Bruksel, 22 qershor 2017- Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Partive Popullore Evropiane, i cili po zhvillohet në Bruksel. Në Samit janë të pranishëm presidentët e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, udhëheqësit e shteteve dhe qeverive, si kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri spanjoll, udhëheqësit e institucioneve të Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Kroacisë, Irlandës dhe të vendeve tjera të BE-së e rajonit.
Ky Samit, ka fokus të rëndësishëm Ballkanin Perëndimor, ku u shpreh përkrahja e EPP-së për shtetet e rajonit, duke përfshirë Republikën e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Mustafa do të takojë personalitete dhe drejtues të BE-së dhe vendeve anëtare.
Kryeministri Mustafa:Kosova, në krah të aleancës botërore për paqe dhe siguri
Mustafa: Dëshirojmë që të shndërrohemi nga një vend i cili ka qenë konsumuese e sigurisë, në një vend i cili do të eksportoj sigurinë, sepse kemi dëshirë të marrim pjesë në veprimet humanitare të NATO-s në vendet tjera, ose më vonë në operacionet paqësore, sepse vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur, e cila është në gjendje që të aplikoj të gjitha standardet e NATO-s, dhe të jetë në krah të një Aleance Botërore për paqe dhe siguri./
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur e cila është në gjendje që të aplikojë të gjitha standardet e NATO-s dhe të jetë në krah të një aleance botërore për paqe dhe siguri/
-Përmbyllë punimet treditëshe Seminari i 93-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s/
PRISHTINË, 24 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri kosovar, Isa Mustafa, sot në në Prishtinë, në seminarin Rose Roth organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, theksoi angazhimet e Kosovës në krah të aleancës botërore për paqe dhe siguri.Ai shprehu përkushtimin e qeverisë që të punojë në mënyrë që Kosova të shndërrohet në një eksportuese të sigurisë, duke u rreshtuar në krah të aleancës botërore për paqe dhe siguri. “Ne tani dëshirojmë që të shndërrohemi nga një vend i cili ka qenë konsumuese e sigurisë në një vend i cili do të eksportoj sigurinë, sepse kemi dëshirë të marrim pjesë në veprimet humanitare të NATO-s në vendet tjera, ose më vonë në operacionet paqësore. Vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur e cila është në gjendje që të aplikojë të gjitha standardet e NATO-s dhe të jetë në krah të një aleance botërore për paqe dhe siguri”, tha kryeministri Mustafa.Kreu i qeverisë kosovare fillimisht foli për progresin e arritur në Kosovë që nga paslufta, në 17 vitet e lirisë, duke theksuar se dalja nga shkatërrimi i luftës dhe mbrojtja e jetëve të njerëzve e arsyeton në mënyrë të plotë ndërhyrjen e NATO-s.
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, sot përmbyllë punimet treditëshe Seminari i 93-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin u mirëpritën më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.Perspektiva e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe në rolin evolues të NATO-s në rajon, u diskutuan në Seminarnin në Prishtinë, i cili pasoi Samitin e Aleatëve, të krerëve të shteteve dhe të qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në statusin e vëzhguesit, të fituar që nga qershori i vitit 2014.Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, është në Kosovë nga viti i lirisë 1999.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA:
Të nderuar anëtarë të Asamblesë së NATO-s, ju uroj mirëseardhje në Kosovë dhe po ashtu shpreh gëzimin dhe mburrjen tonë që ju kemi këtu të gjithë juve dhe që kemi shansin që bashkërisht të bisedojmë për disa çështje që ne i vlerësojmë të rëndësishme që t’i ndajmë së bashku me ju.Mund të them se ne gjatë kësaj periudhe, mbi 17 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s dhe gati 9 vjet pas shpalljes së Pavarësisë në Kosovë, kemi bërë një progres të rëndësishëm edhe në evitimin e pasojave të luftës, në kapërcimin e fazës emergjente të rindërtimit të vendit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe tani në ndërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe me vendet tjera.
Në qoftë se ne e shikojmë zhvillimin tonë brenda një historie që përfshin një periudhë të shkurtër pas çlirimit për këto 15 vjet, kemi bindjen se ndalja e të këqijave nga shkatërrimi i luftës, mbrojtja e jetëve të njerëzve, pastaj kthimi i atyre që janë dëbuar, por edhe mbrojtja e dinjitetit të atyre që janë dhunuar, janë keqpërdorur, e masakruar gjatë luftës, e arsyeton në mënyrë të plotë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, dhe po ashtu e arsyeton në mënyrë të plotë edhe progresin që NATO po e bënë si një forcë e cila e ruan paqen dhe stabilitetin edhe në rajonin tonë, por edhe në botë.
Dëshiroj që edhe njëherë t’ju falënderoj për gjithë atë që NATO-ja ka bërë për Kosovën dhe të shpreh përkushtimin tonë që ne të forcojmë bashkëpunimin dhe që në një periudhë të caktuar kohore, atëherë kur të plotësohen të gjitha rrethanat, që edhe ne të bëhemi anëtarë të NATO-s.
Dëshiroj po ashtu të nënvizoj se ne jemi në rrugë të mirë të përkushtimit tonë euroatlantik, në rrugë që të bëhemi pjesë e koncepteve dhe projekteve gjeopolitike euroatlantike dhe një vend i cili është i përkushtuar që të ndërtoj institucione demokratike dhe vlera demokratike dhe gjitha këto t’i ndajë me botën demokratike perëndimore.
Sa i përket NATO-s theksoj se interesimi ynë është që të kemi bashkëpunim aktiv me NATO-n. Ne vlerësojmë shumë prezencën e KFOR-it në Kosovë. KFOR-i ka një autoritet shumë të lartë dhe një besim shumë të madh të qytetarëve, sepse nuk është një forcë që vetëm ka ruajtur stabilitetin në Kosovë, ka ruajtur paqen, por po ashtu ka treguar një integrim shumë të madh në pikëpamje të bashkëpunimit me komunitetin, përkatësisht me qytetarët në të gjitha pjesët e vendit në të cilin ai ka vepruar gjatë kësaj periudhe dhe po vepron. Ne po ashtu jemi të interesuar që edhe më tutje të qëndroj në Kosovë si pjesë e stabilitetit, paqes dhe besimit të të gjithë qytetarëve përfshirë edhe komunitetet.
Gjatë periudhës së pasluftës ne kemi pasur prioritete të ndryshme varësisht se çfarë periudhe kemi kaluar, nga ato të kapërcimit të pasojave të pasluftës si situatë emergjente, pastaj të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe tani të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimeve evropiane.
Si Qeveri jemi përcaktuar që si prioritet të kemi tani zhvillimin ekonomik, përkatësisht rritjen ekonomike dhe punësimin, forcimin e shtetit ligjor që nënkupton luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet në institucionet e Bashkimit Evropian dhe ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, si dy fusha shumë të rëndësishme për ne, që nuk janë vetëm sociale por edhe ekonomike, sepse ndihmojnë zhvillimin ekonomik.
Vitin e kaluar ne kemi përmbyllur me një rritje ekonomike prej 4 për qind, që ka qenë rritja më e lartë në regjion dhe po ashtu me trende pozitive sa i përket punësimit. Por, nuk kemi arritur që të sigurojmë një fluks të punësimit i cili e përballon numrin e të papunëve që hyjnë në tregun e punës sepse tek ne diku rreth 22 mijë çdo vit hyjnë në tregun e punës, ndërkaq ne vitin e kaluar kemi arritur që të kemi 18 mijë të punësuar, por llogarisim që këtë vit do ta kemi prapë një diferencë më të ultë mes fluksit të atyre që hyjnë në tregun e punës dhe fluksit të punësimit që do të jetë një trend pozitiv. Rritja ekonomike kryesisht ka qenë rezultat i investimeve private por edhe rezultat i masave fiskale të cilat ne i kemi marrë për të krijuar një ambient më të mirë ekonomik në vend. Kemi stabilizuar tërësisht buxhetin e shtetit, kemi rrit të hyrat nga tatimet dhe taksat, për rreth 30 për qind gjatë këtyre dy viteve, po funksionon mirë marrëveshja që e kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar e cila na lejon që të kemi edhe borxh të jashtëm më shumë sesa që ne kemi pasur si kufizim të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkaq një përparësi që e kemi ne ndaj vendeve fqinje dhe vendeve tjera është se borxhi publik, ose pjesëmarrja e borxhit publik në GDP është shumë e ultë. Kjo pjesëmarrje tani është rreth 13.2 për qind, gjë që na lejon hapësirë shumë të madhe zhvillimore në bashkëpunim me vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht organizatat financiare ndërkombëtare, me Bankën Evropiane për Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore e tjera, të cilat instrumente ne tani po i shfrytëzojmë dhe kemi hapur mundësi të investimeve në fusha të ndryshme.
Kemi një bilanc tregtar i cili është shumë negativ dhe të cilin jemi të interesuar ta përmirësojmë, sepse importet janë të mëdha të produkteve elementare dhe ne po bëjmë tani përpjekje që përmes dhënies prioritet të zhvillimit të bujqësisë të zëvendësojmë një pjesë të produkteve që ne duhet t’i importojmë me produkte vendore dhe të rrisim eksportin.
Sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, mund të them se perceptimi në Kosovë për korrupsionin është akoma i lartë edhe përkundër masave që po ndërmerren çdo ditë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Ne kemi marrë masa sa i përket adaptimit të ligjeve në mënyrë që të krijohet një bazë juridike shumë më efikase për luftimin e krimit dhe korrupsionit, kemi përpunuar veçmas sektorin e prokurimit publik, ku kemi të bëjmë me investimin e parasë publike dhe kundërthënien mes pronës private dhe asaj publike.
Kemi hyrë në aplikimin e parë të prokurimit elektronik dhe atë po e bëjmë në fillim të këtij viti në disa institucione qendrore, ndërsa nga viti i ardhshëm do ta bëjmë në nivel të pushtetit lokal. Kemi marrë masa për suspendimin e gjithë atyre që janë ardhur në kundërthënie me ligjin, ose ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Fjala është për shërbyes civil dhe punonjës qeveritar, dhe po ashtu mund të them se kemi një efikasitet më të lartë të prokurorisë, gjyqësisë dhe të institucioneve që merren me mbrojtjen e interesave të vendit.
Në fushën e bashkëpunimit evropian ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim vitin e kaluar, ndërkaq këtë vit ka hyrë kjo marrëveshje në fuqi. Është një marrëveshja e cila neve na hapë mundësi që të kemi qasje në tregun e Bashkimit Evropian që është një treg prej mbi 500 milionë banorësh, dhe këtë mundësi e kemi. Por tani po punojmë që të përgatisim bizneset tona, në pikëpamje të konkurrencës dhe për këtë arsye ne me Bashkimin Evropian tani jemi duke punuar në reformën evropiane dhe në reformën ekonomike në mënyrë që të kapërcejmë këto sfida të konkurrencës në tregun e Bashkimit Evropian.
Për herë të parë ne jemi bërë kandidate të organizatës amerikane, Korporata e Sfidave të Mileniumit për të realizuar disa projekte që bashkërisht i konsiderojmë me këtë korporatë. Po punojmë tani në identifikimin e tyre. Orientimi është te energjia, efiçienca e energjisë, dhe forcimi i shtetit ligjor dhe mendoj se do të kapërcejmë edhe këtë sfidë.
Ndërkaq sa i përket arsimit dhe shëndetësisë, në vitet e kaluara ne në fushën e arsimit, prioritet i kemi dhënë përfshirjes në arsimin e lartë. Tani prioritetet janë kthyer kah cilësia e arsimit të lartë dhe gjitha niveleve të arsimit, parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë dhe po ashtu kemi krijuar një konkurrencë ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat të arsimit dhe mendoj se kjo po jep rezultate të caktuara.
Kemi pasur kundërvënie të opozitës sa i përket dy marrëveshjeve që ne i kemi arritur vitin e kaluar: Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, të cilat në një formë kanë ndikuar që ne një kohë të rëndësishme ta humbin duke u marrë me këto çështje. Është penguar puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe po ashtu kemi pasur protestë të dhunshme. Por, mund t’ju them se kemi arritur që këto t’i kapërcejmë si veprime të dhunshme, ndërkaq Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të themelohet, por do të themelohet mbi bazën e marrëveshjes, e cila është arritur si marrëveshje e parë dhe mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila siguron që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë. Ndërkaq, sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria është e bindur se vija kufitare është shënuar në vijën që është kufizuar më parë krahina e Kosovës me Malin e Zi, se e kemi ruajtur tërë territorin e Kosovës dhe nuk kemi humbur asnjë kilometër katrorë edhe përkundër asaj që opozita insiston se Kosova në këtë proces ka humbur rreth 8200 hektarë, por ne sipërfaqen e Kosovës e kemi edhe pas kësaj atë që e kemi pasur edhe më parë.
Me Malin e Zi nuk e kemi asnjë problem sa i përket marrëdhënieve ndër-fqinjësore, por çështjet i kemi të brendshme, të cilat ne duhet t’i zgjidhim në pikëpamje të bindjes edhe të opozitës, por edhe të qytetarëve për pjesën për të cilën kemi të bëjmë me shënimin e kufirit.
Në pikëpamje të raporteve me fqinjët, mund të them se raportet i kemi shumë të mira. Me Serbinë tani po punojmë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Kemi pasur tre takime të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjashtë vende të saj, përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën, në të cilat takime kryesisht jemi marrë në çështjen e infrastrukturës, e cila ndërlidhë këto vende, në mënyrë që ne të ndërtojmë infrastrukturën e cila do të jetë kompatibile me infrastrukturën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe që në momentet kur ne të bëhemi anëtarë të saj, të kemi rrjet cilësor të komunikimit, ashtu siç i kanë edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike i kemi po ashtu të avancuara me këto vende. Me Serbinë kemi arritur disa marrëveshje, në të cilat ka ngecje të madhe në implementimin e tyre, meqenëse ju keni pasur informim për këtë nga ministrja Tahiri, unë nuk do të shtoja më shumë, por nëse ka pyetje dhe interesim më vonë do t’ju jap përgjigjen për këto. Por, ne jemi të interesuar që tani me prioritet të punojmë në implementimin e këtyre marrëveshjeve me Serbinë dhe pastaj të shohim se në cilat fusha të diskutojmë, përderisa dimë situatën që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Një aktivitet të rëndësishëm tonin, ia kemi përkushtuar luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Ju e dini se edhe ne nuk kemi qenë imun ndaj njerëzve, të cilët janë bashkuar në frontet e ndryshme të luftës jashtë vendit.
Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar e ka aprovuar ligjin vitin e kaluar me të cilin e ka ndaluar bashkimin e qytetarëve tanë në frontet e jashtme, dhe ne kemi arritur nga shtatori i vitit të kaluar të ndalojmë që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos bashkohet në konfliktet e jashtme, përmes një pune shumë të rëndësishme që e ka bërë Policia e Kosovës, e ka bërë Agjencia i Inteligjencës, e ka bërë shoqëria civile, partitë politike në aktivitetet e tyre. Kemi punuar me shkolla, kemi punuar me bashkësitë fetare jo vetëm me komunitetin mysliman por edhe me komunitetet tjera fetare. Kemi aprovuar në Qeveri Strategjinë për Luftë Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit dhe mendoj se është arritur një rezultat mjaft i madh. Ndërkaq nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë marrë masa që të pezullohet puna e 19 organizatave joqeveritare, për të cilat është vlerësuar se në aktivitetet e tyre nuk kanë të bëjnë me punë humanitare, por kanë edhe zhvillime tjera politike të cilat mund të cenojnë stabilitetin e vendit.
Ne jemi të interesuar që të rrisim edhe më tutje dhe të forcojmë sigurinë. Vlerësimi jonë është që gjendja e sigurisë në vend është e mirë. Kemi institucione të cilat janë mjaftë të avancuara, dhe të cilat po aplikojnë praktikat më të mira evropiane dhe euroatlantike. Jemi shumë të kënaqur me Policinë e Kosovës, me cilësinë e tyre, me disiplinën, dhe me organizimin. Jemi po ashtu shumë të kënaqur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe kemi një falënderim të veçantë për NATO-n për gjithë punën që e ka bërë në konsolidimin dhe organizimin e kësaj Force, dhe presim që kjo Forcë nesër të jetë anëtare e NATO-s, dhe para kësaj, të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, gjë që edhe këtë do ta bëjmë, por lypset që të kemi një mirëkuptim më të mirë brenda Kuvendit të të gjithë grupeve parlamentare që përfaqësojnë, edhe komunitetet. Dhe po ashtu kemi një Agjenci të Inteligjencës e cila është ndërtuar mbi bazën e përvojave më të mira të vendeve të avancuara në këtë fushë.
Ne tani jemi të interesuar që të anëtarësohemi në INTERPOL. Kemi aplikuar për anëtarësim në INTERPOL, sepse kemi dëshirë që të ndajmë të gjitha të dhënat në mes veti dhe të jemi koherent me atë se çfarë ndodh në sigurinë ndërkombëtare. Jemi anëtarësuar në FRONTEX, për të cilën gjë ministri i Punëve të Brendshme më vonë mund t’ju njoftoj edhe më qartë dhe po ashtu jemi të interesuar të avancojmë bashkëpunimin me EUROPOL-in, për të cilën e dimë se s’mund të anëtarësohemi përderisa mos të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, por mund të kemi forma të ndryshme të bashkëpunimit. Ne tani dëshirojmë që të shndërrohemi nga një vend i cili ka qenë konsumuese e sigurisë në një vend i cili do të eksportoj sigurinë, sepse kemi dëshirë të marrim pjesë në veprimet humanitare të NATO-s në vendet tjera, ose më vonë në operacionet paqësore, sepse vlerësojmë se e kemi një Forcë tani të Sigurisë dhe nesër do të kemi një Forcë të Armatosur e cila është në gjendje që të aplikoj të gjitha standardet e NATO-s dhe të jetë në krah të një Aleance Botërore për paqe dhe siguri.
Kryeministri Mustafa u takua me Presidentin Obama
Nju Jork, 21 shtator 2016-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Nju Jork, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për liderët botërorë që ndodhen në Nju Jork, me rastin e zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.Kryeministri Mustafa u prit nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama, të cilët i falënderoi përzemërsisht për përkrahjen që SHBA-të po japin në vazhdimësi për Kosovën.
Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj pritjeje të posaçme u takua me personalitete të shumta të pranishme, si me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, me Presidentin e Polonisë, të Hungarisë, sekretarin e NATO-së e shumë liderë të tjerë ndërkombëtarë.
Ndërkaq, gjatë ditës, kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar takime me kryeministrin e Luksemburgut, Havier Bettel, të cilin e ka informuar për zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar përkrahje për proceset integruese evropiane.
Më pas, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Mustafa ka takuar Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme. Mbreti Abdullah theksoi përkrahjen e mëtejme për Republikën e Kosovës.
Gjatë një takimi që kryeministri Mustafa dhe ministri Hoxhaj zhvilluan me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe për përkrahjen e Norvegjisë për rrugën eurointegruese të Kosovës. Një takim të veçantë, kryeministri Isa Mustafa e zhvilloi me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Iyad bin Amin Madani, i cili shprehu përkushtimin e tij për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Javës së Filmit Shqiptar, e cila u zhvillua në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.
Kryeministri Mustafa: Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë
-Sa i përket sipërfaqes, përgjigja e Komisionit Shtetëror për të cilën thotë se e merr përgjegjësinë e plotë është se Kosova i ka 10906 km katrorë, ashtu sa i ka pasur edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974/
PRISHTINË, 9 Gusht 2016-B.Jashari/ Kosova me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë, tha sot kryeministri Isa Mustafa.
Ai mori pjesë në konferencën për shtyp të organizuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ku, si thekson njoftimi nga kryeministria kosovare, u prezantuan fakte të shumta për rregullsinë e procesit të shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
“Në fokus të kësaj konference ishte prezantimi i detajuar i zonave kadastrale në territorin e Malit të Zi, i cili kufizohet me Republikën e Kosovës, që hedh poshtë pretendimet dhe dëshmon se në atë zonë nuk ka asnjë pjesë të tokës që nuk është e regjistruar në komunat përkatëse në Mal të Zi, se nuk ka ‘tokë të askujt’ dhe se procesi i shënjimit të kufirit është në përputhje të plotë me aktet kushtetuese, ligjore dhe kriteret e përcaktuara”, thuhet në njoftimin e dërguar.
Kryeministri Mustafa tha se, ka sqarime se kush ka administruar në të kaluarën dhe kush administron tani me tokat për të cilat opozita pretendon se janë të Kosovës, dhe se sipas tyre Kosova humb më shumë se 8 mijë hektarë në këtë proces.
“Sa i përket sipërfaqes, përgjigja e Komisionit Shtetëror për të cilën thotë se e merr përgjegjësinë e plotë është se Kosova i ka 10906 km katrorë, ashtu sa i ka pasur edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974, për territorin që është administruar me këtë Kushtetutë dhe kjo Kushtetutë thotë se territorin e Krahinës Socialiste Autonome e përbëjnë territoret e komunave të tanishme. Përkatësisht sipas bazës së shpalljes së pavarësisë, Pakos së Ahtisaarit, aneksi 8, që parasheh se kufijtë e Kosovës do të jenë ata kufij që Kosova i ka pas më 31 dhjetor të vitit 1988”, tha kryeministri Mustafa në konferencën për shtyp.
Qeveria, vijoi ai, është siguruar nga Komisioni Shtetëror, se në mënyrën më profesionale dhe me përgjegjësi të plotë ligjore dhe profesionale, e ka caktuar vijën kufitare. “Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Caktimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili projektligj e le mundësinë e hapur që çdoherë dhe në çdo moment kur dikush mund të vërtetojë se një pronë private, publike apo pronë tjetër e Kosovës, cila është administruar këtu, ka kaluar andej kufirit kjo të zgjidhet me mirëkuptim dypalësh. Prandaj, unë konsideroj se tani është përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ata të marrin vendim lidhur me këtë”, theksoi kryeministri Mustafa në konferencën për shtyp.
Lidhur me sulmin me mjet shpërthyes në shtëpinë e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit të Kosovës, Murat Meha, kryeministri Mustafa tha se, ne e dënojmë këtë akt dhe e konsiderojmë që është krejtësisht i papranueshëm.
Fjala e plotë hyrëse e kryeministrit Mustafa në konferencë:
Unë e kam vlerësuar se është e dobishme që sot të takohemi së bashku me kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare, në mënyrë që t’iu ofrohen disa prej argumentimeve të cilat janë kërkuar edhe më parë dhe për të cilat unë kam konsideruar se është e dobishme që t’i keni edhe ju, edhe opinioni i Kosovës. Jam së bashku me ministrin e Jashtëm këtu që të bashkëbisedojmë me ju.
Qëllimi i këtij bashkëbisedimi është që ne të realizojmë një proces plotësisht transparent dhe një proces racional të përmbylljes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, dhe ajo çfarë është edhe më e rëndësishme t’i informojmë qytetarët tanë, se Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë nga ajo që e ka administruar sipas Kushtetutës së vitit 1974, sipas Deklaratës për shpalljen e pavarësisë, dhe e ka mbajtur tërësisht territorin të cilin e ka pas, pra territorin në të cilin është pranuar si shtet sovran dhe i pavarur nga 112 vende të botës.
Unë, si Kryeministër i vendit kam kërkuar nga Komisioni Shtetëror që para opinionit të gjerë të sqaroj sipërfaqen që e ka pasur Kosova në vitet e ’70-ta, sipërfaqen që e ka pasur Komuna e Pejës, gjatë tërë kësaj periudhe dhe sot, dhe sipërfaqen të cilën e ka Kosova dhe Komuna e Pejës tani me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes dhe procedimit të Projektligjit për Ratifikimin e kësaj marrëveshje, sepse, as unë, as Qeveria nuk do të lejojë që asnjë pëllëmbë e këtij vendi t’i falet as Malit të Zi, dhe as ndonjë vendi tjetër.
Kam kërkuar po ashtu që para jush dhe para opinionit të sqaroj se kush ka administruar në të kaluarën dhe kush administron tani me tokat për të cilat opozita pretendon se janë të Kosovës, dhe se sipas tyre Kosova humb më shumë se 8 mijë hektarë në këtë proces. Prandaj, sa i përket sipërfaqes përgjigja e Komisionit Shtetëror për të cilën thotë se e merr përgjegjësinë e plotë është, se Kosova i ka 10906 km katrorë, ashtu sa i ka pasur edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974, për territorin që është administruar me këtë Kushtetutë dhe kjo Kushtetutë thotë se territorin e Krahinës Socialiste Autonome, e përbëjnë territoret e komunave të tanishme.
Përkatësisht sipas bazës së shpalljes së pavarësisë, Pakos së Ahtisaarit, aneksi 8, që parasheh se kufijtë e Kosovës do të jenë ata kufij që Kosova i ka pas më 31 dhjetor të vitit 1988.
Komuna e Pejës po ashtu, i ka njëjtë 603 km katrorë, si në atë periudhë sikurse edhe sot, nuk ka humbur asnjë vendbanim, nuk e ka humbur asnjë pëllëmbë tokë, nuk e ka humbur asnjë zonë kadastrale dhe asnjë pjesë të ndonjë zone kadastrale. Dokumentacioni kadastral i Komunës së Pejës është origjinal, ky dokumentacion nuk është grabitur nga Serbia sepse është e vetmja komunë që është ruajtur dokumentacioni kadastral dhe ai dokumentacion kadastral është në përputhje të plotë me territorin që tani menaxhon Komuna e Pejës.
Prandaj, kauza e opozitës por edhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor, duke përdorur lloj-lloj hartash e duke mos marrë parasysh realitetin mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, konsideroj se është e rrejshme, është krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike, duke shfrytëzuar edhe terminologji nacionaliste.
Unë jam shumë i bindur, se sikur opozita e cila sot po kundërshton këtë marrëveshje pa asnjë argument të qëndrueshëm të ishte në pushtet ajo sot do ta votonte me të dy duart, por problemi është se ata nuk janë në pushtet dhe nuk dëshirojnë që Kosova t’i kaloj këto procese. Prandaj, konstatoj pa asnjë hamendje që ata që e kundërshtojnë këtë vijë kufitare, e bëjnë për të mbështetur një kauzë të rrejshme të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht të opozitës, dhe kjo në asnjë rast nuk ka të bëjë me humbje të territorit të Kosovës, është çështje joparimore, është çështje e votës dhe e mashtrimit të qytetarëve.
Caktimi i vijës së kufirit është proces i dyanshëm ose bilateral, proces i argumenteve dhe i vullnetit dypalësh.
As Kosova si tërësi, sikurse as Mali i Zi, pra edhe asnjë subjekt politik dhe asnjë individ, nuk mund të diktoj prerjen e kufirit sipas dëshirave dhe orekseve të njëanshme, është gjithmonë proces i dyanshëm.
E dyta: Sa i përket faktit se kush janë pronarët e tokave, që qytetarët tanë nga këto anë i kanë shfrytëzuar, dhe se a ka Mali i Zi të dhëna kadastrale për to, Komisioni do t’iu prezantoj juve sot konkretisht, dhe do të përgjigjet në çdo kërkesë tuajën për të demonstruar faktet përgjatë vijës kufitare, në këtë rast andej vijës kufitare.
Gjendja faktike është kjo:
- Qytetarët tanë i kanë shfrytëzuar me shekuj ato toka për stane dhe për bagëti. Dëshmitë janë se ata kanë paguar taksa për shfrytëzimin e këtyre trojeve në Komunën e Rozhajës, për tokën që e kanë shfrytëzuar, dhe se ata kanë marrë leje në Komunën e Plavës për drunjtë të cilët i kanë prerë në pyjet e kësaj Komune. Tokat mund t’i shfrytëzojnë edhe sot, edhe në të ardhmen, sepse ekziston vullneti i plotë i Malit të Zi për këtë çështje.
- Kosova gjatë procesit të shënimit të kufirit, ka ofruar të gjitha faktet për territorin të cilin e ka administruar përmes komunave, sepse Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë territor tjetër jashtë asaj që administrohet në komuna. Pra, nuk ka territor të tretë dhe nuk ka tokë të askujt. Çdo tokë, qoftë ajo private, pronë komunale, pronë e kompanive publike, pronë e institucioneve dhe agjencioneve qeveritare, pronë ndërmarrjeve shoqërore që janë nën administrimin e AKP-së, ekziston në Pejë dhe figuron në këtë komunë, të Pejës. Detyrë e jona ka qenë që të sigurohemi që ne territorin tonë e kemi ruajtur tërësisht, brenda kufijve shtetëror, dhe unë ju garantoj që kjo është ruajtur me punën e Komisionit.
- Në këtë proces, pala malazeze po ashtu ka ofruar fakte se tokat andej vijës së shënuar kufitare, figurojnë në pronarë publikë dhe pronarë privatë. Përkatësisht, se këto toka janë administruar përpara dhe administrohen edhe sot nga dy komuna, nga Komuna e Rozhajës dhe Komuna e Plavës. Të dhënat që Komisioni jonë i ka ofruar, që i keni këtu në këto libra, janë se këto prona evidentohen të regjistruara në vitin 1954 si kadastër përshkrues, në vitin 1956 dhe në vitet e mëtejme, do të thotë se nuk do të flitet për atë se këto dokumente janë rregulluar në kohën kur është bërë shënimi i vijës kufitare.
- Kadastri në pjesën e Malit të Zi është i digjitalizuar dhe çdo qytetar i joni, prandaj edhe çdo deputetë, mund të hyj në adresën elektronike dhe të vërtetojë për çdo komunë, për çdo zonë, për çdo bllok kadastral si dhe për çdo parcelë, se cilës komunë i takon, përkatësisht kush e administron, cilit shtet i takon, dhe cili është pronari publik apo privat i këtyre pronave. Këtu i keni të gjitha. Për të qenë krejtësisht i qartë, si kryeministër kam kërkuar që Komisioni sot të demonstroj para jush këto fakte të pronave andej vijës së shënimit të kufirit, dhe çdo pronë që juve ju intereson sot, në Çakorr, në Zhlep, dhe ku ju dëshironi që ta vërtetoni vetë sot se ku janë ato prona të regjistruara atje.
Procesi i vijës kufitare me Malin e Zi nuk rregullon padrejtësitë historike. Procesi pasqyron një moment faktik, kushtimisht të themi, procesi është i ngrirë në kohën kur është bërë shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe mbi bazën e dokumenteve mbi të cilat është bërë shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Askush sot nuk mund të shpallet tradhtar për padrejtësitë historike të cilat i janë bërë Kosovës, por askush nuk mund të kërkoj që në emër të shpalljes tradhtar dikujt, të përfitoj nga toka që Kosova sot nuk i administron, e që nuk i ka administruar as dje, sepse ne nuk mund të hyjmë në konflikt me vendet fqinje.
Manipulimi i këtij procesi për të shantazhuar dhe për të shpallur tradhtar jo vetëm se politikisht është i dëmshëm, por është i rrezikshëm për ngjalljen e ciklit të dhunës, për rrezikimin e jetës së qytetarëve dhe për rrezikimin e stabilitetit të vendit.
Prandaj, unë edhe me këtë rast kërkoj nga organet e rendit, kërkoj nga policia, nga prokuroria dhe organet e gjyqësisë, që për çdo etiketim, për çdo kërcënim, të ndërmarrim të gjitha veprimet për të parandaluar efektet negative që mund t’i kenë për vendin. Kërkoj po ashtu, e kam kërkuar edhe më parë, që organet e drejtësisë të ndërmarrin të gjitha hapat, ndaj çdokujt, që dyshohet se e ka dëmtuar këtë proces, në qoftë se dikush ka fakte ato fakte t’i ofroj, por po ashtu të marrin masa edhe andaj atyre që për interes politik pa fakte, po e djegin vendin, po krijojnë pasiguri dhe po dëmtojnë të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Kjo ka ndodh edhe sot në Kuvend, sepse edhe sot nga ata që kërkojnë demokraci, nga ata që kërkojnë transparencë, që kërkohet që të debatohet për këtë çështje, ata e pengojnë këtë debat, e pengojnë që qytetarëve t’iu ofrohen fakte, dhe i pengojnë proceset euro-integruese dhe euroatlantike të Kosovës.
Edhe njëherë them para jush këtu, se Qeveria nuk do të lejoj që të tjetërsohet asnjë pëllëmbë tokë e Kosovës në këtë proces, dhe ne do të përkrahim që ajo pëllëmbë e tokës të mbrohej edhe me gjak. Por, në rastin konkret, do të shihni se ato toka janë të pronarëve të Malit të Zi, janë administruar dhe administrohen nga Komuna e Plavës dhe e Rozhajës, prandaj neve nuk na takon që ne të tregohemi trima, ose që ne të tregojmë trimëri për pronat të cilat nuk janë tonat, sepse edhe me Deklaratën e Pavarësisë, edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, jemi zotuar se do të respektojmë integritetin territorial të vendeve fqinje dhe ky është obligim dhe është detyrë e jona.
Dhe krejt në fund e them se Qeveria është siguruar nga Komisioni Shtetëror, se në mënyrën më profesionale dhe me përgjegjësi të plotë ligjore dhe profesionale, e ka caktuar vijën kufitare. Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Caktimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili projektligj e le mundësinë e hapur që çdoherë dhe në çdo moment kur dikush mund të vërtetojë se një pronë private, publike apo pronë tjetër e Kosovës, cila është administruar këtu, ka kaluar andej kufirit kjo të zgjidhet me mirëkuptim dypalësh. Prandaj, unë konsideroj se tani është përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ata të marrin vendim lidhur me këtë.
Ky vendim nuk është vendim i thjeshtë, por dëshiroj të rikujtoj se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit do të vendoset për kufirin shtetëror që është me rëndësi jetike për ne, do të vendoset për një kufi me shtetin mik dhe dashamirës të Kosovës. Do të vendoset për sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Do të vendoset për përmbushjen e kriterit të fundit të liberalizimit të vizave, për atë që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës a do t’i mbajnë të ngujuar qytetarët tanë edhe më tutje, tani me vendimin tonë dhe jo më me vendimin e Bashkimit Evropian, apo do ta hapim mundësinë që edhe qytetarët tanë të lëvizin në shtetet e Bashkimit Evropian ashtu siç lëvizin qytetarët tjerë evropianë. Do të vendoset po ashtu se a i respektojmë vlerësimet miqve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilat kanë qenë shumë të qarta dhe kanë qenë eksplicit sa i përket këtij procesi. Vendoset gjithashtu për reflektimin e përkushtimit tonë për mënyrën e zgjidhjes së marrëdhënieve me fqinjët që hap dyert edhe për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe po ashtu edhe për shumë çështje që i takojnë interesit tonë të integrimit evropian.
Unë konsideroj se alternativa jonë është vetëm integrimi evropian dhe euroatlantik, është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është çuarja përpara e proceseve tona të mëdha. Ne nuk kemi mundësi tjetër dhe në këtë rast ne nuk duhet të biem pre e kauzës opozitare e cila nuk ka perspektivë por e cila na kthen prapa.
Lidhur me sulmin me mjete shpërthyese në shtëpinë e kryetarit të komisionit shtetëror, Murat Meha, kryeministri Mustafa ka thënë:
Sapo morëm lajmin nga Policia që tek shtëpia e z. Meha është hedhur një mjet shpërthyes, që është gjetur nga Policia. Ne e dënojmë këtë akt dhe e konsiderojmë që është krejtësisht i papranueshëm. Të gjithë ata që dëshirojnë që përmes frikës dhe akteve të tilla, duke e rrezikuar edhe jetën e njerëzve dhe të familjeve të tyre, flet më së miri se me kë kemi të bëjmë punë, se kemi të bëjmë me ata që nuk janë duke menduar për Kosovën, për shtetin e Kosovës, por me çdo kusht po dëshirojnë që të pengojnë ardhmërinë e këtij vendi. Kjo na bënë edhe më të vendosur, edhe më të fuqishëm që ne këto procese t’i shtyjmë përpara e bënë edhe z. Meha i cili edhe përkundër sulmeve, sot është para jush të prezantoj një punë shumë të përgjegjshme që e kanë bërë.
Kosovë-Kryeministri Mustafa vizitë zyrtare në SHBA
Merr pjesë edhe në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zhvillohet në Filadelfia, ku do të bëhet nominimi zyrtar i kandidates demokrate për Presidente të SHBA-ve, mikes së madhe të Kosovës, Hillary Clinton/
SHBA, 25 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtarë të Liderëve, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) i SHBA-ve.
Njoftimi i dërguar thekson se, gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Mustafa do të marrë pjesë edhe në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zhvillohet në Filadelfia, ku do të bëhet nominimi zyrtar i kandidates demokrate për Presidente të SHBA-ve, mikes së madhe të Kosovës, Hillary Clinton.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në këto dy evente të rëndësishme globale, do të takojë edhe liderë të shteteve dhe përfaqësues të lartë amerikanë./b.j/
- 1
- 2
- 3
- …
- 5
- Next Page »