Greva e urisë së të përndjekurve politike ka shënuar të shtunën ditën e katërt të saj dhe numri i grevisteve ka arritur në njëzetë, pasi grevës iu shtuan dhe dy grevistë të tjerë.
Pas përplasjeve të djeshme edhe sot janë shënuar incidente, pasi disa ish- të burgosur politikë kanë hedhur akuza ndaj grevistëve për mospërfaqësimin e tyre, duke i akuzuar grevistët se po përdoren për interesa politike.
Më heret, koordinatori i grevës së tetorit 2013, Skënder Tufa, është prononcuar kundër grevës që po zhvillojnë një grup të përndjekurish, pasi sipas tyre, ata nuk përfaqësojnë të burgosurit politike, madje duke hedhur akuza se disa nga pjesëmarrësit e grevës nuk kanë lidhje me përndjekjen.
Ndërsa Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Kurt Kola, shprehet për ATSH-ne se “kjo grevë nuk ka lidhje me interesat e të përndjekurve politike dhe po dëmton jo vetëm imazhin e kësaj shtresë, por edhe të vetë Shqipërisë në pragun e marrjes së statusit kandidat për në BE”.
Po ashtu, Kola u shpreh se “deputetët e opozitës gjenden në çdo kohë pranë grevistëve dhe ajo është e kuptueshme se është politike, krahasuar me grevën reale që bënë të burgosurit, kur ata ishin në pushtet dhe i masakruan, ndersa sot kërkojnë të përfitojnë sadopak në emrin tonë dhe kjo është e turpshme”.
Kola e konsideron grevën e urisë së të përndjekurve “një grevë me suport politik nga opozita”, duke argumentuar se në “greven e tetorit 2013, këta politikane i shanë, i denigruan, madje dhe i detyruan të vetëflijohen sa humbi jetën dhe i ndjeri Lirak Bejko dhe u vetëdogjen disa të tjerë dhe ata heshtën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”. “Ne nuk e njohim këtë greve si kauzen tone, pasi ajo është kauza e atyre që për 23 vjet përdorën të përndjekurit për të ndenjur në pushtet”, tha ai.
“Çuditerisht sot janë këta politikane që kanë futur në greve disa që nuk kanë lidhje me përndjekjen dhe po prishin imazhin e vetë të përndjekurve”, perfundoi Kola
Greva monitorohet ne menyre te panderprere nga mjekët dhe gjendja shëndetesore e tyre eshtë e mirë, përjashtuar disa raste ku grevistët kanë marrë ndihmë mjekësore.