DITA QË I HAPI SHTEG LIRISË SË KOSOVËS
-Kosova 19 vjet nga ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, 24 marsi 1999- Dita që i hapi shteg lirisë/
-Si raportova nga Prishtina në Tiranë në orën e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999, përkundër ndërprerjes së linjave/
-Kryeministri Ramush Haradinaj: Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur/
-Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington, në takim me Presidentin Amerikan Bill Clinton: Duhet të na ndihmosh…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 23 Mars 2018/ Në këtë pranverë të 2008-tës bëhen 19 vjet nga 24 marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e shumicës shqiptare të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, shprehu falënderimin për Aleancën e NATO-s, në 19 vjetorin e fillimit të intervenimit që ka quar në përfundimin e luftës në Kosovë. “Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës aleancës veri-atlantike për kontributin në lirinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Haradinaj në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri Haradinaj, sot edhe ka vënë kurora lulesh tek lapidari i ushtarëve të KFOR-it, te komanda qendrore në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, në shenjë nderimi për kontributin e pazëvendësueshëm të KFOR-it, në vendosjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe për të nderuar intervenimin jetik të NATO-s për ekzistencën e Kosovës si shtet.
“Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Ai theksoi se, populli dhe institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e perëndimit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe tani në rrugën e integrimit euroatlantik.
Në fillimet e pranverës së para 19 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në 6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.
Ndërkohë, për shkak të rreziqeve, shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për Agjencinë Telegrafike Shqiptare – Agjencinë zyrtare-shtetërore të lajmeve të Shqipërisë, të nisura në 24 maj 1992…
E, në 24 mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike ishin bërë të pamundura.
Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…
Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.
Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.
Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.
Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.
Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që dhash edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime. Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.
Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur nëgjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.
Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet e fundit që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.
Ai mëngjes i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr nështëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.
Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta. Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.
Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.
Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Edhe në atë ditë e orë historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…
Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 116 shtete të botës.
MË PAK SE NJË VIT PARA NDËRHYRJES SË NATO-s NË KOSOVË, NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…
Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…
MESAZHI I FUNDIT, I VITIT 2005, I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA I URIMIT PËR 24 MARSIN: DITË E AGUT TË LIRISË PËR TË GJITHË NE
Mesazhi i fundit i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës ishte në vitin 2005:
Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja.
Sot, pas gjashtë vjetësh në liri, mund të themi se Kosova pa pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Këtë progres do ta bënte më të madh dhe më të shpejtë njohja e drejtpërdrejtë epavarësisë së Kosovës sa më parë. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e stabile, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të Kosovës.
Për këto gjashtë vjet, KFOR-i, NATO, ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Kështu, KFOR-i, NATO, është bërë forcë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, që nga fëmijët deri te pleqtë.
Me këtë rast, urime të përzemërta u bëjmë ushtarëve të KFOR-it, komandantëve të zonave dhe Komandantit De Kermabon. Njëherësh urime të sinqerta u shprehim UNMIK-ut dhe Kryeadministratorit Petersen, si dhe OSBE-së dhe ambasador Fieskit.
Urime të përzemërta u bëjmë përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruajnë marrëveshje financiare
-Mbështetja financiare e këtij Programi në total është mbi 66 milionë euro/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Gusht 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar sot marrëveshje financiare.
Ministri kosovar për Integrim Evropian, Bekim Çollaku ka nënshkruar Marrëveshjen Financiare vjetore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA). Në emër të Bashkimit Evropian, kjo Marrëveshje është nënshkuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian,Jean-Eric Paquet. Mbështetja financiare e këtij Programi në total është 66.050.000 euro.
Nën programin vjetor të veprimit të IPA-s për Kosovën, do të mbështeten sektorët në vijim: Demokracia dhe Qeverisja, Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore të Njeriut, Energjia, Konkurrueshmëria dhe Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural. Projektet e parapara të mbështetura me këtë Program do të fillojnë së zbatuari në fillim të vitit 2016.
Sa i përket demokracisë dhe qeverisjes, fokus i veçantë do t’i kushtohet përpjekjeve për përmirësimin e administratës publike në Kosovë, me qëllim që t’i mundësohet asaj transpozimi, aplikimi dhe zbatimi i acquis të BE-së, veçanërisht në fushat e mbuluara nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA). Programi do të mbështesë gjithashtu shoqërinë civile në ngritjen e efikasitetit dhe në pjesëmarrjen në procesin e politikëbërjes. Gjithashtu, Programi do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës. Shuma financiare për ketë sektor do të përfshijë 17 300 000 euro.
Sa i përket sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore do të adresohen sfidat në tre nën-sektorë: në nën-sektorin e drejtësisë fokusi do të jetë në fuqizimin e arsimimit ligjor për ngritjen e nivelit të profesionalizimit, llogaridhënies dhe efikasitetit në gjyqësor. Sa i përket punëve të brendshme, fokusi do të jetë në fuqizimin e strukturave që merren me politikat e migracionit në Kosovë dhe në fuqizimin e institucioneve që luftojnë trafikimin me qenie njerëzore. Ndërsa, sa i përket të drejtave themelore dhe minoriteteve, fokusi do të jetë në përmirësimin e respektimit të drejtave të njeriut, duke mbështetur përfshirjen e komuniteteve joshumicë dhe grupeve të cenueshme dhe lehtësimin e dislokimin e familjeve të zhvendosura nga qendrat kolektive. Shuma financiare për ketë sektor do të përfshijë 4 000 000 euro.
Veprimet në sektorin e energjisë do të fokusohen kryesisht në zbatimin e legjislacionit që transpozon Pakon e Tretë për Energji si dhe në reduktimin e emetimeve të karbonit dhe përmirësimin e efiçiencës së sektorit të energjisë në Kosovë. Shuma financiare për ketë sektor do të përfshijë 5 500 000 euro.
Sa i përket konkurrueshmërisë dhe inovacionit, programi do të ndihmojë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit privat në Kosovë, në veçanti përmes përmirësimit të infrastrukturës komunale dhe mbështetjes së ndërmarrësve përmes programit për zhvillim rajonal. Shuma financiare e ndarë për ketë sektor është 12 150 000 euro .
Ndërsa për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, veprimet e parapara do të ndihmojnë në përmirësimin e konkurrushmërisë së sektorit agroushqimor në Kosovë, përmirësimin e kushteve të jetesës për popullatë në zona rurale, përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe rritjes së aftësisë së eksportit të sektorit agroushqimor. Shuma financiare për ketë sektor do te përfshije 10 500 000 euro.
Thaçi: Kosova do të ketë statusin zyrtar të vëzhguesit në NATO
Kosova do të ketë statusin zyrtar të vëzhguesit në NATO, shprehet optimist kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, pas votimit dje për status të vëzhguesit.ka shkruar pak më parë kryeministri Thaçi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
.thekson kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.
Edi Rama: Kosova vëzhguese në Asamblenë e NATO-s, perspektivë e shkëlqyer për shqiptarët/
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka vlerësuar pozitivisht vendimin e Asamblesë së NATO-s për t’i dhënë Kosovës mundësinë për të qenë vëzhguese e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.Kreu i Ekzekutivit në faqen e tij zyrtare në Twitter thekson se kjo mundësi që i jepet Kosovës, është një hap i shkëlqyer.“Kosova vëzhguese në Asamblenë e NATO-s, një tjetër perspektivë e re dhe e shkëlqyer për shqiptarët në rajon.”, shkruan Rama në Twitter .
BERISHA PERSHENDET KOSOVEN PER NATON
Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka përshëndetur vendimin e Asamblesë Parlamentare në NATO për të pranuar Kosovën me statusin e vëzhguesit të saj.Në një postim në faqen e tij zyrtare në facebook, Berisha vlerëson se kjo është një arritje e madhe e Kosovës së pavarur në rrugën e saj të anëtarësimit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.“Te dashur miq, Asambleja Parlamentare e Aleancës se Atlantikut te Veriut e mbledhur ne Riga vendosi te pranoje Kosovën me statusin e vëzhguesit te saj. Kjo është një arritje e madhe e Kosovës se pavarur ne rrugën e saj te anëtarësimit te plote në Aleancën e Atlantikut te Veriut. Urimet me te përzemërta për Kosovën, qytetaret, institucionet, shtetarët, forcat e saj politike për këtë arritje te rëndësishme në rrugën e integrimit euroatlantik-’shkruan Berisha.Kreu i delegacionit të Lituanisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Ojars Eriks Kalnins, ka bërë të ditur se, gjatë takimit në Riga, Parlamentit të Kosovës i është dhënë statusi i vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.Ndërkohë, Rusia është përjashtuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilën përfaqësohej me një marrëveshje të veçantë me Aleancën atlantiko-veriore.
NJË THËNIE ME DOMETHËNIE E MESIÇIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
“Marrëveshja për Konfederatën Jugosllave do të jetë e mundshme vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb.”
Kjo është thënie e Stipe Mesiçit, e shqiptuar në dhjetor të vitit 1990, të cilën e kam shënuar saktësisht atëherë dhe e sjell këtu fjalë për fjalë, gërmë për gërmë, pikë për pikë e presje për presje. Para se të kem zgjeruar vetë thënien e Mesiçit, do kthyer në zhvillimet e mëvonshme të derisotme.
Stipe Mesiç në atë kohë ishte nënpresident dhe pak ditë më vonë do të fillonte detyrën e presidentit të Jugosllavisë, i fundit para shpërbërjes së federatës. Më herët ai kishte qenë gjyqtar, kryetar bashkie, nënkryetar i parlamentit krotat, kryeministër i Kroacisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kroacinë e pavarur do të ishte kryetar i parlamentit, kryetar i Partisë së Kroacisë së Pavarur, më vonë Partisë së Popullit. Pas vdekjes së Tuxhmanit do të ishte dy mandate (10 vjet) president i Kroacisë, duke qenë gjatë gjithë kohës në krye të sondazheve si politikani më popullor i Kroacisë.
Domethënia kuptimplotë e thënies së Mesiçit, saktësia e përkufizimit që Mesiçi ia bën nacionalizmit serb, mjerisht u provua dhe u vërtetua në gjithë periudhën e mëvonshme deri në çastin kur unë jam duke i hedhur këto radhë.
Mesiç i thoshte fjalët e mësipërme në përgjigje të interesimit të gazetarëve nëse ishte e mundur që Jugosllavia të mbijetonte duke u shndërruar në konfederatë, pra në një bashkim të republikave të pavarura, një projekt ky që tashmë tingëllonte vetëm si nostalgji utopistësh të sëmurë.
Qysh në vitet e fundit të jetës të Titos ishte pranuar botërisht se Jugosllavia ishte brejtur në themel nga përplasja mes nacionalizmit serb dhe nacionalizmave republikane. Në kundërpërgjigje të nacionalizmit serb pranohej se ishte ngjallur nacionalizmi sidomos në udhëheqjet e republikave, në elitat e tyre, në intelektualët dhe në masën e rinisë. Kur Mesiç e shqiptonte thënien e lartshënuar, Millosheviçi kishte rreth dy vjet në krye të Serbisë, ia kishte hequr në mars 1989 autonominë Kosovës, duke prishur përfundimisht baraspeshat e konfederatës të krijuara nga Tito. Revanshi nacionalist serb me në krye Millosheviçin ndaj pjesëtarëve të tjerë të federatës kishte nisur pikërisht në Gazimestan më 28 qershor 1989, në shënimin e 600 vjetorit të humbjes së Betejës së Kosovës përballë Osmanëve, me pjesëmarrjen e 1 milion serbëve. Aty kishte lindur edhe sllogani i hedhur nga Millosheviçi se ku ka serbë i thonë Serbi, aty kishte filluar maratona e trenave plot nacionalistë serbë nëpër gjithë territorin e federatës, kishte filluar mbushja e stadiumeve, e shesheve me tubime nga ato që mund të jenë parë vetëm tek fashistët e Musolinit dhe nazistët e Hitlerit në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930.
E pra, çdo logjikë normale, do të thoshte se orekset e nacionalizmit serb, duke pasur nën zotërimin e tyre një hapësirë sa rreth 40% e sipërfaqes së Jugosllavisë, do të ndiheshin të kënaqura.
Mbretëria Serbe, më vonë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, pastaj Mbretëria Jugosllave e, në fund, Republika Federative Jugosllave, siç provoi koha, ishte një gjeopolitikë e sajuar, ishte një krijesë artificiale e Evropës së Vjetër, në trysninë dhe për hatrin e Rusisë. Kjo miniperandori do të ushqente idenë e Serbisë së Madhe dhe nacionalizmin përkatës, me orekse të pangopshme. Kjo do të sillte dukurinë famëkeqe të “ballkanizimit”, do të sillte serbocentrizmin në trajtimin e rajonit nga ana e Evropës dhe bashkisë ndërkombëtare, pra vënien e interesave serbe në qendër të vëmendjes në dem të interesave të fqinjëve të tyre, madje duke i flijuar këto interesa.
E arnuar si mos më keq nga pjesë të mbetura të Perandorisë Austro-Hungareze, qytetarët e të cilës e ndienin evropianë, si dhe me pjesë të mbetura të Perandorisë Otomane, sajesa artificiale e krijuar nga dy Frankenshtajnë -Evropa e Vjetër dhe Rusia, do të ishte një koniunkturë dyshekullore në duart e serbëve, e financuar nga Lindja dhe Perëndimi. Edhe në periudhën e Titos, serbët arrinin të mbajnë në duart e tyre forcat e armatosura, pra ushtrinë, policinë, shërbimet inteligjente. Në fund të viteve 1980 ata kishin në duart e tyre makinerinë jugosllave të luftës, një nga më të shtrenjtat e kohës. Kjo makineri pothuaj gjatë gjithë viteve 1990 do të përdorej kundër kombeve fqinje- kryesisht kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Kroatët – 12 shekuj katolikë, ndër ta Mesiçi, e ndienin dhe e ndiejnë veten evropianë dhe vendin e tyre Evropë gjatë gjithë kohës, aq sa serbët – 11 shekuj ortodoksë e ndienin dhe e ndiejnë veten shumë më afër rusëve dhe Rusisë. Kjo kundërthënie kaq e pazgjidhshme do të ishte në qendër të shpërbërjes përfundimtare të federatës së mbisunduar nga serbët. Pamundësia për marrëveshje me serbët do të ishte dhe do të jetë në qendër të destabilitetit që ende vazhdon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht, nacionalizmi më i fuqishëm, i përftuar si pasojë e drejtpërdrejtë e nacionalizmit serb, do të ishte nacionalizmi kroat, i cili do ta gjente veten tek Franjo Tuxhmani, presidenti i çlirimit të Kroacisë dhe konsolidimit të saj shtetëror. Duke folur për presidentin nacionalist kroat Tuxhman, Mesiç thotë se ai ishte ‘udhëhequr nga ideja se kur Millosheviçi rrëmbente një pjesë të Bosnjës, atëherë edhe Kroacia duhej ta rrëmbente një pjesë të saj.
Kroacia do të ndeshej e para me makinerinë serbe të luftës dhe do të shndërrohej në shkollë edhe për disa nga komandantët dhe luftëtarët e shquar shqiptarë, në krye të luftës për liri disa vite më vonë në Kosovë.
Nacionalizmi shqiptar, në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të figuronte si nacionalizmi më i goditur, si gjatë gati një shekulli në Jugosllavi, ashtu edhe gjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri. Në Jugosllavi u ushtrua genocid sistematik ndaj çdo shfaqjeje të nacionalizmit shqiptar. Për këtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, u përdorën edhe partizanët e Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore.
Fat do të ishte që nacionalizmi shqiptar i ditëve tona do të formulohej nga Ibrahim Rugova, me prejardhje të mirëfilltë nacionaliste shqiptare, Rugovës i ishin vrarë nga partizanët serbo-malazezë gjyshi Rrustemi dhe babai Uka, me të cilin nuk u pa kurrë dhe nuk e njohu kurrë, sepse e la në barkun e nënës. Rugova do të zgjidhte rrugën paqësore të kundërshtimit ndaj serbomëdhenjve dhe do të përcaktohej për Kosovën e pavarur dhe sovrane, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbi bazën e këtij vizioni, oreksi i nacionalizmit shqiptar do të ndjehej i përmbushur me konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me realizimin e statusit shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët e Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës e të tjerë, të cilëve t’iu njihen të drejtat e pakicave kombëtare, sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian.
Antonomia midis kroatëve dhe serbëve, siç e pamë, do të ishte një antonimi e plotë. Ndonëse sllavë të jugut, ata përbënin dy kultura të ndryshme, e para vinte si kulturë dhe qytetërim i mirëfilltë evropian, e dyta vinte nga përvoja bizantine dhe postbizantine (otomane), pra përfaqësonte kulturën më të sofistikuar aziatike.
I njëjti këndvështrim vlen për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Serbisë dhe shqiptarëve. Kjo u provua edhe gjatë dy shekujve të fundit. U provua edhe gjatë dy-tre dekadave të fundit sidomos në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Në të njëjtin këndvështrim do parë edhe situata aktuale e përpjekjeve të Brukselit për të bindur Serbinë të nënshkruajë me Kosovën një marrëveshje të hartuar nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje i detyron të dyja palët barabar t’i përmbahen fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, duke respektuar ndërsjelltas pavarësinë dhe sovranitetin, çka është në të mirë të të dy vendeve, përkatësisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në tërësi e veçanërisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë e në Serbi.
Zyrtarët dhe analistët evropianë dhe perëndimorë pranuan se Beogradi nuk e nënshkruan marrëveshjen për shkak të presionit të kishës ortodokse serbe dhe të nacionalistëve serbë. Kështu pranohet se nacionalizmi serb është nacionalizëm i frymëzimit fetar. Ndërkohë që dihet se nacionalizmi me frymëzim fetar është një ndër rreziqet më të mëdha të kohës sonë. Pra, këtë nacionalizëm e udhëheq dogma fetare. E udhëheq edhe dogma e përpunuar nga shkenca serbe. Dihen platformat e prodhuara nga kjo akademi, sidomos në dëm të shqiptarëve. Dihen edhe elaboratet famëkeqe të Cubrilloviqit, Andriqit e të tjerëve, analistët perëndimorë edhe sot citojnë thënien e një ish kryeministri serb, Vlladan Gjoergjeviqit se shqiptarët “kanë bisht si majmunët dhe kur i zë nata në pyll, ngjiten në pemë, e lidhin bishtin në degë dhe flenë”.
Në fakt, në fuqi në Beograd janë pikërisht dy parti nacionaliste. Partia e Sheshelit – nacionaliste e djathtë, ka presidentin e Serbisë, ndërsa partia e Millosheviçit, nacionaliste e majtë, ka kryeministrin e Serbisë, repsektivisht Nikoliqin dhe Daçiqin.
Mjerisht, asgjë nuk pritet nga këto parti të damkës së vjetër, aq sa nuk pritet nga një parti si ajo e Tadiçit, tashmë e Gjilasit. Asgjë nuk pritet as nga brezi më i ri i politikanëve të Serbisë, ndër të cilët, Vuk Jeremiq, i njohur si krahu i djathtë i Tadiçit.
Jeremiç, i datëlindjes 1975, me shkollim kryesisht perëndimor, në periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ka lobuar kundër njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë, Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut, Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi, Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri, Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo, në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane , në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë, Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit, Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega, Antonio Saka, Álvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo. Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër i Jashtëm i Serbisë.
Jeremiç, natyrisht, nuk ka si të krenohet me faktin se ai i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jepte mendimin ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë “një precedent”, sepse gjykata dha vendimin bumerang për Jeremiçin dhe Serbinë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i cënon ligjet ndërkombëtare.
Ishte hera e parë që një deklaratë pavarësia dërgohej në gjykatë. Dhe gjykata e shpalli opinionin e saj më 22 korrik 2010. Me një votim 10 me 4, ajo deklaroi se “deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk e shkeli ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, (1)sepse ligji ndërkombëtar nuk përmban ndalim të deklarimit të pavarësisë, (2) deklarata e pavarësisë nuk e shkeli as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa kjo nuk e përshkruan statusin përfundimtar të Kosovës, (3) as vetë Këshilli i Sigurimit nuk ia ka rezervuar vetes vendimin për statusin përfundimtar.”
Në vend që Jeremiçi dhe vetë qeveria e Tadiçit të jepnin dorëheqjen e menjëhershme për këtë humbje të rëndë, atyre iu hodh varka e shpëtimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare me Rezolutën për Kosovën të 9 shtatorit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutë që ia linte Bashkimit Evropian pajtimin e palëve, pra Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e mënyrës së zbatimit të planit Ahtisari, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe ishte bazuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Me përkrahjen e Rusisë, Kinës, shumicës së vendeve në zhvillim dhe një numri të vendeve perëndimore, i kundërshtuar nga vendet kryesore perëndimore, Jeremiç arrit të zgjidhet kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, detyrë të cilën e filloi në shtator të vitit 2012. I pyetur se a do të lejonte anëtarësimin e OKBsë në Kosovë gjatë mandatit të tij në OKB, Jeremiç deklaroi se pa kaluar mbi trupin e tij Kosova kurrë nuk do të anëtarësohet në OKB.
Serb nga babai, boshnjak nga nëna, ortodoks nga babai, mysliman nga nëna, Jeremiç duket se e vuan çmendurisht dyzimin e tij, saqë nuk njeh skrupuj në shërbimet ndaj projekteve të çmendura nacionaliste për Serbinë e Madhe.
Pak muaj pasi ka filluar detyrën në Pallatin e Qelqtë, Jeremiç ka futur në përmbyllje të koncertit të Vitit të Ri në Kombet e Bashkuara këngën e paraqitur si ‘Marshi i Madh i Paqes’, i kënduar nga kori serb ‘Viva Vox’, i cili ishte në fakt një himn serb, i titulluar ‘Marshi për në Lumin Drina’ i kënduar nga ultranacionalistët serbë gjatë luftërave të viteve 1990. Më 15 janar Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës Veriore postonte një letër të hapur në ueb-faqen e vet për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në të përfshiheshin nënshkrimet e liderëve të Institutit për Hulumtimin e Gjenocidit, të Këshillit Konsultativ për Bosnje dhe Hercegovinën dhe të Institutit Boshnjako-Amerikan për Gjenocid dhe Qendrës Edukative. Në letër thuhej: “Koncerti ishte një ofendim skandaloz i viktimave të gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, sepse orkestra interpretoi këngën famëkeqe dhe nacionaliste serbe ‘Marshi në lumin Drina’. Gjenocidi që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Zepa, si dhe në pjesë të tjera të Bosnje e Hercegovinës, është kryer nga agresorët serbë, të cilët këndonin këtë këngë, derisa kryenin dhunimet, vrasjet dhe bënin spastrimin etnik të popullatës joserbe.” Sapo mori vesh të vërtetën për këngën e futur kontrabandë nga Mesiçi, e cila nuk ishte as në listën e programit zyrtar, nxiti zëdhënësin e Ban Ki Munit që të shprehte keqardhjen.
Por skandali më i madh i Jeremiçit në Kombet e Bashkuara është organizimi këto ditë i debatit për rolin e Tribunalit të Hagës, ku praktikisht Jeremiçi, Nikoliqi e Mërkiqi vënë Hagën në bankën e të akuzuarit, ku madje Nikoliqi e konsideron inkuzicion Gjykatën Ndërkombëtare kundër Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Njerëzimit në ish Jugosllavi. Nuk ka pranuar të marrë pjesë presidenti i Tribunalit Theodor Meron, i cili e ka kritikuar debatin duke thënë se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”.Debati do të bojktohej nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet kryesore perëndimore.
Të nesërmen pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i ditës së djeshme për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në një polemikë “çekuilibruar” dhe “nxitëse” e përsëriste edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker: “Debati ishte një mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm punën e Tribunalit të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të Bashkuara. Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin parasysh përpjekjet për të sulmuar Tribunalin e Hagës.
Fakte të tilla nuk mund të mos përforcojnë bindjen se nacionalizmi serb është i vetmi nacionalizëm revanshist në rajon e më gjerë. Të gjithë nacionalizmat e tjerë i kanë përmbushur ose përkufizuar kënaqshëm objektivat e tyre. I vetmi nacionalizëm që nuk mund të parashikohet as në synimet, as në mjetet, as në skrupujt është nacionalizmi serb.
Rruga e integrimit të Serbisë dhe të serbëve në Evropë dhe në Perëndim është një formë e drejtë edhe për paqësimin dhe përparimin afatgjatë të rajonit e të kontinentit. Kjo nuk do të thotë që integrimi me çdo kusht i tyre t’i vonojë apo t’i mbajë peng si deri sot fqinjtë e tyre. Fakti është se Serbia, nëpërmjet Republikës Serbe, po e mban të paralizuar Bosnjën, duke ia mohur çdo perspektivë asaj. Fakti është se Serbia, nëpërmjet pranisë së saj të shtrirë në formë metastazash, po e mban gjithnjë e më të paralizuar Kosovën. Një autonomi e veriut të Kosovës do të ishte rrënim i Kosovës.
Me rastin e refuzimit nga Beogradi të nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Brukseli për fqinjësinë me Kosovën, shumë analistë dhe zyrtarë perëndimorë shfaqën mendimin se Serbia mund ta nënshkruajë marrëveshjen vetëm nën diktat dhe se këtë diktat nuk mund ta ushtrojë Bashkimi Evropian, mund ta ushtrojnë vetëm Shtetet e Bashkuara, prandaj procesin duhet të marrin në dorë Shtetet e Bashkuara.
Shumë analistë, ndërkohë, me të drejtë, shprehen se Serbia nuk është serioze në zbatimin e marrëveshjeve, edhe kur i nënshkruan ato, ashtu si ka ndodhur me marrëveshjet e pjesëshme të nënshkruara me Kosovën, ndonëse atje Kosovën e ka katandisur si mos më keq, me fusnotë.
Prandaj është e domosdoshme që Serbisë, përfundimisht, t’i vihet kusht sine qua non njohja e Kosovës së pavarur dhe sovrane, si pikënisje kryesore për hapat e mëtejshëm integrues të Serbisë në Evropë dhe në Perëndim, sepse çdo marrëveshje është e mundshme, siç thotë Mesiçi “vetëm nëse serbët i pranojnë tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një serb”.