• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nacionalist?! Kostum që nuk i ka shkuar asnjëherë për shtat…

March 17, 2014 by dgreca

SHKRUAN: KRISTAQ TURTULLI/

  Apologji për vete dhe për të tjerët/

‘Çfarë është shënuar në monedhë? pyeti Jezu Krishti. Koka e Cezarit, i thanë. Atëherë jepini Cezarit çfarë i takon Cezarit dhe jepini Zotit çfarë i përket Zotit, u tha Jezui.

E pra siç ka thënë Jezu Krishti, këtu e dymijë vjet më parë. Le tu japim secilit atë që u takon, pa mëdyshje, pa pasione, pa komplekse. Atyre personave që kanë luajtur dhe luajnë role të rëndësishme, për fatet e kombit shqiptar, përgjatë shekujve dhe dekadave, për mirë ose për keq. Ne që e kemi jetuar dhe parë kthjelltas me sytë tanë e dimë mirë, dhe tu themi atyre që vijnë pas ashtu siç ishte në të vërtetë.

Një moment me sinqeritet mendojmë se, kanë rrjedhur gjithë kjo ujë nën urë dhe nuk do të rikthejmë më kryet nga e shkuara. Do të ecim përpara pa u ndalur. S’janë pak por 24 vjet, qysh atëherë, kur u mendua se ndodhi përmbysja. Dëshira për një vështrim përpara për një jetë të re demokratike. Me mendësi të reja progresiste.

Mes nesh, e kësaj periudhe është rritur burrëruan në të tjera kushte dhe mendësi një tjetër brez, qe nuk e njeh të vërtetën ashtu siç është. Me indiferentizëm e merr ashtu si ja thonë. Shpesh thuhet se nuk duan të dëgjojnë asgjë për sa ka ndodhur përpara 24 vjetëve. Ndërsa për brezin tonë e ca më tej, pëshpëritet mes vedi, me thënë të drejtën jemi lodhur. Sepse qysh në fëmijëri na detyruan të mësonim, parulla standarde, steriotipe; për partinë, për Enverin, për diktaturën dhe internacionalizmin proletar. Për dhunën e pamëshirshme ndaj klasës së përmbysur. Nacionalizmin, deri në asgjësimin e plotë të saj. I lexonim këto kudo të afishuara nëpër mure. I përsëritnim këto çdo në mëngjes, çdo në drekë dhe çdo mbrëmje. Shpesh herë na ngrinin në mes të natës dhe na urdhëronin të përsëritnim, ti thoshim me zë të lartë. Na trembej gjumi. Na regëtinte zemra, na këputej syri. Ne sy mbyllur, si somnambulë përsëritnim atë nuk donin kurrë ta mendonin dhe jo më ta thoshim. Na i shurdhuan veshët për dyzetepesë vjet të dëgjojmë, si i binin fyellit në një vrimë. Fatmirësisht edhe pse pak me vonesë, u kuptua prej të gjithëve se fyelli i vjetër nuk paska vetëm një vrimë, por shumë vrima, ku mund të vendosësh gishtërinjtë dhe të lëshosh të tjerë tinguj.

Por ka nga ata që nuk lodhen dhe nuk mërziten. Ata, të djeshmit e pushtetshëm, që tashmë janë të nginjur me para, duke e lënë popullin fukara dhe i kthehen dhe i rikthehen me djallëzi, duke gjetur të tjera shtigje të verbëta, si rastësisht, gjoja të paditura, si fjala vjen:‘ Nacionalizmit’.Ti ngrenë më pas në skenën shqiptare. Ti bëjnë të vërteta të padiskutueshme, dhe dalë ngadalë rivendoset ëndrra e tyre, me xhepat e mbushura me para. Instituti marksist leninist është përmbysur, por ekziston akoma në ata që e krijuar dhe në ata qe u mësuan…

Sot Shqipëri, me ndryshimin e kahut politik, ardhjes në pushtet të një partie tjetër. U zgjuan nostalgjitë e patologjitë e strukura. Ato gjithnjë ngrihen e ulen, dallgëzohen, vazhdojnë të përplasen në memorie dhe sot e kësaj dite. Ndoshta  dhe më tepër, paçka e kemi 24 vjet demokraci… Tani kanë filluar të zgjohen e të dëgjohen të tjera zëra të paqena rreth ‘nacionalizmit’ të E. Hoxhës. Sakaq u hap tjetër vrimë në fyell, paçka se fyelli është të vjetër, i krimbur prej kohës. Por ata kanë filluar ti bien kësaj vrime. Çfarë paradoksi! Ndoshta nuk është paradoks, por kalë Troje. Kur vetë ai po të qe gjallë, të dëgjonte një gjë të tillë, do të zemërohej dhe do të gjëmonte: ‘Kush guxon të më quajë mua nacionalit?’Ndoshta nuk dihet, sepse ai gjithnjë e dridhte.

Sigurisht që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se mund ta bënin të tillë. Ishte ai, që me bindje dhe ndërgjegje të plotë, shfarosi me zjarr dhe me hekur klasën fisnike dhe nacionalizmin shqiptar, punoi e bashkëpunoi kundër popullit kosovar. Ishte ai që mbolli tek ne internacionalizmin proletar dhe diktaturën e proletariatit, eksperiment alaenverist. Nacionalizmi për të ka qene si fantazma e përgjakur e Bankos që e ka përndjekur dhe munduar mbretin vrasës Makbeth.

Filozofi empirik Tomas Reid është shprehur: Supozoni një oficer që është fshikulluar kur ishte një djalë në shkollë për vjedhje në një kopsht, të ketë marrë një standard prej armikut në fushatën e tij të parë, dhe që është bërë një gjeneral në moshë të përparuar, mendoj, gjithashtu, e cila duhet të pranohet që të jetë e mundur, që, kur ai mori standardin, ai ishte i vetëdijshëm që ka qenë i fshikulluar në shkollë, dhe që kur ai u bë një gjeneral, ai ishte i vetëdijshëm për marrjen standardeve, por kishte humbur absolutisht vetëdijen e rrahurës së tij. Reid vazhdon të argumentojë se në kriterin e identitetit personal që fliste Jon Locke, gjenerali është i njëjti person si oficeri, dhe oficeri është i njëjti person si ai djali, por meqenëse nuk ka asnjë lidhje psikologjike ndërmjet djalit dhe gjeneralit, del që gjenerali dhe djali nuk janë i njëjti person.

Fuqia e argumentit nuk është vetëm që ne mendojmë intuitivisht që djali dhe gjenerali janë i njëjti person. Një mbrojtës i Locke-ut mund thotë se në një kuptim shumë të vërtetë gjenerali është person shumë ndryshe nga fëmija. Në të vërtetë  argumenti i oficerit trim qëndron duke treguar se pozicioni i Locke-ut rezulton në një kundërshtim, që shkakton, si Reid e vë atë, se “gjenerali është , dhe në të njëjtën kohë nuk është, i njëjti person me atë që fshikullohej në shkollë .” Ky rezultat ndodh për shkak të një parimi logjik i njohur si transitivitet i identitetit. Shkurt, transitiviteti i identitetit është principi që është A = B dhe B = C , atëherë A = C. Argumenti “oficerit” i Reid-it tregon se kriteri i Locke-ut i identitetit personal është në kundërshtim me këtë rregull. Si rezultat e kësaj kontradikte, ajo hedh poshtë kriterit e Locke-ut  si një kusht i nevojshëm ose i mjaftueshëm të identitetit.

Mu kujtua një kushëri i babait, Aleko Turtulli. Atëherë isha  i vogël. Ai kishte qenë bashkë student në liceun e Korçës, të cilën ia dhuroi qytetit familja jonë. Aleko ishte gjithashtu bashkë student në Monpelje me E. Hoxhën. Njëkohësisht ne si familje i kemi përkrahur studentët e huaj prej trevave të ndryshme të Shqipërisë dhe me rezultate të mira në mësime. Me ndihmë materiale, po ashtu dhe me drekë tradicionale në familje.

Por më shumë prej të tjerëve familja jonë përkrahu djaloshin delikat E. Hoxhën, meqenëse Alekos iu duk një djalë i dobët, i brishtë, i sinqertë. I cili qëndronte i mënjanuar, i ndrojtur, disi i trembur në cep të murit, të liceut. Aleko e mori pranë, e inkurajoi dhe u miqësua me të. Në momente të vështira e mbështeti moralisht dhe materialisht. Më të shumtën e herës për nevoja të ndryshme i jepte  të holla borxh, por që kurrë nuk iu kthyen.

Me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, Aleko dënua dy herë me burg. Dhe kur doli prej burgimeve të gjatë, në burgjet famëkeq, burri shtatlartë, shëndetshëm, i pashëm ishte krejtësisht i shpërfytyruar, një kufomë e gjallë. Ai vinte gjithnjë për vizitë në shtëpinë tonë dhe ishte jashtëzakonisht korrekt. Çdo të shtunë fiks në orën tre pas dite. I kërrusur, mbështetur pas një ombrelle të zezë, të cilën nuk e hiqte nga dora dimër dhe verë. Ngjiste shkallët me vështirësi, duke marrë frymë me zor dhe trokiste lehtë në derë me gishtin tregues te përthyer. Hyrja e tij në dhomë, ishte krejt ndryshe nga të gjithë ardhësit në shtëpinë tonë, dhe njerëzit që kam njohur në jetën time. Ai zgjaste kryet, më pas gjysmën e trupit, pastaj hynte gjithi në dhomë. Trupi i Aleko Turtulli nuk ishte si gjithë të tjerët por qe i sakatuar. Ai qe i përthyer më dysh shkaktuar prej qelive të lagështa dhe prej torturave të pandërprera.

Babai dhe Aleko tërhiqeshin në cep të dhomës larg dritareve, sepse gjithnjë poshtë dritareve do kish ndonjë që përgjonte. Ata rrufitnin kafen e nxehtë dhe flisnin zë ulët me njëri tjetrin. Çfarë thuhej tek zëri i Amerikës dhe pastaj fjala shkonte atje ku dhembte shpirti: ‘Si e ndihmoje o Leko, i thoshte babai, kur e shihje se çfarë njeriu ishte.  Shiko çfarë na bëri, na shkuli me kuç e maçkë dhe tani na ndjek hap pas hapi dhe po na shfarosen të gjithëve. Aq me keq kur ai e di shumë mirë, si dreqi se çfarë ka bërë familja jonë për Korçën dhe Shqipërinë. Aleko rënkonte, rrufiste kafen e zezë dhe mërmëriste: Po ai është aktor bre Petro, aktor dhe shkuar aktorit. Ta dredh, ta bën të pabërën të bërë, të lë dozoi gjashtën në dorë. Natën të vret, ditën të qan dhe pas shpine të kërren…Shiko mua, shokun e tij të rinisë e të studimeve si më katandisi. Të kujtohet kur erdhi për vizitë tek ne në Korçë. Unë kisha disa muaj që kisha dalë prej burgut dhe punoja bojaxhi. Atë e shoqëronte Myftar Grabocka, kryetar i Komitetit të rrethit të Korçës, si dhe shumë pushtetarë të tjerë. Me sa më kujtohet unë po suvatoja murin e në godine të re. Myftari ndaloi këmbët dhe tregoi me gisht andej nga punoja unë, hipur mbi shkallë. ‘Një prej klasës së deklasuar e kemi vënë të lyejë muret,’ i tha. ‘Shumë mirë ia keni bërë, kështu e meriton klasa e përmbysur,’ i tha E. Hoxha. ‘Po kush është ai?’ e pyeti. ‘Aleko Turtulli, ju e njihni mirë atë,’ iu përgjigj Myftari. Korçarët e njihnin miqësinë që kishte pasur ai me mua.‘Ashtu, ah po, dhe lyen muret, ia bëri E,Hoxha, dhe hodhi një vështrim të turbullt mbi ndjekësit e shumtë përreth tij, pastaj shtoi: Hiqeni prej aty dhe vëreni në një vend më të mirë.

Pas disa ditësh çuditërisht më caktuan të punoja ekonomist në ndërmarrje. Fluturoja,  filloi të më vinte shëndeti dhe me vete thosha qe shyqyr zotit paska dhe shpresë, paçka se vazhdonim të jetonim te kulla e hirit. Por puna ime si ekonomist nuk e pati jetën e gjatë, zgjati vetëm disa muaj. Në mesnatë bie zilja në zyrën e Myftarit. Ishte ai. Me të tjerave e pyeti dhe për mua. E kemi vënë të punoje ekonomist në një ndërmarrje, sipas porosisë suaj shoku…’ ‘ Porosia ime,’ ia bëri me habi ai. ‘Si urdhëron.’ ‘Ç’më thua more! Mos ma tarnanisni, gjejini një shkak dhe rraseni brenda, kjo është porosia ime.’ Ti e di mirë për të na dënuar ne gjendet shumë lehtë shkaku. Të nesërmen u gjenda në pranga. Dënimi dhe burgimi i dytë ishte më i egër se i pari. Më katandisi në këtë gjendje. Ç’ pret prej tij që urdhëroi të vritet dhe i kunati, Bahri Omari, një nacionalit i kulluar. E mbaj mend fort mirë se si dridhej kur fliste e rënkonte dhe si zverdhonin rrudhat e munduara të Aleko Turtullit.

Vit pas viti i shkreti Aleko Turtulli u kërrus, u mblodh, deri sa u tret. Por si mundimi dhe torturimi i njeriut tonë, ndodhi me qindra dhe mijëra nacionalistë të prej shtresës fisnike shqiptare. Mund të përmend, shpirtkulluarin, mendimtarin, fisnikun, nacionalistin e flaktë Xhevdet Kapshtica. Ai rridhte nga një familje e shquar shqiptare, që jetën e tyre e lidhën me interesat e kombit. Xhevdeti u përndoq egërsisht, u burgos, familisht si rrallë të tjerë.

Madhështorin, komitin sypatrembur, patriotin  papërkulur Koli Rodhe, kryengritës i shquar, i cili përshkroi më këmbë natë e ditë male dhe ngrehina, kaloi mes përmes hafije turke, mbajti të fshehur në gjoks flamurin e shenjtë kuq e zi, për ta ngritur në ditën e madhe të pavarësisë në Vlorë. Koli Rodhja u përndoq si asnjë tjetër me ‘mëkatin’ e vetëm që ishte shqiptar i dhe nacionalist i kulluar. Për këtë ‘mëkat’, se ishte nacionalit u arrestua, u dënua dhe u burgos në burgun famëkeq të Spaçit. Por ai besonte me sinqeritet, se një ditë do të vërtetohej pafajësia e tij, ndaj mbante kostumin e zbardhëllyer poshtë jastëkut dhe fshehtas e shtrinte të mos zhubrosej. Me shpresë që kur të dilte prej burgut të takonte gruan, fëmijët dhe miqtë të paraqitej i veshur dhe i mbajtur mirë. Po ëndrra e tij e lirimit u varros në qershizë pa nam e nishan. Në atë burg famëkeq komunist shumë hynin po fare pak dilnin. Familja, gruaja, fëmijët e tij vuajtën dhe u përndoqën, gjithë jetën. Dhëndri i tij Genc Leka, ishte njëri prej martirëve, poetëve të Librazhdit. Thoma Orogollain, personalitet klasi, fjala e tij në prag të pushtimit prej fashizmit është madhështore, prej një patrioti dhe nacionalisti të vërtetë. Llazar Fundo, shkurt Zai, i cili ishte ëndërrimtar, idealist dhe një intelektual i shquar, njohës i shkëlqyer i nëntë gjuhëve të huaja. Kur ishte në Moskë pa me sytë e tij varfërinë dhe hipokrizinë e sistemit komunist. U trondit dhe u zhgënjye. Protestoi për këtë gjendje. Stalini kur pa mendimet dhe problematikën që përbënte ky person, dha urdhër të arrestohej. Një prej miqve të vet të ngushtë e lajmëroi Zain për rrezikun që i kanosej. Zai braktisi Moskën duke kaluar natën, përmes ujërave të zeza të qytetit. Më vonë për bindjet e tij u dënua nga fashistët në Ventotone, ishull i largët, vend internimi i Italisë. Zai Fundo u bind më në fund se çlirimi i vërtetë dhe bashkimi i Shqipërisë me të gjitha trojet shqiptare ishin nacionalistët dhe forcat e djathta, u lidh me familjen e madhe të Kryezinjve. E Hoxha duke parë rrezikun dhe reputacionin që kishte Zai Fundo dha urdhër të arrestohej me çdo kusht. Zai u kap tradhtisht dhe u dënua duke u tërhequr zvarrë, i lidhur pas bishtit të kalit në shkrepat dhe gërxhet e Kolesjanit të Kukësit, ku dhe dha shpirt.

Kujtojmë këtu kompleksiteti i verbër çoi që eshtrat e të madhit Gjegj Fishta të hidheshin  në Bunë. Poeti i madh, nderi i kombit, i këndoi atdheut me aq madhështi dhe dashuri në ‘Lahutën e malsis’. Mund të përmend patriotin e dalluar Kristo Kirkën, vuajtjet dhe persekutimin e tij. Studentin ëndërrimtar Sami Repishti, i cili vuajti burgun se donte në Shqipëri të vërtetë, etnike, ai është një histori e gjallë. Samiu e pas daljes nga burgu, arratisjes, mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punoi për atdheun dhe kombin me mish e me shpirt. Sami Repishti dhe sot e kësaj dite edhe pse i moshuar nuk reshtën, bën një aktivitet të dalluar për kombin. E të tjerë, e shumë të tjerë patriotë dhe nacionalistë, të vrarë, të persekutuar. të gjymtuar. Lista e nacionalistëve mëdhenj nuk ka fund.

E. Hoxha nuk ka menduar, nuk i ka pëlqyer dhe nuk ka mbajtur asnjëherë kostumin e shenjtë të nacionalistit, mbasi nuk i shkonte për shtat. Po të ishte i tillë, nuk mund të jetonte aq gjatë në majë të Olimpit, në pushtet. Ai krijoi çka desh. Ai ishte i pakundërshtueshëm. Ai ishte absolut. Vrau, burgosi, internoi e mbretëroi për më shumë se dyzetë vjet në një Shqipëri të varfër. Me parullën e tmerrshme; sikur bar të hamë parimet nuk i shkelim. Për çfarë parimesh bëhej fjalë? Për të mbajtur pushtetin e tij, sepse populli në kushtet e një diktature ekstreme, është jashtëzakonisht i bindur. Sepse përpara i është servisur kulaçi  dhe kërbaçi, çfarë ti thuash bën populli. Populli nën trusni, kur i fshihet truri, do të ketë vetëm një kafshatë bukë, dhe një dritë të vakët dhe beson verbëri nën demagogji, si ai nuk ka të tjerë në botë. Sepse vetëm ai është fanar ndriçues në botë. E plot marrëzi të kësaj natyre. Se populli është popull. Brohorit se dua unë dhe me barkun bosh. Por varfëria e popullit ishte e tejskajshme, me triska dhe tallona, thika po shkonte gjithnjë e më tepër me palcë. Më kujtohet se nuk gjeja në kokër limoni për të njomur buzët e zhuritura të tim ati kur u sëmur dhe u operua.

Prandaj ndodhi shkërmoqja dhe përmbysja e sistemit në Shqipëri, paçka se ishte me vonesë. Çelja e disa luleve të para të pranverës demokratike…

Kuptohet se, as nuk mund të mohohet, ai në një mënyrë ose në tjetrën është ngulur në histori, siç janë ngulur: Ali Pashë Tepelena, Princ Vidi, Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani. Avni Rustemi. Mbreti Zog, Fan Noli, Qemal Stafa e të tjerë. Mund ta përmendim për të tjera gjëra, por kurrë për nacionalist. Pra, ky kostum i kushtueshëm nuk mundej dhe nuk i ka shkuar asnjëherë për shtat…

U tha se E. Hoxha na paska menduar dhe është përpjekur me mish e me shpirt për vëllezërit kosovarë dhe Kosovën. Tashmë dihet fort mirë që ideatorët për krijimin e partisë komuniste shqiptare u bën të dërguarit e jugosllavëve, Miladin Popoviçi me të tjerë. Ishin ata që nxitën luftën vëllavrasëse në Shqipëri. Sepse dihej po të fitonin forcat e djathta të cilat e kishin në program, në Dekalog, pikë të parë; Do të luftonin pa kompromis për një Shqipëri etnike, ku në të futeshin të gjitha trojet shqiptare, etnike, të marrë padrejtësisht me përdhunë. Serbet e dinin fort mirë, kështu do tu ikte Kosova prej duart. Kujtojmë këtu Rezolutën e Bunjajt (1943/44). Kjo rezolutë ka pasur për qëllim krijimin e Kosovës si njësi të Federatës Jugosllave. Por në fakt në Bunjaj është aprovuar Rezoluta në të cilën është thënë: “… arriti momenti i fundit për bashkimin e popullit shqiptar të Kosovës  më Shqipërinë….” Kjo rezolutë është e shkruar në gjuhen shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate. Kjo rezolutë është dëshmi se lufta nacional-çlirimtare e Kosovës ka qenë luftë për bashkim  me Shqipërinë. Kjo Rezolutë ishte e ngjashme me idenë e forcave të djathta shqiptare si Balli Kombëtarë, NDSH-eja etj, për bërjen e një Shqipërie etnike dhe demokratike. Një muaj pas mbledhjes së Bunjajt politbyroja e PKJ-së i ka shpallur të pavlefshme këto vendime. A mund të ngrihej E. Hoxha me komunistet e shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë për masakrat që i benë serbo-malazezet vëllezërve tanë të një gjaku, kosovarëve? Demagogjitë dhe hipokrizitë janë ngritur dhe ulur në bazë të situatave, po asnjë masakër nuk është guxuar të dënohet, e sidomos ajo e Tivarit. Masakër kjo e pa parë ndonjëherë në historinë njerëzore. Për këtë masakër si dhe shumë masakra të tjera E Hoxha heshti. Gjenocidi  i mijëra shqiptarëve të mobilizuar dhe të dërguar në armatën e Katërt të Ushtrisë Jugosllave.

Persekutimi ndaj vëllezërve kosovarë ka qenë i tejskajshëm prej serbëve dhe mekanizmave të tyre. Kosovarët e vuajtur, patriotë, me gjithë familje arratiseshin, kapërcenin kufirin me shpresë së do të gjenin mbështetje në Shqipëri në atdheun amë. Shumë prej tyre arrestoheshin dhe dënoheshin, familjet e tyre vuanin përndjekjen. Sigurimi nuk mjaftonte me kaq, por u vinte pas këtyre familjeve, punonjës sigurimi, djelmosha ashikë për tu a shkatërruar, jetën, bërë dhe më të zezë. Aso kohe vetë shteti shqiptar e kishte krijuar gjendjen, të endej si një hije e zezë, e të pëshpëritej; se në përgjithësi kosovarët që vijnë në Shqipëri janë spiunë të UDB Jugosllave, prandaj porositej tu qëndrohej larg dhe të kihej kujdes. Kosova dhe vëllezërit tanë kosovarë me gjak dhe sakrifica dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të bashkuara të Amerikës e morën më në fund mëvetësinë. Kjo është një ngjarje e shkëlqyer në historinë e kombit shqiptar. Ëndrra e qindra e mijërave patriotëve, martirëve u bë realitet.

Në Shqipëri e njëjta gjendje rrodhi nga viti në vit. Shqipëria ishte ajo që ishte, dhe është ajo që është…

Prandaj nuk mund të flitet për këtë kostum të kushtueshëm, sepse asnjëherë nuk i ka shkuar për shtat…

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Hoxha Nacionalist, kostum qe nuk i shkon, Kristaq Turtulli

PARADOKSET NUK KANË TË SOSUR…

March 1, 2014 by dgreca

Apologji për vete dhe për të tjerët/

NGA KRISTAQ TURTULLI/

‘Në qoftë se Hamleti kishte të drejtë, e vetmja përgjigje e Horacit ishte: të vazhdonte të zgjeronte limitin e mendimeve të Hamletit, pas goditjes prej shpatës së helmuar dhe vdekjes së tij, me fjalë të tjera të vazhdonte të ëndërronte…’Seç mu kujtua sot për shumë arsye një ngjarje në vitet e para të demokracisë… Mora shkas prej gjetjes së shtatores të përçudnuar të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prej indinjatës së thellë, të rrëzimit të bustit në Mitrovicë, të shenjtores botërore, të Nënë Terezës. Ndoshta dhe nga gjetja krejt rastësisht, në një parking, skeleti i mbretit të humbur të Anglisë, Rikardi i tretë.Në vitet nëntëdhjetë isha zëvendës president i shoqatës mbarë korçare: ‘Korça, Tradita dhe Progresi.’ Prej kryesisë së shoqatës u ngarkova të mbaja një kumtesë për traditën dhe familjet e mëdha korçare. Historiku, roli i tyre i rëndësishëm në themelimin e zhvillimin ekonomiko-kulturor të qytetit të Korçës si dhe nacionalizmi i spikatur e kësaj shtrese fisnike. Kumtesën e ilustrova dhe me foto të ndryshme të asaj kohe. Takimi u bë në sallën kryesore të bibliotekës së qytetit ‘Thimi Mitko’ dhe pjesëmarrja ishte mjaft e gjerë.

Kur dolëm jashtë prej sallës, në korridorin e bibliotekës, më afrohet një i njohur, e hiqte veten si historian, si shkrimtar dhe si demokrat i flaktë dhe gjasme me sinqeritet më thotë: ‘Më fal, por dua të them diçka, mu duk sikur folët pak si gjatë për familjet e mëdha.’ U ktheva dhe e vështrova me habi. ‘Kumtesa ime zgjati dhjetë minuta dhe shumë gjëra vetëm sa u preka përciptas!’ i thashë.‘Prapë, sidoqoftë…nuk është vetëm mendimi im,’ ngulmoi ai. Por unë nuk e lashë të vazhdonte: ‘E ata të tjerë, janë njëlloj si ty,’ i thashë dhe shtova: ‘Zotrote u lodhe! Ju keni dyzetepesë vjet që i keni bërë të njëmijë e një të zeza shtresës fisnike korçare. I keni shpronësuar, i keni flakur në kullat e hirit, burgosur,  internuan, fyer. Propagandën më të poshtër keni bërë kundër familjeve të mëdha shqiptare, deri në asgjësim të plotë. Dhe pa pikë turpi më thua se fola gjatë vetëm për dhjetë minuta! Apo mos doje të dëgjoje të flisja për komunizmin dhe diktaturën e proletarit?’

Por ato që thashë atëherë për fisnikërinë Korçare dhe Shqiptare ishte vetëm një shkëndijë në errësirë…

Nostalgjitë dhe patologjitë të kësaj natyre vazhdojnë dhe sot e kësaj dite, ndoshta  dhe më tepër, paçka e kemi 24 vjet demokraci… Tani kanë filluar të dëgjohen të tjera zëra rreth ‘nacionalizmit’ të E. Hoxhës, Çfarë paradoksi! Ndoshta nuk është paradoks, por kalë Troje. Kur ishte ai që shfarosi me zjarr dhe me hekur klasën fisnike dhe nacionalizmin shqiptar, punoi e bashkëpunoi kundër popullit kosovar. Ishte ai që mbolli tek ne internacionalizmin proletar dhe diktaturën e proletariatit, eksperiment alaenverist. Por kjo është temë që do trajtohet më vete.

E kështu, media angleze, amerikane dhe kanadeze trumbetoi me të madhe, se u gjend krejt rastësisht, në një parking, në një cep të harruar, të një qyteti po harruar, skeleti i mbretit të humbur të Anglisë, Rikardi i tretë. Ky mbret për fat të keq të tijin dhe të mirën e Anglisë, mbretëroi vetëm dy vjet 1483-1485. Ai u vra në betejën e Bosworth Fieldit. Mbreti Rikardi i tretë është ndër përfaqësuesit të historinë së errët të mbretërimit shumë shekullor të Anglisë. Ai ishte një tiran i pashpirt. Për qëllim dhe frikë theri dy nipërit e tij të vegjël, vetëm që të mos i kish halë në sy dhe pengesë për pushtet.

Ishte ky mbret, Rikardi i tretë, që zhvilloi betejën e ashpër për rivalitet, për fron, me kundërshtarët e tij. Terreni ku  u bë beteja ishte i keq me shi dhe baltë. Atje u derdh shumë gjak dhe pati shumë viktima. Ai i gjendur në këmbë, shkalafitur, me plagë në trup, i rrethuar nga kundërshtarët, të cilët duke vringëlluar shpatat dhe shqytet, po i ngushtoni rrethimin. Mbreti Rikard i tretë pa që nuk kishte shpresë shpëtimi ti a mbathur, në këmbë. Bërtiti me sa kishte në kokë: ‘Më jepni një kalë. Dëgjuat. Mbretërinë jap për një kalë.’

I madhi Shekspir e ka pasqyruar me art në tragjedinë e tij këtë mbret katil, çastet e betejës dhe kërkesën e çmendur për të falur mbretërinë për një kalë. Sidoqoftë, më në fund u gjend. Eshtrat u çuan në laborator. Pas disa studimesh dhe analizash, u sqarua, me ADN. U vërtetua, që skeleti i gjetur në parkingun harruar, nuk ish e një dosido por i një mbreti. Paçka ishte gjakpirës dhe mizor dhe mbretëroi vetëm dy vjet. Tashmë do ti gjendet vendi i merituar, të prehet i qetë në katedralen e Leicesterit…Të një mbreti të humbur, gjakatar, Rikardi i tretë, bukur fort..!

Ndërsa tek ne paradokset dhe maskarallëqet nuk kanë të sosur:

Ne mesin e natës së 19 Janarit të vitit 2014, në Mitrovicë, u rrëzua përdhe busti i simbolit të veçantë në botë të mirësisë dhe dhembshurisë: NËNË TEREZA. Shenjtorja e gjithë njerëzimit. Kjo është një vepër jashtëzakonisht barbare me një prapavijë shumë të rrezikshme. Bota e do, e nderon, e adhuron, këtë Nobeliste të madhe. Ndërsa disave u vret sytë përmendorja e një NËNE! Disa miq indianë kur më pyetën prej nga je, u thashë jam nga Shqipëria. Ata tundën kryet me respekt dhe më thanë, je nga vendi ku ka lindur Nënë Tereza. Presidenti i Amerikës Bill Klinton ka thënë për nënë Terezën: ‘Nënë Tereza ishte para që më dha dashuri për Shqipërinë dhe Shqiptarët dhe jam krenar për ndihmën që u dhashë në luftën e Kosovës, për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave njerëzore.’ Asgjë nuk është rastësore.

Një muaj pas rrëzimit të simbolit të mirësisë Nënë Terezës, ndodhi një hata tjetër, u shfaq një shtatore e përçudnuar:

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për një akt të pakonceptueshëm, tmerrësisht të poshtër. Kush?! U përfol se në Qafë Kashar, befas u hap spondi e një makine dhe prej saj nxorën dhe e flakën  përdhe një shtatore. Kush ishin ata djaj të ndyrë që e sollën dhe për çfarë qëllimi e prunë në mes të ditës me diell!? Sepse kuptohet nuk mund të jetë kurrë një rastësi. Mos janë kapuçonë të zinj, të shkulur me përdhunë prej mesjetës së errët? Gjetësit e parë të kësaj gjëje shtangën prej çuditë se kjo lloj shtatore nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe ishte diçka të ngjashme, por që ishte tmerrësisht përçudnuese, me figurën më të madhe që ka kombi shqiptar dhe që do ta kishte për nder çdo komb ta kish të vetin, në mbarë globin tokësor: Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Në këtë gjë përçudnuese heroi ynë, nderi dhe lavdia e mbarë kombit Shqiptar, shfaqet gjysmë njeri e gjysme cjap dhe ka habitur shumë njerëz. Ndërsa specialistët thonë që kjo shtatore është një përdhosje e imazhit te heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Pra kjo shtatore është një provokim, për shkak te hibridizimit gjysmë njeri dhe gjysmë cjap bërë me qëllim të mbrapshtë për të reflektuar publikisht një urrejtje të verbër ndaj figurës madhështore të Gjegj Kastriotit Skënderbeut. Ky është një turp. Mbasi një nga shpifjet më shoviniste deri në fillim të shekullit XX në publicistikën ballkanase antishqiptare ishte ajo që thuhej që gjoja shqiptarët janë qenie gjysmë njerëz dhe gjysmë kafshë me bisht cjapi ose kali. Prandaj kjo shtatore është shumë fish e shëmtuar ne çdo pikëpamje.

Sipas të dhënave të mëtejshme shtatoren e përçudnuar e sekuestroi policia dhe priten hetime të mëtejshme. Se çfarë bën policia është detyra dhe puna e saj. Por çfarë duhet të bëjë media dhe inteligjencia shqiptare është përgjegjësia dhe detyra e tyre. Rrufetë në qiell të kthjellët kanë flakën dhe përvëlimin pas…

Dhe kështu dinastia e Tydorëve të Anglisë vazhdoi dhe vazhdon me shekuj dhe shekuj. Ia vlen ti heqësh kapelën. Sidoqoftë mbreti Rikard i tretë është pjesë e historisë së Anglisë paçka se mbretëroi vetëm dy vjet… Çdo tullë që vendoset në godinën hijerëndë mbretërore, ka një të vërtetë dhe domethënie…

Dhe menjëherë të shkon mendja, ashtu siç vete gjuha aty ku dhemb dhëmbi, në të shkuarën dhe të tashmen e mëmëdheun tonë të dashur, të shumëvuajturës Shqipëri. Rrebeshet e pandërprera të kohërave, tymtajat e mjegullat e mëdha, përplasjet, luftërat, shkatërrimet, lëvizjet, mohimet dhe shpërnguljet e pafundme…

Sa shumë heronj, luftëtarë të paepur, figura të shquara, personalitete, kanë dalë nga gjiri i popullit shqiptar përgjatë rrjedhës së harbuar të shekujve, me mijëra dhe dhjetëra mijëra. Aq sa është e pamundur ti numërosh. Po ta shohësh me kujdes, në bazë të frymës së popullsisë, hapësirës territoriale. Shqipëria ka nxjerre më shumë trima, personalitete, figura të shquara se sa ka shkëmbinj dhe gurë. Shumë prej këtyre heronjve dhe njerëzve te thjeshte që situata i bëri të pamposhtur, që kanë bërë histori dhe qëndresë stoike. Shumë prej tyre qëllimisht janë përpjekur për ti nëpërkëmbur, mohuar, fshirë nga memoria e bashkëkohësve dhe brezave të ardhshëm. Shumë prej pakujdesisë kohë. Të tjerët nga indiferentizmi, xhelozisë, kushte të vështira të përballimit, të pushtimeve të njëpasnjëshme. Për fat të keq ata janë lënë në haresë, shumë nuk dihen dhe nuk përmenden. Por shumë prej tyre dhe nga neglizhenca dhe mohimi brenda qerthullit të vetvetes.

Shumë nga kështjellat e lashta angleze akoma qëndrojnë më këmbë edhe pse janë ndërtuar në thellësi të shekujve. Për fat të keq kështjellat tona, me shumë histori sakrifice dhe qëndrese janë të rrënuara. Shumë prej tyre të rrafshuara për tokë, të humbura pa gjurmë. Kreshnikët, trimat dhe heronjtë e zhdukur arbërorë, të cilët u bënë një qëndresë të jashtëzakonshme të huajve dhe më pas hordhive turke. Të gjithëve nuk u gjendet as nami dhe nishani duke filluar që nga më të hershmit: Pirro i Epirit, Bato, Teuta, Genci, deri tek Gjergj Kastrioti Skënderbeu e Lekë Dukagjini etj!

Mund ti shkrepet dikujt e flet: Na more, ç’thotë ky, a mund të krahasohemi ne me Anglinë dhe mbretërimin e lashtë anglez! Po çfarë ka Anglia, komb ai, komb dhe ne. Pastaj miku im, shosharja kur e ka shoshën në dorë, lëvdon shoshën e vet dhe jo të botës. Përse ne gjithnjë lëvdojmë gjënë e botës dhe nënvleftësojmë gjënë tonë?! Pikërisht këtu fillon lëkundja dhe gabimi

Nuk mund të harrohet Muri i famshëm i perandorit Adrian, që shtrihej midis Anglisë dhe Skocisë. Ky Mur i gjatë përbënte vetëm një pjesë të një programi të gjerë fortifikimesh. Kanë kaluar afro dymijë vjet qysh atëherë,  por shumë gjurmë të këtij muri gjendet ende atje.

Edhe pse nuk mund të jenë kurrë njëlloj; ta nënvleftësosh, nënçmosh një çështje, një problem, një kauzë, dhe ti neglizhosh ato, të mos u kushtosh rëndësi. Të dyja janë të dëmshme dhe vrastare.

‘Lumturia e jetës suaj varet nga cilësia e mendimeve tuaja.’ Ka thënë dikur Markus Aurelius, perandori romak, në librin: ‘Meditime dhe shkrime për veten’.

Nuk ka përse të na mundojë inferioriteti dhe kompleksiteti. Ne kemi shumë data, ngjarje dhe histori, si dhe shumë heronj. Në betejën e Fushë Kosovës ish shqiptari Millosh që vrau sulltan Muratin. Më pas ne nuk e ndërpremë përpjekjet. Bëmë një luftë të madhe, u vramë u premë për flamur dhe identitet. Të tjerët kacafyteshin vrisnin njëri tjetrin për fron dhe fqinjët tanë pranuan kompromisin,vasalitetin, zgjatën kokën me bindje përpara satërit dhe lakut turk.

Koha na ndëshkoi me patë drejtë, por dhe ne më vonë për efekt të incidenteve, rastësore kohore, në vorbullën e rrëmbyeshme ndëshkuam veten. I lidhjes zinxhir të pasgjidhshmësisë, destinimit, rrëmujës edhe paradoksit. Paradokset vazhduan në rrjedhën e turbull të viteve, e vazhdojnë sot e kësaj dite, ngrehim, lartësojmë, rrëzojmë, shkatërrojmë, heronj, figura dhe mite. U japim botës me zemërgjerësi të marri, qeshim pa ditur përse  dhe hamë veten pa ditur se çfarë kërkojmë.

Të tjerët nuk  kanë të shkuar dhe histori, se janë të rinj. Logjikisht mundohen ta krijojnë, ta ngrenë prej hiçit dhe të mburren me të, duke vënë kudo shënime në pllaka përkujtimore dhe përmendore. Ne shkulëm pllakat përkujtimore dhe rrëzuam përmendoret. I injoruam ato, i përbuzëm, i rrëzuam. Shkatërruam gjithçka që ngriti dhe ndërtoi mbreti Zog. Ai nuk ish i pikuar prej qiellit, por qe rezultati dhe mesatarja e kohës në të cilën jetoi, punoi dhe mbretëroi. Figurat e ndritura si Gjegj Fishta, Thoma Orogollaj, Mustafa Kruja, e shumë të tjerë. I pështymë, i mohuam, i burgosën, i pushkatuam, i flakëm nëpër lumenj dhe humnera të mos u gjendej asnjë eshtër, as nami dhe nishani. Ngritën kulte të tjera i bëmë Zota. I rrëzuam dhe këta, i burgosën,i torturuam, i pushkatuam.

‘Sikur kuajt të dinin të vizatonin, ata me siguri perënditë e tyre do ti bënin që tu ngjisnin kuajve.’Ka thënë filozofi i lashtë, Ksenofani i Kolohonit.

‘Çfarë bëni, e paskeni lartësuar shumë këtë Napoleon? Ky pushtoi botën, ky vrau, preu, shkuleni, flakeni tutje, i tha dikur një vizitor i huaj, shoqëruesit francez. Shoqëruesi francez nënqeshi dhe u përgjigj, Napoleoni punoi për Francën, por i ndryshoi dhe faqen Evropës. Pastaj dhe sikur të përpiqemi ta shkulim ne, nuk mundet ta shkulë historia.’

Por historia, jo marrëzia. A mund ti ngrihet një turbe dhe të bëhet shenjtor pushtuesi, sulltani Murat që u vra prej shqiptarit Millosh. Sulltan Murati punoi për Turqinë, le ta vlerësoje Turqia. Ky gjakatar ish pushtues  jo shenjtor, solli errësirën që ngriti male me koka të pafajshëm? Sulltanët e tjerë shkatërruan gjurmët e civilizimit, dogjën kështjellat, mburojat e maleve tona, morën jeniçerë dhe nëpër hareme fëmijët dhe lulen e kombit. Zhytën Shqipërinë në errësirën më të madhe të pushtimit, vrasjes, shkatërrimit, nxirosjes dhe të zhvleftësimit! Që të bësh shenjtor pushtuesin për shkak servilizmi, budallëku, maskarallëku dhe mungesë identiteti, duket të mohosh historinë, të përmbysësh qëndresën, të ngresh nga balta të vrarët dhe ti rivrasësh martirët e heronjtë e kombit.

Turqia na mbajti 500 vjet të pushtuar. Një periudhë tmerrësisht e gjatë pushtimi. Turqia shfrytëzoi pa mëshirë, thithi, palcën e vlerave dhe bijve më të mirë të vendit. Më thoni ju lutem çfarë vepër, a ndryshim bëri, apo ngriti në Shqipëri? Veç terr obskurantizëm dhe mjerim. Turqia që të mbahet mënd, përveç se ngriti xhami dhe turbe. Të mohosh gjakun e derdhur, nderin dhe dinjitetin, luftën, martirët që vranë dhe ju rrjepën lëkurët në Anadoll, shumë bukur mund të nëpërkëmbësh heroin  kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, kalorësin, mbrojtësin e Evropës dhe luftën e tij heroike 25 vjeçare…

Gjithnjë kanë qenë në përgjim  dhe dashakeqësi fqinjët tanë serbë a grekë. Ata ngrihen e shfrytëzojnë rastin dhe “pohojnë” se kreshnikët e maleve shqiptare: Muji e Halili, Gjergj  Elez Alia, si e shumë të tjerë kreshnikë të gurës dhe traditës Shqiptare dhe mbi të gjitha; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (alias Jorgjo Kastriotis) na qenka një “hero i madh grek”, një “feudal grek i helenizuar mesjetar”. Ata duan të bëjnë të njëjtën gjë siç morën i greqizuan heronjtë suljotë të revolucionit grek. Të cilët i dhanë lirinë Greqisë si; Marko Boçari, Bubulina, Xhavellat. Kundriotët e shumë e shumë të tjerë. Siç morën dhe greqizuan të gjitha veshjet e mrekullueshme, këpucët me xhufka të kuqe, doket dhe zakonet tona. Dhe ne nuk kemi zë të flasim të themi këtë të vërtetë me zë lartë, edhe pse tani është ‘demokraci.’

Për fat të keq dhe për marrinë tonë, Shqipërisë, mëmëdheut tonë të dashur që i ka rezistuar shekujve dhe rrebesheve si rrallë popull tjetër, i kanë vjedhur dhe po i vjedhin përditë historinë dhe vërtetësinë e pa mohueshme, atë para Krishtit dhe atë pas Krishtit. E përvetësuan grekët Aleksandrin e Madh të Maqedonisë. U turrën dhe përvetësuan heroikën, madhështinë, mendjemprehtësinë e Pirron e Epirit, sepse nëpërmjet tij duan të përvetësojnë dhe ta quajnë troje greke gjithë Epirin.

Tani ata dëgjojnë dhe shohim se çfarë po ndodh në trojet shqiptare. Na nervozon dhe indinjon pafytyrësia e politikanëve, mefshtësinë e pseudointelektualeve dhe marrëzia e fanatikëve dhe injorantëve. E shohin me trishtim pafuqinë dhe indiferencën e historianëve, intelektualëve, prandaj të tjerët kërkojnë të përvetësojnë historinë e lavdishme, Skënderbeun luftën e pashoqe dhe sakrificat sublime…

Dhe kur nuk mundin ta bëjnë të tyrin NËNË Tetezën dhe as të madhërishmin Skënderbe. Prandaj rrëzojnë dhe krijojnë përçudnime të ndyra…

Filed Under: ESSE Tagged With: Apollogji per vete, Kristaq Turtulli, paradokse

SHURDHËRIA

January 30, 2014 by dgreca

Nga KRISTAQ TURTULLI/

Apologji për vete dhe për të tjerët…/

Para do kohe bëra një shkrim ku në qendër trajtoja një temë madhore: ‘Njohjen dhe rivendosjen e drejtë të çështjes së pronës në Shqipëri. Në realitet vazhdon padrejtësia dhe mohimi, ndaj pronës së ligjshme ose kompensimin fizik prioritar  ish pronarëve. Si dje, sot, dhe gjithë ditën vazhdon me ta e njëjta lojë dhe hipokrizi. Qeveritë, nxjerrin akte dhe vendime. Të nesërmen i kompensojnë me të reja. Uji rrjedh gjithnjë në mullirin e tyre. Pronat e trashëguara brez pas brezi nuk u kthehen qytetarëve të ndershëm. As dhe kompensimin fizik prioritar nuk u bëhet. Vetëm shurdhëri.

Për fat të keq qytetarët e varfër, presin. Shumë prej tyre pensionistë, që janë rropatur gjithë jetën, tani jetojnë me listë në furrën e bukës. Ata nuk kanë përfituar apo nuk janë kompensuar, me asgjë. Pronave të tyre i shohin me dylbi në këto njëzet e ca vjet të ‘shenjta’ demokraci.’Por më thënë drejt, në hark kohor, shtatëdhjetë vjet, qysh me vendosjen e komunizmit në Shqipëri.

Shkrimi nuk ishte thjesht spunto, por një përgjegjësi morale dhe shoqërore, ndaj vetes dhe të tjerëve . Gjithashtu duke pare dhe lexuar vendimet e qeverise lidhur me pronën, këto ditët e fundit. Që u hiqet mundësi për kompensim ish pronarëve.

U  indinjova prej padrejtësisë që ju bë bashkëqytetarëve të mi korçarë si dhe familjes sime, që i ka dhënë aq shumë qytetit të vet, Korçës së dashur, me burra të shquar, intelektualë, patriotë të mëdhenj dhe bamirës si rrallë kush në botë.

Në mot të ftohtë janari, të këtij fillim viti, ndodhi që 165 familjeve të vjetra korçare u grumbulluan dhe protestuan  me drejtë përpara bashkisë së qytetit të tyre.

Gjithashtu në shkrim theksova dhe për qëndrimin dhe veprimin arbitrar, mohues nënvleftësues të kryetarit të bashkisë, Sotiraq Filo. Kryetar bashkie ky, i njërit prej qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë, Korçës. Ky qytet, dikur, me të drejtë quhej ‘Parisi i vogël’. Mbasi qyteti i Korçës kishte shumë elemente të rëndësishme zhvillimi dhe civilizimi të një qyteti me pamje evropiane, në kushtet e asaj kohe. Liceu i famshëm francez i Korçës, i cili kishte filluar të bëhej njohur në Evropë, për cilësinë e studentëve. Shëtitjet në mbrëmje. Ballot, kinematë, teatrot, koncertet, serenatat e mrekullueshme, karnavalet. Këtë e bënin korçarët punëdashës e artdashës dhe familjet e mëdha.

Gjithashtu aso kohe thuhej shpesh: Po të digjet Selaniku e bën Korça, ndërsa po të prishet Korça nuk e bën dot Selaniku… Kjo tregon se në vitet tridhjetë qyteti i Korçës kishte zhvillime  cilësore e potencë tregtare dhe luante një rol të rëndësishëm në Ballkan.

Shkrimi im ishte me titull:

‘ Një bejlurçinë e re në Korçën plakë’.

Aktin flagrant i kryetarit të bashkisë Sotiraq Filo, për zhbërjen e pronave të ligjshme, me tapi, të 165 familjeve të vjetra korçare. Si dhe për indiferencën, shurdhërinë dhe ironinë  e pa konceptueshme të një drejtuesi qyteti të tillë me tradita dhe kulturë. Të cilit, pra shokut Sotiraq, banorët e qytetit votuan për ta zgjedhur kryetar, nga nënkryetar që ishte më parë. Kryetari i mëparshëm i qytetit të Korçës Niko Peleshi, iku, u ngrit në detyrë, u bë zëvëndëdkryeministër i qeverisë socialiste. Sotiraqi i morri votat me shumë siklet në zgjedhjet e fundit. (Për të mos bërë këtu analizën dhe vërtetësinë e marrjes së votave, apo vjedhjes së tyre. Çështje kjo që ka folur mjaft shtypi shqiptar dhe shpirti i tij dhe i partisë së tij e di. Ndaj nuk dua të zgjatem në këtë pikë.

Sido që të jetë, Sotiraq Filo tani është në krye të stafit të tij besnik dhe të qytetit të Korçës. Qytet, i cili shpesh herë ka qenë pulsi e vërtetë vendit dhe shpejt a vonë të gjykon me gjakftohtësi dhe të nxjerr natyrshëm jashtë rrjedhës dhe kohës. Sotiraqi tashmë ‘duhet të jetë i përgjegjshëm,’  për detyrën dhe përgjegjësinë qytetare dhe shoqërore që ka ndaj bashkëqytetarëve dhe çështjeve të tyre dhe të shohë përtej hundës së vet. Por siç duket, dhe siç po ndodh rëndom tek ne, detyrat dhe përgjegjësitë nuk merren për të bërë progres, për ti shërbyer shoqërisë, vendit dhe qytetit por interesave të ngushta vetjake dhe të grupeve të veçanta. Kryetar Sotiraqi sapo morri detyrën, nuk duroi dot. Nuk ndenji as dy muaj dhe menjëherë ua ndërroi destinacionin e pronave të pronarëve të trashëguara brez pas brezi, nga zonë e verdhë në zonë të gjelbër. Gjoja unë u premtova qytetarëve në fushatë. Siç duket mendja e Sotiraqit kujton se meqë u bë kryetar, Korça është çiflig i tij dhe me një lëvizje të lapsit, pa fermane dhe vula, mund të bëjë me pronat e të tjerëve si të dojë.

Një të thënë dhe një të bërë…Pronarët e ligjshëm mbetën me gisht në gojë.

 

Ndërkohë u bë shurdhëri e madhe, sunduese pas shkrimit në fjalë dhe botimit të tij.

Kush është ky që kërkon të bëhet zhurmë, kur më mirë është shurdhëri! Nuk si shurdhëria. E përse duhej të vihej uji në zjarr, kur nuk shihet kurrkund shkëndija, u pëshpërit.

Kur në të njëjtën kohë këto prona janë të trashëguara brez pas brezi nga familjet e vjetra korçare në qindra vjet. Ky vend, këto prona janë shumë të rëndësishme, ngrihen si ballkon i qytetit dhe i gjithë fushës së Korçës. Ato toka gjenden në kodrat e qytetit, të cilat dikur ishin vreshta, fill pas murit të spitalit, që e ndërtoi dhe i dhuroi Korçës njëri prej pjesëtarët e fisit tim, i madhi mirëbërës Thoma Turtulli.

Sigurisht duhet të ketë shurdhëri.

Për këto toka u përgatit një projekt dhe ky projekt ju paraqit bashkisë në vitin 2010. Ky plan-projekt i afërt, do bëhej me investime të huaja, për ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit, në bashkëpunim me ish pronarët.

Nuk dihen arsyet përse u la në sirtar, u zvarrit, u harrua,  ky projekt madhor evropian izraelit, intrigues dhe shumë i rëndësishëm. Ky projekt ndërtimesh, me urbanistikë moderne, të kohës, me 80 përqind investime, vila banimi dhe 20 përqind gjelbërim, do ti jepte qytetit të njohur për kulturë dhe përparim, një tjetër pamje dhe zhvillim, si dhe në aspektin e zhvillimit të turizmit dhe të tregtisë. Për ta bërë qytetin e kangjellave, gjelbërimit, kulturës dhe të serenatave, me plot të drejtë, të thirrej, ashtu siç thuhej dikur ‘Parisi i vogël’.

Kur nuk ke mundësi të na i kthesh pronat tona, tokat tona, o shoku kryetar. Të paktën na i kompenso, i thanë ish pronarët, si të vetmen zgjidhje të mundëshme. Ta jetojmë dhe ne si gjithë të tjerët, atë qe nuk e jetuam shumë nga prindërit tanë për shtatë dekada me radhë.

Kompesim pronash!? Por bashkia është e varfër nuk ka fonde për të tilla kompensime, u  tha shoku kryetar.

 Shurdhëri. Ka si shurdhëria! Media hesht, shoqatat e ndryshme heshtin, partitë heshtin. Kanë të tjera çështje më të mëdha.

Ne si pronarë të ligjshëm a nuk kemi të drejtë të kryejmë veprime, ndërtime në pronat tona, tokën tonë? Toka jonë! Jo nuk keni asnjë të drejtë në tokën tuaj, u tha shoku kryetar. Pra ne jemi njëlloj si më parë, në diktaturë, në monizëm, në kooperativë, në shtetëzim. Kur thuhet që jemi një shtet demokratik. Ne o shoku kryetar, që të paçim sa malet, që na mbron, na ndihmon, që na bën të shurdhër. Ne kemi shtatëdhjetë vjet që presim që haka të shkojë tek i zoti. Të marrin pronën e grabitur dhe të mohuar. Ka logjikë dhe drejtësi këtu, oi madhi shoku kryetar? Deri kur më, nuk kemi të drejtë ta jetojmë jetën si të tjerët? Na thuaj një fjalë, hë të paçim?!

Ndërkohë kryetari File me ironi, dhe për ti përcjellë, u tha: mos u mërzitni, duroni dhe ca. Paçka se mund të mbillet ndonjë pemë, ju do ta keni pronën. Ju e them unë kryetari i bashkisë, nuk ua mohon kush. Bëni siç keni bërë.

Po bëhet njëzet e katër vjet që po na thonë këtë gjë, e kemi pronën, tokën tonë, por hiç, i thanë ish pronarët. Kryetari mblodhi supet dhe nënqeshi. Përse të mos bëjë, tashmë shoku kryetar Sotiraqi ka dhe gurin dhe arën. Ish pronarëve u është mësuar shpina me nëpërkëmbje. Ata janë të butë, të urtë, të edukuar, nuk të bëjnë gjë.

Prandaj nuk u çudita aspak nga shurdhëria që ndodhi pas botimit të artikullit dhe indiferentizmi me të cilin u pasua. E prisja këtë gjendje, shurdhëri. Por njëherësh dhe u trishtova. Për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Sepse nuk është problemi e siç thuhet: një gjellë që nuk e ha le të digjet me gjithë tenxhere. Ose: kur nuk kam pula përse të bëj dava me dhelprën. Këtu nuk bëhet fjalë për gjellë dhe për dhelpër dhe pula.

Njëkohësisht duke parë që qeveria ndryshe nga premtimet e deridjeshme për një skemë të re e cila do të kishte një kompensim fizik prioritar për ish pronarët. Me aktin e djeshëm, të datës 29 janar qeveria i hoqi të gjithë tokën e mundshme të Agjencisë së Pronave dhe rrjedhimisht për ish pronarëve. Pra veprimi fillon qe nga qendra në bazë.

 

Çështja e pronave në Shqipëri është thembra e Akilit shqiptar. Kjo do të ish shkallina e parë e progresit dhe e ardhmërisë qysh në vitet e para të lëvizjes demokratike në Shqipëri.

Dikur, në fillim të vitit- 1992 takova në Korçë dhe i mora një intervistë Sabri Godos.  Kisha një njohje të thjeshtë me të. E pata takuar më parë, rastësisht në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Atëherë ai porsa ishte zgjedhur kryetar i partisë republikane. Pyetjen e parë që i bëra ishte: Çdo të bëhet për pronat dhe ish pronarët?  Ai më pa ngulët dhe më tha: Pronat! Ato janë themeli i programit të partisë sonë. E besova, sepse ai kishte lidhje familjare me familjen e madhe të Vrionasve, të cilët ishin pronarë të mëdhenj tokash. Por kthimin e pronave e kanë edhe partitë e tjera, i thashë. Partia Republikane është ndryshe, më tha. Shtylla kurrizore e programit tonë është e drejta e ligjshme e pronës e trashëguar brez pas brezi.

Për fat të keq të gjitha mbetëm në letër. Plaku i republikanëve iku dhe çuditërisht, vazhdoi e njëjta gjendje. Ndoshta plaku i mençëm Godo nuk kish shumë forcë, etj e të tjera…

Ndërkohë po kalojnë më shumë se  dy dekada, kjo çështje gjithnjë është nënvleftësuar ose keqpërdorur. Mbasi nuk ka gjetur mbështetjen e duhur prej dy forcave të mëdha politike. Dhe çuditërisht në programet e tyre kanë kthimin e pronave, ose kompensimin e tyre. Po ti shohësh hollë nuk e dallon ndonjë gjë esenciale një program të një partie nga programi tjetër, paçka se thonë se një është e majtë dhe tjetra është e djathtë. Një program të djathtë të mirëfilltë nuk ka, në mendësi dhe praktikë. Nuk ka si të ketë, mbasi shtresa që duhej ta mbështeste dhe ta udhëhiqte këtë çështje madhore ishte e vënë me shpatulla, për të mos thënë shumica ishte asgjësuar, burgosur, internuar. Dhe kur dolën prej qelive apo u kthen prej internimeve ishin të topitur. Pilafin e kishin përgatitur dhe gatuar të tjerët, të sprovuar dhe të stërvitur në kudhra dhe furtuna të këtilla. Tavolina ishte shtruar dhe të ftuarit ishin ulur. Ata me ndrojtje u munduan të afroheshin pranë tavolinës. Të thoshin fjalën e tyre. Por vështroheshin me kureshtje, gati me habi. Vazhdonte buzëqeshja hipokrite. Më pas tinës tyre i shkelnin syrin njëri tjetrit. Pastaj me lezet lëviznin majtas dhe djathtas. Të përndjekurit dhe të persekutuarit ndjeheshin që po shtyheshin me bërryla prej sofërshtruarve. Kishte dhe ndonjë gjuajtje të fortë, nervoze, në ije, derisa i nxorën jashtë tavolinës, i lanë në të thatë. Shtresa e mirëfilltë ishte prapa listës, si mbetej tjetër veçse të priste dhe të shpresonte.

Por ju lutem, më thoni, kujt duhet ti a vëmë fajin  dhe përgjegjësinë e kësaj shurdhërie dhe indiferentizmi. Problemeve të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare? Po a ka problem më të madh se prona? Kudo sot në botë,edhe më parë, në mijëra vjet të gjitha ngjarjet e mëdha, përmbysjet dhe luftërat bëheshin dhe bëhen për interesa dhe para. Apatisë, korrupsionit galopant. Shtetit të zënë me punë, punonjësve të saj të paaftë? Apo mendësinë të theksuar të shoqërisë shqiptare e cila është akoma komuniste. Që o burra të flasim shume se diçka do të mbetet dhe o burra të rrëmbejmë kur s’ka të tjerë. Ndërkohë sot në Shqipëri numërohen me dhjetëra milionerë dhe disa janë miliarderë.

Nga dolën këta pasanikë të rinj të nuk të falim për asgjë, që nuk kanë ngopje, sepse u pasuruan me të gjitha mënyrat dhe jo me djersën e ballit, si dikur të parët tanë? Të cilët bënë bamirësi, ndërtuan qytetin dhe nderuan vendin. Sigurisht, paraja e fituar me mund e djersë shijohet dhe ka fryt dhe vlerë. Sesa paraja e vjedhur e rrëmbyer dhe e bërë me poshtërsi e korrupsion. Por këtë nuk mund ta kuptojnë ata që nuk e kanë.

Është folur dhe stërfolur në këto dy dekada dhe ca, që haka të shkojë tek i zoti, nga të dyja forcat politike. Kjo ka qenë dhe është thjesht demagogji, mbasi në to fshihen shumë interesa të afërta dhe të largëta.

Ish pronarët e ligjshëm, qytetarët e ndershëm dhe të nderuar, mbas protestës paqësore të bërë përpara baskisë së qytetit, caktuan një grup përfaqësues  dhe kërkuan takim me prefektin e qytetit. I cili iu hoq sikur nuk dinte gjë dhe tha se do ta shoh këtë çështje. Ndërkohë ditët dhe javët kalojnë. Heshtja dhe indiferentizmi shtetëror vazhdon sot dhe gjithë ditën.

Shurdhëri e prapë shurdhëri.

Prefekti nuk ka çfarë të shohë, kur në to ka interesa të tjera. Nuk kam dëgjuar ndonjë prej pushtetarëve tanë, të djeshëm dhe të sotëm, të vënë interesin e popullit , aq më tepër të ish pronarëve mbi interesin e vet dhe të tarafit të tij. Ish pronarët presin. Ata janë të çorientuar, të hutuar. Përsëri shurdhëri.

Por partitë politike nuk kanë kohën të bëjnë fushata elektorale, ku të prekin me forcë çështjen  e pronës. Nuk di zoti prefekt se çfarë bëhet në qytetin e tij! Nuk është koha të flasin për pronën, pronarët dhe të drejtën e saj të ligjshme. Nuk është koha, mbasi është shumë shpejt, të bredhin qytet më qytet dhe të bëjnë premtime zhurmë mëdha, për marrje pushtetesh dhe vendesh në parlament. Më mirë duhet shurdhëri. Do disa vite, që të vijë koha fushatave dhe të përpjekjeve për marrje pushteti.  Ç’ishte për të bërë u bë. Prandaj tashmë le të merren me cic mice, të grinden në parlament, të shajnë dhe stërshajnë njëri tjetrin, për një heqje, largim militanti prej detyrës, dhe emërim detyre të një militanti të krahut tjetër. Për ndarje hesapesh dhe pasurish.

Korça plakë, qytet ky, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e kombit Shqiptar, është në shurdhëri. Le të jetë kështu si më parë, në këto shtatëdhjetë vite apatie. Edhe pse ky qytet dikur ka nxjerrë figura të shquara, patriotë të mëdhenj, në të gjitha fushat e jetës dhe të aktivitetit shoqëror. Të cilët kanë sakrifikuar jetën, rininë dhe pasurinë, për qytetin  dhe kombin për gjatë rrjedhës së historisë. Por mos harrojmë, qytetin e bëjnë njerëzit dhe e përfaqësojnë familjet që kanë jetuar dhe kontribuar në shekuj dhe vazhdojnë jetojnë në të. Korça pret si gjithnjë në apati.

Thuhet gjithnjë që, këtij vendi po i merret fryma nga fenomeni i korrupsionit. Tani po çuditeni, apo më parë nuk e dinit se ka qenë shurdhëri. Mbasi qysh në fillim të viteve 90 nisi të prisheshin shumë gjëra që nuk duheshin prishur, për të filluar nga zeroja e famshme. Të bëhej dhe të montohej mbi mohimin e pronës dhe të pronarëve të ligjshëm.

Shqipëria filloi të ecte duke u mbështetur mbi paterica drejt ekonomisë së tregut. Në truallin e  pa shtruar, pa vënë arsyen dhe të drejtën në mes, lindi, u ndez etja e papërballueshme, e tmerrshme, për tu pasuruar me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Rrëmbimit, mohimit të pronës, të së drejtës dhe të gjithë vlerave shoqërore dhe materiale prej të tjerëve.

Përflitet  se tani është caktuar nga qeveria një fond i veçantë për kompensimin e pronave, të ish pronareve. Të jetë dhe kjo një demagogji, mashtrim dhe hipokrizi e radhës?! Kur është thënë ky haber i madh, përpara apo pas mohimit të pronave të qytetarëve të qytetit të Korçës?

Ditën tjetër vjen lajmi se qeveria ndryshe nga premtimet e deridjeshme për një skemë të re e cila do të kishte një kompensim fizik prioritar për ish pronarët. Me aktin e djeshëm, të datës 29 janar qeveria i hoqi të gjithë tokën e mundshme të Agjencisë së Pronave dhe rrjedhimisht për ish pronarëve. Pra veprimi fillon qe nga qendra në bazë. Sot e bëjmë zonë të gjelbër. Nesër. Prapë këtu jemi, mblidhemi  dhe e kthejmë si më parë në të verdhë, për interes tonë…

Më thuaj mik, ka si SHURDHËRIA?!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Kristaq Turtulli, Shurdheria

TË TRETURIT DHE TË PADITURIT NUK MUND TË GJYKOHEN…

January 23, 2014 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI/

U përpoq të lexonte. S’mundi. Sytë i përvëlonin dhe rrëkeja e kripur e lotëve njomi brazdat e thata të fytyrës. Iu bë sikur shtyhej qëllimshëm majtas djathtas prej kalimtarëve. Ishte një shtyrje e ngulmtë aq sa ai me vështirësi përmbajti hungërimën. U tërhoq prapa si zvarranik i lënduar, duke iu marrë këmbët por pa lëshuar gazetën nga dora. Dielli qëndronte në kupë të qiellit dhe digjte. Prej djersës këmisha i ish ngjitur pas lëkurës. Me nervozizëm i shkuli të gjitha komçat. Në djall të vinin. Rrëzoi sytë mbi gazetë, germat shtynin, ngashëroheshin, kërlesheshin me njëra tjetrën dhe gazeta qullej prej djersës që vazhdonte të rridhte rrëke.

Shkrimi qe botuar në faqen e parë të gazetës së bashku me foton e vjetër të ‘ATIJ,’ dalë me syze të mëdha, me xhama të trasha optike dhe me vështrim të përhumbur, të hutuar. Çfarë dreq pafajësi asgjësuese ka! Edhe pse gjithçka ish zverdhur, irnosur nga koha, bërë pluhur dhe hi. Përvijimi lëvizi, ajri u drodh, iu bë sikur u qesëndis keqas prej lëvizjeve rrethore. Gishtërinjtë e zverdhur prej duhanit iu mblodhën instinktivisht, mëshuan forcërisht mbi fletën e gazetës. Gishti i madh u përthye dhe çori me mllef foton e ‘ATIJ.’ Syzet e mëdha, me xhama të trasha u bënë shuk, menjëherë dëgjoi zhurmën acaruese të thërrmimit, dhe të asgjësimit. U shqtriq.

Të ish gërmuqje e marrake?! Një kollitje dhe përshpirtje e heshtur prej fundbote?! Gërryerje nervoze nëntokësore, ku uji i turbull çjerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura. Mokrrat e kalbura, të mykura dhe kockat varen kërcënueshëm nëpër gërxhe e brigje. Sa kocka dhe eshtra ka tretur kjo tokë, me bilionë. Përse duhet të dëgjohet kjo qarje e zvargur ujore në këtë përpëlitje të vonuar, rastësore, të fund shekulli!

Gjithë ankth vështroi përreth me mendimin se vështrimet dashakeqe së bashku me shtyrjet ishin mbërthyer si gozhdë në çdo pjesë të trupit. Tmerri ngjethës i përfshiu krejt trupin. Flokët e bardha të prera shumë shkurt iu ngritën si gjemba iriqi përpjetë. I vinte të ulërinte si ujk i plagosur e turravrap të gremisej mes morrisë së njerëzve, të shtynte dhe shkelmonte nga ti binte për mbarë, në verbëri. Turma qe indiferent nuk i ndjeu goditjet edhe pse ai dëgjoi rrëmetin. Kapërdiu klithmën e hidhur në stomak. I murrëtyer ktheu bërrylin e rrugës. Qëndroi. Vështroi rreth e rrotull. I paduruar dhe i nervozuar mblodhi gazetën shuk, e rrasi shpejtazi në zgavrën e gojës. Tehet e mprehta të germave ia copëtuan gjuhën dhe qiellzën. Trupi iu shkund. Volli me gulçe.

Pështjella e shtyu të vraponte sa ti hanin këmbët e dhe pse ishte plak. Ndjehej i mpirë. Pellgorja e vjelljes përzierë me morinë e neveritshme të germave ish ngjitur si mastiç në asfaltin e lagur dhe shkelej pakujdesshëm prej hapave të njerëzve. U skërmit. Qeshi turbullt. Iku tok me hapat e të tjerëve.

Jo, nuk mundi të ikte. U lëkund disa herë si lavjerrës, pastaj lëvizi pjerrtas. U shty. U përmbys. U zvarrit drejt marramendjes, mbështjellë me petkun e ronitur të vrerit.

Kishin kaluar shumë vite. Ndoshta shekuj. Gjithçka ish mbështjellë me mjegullën e thellë, aq sa besonte dhe vete se nuk mund të kish ndodhur kurrë. U hodh përsipër mali i madh i harresës. U gropos me  gjithsej. U zhduk në  humnerat e fundbotës, ku fshihen marrëzitë, enigmat dhe ‘mëkatet’ e mëdha. Mezi gjeti një kënd të fshehur, u ul në gjunjë dhe nisi të falej me ngut.

Ndryshimet sociale e hodhën në krahët e fesë. Paçka se dikur e përbuzi fenë me shpirt, urreu, e përndoqi me zjarr dhe me hekur. Shkatërroi deri në themelet xhaminë e vogël që gjendej në kodrën e ‘ Shën Mërisë’.

Tani hodhi çengelin te kurani me kapak të gjelbër nuk e lëshon prej dore. Sa herë thotë ndonjë fjalë me peshë, vë dorën mbi kuran dhe perëndon sytë. Nisi të besojë se krimi nga mëkati nuk i ndan asnjë fije. Janë ‘Një’ përpara gjykimit të fundit. Por besimi  i madh e ndihmon që ngjarja e vjetër të thërrmohet prej memories. Ndjehejti qetë. Besimi ta lehtësuaka shpirtin. Ish në qetësi e çuditshme, si një shpend i egër, sy kthjellët që endet në kurorën e një pylli në dimër, me drurë pa fletë.

Habia më e madhe, budallallëku më i madh dhe poshtërsia më e madhe kanë një hark kohor tre ditor. Këtë e njihte mirë. Veçse nuk bëhej fjalë për çudi dhe marrëzi. Këtu lëvizte si eter një shkundje tronditëse. Mugëtira kohë e pat mbështjellë me kujdes me çarçafin e tretjes. Nuk la asnjë shteg. Asnjë shenjë. Asnjë fakt. Asgjë prej gjëje, përveç rrëkeve dhe prurjeve të tërbuara të lumit që rridhte dhe rridhte pa ndërprerje.

Besoi se qe hedhur thjesht një version. Një alibi me hallakatjet e pamenduara të gazetarëve, duke shkelur mbi dërrasat e kalbura të kohës. Përsëri i përvëloi trupi, si ti futej mes përmes një hell i skuqur. Të ish si më parë, hëm! As do ti luante maja e qerpikut. Për dreq situatat ndryshuan dhe kjo gjë i futi lepurin në bark, e çekuilibroi. Vërtet donte të besonte në fe, por jo si një naiv i mjerë, të përdëllehej  dhe të zbrazte lëngjet e barkut.

Vala e urrejtjes i mpiu gjuhën. Ish gati ta shqyente atë gazetaruc, mi zyre, që futi hundën në humbëtirë dhe shapurisi me qëllim errësirën e rëndë. Ngriti nga balta kundërmimin mbytës për të rivrarë të vrarën. Ta çavaliste me thonj, ja kështu siç çavaliti gazetën, të ndyrë prej jargëve. Sa mirë do ish që të zgërlaqej njeriu me  ca lëvizje të shpejta të gishtërinjve, pastaj të përtypej dhe të përtypej derisa të dilte një masë e qullët. Një asgjë. Asgjëja është kryevepra më e saktë, prej saj nuk ke përse të frikësohesh. Mund të bësh gjithçka dhe  asgjëja mbetet përsëri asgjë. Se nuk ka materie, por asgjë. Gjumi dhe qetësia shpirtërore qëndron në shkallën maksimale. Së fundi mësoi prej librave të shenjtë se Zoti krijoi jetën prej asgjësë. Së paku të ishte një asgjë në miniaturë. Dëshironte me gjithë shpirt të vazhdonte asgjëja e mëparshme. Por dreqërit nuk flenë e shkundën asgjënë.

Vështronte sy çapëlyer ronitjen e godinës së asgjësë. U gërmuq të ikte me vrap. Megjithëse e donte deri në verbëri. Jo rrallë në netët pa hënë, në errësirën më të thellë, klithte zëzvargur, kafshonte thonjtë  derisa shija e athët e gjakut njomte buzët e përthara. Harronte që kish ndër dhembë gishtërinjtë e tij, por vazhdonte të thithte me neps si i babëzitur. Vetëm kur i mpiheshin gishtërinjtë dhe dhëmbët dergjej përdhe. Mbështillej kutullaç, qante me gulçe sy ngulur errësirës së pafund. Duhej te ish erresira, mjegulla, dytesimi…

Rrjedha e jetës kish qenë shumë e favorshme për të. Kur lindi sh mesditë tetori me mjegull. Ra kutullaç, si lëmsh, në këmbët e së ëmës, në mes të arës me misra. Nuk qau. E ëma e ngriti nga krahu e qëlloi tre herë në bythka dhe ai lëshoi një të klithmë të mprehtë. Nëna e mbështolli mishin e kuq me çfarë iu ndodh pranë, me pecetën e pistë që mbështillte bukën dhe me xhaketën e leshtë gjithë arna. Ish fëmija tetë i familjes dhe e ëma as që vuajti në lindjen e tij. Hapi këmbët dhe foshnja ra pëlltump si një kafshëz e vogël në dheun e shkrifët. E ëma nuk kish përse të ankohej për të dhe për peripecitë e mundimshme të grave në lindje.

Fëmijërinë e kaloi nëpër këmbët e të rriturve dhe në rrugët e përbaltura të fshatit. Bënte çfarë të donte dhe si ti shkrepej. Hante ku të mundte dhe zhgërryhej paq nëpër rrugët e ndyra të fshatit malor. Marifetet dhe djallëzitë e fëndura i hanin më të rriturit, vëllezërit dhe motrat dhe skërmiste dhembët në terr. Mos ndëshkimi ia shtonte akoma më shumë zellin tinëzive. Një fshikull në shpinën e tij shpaguhej me dhjetë fshikuj në shpinat e të tjerëve. Më pas fshihej pas grumbullit të hedhurinave dhe qeshte me hidhësi, pa u vënë veshin kërcënimeve të vëllezërve dhe shokëve.

I ati ishte komunist i vjetër, sekretar partie në fshat, asnjëherë nuk e shkuli koburen nga brezi. I ngrefosur bridhte rrugëve të ndyra të fshatit dhe betohej:

‘S’ lëshoj pe kundër armiqve të partisë, betohem për ideal të partisë dhe për këtë kobure.’

Ishte i vogël kur gjyshi u grind me të atin.

‘Dëgjo këtu lanet,’ i foli gjyshi me zë të lodhur. Plaku rrahu me inat bastunin e shtrembër pas tokës dhe shtoi: ‘Qehajai më vriste sytë kur më mbinte përpara hundës me pushkën në sup. Tani po djali im më bredh në fshat me kobure në brez.’

‘Shko plak, futu në haur dhe më lër të qetë. Ne me kobure e morëm pushtetin dhe me kobure do ta mbajmë.’

‘Të dhjefsha urët,’ shau gjyshi i verdhë dyllë në fytyrë: ‘më treguake haurin.’

‘Të më dhjesësh urët!’iu shkreh i biri me kobure:‘ Plak vëri ushkur gjuhës, se po të ishte për ty akoma me bajgat do flija.’

I gjyshi nuk i ktheu përgjigje. Iku i kërrusur dhe duke iu marrë këmbët. U mbyll në dhomën e vogël ngjitur me haurin, në krah të pyllit. Mbas një muaj vdiq dhe u varros pa shumë ceremoni. Fëmija i Tetë nuk qau për të gjyshin, që siç thoshte i ati: gjyshi ishte një plak grindavec dhe i pjerdhur nga trutë, që i kish mbetur mendja turqi.

Pushteti i të atit ia shtonte zellin për prapësi fëmijës së Tetë. Sherreti i pagdhendur godiste pabesisht bashkëmoshatarët. Mësuesve u vinte nëpër libra e çanta minj, insekte dhe zvarranikë, tërhiqej në qoshe dhe përvuajtej në fytyrë kur përmendej emri i tij. Hija e sekretarit të partisë me kobure gërmuqte shtëpitë e ulëta dhe rrugët e përbaltura të fshatit dhe jo më mësuesit anemikë, që me një sinjalizim prej partie nuk dihej nga do tu rrihnin barqet. Në shkrepa dhe gërxhe pafund, mbase në qelitë e akullta të burgut të tmerrshëm: ‘Hani me dy porta.’

Fëmija i Tetë e kuptonte se: më mirë të jesh i pari i fshatit se sa i fundit i qytetit. Ndaj nuk prapsej përpara asgjëje. Fshati i tij në gji të maleve ish një botë më vete. Përfundoi klasën e shtatë. Personeli i mësuesve morri frymë i lehtësuar. Pak u interesonte nëse nxënësi ish i aftësuar në mësime. Njeriu me kobure u vërtitej përpara syve si gogozhel, ndaj ata i shtuan nga një, dy, pse jo edhe tre nota mbi rezultatet që kish.

Në shkollën pedagogjike i braktisi togjet me hedhurina, minjtë dhe insektet. Veshi pantallona të reja doku dhe xhaketën e shkurtuar të atit, por pa hequr stemën sovjetike në jakë. Të gjitha çapkënllëqet dhe horrllëqet fëmijërore i flaku së bashku me minjtë në haurin e kalit topall. Të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur sikur të mos e pat detyruar i ati. Një natë e urdhëroi të qëndronte në këmbë përpara se të fillonte shkollën pedagogjike. I mbajti  një leksion të gjatë,me të folurën e trashë, grënçka- grënçka, duke e spërkatur me pështymë, mbi detyrën e vështirë dhe stoike të djalit të komunistit të vjetër dhe të sekretarit të partisë së fshatit. Për perspektivën dhe lënien e stafetës në duar të sigurta. Për luftën e pamëshirshme ndaj armiqve të kamufluar të klasës, borgjezëve dhe kulakëve. I ati heshti një moment. Koka e të birit varej poshtë. I ati i tregoi koburen, i foli për rëndësinë e saj, e cila duhej të qëndronte përherë në brez dhe me fishekun në gojë.

‘Përsëriti nga e para të gjitha këto që thashë,’urdhëroi të birin.

Fëmijës së Tetë i varej koka për gjumë.

‘Me kobure në gojë dhe fishekun në brez…’ bërbëliti.

‘Derr me zile,’ gërhiti i ati. Mbërtheu të birin nga krahu dhe i futi kokën në ujin e ftohtë të pusit.

‘Mos e plevitos djalin,’ u ligështua e shoqja.

‘Përsëriti, ‘ urdhëroi ashpër të birin,pa i vënë veshin ankimeve të gruas, dhe më pas vazhdoi: ‘Trashëgiminë komuniste familjare duhet ta kesh busull në çdo hap të jetës. Armiqtë e klasës…’

Fëmija përsëriste si në jerm fjalët e të atit dhe dera e vjetër së ashefit përplasej prej erës, dukej sikur kuiste, si shpirtrat e të ikurve.

‘Grua, vëri llozin atij djalli ashef, na urgusi zorrët,’- bërtiti i ati.

Këshillat e të atit atë natë të tmerrshme nuk kaluan pa lënë gjurmë në qenien e fëmijës së tetë. E shkundën, ia mprehën shikimin, e aftësuan për tinëzi të fshehura. Ndërgjegjësimi ishte i plotë. Dy tre denoncime modeste në drejtori për individë të pandërgjegjshëm, bashkënxënës të tij. Hija e tij u rit. U shtua besimi i shokëve të drejtorisë dhe mundësia për të marrë klasën, mbasi drejt e drejt nuk e hante dot.

Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike i ati i bleu kostum ngjyrë bari. Mësoi si të hekuroste, ti bënte pantallonat me vijë. Në çaste dembelizmi spërkaste këpucët me pështymë dhe i fshinte lezetshëm me cepin e leshtë të batanijes. Kostumi i dha rëndësi. Megjithëse në mësime nuk dallohej, zvarritej në pragun e rrezikshëm midis notës kaluese dhe mbetëse. Aq sa u detyrua komunisti me kobure ti hipte kalit gërdallë. Të linte fshatin me njëmijë halle në gji të maleve. Të zbriste në qytet dhe të shkonte drejt e në seksion të arsimit. Shkuli koburen nga brezi e përplasi në tavolinë dhe bërtiti:

‘Po shpërdorohet njeriu i ri!’

Poterja e njeriut me kobure i shkundi mësuesit e mykur, të cilët akoma përdornin metoda të vjetruara dhe nuk dinin të aftësonin bijtë e komunistëve. Mësuesit mbyllën të dyja sytë. Fëmija i tetë përfundoi me sukses të plotë shkollën pedagogjike. Shkundi kostumin ngjyrë bari prej pluhurit të dendur të qytetit dhe u nis në fshat. Komunisti i vjetër bëri një darkë të madhe dhe shkrehu disa herë koburen në dritare.

Ditën e hënë filloi mësues në fshatin e lindjes. Qysh në fillim nuk i kushtoi rëndësi mësimdhënies, por zhbirimit të kolegëve. Intuita nuk i gaboi. Mësuesi i matematikës, me pak kurriz të dalë, me syze, me xhama të trasha, si tasa ku shkunden cigaret dhe kolegët e quanin ‘shqerrë.’ Mbasi gjithë ditën e perëndisë mezi fliste dy fjalë, por zhyste hundën pingul mbi libra. Ky mësues që aksidentalisht thirrej ‘shqerrë,’ i përkiste një familje të deklasuar. Babai i tij i shkuli, i gremisi tutje prej fshatit familjet e deklasuara. Nga u gjend ky, kush e solli, përse pruri?

Nervozohej për çdo lëvizje të ‘shqerrës’. Aq sa dhe heshtja dhe frymëmarrja e tij e acaronte. Filloi ta përgjonte në çdo hap që shkelte. Syri  i tij vigjilent ngulej me këmbëngulje tek rezja e derës së klasës, në dritare. Deri në plasat e ndyra të derës së WC. ‘Shqerra’ vetëm lexonte dhe heshte. Ish absolut në matematikë. Një moment bënte habi, si mund të heshte kaq gjatë njeriu! Por heshtja shpesh herë është teh i mprehtë shpate. Pra nëpërmjet heshtjes koka katrore e ‘shqerrës’ fshihte mendime të mbrapshta. Filloi ta cyste për sherr. Haste në murrin e padepërtueshëm të heshtjes dhe në shikimin e pafaj. Kjo e tërbonte. Atëherë e godiste me bërryl gjatë shkëmbimeve në korridoret e ngushta të shkollës. I rrëzonte regjistrin, i shkelte këmbën. I kërkonte të falur duke i buzëqeshur me ligësi. Çuditërisht gjente vetëm trishtim në sytë e mjegullta të ‘shqerrës’.

Fëmija i Tetë shkonte në shtëpi i çliruar, ngaqë ish mësuar të grisej me dikë. Iu bë sëmundje dhe argëtim mos përgjigja e mësuesit të matematikës. Nxiste nxënësit të bëheshin pjesë e ngacmimit dhe poshtërimit të kolegut. U bërtiste nxënësve dhe në të njëjtën kohë u shkelte syrin. Mësuesi i matematikës nuk u kthente fjalë. Tërhiqej pas i nervozuar, hiqte dhe vinte syzet dhe vërtiste sytë miope. I rrëmbushur shtrëngonte librat në gjoks dhe mbyllej në dhomë. Në oborrin e shkollës plaste gazi i shfrenuar dhe pastruesja përzinte nxënësit me fshesë.

Kjo lojë do të vazhdonte gjatë. Ngacmim dhe heshtje. Nuk është keq kur vë në lojë, argëtohesh me dikë që nuk është në gjendje të lëvizë as qerpikun. Nuk mposhtën monotonia dhe dita të shkon për bukuri.

Befas një të hëne mbas dite në përfundim të semestrit të dytë. Në analizën vjetore, klasa e tij kish rezultate shumë të dobëta. U kritikua prej kolegëve. Vështroi me indiferentizëm dhe zhgarraviti me inat bllokun e vogël. Aty nga fundi i mbledhjes, kur nuk pritej dhe kur po mbylleshin diskutimet dhe kritikat. Çuditërisht dhe‘shqerrës’ iu hap goja. E kritikoi për paaftësi. ‘Shqerra’ u ngrit me ngadalë në këmbë, shtrëngoi librat në gjoksin e dobët dhe hodhi në mes të sallës së mësuesve fshikullin e fortë. Nuk ish fshikull por vetëtimë rrufeje. I deleguari e vështroi një copë herë mendueshëm dhe e aprovoi me kokë se çfarë tha ‘shqerra.’

‘ Çfarë!’ai bëri fëmija i Tetë. Shqeu sytë dhe trupi iu drodh si purtekë. U rrotullua dhe ngriti veshët në përgjim. Ngjyrat e fytyrës i ndryshonin çdo minutë. E kritikoi për paaftësi kolegu, mësuesi i matematikes, gjoja ‘shqerra’! Si guxoi! Përbuzja dhe urrejtja që i kish lindur në thellësi i përfshiu krejt trupin, i ngërdheshi fytyrën. Si mundi të guxonte! Armiku i klasës kritikoi ardhmërinë?! Përse foli?

‘Shqerra’ i tregoi se duhej të studionte më shumë! I tregoi seriozitetin e detyrës së mësuesit! Përse duhej të fliste? Kush e lejoi atë të fliste? Çfarë seriozitet kërkon qorri! Kush ‘kolegu’, mësuesi i matematikës që mban mbi supe mëkatin klasor! U ngritën këmbët ti bien kokës. Mbledhja u bë e mjegullt. Vërtiste çelësat nëpër duar, ah sikur të kishte koburen e të atit. Le ta kritikonin të gjithë, ujë të zi ti nxirrnin, vetëm qorri të mos hapte gojës. Le të gërmuqej, të bluhej me heshtjen e tij. Rrotullonte sytë mbi fytyrat e kolegëve. Çuditërisht i dukeshin të njëjta, të deformuara,  por shfytyrimin më të madh e kish gjëja që quhej aksidentalisht ‘shqerrë’. Shqerrat, gjëja e urtë e butë e perëndisë, hanë, blegërijnë, presin në heshtje, të bindura satërin e kasapit dhe asgjë më shumë.

Drejtori i pëshpërit të deleguarit diçka në vesh. I deleguari vështroi ‘shqerrën’ ngulët:

‘Ndërkohë ju po studioni për të mbrojtur disertacionin në matematikë, apo jo?’ e pyeti.

Njeriu me syze që thirrej ‘shqerrë luajti kokën në shenjë aprovimi.

‘Po.’ Murmuriti.

‘Ashtu! Shumë mirë!’ ia bëri i deleguari.

Një moment fëmijës së Tetë i bëhej të ngrihej, të shtynte stolat, të derdhej drejt qorrit me xhama numër pesë. Ti a flakte syzet, ta mbërthente nga shpatullat me egërsi dhe ta përplaste përdheri. I thoni shumë mirë armikut të klasës dhe përdhosni djalin e komunistit të orëve të para! Çmenduri! Bota u bë për dreq!

Kur reshtën kritikat gati si somnambul doli nga salla. I deleguari i vuri dorën në shpatull por ai e vështroi turbullt. Eci i dërmuar drejt shtëpisë. A ishte e mundur që djali i komunistit të flaktë të kritikohej, të zgërlaqej! Sigurisht ajo gjëja me syze miope që thirrej prej kolegëve me idiotësi ‘shqerrë’, kish përgatitur me shume mençuri dhe kujdes skenarin e kritikës dhe fundosjes së tij. Me kokë të rënduar nga mendimet ngjiti të përpjetën që e çonte në shtëpi. Si marrin guximin këta të përmbysur dhe qorra të mendojnë për tu bërë shkencëtarë. Ku, ku nëne! I paska hyrë vetja në qejf. Por nuk kuptonte simpatinë e hapur të drejtorit të shkollës. Duhet parë me kujdes e shkuara e afërt dhe e largët e drejtorit. Duhet të ketë ndonjë kleçkë në biografi që pëlqen armiqtë e klasës. Kish bërë kërkesë në seksion të arsimit për të zënë vendin e drejtorit. Duhet ti ketë rënë në vesh ndaj po e lufton. Eh! Qentë le të lehin karvani të ecë përpara.

I tha të atit, i cili rrëzoi vetullat e trasha, të zbardhura, u gërmuq keqas dhe goditi vrazhdë qypin e madh prej balte. Qypi u thye me rrapëllimë dhe turshitë e dimrit së bashku me shëllirën përmbytën dhomën.

‘Armiku i klasës punon,’ hungëriti plaku.

Plaka duke mallkuar filloi të mblidhte me kaci turshitë dhe të pinte me një leckë të vjetër shëllirën. Atë e bir u ngjeshën në qoshe të dhomës dhe nisën të pinin raki. I ati shkuli koburen nga brezi dhe e la në tavolinë. Sytë e të dyve u përqendruan tek ai send i metaltë, që prehej aq pafajësish por po të lëvizje gishtin, villte zjarr. I ati shtriu  dorën dhe rëndoi mbi kobure:

‘Si guxoi biri i bushtrës te me shaje djalin! Ti jap një plumb në ballë dhe ta qëroj atë farë?’bërtiti.

‘Nuk është si më parë baba.’

‘Nuk është si me pare thotë! Hajde baba te tregoj arat. A nuk e kemi ne pushtetin? Biro, mos u bëj qull,’-hungëriti i ati dhe u ngrit me vrull, këmbët nuk e mbajtën, ra mbi të birin që e vështronte i nemitur dhe që mërmëriti:

‘Plak, mos më fyej.’

At e bir u ngatërruan keqes duke spërkatur njeri tjetrin me pështymë.

‘Raki e keqe!’

‘Jo, thashë farë e keqe,’ u mbrojt i biri.

‘Mos guxo të ma shah rakinë. E dua shpagimin në çast dhe pa asnjë ceremoni,’- bërbëliti i ati, piu raki me neps  dhe vazhdoi:-‘Do të kishim bërë mirë ti kishim zhdukur të gjithë qysh më 1945. Por këta dreqër ishin shumë dhe plumba kishim pak.’

‘Fole gjë për zhdukje baba?’

‘Zhdukje fola o posi.’

‘Zhdukuni nga kjo dhomë pijanecë. Nuk e ndjeni se po ju mbyt shëllira, ‘ u grind e ëma e mbytur në djersë.

‘Mbylle halenë plakë. Apo do të jap e ty një shkelmë dhe të flak përdhe si qypi me turshi,’ i klithi plaku me kobure.

‘Ti bëj një denoncim dhe ta rrasin në birucat e ‘Hanit me dy porta,’foli i biri mes jargëve.

‘Jo,’ ulëriti i ati dhe rrëmbeu koburen. Arma i shpëtoi nga duart, ra përdhe në grumbullim me turshi. Koburja e të atit së bashku me tërbimet e tij ishin të ndryshkura, nuk ngrinte më peshë.

‘Burgu ka dy dyer, vdekja vetëm një,’këmbënguli i ati.

I biri luajti kryet, i ish mpirë qafa. I ati nuk kish fuqi të ngrinte koburen prej togut me turshi. Dhoma kundërmonte prej erës së rëndë së shëllirës dhe rakisë. Plaka duke i shtyrë, sharrë dhe mallkuar i nxori nga dhoma.

Duke i mbajtur pas parmakut të drunjtë  të shkallëve u ngjit në dhomë, pa u zhveshur u shtri në shtrat. Për herë të parë e pa se nuk duhet të mbahej vetëm pas një medaljeje. Dritarja ish hapur kat më kat. Pa qiellin, iu duk si një pus i thellë i pafund, i përmbytur prej errësirës. Iu bë sikur dëgjoi zëra të mbytura, mërmërima që vinin prej së thelli. Stomaku i përvëlonte, i ziente si të kish bërsi. Gromësiu dhe lëshoi avull të nxehtë. I vinte për të nxjerrë të gjitha plaçkat e barkut. E ëma i la mbi komodinë një gotë me limonadë por ai nuk kish fuqi të ngrihej dhe ta pinte.

Qindra krahë të zinj oktapodi e kishin përfshirë dhe po e tërhiqnin drejt asgjësë. U përpoq të shkëputej, nuk mundte. U përdrodh dhe u mblodh si lëmsh. Një valë e zjarrtë i u ngjit nga fundi i barkut, volli disa herë me gulçe duke rënkuar. Pështyu me neveri thërrimet e qullëta që i kishin mbetur në kthinat e zgavrës së gojës dhe morri frymë i çliruar.

U shtri përmbys. E ëma me zë të trishtuar mërmëriste dhe i fshinte të vjellat. Por ai nuk e merrte vesh në ish në ëndërr apo në zhgjëndërr…

Mugëtirë. Zhurmë, zëra të çjerra. Diku më tej qeshja e acaruar të atit. Ndërsa koburja e ndryshkur lëkundej dhe përplasej pas murit. I bëhej se kish net dhe ditë, javë dhe muaj që ecte nëpër mjegull të dendur dhe nuk shkëputej dot. Ishte qull i gjithi dhe fill i vetëm. Dëgjonte hungërima dhe rënkime të mbytura të vinin nga moçali. Fytyra e ‘shqerrës’ iu shfaq e deformuar, mbuluar krejt prej xhamave miope. Dëgjoi përsëri zëra të lodhur dhe më pas zhurmën e mbytur të gjuhës që rrahu dhembët dhe foli:

‘Eja ‘shqerrë’ të thithësh erë mjegulle.’

Lëvizi krahët të ngrihej iu duk sikur i kish të bëra prej shpendi të irnosur. ‘Shqerra’ mbrohej pas xhamave të trasha dhe ecte ngadalë, duke i bërë dredhë moçalit.

Në shtegun i ngushtë Dajlanit u ndal. ‘Shqerra’ i u afrua pranë dhe ai qeshi i çliruar. Përpara tyre u hap tjetër pamje. Ngriti krahun, i ranë disa pendë të hirta përdhe dhe njeriu ‘shqerrë’ u tremb.

‘Mos tremb,’ i tha, ‘ ti je pjesa ime e munguar.’

Pa u kushtuar rëndësi rrëzimit të pendëve ngriti krahun përsëri dhe i tregoi shpërthimin e gjelbërimit dhe të luleve. I foli për frymëmarrjen e mjegullës dh te pyllit.  ‘Shqerra’ dëgjonte dhe ecte me kokë pakës të përkulur. Në një dorë mbante çantën e rëndë të mbushur me libra të matematikës, për të përfunduar disertacionin dhe në tjetrën pardesynë. Vështronte ballë rrudhur dhe merrte frymë thellë, të mbushej i gjithë gjoksi me ajrin e freskët. Nuk ngopej prej shpërthimit marramendës të ngjyrave, reflekseve mëngjesore dhe valëzimin e bulëzave të vesës. Nuk ka më bujare se Nëna natyrë. Ish i përhumbur. Prapa tij zvarritej një hije e rëndë. Njeriu ‘shqerrë’ kërcente si kangur të largohej prej hijes por ish e pamundur.

Sa shpejt përhumben njerëzit që janë si ‘shqerra,’ sa shpejt!

Në bërrylin e qyqes, aty ku përroi ishte më i thellë. Me lëvizje të shpejtë  të saktë kujtoi se e goditi njeriun ‘shqerrë’ egërsisht prapa kokës. ‘Shqerra’ u kthye vringthi dhe e vështroi me habi, çanta me libra dhe pardesyja i shpëtuan nga duart. Nuk pati kokë të fliste, sepse goditja i erdhi nga ana e djathtë e kokës. Iu këputën këmbët ‘shqerrës’ dhe ra përdhe pa nxjerrë zë. Por ai kish krahë të mbuluar me pendë të irnosura dhe nuk mund të godiste!

Përsëri, dikush tjetër shtyu dhunshëm ’shqerrën’ e goditur në përrua. Me shpejtësi nxori hostenin që e kish fshehur ditë më parë, tërhoqi trupin e ngrohtë të ‘shqerrës’ dhe e ngjeshi me forcë në rrënjët e vidhit të vjetër, aty ku vorbulla e ujit ish me e madhe.

Veshët i buçisnin. Oshtima e ujit dhe e pyllit e tundnin si tërmet. Pendët e irnosura rranë të gjitha përdhe. Ulëriti fort për të larguar hijen e vdekjes se tjetrit. Ulërima u përsërit disa herë me radhë, u rrëqeth. Njeriu ‘shqerrë’ si shqerre që ish, humbi menjëherë nën ujë. Rrënjët e trasha të vidhit e rrëmbyen në çast nën vete. U plandos përdhe u mbytur në djersë. Uturimat ngriheshin dhe përplaseshin dhe ai kujtoj se do çmendej…

Zhurmat ofshëtinë për një moment drodhën ajrin pastaj u fashitën. Zëri i grindur i të atit u tret së bashku me mjegullën. Dëgjohej vetëm uturima e ujit dhe pendët e hirta që iknin tutje.

Trupi i ‘shqerrës’ u gjend vetëm mbas një jave. Artikulli në cep faqes së parafundit të gazetës për një njeri të panjohur, ndoshta mësues që humbi në ujë. ‘Shqerra’ si i hutuar që ish dhe i shtënë marrëzisht pas librave, nuk pa ku hodhi këmbën. Aksidentalisht shkau, u përmbys dhe u mbyt në përrua…

Ende besonte se ish akoma në kllapinë e gjumit dhe nuk ish ai por dikush tjetër, me krahë puplash të irnosura që kreu aktin. Mbase vërtet shkau në lumë, kur kish mjegull dhe dëgjoheshin përshpirtjet e ujit. Të treturit, të ikurit, të paditurit dhe të hutuarit nuk mund të gjykohen…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, te treturit dhe te paditur

NJË BEJLURÇINË E RE NË KORÇËN PLAKË

January 13, 2014 by dgreca

KRISTAQ  TURTULLI/

Kush janë këta njerëz të moshave të ndryshme që protestojnë përpara bashkisë së qytetit të Korçës, në këtë ditë të ftohtë fillim janari, të vitit 2014? Fytyrat e tyre nuk janë të egërsuara. Ato kanë një revoltim dhe indinjatë të heshtur, të trishtuar.

Janë qytetarët fisnikë, të familjeve më të vjetra të qytetit dhe nuk dinë të bëjnë ndryshe dhe kështu kanë qenë gjithmonë. Janë pjesëtarët e familjeve të shquara të qytetit të Korçës: të parët e tyre kanë luftuar për mbrojtjen dhe identitetin e qytetit, krijimin e shtetit të parë shqiptar dhe të kombit. Janë pjesëtarët e familjeve të mëdha;Turtulli, Fundo, Nuke. Mullixhiu, Llogori etj. Që kanë nxjerrë burra të shquar si Mihal Turtulli, Thoma Turtulli, Llazar Fundo. Janë 160 familje. Të çilët kanë qenë dhuruesit dinjiteti dhe krenaria i qytetit të tyre. Familjarët e tyre kanë pritur vite dhe vite me radhë devotshmëri dhe durim, më shumë se shtatëdhjetë vite të rimarrin pronat e tyre.

Po a do bejlurçina i ri i Korçës plakë, që sot na qenka kryetarkë i bashkisë?!

Prej këtyre familjeve të shquara që protestojnë përpara ndërtesës së ngurtë, u kanë ikur breza, në varfëri dhe mizërie pa provuar vërtetësinë  e rivendosjes në vend të pronës, drejtësinë e zbatuar me ligje të vërteta demokratike, prej qeverive demokratike. Bijtë dhe bijat e tyre kanë vuajtur në kullat e hirit për bukën e gojës së bashku me prindërit por njëherësh kanë shpresuar dhe shpresojnë në ligjet e reja dhe shteti i ri demokratik. Kur do të vijë kjo ditë e bekuar dhe tu njohë atyre më në fund të drejtën e pronës të mohuar në dekada dhe dekada.

Dikush nga punonjësit e bashkisë prapa hekurave të përdredhura të zyrës i pëshpërit shoqes në krah me indiferentizëm:

‘Me sa kam dëgjuar janë ish pronarët e vreshtave! Nuk e kuptoj  se çfarë kërkojnë këta pronarë të vjetër xhamën. Tani u kujtuan të protestojnë, pas njëzet e ca vjet demokraci!’

Ish pronarët! Pëshpërit dikush tjetër dhe mbledh buzët, akoma paska Shqipëria ish pronarë që protestojnë për ti njohur dhe mbrojtur pronat e tyre. Ku qenkan këta akoma. Pronarët e rinj ke qejf ti shikosh. S’u bën syri tërr. Të shëndetshëm, të sigurt, kokoroçë. Kaq të paduruar janë këta ish pronarë, që pas njëzet e kusur demokraci kujtohen të grumbullohen, e të protestojnë! Punë e madhe le të bëjnë siç kanë bërë. Kundër kujt protestojnë, kundër kryetarit të bashkisë. Po kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraqi, është i yni bre. Raqka ishte nënkryetar i bindur i partisë. Tani u ngrit një pozitë më lart. S’ka  as dy tre muaj që është zgjedhur në drejtim të Parizit të vogël.

Kryetarka i ri shoku Sotiraq Filo nuk ka trashëguar prona, dhe nuk di dhe nuk çan kryet ta dijë sa e dhimbshme dhe e tmerrshme është kur të merret me përdhunë prona. Kur të mohohet prona. Për shkak të pronës, nëmesh, mallkohesh burgosesh, përndiqesh dhe persekutohesh me gjithë kuç dhe me maçkë për vite me radhë. I di shoku Sotiraq Filo këto?! E çfarë rëndësie ka për një kryetar të ri e shkuara, edhe në e di, edhe në se nuk e di. E thamë, ai nuk ka prona. Por kjo nuk do të thotë të mos bëhet me prona. Kush nuk ngjiti shkallët e pushtetit dhe nuk u pasurua në Shqipëri tonë, ku korrupsioni dhe padrejtësitë janë ulur këmbëkryq.

U përfol se shoku Sotiraqkë u zgjodh me vota të blera, në popullin fukara që ha bukë me listë. Me vota të vjedhura. Po janë fjalë vëlla, veç fjalë?! Edhe sikur të jetë e vërtetë. Punë e madhe, njëri do zgjidhej kryetar. Si nga socialistja, apo demokratikja. Të dy qenë Sotiraqë. Dy kanxherë në një derë. Blerjet dhe vjedhjet e votave janë bërë të modës tek ne.

Ish pronarët qëndrojnë të grumbulluar, përpara bashkisë, nën thëllimin e ftohtë të fillim janarit dhe kërkojnë të  drejtat e tyre, të shkojë më në fund haka tek i zoti. Por i zoti e shet dhe tallalli se jep. Pronat, vreshtat në kodrat e qytetit janë me tapi, të njohura dhe me gjyq dhe janë të futura brenda zonës së verdhë. Me një plan të rëndësishëm studimor, evropian. Ato janë si një ballkon i bukur i qytetit të Korçës dhe i gjithë fushës së saj.

Por me kryetarkën Raqkë nuk bëhet shaka, ai tani është  Ligji dhe Sotiraqi. Dhe nuk do të lëshojë pe. Pronarët e ligjshëm korçarë le ti shohin me dylbi tokat e tyre. Le ti ëndërrojnë, si ëndërr mos më prek, por jo ti gëzojnë.

Të gjithë shqiptarët kërkojnë të hyjnë në Evropë, me se me paterica me kryetarë bashkie, Sotiraqë. Sekretar partie, ish komunistë mafiozë. Kryetarë qeverie që vazhdimisht premtojnë, gënjejnë, nuk dinë dhe nuk duan të njohin se çfarë është e drejta e patjetërsueshme e pronës. Janë ndërruar në Korçë disa kryetarë bashkie, nga të dy forca politike. Të dyja partitë; socialistja dhe demokratja, paçka se shajnë dhe akuzojnë njëra tjetrën, janë si pendë qe. Një kryetar hyn dhe tjetri del, një Çilo dhe një Vangjel. Të gjithë janë munduar ti bëjnë bisht çështjes së drejtë të pronësisë. E kanë zvarritur, për të mos pasur kokëçarje. Por së paku nuk e kanë përbuzur, mohuar dhe përdorur gjithfarëlloj mashtrimesh dhe pabesish si ky bejlurçina Raqka ynë. I cili kërkon ti vërë kapakun qypit të çështjes së pronës dhe ta zërë grykën me brymë për njëherë e mirë

Mu kujtua vitet e para të  demokracisë. Secili nga ne ishim të mbushur me shpresë dhe besim për ditët e mira që paskësaj do të vinin. Dhe kishim të drejtë. Nuk na mbante më kurrizi. Na u përlotën sytë prej emocionit. Erdhi më në fund dita e bardhë e lirisë dhe besimit. E mbështetëm me të gjitha forcat e shpirtit.

Dy vëllezërit e mi i shkurtuan nga puna dhe me plot besim dhe shpresë shkova tek kryetari i komitetit i sapo emëruar nga partia demokratike, aso kohe ish (P. Ll) E njihja qysh në ditët e para të lëvizjes demokratike. Duke i paraqitur tapitë e dyqanit e të pronave të tjera, të fabrikës së kartonit, etj të babait, të cilat e kishte në zamër të pazarit. I thashë (P. Ll) të më ndihmonte, të më kompensonte diçka nga ish dyqani i babait. I cili nuk ekzistonte, përgjatë viteve ishte rrafshuar prej kohësh. Mbasi e kish zënë urbanistika rrugore e zhvillimit të qytetit dhe stacioni i ri i autobusëve.

Kryetari ngriti supet, dyqani i babait tënd nuk ekziston, më tha. Ti e di më mirë se unë që aty është bërë rrugë kryesore e qytetit, ç’të bëj, ku ta gjej, më thuaj ti. Fabrika e kartonit u prish me makineritë u shkatërruan. Më kompenso, i thashë, janë tre familje që duan të mbushin barkun me bukë, më jep një nga dyqanet që sot janë të shtetit, i  thashë. Pa, pa, pa, është punë që nuk bëhet. Vendos parlamenti dhe qeveria demokratike për to. Pastaj në konfidencë më pëshpëriti: E dëgjove se ç’thanë të dy motrat shitëse në vetëshërbimi? Do të presim me sëpata, do të shpiem gjakun deri në gju po të tentojnë të vijnë tu a marrin dyqanin. PD nuk është për haqe dhe hatërembjetje, por për drejtësi dhe zhvillim. Ne do krijojmë shtetin ligjor, shtetin e së drejtës, së pronës, i thashë. Nuk është logjike, i thashë, shumë nga shitëset kanë zbritur nga fshati, janë të afërmit e partisë së punës, e të sigurimit të shtetit, kanë a s’kanë disa muaj që punojnë ne dyqanet e shtetit dhe të bëhen pronare në mallin në huaj. Dhe ne të mbetemi… Më beso mua, më tha(P. Ll), shteti i ri demokratik do ti rregullojë të gjitha sa më mirë, në Shqipëri tonë ka vend boll për të gjithë, të shpronësuarit dhe për pronarët e rinj.

Ika, në shkallët e komitetit takova një mik, kishim qenë së bashku qysh në ditët e parë të krijimit të PD dhe ja qava hallin, isha shumë i zhgënjyer. E ndjeja që diçka nuk shkonte. Ai nënqeshi me ironi dhe më tha. Beson me naivitet se do shkojë haka tek i zoti? Sigurisht, i thashë, përse të mos shkojë haka tek i zoti. Boll me padrejtësi, në radhë të parë demokracia është për ne, për ish të përndjekurit dhe ish pronarët. Në atë krah fli ti, në atë krah, nuk të le laroja të hajë baloja, më tha. Nuk e besova. Në programin e të gjitha partive të krijuara është shkruar me germa të mëdha kthimi i së drejtës së mohuar dhe i pronave pronarëve të ligjshëm. Mos je i dehur, i thashë. Dhe mund të jem i dehur, më tha. Mu duk gati i çmendur, për të mos thënë i lig.

Është përfolur se dikur, Gorbaçovi mbodhi si udhëheqësit e partive motra dhe u tha. Të bëjmë sikur lemë lëmë pushtetin politik dhe o burra të marrim pushtetin ekonomik dhe atë politik. Kjo e vërtetë është si drita e diellit.

Pronarët e ligjshëm, të përndjekurit dhe të persekutuarit mbetën për të gjitha gjërat në bisht. Ata me fisnikëri asnjëherë nuk kërkuan dhe kanë kërkuar gjak dhe hakmarrje, sepse janë qytetarë. Më thoni cili pushtetar i djeshëm, operativ, punonjës sigurimi, gardian i torturave u përndoq dhe u godit prej të përndjekurve, dhe të persekutuarve: Asnjë.

Ata ia lanë drejtësinë dhe hakmarrjen të madhit Zot. Por me sa duket zoti është i shurdhër. Ata përsëri me durim kanë pritur dhe presin që të vijë një ditë dhe shteti tu a njohë të drejtën e tyre.

Politikanët shqiptarë vazhdojnë me hipokrizinë e politikanëve të së kaluarës historike të shtetit shqiptar të cilët ndonëse ditën ulërijnë dhe brohorisin për Europën dhe vendet evropiane, natën numërojnë paratë e fituara nga kompromiset e pista në emër të shtetit shqiptar. Po kështu edhe sot ekziston një grup i madh politikanësh shqiptarë të rangut të lartë por edhe të mesëm apo të ulët të cilët janë pasuruar sistematikisht gjatë kohës ë tyre të drejtimit por që nuk u pëlqen integrimi në BE, ndonëse me fjalë e kërkojnë atë.

Ju lutem më thoni, cila nga familjet e vjetra Shqiptare ka marrë pronat të drejtat e mohuara dheishtë ngritur në vendin e merituar. Asnjë. Partitë dhe qeveritë i kanë lënë qëllimisht në bisht. Kanë alergji për të shkuarën, për të vërtetën, historinë. Më lindi menjëherë pyetja e rëndësishme: Përse nuk u pëlqen disa grupeve të politikanëve shqiptarë integrimi në BE?

Nuk u pëlqen  politikanëve të sotëm të forcave politike, sepse ata kanë ndryshuar ngjyrat e xhaketave dhe bij të një nëne. Sepse ka një grup politikanësh të cilët u ngritën  nga hiçi dhe tani janë të plotfuqishëm, biznesmenë të mëdhenj apo të mesëm dhe u pëlqen kjo mënyrë anarkike e të drejtuarit të shtetit shqiptar për këto 22 vite, sepse në këtë mënyrë kanë shmangur: taksat, kanë bërë evasion fiscal, kanë shkelur ligjet dhe i kanë shpëtuar me këtë rast edhe burgut.

Sotiraqi thotë se në fushatë u premtova qytetarëve që pronat e ish pronarëve në kodrat e qytetit ti bëjë kurorë të gjelbër. Pronat e kujt ua premtove qytetarëve të tyt eti apo tët gjyshi? Sepse duhet të premtosh për atë që ke vetë në zotërim dhe jo mallin e tjetër kujt.

Sipas tij, vreshtat në kodër, pronat e familjeve më të shquara të qytetit, janë mall me zot. Po Sotiraqi tani është zot, bejlurçinë e qytetit. Premton, thotë do ti bëj pronat e të tjerëve zonë të gjelbër dhe nesër nxjerr nga sirtari projektin e zhvillimit të qytetit të vitit 2010 të përgatitura dhe të propozuara nga disa firma  të huaja dhe ua jep nën dorë pronarëve të rinj. Si gjithnjë pronarët e vjetër do mbeten me gisht në gojë. Punë e madhe janë mësuar këta ti mbajnë gishtat në gojë…

Ai bërtet me djallëzi satanai: Ju si familje të mëdha, nuk doni që kodrat e qytetit të jenë të gjelbëruara. Ish pronarët e mbledhur përpara bashkisë i thanë kryetarit Sotiraqit, Ne e duam qytetit më shumë se ty o kryetarë. Dakord jemi, bëji pronat tona të gjelbëruara. Por meqenëse ke vendosur ti bësh zonë të gjelbër, atëherë blijini, na jep dhe ne të drejtën tonë, ose na i kompeso. Ai u thotë, bashkia nuk ka para tu a blejë, dhe vend për ti kompensuar. Ne kemi vendosur ti bëjmë zonë të gjelbër.

Ku po shkojmë në Evropë apo në mesjetën, inkuizicionin komunist, që jo vetën nuk përfillej e drejta e pronës, por digjej me zjarr dhe me hekur ai që kish pronë. A nuk jemi tashmë në një shtet demokratik, ku ‘A’ e parë e një shteti demokratik është respektimi i dhe ruajtja e pronës të mbrohet me ligj. Shteti po i mbron pronat, por pronat e pronarëve të rinj, bijtë dhe bijat e ish komunistëve dhe politikanëve të rinj me prejardhje komuniste. Përse duhet të jemi hipokritë. Prandaj shumë shqiptarë kanë ikur larg në kurbet dhe mendojnë vetëm ikjen, largimin prej mëmëdheut.

Pritën përmirësimin, vendosjen e së drejtës, një vit, një dekadë, dy dekada dhe Shqipëria ajo që ka qenë, në vend numëro: Njëri hyn dhe tjetri del, një Çilkë dhe një Vangjel….

Dhe punonjësit e bashkisë së bashku me kryetarkën e tyre Sotiraq Filo thonë me inat:

Ç’ dreqin duan këta ish pronarë që menduakan dhe kërkuakan pronat e tyre. Sa qesharake. Shqipëria është mbushur kudo me pronarë të rinj. Çfarë duan këta pronarë të vjetër, si të ardhur nga një kohë e largët. Nuk i mjafton Shqipërisë pronarët e rinj, pehlivanët e rinj, bosët e rinj, miliarderët e rinj.

Sa çudi, pronarët e vjetër si të ardhur nga relikat e humbura, u kujtuan të bëjnë rrëmujë, të protestojnë për disa dava prona. Por ata nuk bëjnë rrëmujë me fisnikëri si gjithmonë kërkojnë, por tani u ka ardhur thika në palcë.

Kjo është Shqipëria.

Mos harroni po të ishte vendosur e drejta e pronës e ligjit dhe e shtetit të së drejtës në vitet e para të proceseve demokratike, do të ishte shumë ndryshe Shqipëria, nuk do kish më vrasje dhe vit të mbrapshtë 1997.

‘Shakarat’ dhe paradokset shqiptare asnjëherë nuk kanë të sosur. Ndërkohë vitet ikin me vrap. Po bëhen afro njëzet e kusur vjet ‘demokraci. Një periudhë relativisht e gjatë për të parë dhe dëgjuar ndryshime cilësore për një komb që gjendet në kërthizë të Evropës,  por që shumë se jemi një dëshirave të kërkesave larg Evropës. Ne themi se jemi të plot vitalitet dhe forcë për të ndryshuar dhe përparuar. Ne themi se duam me gjithë shpirt të shkojnë në gjirin e Evropës  e se Evropa është shumë nazemadhe për të mos thënë egoiste ndaj nesh. Ne gjithnjë kemi qënë fare pranë,  në shkallinën e fundit për të pranuar të mirën. Bërtasim, por se nga gjendet një mistrec, një‘ters pojani’ dhe na i prish të gjitha planet.

Lëviz një karrige prej furtunat e pakënaqësive, marrëzive dhe vjedhjeve, dhe ikën pushtetari i një partie. Nisin fushatat elektorale, në emër të popullit, për të mirën e popullit, për të ardhmen e popullit. Me lugë bosh si hamalli Tataç, dikur, dhe ju premtojnë për dhuratë gjënë e të tjerëve. Më në fund lëvizi përsëri karriga erdhi në emër të popullit në pushtet një pushtetar tjetër. Pronarët e vërtetë si gjithnjë, me gisht në gojë.

Pra një hyn dhe një del:

Një Cilkë dhe një Vangjel…

Mjaft më. Tani ka ardhur koha të flasin ndërkombëtarët, komiteti evropian, institucionet e ndryshme botërore dhe gjyqi i Hagës.

Filed Under: Featured, Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, ne Korcen plake, Nje bejlurcine e re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT