Kryeministri Haradinaj: Kosova nuk jep tokë për njohjen e Serbisë/
– Sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia.
“Burrat si Enver Hadri e kanë sjellë Kosovën këtu ku është dhe ua kemi për borxh atyre dhe brezave që kurrë më të mos lejojmë tragjedi të tilla, pra të mos lejojmë t’u ndodhë shqiptarëve Toplica e dytë”, u shpreh Haradinaj/
PRISHTINË, 25 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ “Kosova nuk jep tokë për njohje dhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohjen e Serbisë”, deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj, duke theksuar vendosmërinë për të qëndruar në të drejtën e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008.
Ai tha se, sot, 20 vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa qarqe në Kosovë e Bruksel, duke u shndërruar në dialog për territore.
“Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 Shkurtit, është rreshtim në anën e drejtë të historisë. Edhe veprimi që kemi marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksa 100%, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Ai foli në akademinë përkujtimore me rastin e 29 vjetorit të vrasjes së heroit Enver Hadri, që u organizua nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
“Burrat si Enver Hadri e kanë sjellë Kosovën këtu ku është dhe ua kemi për borxh atyre dhe brezave që kurrë më të mos lejojmë tragjedi të tilla, pra të mos lejojmë t’u ndodhë shqiptarëve Toplica e dytë”, u shpreh Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se Enver Hadri është mishërim i fatit të shqiptarit përgjatë dy shekujve, duke shtuar se është nder të kujtohet intelektuali dhe veprimtari i madh i lëvizjes për liri e shtet, ambasadori i parë joformal i Kosovës në zemër të Europës politike.
Para të pranishmëve të shumtë, për jetën dhe veprën e Enver Hadrit foli bashkëpunëtori më i ngushtë Reshat Sahitaj, ndërsa të pranishmit i përshëndeti Nediha Grapci, motra e heroit./b.j/