Nga kërkimet e vjetshme në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë… një kroat të cilit nuk do mundemi dot t’i themi faleminderit për sa bëri e la pas për ne…/
(Për Milan Šufflay)/- APEL I AKADEMIKËVE KROATË DREJTUAR BOTËS SË CIVILIZUAR/Gjeti dhe përktheu: Lindita Komani/*Në mbrëmjen e 18 shkurtit të këtij viti shkencëtari kroat, profesori i universitetit Milan Šufflay u gjet pa ndjenja në rrugë përpara apartamentit të vet në Zagreb, me kokën të dërrmuar. Ai menjëherë u dërgua në spital, ku u shua pas 25 orësh, pa rifituar ndërgjegjen. Lajmi për këtë krim të tmerrshëm u përhap me shpejtësi rrufeje kudo në Kroaci ku emri i Šufflay-t gëzonte konsideratë të përgjithshme dhe të veçantë sidomos në rrethet intelektuale. Megjithatë, për çudinë më të madhe dhe tmerrin e publikut kroat, policia serbe e Zagrebit konfiskoi të gjitha gazetat që kishin publikuar lajmin për vrasjen dhe deri edhe komunikimet rreth vdekjes së Prof.Šufflay-t u bënë pre e konfiskimeve. Në vend që të bënin hetime për të ndriçuar rastin, policia serbe dërgoi një komision dy orë pas ngjarjes në apartamentin e shkencëtarit të vrarë ku pas një kërkimi të imtë konfiskoi gjithë materialin e çmuar shkencor që Prof.Šufflay kishte marrë me vete në Zagreb nga udhëtimi i tij i afërt në Shqipëri. Policia njëkohësisht ndaloi çdo fjalim në varrim dhe në varrin e tij arrestoi një student i cili donte t’i jepte lamtumirën e fundit profesorit të tij të adhuruar. Ajo largoi gjithë fjongot me ngjyrat kroate nga kurorat dhe rrethoi me shpata të zhveshura turmën që mbante zi.
Edhe pa patur evidencë fillimisht, njerëzit në Kroaci supozonin që prej fillimit, që policia serbe e cila e manifestoi urrejtjen kundër profesorit të vrarë në këtë mënyrë skandaloze mbi varrin e tij të hapur, duhet të ketë qenë e përfshirë në komplot. Çdokush e dinte që ishte rasti i një vrasjeje politike për të eliminuar një nga kokat drejtuese në Kroaci.
Shpejt misteri për vrasjen u zgjidh: hetime private ndriçuan motivet në lidhje me atë krim të ndyrë.
U gjetën rrethana të sigurta të cilat çonin drejt vrasësve. Prof.Šufflay kishte marrë një letër kërcënuese më 24 janar që e lajmëronte për vrasjen që e priste. Letra ishte nënshkruar nga “Organizata luftarake për mbretin dhe vendin” , identike sikurse dihet masivisht me organizatën terroriste “Mlada Jougoslavia” e përbërë nga agjentë të diktaturës dhe nga spiunë policie. Më 18 shkurt, kjo ishte dita e vrasjes – gazeta pro regjimit “Nasa Sloga” në Susak publikoi një artikull kundër inteligjencës kroate. Artikulli mbyllet me kërcënimin: “Kafka do të thyhen” – dhe pak orë më vonë Profesor Šufflay u gjet vërtet me kafkën e hapur në rrugën e Zagrebit! Ne duam të vëmë në dukje se dhe vrasja e liderit kroat Stephan Radic tre vjet më parë në parlamentin e Beogradit ishte bërë gjithashtu me dije në gazetën pro regjimit “Jedinstvo”.
Disa ditë pas masakrimit të Profesor Šufflay, lajmi për një rrethanë që jep evidencë të parefuzueshme për fajin e policisë serbe të Zagrebit si organizatore e krimit, doli nga qarqet e policisë. Sikurse gjithë kroatët e tjerë të spikatur, Profesor Šufflay ishte vazhdimisht i ndjekur dhe vëzhguar nga policia dhe i shoqëruar nga një detektiv. Disa ditë para se të vritej, atij ia larguan “qenin roje”. Në mbrëmjen para atentatit, ai i kërkoi policit Rukavina informacion se çfarë nënkuptonte ky largim i menjëhershëm. Rukavina i bëri të njëjtën pyetje eprorit të tij Stepanovic, drejtues i policisë sekrete, dhe mori këtë përgjigje: “Ai (Šufflay) nuk ka nevojë të mbrohet më, ne jemi kujdesur për të”.
– Agjenti Rukavina e ka thënë këtë para disa dëshmitarësh. –
Mund të duket e pamundur që policia serbe në vend që të gjejë krimet të ndihmojë në organizimin e vrasjeve dhe t’i zbatojë ato, por po – për turpin e epokës kulturore në të cilën jetojmë – kjo është e vërteta e tmerrshme në një vend në të cilin nën pjesëmarrjen gjysmë-zyrtare të autoriteteve, ndërtohen monumente për vrasësit.
Kur e gjithë Kroacia e dinte tashmë që policia e Zagrebit kishte përgatitur vrasjen e Profesor Šufflay dhe mbulon vrasjen, mundeshin të paktën të jepeshin emrat e nismëtarëve të vrasjes dhe t’i jepen publikut.
Në “Berliner Tageblatt” të datës 26 shkurt, gazetari kroat Slavko Cihlar publikoi një artikull i cili u mor më tej nga një pjesë e madhe e shtypit botëror. Në këtë artikull ai tregon për një takim të ndodhur në apartamentet private të gjeneralit Belimarkovic, komandant qyteti i Zagrebit, në natën e 11 shkurtit, me ç’rast u mor vendimi për vrasjen e Profesor Šufflay. Vrasja duhej të kryhej nga spiuni i policisë Nikola Jukic. Nën asistencën e tetë agjentëve të tjerë të policisë, të cilët, të ndarë në grupe të vogla, u pozicionuan përpara pallatit ku ndodhej apartamenti i profesorit, Jukic kreu vrasjen më 18 shkurt në orën 8 të mbrëmjes, duke e rrëzuar Profesor Sufflay-n me një shufër hekuri që i theu kafkën.
Gjashtë muaj kanë kaluar që prej kur shtypi botëror ka publikuar këto fakte që janë përgatitur nga persona dhe organizata të shumta të spikatura jashtë Kroacisë.
Megjithatë, ata që janë përmendur si vrasës nuk u quajtën asnjëherë përgjegjës për krimin e tyre dhe akuza as u mohua e as u refuzua. Gjenerali Belimarkovic është cilësuar para gjithë botës si personi që ka dhënë urdhrin për të vrarë Profesor Šufflay-n, policia serbe e Zagrebit si organizatorja e vrasjes, spiuni polic Jukic si personi që e zbatoi atë dhe megjithatë asnjeri nuk guxon ta mohojë. Edhe vetëm kjo rrethanë duhet të jetë një vërtetim i autenticitetit të fakteve të përmendura më lart. Dhe prova përfundimtare për fajin e diktaturës u dha përmes transferimit të gjeneralit Belimarkovic në Osijek (çdokush bënte me gisht për nga ai në Zagreb!)
Diktatura nuk i ndëshkon vrasësit, por i mbron ata, çka vërteton që gjeneral Belimarkovic veproi vetëm sipas qëllimeve të policisë që i dha urdhër për të vrarë Šufflay-n.
Turpi i këtij krimi që nuk bie vetëm mbi vrasësit dhe nismëtarët dhe shtetin që e organizoi atë, por edhe mbi epokën në të cilën diçka e tillë mund të ndodhte, merr rëndësi më të madhe nëse do të kishte njohje më të afërt me personalitetin e Profesor Šufflay dhe do të shikoheshin motivet që kanë shtyrë në vrasjen e tij.
Profesor Šufflay ishte një profesor historie në Universitetin e Zagrebit, dhe ishte masivisht i vlerësuar si një nga kokat më të rëndësishme të vendit të tij. Përmes kërkimit të tij shkencor për Shqipërinë, ai u kualifikua si njohësi më i mirë i Shqipërisë në ditët e sotshme dhe në këtë cilësi Akademia e Shkencave në Vjenë e ftoi atë të vazhdonte me Kodikun Albanicus të nisur nga Jirecek dhe Thalloczy. Profili goditës i këtij shkencëtari kroat të spikatur shkaktonte gjithnjë sensacion në Kongreset e Orientologëve dhe Bizantologëve. Kur disa vite më parë Beogradi e largoi patriotin e madh kroat nga katedra e tij në Universitetin e Zagrebit, atij iu ofruan disa profesura të rregullta në universitete të huaja, në mes tyre edhe në Universitetin e Budapestit.
Si një shkencëtar me famë botërore, si një njeri me njohuri të kompletuara, si një shkrimtar dhe gazetar dhe si një patriot entuziast kroat, Prof.Šufflay i përkiste ajkës së mendjeve të ndritura të jetës intelektuale kroate. Ai nuk ishte politikan, idetë e tij ishin thellësisht të shpirtëzuara, drejtuar pjesërisht drejt teorive abstrakte; shumë larg politikës së përditshme, personaliteti i tij i epërm ushtroi ndikim të madh mbi idetë kombëtare të Kroacisë. Si një kroat i cili u rrit në sferën e kulturës europiane dhe duke qenë se prej shekujsh kultura kombëtare kroate ka qenë pjesë e komunitetit të madh kulturor europian, ai si një shpirt i përmasave të rralla, ai u bë në mënyrë të natyrshme një nga mbrojtësit e spikatur të kulturës europiane në Kroaci, ku që prej kur përbën një pjesë të Jugosllavisë, Europa duhet të tërhiqet para se ballkanizmi të shkatërrojë gjithë kulturën. Në cilësinë e tij si historian, Profesor Šufflay kuptoi më mirë se kushdo tjetër humnerën që ndan kulturën europiane nga ajo ballkanike-bizantine, dhe kjo e shtyu atë më shumë se kurdo që të drejtojë punën e tij e qëndrimet e bashkatdhetarëve të tij për nga Europa dhe jo Orienti. Një europian dhe kroat në thellësi të shpirtit të tij, ai ushtroi mbi intelektualët kroatë, të rrezikuar nga ballkanizimi, ndikimin e tij më të madh në sens kroat dhe europian. Dhe në sytë e Beogradit ky ishte krimit për të cilin ai duhej të paguante përmes vdekjes.
Përmes krijimit të shtetit sllavo-jugor rajone të gjëra që i përkasin sferës së kulturës europiane – para së gjithash Mbretëria Kroate – janë vendosur nën qeverisjen serbe, ku traditat e vjetra politike dhe sociale ortodokse, bizantine, orientale-aziatike janë shkrirë të gjitha në një sistem jo vetëm që e kundërshton por që e urren civilizimin europian. Diktatura e absolutizmit sllavo-jugor u mendua si fitorja përfundimtare e Serbisë mbi Kroacinë, fitorja e Ballkanit mbi Europën brenda shtetit sllavo-jugor. Por, kjo fitore është e mundur vetëm kur të jetë shkatërruar çdo gjë kroate që është europiane, kur “shtylla europiane” e kroatëve të jetë thyer. Kjo është arsyeja se pse është e nevojshme që të largohen të gjithë përfaqësuesit e spikatur të kulturës europiane në Kroaci, dhe nëse gjithçka dështon, atëherë ata duhen vrarë. Sufflay ishte një nga më të rëndësishmit – ai duhej të zhdukej!
Ai ndjeu urrejtjen e pashprehur të diktaturës kundër personit të tij dhe thoshte:
Shteti ideal i diktaturës serbe mund të ndërtohet vetëm mbi rrënojat e bazave të kulturës europiane në Kroaci, që do të thotë shkatërrimin e plotë të kombit kroat, një shtet ku do të shihje vetëm dy klasa sociale: hierarkinë e të gjithëfuqishmes ushtri, polici dhe kishë ortodokse me diktatorin në krye të saj nga njëra anë dhe nga ana tjetër: qytetarët e nënshtruar, budallenj dhe jointeligjentë. Kjo nuk do të realizohet për aq kohë sa Kroacia mbetet një vend europian. Kjo është arsyeja pse diktatura ka krijuar në Kroaci një sundim të kamzhikut, të burgut dhe të vrasjes, kjo është arsyeja se pse Stephan Radic dhe kolegët e tij kroatë u vranë në parlamentin e Beogradit, kjo është arsyeja se pse qindra patriotë kroatë u torturuan për vdekje në burgjet e policisë serbe, kjo është arsyeja se pse një shkencëtar i cili nuk kishte të bënte fare me politikën u desh të vritet në rrugë si një qen i marrë.
Kishte edhe një tjetër rrethanë që e bëri urrejtjen e Beogradit ndaj Profesor Šufflay të ngrihet në nivelin sa për të realizuar vrasjen e tij. Profesor Šufflay ishte albanolog. Ai qëndroi në Shqipëri për kërkime shkencore pak përpara se të vritej dhe solli me vete në shtëpi material të çmuar shkencor. Diktatura serbe e konsideron Shqipërinë si një objekt të përshtatshëm për ekspansion dhe objektivi i punës shkencore të Profesor Šufflay në këtë këndvështrim ishte krejt i papërshtatshëm. Eksplorimi shkencor i materialit të mbledhur së fundmi në Shqipëri duhej të ndalohej: Profesor Šufflay u vra dhe rezultatet e punës së tij shkencore janë në duart e policisë së Zagrebit, si një tallje për të gjithë ata për të cilët liria e shkencës duket diçka e natyrshme dhe e padiskutueshme.
Duke marrë në konsideratë gjithë sa më lart, Shoqata e Klubeve Universitare Kroate deklaron që:
Shkencëtari kroat, profesori i universiteti Dr.Milan Šufflay u vra në rrugë të hapur në Zagreb nga agjenti i policisë Nikola Jukic në ndjekje të urdhrit gjeneralit serb Belimarkovic, sepse përmes punës së tij pastërtisht shkencore ai ishte një pengesë për aspiratat serbomëdha për ekspansion territorial dhe sepse ai, si një nga mendjet më të kulturuara në Kroaci bëri qëndresë kundër qëllimeve të shkatërrimit kulturor të absolutizmit serb.
Duke qenë se vrasja e Prof.Sufflay përbën një përpjekje të ndërgjegjshme kundër kulturës europiane që është një cilësi karakteristike e Kroacisë – sikurse edhe kundër lirisë së shkencës dhe duke qenë se e gjithë kjo është një ngjarje më shumë në një zinxhir të ngjashëm krimesh përmes të cilëve absolutizmi serb përpiqet të asgjësojë kombin kroat dhe të shkatërrojë kulturën europiane në Kroaci, Shoqata e Klubeve të Universiteteve Kroate si përfaqësuese e Universitetit të Zagrebit dhe e gjithë studentëve kroatë, fton gjithë botën e kulturuar, veçanërisht gjithë shoqatat e profesorëve dhe unionet kombëtare të studentëve që të ngrihen kundër këtij krimi në shenjë solidariteti të gjithë kombeve të kulturuara sikurse edhe si solidaritet akademik dhe të bëjnë një aksion të mëtejshëm për të penguar përpjekje të tjera të ngjashme të diktaturës së Beogradit.
Gusht 1931
Për Shoqatën e Klubeve Universitare Kroate:
Cand.jur. Dr. Branimir Janic — abs.jur. Josip Milkovic
Abs.jur. Ante Valenta — abs.teh. Ivan Kosutic
Cand.jur. Mladen Lorkovic — stud.rer.com. Vilko Pecnikar
*E dergio per Diellin astoria Lindita Komani