-Sotë në Father’s Day u organizua ceremonia e mbylljes të vitit Shkollor 2020-2021 . Kryeredaktori i Gazetës Dielli në emër të Vatrës falenderoi mësuesit, nxënësit dhe prindërit për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
-Për 5 nxënsit më të mirë VATRA u dhuroi nga biblioteka e saj librin e “Poem Kosovar” të Dhimitër Pasko(Mitrush Kuteli)…
20 Qershor 2021- Astoria –Queens-New York-Sot në orën 9 e 30 paradite në mjediset e Shkollës shqipe”Kuq e Zi” me drejtues z. Kristaq Papa, u organizua ceremonia e ndarjes së dëftesave të nxënësëve, të cilët e ndoqën këtë të vit të vështirë mësimor përmes programit virtual në Zoom. Edhe pse nuk kanë mundur të vijnë të gjithë nxënësit dhe prindërit për shkak të pushimeve, ceremonia dhuroi emocione. Së bashku me vatranin Veis Belliu, ndoqëm veprimtarinë. Fëmijët, të shoqëruar nga prindërit, sillnin tufa me lule dhe urimin”Happy Father’s Day”!
Kristaqi dhe e shoqja Pavlina, një ndihmëse e papërtuar e Kristaqit gjatë procesit mësimor, i pritën të gëzuar fëmijët dhe të gjitha bisedat zhvillohen në gjuhën shqipe.
Njëri nga nxënësit,Tomas Ford, është rast i veçantë i kësaj shkolle: Është fëmijë i dy prindërve, me kombësi të ndryshme, nënën e ka shqiptare nga Saranda, ndërsa babain amerikan. Duke qeshur ai e përfaqon Kristaqin dhe e uron në gjuhën shqipe. Pyetjeve në shqip, u përgjigjet plot siguri me një shqiptim fare të pastër. Është nëna, Ledia, që mbanë përdore vajzën e vogël Sara(të cilën do ta sjellë sapo të rritet dhe pak në shkollën shqipe)-, që e falenderon Kristaqin, ndërsa ia ia kthen: Jo zonjë, më duhet mua t’ju falenderoj se ishit një nga nxitëset për ta vazhduar mësimin edhe në kohë pandemie, duek dhënë një shembull për prindërit e tjerë!
Ledia Ford(Kulla), bijë e një mësuesi shqiptar, e ka në gjak shqiptarizmin, prandaj ka vendosur t’ua mësojë gjuhën shqipe fëmijëve.
Flet I biri, Tomas: Unë, këtë Verë, do të shkoj me pushime në Sarandë, edhe në Vlorë, dhe atje do të flas e do të mësoj më shumë shqipen e folur.
I ndjekim me radhë fëmijët tek hyjnë njeri pas tjetrit: Erion e Mason Papa, Amelia Semini, Alba Bundo, Klara dhe Gabriel Shuku, Ema Gegollari, të gjithë të shoqëruar nga prindërit.
-Ndjehem keq,- thotë Kristaqi- se sot nuk i kam këtu dy nxënës shumë të mirë Emilia dhe Aria , mbesat e Vasil Gallanit, si dhe nxënës të tjerë, por kam shumë shpresë që të ribashkohemi të gjithë në fillimin e vitit të ri shkollor me 15 Shtator 2021, së bashku me mësuesen File Shehu, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shkollën shqipe”Kuq e Zi”.
Në fjalën e rastin e mbylljes së programit, drejtuesi i shkollës shqipe, Kristaq Papa, i falenderoi emër për emër nxënësit dhe në mënyrë të veçantë prindërit e tyre, të cilët kanë qenë mbështetës në këtë proces mësimor, duke ndihmuar fëmijët e tyre edhe nëpër shtëpia. Më pas ai tregoi vëshrirësitë e këtij viti shkollor, ndërsa për cilësinë e programit, tha se do ta shihnim vetë gjatë programit që do të ndiqnim… Fëmijët recitojnë bukur poezi nga gjuha shqipe, madje edhe grupi që sapo ka mbaruar Abetaren, ishte shumë i sigurtë. Ndërsa grupi i nivelit të katërt shpalosën njohuritë e tyre në gjuhën shqipe plot siguri, histori, e kulturë. Analizat morfologjike dhe sintaksore, përcaktimi i gjymtyrëve të fjalisë dhe përcaktimi i kategorive gramatikore, formimi i fjalive aty për aty, ishin në nivel të kënaqshëm. Prindërit ndjeheshin të kënaqur dhe i shoqëronin përgjigjet me duartrokitje.
Kryeredaktori i gazetës Dielli, Dalip Greca, që e ka ndjekur ecurinë e shkollës shqipe “Kuq e zi” që nga çelja e saj me 7 Mars 2015, me rastin e Festës së Mësuesit, përshëndeti ekipin mësimor, nxënësit dhe prindërit, të cilët të gjithë së bashku arritën që ta kurorëzonin një vit të vështirë mësimor, ku njerëzimi u përball me Pandeminë.
Për 5 nxënësit më të mire( Tomas Ford, Erion Papa, Amelia Semini, Mason Papa, Alba Bundo), në emër të Vatrës, Kryeredaktori dhuroi librin “Poem Kosova” të Dhimitër Paskos(Mitrush Kuteli), një botim dhuratë për Vatrën nga i ndjeri Petraq Ktona. Greca u përcolli të pranishmëve këngën e parë të poemës dhe më pas ua dhuroi librin.
***
Shkolla Shqipe”Kuq e Zi” në Astoria –Queens, New York, është çelë në ditën e Festës Kombëtare të Mësuesit,7 Mars 2015, gjashtë vite të shkuara dhe ka ruajtur rregullsinë e procesit mësimor.Kjo shkollë e hapur në Astoria- Queens, New York, ka shënuar një ngjarje të rrallë të diasporës shqiptare në historinë më shumë se 150 vjeçare të komunitetit shqiptar të Amerikës. Shkolla shqipe janë hapë, mbyllë, e rihapë, në shumë shtete e qytete të Amerikës, përgjatë një shekulli. Përmendim shkollat në Boston, që më 1911, shkollat e New York-ut, Chikagos, Ohios, Detroitit, por në Astoria, një zonë e dominuar nga komuniteti grek, nuk ka pasë shkollë shqipe.Një grup shqiptarësh që jetojnë në Astoria, Nju Jork, me në krye Kristaq Papën, ndihmuar nga Kristaq Foto, që me bujari lëshoi mjedisin për klasën e parë pranë Kafesë”Kuq e Zi” , dhe një grup aktivistësh shqiptar, që dhanë mbështetjen e duhur, zgjodhën Festën e Mësuesit për ta çelë shkollën shqipe. Faleminderit bashkatdhetarë që mbani të ndezuar atdhetarizmin dhe Gjuhën Shqipe në SHBA.(Korrespondenti i Diellit)
- Më shumë fotografi i gjeni në Facebook