Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.
Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.
Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.
(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)
SHËNIM I SOTËM, 30 DHJETOR 2018: RILINDJA DO RIDALË…
Shkrimi-editoriali MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË është botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja pikërisht para 10 viteve – në 30 dhjetor 2008, vitin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll me dëbim dhunëshëm, kundërligjshëm e padrejtësisht, nga shtëpia e saj – Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut.
Në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.
Numri i parë i pas dëbimit – i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.
Në kalendarin e gazetës Rilindja për Vitin 2009 ishte piktuara ekskluzive, e autorit Veli Blakçori: Molla e Kuqe. Te ajo mollë, sipas kujteses historike të shqiptarëve, ishte kufiri shqiptaro-serb para dëbimit të përgjakshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Toplica, para mëse 130 vjetëve (sa ishin në vitin e daljes së atij numri të gazetës Rilindja). Molla e Kuqe është si një mesazh atyre që duan të vendosin kufi në Mitrovicë, se nëse ndryshon kufiri – dihet ku ishte…
Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…Prandaj, gazeta Rilindja në këtë ndërrim motesh pritet të ridel simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim…
Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë.
Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)
Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunshëm