“Në vendin e të varurit, mos kujto litarin!”- Popullore
(skicë humoristike)/
Nga Përparim Hysi/
Ndodh që je mirë e bukur dhe, papritur, ndesh me një hall shëndetësor që, sado në dukje është i vogël, befas bëhet i madh. Ky ” befasim” i kësaj rritjeje është, pa dyshim, subjektiv. Por,sidoqoftë, bëhet sa agravues, aq dhe acarues. Mandej, ky hall, zë e rrit peshën e tij relevante sa të duket si mal që e mban mbi shpatulla. Shto,pastaj zakonin tonë të keq që”hallin” tonë ua transmetojmë të tjerëve, atëherë; “vil mendime nga njëri e nga tjetri,e pak nga pak,ja “tek u mbars malli dhe polli një mi”. Se vërtet kështu ka ndodhur. Hallin e kam unë mbi shpatulla dhe, nëse e bie si shkrim për ju, e bëj enkas: mos t’i ndodhë askujt siç më ndodhi mua.
* * *
Kam patur prej kohësh një “nishan” apo puçërr mbi shpinë. As e trazoja dhe as më trazonte. Kurrë dhe, në ndodhte që më kruhej, as që guxoja ta bëja një gjë të tillë, se psikologjikish, por dhe shkencërisht, thuhet që duhen lënë në “punë të tyre”. E lashë unë, por nuk më la “nishani”. Duket i ngjau një “vullkani të fjetur”,që, befas, zë e çliron magmën që ka përbrenda dhe “zgjohet”. Unë nuk e pashë që u “zgjua”, por ndjeva një si dhimbje të lehtë që më shponte shpinën. Kërkova ndihmën e timeshoqeje dhe qe ajo që vërejti:” vullkani ” qe zgjuar. Natyrisht, që, fillimisht, u mundova ta ktheja në atë”gjumin” e dikurshëm , me mjekime ambulatore, por nuk më njohu për zot. Atëherë trokita tek mjeku specilaist. Kirurgja konstatoi që kish nevojë për ndërhyrje mikrokirurgjikale dhe,me që mjekësinë e kem “falur, më dërgoj që të blija ca medikamente që duheshin. I bleva ato dhe bëri ndërhyrjen e duhur. Mjekimi për të mbyllur “erupsionin e vullkanit të heshtur mbi trupin tim”, vazhdon edhe ca ditë. Por, në e shkruaj këtë skicë,e bëj enkas. E kam quajtur humoristike,se me të vërtetë është pak me të qeshur, sidomos për tipa si unë që i marrim dhe “thagmat” me sportivitet.
* * *
Me qeskën e farmacisë në dorë, takova ca shokë që,sado rrallë, të paktën një herë në javë ulem nga një copëherë me ta. Duke më parë me qeskën e farmacisë në dorë, lindën dhe bisedat e më poshtme:
-Ç’ e ke këtë qeskë?
-Vajta në farmaci dhe bleva këto ilaçe.
Dikush (epo sa kurioz që bëhemi) e hapi qeskën dhe, tek i pa, më thotë:-Ore, mos ka filluar Sika dhe bën gjëlpëra aty tek rri,se paske blerë “betadinë”, një pomadë, garza, leoko-plast dhe shiringa. Të lumtë,- e mbylli,- zanati nuk vdes kurrë.
-Jo, mor mik,- u mbrojta unë,- Sika (është fjala për time shoqe,infermiere me profesion), ka njëzet e pesë vjet që është përciell me gjëlpërat, po i kam blerë unë. Dhe fillova të tregoja për “vullkanin” tim mbi shpinë që qe “zgjuar”.
-Ou,- bëri ky që hapi qeskën. Po ç’ke bërë kështu, more ditëzi? Po a e di ti që Hamzai i Merjemës, pse doktori i hoqi një puçërr të tillë, pas 6 – muajësh iku nga kjo botë.
Tek dëgjoja këtë “leksion” kaq të qëlluar, u mundova me politesë, po ku më la radhë një tjetër.
– Ore, po ku e pati ai “merhumi” Hamza atë “puçrrën”?
-Po ja, kështu si Papi. Tohidho: mbi kurriz e kishte. Pastaj Papi e ka nga halli,se iu “zgjua”, po ajo “puçrra” e ” merhumit Hamza flinte pr qejf të saj, por Hamzai i shkretë na paskej mik një kirurg dhe ky, pasi ia kish parë, i kish thënë:- Hajde, o Zake, të ta heqim. Shkoi e hoqi dhe, pas gjashtë muajësh, iku nga kjo botë. Ja, para një jave, i bëmë të dyzetat. Bobo! Ta gjesh, nga nuk e pandeh.
Natyrisht, që nuk më erdhi aspak mirë, sa dëgjova seç bloi “kuriozi”, por nuk qe me kaq. Për fat të keq, timin me domosdo, ata hynë aq thellë tek halli im,sa,secili po mundohej të më jepte “kurajo”.
-Mirë në shpinë, se nuk e sheh dot me sy dhe, tek lahesh, zë e ngacmon, por ti,- m’u drejtua “kurajozi” tjetër,- e njihje Danen e Azbiut.
-Po si nuk e njihja?- u përgjegja unë.
-Epo qy, Dania, atë të shkretë nishan ma kish në krah. Ç’e kam? Pse e kam? Dhe, kështu si ti, frymën tek doktori. Ky po tak thikën dhe m’i thotë:- Ta hoqa dhe shpëtove. Shpëtove, por “nishani” më paskësh atë avazin e qemanes së Nastradinit, tak “u zgjua”, siç thotë Papi dhe gjithë ai Dane brenda një muaj erdh dhe u fal pak nga pak, siç bën kandili kur i mbarohet vaji.
Sado me sportivitet që dëgjoja këta miqtë e mi,që po më mbanin me “kurajo”, sikur po më hipnit kacabujtë,sado që “lektorët” qenë njerëz me të cilët kam të bëj dhe, për t’i bërë bisht, ndonjë bisede tjetër të “nxehtë”, u ndava nga ata dhe po bëj këtë shkrim që besoj diçka thotë.
Tiranë, 7 nëntor 2015″Kurajoja