Federata “VATRA” dhe Gazeta “Dielli” urojnë të gjithë besimtarët myslimanë, në Diasporë dhe Vendlindje, me fat Kurban Bajrami!
Besimtarët shqiptarë, dhe ata në të gjithë botën, sot (e enjte) po festojnë Kurban Bajramin. Për nder të kësaj festë, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët. Besimtarët në Shqipëri janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit, ndërsa në Kosovë, manifestimi qendror për këtë festë po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Për nder të kësaj feste, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, duke thënë se “në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”. Me një urim për këtë festë, të gjithë besimtarëve myslimanë, iu është drejtuar edhe kreu i bektashinjve, Baba Mondi. “Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit”, uroi ai. Ndërkohë, edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se, vlerat e mirëfillta të kësaj feste manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanizmit.