetin e këtij institucioni. Pranueshmërinë e lëndëve dhe vendimet e saj, kjo gjykatë i merr në bazë të interesave partiake të partive në pushtet e jo në bazë të Kushtetutës së vendit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie, cituar nga gazeta.
—
Kosovë-Këshilli i BE-së miraton Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit
-Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strazburg/
PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ B.Jashari/ Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. “Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strazburg”, deklaroi pak më parë Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Deklarata thekson se, MSA parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku tha se, “miratimi i sotëm i MSA-së nga Këshilli i BE është moment historik për Kosovën, dhe hap faqen e re drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të Kosovës në BE”.
“Të gjitha institucionet kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të ardhur në ditën e sotme. Procesi negociator për MSA ka filluar në vitin 2013 dhe dëshiroj të falenderoj të gjitha institucionet shtetërore për punën e tyre gjatë negociimit të MSA-së, si dhe partnerët tonë ndërkombëtar për përkrahjen e ofruar”, u shpreh ai.
MSA përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Ministria për Integrim Evropian ka bërë të gjitha përgaditjet ligjore për nënshkrimin e MSA-së dhe procedimin e mëtutjeshëm për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 31
- 32
- 33
- 34
- 35
- …
- 47
- Next Page »