PRISHTINË, 20 Tetor 2015/ Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Spanjë, ku do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP).
Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Mustafa do të takohet me udhëheqës të qeverive, si dhe liderë të partive politike të qendrës së djathtë, të shteteve të ndryshme evropiane.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e Republikës së Kosovës.
Gjatë vizitës në Madrid, më 21 dhe 22 tetor, Mustafa do t’i drejtohet Kongresit të EPP-së, ku do të jenë të pranishëm krerë shtetesh dhe udhëheqës të qeverive të dhjetëra shteteve evropiane, që qeverisen nga partitë e qendrës së djathtë.
Njoftimi dërguar nga LDK thekson se, Partia Popullore Evropiane (EPP) është familje politike e qendrës së djathtë, më e madhja në Parlamentin Evropian që nga fundi viteve ‘90, e cila përfshinë në gjirin e saj parti të mëdha siç është Unioni Kristian Demokratik i Gjermanisë (CDU) i kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, apo Partia Popullore (PP) në Spanjë, e kryeministrit Mariano Rajoy, etj.
Lidhja Demokratike e Kosovës është anëtare e EPP-së që nga viti 2012./b.j/
SHOQERIA CIVILE – Jo seanca Kuvendi në Kosovë pa ndryshim të rrethanave
-Deklaratë e organizatave të shoqërisë civile/
Prishtinë, 17 tetor, 2015/B.Jashari/ Organizata të shoqërisë civile në Kosovë dërguan sot këtë deklaratë: Ne organizatat e shoqërisë civile, përmes kësaj deklarate reagojmë me shqetësim rreth gjendjes politike të krijuar në vend. Aktet e dhunës dhe gjuha nxitëse e shfaqur kohët e fundit kanë tensionuar situatën politike dhe paraqesin rrezik për përshkallëzim të mëtutjeshëm.
Në këtë kontekst, ne organizatat e shoqërisë civile, dënojmë fuqishëm të gjitha aktet e dhunës të përdorur nga cilado palë e përfshirë në proces. Dhuna si mjet i veprimit politik është e papranueshme në sistemet me vlera demokratike.
Ne vlerësojmë se mungesa e transparencës dhe gjithpërfshirjes në procese të rëndësishme për vendin, nuk duhet të jenë model i qeversisjes dhe vendimmarrjes institucionale në Kosovë.
Me qëllim që t’i ipet epilog gjendjes së krijuar, ne kërkojmë prej subjekteve politike si hisedarë në këtë proces, që të lëvizin nga pozicionet e tyre ekzistuese, të cilat përveçse nuk prodhojnë zgjidhje ato po përshkallëzojnë tensionin politik dhe e vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit. Gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike.
Thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike.
Po ashtu, ne kërkojmë që në këtë proces të përfshihet edhe presidentja e vendit si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Organizatat e poshtëshënuara:
EC Ma Ndryshe
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
OJQ Konsumatori
Lëvizja FOL
Iniciativa për Progres (INPO)
Klubi Avokues për Personat me Aftësi të Kufizuar
POLIS
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK)
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (KCIC)
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur, Deçan
Syri i Vizionit (SiV)
OJQ – Zana
OJQ – Femrat Aktive të Gjakovës
OJQ – Piramida
Kosove-Beteja e vështirë për UNESCO
-Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, në intervistë për të përditshmen beogradase “Danas”/
Prishtinë, 12 tetor 2015 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas” lidhur me votimin në Bordin Ekzekutiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.
I pyetur se çfarë kishte pritur pret nga mbledhja e djeshme e Bordit Ekzekutiv, ku Kosova korri sukses, Selimi tha se pret që bordi të vendosë për përfshirjen e kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO në agjendën e tij. Selimi theksoi se Bordi i ka 58 anëtarë dhe se Serbia ka përdorur gjithë makinerinë e saj të propagandës për të mos e lënë Bordi të shqyrtojë aplikacionin e shtetit kosovar.
Zëvendësshefi i diplomacisë kosovare tha për mediumin beogradas së në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s po zhvillohen një sërë betejash të ashpra. “Ne po veprojmë me një qasje tejet pozitive, po flasim për shkencë, kulturë, arsim dhe domosdoshmërinë që Kosova të mos mbetet e izoluar. Jemi mirënjohës që një numër rekord i shteteve e kanë përkrahur futjen e kërkesës sonë si pikë të agjendë,” deklaroi Selimi duke shtuar se “s’mund të fsheh faktin që jam i shokuar me strategjinë e Serbisë. Ajo bazohet në një qasje tejet negative dhe gënjeshtra të kulluara. Qeveria e Serbisë po shpreson se nëse i përsërit shumë herë deklaratat e paqena, ndoshta një numër i mjaftueshëm shtetesh do t’u besojnë atyre”.
Ai tha se Qeveria e Serbisë po i kapërcen të gjithë kufijtë e protokollit diplomatik, duke rikujtuar deklaratat famëkeqija të ambasadorit serb në UNESCO, Darko Tanaskoviq, Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, dhe së fundi vet kryeministrit Vuçiq, të cilët i vënë Kosovës epitete prej më të ndyrave, madje duke e quajtur si “terroriste”, ndërsa ambasadorëve u është urdhëruar që të mos ndalojnë së quajturi Kosovën “ISIS”.
Selimi theksoi se, në javët në vazhdim, Kosova do të nënshkruajë traktatin e parë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai tha se qasja e Kosovës nuk është që të godasë fqinjët e saj, por se synon që të konsolidojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
Sa i përket trashëgimisë fetare dhe objekteve fetare në Kosovë në përgjithësi, zëvendësministri Selimi tha se asnjë objekt fetar, përfshirë kishat, nuk do kërcënohet nga vandalët. “Ato janë plot me turistë dhe janë pjesë e sistemit tonë kushtetues. Është gënjeshtër e radhës që anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të dëmtojë kishën. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ka përpiluar tre raporte ku përgëzon Kosovën për dialogun ndërfetar. Ne jemi pjesëtarë aktivë të koalicionit global për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm,” tha Selimi dhe shtoi se Kisha Ortodokse Serbe është e sigurt në Kosovë dhe do të jetë edhe më e sigurt kur Kosova bëhet anëtare e UNESCO-s.
Selimi tha se Kosova ka çështje të ndryshme për t’i spastruar me Serbinë, në mesin e tyre edhe 1 miliard euro që qeveria serbe i ka vjedhur nga pensionet e Kosovës, si dhe borxhi prej 5 miliardë eurosh për kompensimin e dëmeve të luftës. “Këto janë temat që mund t’i diskutojmë. Selimi tha se Kosova vazhdon rrugën e saj drejt BE-së, ndërsa dialogu ka të bëjë me dy shtete që po e njohin njëri-tjetrin pak nga pak.
Në fund, zëvendësministri Selimi tha se Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që fëmijët tanë të jenë të izoluar dhe të mos kenë qasje në UNESCO, vetëm për shkak se fqinjët tanë janë në vorbullën e një furie nacionaliste./b.j/
Kosovë- Jo dhunë!
-Dhuna nuk guxon të zëvendësoj institucionet demokratike shtetërore. Ministri Çollaku pret në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar,O’Connell/
PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për axhendën evropiane të Kosovës.
Ministri Çollaku dhe ambasadori O’Connell, janë pajtuar se mënyra e vetme për të siguruar suksesin e Kosovës në planin e brendshëm dhe në arenën ndërkombëtare është përmes funksionimit demokratik të institucioneve legjitime të zgjedhura nga qytetarët e Kosovës.
“Dhuna nuk guxon të zëvendësoj institucionet demokratike shtetërore”, thekson komunikata e dërguar nga Ministria kosovare.
Po ashtu ambasadori O’Connell, ka rikonfirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj procesit integrues të Kosovës në BE si dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare./b.j/
Kosovë- Gazi lotësjellës në Kuvendin e Kosovës – DEMOKRACI NE TYM….
-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga- Dënojmë veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës për të tretën javë me radhë/
-Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së/
-Opozita: Vazhdojmë përpjekjen për të mbrojtur Republikën, pa kompromis. ‘Zajednica’ nuk kalon!/
– Deputetë të opozitës kanë hequr “mbulojat” e muraleve. Mëse 11 vite pikturat në Kuvendin e Kosovës ishin të mbuluara/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Tetor 2015/ Gazi lotësjellës i hedhur nga opozita ka përfunduar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndërprerje e bllokata, në rrethana që mund të cilësohen edhe të jashtëzakonshme.Në sallën e seancës së Kuvendit, opozita ka hedhur gaz lotësjellës, dhe më pas kryesuesi i seancës Xhavit Haliti tha se “me kaq seanca përfundon”.Deputetes Flora Brovina i është dhënë ndihma e parë mjekësore në ambientet e Kuvendit, ku është hedhur gazi lotësjellës. Edhe deputetja Blerta Deliu është shoqëruar për në automjetin e ndihmës së parë mjekësore. LVV konfirmoi hedhjen e gazit lotësjellës.
OPOZITA: ‘ZAJEDNICA’ NUK KALON, MBAJTJA E SEANCËS ISHTE PROVOKIM
“Përkundër përpjekjeve të pozitës që të vazhdojë seancën edhe në kushtet kur Kosova po defunksionalizohet nga veprimet e qeverisë, opozita pamundësoi një gjë të tillë. Plani i Kadri Veselit nuk u realizua. Opozita vazhdon përpjekjen për të mbrojtur Republikën, pa kompromis. Gazi lotësjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët tanë gjatë protestave të janarit, kundër Jabllanovicit. Kjo ishte një nga qindra bombolat e gazit që janë hedhur mbi ne në ato protesta, por që nuk ka shpërthyer. Aktivistët e kishin gjetur në rrugë. Sot deputetët e përdorën atë bombolë.‘Zajednica’ nuk kalon!”, deklaroi LVV, subjekti më i madh opozitar.Mbajtja e seancës së Kuvendit ishte provokim , deklaroi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.Sipas kësaj partie opozitare, shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që është nën dikatatin e Qeverisë dhe të Kryeministrit, është përgjëgjëse për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
“Përpjekja e tyre, për ta zhvilluar senacën sikur gjithcka është normale, është një provokim i hapur për opozitën dhe një përpjekje për t’i shmangur dështimet e kësaj shumice”, u shpreh AAK.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se shfaqja e sotme në Kuvend nuk është zgjedhje e opozitës, por veprim i domosdoshëm”, vijoi më tej.
“Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në kundërshtimin e dy dështimeve historike të kësaj qeverie, siç janë Demarkacioni dhe Asociacioni.
Prandaj e ftojmë shimicën parlamentare dhe liderët e tyre Mustafa e Thaçi, që t’i japin vendit zgjidhje dhe gjithçka të rikthehet në normalitet. Në të kundërtën ata do të jenë përgjegjës për eskalimin e mundshëm të situates”, thekson AAK në deklaratën e dërguar.
ISHIN PARASHIKUAR TË SHQYRTOHEN NËNTË PROJEKTLIGJE
Në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Kosovës behet e ditur se “sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk ka mundur të vazhdojë seancën e rregullt plenare për shkak të bojkotimit të saj nga partitë opozitare dhe ‘Lista Serbe’. Në këtë seancë plenare, ishin parashikuar të shqyrtohen nëntë projektligje”.
“Deputetët e partive opozitare: Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, edhe në tri seancat e kaluara plenare e kanë bojkotuar vijimin e punimeve. Ato insistojnë se pa tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit Mustafa nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të lejojnë vijimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare te Kuvendit.
VESELI: NUK ËSHTË SITUATË DRAMATIKE
Përkundër këtyre zhvillimeve, të bllokimit të Kuvendit nga opozita, kryeparlamentari Veseli me tone qetësuese duke folur para medias tha se “nuk është situatë dramatike dhe është shumë e qetë”, megjithatë theksoi se “është një situatë që më së paku i duhet Republikës së Kosovës”. Kryeparlamentari Veseli ftoi qeverinë që të shkojë në Kuvend. “Qeveria duhet të vijë në Kuvend”, u shpreh ai.
Në fillimin e seancës së Kuvendit të Kosovës sot nuk ishte Lista Serbe. I pyetur lidhur me këtë, kryeparlamentari Veseli tha se “nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar të Listës Serbe, është e vërtetë se nuk është në seancë”.
Ndërkohë, pas pushimit të zgjatur, seanca ka nisur rivazhdimin mes fërshëllimave të opozitës dhe e kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nga ulësja e deputetit në sallë e jo e keyesuesit. Në vendin e tij të kryesimit të seancës, brenda në sallë, ishte kryetari i Kuvendit, Veseli, i cili sqaroi se nënkryetari Haliti është kryesuesi i seancës në këto momente. Lista Serbe shihej se tash pas ndërprejes së zgjatur po merrte pjesë në seancën e Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e kësaj jave, të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, ku për herë të dytë nuk mori pjesë opozita, ka ftuar për sot seancë plenare të Kuvendit, gjatë të cilës “do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara”, të pamundësuara e ndërprera nga opozita, që nga fillimi i sesionit vjeshtor.
“10 minuta pushim brenda” dha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i “rrethuar” nga opozita ende pa filluar seanca, dhe i ftoi mediat që të hyjnë në sallën e seancës te fotorja – “nga lart të vijnë poshtë”… Në sallën e seancave opozita fërshëllen derisa kryeparlamentari flet para medias në sallë dhe jep përsëri “pushim gjysëm ore”.
“Nuk do të lejojmë që nga Kuvendi të promovohen konflikte”, u shpreh kryeparlamentari Veseli që mezi dëgjohej nga fërshëllimat e opozitës. Ndërsa, opozita në sallë para mediave përsëriti qëndrimin “ose tërheqje nënshkrimesh nga 4 marrëveshjet me Serbinë e marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, ose dorëheqje të qeverisë”.
JANË HEQUR “MBULOJAT” E MURALEVE NË KUVENDIN E KOSOVËS
Ndërkohë, deputetë të opozitës në një “aksion simbolik” kanë hequr “mbulojat” e muraleve në Kuvendin e Kosovës, para seancës së ftuar për sot.Ka mëse 11 vite që pikturat në Kuvendin e Kosovës fshihen prapa pëlhurës.“Skënderbeu”, “Lidhja e Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit”, janë tri nga disa muralet që u vendosën më 2004 në muret e hollit e në sallë, pas renovimit të objektit të ligjvënësve. Por “ekspozita” e tyre nuk zgjati shumë. Vendimi për mbulimin e tyre u mor në kohën kur Nexhat Daci ishte kryetar i Kuvendit, pas disa ankesave të deputetëve serbë.
DEKLARATA POZITË-OPOZITË GJATË NDËRPRERJEVE TË SEANCËS
“Veprimet e opozitës janë një tentativë për të bllokuar shtetin e Kosovës”, deklaroi për median për zhvillimet në Kuvend shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai shtoi se pakica, 30 deputetë po bllokojnë shumicën prej 90 deputetëve.
“Ne kemi protesuar dhe vazhdojmë të protestojmë kundër qeverisë dhe marrëveshjeve të saj të dëmshme për Kosovën”, deklarojnë deputetë të opozitës për median jashtë sallës së Kuvendit, derisa ende nuk kishte vazhdim seance.
VAZHDON KUNDËRSHTIMI DHE BLLOKADA NË KUVEND QË NGA FILLIMI I SESIONIT VJESHTOR
Në axhendën zyrtare për seancën e Kuvendit të Kosovës për sot ishin renditur 9 pika. Në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita në Kuvendin e Kosovës edhe po bojkoton mbledhjet e Kryesisë me shefat e prupeve parlamentare edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.
Kundërshtimi brenda Kuvendit nisi dhe vazhdoi me “aksione simbolike” protestuese në sallën e seancave plenare. Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit.
Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, por opozita me bllokim nuk lejoi votimin për këtë kërkesë as vazhdimin me pikat e tjera të axhendës.
Në seancën e dytë të Kuvendit të Kosovës, që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar, pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Edhe rivazhdimi i seancës së parë të sesionit vjeshtor, të enjten, në 1 tetor, u pamundësua nga protesta e opozitës, edhepse nuk ishte në axhendë raportimi i qeverisë për marrëveshjet. Në këtë situatë, seanca e Kuvendit të Kosovës, e radhitur si e treta e sesionit vjeshtor, që ishte në axhendë të mbahej të premtën e 2 tetorit, është anuluar.
Opozita e bashkuar në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime në peticionin ku kërkohet që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.
Lëvizja Vetëvendosje të martën njoftonte se, kryeministri Isa Mustafa “është gjuajtur me vezë nga aktivistët në Podujevë”. “Policia ka arrestuar dhunshëm dy aktivistë të Lëvizjes”, shtohej më tej për ngjarjen në shesh në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, ndërsa LDK ka reaguar lidhur me dënimin nga gjykata me këtë rast të gjuajtjes me vezë, duke u shprehur se, “vlerëson se dënimi prej 150 eurosh për një sulm të përsëritur ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, është një lloj inkurajimi dhe nxitje për vazhdim të formave të tilla të sjelljes”.
Ndërsa, vetë kryeministri Mustafa mbrëmë në ‘facebook’ është shprehur mes tjerash se: “Çmimi më i lartë që do të paguani për jetën e Kryeministrit është 150 euro. Aq më tepër ky çmim është në veresi. Sepse Gjykata ju pret, kurse ju mund të ankoheni. Kjo është fytyra e drejtësisë sonë. Turpi ynë!”.
Nuk ka pasur ende ndonjë njoftim për ndonjë masë për gjuajtjet me vezë në seancë Kuvendi nga deputetë të opozitës.
“Opozita e vendosur të mos lejojë zhvillimin e seancës”, është sot një nga titujt e ballinave të shtypit kosovar, ku theksohet se, “sipas skenarit të njëjtë pritet të zhvillohet edhe vazhdimi i katërt i seancës së parë plenare të sesionit vjeshtor, i caktuar për të enjten”.
Megjithëse zyrtarisht nuk dihen veprimet që do të mund t’i ndërmarrë kryeparlamentari Kadri Veseli, një burim i gazetës brenda Kuvendit ka thënë se nuk janë diskutuar veprimet që mund të jenë “ndryshe” prej seancave të kaluara, shkruan sot Koha Ditore.
Por, as këtë herë nuk do të mungojnë përpjekjet e Veselit që përmes dialogut ta kthejë normalitetin në Kuvend, ashtu siç ka vepruar në tri seancat paraprake.
“Nëse pamundësohet puna duhet ndërprerë seanca. Janë deputetët që e kanë çelësin e zhbllokimit të kuvendit”, ka thënë burimi. “Megjithatë kjo gjendje nuk pritet të shkojë në pafundësi, por se kur do të futen masat e jashtëzakonshme ende nuk është vendosur”.
Por, opozita e ka bërë të qartë se do të vazhdojë bllokimin sikur në tubimet e kaluara.
PRESIDENTJA JAHJAGA DËNON VEPRIMET E PAPRANUESHME NË KUVENDIN E KOSOVËS
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një deklaratë dënon veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës për të tretën javë me radhë.
Presidentja Jahjaga tha se këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë.Presidentja Jahjaga fton deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna, respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë me sakrificën e tyre personale. Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare, shprehet ajo.Presidentja Jahjaga thekson se qytetarët e Kosovës presin nga të zgjedhurit e tyre, si në pozitë dhe në opozitë, që të avancojnë proceset e konsolidimit të Republikës së Kosovës, e jo t’i shndërrojnë ata në spektatorë të tensioneve, krizave dhe bllokadave të vazhdueshme që pengojnë përparimin e Kosovës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarit.
QEVERIA E KOSOVËS SHPREH KEQARDHJE PËR DHUNËN SOT NË SEANCËN E KUVENDIT
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për dhunën që një grup i deputetëve të opozitës përdori sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku për pasojë disa deputetë morën lëndime dhe kërkuan ndihmë mjekësore, thekson komunikata e sapodërguar.Më tej theksohet se, përkundër kushteve ekstreme të krijuara nga dhuna e manifestuar nga ky grup i deputetëve opozitarë, megjithatë, falë vendosmërisë dhe përkushtimit demokratik të shumicës parlamentare, sot në Kuvend u miratuan disa projektligje me rëndësi për jetën e qytetarëve, të propozuara nga Qeveria e Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përkundër këtyre rrethanave, mbetet e përkushtuar për të përmbushur obligimet e saj ligjore dhe kushtetuese, si dhe për të qenë pjesë aktive e çdo debati parlamentar i cili do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe proceseve integruese euroatlantike të vendit.
LDK: SHPREHIM SHQETËSIMIN DHE BRENGËN E JASHTËZAKOSHME PËR DHUNËN E USHTRUAR NË KUVEND
Lidhja Demokratike e Kosovës në një komunikatë të sapodërguar shpreh shqetësimin dhe brengën e jashtëzakoshme për dhunën e ushtruar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në institucinon më të lartë përfaqësues të qytetarëve të Kosovës.Dhuna e tillë cënon interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës si shtet i ri kanë nevojë për punë dhe përkushtim.
Opozita duhet të heqë dorë nga bllokimi i dhunshëm Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga sjelljet primitive.
Edhe deputetët e opozitës kanë marrë votat e qytetarëve që të punojnë në interes të tyre dhe jo të rrezikojnë sigurinë e të rrënojnë institucionet e vendit.
LDK-ja mbështet deputetët e shumicës, të cilët me gjakftohtësi dhe dinjitet përballuan dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe i falënderon ata për sjelljen e përgjegjshme.
LDK-ja shpreh keqardhjen e thellë për rrezikimin e shëndetit të deputetëve të Kuvendit dhe në veçanti të deputetëve Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, përfundon komunikata.
Shenim i Diellit
DEMOKRACI NE TYM
Klasa politike ne Kosove ia shkele me te dyja kembet rregullat e Demokracise. Pas vezeve, i erdhi radha gazit lotsjelles ne Tempullin e ligjbersve. Kesaj i thohen demokraci ne Tym…
Kaq per kete here….
- « Previous Page
- 1
- …
- 32
- 33
- 34
- 35
- 36
- …
- 47
- Next Page »