Presidenti Nishani dekoroi Naltmadhninë e Tij Zogun I, Mbretin e Shqiptarëve (Pas vdekjes) me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë te shtunen me 17 Nentor në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Ahmet Zog, eshtrat e të cilit u kthyen në atdhe 51 vjet pas vdekjes dhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetitshqiptar.Gjatë ceremonisë shtetërore që u organizua në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore shqiptare morën pjesë trashëgimtari i Mbretit Zog, Princi Leka II dhe pjesëtarë të familjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetarjae Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri, Sali Berisha, Zëvendëskryeministri i Hungarisë, ambasadorë, personalitete të ndryshme, përfaqësues të klerit dhe shumë bashkëqytetarë.Më tej, fjala e Presidentit Nishani në ceremoninë shtetërore të rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog I
E nderuar Presidente e Kosovës, Jahjaga!
E nderuar Znj. Kryetare e Parlamentit!
I nderuar Z. Kryeministër i Shqipërisë!
Të nderuar Ministra, anëtarë të Parlamentit!
Të nderuar përfaqësues të Familjeve Mbretërore!
Shkëlqesi Ambasadorë!
Të nderuar përfaqësues të Bashkësive fetare!
I nderuar Princ Leka II!
Të nderuar qytetarë shqiptarë, kudo ku ndodheni!
Në qoftë se shtetet e tjera, që nga më të zhvilluarat e deri te ato si Shqipëria, kanë në historitë e formimit të tyre data që shkojnë larg e thellë në shekuj, kanë histori që kanë shenjuar kapituj të historisë botërore, Shqipëria në këtë kujtesë të sajën shënon edhe një figurë të rëndësishme, krahas atyre që shpallën Pamvarësinë e vendit, figurën e Ahmet Zogut.
Me historinë mund të sillesh në shumë mënyra. Mund të provosh ta harrosh, për shembull, por shpejt kupton se harresa kishte qenë aventurë.
Përveçse ta harrosh, Historinë mund të provosh gjithashtu edhe ta manipulosh, ta shtrembërosh, ta deformosh. Që edhe kjo, si rregull pa asnjë përjashtim, është gjithmonë afashkurtër dhe për të keqen e atij që e tenton.
Pra, mund të duket sikur me Historinë mund të bësh çfarë të duash, por nuk është ashtu, sepse mund të mos e përfillësh ti Historinë, por nuk të lë Historia ty pa të përfillur, pa të ndëshkuar për gabimet, dhe pa të shpërblyer për të mirat.
Historia jonë, qysh nga mjegullat e shekujve, ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar, luftëtarë, prijësa, Princër, Mbretër, madje dhe Perandorë dhe Papë. Një numër prej këtyre, nga luftëtarët tek Perandorët, qenë të tillë kur Shqipëria ende nuk ishte Shtet, dhe shumica, mjerisht, jo në truallin e vet, por në dhe’ të huaj.
I pari dhe i vetmi Mbret i Shqipërisë Shtet është Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit po i rivarrosim sot.
Për një perudhë kohe nga 1 shtatori 1928 e deri në 9 prill 1939 Shqipëria pati një mbret që ishte nje Mbret real, Mbret i Shqipërisë të porsa dalë nga Mesjeta. Mbret i një Shqipërie dhe shqiptarësh të cilët aspironin, por nuk kishin vetdije politike, shoqërore, qytetare, rend, dhe praktikisht asnjë infrastrukturë. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë.
Ahmet Zogu, ka lënë pas një diskutim të gjerë dhe të ndryshëm mes palëve, por Ai qe padyshim një prej figurave më kryesore në historinë shqiptare.
Ai premtoi të sjellë rendin dhe progresin në një vend që kishte njohur pak ose aspak shtetin dhe ligjin. Këtë synoi dhe këtë nisi të bënte. Ai ishte njeriu që, pak vjet pas shpalljes së Pamvarësisë, nisi ta bënte Shqipërinë një shtet me të gjitha atributet e një shoqërie që përqafonte qytetërimin.
I dha shtetit shqiptar një Kod Civil që mungonte, krijoi një administratë të efektshme, një gjyqësor të besueshëm, vendosi mbretërimin e ligjit, luftoi fanatizmin, krijoi kushtet për lirinë e shtypit, forcoi monedhën kombëtare në një shkallë që nuk është njohur pas tij. Shkurt shtroi premisat për një shtet modern.
Nëse në celebrimin e Ahmet Zogut rreth orës 17 të një dite të shtunë në 1928-n, kishte pak gazetarë të huaj që ndiqnin ceremoninë e betimit të mbretit mbi kuran dhe mbi bibël, lajmi i krijimit të monarkisë shqiptare nuk kaloi pa u vënë re.
Nëse në varrimin e Mbretit Zog, larg Shqipërisë, morën pjesë pak njerëz, atdhetarë, besnikë dhe familjarë të tij, emri dhe ajo çka Ai bëri për Shqipërinë nuk u harrua.
Falsifikimi i historisë ku shumë të vërteta historike u heshtën, ku Mbreti Zog përmendej si “satrap” dhe Haxhi Qamili si patriot, ku shtypja e persekutimi i popullsisë quhej “demokracia më e vërtetë”; ku u etiketuan armiq e tradhtarë me mijëra burra e gra, ku pushkatohej Sabiha Kasimati pa faj e pa gjyq, ku Musine Kokalari lihej të vdiste pa u mjekuar, ku Stalini mbahej si hero, ku diktatori hymnizohej si çlirimtar, e të tjera si këto, janë në vetvete një nga krimet me të mëdha që i janë bërë këtij kombi e populli.
Ato fshihnin përpjekjen mjerane për t’i zvetënuar arritjet e Shqipërisë së para 1944-ës. Ndaj, theksohet sot me forcë të madhe rishikimi me kujdes i historisë së Shqipërisë, në mënyrë që të vlerësohen figurat historike pa ngjyrime politike, për atë që kanë bërë, por edhe për atë që koha nuk ua lejoi të bënin. Koha dhe zhvillimi i mbrapshtë i historisë.
Sot, në prag të 100-vjetorit të Pamvarësisë së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik yni që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës; në vendin ku pati edhe kundërshtarë, po ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e Tij.
Historia e vendit tonë nuk është e mbushur me bëma mbretërish dhe saga familjesh mbretërore. Por ajo nuk është një histori boshe. Vetë fakti që sot u bë e mundur kthimi e prehja e Mbretit Zog në tokën që e lindi, është shenjë dhe dukje e një shteti që të ardhmen e tij e ndërton duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja.
Dhe rivarrimi i tij sot aty ku shteti-parti i Diktatorit hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton.
Sepse ky akt nuk është thjesht një detyrë qytetare dhe njerëzore, por edhe mundësia për të shlyer një detyrim, jo vetëm ndaj një Njeriu, por ndaj një epoke të tërë. Epokës së shtetformimit të Shqipërisë që e deshi dhe nisi ta vinte në jetë Mbreti Zog.
Kur u kurorëzua e pat mbyllur fjalimin e tij me fjalët “Zoti më bekoftë”. Sot ne themi se Zoti po bekon hirin e trupit të tij që do të prehet në truallin shqiptar. Ia kishim borxh. U prehtë në paqe!