-Kosova në 2017-tën pjesëmarrëse në ngjarje të rëndësishme kulturore me renome ndërkombëtare/
-Ministri Kujtim Gashi: Për herë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka ndarë Çmimin ndërkombëtar “Letërsia shqipe”, i cili i është dhënë shkrimtarit të madh Ismail Kadare/
PRISHTINË, 2 Janar 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në vitin 2017 Kosova ka qenë pjesëmarrëse në shumë ngjarje të rëndësishme kulturore me renome ndërkombëtare.
“Në 2017-tën Kosova mori pjesë në edicionin e 57-të të Bienales së Venedikut, në Edicionin e 8-të të Lojërave të Frankofonisë në Abixhan të Bregut të Fildishtë, në programin Evropa Kreative, ndërsa është anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Artit dhe Agjencive të Kulturës, e cila është një rrjet global i këshillave të artit dhe ministrive të kulturës”, tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në konferenën për shtyp të fundvitit 2017 e në prag të 2018-tës.
Ministri theksoi edhe ndarjen e çmimeve vjetore në fusha të ndryshme të kulturës – për dramë origjinale shqipe, për letërsi, për teatër dhe për muzikë, si dhe promovimin kulturor të Kosovës.
“Në kuadër të politikës së promovimit kulturor është përkrahur krijimtaria kulturore në vend, duke përfshirë aktivitetet e institucioneve publike kulturore: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filarmonia-Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Ansambli Shota, Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Kosovafilmi dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, tha Gashi.
Ndërsa, vijoi ai, me qëllim të promovimit kulturor janë përkrahur edhe aktivitetet e kulturës së pavarur, përfshirë ato të asociacioneve dhe organizatave të pavarura kulturore, artistëve, etj. “Gjatë vitit 2017 janë përkrahur më shumë se 400 projekte me shumën totale mbi 1.200,000 euro”, tha ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ai theksoi edhe aktivitetet me qëllim të përkrahjes së autorëve dhe botueseve dhe përmes tyre të afrohet sa më shumë libri pranë lexuesve, mes të cilave përkrahjen 33 shtëpive botuese.
“Për herë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës në vitin 2017 ka ndarë Çmimin ndërkombëtar ‘Letërsia shqipe’, i cili i është dhënë shkrimtarit të madh Ismail Kadare”, tha ministri.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizoi konferencën për shtyp të fundit për vitin 2017, ku ministri Kujtim Gashi prezantoi të arriturat, sukseset dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Ministria.
“Edhe pse mandatin si ministër e kam marrë pak më shumë se tash e 100 ditë, gjatë kësaj periudhe kam qenë i përkushtuar që të zbatojë planin e punës së Ministrisë, të vazhdojë zbatimin e projekteve që kanë qenë në proces, por edhe kam shtyrë përpara politika dhe projekte që i kam propozuar bashkë me kabinetin tim”, tha ministri.
Ai bëri të ditur se, Ministria e Kulturës në 2017-tën ka pasë një buxhet prej 25,146.301 eurosh.
Foli edhe për ligjet që janë miratuar gjatë vitit 2017 – Ligjin për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive dhe Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
“Aktet nënligjore të miratuara gjatë vitit 2017 janë 9-të. Gjatë kësaj periudhe kohore Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka harmonizuar edhe 7 ligje me Ligjin për Kundërvajtjet”, tha ministri Gashi.