Shkruan:Eshref Ymeri/
Charlotte, Karolina e Veriut/
Në faqen e internetit të datës 27 prill 2015 të portalit “Çamëria”, Profesor Nexhmedin Spahiu, në përforcim të bindjeve të veta për shpikjen e “kombit kosvar”, më kishte dërguar esenë e vet me titull “Koncepti i kombit”. Kush dëshiron, mund ta lexojë në faqen e portalit të lartpërmendur. Më poshtë vijon letra ime për Profesorin Nexhmedin Spahiu.
I nderuar Profesor Nexhmedini,
Faleminderit për dërgimin e esesë suaj. E lexova me shumë kujdes.
Sa për shqipen e “Enver Hoxhës”, siç shkruani ju, mendoj se shpreheni gabim. Shqipen e njësuar nuk e shpiku Enver Hoxha. Ajo erdhi e u kristalizua si rezultat i një procesi të gjatë historik. Unë nuk dua të zgjatem në këtë pikë se pikëpamjet e mia për gjuhën e njësuar shqipe i kam shprehur në një ese të posaçme, të përgatitur enkas për këtë problem, me titull “Rruga e mundimeve e ndërakademikëve “të papunë””, të botuar në internet më 02 tetor 2013.
Për sa i përket termit tuaj të parapëlqyer “kombi kosovar”, unë nuk mund të bie në një mendje me ju për shpikjen e tij, meqenëse Gjergj Fishta, Branko Merxhani dhe Vangjel Koçoja e paskan përdorur atë dikur në kalim e sipër. Unë mendoj se ju, si një intelektual me formim akademik, duhej të merreshit me thelbin e problemit që është mjaft shqetësues për mbarë kombin shqiptar: me copëtimin e padrejtë që u bëri shovinizmi evropian trojeve tona etnike nën diktatin e armikut tonë të tërbuar, shovinizmit rusomadh, për të kënaqur epshet hegjemoniste të ortodoksisë sllavogreke. Kaloi një shekull dhe kjo padrejtësi skandaloze duhej të ishte zhbërë, sikur në mbarë trojet tona etnike ne të kishim një klasë politike atdhetare, me formim nacionalist, me dinjitet kombëtar.
Si është e mundur, ore Profesor Nexhmedini, që juve nuk ju bëjnë përshtypje reagimet shoviniste të Beogradit, të Moskës dhe të Athinës, sa herë që në Shqipëri dëgjohen zëra për ribashkimin e trojeve tona etnike? Vallë nuk ju shqetësuaka fakti që pikërisht shovinistët grekosllavë janë ata që u bien kambanave kundër këtyre zërave në të gjitha udhëkryqet e Evropës e deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sepse pikërisht ata vazhdojnë të mbajnë ende të kolonizuara një pjesë të mirë të trojeve tona etnike? Vallë të mos jeni i bindur ju që fqinjët tanë grekosllavë nuk e duan të bashkuar kombin shqiptar, se gjatë një periudhe mbinjëshekullore ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë si pikësynim që kombi shqiptar të mos ngrihet kurrë më këmbë, por të vazhdojë të zvarritet, si deri tani? Rusisë shoviniste, për interesat e grekosllavizmit, i intereson një komb shqiptar i përçarë, varfanjak, i telendisur, i nëpërkëmbur se kështu krijohen kushtet për mpakjen ca nga ca të kombit tonë dhe zbrazjen tërësore në perspektivë të trojeve tona etnike prej elementit shqiptar. Vallë nuk e kuptuakeni ju, ore Profesor Nexhmedini, që Shqipëria sot, për fajin e klasës politike të Tiranës, tërhiqet zvarrë para shtetit më paradoksal të Evropës, i cili e ka emrin Greqi dhe që përfaqëson një ngrehinë të kalbur me mendësi mesjetare në gjirin e Bashkimit Evropian? Po a ka turp më të madh për Shqipërinë që e nëpërkëmb dhe tallet me të pikërisht një shtet karagjoz grek që sot përfaqëson turpin e Evropës? Dhe kjo për faj të klasës politike të Tiranës.
Po në të njëjtën mënyrë e nëpërkëmb dhe tallet me Kosovën edhe shteti kriminal serb, i cili ka në krye nëpunësit e regjur të Millosheviçit, kriminelë me damkë të popullit shqiptar të Kosovës. Dhe kjo për faj të klasës politike të Prishtinës. Po në të njëjtën mënyrë nëpërkëmb dhe tallet me popullin shqiptar në Maqedoni një kopilshtet, i krijuar fillimisht në inkubatorin e Titos në vitet e pasluftës. Dhe kjo për fajin e klasës politike shqiptare në Maqedoni. Të njëjtin poshtërim po provojnë mbi kurriz shqiptarët në Mal të Zi prej mikroshovinizmit malazias. Dhe kjo për faj të klasës politike shqiptare në Mal të Zi.
Vallë të mos ju bëj përshtypje juve, ore profesor i nderuar, që në mbarë trojet tona etnike, me përjashtim të Çamërisë, janë të regjistruara në gjykata 90 parti politike? Juve, si intelektual, nuk ju shqetësuaka vallë ky fakt skandaloz? Ndërkohë që Gjermania me 82 milionë banorë, ka gjithë-gjithë 5 parti politike?
Kjo përçarje e rëndë dhe me pasoja tragjike për të ardhmen e mbarë kombit shqiptar, duhej të përbënte një shqetësim të përhershëm për ju, në mënyrë që, së bashku me intelektualë të tjerë, të ngrinit zërin tuaj të fuqishëm për të hequr dorë nga kjo përçarje skandaloze dhe e turpshme në radhët e kombit shqiptar, një përçarje kjo që na nxin faqen në sytë e Evropës dhe i gëzon pa masë armiqtë tanë grekosllavë.
Unë habitem se si është e mundur që një intelektual me përgatitje akademike, si ju, të merreni me shpikjen e “kombit kosovar”. Unë e kam theksuar në analizat e mia të mëparshme se prej korrikut deri në dhjetor të vitit 1999, Kosovën e pata vizituar si përkthyes i gazetarëve ukrainas dhe rusë. Kudo që shkelëm, që nga Kaçaniku e deri në Pejë, që nga Prizreni e deri në Podujevë, pyetja e vetme që ata u drejtonin qytetarëve kosovarë, ishte:
“- Si e shikoni perspektivën e Kosovës?”.
Dhe përgjigjet e tyre ishin absolutisht të njëllojta:
“Ne duam që Kosova të shpallet e pavarur dhe mandej të ribashkohet me Shqipërinë”.
Prandaj, profesor i nderuar, si shqiptar, ju këshilloj të hiqni dorë nga shpikja e “kombit kosovar” dhe potencialin tuaj intelektual t’ua kushtoni përpjekjeve për ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, me një stemë dhe me një flamur. Ju, po të dëshironi, mund të merreni me një problem të parrahur absolutisht deri tani dhe që është mjaft shqetësues për mbarë kombin shqiptar:
Si shpjegohet që klasa politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup është një klasë politike mercenare, e cila asnjëherë nuk ka kuturisur të ngrejë zërin për padrejtësinë tragjike që shovinizmi evropian, me në krye shovinizmin rusomadh, i shkaktoi kombit shqiptar me copëtimin e trojeve tona etnike? Dhe sa kohë do të vazhdojë të mbahet më këmbë ky copëtim?
Nëse ju, profesor i nderuar, do t’i kushtonit vëmendjen e duhur këtij problemi mjaft shqetësues për kombin tonë, ju do të jepnit një kontribut të shquar për zbulimin e arsyeve të mercenarizmit të lartpërmendur dhe do të linit gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e mbarë kombit shqiptar, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në emancipimin e klasës politike shqiptare dhe për daljen në skenë të një klase politike nacionaliste, me vetëdije të lartë kombëtare.
Me këtë rast, profesor i nderuar, dëshiroj të nënvizoj se në rrugën e mundimeve ku keni hyrë, për të shpikur një “komb kosovar”, keni vepruar shumë gabim dhe në dëm të interesave tona kombëtare. Sepse në këtë mënyrë ju u vini në osh interesave shoviniste të fqinjëve sllavogrekë që kombin tonë duan ta shikojnë sa më të përçarë. Unë nuk kam fakte se ju jeni i rekrutuar nga Beogradi dhe që ky t’ju ketë caktuar për mision shpikjen e “kombit kosovar”. Por me nismën që keni ndërmarrë për një “shpikje” të tillë, ju jeni vënë kokë e këmbë në shërbim të armiqve tanë shekullorë – Athinës, Beogradit dhe Moskës. Unë dëshiroj me gjithë zemër që ju të lini emër në historinë e kombit shqiptar, si një intelektual me përgatitje akademike që kontribuoi për ribashkimin e trojeve tona etnike. Unë nuk dëshiroj absolutisht që ju të lini një emër të keq në historinë e kombit shqiptar, si një përçarës i zellshëm, në shërbim të grekosllavizmit.
Ështe në dorën tuaj të zgjidhni rrugën e nderit apo rrugën e gabuar. Unë sa të jem gjallë, nëse ju nuk do të hiqni dorë nga rruga e gabuar ku keni hyrë, do t’ju kundërvihem me vendosmëri, si përçarës i kombit shqiptar dhe si shërbëtor i grekosllavizmit.
Eshref Ymeri
Charlotte, Karolina e Veriut
28 prill 2015
KUJTESË- MË 8 NËNTOR 1989 NDËRROI JETË GAZETARI XHEVAT KALLAJXHIU
*Duke përkujtuar Xhevat Kallajxhiun, editorin e Diellit, ish gazetarin e Zerit te Amerikes, k/redaktorin e “Demokracia” ne Gjirokaster,poetin, studiuesin…/
* “Liria është aq e rëndësishme për njeriun,sa ç’është dielli për jetën./
Atje ku s’ka diell, jeta bëhet robotike.”
Xhevat Kallajxhiu, “Lot e Shpresa”, 1976/
Shkroi Peter R Prifti/ Dielli-arkiv/
Xhevat Kallajxhiu pati jetë të gjatë, aktive dhe të frytshme, gjysmën e së cilës e kaloi në vendlindje, Shqipëri, dhe pjesën tjetër në mërgim, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U lind në kapërcyellin e shekullit dhe po u afrohej të 85-ave, kur vdiq më 8 nëntor 1989. Për një kohë të gjatë jetoi tok me familjen e tij në Forestwille, Maryland, afër Washington, D. C.
Kallajxhiu ishte besimtar i përkushtuar ndaj idealeve dhe mënyrave demokratike në jetë. Vdekja e tij përkon për çudi me shpërthimin e trazirave në të gjitha vendet e Evropës Lindore, ku regjimet komuniste po shembeshin njëri pas tjetrit, duke i hapur rrugën demokracisë. Ai vdiq me vetëdijen se ëndrra e tij politike po bëhej e vërtetë në pjesën më të madhe të Evropës, edhe pse jo akoma në vendlindjen e tij.
Skicë biografike – Kallajxhiu lindi në qytetin e Gjirokastrës, në Shqipërinë e Jugut, në të njëjtin vend ku lindi Enver Hoxha. Megjithëse të dy i përkisnin së njëjtes vendlindje, politika që ndoqën dhe pikëpamjet e tyre ishin të kundërta. Vite më vonë, Hoxha nuk la rast pa e sulmuar Kallajxhiun, me qëllim ta diskreditonte si figurë politike në mërgim.
Kundërshtar i politikës autoritare dhe radikale të Lëvizjes Komuniste Shqiptare gjatë Luftës II Botërore, Kallajxhiu u rreshtua me forcat e Ballit Kombëtar, që ishin kundërshtarët kryesorë të forcave komuniste. Sapo mbaroi Lufta, ai emigroi në Itali ku qëndroi pak kohë, pastaj erdhi në Shtetet e Bashkuara, ku kaloi gjithë jetën.
Kallajxhiu për një kohë të gjatë shërbeu në redaksinë e seksionit shqiptar të “Zërit të Amerikës” në Washington. E mbaj mend se për herë të parë e takova kur shkova bashkë me të ndjerin Lui Prifti, i cili punonte po atje. Pasi dha dorëheqjen nga “Zëri i Amerikës”, ai pranoi ftesën e Federatës Vatra, të bëhej kryeredaktor i gazetës “Dielli”. E pranoi grishjen nga respekti për gazetën më të vjetër shqiptare që vazhdonte të botohej dhe për bindjet e tij se komunitetit i nevojitej një gazetë me orientim demokratik sikurse “Dielli”. Ai e vazhdoi atë detyrë për dhjetë vjet (1976-1986), shumë më gjatë sesa e kishte menduar. Më pas për arsye shëndetësore u detyrua të jepte dorëheqjen.
Xhevat Kallajxhiu ishte mysliman bektashi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe bëri çmos ta ndihmonte fenë e tij. Ai luajti rol të rëndësishëm për ngritjen e Teqesë së Bektashinjve në Detroit, Michigan, më 1954. Teqeja ishte për të një vend pushimi shpirtëror dhe shoqëror dhe ai shpesh ndërrmerrte udhëtime nga Forestwille në Detroit, ku qëndronte disa javë e rrallë herë disa muaj.
Kallajxhiu ishte autor që impononte respekt. Nga viti 1961 deri më 1988, ai botoi shtatë libra, nga të cilët tri biografi: “Lincoln” (1901), “Skënderbeu” (1975) dhe “John Kennedy (1980); një vëllim historik “Bektashizmi dhe Teqeja shqiptare në Amerikë”; dy libra me poezi : “Lot e Shpresa” (1976) dhe “Tingëllimet e Zemrës” (1978), plus një përmbledhje me pjesë humoristike të titulluar “Për të qeshur” (1978). Te kjo e fundit janë futur ndodhi ose anekdota nga jeta e legjendarit filozof popullor Nastradin Hoxha, i cili zë vend të nderuar në folklorin shqiptar. Të gjitha këto vepra ai i botoi në gjuhën shqipe. Një vepër tjetër e Kallajxhiut “Larg atdheut”, të cilën ai e quante roman historik, ka mbetur e pabotuar.
Njeriu dhe veprat – Kallajxhiu në radhë të parë ishte njeriu që tregonte vazhdimisht kujdes për kombin shqiptar. Në të njëtën kohë ai kishte ndjenja të forta simpatie dhe admirimi për Amerikën. Nga kjo anë ai i ngjante shumë Fan Nolit, i cili gjithë jetën ia kushtoi mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar, duke punuar me përkushtim t’i sillte popullit shqiptar demokracinë wilsoniane. Kallajxhiu, po ashtu, ishte avokat i zjartë i parimeve dhe idealeve demokratike. Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike të jetës daton qysh nga Gjirokastra, ku ai botoi gazetën me titull “Demokratia”. Demokracia, liria, pavarësia dhe paqeja – këto nuk qenë thjesht slogane për Kallajxhiun, por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur.
Libri i tij për Skënderbeun nuk qe thjesht një eulogji për Heroin Kombëtar Shqiptar, por përkujtim festiv i lirisë dhe pavarësisë. Respekti i madh që kishte për “virtytet dhe idealet” e Abraham Linkolnit e shtyri të shkruante një libër për Emancipuesin e Madh. I njëjti respekt për një tjetër president amerikan të shquar, e frymëzoi njëzet vjet më vonë të shkruante biografinë e John. F. Kennedy, të cilin e quante “kampion i paqes e i lirisë.”
Citati për lirinë në krye të këtij artikulli shpreh qartë filozofinë politike të Kallajxhiut. Këto fjalë vërtet do të meritonin të viheshin edhe si epitaf mbi varrin e tij.
Si editor i “Diellit”, ai e bëri gazetën e shumënderuar platformë të fuqishme demokratike. Në artikujt e tij të qartë e jetësorë, me argumente logjike dhe emocione të forta, ai evidentonte virtytet e lirisë dhe të qeverisjes me konsensus, në mënyrë të atillë që të kuptohej prej çdo lexuesi.
Kjo qe një nga arritjet e tij më të mira si gazetar. Vlen të vihet në dukje përkushtimi i tij i përhershëm për çështjen e Kosovës. Gjatë dhjetë vjetëve si kryeredaktor i “Diellit”, Kallajxhiu e bëri Kosovën “çështje të ditës,” duke i kushtuar në faqet e gazetës hapësirën e nevojshme, duke përkrahur dhe evidentuar kërkesat e kosovarëve. Kauzën e shqiptarëve në Jugosllavi, ai e trajtoi jo vetëm te faqet e gazetës “Dielli”. Qysh te vëllimi i parë me poezi “Lot e shpresa”, disa nga pjesët më të bukura janë për Kosovën, të cilën ai e quan “emër legjendar…tok’ e bekuar…që s’u munde.”
Xhevat Kallajxhiu ishte biograf, historian, por dhe përzgjedhës humori. Në tërësi shkruante duke pasur gjithmonë respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari. Nga temperamenti ishte idealist me simpati të thella humanitare për të shtypurit. Në jetën e tij pati mjaft dhimbje e vuajtje, por fatkeqësitë i mbarti me shpirt të qetë dhe me sens humori. Pasi botoi librin “Për të qeshur” më dërgoi një kopje me autograf me këto fjalë: “…ta lexoni kur e ndjeni se ju kap mërzia.”
Do ta kujtoj Xhevat Kallajxhiun si shqiptar nacionalist të vendosur, si zë i fortë për liri e demokraci.( Nga Peter R. Prifti)
KUJTESË- Fahri Fazliu- një kreshnik i shqiptarisë
Një cerekshekulli më parë, pikërisht më 2 nëntor 1989, ranë heroikisht në Prishtinë në luftë me policinë serbe Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia./
Nga Skender Haliti/
Pas 11 marsit të vitit 1981 kur rinia studentore dhe masat e gjera popullore u hodhën në revoltë të hapur kundër politikave diskriminuese dhe ckombtarizuese serbe, Lëvizja Kombëtare për Clirim që në gjirin e saj tubonte formacione të ndryshme politike ilegale, shpeshherë pa kontakte të mirëfillta organizative mes veti për shkak të rethanave të vështira të veprimit në ilegalitet të thellë, gjithnjë e më tepër po e shqyrtonte mundësinë e organizimit të një qëndrese të armatosur kundër represionit policoro-ushtarak të Serbisë. Shumë organizata ilegale kishin filluar të mendonin edhe për armët që nuk gjindeshin leht, gjë që tregon se ideja e luftës së armatosur, ende në embrion, po rrekej të kalonte në një stadium tjetër. Një mundësi tjetër clirimi, duke e njohur natyrën dhe synimet historike të politikës serbe, nuk mund të merrej seriozisht në konsiderim, sepse një zgjidhje paqësore e konfliktit serbo-shqiptar, e provuar më herët pa sukses nga komunistët shqiptarë, ishte thjesht një iluzion politik në konstelacionet e atëhershme. Edhe sot kur statusi ndërkombëtar i kombit shqiptar ka ndryshuar esencialisht për të mirë, në Serbinë e dobësuar në cdo drejtim nuk ka ndryshuar asgjë në këtë pikë. Racizmi antishqiptar është ai që e njihnim dikur: tepër primitiv. Sigurisht në ato vite të flisje hapur për një rezistencë të armatosur në stil të gjerë jo vetëm ishte një punë me rrezik të madh nga ata që ishin në përgjim të farkatores historike tek shqiptarët, por edhe tek njerëzit e tu rrezikoje të quheshe një lloj don Kishoti, përfshirë këtu edhe skeptizicmin shpërfillës në qarqet ilegale. Kjo mundësi e dëbimit të Serbisë nga Kosova konsiderohej e parakohshme për shkak të konjunkturave ndërkombëtare që nuk e favorizonin ndryshimin e strategjisë së Lëvizjes tonë Kombëtare për Clirim. Dhe këto konjunktura për pesimistët që atëherë nuk ishin të pakët, ishin të përjetshme. Sidomos fakti që aleatja më e madhe e serbëve, Rusia sovjetike, ishte ende një faktor determinues i politikës botërore e bënte një shestim të tillë për shumë shqiptarë më tepër një dëshirë mendjelehtë sesa një mundësi reale. Megithatë këta skeptikë harronin dicka krejt të thjeshtë dhe nuk mund ta merrnin me mend se konjunktura ekzistuese, padyshim disfavorizuese për ide të tilla, mund të ndryshonin shumë shpejtë, madje edhe brenda një nate sic do të tregojë më së miri shembja e Murit të Berlinit saktësisht një javë pas rënjes se Fahriut dhe Afrimit. Sidoqoftë shembujt e qëndresës së armatosur nuk kanë munguar edhe në mesin e atyre që ishin të organizuar politikisht në ilegalitet dhe që i përmbaheshin relativisht në mënyrë të rreptë linjës së veprimit të politik pa iu përgjigjur dhunës shtetërore serbe me të njejtën monedhë. Qëndresa e armatosur e Tahir Mehajt në maj të vitit 1981 ishte një shenjë e qartë se shqiptarët nuk do ta duronin dhunën e shtetit jugosllav pa një reagim të vendosur, mirëpo ajo ishte, në anën tjetër, e një natyre tjetër, një instinkt spontan vetëmbrojtës shqiptar kundër sundimit të huaj që në rrjedhën e shekujve kurrë nuk ishte shuar ndër shqiptarë dhe kishte bërë që shqiptarët të mbeteshin shqiptarë. Rezistenca e armatosur e Bajram Bahtirit, Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës në vitin 1984, përfaqësuesit më promimentë të organizatave ilegale politike që vepronin atëbotë në Kosovë, tregonte ndërkaq se koha e një lufte të armatosur kundër pushtuesit nuk do të vononte shumë. Por në atë kohë ende ishte vështirë të jepej ndonjë parashikim se kurdo të fillonte dhe sesa e gjatë dhe e mundimshme do të ishte kjo luftë. Dhe cilët konkretisht do të ishin aleatët tanë, për të cilët nuk dyshonim se i kishim në Perëndim, edhepse sot nuk mungojnë segmente shoqërore që përpiqen të na bindin për të kundërtën.
Si shok i jetës ilegale i Fahri Fazliut mund të them pa hezitim se ai dhe Afrim Zhitia përfaqësonin atë fraksion në Lëvizjen Ilegale Shqiptare që cështjen e rezistencës së armatosur nuk e shihnin vetëm si një mundësi teorike në një të ardhme të papërcaktuar, por si dicka shumë praktike, për të cilën duhej menduar seriozisht dhe me urgjencë qysh tani, d.m.th. qysh në vitet 1980 deri në momentin e rënjes së tyre, kur themelet e rendit botëror që dolën nga Lufta e Dytë Botërore ishin tronditur dhe kur Muri i Berlinit pak më vonë sa hap e mbyll sytë po kthehej në një fantazmë të një kohe tjetër të frikshme të ndarjes së botës në blloqe armiqësore, kur Jugosllavia kishte hyrë në një fazë dekompozimi politik dhe shtetëror të përshpejtuar, cështja e ndeshjes finale me serbët më shumë se teori ishte kthyer në një cështje imediate praktike. Rënja e tyre pas një lufte burrnore me serbët e dëshmon më së miri këtë që them. Bashkë me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliu do duhej të konsiderohej njëri nga ushtarët e parë pararendës të UCK-së, e cila tashmë e kishte hedhur hijen e saj në Prishtinë. Gjashtë vite më vonë bashkëluftëtarët të mëvonshëm të armëve të Fahriut dhe Afrimit do ta arrinin me aksionet e tyre të armatosura edhe kryeqytetin e Kosovës dhe tre vite më vonë së bashku me NATO-n do të hynin si fitimtarë në kryeqendrën e dikurshme të organizimit ilegal.
Kush ishte Fahri Fazliu?
Fahri Fazliu lind më 24.02.1963 në Llaushë në një familje me tradita atdhetare. Ende pa shkuar në shkollë ai e kishte mësuar në oda faktet themelore të historisë së popullit të tij, në rrëfimet e të rriturëve që e kishin përjetuar dhunën dhe terrorin serb, i cili më shumë se në kudo tjetër i kishte gjurmët e tij ende të freskëta në këtë kraninë kufitare, në Llap. Jeta më vonë do t’ia bëjë një gjë mëse të qartë: liria kombëtare nuk do të bëhej realitet kurrë përderisa njerëzit nuk do të mendonin për të si për cështjen e bukës së përditshme. Të mendonin kështu dhe të ishin të gatshëm për sakrifica supreme.
Me këto mendime dhe qëndrime ai do të bëhet pastaj një protagonist i shquar i veprimit të pakompromis kundër pushtuesit serb. Shpejt do të kycet në strukturat ilegale dhe do të shquhet si një njeri tepër i vendosur. Spektri i veprimtarisë së tij ishte i gjerë. Nuk do të kishte asnjë lloj veprimi sado i rrezikshëm të ishte që ai nuk do ta ndermerrte, nëse shokët do t’ia ngarkonin. Shpërndarje traktesh, literature ilegale, ndihmonte shokët ilegalë dhe familjet e të burgosurëve politikë, etj. gjithë jeta e tij në thelb kishte vetëm atë përmbajtje që mishëronte rezistencën. Ai ishte një organizator me talent të madh, gjë që do të tregohej në demonstratat studentore dhe popullore ku ai ishte organizator dhe pjesëmarrës aktiv. Ishte një njeri jo vetëm i guximshëm, por edhe shumë i zgjuar dhe i palodhshëm. Që në momentin kur e njoha më ra në sy karakteri i tij i jashtëzakonshëm i arketipit të luftëtarit kombëtar, një lloj kreshniku modern që kishte zbritur nga eposi I lashtësisë shqiptare në realitetin tonë të trishtë të pushtimit për të na dhënë zemër, për të na thënë dhe treguar me shembullin e tij se robëria nuk është fat i përjetshëm për ata që nuk e pranojnë atë si fatalitet. Kjo ndjenjë më shoqëroi vazhdimisht saherë e takoja, saherë e shihja këtë gjigand të atdhetarisë. Si bashkëveprimtar politik të bënte të entuziazmoheshe dhe të besoje se edhe përkundër represionit të pashembullt shtetëror dhe peshës së rëndë të robërisë që po rritej nga dita në ditë agimi i lirisë nuk do të ishte i largët. Ai ishte ëndrrimtar dhe realist në të njejtën kohë. Ai e ëndrronte atë që do të vinte dhe megjthatë nuk mbetej brenda ëndrrës, por si realist që ishte luftonte atë që kishte përpara dhe që ishte barriera e madhe drejt të ardhmes pa prangat e robërisë. Fahri Fazliu e dinte dhe nuk trembej aspak faktit se liria rrugën e ka të shtruar me gjak. Ai ishte i gatshëm për të gjitha flijimet e mundshme. 2 nëntori i vitit 1989 e tregoi se ai i kishte hyrë luftës për clirim pas asnjë iluzion, pa asnjë lloj frike, me vendosmërinë e kreshnikëve të eposit që e bënin luftën me krajla në mënyrën e tyre që në shekuj u nderua si shkëlqim i racës sonë. Shpallja e tij hero i kombit nga ana e presidentes Jahjaga para disa vitesh është një nder që i bëhet atij që në jetë vërtet kishte qenë i tillë. Kështu ai nga një vdekatar i zakonshëm u shndërrua në një yll të përjetshëm që ndricon në qiellin e ndërgjegjes dhe kujtesës sonë kombëtare. Unë e kam ndjerë atëherë, në kohën e veprimit ilegal, dhe e kam ndjerë pastaj edhe më intenzivisht veten të privilegjuar që pata rastin të njihem me të, të veprojë për shumë vjet bashkë, të kujtoj pastaj gjatë gjithë këtyre viteve se pa njerëz të tillë si Fahri Fazliu kombi ynë do të ishte zhdukur prej kohësh në terrin e shekujve.
KUJTESË PËR HASHIM THAÇIN
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sapo Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me VV shprehu qartë pozicionin e vet – nga një segment ekstremist brenda PDK-së – ka filluar një agresion i hapur me kërcënime. Them brenda PDK-së. Sepse në emër të tyre kërcënojnë.
Nga ana tjetër, një segment ekstremist që mban krahun e Fatmir Sejdiut dhe klanit të Llapit, klan që ka bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, që kanë qenë e mbetur probatina pushteti e prosperiteti, kështu thuhet në Kosovë, ka nxjerrë kokën me sulme kundër Isa Mustafës. Ata Isa Mustafën e kishin pasë aty gjithmonë, por janë kujtuar pikërisht tash, kur kanë pësuar një grusht turinjve nga rezultatet e zgjedhjeve.
Niveli i sulmeve është shumë i ulët, nga njerëz shumë të ulët dhe që nuk ia prishin drejtimin e tymit as Koalicionit dhe as Isës, veç Hashim Thaçit.
Pra dëmtojnë Hashim Thaçin. Prandaj këtë shkrim po e shkruaj si një kujtesë për të, pa asnjë dashakeqësi, si analiste.
Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit ka koinciduar me kosto të hidhur për shumë politikanë të Kosovës, kundërshtarë politikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit. Përmendim këtu Haradinajn dhe Limajn, të cilët, pas një procesi të gjatë gjyqësor, kanë dalë të pafajshëm si nga Gjykata e Hagës ashtu edhe nga drejtësia në Kosovë.
Ndërkohë të tjerë bashkëpunëtorë të Thaçit, të enturazhit të tij më të ngushtë gjenden sot prapa hekurave, me akuza të rënda dhe ata logjikisht do të duan me çdo kusht që Hashim Thaçi të jetë kryeministër i Kosovës, të paktën edhe për një mandat të tretë.
Por kjo dëshirë e tyre është një impossible mission për Hashim Thaçin, sepse rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet.
Çfarë i mbetet Thaçit?
Të gëzojë rolin si lider i opozitës dhe ta luajë këtë rol në mënyrë sa më fair.
Thaçi nuk mund të ketë një mandat të tretë, por ai ka qenë kryeministër i Kosovës për dy mandate shumë të rëndësishme. Është kryeministër i Pavarësisë të Kosovës. Dhe për këtë do të mbetet në histori.
Thaçi ka imituar Ibrahim Rugovën në raport me SHBA, në formë, sepse natyrisht si format janë larg, por prapë është diçka shumë pozitive.
Ndërkohë Kosova ka mbetur si një Lager në zemër të Evropës. Kosova ish-viktimë e një konflikti – tani penalizohet dhe është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizimin e vizave, me një varfëri drastike dhe papunësi që shkon në 70%, ndërsa korrupsioni nga keqqeverisja e ka bërë Kosovën të jetë në top listat e statistikave të organizmave ndërkombëtare. Po ashtu njohja e Kosovës nga bota është stopuar që në fillimshkurtin që shkoi. Këtë vit Kosovën deri tash e kanë njohur vetëm dy shtete, ndërsa më 2013 vetëm shtatë syresh. Pra Kosova ka ecur me hapa as të breshkës.
Në këtu kushte, Hashim Thaçi nuk mund të imponohet me asnjë sukese për një mandat të tretë. Ai duhet të dalë sa më shpejt publikisht e të distancohet nga vala e kërcënimeve që lëshohen në emër të tij.
Kundërshtarët politikë dhe ish-bashkpunëtorët e Thaçit që tashmë janë pjesë e Aleancës së shumicës pas eksperiencave të tyre me drejtësinë, ata tani detyrimisht duhet të jenë kthyer në bodyguardë të standardeve demokratike. Sepse nuk ia lejojnë vetes të kthehen atje ku kanë qenë. Aq më tepër kur tash janë fitues.
Në këtë kontekst Thaçi ka mbetur zbuluar për çdo akt dhune që segmente të ndryshme paralajmërojnë kur ai do të kalojë në opozitë. Sepse do t’i kthehet në boomerang vetë Hashim Thaçit.
Edhe sikur në Kushtetutën e Kosovës të kishte hapësira ligjore, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, Thaçi nuk do të kishte asnjë shans – përkundrazi, nëse Kosova do të kalonte në zgjedhje të reja, pikërisht aty Thaçi do të merrte goditjen përfundimtare, sepse humbja do të ishte shterruese për të, çka do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga kreu i PDK-së.
Por s’ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, dhe kjo tingëllon si fatmirësi për Hashim Thaçin, i cili duhet të startojë punën për të përmirësuar sa më shpejt imazhin e tij nga përshtypja skandaloze që ka shkaktuar libri i Veton Surroit dhe sidomos nga pakënaqësitë e atyre që votuan kundër tij në zgjedhjet e 8 qershorit.
Nga pozita shumë komode, ai duhet të mos e vonojë më legjitimimin e institucioneve të reja të Kosovës, sikur bëri Presidentja me kërkesa infantile Gjykatës Kushtetuese, kur Kushtetuta e Kosovës flet në mënyrën eksplicite.
Sepse të gjitha vonesat e shkaktuara nga kapriçiot e Thaçit kanë kosto për popullin e Kosovës, i cili ka nevojë për një qeverisje të ndershme dhe energjike, për t’u ringjallur sa më shpejt. Kosova i ka të gjitha burimet natyrore, njerëzore dhe institucionale për t’u integruar sa më shpejt në kontinentin europian, atje ku jetojmë dhe vazhdojmë të mbetemi të ekskomunikuar për faj të politikanëve.
KUJTESE- HEROI SHKELZEN HARADINAJ
Në përkujtim të viganit orakull të UÇK-së, heroit të kombit Shkëlzen Haradinaj, lavdia e të cilit nuk shuhet kurrë/
Shkruan: Faton Mehmetaj/
Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 16 prill, tamam si në legjenda ra heroikisht komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 ”Jusuf Gërvalla”: Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të gjithë nga Gllogjani. Ata ranë dëshmorë në njërën ndër betejat më të rrepta e më heroike në malet e Maznikut, kur u luftua për jetë a vdekje në mbrojtje të mijëra civilëve shqiptarë, të strehuar në malet e Duboçakës.Komandanti Shkëlzen Haradinaj, është njëra ndër figurat më emblematike të UÇK-së. Ishte bir i vërtetë i polenit shqiptar, i cili u shqua për trimëri të ashpër, burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt e krenari raciale, për qëndresë titanike dhe për rënien më të lavdishme për Atdhe, që e ka ruajtur me fanatizëm gjer më sot jeta shqiptare. Është njëri nga burrat më të çmuar të kombit tonë, i cili e zuri këtë vend me madhështinë që kishte, me vetëmohimin dhe me përkushtimin e pafund ndaj çështjes kombëtare. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, Shkëlzeni asnjëherë nuk u largua nga lufta. Dhimbjen e ktheu në forcë e forcën në veprim deri në fund. Ishte dhe mbeti njëri ndër komandantët më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte figurë shumëplanëshe, me potencial të fuqishëm shpirtëror, filozofik e kulturor. Ishte një drejtues i përgatitur, i aftë në organizim e në veprime luftarake.
Shkëlzeni e ndërlidhi me sukses periudhën e gjatë të ilegalitetit në radhët e UÇK-së me periudhën e veprimit frontal, duke korrur suksese në të gjitha betejat. Që nga Beteja e parë frontale më 24 Mars 1998 në Gllogjan e deri në rënien e lavdishme, pothuajse të gjitha betejat që u zhvilluan në Zonën Operative të Dukagjinit, mbajnë emrin e Shkëlzenit, i cili ishte nderi dhe krenaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është heroi tipik i Lahutës së Malcisë, protagonist i denjë i shumë veprave letrare e historike, që bashkë me shokë e ndryshuan historinë.
Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars të vitit 1970, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare e dalluar brez pas brezi në luftë për liri, sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej, duke marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet dhe kryengritjet për liri e çlirim kombëtar.
Shkëlzeni është fëmija i dytë i prindërve Hilmi Haradinaj e Ruke Brahimaj-Haradinaj, të cilët kushtrimit të luftës iu përgjigjën familjarisht. Shtëpia e tyre në Gllogjan ishte njëra ndër bazat më të hershme e më të fuqishme të UÇK-së në mbarë Kosovën. Si rrallëherë në histori kjo familje luftës për liri ia dha katër gjeneralë dhe dy heronj të kombit: Luanin dhe Shkëlzenin. Djali i pestë i familjes, Enveri, njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, i dalluar në shumë fronte në luftës, i plagosur rëndë në betejën e 9 gushtit 1998 në luftimet e zhvilluara në Gramaçel, u vra pas luftës, më 15 prill 2005.
Dëshmori i kombit Shkëlzen Haradinaj shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Irzniq me sukses të shkëlqyeshëm. Gjatë gjithë jetës u shqua për edukatë të shëndoshë dhe sjellje shembullore në familje e në shoqëri. Është njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh njëra ndër figurat qendrore të kësaj lufte, si gjatë veprimtarisë ilegale si pas shpërthimit të luftës frontale. Si njëri ndër komandantët më të shquar luftarakë të UÇK-së gjatë gjithë kohës u shqua për virtytet më të larta njerëzore që e karakterizojnë kombin shqiptar, për trimëri, urtësi e burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt, krenari raciale e qëndresë titanike.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhua aktivisht që në fillim të vitit 1993, krahas të vëllait Luanit, i cili ishte njëra ndër shtyllat kulminante të UÇK-së në Kosovë. Gjatë veprimtarisë ilegale në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vepruar me emrat e luftës “Skifteri” dhe “Xeni”. Këso kohe kishte lidhshmëri të punës profesionale me vëllezërit e tij Luan e Ramush Haradinaj, dajën e tij Lahi Brahimaj, Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, Rexhep Selimin, Mujë Krasniqin, Sylejman Selimin, Hashim Thaçin, Naser Brahimajn, Kadri Veselin e shokë të tjerë, duke patur një bashkëveprim të fuqishëm me nënzonën e Drenicës, të Llapit, të Pashtrikut etj., ku shpeshherë ka qëndruar e vepruar me detyra lufte, sidomos në Nënzonën e Drenicës.
Në kuadër të Njësitit të UÇK-së së Dukagjinit ka bashkëvepruar ngushtë me të vëllanë Dautin, djalin e axhës Bujarin, Gazmend Mehmetajn (Rrudhanin), tani dëshmor i kombit, të vëllanë më të madh Ramushin, Muhamet Avdijajn etj., duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si në furnizimin me armë, në zgjerimin e radhëve të UÇK-së dhe në kryerjen e aksioneve të shumta guerile. Është karakteristike se Shkëlzeni gjithë veprimtarinë e tij luftarake për më së gjashtë vjet radhazi pandërprerë e zhvilloi në Kosovë dhe për lirinë e saj. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, asnjëherë nuk pranoi të largohej nga Kosova. Me plagë të pashëruara kthehej në krye të detyrës, madje edhe në vijat e para të frontit.
Një kohë të gjatë Shkëlzeni ka bashkëvepruar ngushtë edhe me Mujë Krasniqin – Kapuçin, të cilin e donte dhe e çmonte sikur ta kishte vëlla. Muja gjatë periudhës së ilegalitetit shpesh herë rrinte me javë të tëra në familjen e Shkëlzenit, veçanërisht pas rënies së Luanit. Bashkë luftonin e bashkë këndonin. Shkëlzenit e Mujës bashkë u jehonte pushka e kënga kushtrim.
Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet gjatë periudhës së ilegalitetit kreu një varg aksionesh kundër patrullave të ushtrisë jugosllave përgjatë brezit kufitar Kosovë – Shqipëri nga drejtimi i Hulajve etj., në periudhën 1995-1998; mori pjesë në sulmet e ndërmarra kundër bazës së policisë serbe në Baballoç dhe në sulmet e ndërmarra disa herë radhazi kundër stacionit famëkeq të policisë serbe në Irzniq të Deçanit, ku duhet veçuar sulmin e datës 29 gusht 1995, kur u vranë dy policë serbë dhe u plagosën 4 të tjerë, pastaj atë të datës 24 gusht 1997, të datës 12 shtator 1997 dhe 27 nëntor 1997, me ç’rast vriten disa policë serbë.
Rënia heroike e të vëllait Luanit, në krye të detyrës në kufirin shqiptaro-shqiptar, më 6 maj 1997, nuk e ligështoi, përkundrazi bëri që të luftojë edhe më me vendosmëri. I bindur se liria nuk fitohet pa gjak, Shkëlzeni e shtoi dukshëm aktivitetin e vet në luftë për liri.
Në këtë periudhë, Shkëlzeni pati një rol të veçantë në bartjen dhe në furnizimin me teknikë luftarake të njësiteve të UÇK-së në gjithë Kosovën, dhe në përcjelljen e ushtarëve të furnizimit për në Shqipëri dhe anasjelltas.
Shkëlzeni gjithnjë u ka prirë shokëve, duke zhvilluar një veprimtari të gjithanshme. Janë të rralla aksionet guerile, patrullimet në rajonin e Dukagjinit, por më vonë edhe betejat frontale, në të cilat nuk ka marrë pjesë. Me të marrë vesh për sulmin e forcave serbe të ndërmarrë kundër komandant Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Drenicës, në mars të vitit 1998, Shkëlzen Haradinaj me shokë që vepronin në Nënzonën e Dukagjinit, vetëm brenda një nate kanë kryer mbi 22 aksione të armatosura kundër bazave ushtarake, policore e paramilitare serbe në rajonin e Dukagjinit.
Shkëlzeni ishte një luftëtar i devotshëm, që aktivisht veproi në të gjitha etapat e zhvillimit të UÇK-së, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në ballë të luftës. Ai u kalit në luftë, duke i arritur majat më të larta të organizimit luftarak të Zonës Operative të Dukagjinit, që shkëlqeu në të gjitha përballjet me forcat pushtuese serbe.
Dëshmori Shkëlzen Haradinaj në Betejën Heroike të 24 marsit 1998, në Gllogjan, u dallua si organizator e luftëtar i shkëlqyer përkrah vëllezërve Ramushit, Dautit, Enverit, djalit të axhës Bujarit e luftëtarëve të tjerë si dëshmorëve Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, të cilët patën fatin e madh të jenë dëshmorët e parë të lirisë, të rënë në luftë frontale në Zonën e Dukagjinit. Në këtë betejë të lavdishme në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Shkëlzenit, babai Hilmiu, vëllai Frashëri, motra Mejremja e bashkëluftëtarë të tjerë, forcave serbe iu shkaktuan dëme të mëdha në njerëz e në teknikë lufte, duke i detyruar të tërhiqen me turp pa i realizuar synimet e tyre shfarosëse. Vetëm Shkëlzeni atë ditë kishte shkatërruar dy blinda të forcave serbe, njërën afër shtëpisë së tij e tjetrën tek Ura e Zallit që gjendet në mes të fshatit.
Pasi që komandanti Ramush Haradinaj, ishte plagosur rëndë në Betejën e 24 marsit, për një kohë Shkëlzeni drejtoi organizimin e mëtutjeshëm të luftës, duke bërë zgjerimin e vijave frontale fillimisht në fshatrat përreth Gllogjanit, për të përfshirë brenda një kohe të shkurtër pothuajse gjithë Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe duke i përmbushur kërkesat për armatimin e domosdoshëm.
Pas Betejës së 24 marsit, së pari u sulmua vija e frontit në Baballoç e në Gramaçel, më 21 prill, sulm ky që paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera frontale të ushtrisë dhe të policisë serbe në Dukagjin. Në Baballoç Shkëlzen Haradinaj organizoi një qëndresë të pashembullt bashkë me bashkëluftëtarët Maliq Ndrecaj, Ilir Faniqi, Naser Morina, Lulzim Morina, Ajet Potera, Fazliun nga Podujeva, Bekim Birinxhikun, Ramiz Batushën (dëshmor), Zenun Matajn (dëshmor), etj. Në luftimet e zhvilluara në Baballoç, më 28 prill 1998, Shkëlzeni u plagos rëndë në nofullën e majtë dhe në kraharor, për çka i duhet një kohë bukur e gjatë për t’u shëruar pjesërisht. Por edhe në këtë gjendje, Shkëlzeni ishte në krye të detyrës, duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD) me qendër në Gllogjan.
Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë në fund të muajit korrik dhe në fillimin e muajit gusht 1998, kundër pozicioneve të luftës në gjithë rajonin e Dukagjinit, në kohën kur bijtë më të mirë po luftonin që nga Smolica në Junik, në Gllogjan e Shqiponjë, më 9 gusht 1998, pas plagosjes së vëllezërve Enverit tepër rëndë dhe Dautit më lehtë në frontin e Gramaçelit, kur forcat serbe po i afroheshin Shtabit në Gllogjan, Shkëlzeni, si heronjtë e legjendave shtrëngon plagët dhe gjendet në ballë të frontit.
Se Shkëlzen Haradinaj, ishte i pathyeshëm para pengesave e vështirësive të çfarëdo natyre dhe se ishte përcaktuar me njëmendësi për të luftuar e për ta fituar lirinë e popullit të vet me çdo kusht, tregon edhe fakti se Shkëlzeni ishte faktori vendimtar për përballimin e pasojave të ofensivës së shtatorit 1998. Ai ishte këmbëngulës për të qëndruar e luftuar në Kosovë, edhe pas kësaj goditje të rëndë se përndryshe “edhe po të kthehemi me njëqind mijë djem dhe ta çlirojmë Kosovën, ikja nga Kosova do të na shënohet tradhti për tërë jetën”, do të shprehej ai para bashkëluftëtarëve në Broliq.
Me t’u bërë riorganizimi i Komandës së Zonës, në muajin shtator, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Shkëlzen Haradinajn e emëroi Ndihmëskomandant për Mbrojtjen Territoriale të ZOD-it, i cili i kreu me sukses të lartë të gjitha detyrat e ngarkuara si inspektimin e pozicioneve luftarake, rregullimin e tyre, përgatitjen e zjarrit dhe planit luftarak. Për riorganizimin e radhëve të UÇK-së, zgjerimin e territoreve të kontrolluara nga UÇK-ja dhe organizimin e qëndresës së pathyeshme në të gjitha vijat e frontit, padyshim se meritat më të mëdha i ka Shkëlzeni.
Ndërkaq, në fillim të muajit nëntor, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Shkëlzen Haradinajn e emëron Ndihmëskomandant për Operacione Luftarake të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, detyrë kjo që e kreu me nder e përgjegjësi të lartë deri në rënien heroike.
Komandant Shkëlzeni ishte njeri i veprimit e jo i fjalëve të mëdha. Ishte njeri i organizimit, por edhe i aksioneve konkrete, duke marrë pjesë personalisht edhe në aksionet e kryera në prapavijë të armikut. Në njërën nga këto aksione të kryera në prapavijë të armikut, më 18 nëntor 1998, në magjistralen Deçan-Gjakovë, në rrugën e Dujakës, ku u vranë gjashtë policë serbë, Shkëlzeni u plagos sërish.
Komandant Shkëlzeni u shqua në betejën e zhvilluar në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, ku falë gjeturisë së tij, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me luftë të armatosur arritën të çajnë rrethimin dhe të ripozicionohen në Ratish.
Vijat e frontit në Ratish të Epërm e në Dashinoc, nën drejtimin e komandant Shkëlzenit me bashkëluftëtarët e tij të Brigadave 131 “Jusuf Gërvalla” dhe 134 “Bedri Shala” etj., do të bëhen digë e pakalueshme dhe varr për forcat pushtuese serbe, që tani e tutje deri në përfundim të luftës kurrë nuk do të thyhen nga armiku. Për nëntë ditë me radhë, në acarin e janarit, prej datës 9 deri më 18 janar 1999, luftëtarët e lirisë qëndruan stoikisht, duke i thyer keq forcat serbe, dhe duke i detyruar të kthehen prapa. Në këtë betejë, Shkëlzeni sërish mori plagë të reja.
U shqua edhe në Betejën e Pozharit, të zhvilluar prej datës 27 mars deri më 2 prill 1999, me ç’rast forcat serbe që deri atëherë gjendeshin të stacionuara në Lumbardh e në Pozhar i detyruan të tërhiqen në drejtim të Deçanit. Në këtë përballje të lavdishme forcat serbe patën dhjetëra të vrarë, në mesin e tyre edhe disa oficerë të lartë si dhe dëme të konsiderueshme në teknikë lufte.
Shkëlzen Haradinaj gjatë ditëve të prillit qëndroi në ballë të frontit edhe në Gërgoc e Kralan. Më 5 prill, drejtoi operacionin për tërheqjen e më se dyzet luftëtarëve të plagosur në drejtim të Istogut. Edhe pse kolona dy herë ndeshet me forcat armike (në afërsi të Kotradiqit dhe në magjistralen Pejë – Mitrovicë), pararoja e drejtuar nga Shkëlzeni me bashkëluftëtarët Dautin, Bujarin, Fatmirin, Agimin, Burimin, Luanin, Shpendin, Selmon Lajçin etj., arrijnë që t’i eliminojnë ato dhe të vazhdojnë rrugën, duke e kryer me sukses këtë operacion. Edhe në komunën e Istogut, në Vrellë, Ruhot, Saradran etj., Shkëlzeni ndihmoi organizimin dhe përforcimin e vijave të frontit.
Më 15 prill, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me të cilët zakonisht ka qëndruar e luftuar Shkëlzen Haradinaj, për shkak të përgjegjësisë që e ka pasur brigada, kthehen dhe vendosen në rrethinat e Maznikut. Rrethimi i hekurt vazhdonte në të katër anët. Vetëm një ditë më vonë, në Malet e Maznikut, në një betejë të ashpër, të zhvilluan gjoks për gjoks e dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe, në mbrojtje të popullatës civile, që ishte e strehuar në grykën e Duboçakës, në malet ndërmjet Zhebelit dhe Maznikut, komandanti Shkëlzen Haradinaj bie heroikisht në Altarin e Atdheut bashkë me bashkëluftëtarët Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj. Luftimet ishin tepër të rrepta dhe zhvilloheshin në afërsi dy-tri metra. Forcat serbe edhe kësaj radhe patën dhjetëra të vrarë. Disa herë radhazi Shkëlzeni me shokë edhe bombat arrin t’ua kthejë prapa. Deri në kupë të qiellit jehonte kënga dhe kushtrimi i këtyre trimave të lirisë. Shkëlzenin me fortësinë e shkëmbit, me madhështinë e bjeshkës e qëndresën vigane, nuk e rrëzoi plumbi që e mori në gjoks. Ai ashtu i plagosur e likuidon edhe një armik dhe dikur një plumb e merr në ballë. Shkëlzeni me shokë dha jetën e tij, por shpëtoi mijëra jetë të fëmijëve, grave e pleqve, jetë njerëzve të popullit të vet, të cilët falë tyre i shpëtuan masakrës.
Rënia e Shkëlzen Haradinajt, që kishte bërë gjashtë vjet luftë të pakompromis, që kishte kaluar dhjetëra beteja të njëpasnjëshme, ishte humbje e tepër e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar. Bashkëluftëtarët nuk e kishin besuar kurrë se mund të vritej Shkëlzeni. Rënia e tij ishte kushtrim për ta çuar luftën deri në fund, gjë që vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e bënë realitet. Më shumë se katërqind mërgimtarë që deri atëherë gjendeshin në mërgim, me të dëgjuar për rënien e komandant Shkëlzenit, u nisën drejt luftës në Kosovë, shumica prej tyre luftuan e vepruan në frontin e Koshares.
Shkëlzeni bashkë me Fatmirin fillimisht u varrosën me nderime ushtarake në Malet e Maznikut. Të nesërmen atyre iu bashkua edhe Hasimi, ndërkaq trupi i Luanit të plagosur, pushoi te Stanet e Gllogjanit në Bjeshkë të Strellcit, deri më 24 gusht 1999, kur këta dëshmorë, bashkë me shumë dëshmorë të tjerë në ditë lirie u rivarrosën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, që u formua pas rënies së Shkëlzenit, me nder e krenari e mbajti emrin e Shkëlzen Haradinajt. Edhe Batakioni Gardist i Zonës së Tretë të Mbrojtjes së TMK-së me nder e mbajti emrin e tij. Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës, qëndron krenar busti i heroit, bashkë me lapidarin me emrat e të gjithë dëshmorëve të komunës së Pejës, aty në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj”.
Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është dekoruar me urdhrin e Hero i Kombit.
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5