Meditime në një ceremoni dekorimi/
Nga Reshat Kripa/
Më datën 9 tetor 2014 u ndodha në një ceremoni dekorimi ku Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, i akordoi komunës së Luftinjës në rrethin e Tepelenës, urdherin “Nderi i Kombit”, me rastin e përvjetorit të kryengritjes së Zhabokikës kundër sistemit komunist në vitin 1948. Ishte, me të vërtetë, një ceremoni dinjitoze për një ngjarje po aq dinjitoze.
Në oborrin e shkollës së fshatit hero, pranë memorialit kushtuar kësaj ngjarje të madhe, u mblodhën qytetarët e krahinës, ata që e kishin përjetuar atë ngjarje dhe ata që e kishin dëgjuar nga paraardhësit e tyre. Merrnin pjesë trashëgimtarët e martirëve që dhanë jetën e tyre për liri dhe demokraci. Merrnin pjesë përfaqsëuesit e pushtetit lokal të komunës si dhe ata të rrethit të Tepelenës. Merrnin pjesë përfaqsues të të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe të atyre lokalë. Kishte përfaqësues nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare që synojnë për një Shqipëri me të vërtetë të lirë dhe demokratike me një vizion me të vërtetë europian.
U vendosën kurora dhe buqeta lulesh në memorialin përkujtimor. U mbajtën fjalime përshëndetëse dhe falënderimi. U lexuan kumtesa kushtuar kësaj ngjarje historike. U dëgjuan këngë labe trimërie dhe qytetare të krahinës. U lexuan vargje. Por madhështinë kësaj ceremonie ia shtoi më tepër pjesmarrja në të e të nderuarit President i Republikës, fjala e tij e ngrohtë dhe në mënyrë të veçantë dorëzimi kryetarit të komunës të urdhërit “Nderi i Kombit” për këta martirë.
Unë qëndroja në mes të kësaj turme dhe meditoja. Meditoja për të kaluarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.
Janari i vitit 1948. Pesë figura të shquara të krahinës ekzekutohen nga hienat komuniste, Zenel Shehu, ish-komisar i batalionit partizan “Baba Abaz”, Syrja Vasjari, ish-komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi”, Dy baballarë të dëgjuar të fesë bektashiane, Baba Shefqeti i teqesë së Toshkanit dhe Baba Ali Tomorri, një poet dhe studiues i njohur, si dhe një prft shqiptar ortodoks, At Gjergj Suli i Leklit. Rënia e këtyre martirëve inspiroi organizimin e një revolte popullore në krahinë. Ideatori i kësaj revolte ishte Xhemal Brahim Asllani nga Zhabokika. Në krah të tij ishin Sulo Zaimi, ish-major i ushtrisë mbretërore, Bajram Kamberi, ish xhandar i mbretërisë, Mehmet Yzeiri, këshilltar komune, Salo Kaso, funksionar policie, Mehmet Didaj, Mehmet Veseli, Hajri Mahmutaj, Balil Veliu, korriere si dhe 16 burra të tjerë nga fshatrat Zhabokikë, Luftinjë dhe Kamçisht që do të formonin çetën që do i kundërvihesh tiranisë komuniste dhe që do mbante emrin e heroit martir “Baba Shefqeti”.
25 pjesëmarrësit kryejnë betimin sipas traditës së vendit. Një 100 lekëshe kalon midis buzëve të tyre dhe dëgjohet formula e betimit e shqiptuar me një zë të lartë:
– Zoti më vraftë po të tradhëtoj!
Me 100 lekëshet e mbledhura blihen qirinj dhe ndizen në tyrbe.
Çeta ka edhe hymnin e saj. Ajo është Kënga e Baba Tomorrit. Kjo këngë u këndua
ditën e formimit të çetës:
Ejani o popull, mblidhuni me ne,
O Baba Tomorri, lësho një rrufe!
Armët ne i kemi, fshehur nënë dh
Do të bëjmë luftë, flakë e batare!
Të prirë nga flamuri i kuq me zhgabën dykrenore në mes, pa yllin e urryer të komunizmit, luftëtarët fillojnë betejën me mijra forca të dërguara nga sigurimi i shtetit, të ardhura nga rrethet Berat dhe Tepelenë. Në përleshjet vritet zëvendëskomandanti i çetës Mehmet Yzeiri dhe anëtari i shtabit Salo Kaso. Pas një beteje të gjatë, ku përballë njeri-tjetrit ishin 25 burra me një ushtri të tërë të armatosur gjer në dhëmbë, çetra shpërndahet. Fillojnë ndjekjet dhe arrestimet e pjesmarrësve. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeiri rezistojnë për një kohë të gjatë, ndërsa komandanti i çetës, Bajram Kamberi, mundi të kapet vetëm në muajin janar 1949. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në muajin korrik 1949. Gjatë ndjekjes vritet vëllai i komandantit të çetës, Safet Kamberi dhe dy të afërm të kryengritësve. Sefer Yzeiri dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg. Hajri Mahmutaj vritet me armë nga rojet e burgut dy ditë para se lë lirohej. Adem Memaj, mësues 21 vjeçar, vdes në burg. Sulo Zaimi vdes në shtëpi pasi kreu 20 vjet burgim. Ideatori Xhemal Brahimi arriti të arratiset dhe vendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vdes në vitin 1983. Toger Demo Kaso arratiset ne Itali ku vazhdon shkollimin ushtarak. Bilanci i përgjithshëm është 9 të vrarë dhe të vdekur në burg, 30 të arrestuar dhe të dënuar. 122 vite burg të kryera. Të gjithë familjarët e tjerë të martirëve, të internuar nëpër kampe të ndryshme deri në dhjetorin e vitit 1990.
Këto meditime më shfaqeshin parasysh atë ditë mbështetur edhe në studimin disa vjeçar me titull “Kryengritja e Zhabokikës, korrik-tetor 1948” të studiuesit, profesorit, shkrimtarit dhe poetit të nderuar Sadik Bejko. Por, njëkohësisht, meditoja edhe për të tanishmen e kësaj shtrese që sakrifikoi gjithçka për arritjen e kësaj dite në të cilën ne jetojmë. Si u shpërblye kjo shtresë e popullsisë shqiptare në këto 24 vite të përmbysjes së sistemit komunist? Aspak ashtu si e ëndërronim Shqipërinë pas rivendosjes së demokracisë. Ëndërronim një Shqipëri demokratike europiane, një Shqipëri ku secili të gëzonte pronën që i kishin lënë paraardhësit e tij, një Shqipëri ku individi të ishte i sigurtë për vendin e tij të punës, pamvarësisht nga ndryshimi i qeverive, që është një gjë normale në sistemin ku jetojmë, për një Shqipëri ku të nderoheshin dhe respektoheshin figurat që sakrifikuan jetët e tyre ne luftën e gjatë kundër komunizmit.
Por, a ndodhi kjo? Për të qenë të sinqertë duhet të pranojmë se sa herë ka qenë në pushtet e djathta shqiptare, trajtimi i kësaj shtrese, në përgjithësi, ka qenë i mirë. Janë përkujtuar dhe nderuar ngjarjet më kryesore të kësaj rezistence. Janë dekoruar përsonalitetet kryesore të saj. Janë miratuar ligje dhe ngritur institucione në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe shumë të tjera. Një shembull, mjaft domethënës për këtë, është edhe dekorimi së fundi i Kryengritjes së Zhabokikës së vitit 1948, dekorim që e vë këtë krahinë në të njejtën linjë me atë të simotrave të saj të Postribës, Malësisë së Madhe e të tjera.
E kundërta ka ndodhur kur në pushtet kanë ardhur të majtët. Shtresa e të përndjekurve politik, njësoj si në të kaluarën, është trajtuar si armike e qeverisë. Nuk janë të rralla edhe rastet e zhdukjes fizike të atyre që kishin filluar të ngjisnin shkallët e karrierës. Të mos harrojmë Bujar Kaloshin në Tiranë, Kujtim Frangun në Mat, Bashkim Shkurtin në Lushnje, Fredi Shehun në Gjirokastër dhe, sidomos, masakrën e kryer në Vlorë gjatë vitit të zi 1997, me vrasjen e Gjergj Mehmetit, Gëzim Shabanit, Besim Manolit, Valter Harizit, Lutfi Rapajt dhe të tjerëve. A ka kërkuar ndokush ndonjëherë falje për vrasjen e tyre në moshën më të bukur të jetës?
Nuk janë vetëm vrasjet që tregojnë se e majta shqiptare është shumë larg së majtës europiane. Mos shkëputja nga mentaliteti komunist i kësaj të majte, duket në çdo aktivitet të saj, duke filluar që nga abondonimi i seancave parlamentare kur miratoheshin ligje në favor të kësaj
shtrese, mosaprovimi i rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për ndëshkimin e krimeve të regjimit
komunist në Shqipëri”, mosrealizimi i ligjit mbi “Statusin e ish-të dënuarve dhe persekutuarve nga regjimi komunist”, në mënyrë të veçantë për arsimimin, strehimin, punësimin e të tjera. Në të kundërt, sa herë që kanë hipur në pushtet socialistët, një valë e madhe pushimesh nga puna është ushtruar ndaj kësaj shtrese.
Më lejoni të sjell një shembull konkret. Lumturi Grabova, bija e Xhemal Brahimit, ideatorit të kryengritjes së Zhabokikës dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdherin “Nderi i Kombit”, një vajzë që 42 vjet të jetës së saj i kaloi në internim dhe që e lidhi fatin e jetës me një bashkëvuajtësin e saj, me disa të vrarë, burgosur dhe internuar në fisin e tij, pushohet nga puna nga drejtuesit e emëruar nga kryeministri Edi Rama. Nuk ishte as drejtore dhe as kryetare dege, por një punëtore e thjeshtë. Në cilin ligj është parashikuar një veprim i tillë?
Sot nuk m’u ndakan këto meditimet. Ato më hedhin nga e kaluara dhe e tashmja në të ardhmen. Si do të jetë ajo?
Dëgjoj poezinë e recituar nga një vajzë e re në këtë ceremoni:
Ti nuk ke varr!
Ti thellë vdekjes dergjesh, Pa arkivol, pa rasë, pa gurë, pa ritual, Sikur të të thërrisnin legjendat e ringjalljes, Mbi ç’kalë do të hipje? Si do të vije vallë?
Ishte poezia e shkruar nga miku im Ibrahim Vasjari, kushtuar atit të tij, Syrja Vasjarit, ekzekutuar në atë janarin e egër 1948. Meditoj:
– Po martirët e kryengritjes së Zhabokikës a kanë një varr ku familjarët të vendosin një
tufë lule apo të derdhin dy pika lot? Ideatori i saj Xhemal Brahimi varrin e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai vend e mirëpriti, e nderoi, e respektoi dhe së fundi i dhuroi një varr dinjitoz. Megjithatë shpirti i tij nuk prehet i qetë Ai kërkon të prehet në atdheun e tij, në tokën mëmë për të cilën u sakrifikua. Po ata martirë që u ekzekutuan apo vdiqën qelive të burgjeve, ku i kanë eshtrat?
Kisha një dëshirë të cilën dua t’ua shpreh drejtuesve të komunës „Nderi i Kombit“ të Luftinjës:
– Mblidhini eshtrat e këtyre martirëve të shpërndarë në katër anët e atdheut, sillini
edhe eshtrat e Xhemal Brahimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i vendosni në një varr të përbashkët në kodrën më të lartë të Zhabokikës, në mënyrë që të kenë parasysh të gjithë krahinën, pasi vetëm kështu do ta meritoni titullin e lartë me të cilin ju nderuan! Një thirrje e tillë vlen për të gjithë të rënët që ende nuk kanë një varr.
Së fundi parasyve më del një pyetje shumë kuptimplote:
– Kush janë fitimtarët e kësaj beteje të madhe gjysmë shekullore, midis ideologjisë
komuniste dhe asaj nacionaliste?
Përgjigjen po e jap une vetë. Fitimtarët jane Xhemal Brahimi dhe shokët e tij. Janë të gjithë luftëtarët e rezistencës antikomuniste. Janë të gjithë nacionalistët e vërtetë shqiptare. Ndoshta, tani për tani, në krye janë trashëgimtarët e atyre që e shpërfytyruan këtë vend, atyre që duart e tyre i kanë të mbushura me gjakun e këtij populli. Por ideali demokratik, që aktualisht është vendosur në vendin tonë, megjitjhëse jo në modelin e dëshëruar, nuk do të vonojë të triumfojë. Ndoshta kjo nuk do të vijë sot apo nesër, nuk do ta gëzojmë as ne dhe, ndoshta, as brezi pas nesh, por, me siguri brezat e tjerë do të dinë të zgjedhin midis hipokrizisë së sharlatanve dhe demokracisë së vërtetë. Atëherë sharlatanët e historisë do të përfundojnë në pleh, ndërsa martirët e lirisë dhe demokracisë do të këndohen nëpër këngë dhe do të shkruhen nëpër vargje. Ata janë fitimtarët e së ardhmes.