• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VEPËR NDRYSHE PËR KRYETRIMIN SHQIPTAR

October 23, 2014 by dgreca

(Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012)
Nga Prof. dr. Nusret Pllana/Prishtinë/
(Paranteza e fillimit:Ju flet Televizioni Shqiptar i Tiranës! Po lexojmë pjesë nga shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë! Ky ishte zëri i folësit të dalluar, z. Virgjil Kule! Brezi im i shqiptarëve të Kosovës, në një mënyrë ose në një tjetër, mezi priste të dëgjonte zërin karakteristik të folësit të mirënjohur, Z. Virgjil Kule, duke lexuar pjesë të shkrimeve të shtypit të huaj, ku i jepej mbështetje morale rinisë së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ky zë që vinte nga Tirana jonë, ishte e vetmja mbështetje në errësirën e madhe që kishte rënë mbi ne. Pjesëmarrës ose jo në Demonstratat e vitit 1981, të burgosur ose jo për shkak të atyre ngjarjeve, të shkolluar apo nxënës e studentë që sa bënin hapat e parë të dijes në Kosovën e robëruar, e cila me demonstratat e vitit 1981 hapi procesin e madh të shkatërrimit të atij shteti artificial të quajtur Jugosllavi, që të gjithë e kishin bërë të vetin këtë zë aq specifik, jo vetëm për të folurit e pastër të gjuhës shqipe, por edhe për ngjyrën shumë të veçantë të zërit, përmes të cilit jepte nuancat e gjithë përmasës së tragjedisë dhe të krenarisë sonë në ato ngjarje).

Hyrje
Vepra e publicistit, e studiuesit, e intelektualit të mirënjohur, njohës i disa gjuhëve të lashta dhe të reja botërore, Virgjil Kule, që i kushtohet kryetrimit tonë, Gjergj Kastiroti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për historiografinë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet për disa arsye, që lidhen me ndërtimin e kësaj vepre, por mund të thuhen edhe për disa arsye që dalin nga metodologjia shkencore e ndërtimit të kësaj vepre.
Autori e thotë, që në hyrje të veprës së tij, se cilën rrugë ka ndjekur për të thënë të pathënat e kohës së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat ose janë thënë sipërfaqësisht, ose janë lexuar një anshëm, apo edhe janë heshtur nga studiues të huaj e shqiptarë.
Përkundër faktit se vepra fillon që nga viti 1443 dhe përfundon në vitin 1468, që është viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjë që mund të krijojë përshtypjen se është një vepër e ndërtuar mbi parimin e kronologjisë historike. Por ajo nuk është e tillë. Nuk është kronikë historike për ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e njerëzve në ato ngjarje. Në radhë të parë ajo është një trajtim dhe një shpalim i brendshëm, thënë kushtimisht, një shpalim shpirtëror, jo vetëm i ngjarjeve, i luftërave, i prapaskenave dhe skenave të atyre luftërave, nga ato që përgatiteshin në skenat botërore të atyre ngjarjeve, e deri te fërkimet e brendshme, por edhe i pjesëmarrësve në to, duke filluar nga kryetrimi ynë, e deri te ushtari i fundit që kishte rënë në betejat e luftimeve.

Skena dhe prapaskenat e jetës dhe bëmave të Skënderbeut

Autori Virgjil Kule, duke u marrë me luftërat 25 vjeçare që ka bërë populli shqiptar nën prijësin e tij të përmasave legjendare, bën të tij mendimin e thënë kaherë, që nga Makiaveli e këndej, që në hapje të veprës së tij, për t’ia sqaruar lexuesit ecurinë e projektit të tij shkencor për kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për Mesjetën shqiptare, për lidhjet me Perëndimin dhe Lindjen, për kryqëzatat që në atë kohë ishin mundësi të pafundme të rregullimit të jetës së individëve dhe të shteteve, por edhe për prijësit e popujve që donin lirinë e vendit të tyre më shumë se gjithë favoret e tjera të kësaj jete. Prandaj, autori thotë: ‘se një lider që arrin të qëndrojë me sukses për 25 vjet në politikën aktive, nuk mund të jetë kurrë më shumë viktimë e situatave se sa krijues dhe manipulues i tyre, andaj kam rieskploruar në gjerësi dhe thellësi fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun’. Kurse lexuesi dhe studiuesi shqiptar, por edhe ai botëror e di se ky fond, është aq i gjerë dhe aq i thellë, sa vështirë të mjaftojë një jetë njeriu për t’u marrë me të. Fajet, mund t’i kenë shumë krijues, por ai Babagjyshi i Madh, që u ka treguar për mbijetesën tonë, gjithë kulturave evropiane, është padyshim Marin Barleti, biografi i parë i jetës dhe i bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Virgjil Kule ia ka dalë të merret me të. Virgjil Kule ia ka dalë ta ‘rieskplorojë’, siç thotë vetë, si dhe të shpalojë, në mënyrë maestrale gjithë skenat dhe prapaskenat nëpër të cilat ishin zhvilluar ngjarjet e mëdha, nëpër të cilat i kishte prirë një populli, kryetrimi i atij populli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Do të thotë, prandaj, se Virgjl Kule është dashur të rieskplorojë gjithë këtë trashëgimi historiografike për ngjarjet e mëdha të Mesjetës Shqiptare, figurë qendrore e së cilës, doemos ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe, së pari është dashur të përballet me Stërgjyshin e tij, Marin Barletin.
Një fakt është i pamohueshëm, se e gjithë historiografia skënderbegiane e përmasës evropiane është ndërtuar mbi veprën e Marin Barletit. Për këtë, mjaftojnë të shfletohen vetëm datat e përkthimit të veprës së Barletit në qendra të ndryshme të Evropës së kohës, që të shihen pastaj vitet e botimeve për figurën më të rëndësishme historike të asaj Evrope, siç ishte figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut-Kryqtarit të fundit.
Njëra nga çështjet interesante, qoftë edhe për njohuritë tona lidhur me këtë periudhë, janë padyshim përgatitjet, aspiratat, kërkimi i mundësive brenda përmasave ndërkombëtare të kohës, për shkëputjen e Gjergj Kastriotit nga Perandoria Osmane.

Rruga e ardhjes në Krujë e Kryqtarit të fundit

Po vinte viti 1443. Përgatitjet për kthimin e tij në Krujë, pra në Principatën e të atit, kishin filluar kaherë, vite më parë. Do të thotë, përveç asaj që dihet, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte kthyer në vendin e tij, pas betejës së Nishit, prapaskenat e përgatitjes, marrëveshjet e bëra, qoftë me faktorin e jashtëm, siç ishin hungarezët e Huniadit, të cilët ishin forca kryesore në atë front luftimesh kundër Perandorisë Osmane, qoftë me atë të brendshëm, siç ishin princër dhe ushtarakë të shumtë shqiptarë, duke filluar nga Hamza Kastrioti, e deri te Lekë Dukagjini, tashti i mësojmë ndryshe, edhe nga ato që ka thënë Marin Barleti. Sepse këtu janë shpaluar, mbi bazë faktesh dhe të dhënash nga shumë burime arkivore historike dhe publicistike, se ç’rrugë është ndjekur për t’u realizuar ardhja e tij në atdhe, pa pasoja dhe pa pengesa.
Nga ky moment e tutje, deri në vitin 1468, që është viti i vdekjes së kryetrimit tonë, i cili për njëzet e pesë vjet u bëri ballë gjithë atyre mësymjeve dhe tërë asaj hordhie ushtarake osmane, janë shqyrtuar me radhë të gjithë vitet e ekzistencës së qëndresës shqiptare, jo vetëm për ta dëshmuar praninë e tyre në këto hapësira, por edhe për faktorizimin e tyre në planin evropian të asaj kohe. Ngase ndryshe, si do të ishte e mundur që një princ shqiptar, i kthyer në pronat e të atit, të bëhej kryqtari më i rëndësishëm i asaj kohe. Mirëpo, në anën tjetër ky princ shqiptar, kishte arritur të organizonte një ushtri të mirëfilltë kundër forcave pushtuese osmane, por edhe kishte arritur, përveç të tjerash, të krijojë edhe Besëlidhjen e madhe në mes principatave shqiptare, pra i cili kishte vënë themelet e një shteti arbëror, thuajse i barasvlershëm me organizimin shtetëror të asaj kohe në gjithë Evropën.
Rëniet dhe ngritjet kishin qenë të shumta dhe të mëdha, jo vetëm në jetën personale të kryetrimit shqiptar, por edhe në jetën historike të vendit. Ndoshta për historinë 25 vjet qëndrese dhe luftërash të pandërprera nuk janë shumë, por për një vend që ishte në zgrip të ekzistencës fizike, këto 25 vjet ishin më shumë se shekuj. Të gjitha këto rënie dhe ngritje janë trajtuar me shumë kujdes, me shumë akribi në gjithë shtrirjen e ngjarjeve nëpër vite, që nga vitit 1443 e deri në vitin 1468, nga autori Virgjil Kule. Prandaj, vepra e tij, Gjergj Kastriotit Skënderbeu-Kryqtari i fundit, është specifike edhe në planin e organizimit të lëndës për këtë vepër, siç është specifike edhe për rishqyrtimin e shumë fakteve historike, qoftë nga autorë të huaj, qoftë nga ata vendor, duke filluar nga Marin Barleti, Frang Bardhi e deri te autorët tanë të Rilindjes Kombëtare, që e shndërruan figurën e tij, në prijësin legjendar të shqiptarëve.
Me këtë rast, le të më lejohet të sjellë edhe një fakt përfundimtar, për madhështinë e projektit të Skënderbeut, jo vetëm lidhur me mbrojtjen e lirisë së vendit të tij, por edhe të pengimit të depërtimit të Perandorisë Osmane në hapësirat evropiane, si dhe me mundësinë e marrëveshjes me Vatikanin lidhur me organizimin e ndonjë kryqëzate, së cilës do t’i printe kryetrimi ynë, gjë që dëshmohet edhe përmes ndihmës që Papa Pali II-të, ia kishte dërguar si lloj ndihme. Në vitin 1467, pak ditë para vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndebeut, Pali II-të ia kishte dërguar 1. 100 dukat, fonde që duheshin kuptuar edhe si një vazhdimësi e realizimit të projekteve të kryetrimit tonë me bashkësinë evropiane të kohës.
Atëherë, po trokiste Viti i Ri 1468. Projekti i Skënderbeut kishte përsëri shanse të vazhdonte aty ku kishte ngecur, por me lëvizje politike që vetëm mendja e tij gjeniale mund t’i përpunonte në përputhje me situatat. Cilat mund të ishin ato? Përgjigjet mund të dalin vetëm nga një kuis interaktiv historik nga ata që, duke paraqitur rrethanat konkrete, u kërkojnë historianëve të japin variante mbi mënyrën se si mund të kishin vepruar figurat madhore politike të kohërave, në rast se vdekja e papritur nuk do t’i largonte nga kjo botë.
Një përmbyllje e këtillë e një vepre madhore, si kjo e intelektualit të mirënjohur, z. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, mund të jetë e lejueshme vetëm për ato dije që kanë pretendimin se kanë shtjerrë përgjithësisht gjithë burimet, publike dhe arkivore lidhur me jetën, luftërat, bëmat, vendin dhe gjeninë politike të Kryetrimit të shqiptarëve.
Përfundim
Autori i veprës Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit, me veprën e tij ka hapur shumë dilema. Dilema të natyrës historike, se a mund të argumentohen të gjitha veprimet e tij politike dhe ushtarake me burime arkivore të besueshme. Dilema politike, se a ishte koherent projekti i tij, pra a përputhej pa ngërçe historia e veprimit të tij me historinë e veprimit të tij politik e ushtarak, po ashtu të vërtetuar nga burimet historike.
Qoftë edhe vetëm për trajtimin dhe shqyrtimin e këtyre dilemave, që e përshkojnë fund e krye këtë vepër madhore të autorit Virgjil Kule, ajo, vepra pra, hap rrugë për këndvështrime të ndryshme, për lexime të ndryshme, si dhe për qasje e komentime të ndryshme. Kjo veti e veprave shkencore, kanë thënë të gjithë të diturit, është mirë për jetën e veprës.
Vepra e intelektualit të madh, z. Virgjil Kule e ka këtë cilësi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kryqtari i fundit, Nusret, Pllana, Skenderbeu, Virgjil Kule

Amerikë o vend i bekuar , prite prite ”Skënderbenë ”!…

March 13, 2014 by dgreca

”Sot e perfundova së lexuari ” Kryqtari i fundit – Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Virgjil Kule. Ç´të them ? Duhet te jemi të lumtur qe i kemi të ngriturit si Virgjili e që e shkruajnë historine ashtu si duhet, e nuk mvaremi nga përdredhjet e qëllimta të të huajve. Te lumt Virgjil , që na e dhe knaqesinë e te qenurit pasardhës të Skënderbeut .( fxh)

***

Nga Fahri XHARRA/

”Kur janë mbushur 544 vjet nga vdekja e një prej figurave me te rëndësishme te historisë shqiptare, Skënderbeut, gazetari Virgjil Kule sjell një botim te ri për jetën e heroit tone kombëtar. Edhe pse tashme janë shkruar rreth 600 botime për Gjergj Kastriot Skënderbeun, gazetari Kule ne emisionin “Intervista” thekson se libri “Kryqtari i fundit” synon ti japë një dimension te ri te kësaj figure, jo vetëm si luftëtar, por veçanërisht si politikan e diplomat. Gazetari Kule i cilëson te neveritshme debatet qe zhvillohen rreth figurës se Skënderbeut, e veçanërisht ato qe lidhen me kombësinë e tij, debate qe sipas Kules, i prodhojnë njerëzit e ceket. Skënderbeu vdiq ne 17 janarin e vitin 1468 dhe libri i Virgjil Kules synon te hedhe drite mbi aspekte te jetës se tij, duke filluar nga arsimi ne Turqi, tek kthimi ne Shqipëri, martesa ne moshën 46-vjeçare e deri tek momenti i vdekjes. (Tv “intervista”)

Sa tmerruese është kur nga vetë goja e t`tanëve dalin fjalë që s`i kanë hije një kombi të civilizuar ,për emblemën e shqiptarisë , Skënderbeun. Të pa matur , qëllim keqinj , vetëmohues mundohen të çpikin të pa qena për te , vetëm e vetëm të na zhbëjnë si komb, dhe me një dëshirë të kemi një histori pa heronj . Populli pa histori ,nuk është popull , por është i destinuar që të zhduket. E jo!

Gazetari Virgjil Kule vjen për publikun me botimin e tij të parë “Kryqtari i Fundit”, një libër historik kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. (”Shqip”)  ku sipas tij ” është përpjekur të shpjegojë disa nga domethëniet e veprimeve të Skënderbeut”

”Përderisa ka ende hapësira veprimi për të ashtuquajturit “çmitizues”, mendoj se ende nuk është shkruar mjaftueshëm për Skënderbeun. Mbi të gjitha nuk janë prekur ende sa duhet “indet e buta”, pikërisht ato që i japin zhdërvjelltësi skeletit të njeriut. Ato ndodhen në shumë zona të trupit, por unë jam përpjekur të prek diçka nga truri, nga mekanizmi që prodhonte idetë, planet dhe strategjitë e Gjergj Kastriotit.” thot Virgjili. Ne jemi krenar që ; “Bashkë me ambicjet, aftësitë, talentet dhe, ndoshta, imperfeksionet e veta si qenie njerëzore, Skënderbeu kishte aftësinë jo vetëm për të parë më larg se të tjerët, por edhe për t’i dëshiruar gjërat më fortse të tjerët. Ai nuk synoi të devijonte rrjedhën natyrale të ngjarjeve, por, me veprimtarinë e tij, u bë një interpretues i ndërgjegjshëm pikërisht i asaj rrjedhe natyrale, duke gjetur brenda saj një rol për faktorin arbëror. Ai do t’i vinte të gjitha, si pjesën e vet njerëzore të zakonshme (ambicie, ëndrra etj.), ashtu edhe pjesën e jashtëzakonshme, atë gjeniale (vizion, qëllim, objektiv) në shërbim të nevojave të shoqërisë europiane (ku bënte pjesë edhe populli arbëror) për t’i rezistuar dyndjes osmane. Në këtë proces tejet të mundimshëm Skënderbeu do të kryente aktin madhor të legalizimit në histori të së drejtës së popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes europiane.”

Pikërisht Virgjil Kule në kët libër na i përshkruan vramendjet e Skënderbeut për mënyrën e zbatimit të këtij procesi.Virgjili na e spjegon që “Ka të bëjë me ndërtimin e historisë mbi bazë njësish horizontale kronotopike (kohoro-hapësinore). Si në një skaner që lexon shtresa me trashësi të ndryshme, edhe unë kam bërë prerje të realitetit mbi bazë njësish me “trashësi e shtrirje” vjetore. Pra, duke pasur në qendër të vëmendjes Skënderbeun, kam bërë një prerje horizontale të kohës dhe hapësirës së çdo viti të veprimtarisë së tij, duke lexuar aty, si në sipërfaqen e prerë të një peme të trashë, kompleksitetin e ngjarjeve, lidhjet midis tyre, fenomenet shkak-pasojë, aktorët dhe faktorët etj. Njësia kohoro-hapësinore “vit” përbën kështu hallkën e një zinxhiri me 25 të tillë. Çdo hallkë pastaj qëndron në vendin që i takon, duke i pasur sa më të plota ngjarjet e veta, rolin e Skënderbeut në to, rolet e bashkëkohësve dhe ndërveprimet midis tyre. Kemi të bëjmë me 25 libra më të vegjël (ditarë vjetorë) që nuk mund të radhiten kurrsesi ndryshe. Pra kemi një Skënderbe ngushtësisht kronologjik. Në rast se duam një zinxhir të fortë të historisë është më e frytshme të ndërtojmë hallka të veçanta gjithnjë e më të forta dhe jo thjesht të bashkojmë dy a më shumë zinxhirë të tjerë. E tëra në vetvete është gjithmonë më e përsosur se sa shuma aritmetike e pjesëve të veçanta të saj. ”

Skënderbeu ishte politolog, gjeopolitolog , poliglot , strateg dhe mbi të gjitha Arbër .”Libri më shumë se për ngjarje flet për proçese. Në qendër të tij është një politikan, diplomat, burrë shteti e strateg ushtarak i nivelit shumë të lartë që i drejton këto proçese. Pra nuk janë ngjarjet, por proçeset ato që i flasin të sotmes. Në rrethana historike nga më të ndërlikuarat dhe më të pafavorëshmet për trojet shqiptare, Gjergj Kastrioti hartoi dhe zbatoi një projekt politik të guximshëm, nëpërmjet të cilit i dha mundësi popullit shqiptar që të bënte një kërcim spektakolar në histori dhe të ri-legjitimonte të drejtën e tij për të qenë i pavarur dhe vetvendosës.”( Virgjil Kule ne intervisten dhënë  Muharrem Sfarqës )

Ai për të cilin duhet ngritur një institut studimor më vete dhe duhet gërmuar pafundësisht në dokumentacion – krenaria e vërtetë e kombit tonë, jo thjesht në kuptimin simbolik, por edhe në kuptimin e krijuesit të bazave të një shkolle kombëtare për të ndërtuar respektin ndaj vetes si shqiptarë dhe për t’ia imponuar atë të tjerëve. Në çdo kohë i janë nevojitur shqiptarëve lidera si Skënderbeu, por mjerisht ata kanë qenë shumë të rallë, madje edhe të pakrahasueshëm me figurën komplekse te Skënderbeut.

“Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, të bëmat dhe cilësitë që shfaqin.” e këte po e bënë Virgjil Kule

PS: (Virgjil Kule me Skënderbeun e tij do të jete  me :15 mars – Cleveland, 16 mars – TroyMichigan, 21 mars – Filadelfia, 22 mars New York.)

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, Kryqtari i fundit, Virgjil Kule

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT