Nga Thanas L. Gjika-Disa ditë më parë, më 10 gusht, e nderuara Zonja Lavdie Nela, me rastin e 32-vjetorit të varjes së bashkëshortit të saj, poetit disident Havzi Nela, bëri një thirrje të re për hapjen e dosjeve dhe dënimin e atyre që e dënuan poetin, pra dënimin e kriminelëve që janë ende me detyra në pushtet. Fakti që kjo thirrje e përsëritur nuk ka marrë përgjigje, tregon se shoqëria jonë ka mbetur ende e inkriminuar dhe nuk ka ndërmend të dënojë krimet e kohës së diktaturës komuniste.
Kokëfortësia e qeverisë shqiptare në mbrojtje të bëmave të diktaturës komuniste u shfaq hapur dhe në deklaratën që dha Kryeministri, Z. Edi Rama pak muaj më parë: “Shqipëria komuniste ishte në krahun e duhur të historisë”. Po ashtu kjo kokëfortësi është shfaqur dhe në përpjekjet që bëhen për mbushjen e SPAK-ut me bijtë e njerëzve të inkriminuar të kohës së diktaturës, bij të cilët nuk kanë shprehur në shtyp qëndrimin e tyre kritik ndaj krimeve të etërve të tyre.
Gazetrari i mirënjohur Frank Gj, Shkreli me artikullin “Poeti Havzi Nela si zgjim i ndërgjegjes morale kombëtare dhe ndërkombëtare në Shqipëri” kritikoi ashpër si Kryeministrin për deklaratën e tij dhe ndërkombëtarët që po e zvarrisin plotësimin e SPAK-ut me elementë të denjë për të filluar sa më parë nga puna. Shkreli solli dhe pjesë nga poezia e Nelës dhe nga një artikull i Ismail Kadaresë shkruar vitin e kaluar për këtë poet të martirizuar. Ajo që u dhemb artikullshkruesve është fakti se shoqëria jonë noton në plogështi, asaj i mungon ndërgjegja dhe morali demokratik. Ndërkohë poeti Visar Zhiti ripublikoi në faqen e tij “Miqtë e Visarit” poezinë kushtuar bashkëvuajtsit Nela…
Në Shqipërinë e sotme ka shumë krijues, të cilët përpiqen t’u japin veprave të tyre artistike një formë moderne me figura tërheqse, por me një përmbajtje ideore larg zbulimit dhe vlerësimit të Njeriut të viktimizuar prej regjimit diktatorial, larg prej dënimit të sistemit komunist si sistem kriminal, që deformoi të vërtetën historike për hir të propagandës së tij.
Havzi Nela ishte një Njeri, një Poet që u viktimizua prej regjimit komunist sepse dënoi në poezinë e tij propagandën e shtetit diktarorial për durim e shpresës për një jetë më të mirë që do të vinte mbas ndërtimit të komunizmit. Durim e shpresë për një shoqëri imagjinare, që nuk do të vinte kurrë:
“Pse t’ më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie.
Unë skllav i bindun, tash kur s’jam as djalë?
“Deri kur durim, deri kur me shpresa?
Jo, jo, mos më thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue!”
(“O liri, o vdekje!”)
Kjo poezi ishte dhe mbetet kushtrim për zgjimin e ndërgjegjeve tona, të cilin qeveria e Ramiz Alisë e ndëshkoi me varje. Më 9 gusht 1988 u lajmërua populli i qytetit dhe i fshatrave të Kuksit që të mblidhej të nesërmen në ora 10:00 e mëngjezit te sheshi kryesor i qytetit për të marrë pjesë në dënimin shembullor që do t’i jepej “armikut të popullit Havzi Nela”. Populli u mblodh në orën e caktuar te sheshi i qytetit, por dënimi i poetit, varja e tij ishte kryer që në orën 2:00 të natës. Në prani të popullit, ekzekutorët e prenë litarin dhe e lidhën pas karrocerisë së një kamioni, të cilin filluan ta shëtisnin nëpër qytet duke hequr zvarrë kufomën e poetit për të ngjallur frikë e tmerr në prag të kapitullimit të sistemit diktatorial.
Që atëhere deri sot asnjë nga ish-kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nuk e ngriti zërin kundër këtij krimi të shëmtuar, asnjë prej tyre nuk mori një tufë me lule e të shkonte te varri i poetit për të kërkuar të falur ndaj gojëkyçjes së atëhershme…
Në Shqipëri më 2019 u rikrijuar Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, organizatë së cilës qeveria nuk i ka dhënë ende asnjë fond, asnjë zyrë e asnjë ambjent ku mund të kryejë aktivitete për promovim librash, përkujtim shkrimtarësh dhe artistësh, në një kohë që parti inegzistente me katër a pesë anëtarë vijojnë të kenë zyra e të marrin fonde prej qeverisë Rama.
Shpresoj që Lidhja e re e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë të organizojë ceremoni homazhesh te busti i Havzi Neslës në Kukës dhe te memoriali i poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka në Librazhd, ku të flasin anëtarë të kësaj lidhjeje për të kritikuar krimet makabre të regjimit komunist ndaj këtyre “Pishtarëve të Demokracisë”. Me të tilla veprimtari që do të ngrenë moralin e shqiptarëve kjo organizatë krijuesish do të justifikojë ekzistencën e saj dhe do t’i imponohet qeverisë dhe mbarë opinionit shqiptar në krejt Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë që të njihet dhe përkrahet.